• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur

December 19, 2025 by s p

Një pamflet kundër fantazive historike të gazetës greke “Protothema”

Nga Rafael Floqi

Ka një lloj shkrimi që nuk lind nga kurioziteti shkencor, por nga ankthi identitar. Artikulli i gazetës greke Protothema me titullin hipokrit “Sa ‘shqiptar’ ishte Gjergj Kastrioti?” i përket pikërisht këtij zhanri: jo histori, por industria e mohimit. Ai nuk kërkon të kuptojë Skënderbeun; kërkon ta zhbëjë. Dhe për ta bërë këtë, përdor një arsenal të vjetër ballkanik: fenë si etni, gjeografinë si komb, dhe anakronizmin si argument.

Që në rreshtat e parë, artikulli bën atë që çdo tekst ideologjik bën kur nuk ka guxim të mohojë drejtpërdrejt: shtiret se pyet. Pyetja “Sa shqiptar ishte Skënderbeu?” nuk është pyetje, por një akuzë e kamufluar. Ajo sugjeron se shqiptaria e tij është e pjesshme, e dyshimtë, e negociueshme. Dhe kjo nuk është rastësi. Skënderbeu është problem për nacionalizmin grek sepse ai e shkatërron një dogmë qendrore: se ortodoksia është pronë etnike greke dhe se Ballkani i krishterë lind vetëm nga Athina.

Le ta themi qartë: kjo nuk është hera e parë që bëhet kjo përpjekje. Është vazhdimësi. Që nga shekulli XIX, historiografia nacionaliste greke ka ndërtuar një model të qëndrueshëm përvetësimi: çdo figurë ballkanike që është e krishterë, ortodokse, e famshme dhe europiane, duhet të kalojë patjetër nga filtri “grek”. Nëse nuk flet greqisht, do të ketë folur. Nëse nuk ishte grek, do të ketë qenë epirot. Nëse nuk ishte epirot, do të ketë qenë bizantin. Dhe nëse nuk ishte asgjë nga këto, do të shpallet “i paqartë”.

Një nga shtrembërimet më të rënda të Protothema është barazimi i Epirit me Greqinë. Ky është një mashtrim terminologjik i qëllimshëm. Epiri në Mesjetë nuk ishte shtet grek, as komb grek, as projekt grek. Ishte një hapësirë gjeografike e përzier, pa identitet kombëtar modern, ku shqiptarët ishin faktor politik dhe ushtarak dominues¹. Ta quash Epirin “grek” dhe të nxjerrësh nga kjo përfundimin se Skënderbeu ishte grek, është si të quash Perandorinë Romake “italiane” dhe Cezarin “italian”.

Ironia është se vetë burimet që citojnë autorët grekë i rrëzojnë. Marin Barleti, burimi themelor për Skënderbeun, e quan atë Princeps Epirotarum, por po ai, në çdo faqe, flet për shqiptarët si subjekt historik më vete². Ky dyzim nuk është kontradiktë; është dallim midis gjeografisë dhe etnisë. Vetëm propaganda i ngatërron qëllimisht. Por Protothema nuk ndalet këtu. Ajo ringjall një tezë që do të duhej të ishte varrosur bashkë me nacionalizmat e shekullit XIX: “Skënderbeu ishte grek sepse ishte ortodoks”. Kjo tezë nuk është thjesht e gabuar; është ideologjikisht agresive. Ajo mohon ekzistencën historike të shqiptarëve ortodoksë, bullgarëve ortodoksë, rumunëve ortodoksë, vllehëve ortodoksë. Me një fjali, ajo i shpall të gjithë këta “grekë të pavetëdijshëm”.

Por historia nuk funksionon si katekizëm kombëtar. Ortodoksia është fe, jo komb. Në Mesjetë, identiteti fetar ishte shpesh më i rëndësishëm se ai etnik, por kurrë nuk ishte i barabartë me të³. Të pretendosh sot se çdo ortodoks mesjetar ishte grek, është njësoj si të pretendosh se çdo katolik ishte italian. Edhe gjuha përdoret si armë manipulimi. Greqishtja, thonë autorët, ishte gjuha e Skënderbeut. Sigurisht që ishte një nga gjuhët e kulturës dhe liturgjisë. Po ashtu si latinishtja për mbretërit francezë. A i bën kjo francezët romakë? Apo anglezët latinë? Vetëm një mendësi kolonizuese mund ta përdorë gjuhën e kishës si provë etnie.

Kur kalojnë te familja Kastrioti, autorët grekë e shndërrojnë konfuzionin në strategji. Herë janë “maqedonas”, herë “serbë”, herë “bizantinë”. Kjo lëvizje e vazhdueshme nuk është pasuri interpretimi; është mungesë prove. Në të kundërt, dokumentet janë kokëforta: Gjon Kastrioti sundonte Krujën; aleancat e tij ishin shqiptare; territori i tij ishte shqiptar. Edhe Papa Piu II, i cituar shpesh jashtë kontekstit, e quan Skënderbeun “princ i Shqipërisë”⁴.

Pastaj vjen Mali Athos – karta e fundit e mistifikimit. Po, Reposhi u bë murg. Po, Gjon Kastrioti bleu një kullë. Dhe po, ajo quhej “Kulla e Shqiptarit”. Ky është fakt. Ajo që nuk është fakt është përfundimi se kjo e bën Skënderbeun grek. Mali Athos ishte qendër pan-ortodokse, ku kishin prona serbë, bullgarë, rumunë dhe shqiptarë. Nëse Athosi prodhon grekë, atëherë Hilandari qenka grek dhe Stefan Nemanja helen. Një absurditet që flet vetë⁵.

Edhe kultura popullore shtrembërohet. Pretendohet se nuk ka këngë shqipe për Skënderbeun. Ky pohim është thjesht i pavërtetë. Tradita arbëreshe është një arkiv i gjallë i kujtesës shqiptare dhe i kultit të Skënderbeut⁶. Që këto këngë u ruajtën jashtë Shqipërisë osmane nuk është provë mungese, por provë represioni. Kur përmenden suliotët, himariotët, arvanitasit, bëhet i njëjti mashtrim: identiteti i shekullit XIX projektohet mbi shekullin XV. Këta ishin komunitete shqipfolëse ortodokse që u helenizuan më vonë. Historia nuk lejohet të shkruhet me prapaveprim. Ironikisht, dokumenti më shkatërrues për tezën greke citohet nga vetë Protothema. Në letrën drejtuar Mehmetit II më 1461, Skënderbeu firmos si “sundimtar i Epirit dhe i Shqiptarëve”⁷. Kjo fjali e vetme e rrëzon gjithë ndërtimin ideologjik. Shqiptarët janë subjekt më vete. Epiri është hapësirë. Pikë.

Feja e Skënderbeut përdoret si karikaturë logjike. Artikulli pranon se ai lindi ortodoks, u rrit mysliman dhe vdiq katolik. Ky fakt i vetëm duhet të mjaftonte për të mbyllur debatin. Por Protothema nuk e mbyll, sepse nuk kërkon logjikë. Nëse feja përcakton kombësinë, Skënderbeu ishte njëherësh grek, turk dhe italian. Historia serioze nuk e duron këtë grotesk.

Pse atëherë ky shkrim? Sepse Skënderbeu është i papërshtatshëm. Ai është ortodoks që nuk u bë grek. Shqiptar që u bë simbol europian. Hero që nuk i bindet mitologjisë helenocentrike. Dhe për këtë arsye duhet relativizuar, zbehur, copëtuar. Por historia nuk ka nevojë për leje. Gjergj Kastrioti ishte shqiptar në origjinë, europian në vizion dhe universal në simbolikë. Çdo përpjekje për ta mohuar këtë nuk është debat, por frikë e grekëve nga e nga e vërteta e historisë së tyre.

Bibliografi

Noel Malcolm, Kosovo: A Short History, London, 1998.

Marin Barleti, Historia de vita et gestis Scanderbegi, Romë, 1508.

Paschalis Kitromilides, Enlightenment and Revolution, Harvard University Press, 2013.

Pius II, Commentarii, shek. XV.

Paschalis Androudis, “Historical and Archaeological Evidence for the ‘Albanian Tower’ on Mount Athos”, Byzantium, 2002.

Giuseppe Schirò, Canti popolari albanesi d’Italia, Palermo, 1923.

Fan S. Noli, Historia e Skënderbeut, Boston, 1947.

Filed Under: Histori

Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

December 16, 2025 by s p

Arif Murrja

Në një majë shkëmbore buzë lumit Drin të Zi, në hyrje të fshatit Hotesh të Dibrës, aty ku rrjedha e lumit është herë relaksuese, herë e zhurshme dhe herë agresive; aty ku historia përplas kohët, qëndron ende e gjunjëzuar Kulla e Elez Murrës. Dikur zemra e rezistencës së Luznisë, sot ajo rri duke “rënkuar”, me plagë të hapura prej dhjetra dekadash si pasojë e moskujdesjes. Nga kjo kodrinëz shkëmbore kontrollohen të gjitha hyrjet për në fshat dhe kulla duket sikur komunikon në heshtje me Kodrën e Kalasë, të njohur si Kodra e Kalasë së Qytezës.

Foto të bëra nga Edmond Hasani para vitit 2016

Foto të bëra nga Erzen Murja ne vitin 2020

Përshkrimi i figurës së Elezit nuk mbështetet vetëm në kujtesën popullore. Shkrimtari dibran dhe mbledhësi i parë i folklorit të krahinës së Dibrës, Haki Stërmilli, e ka trajtuar Elezin si një nga shtyllat e rezistencës në Nëntë Malet e Dibrës. Edhe pse i emëruar formalisht nga Perandoria Osmane si Kreu i Malit të Luznisë, njësoj si krerët e tjerë të maleve, Elez Murrja nuk u pajtua me reformat e saj, duke u rreshtuar hapur në mbrojtje të dheut të Luznisë dhe të të drejtave të banorëve të maleve. Këtë qëndrim të palëkundur e kanë dokumentuar më pas studiuesit Munir Shehu dhe Hazis Ndreu, të cilët e pasuruan tablonë historike të figurës së Elezit, duke ndalur veçanërisht te roli i tij në Kuvendet e Maleve dhe në përballjet me pashallarët osmanë, duke i dhënë kështu peshën e merituar në historinë e Dibrës.

Elez Murrja Isuf Murrja

Kjo frymë qëndrese nuk u shua me Elez Murrën. Ajo u trashëgua dhe u përforcua nga i biri, Isuf Murrja, i cili mori mbi supe jo vetëm drejtimin e Malit të Luznisë, por edhe barrën e rëndë të përballjes së drejtpërdrejtë me dhunën osmane. Vrasja e tij barbare nga xhandarmëria turke, me prerje koke dhe ekspozim publik të trupit, tronditi mbarë Dibrën dhe ndezi një reagim të paprecedentë. Hakmarrja e organizuar nga djemtë e Isufit, e mbështetur gjerësisht nga luznakët dhe dibranët në betejën e Qenokut, u kthye në një akt rezistence me jehonë përtej krahinës, deri në Stamboll, duke e shndërruar Isuf Murrën në simbol të gjakut të derdhur për liri dhe dinjitet.

Në këngët popullore, kjo vijimësi e qëndresës ngrihet si figurë e pathyeshme, ndërsa në kujtesën e krahinës Elezi dhe Isufi mbeten njerëzit që e mbajtën pushkën mbi krye vetëm për mbrojtjen e Luznisë dhe Dibrës. Pikërisht kjo histori e mishëruar në qëndrim, sakrificë dhe gjak, ka pasur një adresë konkrete: Kullën e Elez Murrës. Mirëpo sot, ajo “kullë me 12 qoshe e tre pode”, simbol i autoritetit, i rezistencës dhe i mbrojtjes së të drejtave të malësorëve, po shembet. Me rrënimin e saj, po zhbëhet nga themelet jo thjesht një ndërtesë, por një faqe e lavdishme e historisë së Dibrës, e shkruar me qëndresë brezash.

Kjo kullë nuk e njohu dorën e armikut. Por po e rrëzon heshtja jonë.

Në periudhën socialiste, u braktis nga pinjollët biologjik të Elezit për një jete më të mirë në Tiranë. Që atëhere mbeti në mëshirën e fatit. U përdor nga të pastrehët dhe më pas u përdor si stallë për bagëti. Muret e saj të trashë, që dikur mbroheshin nga pushka e Elezit dhe e luznakëve, u çanë nga shpërfillja njerëzore e mesuesve të historisë, e institucioneve të kulturës, e vetë banorëve të fisit Murrja. Arkitektuara e saj është unike, nuk ngjason me asnjë kullë tjetër në Dibër. Ndryshe nga kullat e tjera të zonës, ajo u ndërtua si kullë-rezidencë, me funksion drejtues dhe mbrojtës, duke reflektuar vizionin e Elez Murrës.Kozmetika e historisë nuk mjafton për ta ruajtur atë; duhen punëtorë, duhen vizione, duhen njerëz që nuk e lënë suksesin e të parëve të transformohet në rrënojë.

Disa dibranë të respektuar nuk e kanë harruar: Aqif Doku (poeti i vjetër) ka gjetur frymëzim dhe ka thurur vargje, po ashtu edhe poeti i ditëve të sotme Malet e Dibrës; Emrie Skuka në librin e saj Sinoret e Luznisë, i bën jehonë Elezit dhe djalit të tij Isufit: Edmond Hasani ka shërndarë foto të kullës, duke i ruajtur kujtesën vizuale, po ashtu edhe pasionati Erzen Murrja; Abdurahim Ashiku (gazetar i vjetër) dhe Dr. Selman Meziu ngritën zërin kundër zhdukjes së saj, sidomos në kushtet e ndërtimit të HEC Skavica; Afrim Shehu ditët e fundit e ringjalli përmes vizualizimit dixhital, që të shohim se çfarë jemi duke humbur. Ndjesë nëse kam harruar dikë.

Punuar ne IA nga Afrim Shehu

Por zëri i tyre është ende i pakët për të zgjuar shtetin.

Kulla e Elez Murrës është një provë e gjallë se historia ka themele; ajo nuk është vetëm një monument lokal, por kujtesa e një rezistence që duhet t’u tregohet brezave, një dëshmi se liria nuk na erdhi dhuratë, se tokën nuk e trashëguam falas dhe se dikush dhe disa luftuan kur pushtuesi trokiste tek dera.

Është koha që Ministria e Kulturës, Bashkia Dibër, institucionet e trashëgimisë, si edhe akademikët e fushës, të marrin përgjegjësinë që historia ua kërkon. Ka fonde europiane, ka programe restaurimi, ka mundësi konkrete – duhet vetëm vullnet dhe punë.

Nëse sot heshtim, nesër do të mos kemi ç’të shpëtojmë.

Kulla rri gjunjëzuar, e heshtur në majë të shkrepit buzë Drinit. Por ajo heshtje nuk është dorëzim. Është thirrje!

Filed Under: Histori

Bashkëpunimi ruso-serb në veri të Vilajetit të Kosovës (1901)

December 15, 2025 by s p

Prof. Dr. Sylë Ukshini/

Në raportet konsullore austro-hungareze të fillimit të shekullit XX, bashkëpunimi ndërmjet diplomatëve rusë dhe serbë në veri të Vilajetit të Kosovës (Üsküb/Shkup) paraqitet si një element i qëndrueshëm i rivalitetit gjeopolitik në Ballkan, si dhe përpjekjet permanente serbe për destabilizimin e Kosovës përmes amratosjes së popullasisë dhe bandave serbe. Një dëshmi sa aktuale dhe domethënëse në këtë drejtim është raporti i konsullit austro-hungarez Gottlieb Pára, drejtuar ministrit të Jashtëm Alois Lexa von Gołuchowski, i datës 6 gusht 1901, i hartuar nga Shkupi, atëherë qendra administrative e Vilajetit.

Leximi i raporteve sekrete të diplomatëve evropianë për Shqipërinë e Epërme (Kosovën) zbulon paralele të dukshme me zhvillimet politike bashkëkohore dhe me qëndrueshmërinë e politikës ruse kundër Kosovës. Edhe raporti i vitit 1901 hedh dritë mbi këtë vazhdimësi strukturore, duke dokumentuar bashkërendimin ruso-serb në terren dhe instrumentalizimin e çështjeve lokale për qëllime strategjike.

Pára evidenton, ndër të tjera, paraqitjen e ekzagjeruar të shpërnguljes së familjeve serbe nga Novi Pazari, dërgesat e armëve nga Serbia dhe përhapjen e qëllimshme të thashethemeve mbi një origjinë gjoja austro-hungareze të këtyre armëve. Raporti trajton gjithashtu aksionet e çarmatimit të popullsisë, të zhvilluara pjesërisht nën udhëheqjen e Isa Boletinit, si dhe udhëtimin e një gazetari çek me orientim proserb, i cili shërbente për përforcimin e narrativave politike në favor të Serbisë.

Një aspekt tjetër i rëndësishëm është pakënaqësia e valiut osman me çarmatimin e popullsisë serbe nga ana e mutasarrifit të Prishtinës, si dhe ndërhyrja ruse për shkarkimin e këtij funksionari. Pára vëren gjithashtu shenja të jolojalitetit brenda administratës osmane, planet për thirrjen e një kuvendi shqiptar në afërsi të Pejës, si dhe pozitën e pasigurt të zëvendëskonsullit serb në Prishtinë dhe të mitropolitit serb në Prizren.

Në tërësi, raporti i Párës përbën një burim të rëndësishëm për të kuptuar mekanizmat e ndikimit ruso-serb në Kosovë në fillimshekullin XX dhe dëshmon se tensionet aktuale në rajon kanë rrënjë të thella historike, të lidhura me konkurrencën e Fuqive të Mëdha dhe instrumentalizimin e realiteteve lokale ballkanike.

Më tej konsulli Para shkruan: “Episodi i ditëve të trazuara në Prishtinë, Mitrovicë, Kollashin dhe Novi Pazar duket se ka marrë fund me kthimin e komandantit ushtarak Ferik Nuri Pashë, të shtunën më 3 të këtij muaji, si dhe me mbërritjen sot të z. Mashkov pas ekskursionit të tij trejavor. Nga vëzhgimet që këto ngjarje i ofruan një vëzhguesi të paanshëm, në radhë të parë meriton të përmendet fakti se qeveria ruse edhe këtë herë nuk e la t’i shpëtonte rasti për t’u përzier në punët e brendshme osmane, duke pretenduar një të ashtuquajtur të drejtë mbrojtjeje mbi mbarë botën sllavo-ortodokse të krishterë.

Mbi bazën e njoftimit të marrë nga zëvendëskonsulli serb në Prishtinë, se ky i fundit – për shkak të qëndrimit kërcënues të popullsisë myslimane – ishte detyruar të ndërpriste pa rezultat udhëtimin e ndërmarrë më 15 korrik drejt Mitrovicës, me synim ndërhyrjen në favor të popullsisë së krishterë të Kollashinit (nga e cila myslimanët kishin marrë armët), z. Mashkov kërkoi nga ambasada e tij dërgimin (komandimin) e tij në veri të vilajetit. Kjo kërkesë u pranua menjëherë dhe ai u nis më 17 korrik për në Mitrovicë, ndërsa iu bashkua edhe zëvendëskonsulli serb i Prishtinës, Avramović.

Z. Mashkov qëndroi më gjatë në zonën e Kollashinit, e cila shtrihet në të dy anët e lumit Ibër në perëndim të Mitrovicës dhe banohet kryesisht nga të krishterë. Në fshatin Brnjak (rreth 27 km në vijë ajrore në perëndim të Mitrovicës) thuhet se ai u kërcënua seriozisht nga myslimanët e grumbulluar atje, prandaj iu desh të kërkonte mbrojtje ushtarake. Mashkov mundi të komunikonte lirshëm me popullsinë ortodokse të asaj treve dhe të hartonte procese-verbale dëshmish lidhur me shtypjet dhe keqtrajtimet e supozuara nga popullsia myslimane.

Më 30 korrik, ai mbërriti në shoqërinë e oficerit të Gardës ruse, Rittich, në Novi Pazar, ku u vendos në shkollën serbe dhe vijoi hetimet e tij në të njëjtën mënyrë si në Mitrovicë dhe Kollashin. Sipas rrëfimit të z. von Rittich, i cili u kthye këtu më 3 të këtij muaji, Mashkov paska arritur të zbulojë disa gjurmë keqtrajtimi dhe torturimi të të krishterëve nga myslimanët. Si veçanërisht të rëndë ai përmend faktin se, në kohën kur mbërriti në Novi Pazar, aksioni i çarmatimit vijonte ende, megjithëse iradeja perandorake që ndalonte ndjekjet e mëtejshme kundër serbëve ishte shpallur që më 23 korrik.

Edhe pse shumë banorë të krishterë gjatë tre muajve të fundit i kanë braktisur vendbanimet dhe janë strehuar në Serbi, shifrat e publikuara nga gazetat serbe për këtë çështje janë dukshëm të ekzagjeruara. Në zonat e vizituara nga Mashkov, sipas deklarimit të vetë Rittich-it, numri i të ikurve është i vogël dhe ata kryesisht i përkasin shtresave më të mira (p.sh. priftërinj etj.).

Sipas informatave që marr nga burime të besueshme, përfaqësuesi rus e shfrytëzoi kontaktin e tij me rajatë e krishterë për të nxitur qëndrim kundër Austro-Hungarisë, sidomos kundër projektit – që ai e konsideron të vendosur – për zgjatjen e hekurudhave boshnjake deri në Mitrovicë. Interes të veçantë meriton çështja e armatosjes së të krishterëve, të cilën as pala serbe dhe as z. Mashkov nuk mund ta mohojnë. Meqë gjatë javëve të fundit u gjetën disa qindra pushkë Martini në posedim të fshatarëve serbë në pjesën veriore të vilajetit, drejtuesit serbë të aksionit të armatosjes dhe mbrojtësit e tyre rusë po përpiqen tani t’ia shpjegojnë disi “në mënyrë të besueshme” opinionit publik evropian origjinën e këtyre armëve. Të aftë gjithnjë për shpikje dhe shtrembërim, nga pala serbe dhe ruse komentohet se armët paskan hyrë fshehurazi nga kontrabandistë shqiptarë dhe u paskan shitur popullsisë së krishterë.

Autoritetet turke, megjithatë, thonë ndryshe, pasi kanë dëshmi dhe rrëfime të shumë ortodoksëve – të penduar – se armët vinin nga Kuršumlje dhe ishin shpërndarë falas përmes ndërmjetësimit të priftit të Kollashinit, Mihajlo, i cili vitin e kaluar ishte arratisur në Serbi. Për më tepër, versioni serb bie poshtë nëse merret parasysh se një pushkë Martini këtu ende kushton 40–50 guldenë, një shumë e papërballueshme për banorët e varfër të krishterë kufitarë.

Nuk mungojnë as sot thashethemet e përhapura nga Serbia se e gjithë lëvizja qenka inskenuar nga Austria për të realizuar më në fund idenë e saj të avancimit. Është për të ardhur keq që insinuata të tilla kanë gjetur vend edhe në gazeta të mëdha si “Novoje Vremja” dhe “Národni listy” (kjo e fundit, p.sh., në numrin e saj të 9 korrikut të këtij viti, duke iu referuar një shkrimi të “Novoje Vremja” të mbështetur mbi rrethana krejt të rreme, kërkonte nga Shkëlqesia Juaj të më tërhiqte menjëherë nga posti i konsullit të Shkupit dhe – siç ndodhi dikur me z. von Kuczyński – të më dërgonte diku në Amerikën e Jugut).

Simptomatik në raport me ngjarjet e fundit ishte edhe vizita e redaktorit të “Novoje Vremja”, Vsevolod Svatkovsky (që përdor pseudonimin “Nestor”), i shoqëruar nga oficeri i sipërpërmendur i Gardës. Pas disa udhëtimeve nga Shkupi drejt fshatrave sllave në shpatet e Karadakut, si edhe në Tetovë, Köprülü, Prilep dhe Selanik, për të mbledhur të dhëna mbi përkatësinë gjuhësore e kombëtare të sllavëve të jugut (serbë e bullgarë), të dy u kthyen në Shkup dhe më 22 korrik udhëtuan për në Mitrovicë për t’iu bashkuar konsullit Mashkov. Fillimisht synonin të shkonin deri në Bosnje, por duket se hoqën dorë nga ky plan për shkak të mundësisë së karantinës në kufi. Svatkovsky u kthye në Shkup më 23 korrik dhe më 28 korrik u nis për në Bullgari, ndërsa von Rittich qëndroi me Mashkov-in deri më 2 gusht. Është e lehtë të kuptohet se oficeri do t’i përdorë në mënyrë zyrtare vëzhgimet e tij ushtarako-gjeografike, të plotësuara edhe me fotografi të shumta.

Unë i kam njohur më afër të dy zotërinjtë. Z. Svatkovsky, i referuar tek unë nga deputeti çek Dr. Kramář (të cilin personalisht nuk e njoh), nuk u ngut të përmbushte këtë “mision”; ai erdhi tek unë vetëm pasi kishte kaluar disa ditë duke komunikuar intensivisht me konsujt rus dhe serb. Ky gazetar i talentuar dhe relativisht i kulturuar u shfaq si propagandues i zjarrtë i ideve pansllaviste; për rrjedhojë, tek ai nuk vërehen simpati për Monarkinë austro-hungareze, të paktën për aq kohë sa – siç thotë ai – rendi centralist në Austri të mos zëvendësohet me një regjim që merr parasysh interesat e popujve sllavë (pra një sistem federal). Ai dënon veçanërisht politikën e Monarkisë në provincat e okupuara. Unë iu përgjigja se, për të formuar një gjykim më të drejtë mbi Bosnjë-Hercegovinën, do të ishte e dobishme të realizonte udhëtimin e planifikuar, ku do të mund të bindet se e ashtuquajtura “propagandë katolike” e qeverisë atje nuk është gjë tjetër veçse një fabul e sajuar trashë.

Megjithëse Svatkovsky deklaron se në çështjen maqedonase është i paanshëm dhe do të dëshironte një vëllazërim serbo-bullgar, ky “paanshmëri” zhduket sa herë diskutohet një rast konkret lidhur me përkatësinë gjuhësore të një krahine, ku ai shfaqet rregullisht si përkrahës i serbëve.”

(Teksti vijon me pjesën mbi qëndrimin e autoriteteve osmane, rolin e mutasarrifit Xhemal Bej, aksionin e çarmatimit të ndërmarrë nga popullsia myslimane nën udhëheqjen e Isa Boletinit dhe Adem Çaushi, intriga brenda administratës, si dhe planin për një mbledhje shqiptare pranë Pejës; nëse dëshiron, e përkthej menjëherë edhe atë pjesë deri në fund, pa e shkurtuar.) Burimi: Oliver Jens Schmitt dhe Eva Anne Frantz (red.), Politik und Gesellschaft im Vilayet Kosovo und im serbisch beherrschten Kosovo 1870–1914. Berichte der österreichisch-ungarischen Konsuln aus dem zentralen Balkan, Band 4 (1908–1914), Schriften zur Balkanforschung, Wien: Österreichische Akademie der Wissenschaften / Böhlau Verlag, 2020.

Filed Under: Histori

“Dardanët”

December 13, 2025 by s p

Prof. Arben Hajdari/

Libri “Dardanët“ është një vepër me rëndësi të veçantë për njohjen e Historisë Antike të këtij rajoni të rëndësishëm ilir. Në këtë kontekst theksojmë se është punimi i parë i kësaj fushe ku paraqitet dinamika e zhvillimit të proceseve dhe ndryshimeve të bazuara në lënden arkeologjike. Botimi i kësaj vepre do t‘u sherbej të gjithë të studiuesve të kësaj fushe kërkimore në hapësirën Ballkanike. Po ashtu, duke qene një përmbledhje e pare e këtij lloji për këtë territor, libri do të jetë me shumë interes për studentët dhe mësimdhënësit e arkeologjisë. Libri “ Dardanët” me autor Prof. Luan Përzhitën, paraqet një punim kerkimore shkencore 20 vjecare të hulumtimeve në terren si dhe kërkime të thelluara për njohjen e burimeve historike. Kjo ka ardhur pas një pervoje të gjatë publikimesh të shkruara për dardanët, publikuar ne Shqipëri, Kosovë, Francë, Gjermani, Itali etj. Në përmbajtjen e lëndës vërehet që thelbin e zë dinamika e zhvillimit ekonomiko-kulturor dhe adminstrativo-politik i dardanëve në periudhat e ndryeshme historike.

Në shumicën e rasteve ceshtjet e trajtuara janë inkuadruar në sfondin historik të procesit transformues për periudha nga Prehistoria e deri në Mesjetë. Në këtë punim autori nënvizon gjithë procesin e zhvillimit të dardanëve duke gërshetuar të dhënat historike me ato arkeologjike që i ka shtuar vlerat kompletuese debateve shkencore për ceshtje të rëndësishme të Dardanisë. Shumë shembuj që janë reflektuar, në periudha të ndryeshme historike transformimesh, dëshmojnë për ndryshime herë herë thelbësore, që shoqërojnë shuarjen graduale të një epoke në një epokë tjetër. Përfshirja në këtë punim e kërkimeve arkeologjike pasuruan gjithnje e me tepër edhe në trajtesat për Mbretërinë Dardane, Provincën Dardane dhe Mesjeten Dardane. Kështu është arritur një ballafaqim shumë i mirë nepërmjet krahasimeve, analizave dhe sintezës të kulturës materiale apo objekte arkeologjike me burimet historike. Interpretimi i thelluar shkencor që lidhet me paraqitjen e kulturës materiale zë një vend me rëndësi në përmbajtjn e lëndës së paraqitur pasi aty pasqyrohet dukshëm jo vetëm përhapja e kësaj lendë në territorin e Dardanisë, por dhe anologjitë dhe diversitet e saj.

Në analizën shkencore dedikuar origjinës së dardanëve” Prof. Përzhita sjell të dhënat më të fundit arkeologjike që kanë pasuruar dukshëm ketë problem aq shumë të diskutuar në ambjentin shkencor ballkanike. Ky debat që është fokusuar rreth origjinës së fisit ilir dardan, i cili banonte në territorin e Ballkanit Qendror në kufijtë që mund të ndiqen në veri të Novi Pazarit, të Nishit, në të gjithë Kosovën, në pjesën veriperëndimore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe në rrethet Kukës, Has dhe Tropojë të Shqipërisë Verilindore dhe që përbën një ndër çështjet më të rëndësishme të historisë së lashtë të popujve të Mesdheut, falë të dhënave arkeologjike në rajonin e Ballkanit, arrihet në konkulzionin që kultura ilire është formuar në këtë truall në bazë të kulturave më të vjetra të epokës së bronzit (2100-1200 para Kr.) dhe se Ilirët që jetuan në këtë territor gjatë epokës së hekurit (XII-IV para Kr.), janë pasardhës të drejtpërdrejtë të grupeve etnike që populluan këtë pjesë të Evropës që në periudhën neolitike (6000-4000 para Kr.).

Qendrat paraqytetare dardanetë cilat u ndërtuan në të gjithë territorin tashmë janë të pasqyruara edhe nga burimet e autorëve antike. Studimet kanë treguar se treva dardane në shekujt XII-VIII para Krishtit ishte një njësi etnografike e kulturore e përbashkët. Në këtë fazë kemi ndërtimin e një sërë fortifikimesh, që shpalosin një veprimtari të organizuar të dardanëve.

Themelimit të Mbretërisë Dardane (shekujt IV-I para Krishtit), autori i kushton një analizë të thellë, herë herë dhe duke debatuar për ceshtje të rëndësishme historike sic janë Dardania, territori dhe burimet e autorëve antikë; Mbretëria gjatë sundimit të mbretit Longar; Bashkëpunimi dardano-romak kundër maqedonëve (shekulli II para Kr.) ; Organizimi politik dhe zhvillimi ekonomiko-shoqëror i dardanëve (shekujt IV-II para Kr.); Gjurmë monumentesh arkeologjike të Mbretërisë Dardane.

Një vend të vecantë në ketë kapitull është analiza e ngjarjeve historike që kaloi Mbretëria Daradane që nga lindja e deri në pushtimin romak. Duke reflektuar profesionalisht mbi të dhënat e burimeve historike, autori ka sjelle jo rrallë herë një veshtrim të ri mbi historinë e shkruar të njohur deri tani për dardanët. Natyrisht kontributi kryesor është i lidhur me të dhënat arkeologjike të përfshira në ketë kapitull duke ndihmuar dhe sqaruar shumë elementë kulturore dhe etnik të munguar deri sot në këto botime. Përfshirja krahas të dhënave historike e të dhënave arkeologjike që vijnë ngë gërmimet e reja por dhe nga casjet që autori ka për territorin e Mbretërisë Dardane ku lexuesi për herë të parë do të njihet me qendrat urbane të shekujve IV-II para Kr., dhe me të dhënat e reja për kryeqendrën Damostion.

Në një ndër periudhat e lulëzuara të Dardanisë, e konceptuar me titullin “Dardanët dhe Roma”, autori analizon arkeologjikisht problematikën e proceseve të transformimit ekonomik dhe social në Dardani (shekujt I-IV), e cila po kalonte një situatë të re administrative dhe kulturore me depertimin romak në Ballkan. Kështu në sintesen mbi dardanët në Provincën e Mëzisë së Epërme, njihemi për shkallëzimin e depërtimit romak në cdo qelizë të jetës ekonomike, administrative, linguistike, ushtarake dhe urbane. Natyrisht ky proces ishte i lidhur ngushtësisht me statusin administrativ dhe ekonomik të qyteteve kryesore të Dardanisë, sic janë Naissus, Municipium DD në Socanicë, Scupi, Ulpiana etj.,si dhe me qarkullimin monetar, artin, kulturën dhe religjionin. Me interes është dhe analiza që i dedikohet Via Lissus-Naissus, arterie që lidhte Adriatikun me Ballkanin Qendrorë deri në Danub.

Transporti i ngritur në terë Dardaninë ishte ndër opsionet strategjike të Romës pasi lidhet me shfrytëzimin e minierave dhe të resorteve të tjera aq të pasura që kishte ky rajon. Një vend të vecantë në librin Dardanët autori i ka kushtuar periudhës “Nga Konstandini te Justiniani”, e cila përfshinë shekujt IV -VI, që reflekton ngjarjet historike të kohës dhe zhvillimin e qendrave urbane nga krijimi i Provincës së Dardanisë e deri në fillimin e dyndjeve barbare. Një vëmendje me rëndësi autori i kushton jetës së perandorëve të shquar me origjinë dardane Konstadinit dhe Justinianit. Ndërtimet në Dardani në periudhën e Justinianit zënë një pjesë të madhe në ketë kapitull pasi analizohen tipi, funksioni, relacionet që kanë fortesat me njëra tjetra dhe ngritja e tyre strategjike në raport me mbrojtjen e limesit Danubian. Po ashtu për herë të parë vecohet tipi qytezë si një zhvillim urban ndërmjet qyteve kryesore dhe zonave periferike të provincës. Vecojmë në këtë studim sintezën e plotë arkeologjiko-historike mbi ceshtje të diskutueshme që janë të lidhura me periudhën paleokristiane në Dardani “Dardanët në udhën e krishterimit”, në të cilin janë analizuar burimet historike me ato arkeologjike për qendra kishtare sic ishin Justiniana Prima, Justiniana Secunda, Naissus, Scupi etj. Njëkohësisht janë me shumë interes konkluzionet e nxjerra mbi monumente të periudhës paleokristiane dhe kishat e qytezave paleobizantine në provincën e Dardanisë.

Në vijim ky studim ndalet në periudhën e shekujve VI-IX, dhe sjell një vështrim rreth shekujve të errët të Mesjetës, për periudhën nga shekullin VII mbas Kr. Autori konstaton se, me rënien e botës antike ashtu si dhe viset e tjera të Perandorisë Bizantine edhe dardanët u futën në një epokë të re, në atë të mesjetës. Tashmë në provincat ilire te Praevalis, Dardani, Epirin e Ri dhe Epirin e Vjetër janë shënuar ngjarje të rëndësishme që u reflektuan në përzierjet etnike nga popullsi sllave dhe në ndryshimin e hartës etnike në Ballkan. Natyrisht për të ardhur deri në shekujt e mesjetës, shoqëria dardane ka kaluar disa momente historike mjaft të rendësishme gjatë antikitetit të vonë siç është kristianizmi.

Filed Under: Histori

IL PICCOLO DI TRIESTE (1914) / INTERVISTA EKSKLUZIVE ME PRENK BIB DODËN NË DURRËS RRETH “AKSIONIT TË TIJ USHTARAK” PËR TË SHPËTUAR PRINC VIDIN

December 12, 2025 by s p


Prenk Bib Doda (1860 – 1919)
Prenk Bib Doda (1860 – 1919)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 12 Dhjetor 2025

“Il Piccolo di Trieste” ka botuar, të premten e 10 korrikut 1914, në ballinë, intervistën ekskluzive asokohe me Prenk Bib Dodën në Durrës rreth “aksionit të tij ushtarak” për të shpëtuar Princ Vidin, të cilën Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Aksioni ushtarak i Bib Dodës

Thirrja e Esad Pashës do të kishte ndodhur

(Nga i dërguari ynë special)

Burimi: Il Piccolo di Trieste, e premte, 10 korrik 1914, Ballinë
Burimi: Il Piccolo di Trieste, e premte, 10 korrik 1914, Ballinë

Durrës, 6 korrik

Ministri i Luftës…

I madh, i shëndoshë, flokëkuqërremtë, Prenk Pasha vjen të më takojë në pragun e shtëpisë së Nogës, ku është i strehuar, dhe më fton të hyj me një bollëk gjestesh dhe fjalësh. Më kërkon ndjesë që nuk ka mundur të më presë deri sot :

— Duke kaluar nga një këshill ministrash në një këshill kurore, nuk kam pasur asnjë çast pushimi gjatë këtyre dy ditëve që jam në Durrës; ju jeni i vetmi gazetar që ka arritur të më kapë; por…

Troket dera. Mirditori që është roje në paradhomë fut dy zotërinj të rinj. Ata prezantohen në frëngjisht :

— Ne jemi krerët e vullnetarëve austriakë, Prenk Pashë, dhe kemi ardhur t’ju kërkojmë leje që të marrim dhe të përdorim për kuzhinën e kompanisë sonë një kazan të madh që ndodhet pas doganës…

Bib Doda mendon një çast.

— Po mirë. Por vini te unë? Drejtojuni… nuk e di… ministrit…

— … ministrit të luftës? — pyesin me ndrojtje dy të rinjtë.

— Po, ministrit të luftës.

— A na bëni nder, na thoni kush është ministri i luftës?

— Eh…

Bib Doda mbetet një çast i hutuar, sikur është kapur në faj, pastaj me një gjest të gjerë të krahëve të tij të fuqishëm, më drejtohet mua :

— Kush është ministri i luftës?

— Ministri i luftës? Nuk do ta dija… Ndoshta askush…

Dhe Bib Doda :

— Pikërisht. Kush mund të jetë ministër i luftës? Askush…

Pastaj duke iu drejtuar dy zotërinjve të rinj :

— Duhet të shkoni te ndonjë ministër tjetër : ai i luftës nuk ekziston.

Situata bëhet jashtëzakonisht gazmore. Dhe ndërsa dy vullnetarët kërkojnë emrin e ndonjë ministri tjetër, unë sugjeroj duke qeshur :

— Noga…

Bib Doda nuk e kupton ironinë; ose ndoshta, për t’u hequr qafe atë “hije” të kazanit, e miraton seriozisht. Dhe i shoqëron dy vullnetarët te dera ngjitur, që të çon në zyrën e Shkëlqesisë së Tij, ministrit të financave…

Kurrë si sot, nuk e kam admiruar atë gazetar nga Nju Jorku, i cili, pasi kishte mbërritur në Shqipëri nga bota e re dhe u pyet nga një koleg italian nëse në Amerikë interesoheshin shumë për çështjet shqiptare, u përgjigj :

— Aspak, fare; por më duket se argëtimi ia vlen udhëtimin tim… “sepse është qesharake lindja e një shteti…”

Është si një dramë e vogël komike e jetës së përditshme të një familjeje fshatare që papritur ngjitet në shkallën e familjes borgjeze : Shqipëria është ende një fshatare e mirë; por një borgjeze e keqe, një borgjeze qesharake…

Një film pothuajse për të qeshur nga fillimi në fund

Bib Doda :

— Pra, doni të dini diçka për fushatën time? Do të bënit mirë të mos më pyesnit. Ah, më kanë turpëruar! Malësorët, e dini! Jo mirditorët e mi! Por unë i kisha dyshuar që në fillim se nuk ishin njerëz të besueshëm: nuk bënin gjë tjetër veçse vidhnin ditë e natë dhe nuk donin të bindeshin; edhe njerëzit e mi vidhnin, por vetëm natën; ndërsa ditën, të gjorët, qëndronin me mua, besnikë…

— Do të doja të dija si u zhvilluan ngjarjet…

— Ngjarje? Jemi nisur nga Lezha tetë a dhjetë ditë më parë dhe nuk kemi takuar kurrë ndonjë kryengritës; vetëm dele, dhi, lopë… dhe malësorët… — dhe bën një gjest shumë domethënës me dorë, duke e theksuar fjalën dhe gjestin me një vështrim plot dinakëri fshatare.

— Po a s’patët kurrë ndonjë betejë?

— Kurrë. Njerëzit e mi, kur shpërndaheshin shumë në grabitje, hasnin ndonjë rezistencë nga fshatarët pronarë të bagëtive; por dy të shtëna pushke, katër, tetë… dhe gjithçka mbaronte.

— Dhe pse u shkatërrua Ishmi?

— Ah! Në fund malësorët u bënë të egër: fanatizëm i krishterë si reagim ndaj fanatizmit mysliman të armiqve: po të vazhdonte kështu, do të ishte bërë keq…

— Por thuhet gjithashtu se njerëzit tuaj kanë djegur të gjallë disa kryengritës…

— Ndoshta. Mua nuk më kanë thënë gjë, prandaj nuk di me siguri. Por mund të jetë: ju përsëris se ishin bërë të egër.

— Po ju vetë, nuk mund t’u kundërviheshit këtyre teprimeve të barbarisë?

— “A mundeshit…” : besoja se mundesha, por nuk donin të më dëgjonin më. Pasi u furnizuan mirë me plaçkë, nuk më bindeshin më, kërkuan të largoheshin. Më kot përpiqesha t’u shpjegoja pse kishin ardhur për të luftuar, më kot u flisja për mbretin. Më përgjigjeshin se kishin ardhur në luftë për të bërë plaçkë. — Atëherë u thashë — dërgojeni plaçkën në shtëpitë tuaja dhe qëndroni të luftoni, kështu, të paktën, do të mund të bëni edhe më shumë. Por (në thelb, jo njerëz të këqij…) nuk deshën të ishin të pangopur, dhe këmbëngulën vendosmërisht të largoheshin; madje u larguan fare. Dhe unë mbeta vetëm me katërqind mirditorët e mi dhe me pesëdhjetë njerëzit e Bajram Currit. Çfarë mund të bëja tjetër veçse atë që bëra, u tërhoqa me ta në Slinë, pastaj më lart, dhe erdha në Durrës për të folur me mbretin dhe për të inkurajuar këtë mijë besnikësh që kisha dërguar këtu. Këta janë vërtet trima… Madje, nëse doni të bëjmë disa hapa, të shkojmë t’i shohim tani në kazermë.

— Me kënaqësi.

Bib Doda ngrihet, vë plisin (qeleshen) dhe më thotë :

— Shikoni: e thosha dje me shaka disa miqve këtu: “Ju deshët, sapo ra Turqia, ta flaknit plisin (qeleshen) dhe të merrnit një mbulesë tjetër koke, takijen; unë nuk u nxitova: ju jam dukur konservator; por ja që tani jam më përpara se ju…”

Dolëm jashtë. Një oborr i vogël mirditorësh që rrinë pa punë në paradhomë dhe në holl ngrihet dhe na ndjek; dhe rrugës, të gjithë mirditorët që hasim, pasi përshëndesin me nderim të thellë zotërinë e tyre, fillojnë të na ndjekin: është një kortezh i çuditshëm njerëzish që shtohet hap pas hapi; kur arrijmë në kazermë, janë më shumë se njëqind mirditorë që na ndjekin. Dhe brenda, në oborrin e kazermës, sapo shihet Prenk Pasha, të gjithë mirditorët vrapojnë te pushkët dhe rreshtohen me një çrregullim piktoresk që megjithatë nuk është më pak i respektueshëm.

Bib Doda buzëqesh, teksa më bën të kaloj atë lloj parade : është i kënaqur me “blufin” e tij koreografik. S’ka ç’të thuash; filmi është i përsosur: duket pothuajse si jeta reale.

Gjërat më serioze

— Dëgjoni, Prenk Pasha, cili është motivi i ardhjes suaj në Durrës?

— Kam ardhur për të riorganizuar mirditorët që ndodheshin këtu dhe që dukej se kishin humbur çdo shenjë disipline.

— Vetëm kaq? Në politikë kjo është një përgjigje shumë pak e mjaftueshme. Çfarë ka të vërtetë në zërat për një propozim tuajin për formimin e një ushtrie të dytë?

— Propozimi, nuk ka rëndësi nëse ka qenë nga unë apo jo, është bërë. Dhe më duket se është e vetmja zgjidhje për të shpëtuar situatën pothuajse të dëshpëruar të tanishme.

— Nuk mendoni se do të përsëritej një përvojë e keqe?

— Jo! Këtë herë do të kërkojmë njerëz të besuar, njerëz të aftë të mos vjedhin…

— …duke i paguar mirë, fort mirë…

Bib Doda nuk e kupton ironinë dhe e vërteton :

— Sigurisht, sigurisht. Njerëzit duhet t’i paguash mirë që të jenë besnikë.

— Pra besoni se është e mundur të shpëtohet situata dhe të shpëtohet mbreti?

— Nuk kam asnjë dyshim. Dhe për ne, sot, ta shpëtosh mbretin do të thotë të shpëtosh Shqipërinë. Ja pse ne e mbështesim atë me këmbënguljen e dëshpërimit. Ditën që Vilhelm Vidi të largohej, Shqipëria do të ndahej (copëtohej) nga të huajt.

— Dhe si mendoni se mund të shpëtohet mbreti?

— Me ndërhyrjen e armatosur të Europës, më mirë se çdo mënyrë tjetër.

— …apo me kthimin e Esadit?

Bib Doda buzëqesh.

E pyes :

— A është e vërtetë që pashai i Tiranës është thirrur vërtet?

— E dini, ishte një ide personale e imja ajo që situata mund të shpëtohej nga bashkimi im me Ismailin dhe me Esadin.

— …triumvirati… Dhe a e thirrët?

Prenk Pasha nuk përgjigjet drejtpërdrejt :

— Por mos mendoni se ka qenë një nismë e imja personale; qeveria nuk ka lidhje me këtë…

— …siç nuk kishte lidhje as në bisedimet me kryengritësit, derisa ato të kishin ecur mirë, apo jo?

Bib Doda buzëqesh dhe hesht. E pyes :

— Pra, çfarë mendimi keni për Esadin?

— Ja: do t’ju tregoj një episod. Më pak se pesë muaj më parë e takova në Hotel Continental në Romë, kur po përgatitej me komisionin shqiptar të shkonte t’i ofronte kurorën Vidit. Atëherë e qortova: “A nuk ke pendesë që po sakrifikon kështu një njeri? Që po shkoni ta merrni atë princ të mjerë dhe ta sillni në këtë vend që (ashtu siç ia keni fshehur me siguri) nuk ka pasur kurrë një ide të vërtetë qeverisjeje dhe sovraniteti?” Esadi atëherë ngriti supet dhe buzëqeshi. Ah, ka vepruar shumë keq…

— Po pastaj? Mërgimi?

— Pastaj u sollën shumë keq me të. Edhe sikur të kishte bërë diçka, nuk ishte ajo mënyra dhe as koha për ta trajtuar kështu.

— Ndoshta nuk duhet treguar shumë delikatesë në zgjedhjen e politikanëve shqiptarë?…

— Kjo kuptohet!

— I keni lexuar gazetat, Prenk? Çfarë mendimi keni për titujt lavdërues me të cilët ju nderojnë këto ditë?

Ai buzëqesh dhe, me një goditje humori :

— Në fund të fundit… besoni vallë se unë kam një mendim tjetër për veten time?

— Është e vërtetë… Përndryshe nuk do të kishit mundur, herën e parë që e takuat Vilhelm Vidin, t’i jepnit atë këshillë të shkëlqyer : “Nëse doni paqe në Shqipëri, Madhëri, nëse doni të mbretëroni në qetësi, duhet të bëni një gjë : të prisni kokat e Ismailit, Esadit dhe timen…”

Bib Doda shpërthen në një të qeshur të fortë dhe të sinqertë :

— Si e mësuat këtë?…

Bruno Astori

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 8
  • 9
  • 10
  • 11
  • 12
  • …
  • 702
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”
  • MIRO TËRBAÇJA, SHQIPONJË E HISTORISË
  • Hirësia e Tij Nikodhimi, Peshkopi i Bostonit dhe Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare në Amerikë kreu vizitë 10-ditore në Shqipëri
  • Shqipëria dhe Kosova në Bordin e Paqes: Nga historia e plagëve drejt arkitekturës së paqes globale
  • PAQE PËRMES FORCËS, DREJTËSI QË GARANTON STABILITET, JO PASIGURI
  • Kosova pays the price as its liberation leaders are persecuted, not prosecuted
  • Çfarë sjell shkretimi shpirtëror në një tjetër shekull zhgënjyes përmes antologjisë së nobelistit Eugenio Montale
  • FAN (1971) / “TË PISH E TË HASH NË SHQIPËRI” — REPORTAZHI EKSKLUZIV BOTËROR I TELEVIZIONIT ZVICERAN
  • Folklori çam, i gjallë edhe në botën moderne!
  • Milan Shuflaj, e vërteta historike dhe martirizimi i lirisë akademike në Evropë
  • Kontributi i Prof. Emeritus Injac Parrinos në shkencat albanologjike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT