• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Historianët e Deçanit kundër demarkacionit

August 31, 2016 by dgreca

-Letër deputetëve të Kuvendit të Kosovës: Ju ftojmë që t’i thoni jo demarkacionit me Malin e Zi dhe i gjithë procesi të kthehet në pikën zero/

-Kuvendi i Kosovës mblidhet nesër në orën 11:30 në seancë plenare, ku “Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi”, është pika e 6-të e axhendës 8-pikëshe/

PRISHTINË, 31 Gusht 2016-Gazeta DIELLI/  Me  ftesën që t’i thonë jo demarkacionit me Malin e Zi dhe i gjithë procesi të kthehet në pikën zero, në vazhdimësi të kundërshtimit të Marrëveshjes së Demarkacionit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi, Kryesia e Lidhjes se Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, ju ka dërguar sot letër të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës, i cili mblidhet nesër në orën 11:30 në seancë plenare.

“Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi”, është pika e 6-të e axhendës 8-pikëshe.

Letra e plotë, të cilën e botojnë edhe mediat, e Lidhjes se Historianëve të Kosovës “Ali Hadri”, dega në Deçan:

Të dashur deputetë dhe deputete të Kuvendit të Republikës se Kosovës,

Kanë mbetur edhe disa orë, deri kur në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në vendin më të lartë legjislativ të vendit tonë, të fillojë diskutimi dhe më pas miratimi i Marrëveshjes për Demarkacionin në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Malit të Zi.

Ky është një moment i kthesës së madhe në historinë e Kosovës të pas luftës çlirimtare e cila përfundoi me lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë.

Fati i popullit tonë është në gishtat tuaj. Ju e keni në dorë që të vendosni copëtimin e Kosovës apo të i thoni jo copëtimit të Kosovës. Emrat e juaj, tashmë janë pjesë e historisë së vendit tonë. Një pjesë e juaj jeni nënshkrues të aktit të pavarësisë së 17 shkurtit të vitit 2008, një pjesë tjetër e juaj jeni aktivistë të devotshëm të viteve ’90 të shekullit XX, dhe një pjesë e juaja jeni pjesë e pandashme e luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Të dashur deputetë dhe deputete të Kuvendit të Republikës se Kosovës,

Më 1 shtator 2016, emrat e juaj përsëri do të hyjnë në histori, por kësaj herë hyrja aty ka një kusht, kusht i cili është në duart tuaja. Të gjithë ju duke i thënë jo demarkacionit më Malin e Zi, do të mbeteni përherë burra e burrnesha të pavdekshëm, ndërsa ju që do të i thoni po demarkacionit me Malin e Zi, do të mbeteni përherë në faqen e zezë të historisë se vendit tonë.

Ju që do të i thoni po demarkacionit me Malin e Zi, do të i leni gjurmë të zezë vetës tuaj, familjes dhe fëmijëve tuaj.

Ne vlerësojmë dhe kemi vlerësuar si dhe e përsërisim prapë, që Komisioni Shtetëror i kryesuar nga Murat Meha, ka bërë punë skandaloze, duke lenë pjesë të tëra të Kosovës jashtë kufijve të saj.

Ju të nderuar deputetë dhe deputete të Kuvendit të Republikës së Kosovës duhet të dini se kufijtë e Kosovës i kanë vendosur gjaku i shumë e shumë dëshmorëve të kombit, e jo lapsi i Murat Mehës dhe pjesës tjetër të komisionit. Ju duhet të dini se në brendësi të Komisionit Qeveritar ka njerëz që janë skandalozë, që kanë një të kaluar jo të mirë kombëtare e profesionale.

Të nderuar deputetë e deputete të Kuvendit të Republikës se Kosovës,

Me votë kundër demarkacionit me Malin e Zi, do të mbroni interesin e përgjithshëm të qytetarëve të Kosovës, do të ndalen shumë procese të tjera të liga për popullin tonë.

Në fund të kësaj letre, ju lutemi kujtoni delegatët e Kuvendit të Prizrenit të korrikut të vitit 1945, delegatë të cilët i thanë po aneksimit të Kosovës nga Serbia, po ashtu kujtojeni edhe delegatët e Kuvendit të Kosovës të marsit të vitit 1989 të cilët me dëshirë ia hoqën Kosovës elementin konstituiv, shikojeni se si sot ata i gjykon historia, andaj edhe ju nesër me 1 shtator 2016, jeni para dy rrugëve, ose të i thoni po copëtimit të Kosovës ose të i thoni jo copëtimit të Kosovës.

Vendosni vet, por nesër historia do të gjykoj veprimin e juaj.

Kaloni diktatet dhe vendimet e forumeve të partive, sepse tash jemi në demokraci dhe nuk jemi në sistemin parti-shtet.

Duke ju uruar punë të mbarë, në emër të Kryesisë dhe të gjitha strukturave dhe anëtarësisë së Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan, ju ftojmë që të i thoni jo demarkacionit me Malin e Zi dhe i gjithë procesi të kthehet në pikën zero.

Sinqerisht,

Kryesia e Lidhjes së Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan

Filed Under: Featured, Komente Tagged With: Demarkacionit, Historianet e Decanit, Jo, Kosove-Mali i Zi

NËNA TEREZE, LUTU PËR KOMBIN SHQIPTAR !

August 30, 2016 by dgreca

1 Frank Shkreli okNga Frank Shkreli/

  Më 4 shtator në Vatikan zhvillohet ceremonia për shenjtërimin e Nënë Terezës.  Një Shënjëtëreshë shqiptare, por njëkohsisht Shënjëtëreshë edhe e botës, shënjtërimi i të cilës, pothuaj pa precedencë, po celebrohet jo vetëm në trojet shqiptare dhe nga Kisha Katolike, por edhe anë e mbanë botës.  Natyrisht se shënjtërimi i nobelistes për paqë Nënë Terezës konsiderohet si një ngjarje me rëndësi në historinë e Kishës Katolike, por është veçantë edhe në historinë e kombit shqiptar dhe mund të thuhet se është një ngjarje me rëndësi botërore, pasi veprimtaria e Nënë Tereza shtrihej në të gjitha kontinentet dhe si e tillë ajo i përkiste mbarë botës pa dallim feje ose ideologjie.  “Nënë Tereza është Kombet e Bashkuara”, ishin fjalët që kishte përdorur Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Perez de Quellar për të paraqitur murgeshën shqiptare para Asamblesë së përgjithshme të OKB-ës më 1985, për të pasqyruar faktin se, sipas tij, Nënë Tereza është modeli i punës dhe i veprimtarisë që në të vërtetë duhej të bënte Organizata e Kombeve të Bashkuara.

Në këtë tokë, sa ishte gjallë Nënë Tereza — me lutjet, me veprimtarinë dhe me dashurinë e saj pa kusht dhe pa kufi për të gjithë, e sidomos për më të varfërit e kësaj bote — Nënë Tereza e Shqiptarëve dhe e mbarë botës frymëzoi të gjithë pa dallim, duke përhapur rreze drite e shprese në skutat më të errëta dhe më të harruara të botës, përfshirë edhe trojet shqiptare.  Anë e mbanë botës, përfshirë edhe trojet shqiptare – në Shkup, në Tiranë, në Prishtinë, Prizren e Gjakovë ,për disa ditë me radhë tashti po zhvillohen aktivitete fetare e kulturore me rastin e shënjtërimit të bijës së kombit shqiptar, Nënë Terezës, kësaj “Ikone të misionit në shekullin e XX”, siç e ka cilësuar Papa Gjon Pali i dytë.  

Shkrimtari britanik, Çarlës Dikëns ka thënë se, “ishte koha më mirë dhe ishte koha më e keqe”, duke iu referuar Revolucionit francez të vitit 1775.  Kjo thënje ndoshta i përshtatet edhe botës së sotëme shqiptare.  Nga një anë, mund të thuhet se koha e sotme mund të konsiderohet, historikisht, si më e mira për shqiptarët ndërkohë që në të gjitha trojet e veta ata gëzojnë si kurrë më parë kaq liri e pavarsi për veten e tyre.  Por nga ana tjetër, mund të thuhet  gjithashtu se për shqiptarët mund të jetë edhe një kohë e keqe, sepse mundësitë pozitive që paraqet kjo periudhë për të ardhmen e kombit shqiptar, nuk po përfillen me një kuptim më të plotë të realizimit të objektivava kombëtare, kryesisht për arsye të mosmarrveshjeve dhe përçarjeve politike në radhët e vetë shqiptarëve si edhe të mungesës së bashkpunimit midis tyre për një të ardhme më të ndritur për brezat e ardhëshëm, ashtu siç do ta kërkonte e mbara e kombit dhe e drejta e të Madhit Zot. 

Kam drojë se, falë situatës aktuale politike anë e mbanë trojeve shqiptare, “kohët më të mira” për kombin shqiptar po na rrëshqasin nga dora për gjithmonë dhe se “burimi i shpresës” po thahet dhe se një “periudhë terri” e një dimëri të gjatë dëshpërimi të pa shpresë, do të karakterizojë fatin e kombit shqiptar në të ardhmen e afërt.

Por shpresa nuk vdesë kurrë.  Në këtë ditë përkujtimi të shënjtërimit të Nënë Terezës, kombi shqiptar duhet të reflektojë mbi të kaluarën, të tashmen si dhe mbi mundësitë që ofron e ardhmja.  Me shënjtërimin e saj të dielën që vjen, sidomos Shqiptarët do të kenë pajtoren dhe ndërmjetsuesen e vet para të Madhit Zot.  Si e tillë, të gjithë ne — në mënyrën e vet dhe sipas traditës — të kërkojmë prej sajë lutjet dhe ndërmjetsimin e saj që kjo periudhë në historinë e kombit shqiptar sot, të jetë një ndër etapat më të ndritura për një të ardhme më të mirë për shqiptarët, të grumbulluar rreth një sofre të përbashkët. 

T’i lutemi Shënjtëreshës Nënë Tereze që ajo, nga ana e saj, t’i lutet të Madhit Zot që kombi shqiptar të mënjanojë “kohërat e  këqia” dhe që udhëheqsit e tij, mbi të gjitha, të punojnë për fatet e Atdheut dhe të bashkombasve të vet në një frymë vëllazërimi dhe të mos bëhen vegëla të vërbëta të interesave të huaja që kurrë nuk i kanë shërbyer mirëqenjes së shqiptarëve.  Lutemi që shqiptari të mund të dallojë njëherë e mirë mikun prej armikut, por edhe mbështetsit e kombit shqiptar, nga ata që duan t’a shkatërrojnë atë dhe historinë e tij.  Të dallohen dashamirësit nga shkatrruesit.  Vëllazërimi me të huajt, në mungesë të vëllazërimit shqiptar, nuk ka asnjë vlerë. Ai që mohon veten dhe identitetin e vet, nuk u duhet gjë as të tjerëve.

Lutemi që udhëheqsit e sotëm të kenë guximin dhe bindjen që të rivendosin dhe të çmojnë vlerat e vërteta historike të atdhedashurisë, si dhe vlerat morale, intelektuale, shpirtërore dhe kulturore historike të kombit shqiptar.  Lutemi  gjithashtu që  me rastin e shënjtërimit, në frymën e jetës dhe të veprimtarisë së Nënë Terezës për dashuri  dhe mirëkuptim për të gjithë njerëzit pa dallim feje ose krahine — edhe shqiptarët së bashku, të mund  të bien dakort që të ndërtojnë një të ardhme politike dhe ekonomike në baza të shëndosha respekti e bashkpunimi, pikëspari me njëri tjetrin e pastaj me të tjerët.  Lutemi që çdo shqiptar ta ndjejë veten të lirë dhe të barabart, në një shoqëri të lirë e demokratike,  në një atdhe ku i gëzon të gjitha të drejtat që i përkasin, bazuar në ligjet kombëtare dhe ndërkombtare.  Për të ndërtuar një të ardhme të tillë, është e nevojshme që shqiptari të trajtojë më mirë shqiptarin i cili ndoshta mendon ndryshe nga ai dhe që në procesin e jetës politike ta trajtojë atë si kundërshtar politik dhe jo si armik të përbetuar.   Ndryshe, Shqipëria e lirë, demokratike dhe anëtare e denjë e kombeve të përparuara, nuk bëhet. 

     Është krijuar një situatë fatzezë kur Shqipëria dhe Kosova, nga një anë, po pajtohen dhe bashkpunojnë me armiqtë dhe okupatorët shekullorë, madje duke i quajtur të huajt “vëllëzër” dhe “aleatë strategjikë” të shqiptarëve, ndërkohë që në trojet shqiptare nuk pajtohet vëllai me vëlla, kryesisht për arsye politike të kaluara dhe aktuale.  Nëna Tereze do të na këshillonte, se po të dëshirojmë paqën, së pari duhet të pajtohemi me më të afërmin tonë.  Nuk kemi askënd më të afërm se vëllain.  Duhet pranuar se historia tregon se shqiptari nuk është sjellur mirë me shqiptarin.  Fatkeqsisht, kjo situatë vazhdon edhe sot.  Historia na mëson gjithashtu se asnjë grup i vetëm, asnjë ideologji e vetme e çfarëdo ngjyre qoftë dhe asnjë individ sado diktator i egër të jetë, nuk mund të ndërtojë një shoqëri stabile dhe dhe një shtet me të vërtetë të lirë dhe të pavarur, ku të gjithë shqiptarët do ta ndjenin veten pjesë të pandarë të tij.  Ky është një mision i përbashkët, në të cilin duhet të marrin pjesë të gjithë, përndryshe  bërja e Shqipërisë (kam parasyshë mbarë trojet shqiptare) do të mbetet një projekt i pa realizuar.  

     Prandaj, të shpresojmë se shënjtërimi i Nënë Terezës do të shërbejë si një rast për secilin prej nesh që të këthjellojmë mendjen, të shqyrtojmë ndërgjegjen dhe të heqim dorë nga paragjykimet, inatet, egoizmat dhe urrejtjet ndaj njëri tjetrit – duke filluar nga nivelet më të larta politike e deri tek bashkombasit më të thjeshtë – vese këto të këqia të cilat pengojnë rëndë ndjenjat vëllazërore që duhej të mbizotëronin në radhët e shqiptarëve pa dallim dhe përgjithmonë me qëllim për të krijuar kështu një atdhe ku të gjithë të ndihen të barabartë, me detyra dhe përgjegjësi për të kontribuar drejtë fateve më të mira të kombit.  Shënjtëresha jonë Nëna Tereze lutu për Shqiptarët – bashkombasit tuaj!   Lutu që ata “të ndezin dritën e dashurisë dhe të paqës” midis tyre si komunitet dhe me njëri tjetrin të “hapin zemërat” dhe “të shtrijnë dorën e shërbimit” vëllazëror, duke filluar me ata që janë më të afërmit e tyre.  Lutu Nënë Tereza që një vëllazërim aq i dëshirueshëm dhe aq i nevojshëm në këto kohëra të pasigurta në trojet shqiptare dhe në botë në përgjithësi — të sjellë më në fund midis të gjithë shqiptarëve pa dallim — një harmonizim pipkamjesh dhe veprimtarishë, në dobi të kombit dhe bashkjetesës shqiptare të brezave të ardhëshëm të shqiptarëve. Me shpresën se siç ka thënë Papa Françesku në parathënien për librin, “Të duam të padashurin”, përmbledhje e fjalimeve të Nënë Terezës, duke iu drejtuar të rinjve shqiptarë ka shkruar se Shqipëria është vendi më i ri në moshë në Europë dhe si e tillë u bën thirrje të rinjve shqiptarë: “Fluturoni lartë si shqiponja, simbol i vendit të Nënë Terezës.”  Brezi i ardhëshëm i shqiptarëve nuk meriton asgjë më pak as më shumë se të fluturojnë lartë si shqiponja në çdo pikpamje të jetës dhe aktivitetit të tij.

 

Filed Under: Editorial, Featured Tagged With: Frank shkreli, Lutu per Kombin Shqiptar

“VALIXHJA E SHQYER”, ATË E BIR NË NJË LIBËR

August 30, 2016 by dgreca

 – tregime nga Visar  Zhiti me vizatime nga Atjon Zhiti -/….LIBRI SHPERNDAHET SOT, NE DITELINDJEN E ATJONIT, QE SOT DO TE ISHTE 21 VJEC….

Ballina e Valixhes se shqyer“Valixhja e shqyer” është libri më i fundit i shkrimtarit Visar Zhiti, tregime të shoqëruara me vizatime nga Atjon Zhiti, atë e bir së bashku, botim i porsa dalë nga shtëpa botuese “OMSCA-1”.                                                                                                     I veçantë dhe tërheqës për përmbajtjen dhe “historinë” e vet, album bardhë-e-zi ndërkohë, një mpleksje moderne, që përçon ndër të tjera kumtet dhe emocionet e bashkëpunimit dhe të dashurisë mes brezave.                             Gjuha metaforike e Zhiti që shkruan, me gjuhën metaforike të Zhitit junior që vizaton, harmonia e fjalës me linjën, e ritmit me hijen, një risi, një puzzle artistik jete senërtohen begatshëm nën një kopertinë domethënëse dhe të bukur si me shi yjesh.

NË KOPERTINË E PASME lexojmë:

“Valixhja e shqyer” është një libër për të gjithë, i lexuesit pa moshë ose i çdo moshe, pra ka arritur më të vështirën, ndërkaq personazhet e tij më së shumti janë fëmijë e të rinj dhe lexuesi i parë sigurisht janë “ata që rriten”, teksa diçka mbetet e njëjtë e misterioze.

Pikërisht këtë sjell dhe ky libër, ku, ndër të tjera, përziehen fantastikja e reales me lojën, ringjallje statujash e rrëfime gjallesash që nuk flasin, amfiteatro qiellorë me kërshërinë e së përditshmes, modernizime të legjendës shqiptare e origjinalitet i spikatur.

Sinqeriteti dhe humori, poezia dhe trishtimi janë ‘princërore’, aq sa duket se kemi të bëjmë me një libër ‘princ’ si te Oscar Wilde e Antoine de Saint-Exupéry, por të mjediseve tona.

“Valixhja e shqyer” nis me një ese, që ndërpritet, për të vazhduar si mbyllje tronditëse e librit, i cili mbart copëza kohe të një jete, që nga fillesat e saj shkrimore e deri më tani, i shoqëruar me vizatime të djalit të autorit, Atjoni, që është dhe personazh në 19 rrëfimet që përfshihen këtu, aq sa dhe mosha e tij.

Prandaj dhe u rishkrua ky libër për të qenë i tillë, fëminor deri në trill, me urtësinë e të mëdhenjve, magjepsës gjithsesi.

FATI I LIBRIT:

      “Valixhja e shqyer” ka brenda dhe “historinë” e pazakontë të këtij libri, ku gjejmë dhe parathënien-dëshmi të shkrimtarit të njohur, Bashkim Shehu, i cili ndër të tjera rrëfen:“Një ditë, vite e vite më parë, po ky libër, i saposhkruar nga Visari, m’u dha nga shtëpia botuese “Naim Frashëri” për t’u recensuar, siç ishte rregulli asokohe… Por libri nuk u botua, ngaqë Visarin ndërkaq e futën në burg…

Sidoqoftë, një nga kopjet e dorëshkrimit të këtij libri mbeti tek unë. Vazhdova ta ruaja, duke e mbajtur të fshehur diku. E ruajta deri në ditën kur babai im, ndonëse me pozitë të lartë në pushtetin e asaj kohe, u shpall… armik. Meqenëse prisja kontroll nga sigurimi, dorëshkrimin e Visarit e dogja, duke menduar se ruajtja e tij tash e mbrapa do të kishte qenë e rrezikshme për të dy.

Por, ashtu si çdo përrallë, edhe kjo mbaron mirë, për Visarin e për mua, që jetojmë të lirë dhe, gjithashtu për këtë libër, i cili, sidoqoftë, nuk humbi.”  

Vërtet është një libër “që nuk humb”, që e përtërin dhe pasuron arkitekturën e vetvetes, rrëfime të reja dhe imazhe të reja, që krahas aventurës së krijimit, ka dhe aventurën e mbijetesës, tipike kjo për shkrimtarin Visar Zhiti.                                                                                                        Ai në fund të esesë së tij për “Valixhen e shqyer” si fati shpjegon:

“E nisa në Shkodër, student, e vazhdova në Lushnjë, ku banoja, pastaj në fshatrat e Kukësit, ku më çuan mësues, më priti nën tokë, derisa dola nga burgu, e rishkrova në Tiranë, u botua dhe e rishkrova të gjithin edhe një herë në Romë. Është po ai dhe i ri njëkohësisht…. Libër që më ka ndjekur gjithë jetën…”

Vizatimet e freskëta, që mbartin dhe ato “rrëfimin” e tyre të pavarur, duke iu bashkuar tregimeve që “vizatojnë” pjesë jete e kanë fill lidhës mes tyre si krerët e një romani, zbulojmë se dy fëmini e dy adoleshenca japin dhe marrin në mënyrë të ndërsjelltë në dy kohë, në dy gjini arti, ndërkaq duket sikur të shkuarës i është hijezuar e ardhmja, përvojës i është shtuar ngazëllimi, lojës mënçuria, me një horizont fantastik pritjeje dhe dy autorët shkrihen në një, si në përqafimin e tyre babai me djalin.

Një vlerë të re, një ngjarje mes ngjarjeve kulturore do ta quanim librin “Valixhja e shqyer”, të cilin Shtëpia Botuese “OMSCA-1” e shpërndan sot, në ditën kur Atjon Zhiti do të mbushte 21 vjeç, dhuratë që besojmë se do ta gëzojë dhe në Qiell. Ndërkaq kjo është dhe dhurata që i japet lexuesit dhe artdashësve, një trini moderne e atit dhe e birit dhe e shpirtit të tyre në një vepër.

KANË THËNË

për Visarin shkrimtar:

Visar Zhiti është shkrimtari shqiptar, jeta dhe vepra e të cilit mbase pasqyron më mirë historinë e kombit të tij…                                                                                                                                      Robert Elsie

…ai është Shkrimtar nga ata që ka fare pak, nga ata që fjalën e kanë krah, fluturojnë me të në ferr e parajsë, pa u tretur nga flakët, pa u verbuar nga drita.

Marisa Kërbizi

…ka forcën t’ia ndryshojë lexuesit vizionin për botën…

Kevin Higgins

për Atjonin piktor:

Atjoni i vogël e ka kuptuar dhe vizatimi i tij është një “strategji politike” e madhe, shumë më serioze dhe konkrete se ato të udhëhequra me forcën e armëve.

Giampaolo Mattei

Një lojë tensionesh dhe harmonish kromatike befasuese të krijuara me kokëshkrepjen dhe guximin tipik për temperamentet krijues. Këto tablo dhe vizatime të arrira janë dëshmitare të heshtura të energjisë, lirisë dhe dëshirës së natyrshme fëminore për të komunikuar.

Gëzim Qendro

Kapja e universit në të gjitha dimensionet. Kjo është fabula e pikturës së tij. I mbërthyer nga ky detaj artistik… ajo tingëllon përtej moshës dhe me tendenca të dukshme ndaj artit modern, abstraksionit apo minimalizmit… Për të fluturuar drejt së pamundurës, përjetësisë…

Gëzim Tafa

_________________

         Përgatiti “Botuesi”

Filed Under: Featured, LETERSI Tagged With: “VALIXHJA E SHQYER”, ATË E BIR, NË NJË LIBËR, Visar & Atjon Zhiti

KUJTOJMË VIZITËN E NËNËS TEREZË NË ARIZONË

August 29, 2016 by dgreca

 

Mother Teresa-2

Mother Teresa-4

Mother Teresa-3 (1)

Nga Hajro Hajra/Arizonë/

Në prag të shenjtërimit të Nënës Terezë, një prej personaliteteve më të mëdha shqiptare, le të jetë ky shkrim një ndihmesë e vockël për ta ndriçuar jetën e veprën e Nënës sonë të Madhe, të krenarisë së kombit tonë, figura e së cilës, me kalimin e kohës vjen e bëhet edhe më madhështore. Jemi komb me fat që kemi një ikonë si Nëna Terezë dhe është turp, është pafytyrësi të hidhet baltë mbi figurën e saj, siç po bëjnë disa trutharë shqiptarë, paçka se balta me të cilën këto pjella djalli po përpiqen të njollosin atë, por edhe figura të tjera të kombit, po bie e do të bjerë në surratet e tyre…

Pa u mbushur dy vjet nga dita kur Gonxhe Bojaxhiu kishte kaluar në amshim, fati na kishte degdisur këtu, në Amerikë, në vendin më të fuqishëm të botës, në shtetin që bashkë me aleatët e kishte shpëtuar Kosovën nga kthetrat e kuçedrës Serbi.
Që në takimet e para me mikpritësit amerikanë, të cilët bënin çmos që ta ndienim veten sa më mirë, ne bënim përpjekje që t’u tregonim atyre se kush ishim dhe, në raste të tilla, pashmangshëm ua zinim ngoje me krenari kryeheroin e shqiptarëve e të Europës, Gjergj Kastriotin, Nënën Terezë, Kadarenë e Madh dhe figura të tjera të shquara shqiptare.
Falë këtyre bisedave, falë faktit se shumë herë e kishim zënë ngoje emrin e Nënës Terezë, në maj të vitit 2000 zonja Bonnie Cottrell, mësuesja jonë e anglishtes që nga ditët e para pas mbërritjes sonë në Amerikë, na solli një dhuratë shumë të çmueshme, një videoxhirim të vizitës së Nënës Terezë në Feniks (Phoenix) të Arizonës, që miqtë e saj e kishin siguruar për ne nga arkivi i Televizionit të Pavarur të Feniksit Channel 3, i njohur si KTVK.
Në bazë të këtij dokumentari, ne arritëm ta “rikonstruktonim” këtë vizitë të Nënës Terezë, një nga vizitat e shumta që nobelistja shqiptare bënte nëpër botë në kuadër të misionit të saj të bamirësisë, të dashurisë ndërmjet njerëzve e të paqes.
Njëzet e shtatë vjet më parë, më 2 shkurt 1989, e ftuar nga ish-guvernatorja e Arizonës, zonja Rose Mofford dhe nga Dioqeza Katolike e kryeqytetit të Arizonës, Nëna Terezë kishte vizituar kryeqytetin e Arizonës, Feniksin.
Arizona Veterans Memorial Coliseum që nxë afro 20 mijë vizitorë atë ditë kishte qenë mbushur përplot njerëz, të cilët kishin shkuar për ta parë atë grua trupvogël e zemërvigane. Hyrja e saj në koloseum kishte ngritur më këmbë atë masë të madhe njerëzish, të cilët me duartrokitje të zjarrta po i uronin mirëseardhje dhe po i shprehnin dashurinë simbolit të paqes e të dashurisë. Ajo ditë shkurti e vitit 1989 kishte qenë më shumë se një festë për adhuruesit e gruas më të njohur e më të dashur të botës. Ishte si një ditë e shenjtë ajo ditë kur në mesin e atyre njerëzve kishte ardhur gruaja që, siç thotë poeti Visar Zhiti, profesion kishte dashurinë, industrialistja e mirësisë, që të vetmen pasuri kishte plagët e botës.
Përfaqësues të Dioqezës Katolike të Feniksit, duke falënderuar Nënën Terezë që kishte gjetur kohë dhe gjendej në mesin e tyre, në qytetin e tyre, e duke e cilësuar praninë e saj aty si një dhuratë Perëndie, kishin falënderuar ata mijëra njerëz, të cilët kishin ardhur për ta nderuar mysafiren e rrallë, duke shprehur në këtë mënyrë dashurinë për të dhe duke respektuar sakrificën e saj për të varfrit. Një falënderim i veçantë ishte për Guvernatoren e Arizonës, zonjën Rose Mofford, e cila kishte bërë shumë që të realizohej ajo vizitë.
– “Falënderoj Zotin për këtë dashuri madhështore që na ka bashkuar!” – ishin fjalët me të cilat i ishte drejtuar masës së popullit Nëna e Sakrificës.
Me një anglishte të rrjedhshme e të këndshme, karakteristike për të folmen e Nënës Terezë, ajo kishte vazhduar:
– “Është shumë me rëndësi që njerëzit të kenë dashuri, të kenë paqe. Dashuria fillon në shtëpi. Fëmijët janë të lindur të bëjnë gjëra madhështore, të lindin në dashuri dhe të rriten në dashuri. Dashuria është faktori kryesor që e mban familjen të bashkuar… Një gotë ujë po t’ia jepni dikujt me dashuri, do t’ia bëni jetën më të lehtë… S’është e thënë të bëni gjëra të mëdha. Secili le të bëjë të mira të vogla, por me dashuri. Njerëzit nuk vdesin vetëm për shkak se u mungon buka (pikërisht se u mungon buka, “bread”, kishte thënë Nëna Terezë, siç themi ne shqiptarët dhe jo u mungon ushqimi, siç thonë amerikanët), ata vdesin më shumë nga mungesa e dashurisë… Kur ndryhet dashuria, ndryhet paqja…”, janë vetëm disa nga thëniet margaritarë shkëputur nga fjalimi gjysmorësh i Nënës Terezë, kohë gjatë së cilës ajo kishte rrëfyer mjaft episode e përjetime të jetës së saj në shërbim të të varfërve, të të uriturve, të të sëmurëve, kur një fjalë e saj e vetme kishte ringjallur shumë njerëz me shpresa të thyera, shumë njerëz që ishin gjendur në cepin e vdekjes.
Duke folur për abortin, ndërkaq, ajo u ishte drejtuar nënave me fjalët: – “Jo abort! Lindni fëmijë e m’i jepni mua!…”
Fjalët e saj, të përshkuara herë pas here me një dozë të lehtë humori, e kishin bërë masën të shpërthente në gaz e të duartrokiste, si në rastin kur Nëna Terezë, teksa kishte folur për të varfrit (edhe për të varfrit e Feniksit), të cilët përpos që kishin nevojë për bukë, kishin nevojë edhe për strehë, i ishte drejtuar guvernatores Mofford, së cilës i kishte kërkuar shtëpi për të varfrit (shtëpi të cilën guvernatorja ia kishte premtuar Nënës Terezë gjatë takimit në mjediset e dioqezës) dhe këtë e kishte ndërlidhur me kërkesën që i kishte bërë shumë vjet më përpara Guvernatorit të Kalkutës, të cilit po ashtu i kishte kërkuar një shtëpi për të varfrit dhe me atë rast i kishte thënë: “Nëse nuk ma jep një shtëpi, do t’i sjell të gjithë të varfrit e mi në shtëpinë tënde…”
Pasi Nëna Terezë kishte përfunduar fjalën e saj me urimin: “Zoti ju bekoftë!” – të gjithë të pranishmit ishin ngritur më këmbë dhe me duartrokitje të gjata e me ovacione kishin shprehur dashurinë për gjiganden e kohës sonë, siç e ka cilësuar Nënën Terezë ish-kryetari Bill Klinton.
Teksa po e linte koloseumin përplot njerëz, Nëna Terezë po merrte me vete dashurinë dhe premtimin e heshtur të asaj mase njerëzish, se secili do të hidhte së paku një gur në kështjellën e dashurisë e të paqes njerëzore.

* * *

Premtimin që ia kishte dhënë Nënës Terezë Guvernatorja Mofford, e kishte mbajtur. Pak kohë pas vizitës së Nënës Terezë, në Feniks është ngritur Shtëpia e Bamirësisë dhe ajo edhe sot u ofron strehë e bukë të varfërve.
Vizita e Nënës Terezë është përjetësuar disa vjet më vonë me ngritjen e një shtatoreje në hapësirën e gjelbëruar ndërmjet Bazilikës së Shën Mërisë dhe ndërtesës së Dioqezës Katolike të Feniksit, fare pranë shtatores së Papa Gjon Palit II. Bazilika dhe ndërtesa e Dioqezës gjenden mu në zemër të kryeqytetit të Arizonës. Shtatorja e Nënës Terezë, me përmasa natyrore, është vepër e skulptorit amerikan Michael Myers nga qyteti Prescott i Arizonës. Është ngritur në vitin 2003 dhe, për habinë tonë, ndonëse ka 13 vjet që qëndron plot madhështi në qendër të Feniksit, nuk zihet ngoje kur flitet e shkruhet për shtatoret a bustet e Nënës Terezë ngritur në shumë shtete të botës.
Që nga viti 2004, në çdo 19 tetor, në përvjetorin e lumturimit të Nënës Tereze, shqiptarë të Feniksit takohen te shtatorja e saj, vendosin aty lule të freskëta e flamuj të vegjël shqiptarë e amerikanë dhe, me fjalë rasti, kujtojnë jetën e veprën e saj të madhe në shërbim të njeriut.

Filed Under: ESSE, Featured Tagged With: Hajro Hajra, NË ARIZONË, Nene Tereza

Stërmbesa e Skënderbeut: Shumë e lumtur në Kosovë

August 29, 2016 by dgreca

-Stërmbesën e Heroit kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeu, Sofie Kastrioti: Jam e ngazëllyer dhe shumë e lumtur që jam në Kosovë dhe që do të jem pjesë e HardhFest/

2 Sofia Kastrioti

Pasardhësja e Skënderbeut është pritur nga Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Emanuel Demaj  dhe përfaqësues të festës së vjeljes së rrushit HardhFest dhe të bodrumit Stone Castle/

PRISHTINË, 29 Gusht 2016-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Emanuel Demaj, ka pritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinë “Adem Jashari”, Sofia Kastrioti, e cila është pasardhësja e brezit XIV të heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.Zëvendësministri Demaj tha se është një kënaqësi dhe privilegj i veçantë që në emër të Ministrisë së Punëve të Jashtme të pres stërmbesën e heroit tonë Skënderbeu.

Ai i dëshiroi mirëseardhje stërmbesës së heroit tonë kombëtar dhe e falënderoi për vizitën e saj në Kosovë.  “Është kënaqësi dhe privilegj i veçantë për mua, që në emër të Ministrisë së Punëve të Jashtme të pres në Aeroportin Ndërkombëtar  stërmbesën e heroit tonë Gjergj Kastrioti Skënderbeu”,  tha zëvendësministri Demaj. Ai shtoi se vizita e saj është nder për Kosovën pasi që kjo është hera e parë që Kastrioti viziton Republikën e Kosovës. Nga ana tjetër Sofia Kastrioti u shpreh tejet e lumtur për vizitën e saj në Kosovë, duke falënderuar zëvendësministrin për pritjen që iu bë në aeroportin e Prishtinës. “Jam e gëzuar, po ndihem mirë dhe e lumtur për pritjen dhe faleminderit shumë të gjithëve”, ishin fjalët e para të stërmbesës së Skënderbeut pas zbritjes nga aeroplani dhe takimit me zëvendësministrin Demaj. Më pas zëvendësministri Demaj organizoi për mysafiren edhe një pritje në zyrën e tij. Sofia Kastrioti do të jetë mysafire e festivalit tradicional HardhFest që organizohet në Rahovec për nder të ditës së rrushit.

Pasardhësja e Skënderbeut është pritur nga përfaqësues të festës së vjeljes së rrushit “HardhFest” dhe të bodrumit Stone Castle.Vet Sofia u shpreh  e ngazëllyer që po qëndron në atdhe dhe për faktin se do të jetë pjesë e HardhFest 2016.“Jam e ngazëllyer dhe shumë e lumtur që jam në Kosovë dhe që do të jem pjesë e HardhFest”, u shpreh Sofie Kastrioti me të arritur në Kosovë.

Ndërsa, për vet organizatorët e HardhFestit si dhe Komunën e Rahovecit, vizita e saj është nder pasi që kjo është hera e parë që Kastrioti viziton Republikën e Kosovës dhe e cila do të përformojë veprat e saja.Sofie Kastrioti, do të qëndrojë deri më datë 5 shtator në Rahovec.

Festa e Vjeljes së rrushit HardhFest do të mbahet me 2,3 dhe 4 shtator, ku gjithashtu edhe këtë vit festivali mbështetet nga Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Komuna e Rahovecit. Ndërsa Partner i festivalit këtë vit do të jetë  StoneCastle, të cilët festojnë 10 vjetorin.

3 Sofia e shoqeruar

Filed Under: Featured, Reportazh Tagged With: e lumtur, ne Kosove, Rrustem Gecaj, Sofia Kastrioti

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 576
  • 577
  • 578
  • 579
  • 580
  • …
  • 900
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT