• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Historia e Sheshit të Flamurit

November 23, 2025 by s p

Vildan Sharra/

Do na bëhet Shqipëria? Do na bëhet në e do!  Nuk janë vargje poetike, as këngë   patriotike.Trojet arbërore ishin në prag të rrezikut dhe shfarosjes prej fqinjëve të përhershëm grabitqarë. Për afro pesë shekuj nën robërinë e egër otomane, me gjithë përpjekjet e herë pas hershme nuk kishin mundur të krijonin një shtet të vetëm shqiptar.

Gjithë popujt , pjesë e perandorisë otomane, kishin kohë që kishin formuar shtetet e tyre, ishin forcuar ushtarakisht dhe herë pas here sulmonin dhe rrëmbenin tokat arbërore. Intelektualët shqiptarë ishin shumë të ngjitur me perandorinë otomane, nuk u mungonte dëshira për një  Shqipëri autoktone , por nuk kishin kurajo dhe besim te populli. Këtë e dëshmon më së miri Lidhja e Prizrenit. Edhe pse pati jehonë të madhe në histori, Lidhja e Prizrenit u themelua për të protestuar kundër vendimeve te Traktatit të Berlinit për copëtimin e tokave shqiptare dhe jo për pavarësi nga perandoria otomane. Fillimisht u mbështet nga Porta e Lartë.  Qellimi i udhëheqësve të saj ishte për një autonomi të popullit shqiptar në perandori. Lidhja nuk arriti të organizonte shqiptarët nën një komandë të vetme, nuk pati besim të plotë tek fshatarësia, dhe nuk pati përkrahjen e shteteve europiane.

Shëmbulli më i mirë në historinë tonë është lufta legjendare për pavarësi nga Turqia nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit. Ishin kërkesat e vazhdueshme, ishte gadishmëria  e popullit arbëror që e zgjuan ndërgjegjen kombëtare të tij. Eja Gjergj, eja trim i trimave, populli po të pret? Barleti na e bën të qartë në librin e historisë së lavdishme të Skënderbeut, fjalët e tija të pavdekshme dhe kuptimplote… Lirinë nuk ua solla unë, por e gjeta tek ju…Skënderbeu i bashkoi princat e për¢are shqiptare  në luftën fitimtare kundër ushtrive otomane. Por ¢farë ndodhi në vitet 1900-1912?

Perandoria otomane po jetonte momentet e fundit. Në vizitën e tij të dytë tek mbreti i Greqisë në v.1900 , Ismail Qemali takon një shqiptar, i cili i tha … Bej, mos u beso këtyre kokë-trashëve,bëj të pamundurën të krijosh një Shqipëri të lirë për ne, dhe të ribashkohemi të gjithë shqiptarët atje.(1) Më poshtë I.Q…u shpjegon gjithë shqiptarëve që kishin shkuar për t’a takuar, me shpresë se kishte ardhur koha për t’u shkëputur nga Turqia… arësyet që e detyruan të linte detyrën dhe shërbimin në perandori,…dhe shprehu dëshirën që t’i qëndrojmë besnik perandorisë ?!(2)  Shumë patriotë shqiptarë shpresuan se kishte ardhur momenti për një Shqipëri të Pavarur. Duhej një udhëheqës që t’i bashkonte shqiptarët në një kryengritje të përgjithshme në trojet e robëruara.

Hasan Prishtina në fillim të v. 1912, deklaron hapur në parlamentin turk dhe organizon një kryengritje të përgjithshme në trojet shqiptare. U mblodhën tek shtëpia  e Syrja bej Vlorës në Turqi. Hartuan planet, caktuan detyrat , fillimin e kryengritjes në tre drejtime, në Dardani, në Shqipërinë e jugut dhe Shqipërinë e mesme. Hasan Prishtina e fillon kryengritjen në pranvere, e ¢liron gjithë dardaninë dhe ngre flamurin shqiptar në të gjitha trevat. Po udheheqesit e tjere…? jo vetëm që nuk e ngritën popullin, por edhe premtimet për armë dhënë Hasan Prishtinës nuk i mbajtën.(3)

Ismail Qemali në Kuvendin e Pavarësisë, Hasan Sharra në rreshtin e dytë

8 Tetor 1912. Fqinjët kishin filluar luftën (lufta e parë ballkanike)  për copëtimin e trojeve shqiptare.Ismail Qemali nuk pranoi të takohet me krajlin e Malit të Zi, i cili e ftoi të merte pjesë ne luftën që po pregatitej kundër Perandorisë Otomane.  Nga të gjitha krahinat  , shkonin në Vlorë dhe bisedonin me Ismail Qemalin ,(Shtator 1912),më tregonin familjarët e mi që ishin të pranishëm në ato momente. Duhej vepruar sa më shpejt… atdheu ishte në rrezik…Nje telegram nga Qamil Pasha, i cili i propozoi postin e ministrit në kabinetin e ri. U nis menjëherë,(fund i shtatorit 1912) me shpresë se mund t’a shpëtonte atdheun me ndihmën e Portës së Lartë. Shpresë e kotë, perandoria kishte mbaruar prej kohësh. 

Në 27-28 tetor 1912 u mblodhën në shtëpinë e Sharrajve dhe biseduan për situatën tepër të rënduar në trojet shqiptare, Fazil Toptani,Urat Toptani, Nexhip Draga,Dervish Hima,Namik Delvina,Bektash Cakrani,Sali Nivica,Alem Mehmeti,Aziz Pashë Vrioni etj…(4) Të gjithë ishin të mendimit se duhej vepruar sa më parë, serbet kishin filluar sulmin, pushtimin e trojeve shqiptare. Turgut Pasha e kishte ¢armatosur popullsinë në 1911. Si rrjedhojë serbët përparonin lehtë, pa ndonjë pengesë seriose, e masakronin popullsinë. Hasan Sharra ishte më i besuari i Ismail Qemalit… i qetësonte të pranishmit… presim udhëzimet prej tij. Ismail bej Vlora e cakton mbajtësin e protokollit dhe e kishte të besuar per dërgimin e letrave dhe dokumenteve të patriotëve  të ndryshëm gjatë gjithë periudhës së pavarësisë.(5)

Në rrethana të tjera unë do ta pranoja postin e ministrit me kënaqësi, por një detyrë më lartë më detyroi të mos e pranoj… Qamil Pasha më në fund e kuptoi dhe pranoi arsyen time…dhe ne u ndame me respekt reciprok, shkruan Ismail Qemali në kujtimet e tija,faqe 370. Domethënë, po të mos kishin sulmuar fqinjët nga veriu dhe jugu, nuk duhej të shkëputeshim nga Perandoria?! Unë u telegrafova, në të gjitha  krahinat e Shqiperisë, të lajmëronin arritjen time…momenti kishte ardhur per ne, të realizojmë aspiratat tona kombëtare. Unë u kërkova ,të gjithë delegatët të nisen nga të gjitha anët e vendit në Vlore, ku do të mbahej kuvendi kombëtar.(6) Shihet qartë, Ismail Qemali , pasi e diskutoi dhe mori aprovimin nga Qamil Pasha,më në fund dha kushtrimin dhe u nis per në Vlorë. Serbët,malezezët dhe grekët i kishin zaptuar më të shumtat e trojeve shqiptare!

Vlora në 1912

Shpallja e Pavarësisë është ngjarja më madhështore në historinë e popullit shqiptar.Shtëpia e Sharrajve u hap me gëzim të madh, shkruan Kristo Floqi në librin e tij.(7) Delegati Xhemal Karahasani në shkrimin “Një udhëtim historik nga Durrësi në Vlorë “ tregon:”Që të gjithë hymë në Vlorë dhe zbritëm në shtëpinë e Hasan Aga Sharrës e vellezer”. Mua ,Ismail beu më mbajti aty.(8)Ishte e hënë 25 Nëntor,1912. Pjesëmarrësit që kishin ardhur bën pushim, të martën dhe të mërkurën. Komisioni Përgatitor kishte kohë që i kishte marrë masat mbrojtëse, ekonomike dhe organizative. Të ënjten pasdreke të 83 delegatët(9) u drejtuan në anën tjetër të rrugës, përbri pallatit të Sharrajve, në Sarajet e Vlorajve,tek shtëpia e Xhemil Bej Vlorës. Atje ishte një sallon i madh në katin e tretë. .Në orën 2:00 pas dreke deri në orën 4:15 zhvilloi punimet Kuvendi Kombëtar, dhe të gjithë njëzëri e shpallën Shqipërinë Politikisht të Pavarur. Në përfundim të kuvendit , Murat bej Toptani shpalosi flamurin Kuq e Zi që e kishin sjellë grupi i atdhetarëve nga Rumania,na tregonte Xha Memdui që ishte i pranishëm në atë ditë.(Memdu Sharra ishte edukuar në disa universitete të njohura të kohës,edhe në universitetin prestigjoz të Kembrixhit, Londër)

Konsulli austriac Wenzel Lijhanec në relacionin(konfidential) dërguar qeverisë së tij midis të tjerave shkruan: “ Më 28 mbrëma,pasi na pat grishur Ismail Qemal beu,vajtëm unë dhe konsulli italjan në shtëpinë e tij (te kryetari i madh Hasan Sharra) na i shpjegoi se si kish rrjedh puna si asamble kombëtare dhe na u lut që vendimin e saj t”ia transmentojmë qeverive t´ona…”, përkthyer nga gjermanishtja prej Luan Malltezit.(10)

Brënda pak ditëve u pregatit një flamur i madh i cili u vendos në krahun e majtë të pallatit të Sharrajve, ku qëndroi Qeveria e Përkohshme , deri sa u pregatit godina në Skelë, me largimin e flotës greke,në prill 1913.Një atmosferë festive dhe mallëngjyese , e paparë ndonjëherë mbretëronte në rrugët e Vlorës. Sheshi përballë godinës së Qeverisë qëndronte i tejmbushur me popullin që brohoriste dhe valviste flamujt kuq e zi, Të na rrojë Shqipëria!  Rroftë!  Rroftë!  Rroftë Flamuri!

Entuziazmi popullor do të arrinte kulmin tre ditë më vonë. Isa Boletini me trimat e tij mbritën në Vlorë. Populli i kishte rrethuar dhe i përcillte drejt godinës qeveritare. Fëmijë dhe të rritur , i preknin , i përqafonin, i zbritën nga kuajt, u mernin armët , brohorisnin me të madhe Isa Boletinin. Ata mbetën të shastisur! Nuk e prisnin një gëzim kaq të madh, na tregonte xha Memdui.

i

Ku po shkon ? Tek Sheshi i Flamurit !- ishte përgjigja. Sheshi përpara ndërtesës ku ishte vendosur  Qeveria e Përkohshme dhe ku dukshëm nga të gjitha anët valvitej flamuri i madh ,ishin pronë e vëllezerve Sharra. Që ato ditë , ai vend u quajt “ Sheshi i Flamurit”, nuk pati emërim qeveritar, ishte populli që spontanisht e emëroi atë . Gjithshka ka ndryshuar dhe po ndryshon në atë shesh, nga njëra qeveri në tjetrën, por jo dashuria e popullit shqiptar për Sheshin e Flamurit.

Nga fundi i viteve 1700, aty ishte një fushë , më të shumtën e vitit ishte e mbushur me ujë. Sharrajt u vendosën per herë të parë në vitet 1780-90. Kohë më parë e kishin blerë atë vend prej familjes Vlora. Oxhaku i Sharrajve i kishte sarajet në Kavajë, të vendosur atje dy shekuj më parë nga Tirana, ku edhe kishin prona të shumta.Ndërtuan manastire dhe ¢ezma  me  ujë të pijshëm .Lagja Sharra, ¢ezma Sharra  egzistonin në Kavajë deri në vitet 1970 , ndoshta dhe më vonë. Hasmëria me fisin Alltuni i detyroi Sharrajt të vendoseshin në Vlorë.

Pasi ndërtuan shtëpitë e tyre provizore, menjëherë gërmuan një kanal të madh për kullimin e ujrave, që përkon nga stacioni i autobusave , pranë xhamise sot, dhe ujrat derdheshin në lagjen “Kume”. Në fëmijërinë time kujtoj nga shirat e shumta, rrugica ku jetoja përmbytej nga ujërat dhe balta prej kodrës së Budakut. Ardhja e Sharrajve në Vlorë e ndryshoi jetën shoqërore të qytetit dhe fshatrave perreth. Rendi i vjeter patriarkal, i mykur,  që e kishte pllakosur jetën shoqërore në Vlorë kishte filluar të shkërmoqej. Dal ngadalë filloi të ngrihej një klasë e re shoqërore,patriotike, e quajtur klasa e mesme,klasa e agallareve që disa dekada më vonë do të ndryshonte historinë e Vlorës dhe krejt Shqipërisë. Sharrajt do të quheshin “ndërtuesit e Vlorës”.

Duke parë këto ndryshime , fisi i Vlorajve e la kalanë e Kaninës ku jetonin dhe ndërtuan sarajet e tyre në v.1825. Ndërtesat luksoze të rrethuara me një mur 3.5 metra të lartë, me hyrje në drejtimin jugor, ku edhe ishte planifikuar qëndra e qytetit të Vlorës. Në anën lindore të sarajeve u ndërtua një rrugë 15-20 metra e gjerë. Nga ana tjeter Sharrajt filluan ndertimin e nje ndërtese të madhe me gurë të bardhë të sjellë nga Karaburuni. Kjo i acaroi marredhëniet e mira dhe miqesore midis tyre. Ndërtesa nuk duhej të ishte më e madhe, jo me shume se dy kate që ironikisht ,nuk duhej t’i bënte hije sarajeve të pashallarëve të Vlorës. Edhe pse e ndryshuan planin e ndërtesës, Porta e Lartë nuk e lejoi përfundimin e saj. Do të duheshin mbi 20 vjet të përfundohej, kur perandoria qe kalbëzuar, pikërisht,disa muaj perpara Shpalljes së Pavarësisë.

Trojet Shqiptare u shpallën të pavarura , por më të shumtat ishin te okupuara nga fqinjët. Në krahinën e lirë të Vlorës u grumbulluan mbi 250 mijë muhaxhirë dhe 30-35 mijë ushtarë të perandorisë. Menjëherë pas përfundimit të kuvendit , I.Q. diskutoi me konsujt Austro-Hungarez dhe Italjan për masat që duheshin marrë për t’a ndihmuar ushtrinë e braktisur perandorake. Gjest tepër fisnik dhe humanitar?!(11) Për muhaxhirët shqiptarë që kishin mbushur ullishtat dhe kodrat e Vlorës për t’i shpëtuar agresionit të fqinjëve,që barbarisht po shkatëronin shtëpitë dhe masakronin popullsinë e pambrojtur shqiptare… nuk u diskutua atë mbremje, dhe ditët në vijim …?!

Dasmen e Madhe të Pavarësisë në Vlorë e organizuan dhe e financuan klasa e mesme dhe fshataresia shqiptare,më tregonin familjarët e mij. Patriotizmi i zjarrtë i masave popullore nuk ishte shuar asnjëherë gjatë gjithë kohës nën robërinë otomane. Hera-heres shperthente fuqishëm, por mungonin udhëheqësit e denjë per t’a organizuar dhe kurorëzuar në fitore përfundimtare. Klasa feudale shqiptare ishte krejtësisht në shërbim të perandorisë.

Pinjolli i famijes së Vlorajve,Eqrem bej Vlora, e shpreh shumë qartë në kujtimet e tija të vitit 1962. Ai shkruan : “ Nje lojë mahnitëse e natyres! Një vegim, një dritë mashtruese , hije kobuese e prapseprapë një realitet i së kaluarës dhe i së tashmes. Shkëlqim dhe mjerim,lavdi dhe turp, ngjitje dhe rrëzim-një pleksje e ¢uditshme! Një tablo e kontrasteve mes të cilave jetojmë! Për ne të tre, Qemal Vrionin, Avni Delvinën dhe për mua, ngritja e familjeve tona kishte nisur me rrezet e lindjes së diellit të kësaj Perandorie”. Shumë e saktë. Shkëlqim,lavdi dhe ngjitje për shqiptarët dhe Shqipërinë, mjerim ,turp dhe rrëzim për “klasën feudale” dhe Perandorine.(12)

Propoganda që i bëjnë mediat e ndryshme periudhes së Shpalljes së Pavarësisë , përve¢ojnë si shpëtimtarë delegatët e ardhur në kuvend si perfaqësues të “parisë vendore”.( Quheshin në ato kohë sunduesit krahinorë në perandori). Në mbledhjen e Komisionit Përgatitor në 27 Nëntor 1912, Qazim Kokoshi, Ibrahim Avdullau, Osman Haxhiu, Jani Minga dhe Ceno Sharra , i kërkuan I.Qemalit që Shtetin e Ri Shqiptar duhet ta drejtojnë ata që janë përpjekur dhe kanë luftuar për krijimin e tij. ¨Përfaqësuesit më të denjë  në kuvend për krahinat jugore do të ishin ¢er¢iz Topulli, Mihal Grameno etj., armiq të Dovletit, aq të dashur për popullin¨i thanë I.Qemalit. Paaftësia dhe pakënaqsia e ministrave të zgjedhur në Qeverine e Përkohshme , rrethanat ndërkombëtare dhe kombëtare e detyruan  I.Qemalin të jap dorëheqjen. Shteti i Ri Shqiptar hyri në rrugën e një anarkie të pafund..

Sheshi i Flamurit u bë qëndra e të gjitha ngjarjeve të asaj kohe. Vendosja e Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit te ndërtesa e Sharrajve në 1914, pushtimi italian dhe nxjerrja  lashtë ligjit e Flamurit Shqiptar në 1916, vdekja , pritja dhe përcjellja e I.Qemalit për në Kaninë , janë disa nga ngjarjet kryesore në Sheshin e Flamurit . Në 3 Shtator 1920, Sheshi i Flamurit do të përjetonte një tjetër moment historik, hyrjen madhështore të luftëtarëve patriotë të Luftës për Vlorën ,që kishte befasuar gjthe boten,përballë një nga ushtrive me të forta të kohës.

Pas “Luftes se Vlorës”  drejtimin e qytetit  e morën nën kontrol të plotë patriotët e vërtetë, klasa e mesme dhe fshatarësia. Filloi rindërtimi i Sheshit të Flamurit. Sharrajt i dhuruan bashkisë së Vlorës pjesën përpara pallatit të tyre. Sarajet e Vlorajve kishin pësuar një dëmtim të madh ,si resultat i bombardimeve, shkruan E.Vlora. Të afërmit e mi tregojnë… ¨ato ishin të ndërtuara kryesisht me drurë, dhe ndërtesa të tilla nuk i kalojne të 100 -at¨. Duheshin 10 mije franga flori për t’i riparuar. Eqrem bej Vlora ia shiti bashkisë së qytetit për 10 mije franga flori, – shkruan në kujtimet e tija.Bashkia i prishi dhe ndërtoi një lulishte të madhe dhe të bukur.

Përcjellja e Avni Rustemit në Sheshin e Flamurit

Në 30 Prill 1924, populli vlonjat dhe të ardhur nga të gjitha trojet shqiptare, në Sheshin e Flamurit, të revoltuar përcollën për në banesën e përjetshme, atdhetarin, birin shpirtëror vlonjat Avni Rustemin. Në Qershor 1924, përsëri nga qëndra atdhetare e shqiptarëve, Sheshi i Flamurit, marshuan drejt Tiranës dhe e rrëzuan Qeverinë përgjegjëse për vrasjen e Avni Rustemit. Tashmë Sheshi i Flamurit ishte kthyer në një epiqëndër e zjartë  patriotizmi.

Pas Shpalljes së Pavarësisë , përpjekjet e Parisë vlonjate për rindërtimin e Sheshit të Flamuirt kishin hasur pengesa të shumta nga pushtuesit e huaj dhe qeveritë e ndryshme që erdhën në pushtet. Pushtuesit italiane nuk e lejuan trupin e Ismail Qemalit të prehej në Sheshin e Flamurit. Pas peripecish te shumta, nën presionin e madh të Parisë së Vlorës , mbreti i vetshpallur i Shqipërisë lejoi ngritjen e një monumenti simbolik në lulishten te Sheshi i Flamurit dhe rivarrimin e eshtrave të Ismail bej Qemalit në 28 Nëntor 1932. Planin për ndërtimin e një monumenti përkujtimor për autorët e Shpalljes së Pavarësisë nuk e përfilli.

Shatërvani u ndërtua në 1940-41

7 Prill 1939. Fashistët italiane pushtuan Vlorën dhe gjithë Shqipërinë. Në të gjithë                               vëndin ata ndërtuan ndërtesa dhe monumente të stilit italian. Edhe ne Vlorë, në Sheshin e Flamurit, vendin e “Shenjtërimit Kombëtar Shqiptar”, ndërtuan një shatërvan me katër topa. Historikisht i papërshtatshëm, do të shërbente si vend qetësimi në mbrëmje për qytetarët vlonjatë dhe një “kënd lojrash” per fëmijët, në vitet e diktaturës. Ka mendime

the histori të shumta për vitin e ndërtimit e shatërvanit. Po paraqes një dokument të prefekturës së asaj kohe, ku tregohet viti i ndërtimit dhe pronësia e Sheshit të Flamurit.   

Pas mbarimit të L2B , Shqipëria ra nën sundimin e egër diktatorial. Menjëherë filluan ndryshimet rënjësore të historisë. Shumicën e organizatorëve të Shpalljes së Pavarësisë i ekzekutuan, i futën nëpër burgje dhe i shpallën tradhtarë. Filluan të bëjnë ndryshime në Sheshin e Flamurit. Ndërtuan një podium në krah të kundër, ku dikur ishte biblioteka e qytetit, më vonë ngrinin podiume provizore midis dy lulishteve ose përpara Bar Lulishtes. Me historianët e tyre i fshinë nga historia autorët kryesorë të pavarësisë.

 Artistat e diktaturës ndërtuan(kopjuan) monumentin bolshevik në Sheshin e Flamurit

Në vitin 1972 ndërtuan monumentin e pavarësisë që është edhe sot në Sheshin e Flamurit. Ky monument është kopjuar nga monumentet bolshevike në Bashkimin Sovjetik. Edhe pse autoret e tij shprehin mendimet e tyre, ndoshta të diktuara apo imponuara nga Byroja Politike e Partisë së Punës në atë kohë, monumenti nuk pasqyron të vërtetën historike, sakrificat e mëdha të popullit të Vlorës dhe krahinave përreth.Bijtë e tyre, po e masakrojnë Sheshin e Flamurit dhe historinë e Pavarësisë 

Nëntor 2025.

  •  The Memoirs of Ismail Kemal Bey, f.296
  • The Memoirs of Ismail Kemal Bey , f.296
  • Libri i Kujtimeve të Hasan bej Prishtinës
  • Gazeta Telegraf, 30 Tetor 1912, f. 14-15
  • Isuf Luzi, Filozofia e Bukurise, f.38
  • The Memoirs of Ismail Kemal Bey, f.370
  • Libri i Kristo Floqit,botuar në Kor¢ë në v.1932, f.67
  • Instituti i Historisë,”Lufta për ¢lirimin Kombëtar në vitet 1878-1912,mbledhur nga Petraq Pepo, botuar në v.1962
  • The Memoirs of Ismail Kemal Bey, f.372
  • Luan Malltezi, Raport i Konsullit Wenzel Lijhanec, 29 Nëntor 1912, botuar në v.2012
  • Luan Malltezi,Raport i Konsullit Wenzel Lijhanec, 29 Nentor 1912, botuar në v.2012
  • Eqrem bej Vlora, Kujtime, Vëllimi i dytë, f. 48-49

Filed Under: Histori

Kujtimet e Syrja Bej Vlorës, si dëshmi e një intelektuali të fillimishekullit të XX

November 22, 2025 by s p

Dr. Kriledjan Çipa/

Familja e famshme e Vlorajve, ishte ndoshta nga të paktat familja, krahas Frashërllinjve, që besuan dhe sakrifikuan shumë për krijimin e një shteti Shqiptar. Për realizimin e kësaj ëndre, ata u investuan në tre breza, duke filluar me gjyshin e Ismail Qemalit, që ishte i pari i cili e ҫeli këtë rrugë në fillimet e shek. XIX, me vetësakrifikim. Brezi i fundit i tyre, që gjithashtu punuan për këtë ide ishte Ismail Qemali, si dhe kushërinjt e tij Syrja Vlora me të birin Eqerem Vlorën. Megjithatë, vizionet e tyre, në momentin e hedhjes së hapit përfundimtar ishin të ndryshme. Siҫ dihet, duke kuptuar momentin historik Ismail Qemali së bashku me patriot të tjerë, më 28 Nëntor të vitit 1912 në qytetin e Vlorës shpallën pavarësinë e shtetit Shqiptar. Nga ana tjetër, Syrja Bej Vlora me të birin Eqeremin ishin më shumë mbështetës të një autonomie nën suazën e Perandorisë Austro-Hungareze. Hapi vizionar dhe i guximshëm i Ismail Qemalit dhe përfaqësuesve të tjerë të Kuvendit të Vlorës, rezultoi shpëtimtar për fatin dhe të ardhmen e kombit shqiptar.

Këta protagonist të fundit nga familja e Vlorajve, kanë lënë të shkruara edhe kujtimet e tyre në lidhje me këndvështrimet mbi ngjarjet e shpalljes së pavarësisë, por edhe mbi ngjarjet që pasuan krijimin dhe mëkëmbjen e shtetit Shqiptar. Krahas memuarëve të Ismail Qemalit dhe Eqerem Bej Vlorës, në vitin 2013, nga Instituti i Historisë si pjesë e Qendrës së Studimeve Albanologjike u botuan kujtimet e Syrja Bej Vlorës, që përfshijnë periudhën nga fundi i sundimit Osman deri në Luftën e Vlorës. Syrjai i kishte shkruajtur këto shkrime në turqisht dhe u përkthyen në shqip nga Ali Asllani, në vitet pas Luftës së Dytë Botërore. Sigurisht, ky memuar si gjithë memuaret e tjera, përmban një dozë të theksuar subjektiviteti. Ky subjektivitet, por dhe kontrastet në qëndrimet e autorit janë të dukshme. Kto kontraste pasqyrohet qartë në qëndrimet që ai mban kundrejt Ismail Qemalit, themeluesit të shtetit Shqiptar. Lëvizjet e guximshme të këtij të fundit, si në shpalljen e pavarësisë ashtu edhe në reformat që do të pasonin krijimin e shtetit të ri, binin ndesh me interesat ekonomike të shtresës së pasur të Bejlerëve, por dhe njëkohësisht vinin në pikpyetje influencën dhe protagonizimin politik të disa prej tyre, duke krijuar kështu një rivalitet të egër edhe brenda familjes Vlora.

Sipas autorit, vetë thirja e Kuvendit të Vlorës ishte inisjativë e tij dhe Eqerem Beut, madje, sipas tij, kjo lëvizje nga ana e Ismail Qemalit ishte aq e paorganizuar sa edhe flamuri që u ngrit në ballkonin e banesës së Vlorajve në 28 Nëntor, ju morr e Eqerem Vlorës. Flamuri, ishte kopja që i ishte dhuruar nga Alehandro Kastrioti, Eqerem Vlorës. Këtë dëshmi e gjejmë edhe tek kujtimet e Eqerem Beut, duke na shtuar një version më shumë, ndër versionet e ndryshme rreth origjinës së flamurit të ngritur në Vlorë, në ditën e shpalljes së pavarësisë. Kjo trajektore e përpjekjes për të përbaltur figurën e Ismail Qemalit, vihet re gjatë gjithë librit, madje Syrjai, nuk nguron të ngrejë më lartë figurën e kunatit të tij Esat Pashës. Kjo urejtje ndja kushëririt të tij dhe njëkohësisht rivalit të tij politik, me sa duket do ta shoqërojë deri në vdekje. Megjithatë, vepra e Ismail Qemalit, integriteti i personalitetit të tij, si dhe vizioni i tij i jashtëzakonshëm, jo vetëm që u materializuan në themelimin e shtetit Shqiptar, por shumë aspekte të jetës dhe veprës së tij janë të mirëndriҫuara nga dokumente të ndryshme të kohës, tashmë të botuara.

Duke përjashtuar këtë pjesë të librit dhe qëndrimet emotive të autorit në raport me themeluesin e shtetit Shqiptar, pjesa tjetër e rëfimit të tij për periudhën e shkurtër të qeverisjes së Princ Vidit, ngjarjet e Luftës së Parë Botërore, si dhe Kongresi i Lushnjës e Lufta e Vlorës, që do të pasojnë shpalljen e pavarësisë, janë paraqitur me një dinamik mbresëlënëse dhe analizë të mprehtë. Dëshmitë e tij, kryesisht për ngjarjet e Luftës së Vlorës, si dhe konsideratat e tij prej intelektuali në lidhje me ngjarjet, por dhe me protagonistët e këtyre ngjarjeve, janë një burimi i pazëvendësueshëm që hedh dritë mbi këtë luftë, e cila solli pavarësimin e dytë të Shqipërisë. Nuk mungojnë as vlerësimet e tij pozitive për figura si Selam Musai. Madje, të bën përshtypje fakti që lavdëron Avni Rustemin për eleminimin e Esat Pashës, duke e vlerësuar si një akt të nevojshëm.

Mbresëlënëse janë edhe qëndrimet e tij mbi kulturën dhe figura të ndryshme historike të kombit shqiptar. Nuk mund të mos nënvizohet vlerësimi që ai ka për figurën e Ali Pashë Tepelenës.

Ai thekson se, Ali Pasha ishte i pari që tentoi të krijojë një shtet të pavarur Shqiptar, duke kuptuar se sundimit të Perandorisë Osmane në Ballakan, gradualisht po i vinte fundi. Këto konsiderata, ai i mbështet mbi leximin e disa dokumenteve arkivore, që shteti Britanik mbante në Korfuz, disa prej të cilave kishte aritur ti kopjonte.

Lidhur me vizionin që kishte Syrja Bej Vlora për trashëgiminë tonë kulturore, duhet nënvizuar se, e shihet arkeologjinë si një shkencë të rëndësishme, nëpërmjet së cilës mund të hidhej dritë mbi të kaluarën e kombit. Madje, siҫ dihet, së bashku me Eqerem Beun ai krijoi një koleksion domethënës me objekte arkeologjike, një pjesë të së cilave i njohim nga botimet e arkeologut italian Luigi Maria Ugolini. Në qëndrimin e tij, në mënyrën se si administrohet pasuria arkeologjike në shtetin Shqiptar të pas 1920-ës, ai është kundër koncesioneve që u jepen të huajve për të gërmuar në Shqipëri.

Ai kritikon koncesionin që i jepet Leon Rey-t për të gërmuar në Apolloni, me marrëveshjen, që nëse dalin nga gërmimet dy objekte të ngjashme, njëra prej tyre mund të merrej nga shteti Francez. Sipas tij, ky është një lëshim në dëm të historisë sonë, pasi asnjëherë objektet e lashta nuk gjenden në dy kopje. Ai propozon se: “Kësisojë qeveria duhet të marrë iniciativën për të ngritur një muze, që ti përshtatet kohës, për ti vënë dhe për ti ekspozuar veprat kombëtare, të cilat do të mbëlidhen brenda dhe jashtë vendit. Është gjë e ditur nga tërë bota se Atdheu ynë në kohët e vjetra ishte tejpërtej një botë e qytetëruar. Në shumë vende, ndodhen plot vepra të bukura të së shkuarës. Rreth këtyre antikave të bukura duhet të bëhen kërkime shkencore dhe gërmime arkeologjike. Këto do të formojnë, natyrisht, burimin më me rëndësi të historisë sonë…”.

Filed Under: Histori

REVISTA BELGE (1962) / “NDIHEM PLOTESISHT PERGJEGJES PER BARREN QE RENDON MBI SUPE…” — INTERVISTA EKSKLUZIVE ME MBRETIN LEKA I NE ZVICER

November 22, 2025 by s p


Majtas : Leka, mbreti i shqiptarëve, në shoqërinë e nënës së tij, mbretëreshës-nënë Geraldinë, e lindur konteshë Apponyi, e veja e mbretit Zog I. Djathtas : Shumë i rezervuar, mbreti Leka di gjithashtu të buzëqeshë. Gjatë një pritjeje të fundit, ai u pa të bisedonte me një vajzë të re shumë të hijshme, të cilën nuk na ishte e mundur ta identifikonim. — Burimi : Le Patriote Illustré, 11 shkurt 1962, faqe n°18-19.


Nga Aurenc Bebja*, Francë – 22 Nëntor 2025

Revista belge “Le Patriote Illustré” ka botuar, me 11 shkurt 1962, në faqet n°18-19, një intervistë asokohe me mbretin Leka I në Zvicër, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Një intervistë ekskluzive.

Mbret në mërgim, Leka I i Shqipërisë ka jetuar vetëm 48 orë në vendin e tij.

Burimi : Le Patriote Illustré, 11 shkurt 1962, faqe n°18-19
Burimi : Le Patriote Illustré, 11 shkurt 1962, faqe n°18-19

“Duke respektuar pikë për pikë vullnetin e Atit tim dhe deklaratat që ai ka bërë gjatë mërgimit, riafirmoj solemnisht se përpjekjet tona do të synojnë vetëm çlirimin e Shqipërisë, dhe se forma kushtetuese e Shtetit do të zgjidhet atëherë kur populli shqiptar të ketë gëzimin e madh të rifitojë lirinë e vet, duke qenë kështu në gjendje të shprehet lirshëm dhe demokratikisht…”

Këtë proklamatë, princi trashëgimtar Leka, i bërë Leka I pas vdekjes së Mbretit Zog, atit të tij, e firmosi më 15 maj 1961 në Paris. Me vdekjen e Mbretit Zog mbyllej faqja e fundit e një romani të jashtëzakonshëm aventuresk, në kuptimin më fisnik të fjalës. Një roman i vërtetë kalorsiak…

Leka I është, në fakt, i biri i një presidenti republike që u bë mbret me dëshirën e popullit të tij. Ky fakt në vetvete është mjaft i rrallë dhe i çuditshëm sa të përmendet. Në të vërtetë, Ahmet Bej Zogolli, i cili luajti një rol të rëndësishëm në fatet politike të Turqisë rreth viteve 1920, u zgjodh president i Republikës Shqiptare më 1925. Ai e mbajti këtë detyrë deri më 1928, datë në të cilën u shpall mbret. Dhjetë vjet më vonë, Zogu I martohej me një konteshë hungareze shumë të hijshme, Geraldinë Apponyi, e cila i dha një djalë në vitin 1939, princ Lekën. Dy ditë pas lindjes, më 8 prill 1939, trupat e Musolinit pushtonin Shqipërinë e vogël. I shtypur nga numri, Zogu u detyrua të merrte rrugën e mërgimit. Mbretëresha Geraldinë, e transportuar në një barrelë, arriti me vështirësi kufirin grek. Pas disa vitesh në Egjipt, familja mbretërore u vendos në Francë, në Kanë, dhe, së fundmi, në Paris. I bërë mbret i shqiptarëve në maj 1961, Leka I kishte jetuar vetëm dy ditë në atdheun e vet… Një atdhe të cilit ai i kushton një kult të vërtetë, pa fshehur megjithatë pengesat e mëdha që e ndajnë nga froni i Tiranës.

NJË VEND SEKRET

Prej disa muajsh, Shqipëria zë një vend kryesor në “koncertin” e kombeve. Mosmarrëveshja e saj spektakolare me Moskën, afrimi i saj shumë i ngushtë me Pekinin, kanë bërë bujë. Drejtuar nga komunistë besnikë ndaj stalinizmit, “të ashpër” në kuptimin e plotë të fjalës, vendi është shumë vështirë i qasshëm dhe gazetarët perëndimorë që kanë arritur të kalojnë kufijtë e tij mund të numërohen me gishtat e njërës dorë. Enver Hoxha, njeriu i fortë i regjimit, është aq larg Lekës I sa Çang Kai-Sheku (Tchang Kaï-Chek) është larg Maos. I riu sovran e di këtë shumë mirë; ai që thoshte në proklamatën e majit 1961: “Ndihem plotësisht përgjegjës për barrën që rëndon mbi supe…”

Në fund të vitit 1959, patëm rastin të takonim princin në Kanë, në shtëpinë e prindërve të tij. Në atë kohë, Leka vazhdonte studimet e tij në Zvicër, një vend që ai e pëlqen veçanërisht, në Villars-sur-Ollon, për të qenë të saktë. Ne e takuam sërish pak ditë më parë në Lozanë, gjithmonë po aq i qetë, i matur dhe i rezervuar. Ai na priti duke buzëqeshur nga lartësia e tij prej 2,08 metrash dhe na deklaroi se “nga respekti për neutralitetin helvetik, ai nuk do t’u përgjigjej pyetjeve me karakter politik”. Edhe pse ky kufizim e ngushton kuadrin e intervistës, na u duk interesante ta pyesnim mbretin e ri për edukimin e tij, studimet, aktivitetet dhe, natyrisht, dashuritë e tij…

POPULLI DO TË VENDOSË…

— Studimet i kam bërë fillimisht në Aleksandri, në Egjipt, vend ku familja ime jetoi për disa vite nën sundimin e mbretit Faruk. Pas Villars-sur-Ollon, kalova dy vite në Akademinë Ushtarake të Sandhurstit. Që atëherë, interesohem kryesisht për shkencat politike dhe historinë, dhe ndjek kurse në Sorbonë. Por çështjet shqiptare më zënë pothuajse gjithë kohën, dhe çdo ditë e më shumë…

— Po çështjet shqiptare?

— Unë merrem, së bashku me nënën time, me veprat e ndihmës në favor të refugjatëve të panumërt shqiptarë të shpërndarë në mbarë botën. Pa dyshim që nuk e dini se numri i këtyre refugjatëve është pothuajse i barabartë me popullsinë e vendit tim, rreth 1,5 milionë banorë. Çdo ditë, të arratisur të rinj kalojnë kufijtë e Greqisë dhe Jugosllavisë. Së fundi, 400 shqiptarë kanë arritur suksesin e jashtëzakonshëm të kalimit jashtë vendit…

— A jeni i informuar për situatën aktuale në Shqipëri?

— Kam informacione.

— Me vdekjen e babait tuaj, ju u bëtë automatikisht mbret. A e di populli juaj këtë?

Leka I buzëqesh dhe përgjigjet shumë diplomatikisht: “Ngjitja ime në fron u bë në përputhje me kushtetutën mbretërore shqiptare. Por ajo duhet të ratifikohet nga populli shqiptar. Kur situata të më lejojë të kthehem në vendin tim, do të organizohet një plebishit. Populli do të zgjedhë midis Monarkisë dhe Republikës…”

— Kush do ta organizojë këtë plebishit?

— S’ka rëndësi, në të vërtetë! Ai mund të organizohet nga parlamenti shqiptar ose nga Kombet e Bashkuara. E rëndësishme është që çdo qytetar të mund të shprehet lirshëm, pa asnjë lloj detyrimi. Për momentin, gjithçka që mund të bëj në favor të vendit tim, po e bëj…

— Le ta ndryshojmë temën, Madhëri. A jeni i fejuar?

— Jo nuk jam. Thashethemet publike më fejojnë shpesh me këtë apo atë princeshë. Së fundi, disa gazeta kanë folur për “fejesën” time me princeshën Ferial, vajzën e mbretit Faruk të Egjiptit…

— Dhe ç’mund të thoni për këtë?

— Nuk e kam parë më princeshën Ferial që nga mosha gjashtë vjeç!

Për momentin, Leka I, 23 vjeç, nuk duket të mendojë shumë për martesën. Ai e ndan kohën e tij midis studimeve — flet rrjedhshëm gjashtë gjuhë dhe njeh në mënyrë të admirueshme historinë e vendeve ballkanike — dhe veprimtarisë së tij në krye të një Shqipërie në mërgim, duke pritur që evolucioni i situatës së përgjithshme t’i mundësojë t’i afrohet një vendi për të cilin nuk injoron asgjë falë veprimtarive, studimeve dhe lidhjeve të tij, pavarësisht faktit që ka jetuar aty vetëm 48 orë.

G. GYGAX

Filed Under: Histori

Si u sakrifikuan viset shqiptare në tryezën diplomatike të Fuqive të Mëdha

November 21, 2025 by s p

Nga Evarist Beqiri/

“…der sa mos t’shkimin hana diellit

e e mramja cirkë m’oqean k’thellët mos t’shtrasë,

emini i atij burri që për Atme,

la agam n’fis të vet, a’j për her gjallon e Deka,

mi të pushtet nuk ka.” – Gjergj Fishta

Nëse një komb harron të shkuarën, ai shkatërron të ardhmen. Prandaj, vlen që të ndalemi pak tek momentet vendimtare që kanë ndikuar historinë tonë. Në janar 1914, Ismail Qemali do t’i deklaronte në Vlorë, një gazetari francez, me një dozë ironie: “Ndërsa Shqipëria po bën gjithçka për t’i shpëtuar zakoneve turke, Europa na trajton si nusen osmane, së cilës dhëndri i shfaqet vetëm ditën e dasmës.”

Pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane, Fuqitë e Mëdha të kohës, Austro-Hungaria, Gjermania, Italia, Rusia, Franca dhe Britania e Madhe, pavarësisht interesave të ndryshme, luajtën një rol vendimtar në formësimin e hartës së re të Ballkanit. Britania, veproi me kujdes duke ndjekur politikën e ekuilibrit për të mbrojtur pozitat e saj në Mesdhe. Nga ana tjetër, Gjermania, megjithëse e pa interesuar drejtpërdrejt për çështjen shqiptare, mbështeste politikën e Vjenës në Ballkan. Italia, e shtyrë nga ambiciet e saj kolonialiste për ekspansion në tokat shqiptare, sillej me luhatje. Ajo kishte pretendime herë për çështje prestigji e herë për interesa strategjike.

Ndërkohë, Fuqitë Ballkanike kishin aspirata të ndryshme, të cilat bashkoheshin në një pikë, copëtimi i Shqipërisë. Ëndrra e Serbisë ishte sigurimi i një dalje në detin Adriatik përmes territoreve shqiptare. Ndërsa, Mali i Zi dëshironte që të bënte të vetin qytetin strategjik të Shkodrës. Greqia, nga ana tjetër, dëshironte Shqipërinë e Jugut.

Dokumentet arkivore të kohës përshkruajnë jo vetëm pretendimet e tyre territoriale, por zbulojnë gjithashtu një mozaik kompleks negociatash, marrëveshjesh të fshehta dhe manovrash politike. Aty spikasin lojërat diplomatike që pasqyrojnë me saktësi atmosferën gjeopolitike të kohës. Kufijtë e sotëm, u vendosën bazuar kryesisht tek pazaret midis Austro-Hungarisë e Rusisë.

Rusia cariste, si mbrojtëse tradicionale e sllavëve të jugut dhe e ortodoksisë, e shihte shpërbërjen e Perandorisë Osmane, si një mundësi të artë për të zgjeruar ndikimin e saj nëpërmjet aleatëve sllavë, Serbisë dhe Malit të Zi. Ajo kundërshtonte çdo projekt që pengonte daljen e Serbisë në Adriatik, përfshirë krijimin e një Shqipërie të pavarur në kufijtë e saj natyralë. Në thelb, Rusia nuk ishte kundër ekzistencës së një entiteti shqiptar, por e donte atë të kufizuar dhe të dobët, sa për të mos penguar ambiciet e aleatëve të saj.

Franca, nga ana tjetër, lëvizi në sinkron me Rusinë, pasi të dyja ishin pjesë e Antantës. Interesat e saj në Ballkan nuk ishin aq të drejtpërdrejta sa të Londrës apo Vjenës, por më tepër të lidhura me aleancat evropiane. Për këtë arsye, Parisi ndoqi një qëndrim diplomatik të kujdesshëm, shpeshherë duke mbështetur kërkesat serbe e greke në tavolinën e bisedimeve, me qëllim ruajtjen e ekuilibrit brenda Antantës.

Në këtë panoramë, krijimi i shtetit shqiptar nuk ishte rezultat i një përpjekjeje të përbashkët të Fuqive të Mëdha, por i një kompromisi të ftohtë austro-rus, një lloj “marrëveshjeje sui generis”, ku secila palë pranoi ekzistencën e Shqipërisë vetëm për të mos lejuar tjetrën të zgjerohej më tej. Kështu, lindi Shqipëria. Ajo nuk ishte produkt i një vullneti të madh politik ndërkombëtar, por fryt i një ekuilibri të frikës, në një Ballkan që përjetonte përplasjen midisd pan-gjermanizmit dhe pan-sllavizmit.

Britania e Madhe, ndryshe nga Austro-Hungaria, Rusia apo Italia, nuk kishte synime territoriale në Ballkan. Interesat e saj ishin kryesisht gjeostrategjike dhe detare. Ajo donte që të ruante kontrollin mbi rrugët e komunikimit detar drejt Kanalit të Suezit. Të parandalonte shtrirjen e ndikimit rus në Mesdhe, dhe të mbante ekuilibrin midis Fuqive të Mëdha për të shmangur një dominim të vetëm në rajon.

Në këtë kuadër, Londra e shihte Ballkanin si zonë tampon, ku çdo lëvizje e tepruar e Vjenës apo e Shën Petersburgut duhej balancuar. Ajo ishte e interesuar që as Austro-Hungaria, as Rusia të mos siguronin dalje të qëndrueshme në Mesdhe. Kjo e çoi diplomacinë britanike drejt një politike të ekuilibrit të kujdesshëm, duke mbështetur zgjidhje kompromisi dhe shpesh duke ndërmjetësuar për të mos lejuar asnjë Fuqi që të bëhej dominuese. Në rastin e Shqipërisë, kjo u përkthye në pranimin e një shteti të pavarur, neutral dhe të dobët, që do të shërbente si pengesë natyrore ndaj ambicieve ruse dhe sllave drejt Adriatikut.

Për ta përmbledhur, ndryshe nga Britania, Austro-Hungaria kërkonte dalje në det dhe kontroll mbi rrugët tregtare të Ballkanit perëndimor. Rusia kërkonte dalje në ujërat e ngrohta dhe mbrojtjen e sllavëve ortodoksë. Italia kërkonte pozita të përhershme në Adriatik dhe në brigjet shqiptare. Gjermania e shihte rajonin si fushë ndikimi të aleates së saj Vjenës. Ndërsa Franca ndiqte më shumë linjën e Rusisë për të ruajtur unitetin e Antantës. Në këtë mozaik interesash, Britania e Madhe luajti rolin e arbitrit, duke mos kërkuar fitore të dukshme, por duke ndërtuar ekuilibra që garantonin interesat e saj globale.

Megjithatë, do të gaboheshim rëndë nëse do të anashkalonim forcën e brendshme të lëvizjes kombëtare shqiptare, duke mëshuar vetëm në ndikimin e forcave të jashtme. Njësoj, siç do të gabonim rëndë po ta vlerësonim një ajsberg vetëm nga pjesa e tij e dukshme. Në atë periudhë, pikëpamja mbizotëruese ndër kancelaritë evropiane të kohës ishte ajo e “shpërblimit me territore”.

Është e qartë se në përplasjet diplomatike të kohës nuk kishte pozicione të pandryshueshme. Gjithçka mund të negociohej dhe çdo interes mund të sakrifikohej në emër të një kompromisi të përkohshëm. Dokumentet arkivore dëshmojnë se, kjo u bë veçanërisht evidente gjatë diskutimeve për të ardhmen e Shkodrës. Austro-Hungaria, ndonëse mbështetëse e pozicionet shqiptare, tregoi gatishmëri për ta lëshuar qytetin në favor të Malit të Zi, nëse do të sigurohej kontrolli mbi qafat dhe grykat strategjike të Llofçenit pranë Kotorit, ku ndodhej edhe flota e saj ushtarake. Në fund, Konferenca e Ambasadorëve në Londër sakrifikoi Gjakovën, për të mbajtur Shkodrën. Të njëjtën skemë pazari gjejmë edhe për qytetin tjetër shqiptar me rëndësi strategjike kyçe në Mesdhe, Vlorën, së cilës i ishin afruar trupat greke. Për Vlorën, kishin interes si Italia, ashtu edhe Austro-Hungaria.

Merita e jashtëzakonshme diplomatike e Ismail Qemal Vlorës, ishte aftësia për ta shndërruar çështjen shqiptare nga një kauzë periferike e diplomacisë europiane, në një kauzë qendrore nga e cila varej e ardhmja e vetë Europës. Nëpërmjet, komunikimit publik dhe lobimit në qendrat kryesore të diplomacisë europiane, ai arriti të ndërgjegjësonte politikën dhe opinionin publik europian, në favor të kauzës shqiptare.

Veprimtaria e tij patriotike u intensifikua veçanërisht në dekadën e fundit para pavarësisë. Në vitet 1900-1912, ai jetoi në Bruksel dhe veproi në qendrat e politikës europiane. Ismail Qemali punoi me qëndrueshmëri për ndërgjegjësimin e opinionit publik europian për kauzën shqiptare. Njëkohësisht, duke i sensibilizuar si për rrezikun e pan-sllavizimit, ashtu edhe atë të pan-gjermanizmit.

Një dëshmi e këtij fakti është intervista e Ismail Qemalit për gazetarin e shquar italian Vittorio Vettori, “Il Giornale d’Italia”, më 16 gusht 1903. Gazetari e përshkruan Ismail Qemalin si një patriot shqiptarë prej lindjes dhe prej shpirtit. Ismail Qemali flet aty për rëndësinë e njohjes së kombit shqiptar, dhe bashkimin e katër vilajeteve shqiptare në një vilajet të vetëm autonom. Ai thekson rëndësinë e ndërtimit të një Shqipërie të fortë. Kjo do të shmangte ndërhyrjen europiane në Ballkan dhe do të ndikonte në ruajtjen e stabilitetit të vetë Europës.

Ismail Qemal Vlora manovroi me kujdes në një situatë jashtëzakonisht të ndërlikuar dhe me rreziqe të shumanshme. Ai punoi për të shpëtuar çfarë ishte ende e mundur nga trojet shqiptare. Pavarësia e Shqipërisë, më 28 nëntor 1912, e futi çështjen shqiptare në logjikën e shtetformimit modern.

Ndërkohë, Ismail Qemali shikohej si nga Austro-Hungaria, po edhe nga Fuqitë e tjera, si një diplomat i matur e me përvojë të gjatë, por njëherësh i rrezikshëm. Ai ishte një njeri e pavarur. Austro-hungarezet ishin të bindur se ai nuk do të ndiqte verbërisht direktivat e Vjenës apo kujtdo tjetër.

Austro-Hungaria mbështeste krijimin e Shqipërisë, si pjesë e strategjisë së saj për të penguar daljen e Serbisë në Adriatik dhe për të ruajtur ekuilibrin e forcave në Ballkan. Mbështetja, ndonëse e kushtëzuar dhe jo pa llogaritje gjeopolitike, ishte një faktor me rëndësi në formësimin e rrethanave që bënë të mundur shpalljen e Pavarësisë.

Nga ana tjetër, realiteti pas shpalljes së pavarësisë ishte i ngarkuar me sfida të jashtme dhe përçarje të brendshme. Një dokument i konsullit austro-hungarez në Durrës, dërguar Vjenës, më 26 korrik 1913, shkruan ndër të tjera se, Partia Esadiste është një parti antiqeveritare. Por, duhet theksuar se, në atë moment kyç të historisë së Shqipërisë, kur nevojitej më tepër se kurrë bashkimi, Partia Esadiste nuk ishte thjesht dhe vetëm një parti antiqeveritare. Ajo mbante gjallë frymën antikombëtare.

Fryma antikombëtare e Partisë Esadiste, lindi së bashku me shtetin e ri shqiptar. Kjo e keqe e madhe, vazhdon që të mbahet gjallë edhe sot prej atyre që vendosin interesin personal dhe partiak, para interesit kombëtar. Prej atyre që vendosin partinë, para Shqipërisë. Kultura jonë e mbrapshtë politike, e ngatërron shpesh kufirin midis debatit normal politik dhe shenjtërisë së interesit kombëtar. Ferrat e vatanit e ngatërrojnë misionin me interesin.

Qemal Karaosmani rrëfen se Ismail Qemali e thirri në Vlorë dhe e bëri ministër të Brendshëm Esat Toptanin, për hir të bashkimit kombëtar: “Esat Toptanit në Vlorë nuk ju duk ndonjë shenjë kundërshtimi me Ismail benë, një ditë i lypën leje lsmail Beut, që të vendte në Tiranë se kishte punë private dhe të bante the inspektim ndër ato krahina. Kështu iku në Tiranë e nuk u kthye ma në Vlorë. Në fund shpalli edhe Vetqeverim të Shqipnisë së Mesme me një kabinet nën kryesinë e tij, domethanë, mendimi i intelektualëve u realizua. Atëherë kishte fjalosë me disa që ishin kundërshtarët e Ismail Qemal beut i pata thanë se ç’bani kështu; pritni sa të rregullohet puna e të vinjë Mbreti i Shqiprisë, se Kabineti që asht sot, do api dorëheqjen dhe Mbreti do vejë një Kabinet që t’i pëlqejë, se asht turp e mëkat që, në vendin e Ismail beat të favorizoni Esat Pashën që nuk ka ndonjë farë kulture. Ata më thanë e Ismail beut s’kemi se çfarë t’i bajmë veçse të ketë një njeri të fuqishëm kundrejt Esat Pashës, që ta rrëzojmë nga fuqija. Me gjithë qi në çastin që duem e rrëzojmë. Ne e kuptuem, të ngratët, jo që s’e rrëzuen nga fuqija, pse ai i ngordhi me dru edhe i tuti nër thasët e i hodhi nër gorgat, Ja, pra dëshira e intelektualëve, që prodhojnë të kundërtën.

Si shpalli vetqeverrimin e Shqipërisë së Mesme, Esat Pasha, e vojta një ditë që të firmojë ça akte ke Ismail beu. Tue lexue aktet, ngriti kokën e më tha: “E Qemal bei! E more vesht se Esat Pasha shpalli Vetqeverimin e Shqipërisë së Mesme?” “Po”, iu përgjigja. “A e mban mend kur më ke thanë nënpunsat që po emnon pa diplomë universiteti, të cilët konsiderohen prej kundërshtarvet si të pa zotë, se po bainë një përshtypje të keqe në popull e nër të huejët? Nashti erdhi koha që të t’ap përgjigjen; Nënpunsat që kam emnue simbas kohës e nevojës i di të aftë e të zotë. Kjo nuk bie ndonjë dam në fushën t’onë politike, por edhe sikur të jetë e vërtetë vetën ke kundërshtarët mund të bajë përshtypje; por tronditja ma e madhe e jetës sonë politike, kundrejt opinionit publik të botës mbarë, asht krijimi shpallja e Vetqeverimit të Shqipnisë së Mesme me një Kabinet tjatër prej kundërshtarvet. Kio i bije dam Shtetit, sepse bota e di që shqiptarët ja të bashkuem dhe, të gjithë, pa dallim feje përpiqen për të mirën e Atdheut të vet. Kurse krijimi i një Shqipnie të Mesme i ep të kuptojë gjithë botës së jashtme se shqiptarët nuk qënkan të bashkuem, se paskan tri Shqipni, e tri Qeveri, pse kur krijohet Shqipëria e Mesme, vetvetiu diktohet se janë tri Shqipni; e Mesmja, e Poshtmja dhe Sipërmja; domethanë se Vlora, Durrësi, Shkodra kanë nga një qeveri më vete. Nashti po të pyes ty: kush asht ma e damshme në jetën tonë politike; krijimi i tri Shqipnivet apo nënpunsate mi pa diplomë?””

Ju përgjigja: “Keni të drejtë sa malet Shkëlqesi, se krijimi Shqipërisë së Mesme na i qiti leckat në shesh mirë neve, mbrënda për mbrënda, po i dhamë shkak të kuptojë dhe bota e jashtme qi neve jo vetëm nuk jemi të bashkuem por jemi dhe ambiciozë”. Qemal Karaosmai vijon më tej: “Mbasi u shpall Qeveria Esadiste, shumë njerëz u larguan e vojtën në Durrës, si z. Hasan Prishtina dhe të tjerë…”

Akoma më tej Qemal Karasosmani tregon se: “Puna e kundërshtimi t’Esat Pashës po vazhdonte në buzën e Shkumbinit. Na lajmërojnë se ka ardhë një fuqi prej Esad Pashës e ka qëllim që të sulmojë Lushnjën. Kundra kësaj fuqije u dërgue i ndjeri Hysni Toska në buzën e Shkumbini në katundet e Çermavet që të ruante të mos hidheshin për këndej; në Qarkun e Lushnjës. Kjo situatë vazhdoi disa ditë dhe çast mbas çasti pritesh përleshja në mes dy fuqivet.

Ismail beu, duke parë gjëndjen shumë të keqe, një natë mblodh Këshillin Ministruer e na tha, që situata asht shumë e keqe dhe mund të pëllcasi dhe një vllavrasje e të derdhet gjak. Po dëshëruet dhe ju, meqënëse edhe Princ Vedi u caktue si Mbret në Shqipni, deri sa të vinjë ay jam i mendimit që fuqinë shtetnore të Shqipërisë t’ia lamë në dorë kontroollorvet me konditë që të garantohen se edhe Esat Pasha t’api dorëheqjen e kështu kur të vinjë Mbreti të gjejë një Shqipni të bashkueme e në këtë mënyrë të pritet hovi gjaderdhjes në mes të shqiptarvet. Kur ne që të gjithë ishim gati, erdhën kontrollorët dhe Ismail beu proponoi mendimin e Këshillit. Ata thanë se, pa mos pyetë Mbretninë tonë nuk mundemi t’apim pëlqim ose garanci për dorëheqjen e Esat Pashës. Si të marrim përgjigje do ua komunikojmë vendimin a jo a po. Mbas disa ditëve erdhën kontrollorët e na komunikuan se e pranojnë proponimin e Ismail beut dhe garantohen që do ta detyrojmë doemos Qeverinë e Esat Pashë që t’api dorëheqjen. Me këto garantina të përfaqsuesve të gjashtë Mbretnivet të Mëdha t’Europës u dha dorëheqja e Qeverisë së Përkohshme të Vlorës…’’

Ky fragment i dokumentuar tregon jo vetëm përçarjen e elitës kombëtare, por edhe sesi projektet politike për shtetin shqiptar zhvilloheshin paralelisht me lojërat ndërkombëtare të Fuqive të kohës. Pavarësia e shpallur nuk përkonte ende me ndërtimin e një shteti të bashkuar. Shumë territore me popullsi shqiptare, përfshirë Kosovën dhe Çamërinë, u sakrifikuan për të qetësuar ambiciet e fqinjëve dhe për të ruajtur ekuilibrat mes fuqive rajonale dhe globale.

Ky realitet historik mbetet një dëshmi e hidhur për mënyrën se si fati i popujve të vegjël është vendosur shpesh jo në bazë të të drejtave legjitime, por në bazë të interesave strategjike të të mëdhenjve. Dhe megjithëse shpallja e pavarësisë në Vlorë ishte një akt i guximshëm dhe vendimtar, trashëgimia e ndarjes së territoreve shqiptare në tryezat diplomatike të Evropës vijon të lërë gjurmë në realitetin politik të rajonit sot e gjithë ditën.

Paqja është e qëndrueshme, kur i forti është i drejtë. Ashtu si në fillim të shekullit XX, kur ekuilibri midis pan-gjermanizmit dhe pan-sllavizmit solli lindjen e shtetit shqiptar, edhe sot Britania e Madhe po kërkon që të rikthehet në Ballkanin Perëndimor, për të rivendosur balancën mes fuqive të reja. Historia duket se po përsëritet sërish.

Në kontekstin bashkëkohor, kombet e vogla sërish përballen me sfida të mëdha. Nga influencat e jashtme, deri te presionet për të sakrifikuar sovranitet për “stabilitet”, mësimet e historisë së fillim shekullit XX, janë më aktuale se kurrë. Në një botë që vazhdon të jetë e ndarë mes interesave dhe realpolitikës, Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët anembanë, duhet që të mos harrojnë se pavarësia është përgjegjësi. Pavarësia është një proces i vazhdueshëm që kërkon vigjilencë, përfaqësim të dinjitetshëm dhe mbrojtje të pandërprerë të interesit kombëtar.

Intervista e Ismail Qemalit për gazetarin e njohur italian Vittorio Vettori, “Il Giornale d’Italia”, më 16 gusht 1903, me titull “Çështja e Lindjes dhe Italia”.

Filed Under: Histori

Pesëqind vjet gati po mbushen…

November 20, 2025 by s p

Risto Siliqi/

Pesëqind vjet gati po mbushen qysh se rraca e Azisë u rrajue(zuri rrënjë) në tonën Shqypëni, sikurse insektet me thimthin të helmuem kur rrajohen e shumohen ndër vneshta e helmatisin frytin e saj! Pesëqind vjet gati po mbushen qysh se shqyptari përkulet e vajton në robëni, vigmon e varet për ndihmë e për shëlbesë, se ndihma prej kërkahit(prej askujt) s’i dëftehet! Pesëqind vjet gati po mbushen, qysh se qëllimposhtra egërsinë rrenon e shkretnon gjith se ç’ka ndër thonjë t’i vijnë, helmon thelbet e shëndoshta e të smundtat(të sëmura) i ndihmon të shumëhen sa e pruni Shqypëninë ndër gjasë prej gjithkujt me lot të kjahet!(të qahet) Pesëqind vjet po mbushen, qysh se dielli i Shqypënisë prendoi(perëndoi) e u rrokullis për mbas të neltës(të lartës) bjeshkës Velë; u shkri nata, errësina e trashë e mnerme, nëpër të cilën kryqëzojnë egërsinat e gjith se ça t’i bijnë ndër shapa e ndër turij, e coptojnë, e shretnojnë pa mëshirë! Por shqyptari fatos ndenji i zgjuem në roje të vdekun, e mbrojti ma të shejtnueshmet(më të shenjtat) amanetet e veta, gjuhën, besën e mirpritjen, me të cilat dhe si rob i hueji, mujti gjith-herë e gjithkund me u madhështue me të ndershmin emën “shqyptar!”.

Kështu në errësinë, në rrjedhë të pesëqint vjetve, lule Shqypënija, për ditë e ma fort qi u shkretonte e u vorfnonte, edhe nuk i zhyti në thelli të oqeanit të harrimit, se ma të fortë zinxhira e mbajtën të birtë(të bijtë) e saj tuj ruejtun të shejtërueshmet amanetet, gjuhën, besën e mirpritjen, për të cilat shum herë u banë therorë!

Mbretët e Turqisë tuj u frigosun(duke u frikësuar) se, kurdoherë e në çdo kohë, të birtë e Shqypënisë, të madhështuem me kunora të heroizmit të gjyshave të vet, të fjeshtëmbajtësit e amaneteve të shejtërueshme, do të shkunden mbas thirrjes së hijeve të të parëve e do të ngrehin Atmen(të ardhmen) e vet prej robniet me lirue. Nuk i mastonte mendimi në ç’mënyrë ta hupin(ta mbizotërojnë) kët komb, kështu filluen me gënjeshtra t’i ndillin ata shqyptarë, të cilët e kishin ndër fise të veta randsinë ma të madhe, i largojshin prej trollit të vetë, i qëndrojshin në mjes(në mes) të turqizmit tuj i rritun me ka një rybe(gradë) të naltë. Kështu ky i mjeri shqypëtar qëndronte në mërgim me vjetë e fisi i tij i gënjyem u madhështonte me rybe(gradë) të naltëntë tijën kur, por sa disa vjetë kalojshin, halldupat rybe-naltin shqypëtar e helmojshin e dërgojshin allahut në drejtim?! Fisin e tij e lajmoshin, bashkë me ta tuj damun(duke ndarë) dhimben(dhimbjen), se asht vdekun prej smundjet e tuj dërguemun dhe sa të holla, mbrrijshin të qasin(vinin të merrnin) përsëri therore ndër thonj të vet!

Kjo gënjeshtër rrjedhi kohë të gjatë! Shqypëtarët filluen t’i kujtohen dhelpënisë së halldupëve dhe nisën të zgjohen e të shkunden për në mbrojtje, por zinxhiri i randë në qafë i prite hovin e nuk mujshin të nxitojnë me forcë, si me zemër. Kur ndër kohë të mbrame zhonërat(megallomanët, mendjemëdhenjtë) qi qëndruenë të zotët e situatës në Turqi e mbasi qi dolën para botës si bartësit e “Bashkim Përparimit”, prep(prapë) shqypëtarët u gënjyen e sa pak e këthillne ballin e rrudhun me shpnesë se në liri të përgjithshme do mundet ankimet e nevojat t’i paraqesin botës e do mund t’i shërojnë krahët e varruem(e plagosur), atëherë guxueshëm të fluturojnë, në naltësinë e lirisë!

Ironi? Zhonërat(megallomanët), të cilët u dëftuene si bartësit e “Bashkim Përparimit” para syve të botës, porsa nisën të çfaqojnë(të shpalosin) pikat e programit të tyne eksperimental, me nji herë u vu oroe(u vu re) vekshi(ena) i tyne ç’gjellë ziente, nisën të dëftehen të poshtër, sa kurrnji qeveri në rrjedhë, qysh se mbretnija turke shtyni kufitë në Evropë. Këqyrën e prigjuene(përgjuan) në kohë të parashkueme, të shofin me ç’mënyrë mujti kaq kohë të gjatë të jesin emni shqyptar mbi faqe të dheut?! E gjith tuj e pasun jetimin në errësinë, për pa e pamun nji ditë dritë?! Këqyrën dhe e oroen(vunë re) se emni shqypëtar ka qëndrue mbi faqe të dheut me qëndresë të amaneteve, gjuhës, besës e mirpritjes!

Zhonërat(megallomanët), të poshtër idealistë, mbas kësaj oroe(mbasi vunë re), morën përpjekje(u përpoqën) si mund t’i shkoqin shqypëtarët prej këtyne amaneteve, por kur oroen(vunë re) se me tradhtina idenë e s’po mund e kryejnë, u përpoqën me masa të prehta, nisën të forcojnë, me topa, me pushkë e me hunj të zjarrtë!

Kjo poshtërsi, ky barbarizëm i zhonërve, të ndyrës qeverisë qendrore, i preku shpirtin shqyptar, i tundi e i organizoi në qëllimin e shenjtë “Liri a Vdekje” e, ndonse ndodhen të likshtë(me mungesa) me forcë materiale, me forcë të zemrës nxituene në mprojtje të Atmes(së ardhmes) së vet e, kështu, ndër vjete 1908, 1909, 1910 e 1911 u la me gjak, sheshi e shkambi i fiseve të gegënisë!

Për rrjedhën e të shenjueme të katër vjetëve të përgjakshme, me sa më mastoi(drejtoj) mendja, në kët libër e pasqyrova, e rrjedhën në të ardhshme, e cila pa dyshim me gjak do të vaditet, do të përpiqemi, ta pasqyroj në Librin e Dytë, të cilin kam shpnesë(shpresë) të fortë, do ta botoj nëpër “Shqypëni të Lirueme!”

-Pasthënia e librit “Pasqyra e ditëve të përgjakshme”, Trieste, korrik 1912. Në këtë botim rrëfehen kryengritjet e mëdha shqiptare në Malësi të Madhe dhe në Kosovë, që çuan në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë pas pesë shekuj robërie otomane.Vetë Risto Siliqi mori pjesë me armë në dorë në Kryengritjen e Kosovës dhe Malësisë së Madhe, duke qenë anëtar i Komitetit Shqiptar për drejtimin e kryengritjes.

Dërgoi për botim: Laura Konda

Foto: wikidata.org

Filed Under: Histori

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 12
  • 13
  • 14
  • 15
  • 16
  • …
  • 702
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
  • Ballafaqimi me të kaluarën, detyrë morale dhe parakusht për drejtësi, paqe dhe stabilitet afatgjatë
  • Ditët e fundit të kompozitorit të Himnit të Shqipërisë…
  • Butrinti dhe vija kushtetuese që Shqipëria nuk duhet ta kalojë
  • Universiteti i Tetovës lindi si “dielli pas errësirës”
  • MIRO TËRBAÇJA, SHQIPONJË E HISTORISË
  • Hirësia e Tij Nikodhimi, Peshkopi i Bostonit dhe Kryepeshkopatës Ortodokse Shqiptare në Amerikë kreu vizitë 10-ditore në Shqipëri
  • Shqipëria dhe Kosova në Bordin e Paqes: Nga historia e plagëve drejt arkitekturës së paqes globale
  • PAQE PËRMES FORCËS, DREJTËSI QË GARANTON STABILITET, JO PASIGURI
  • Kosova pays the price as its liberation leaders are persecuted, not prosecuted
  • Çfarë sjell shkretimi shpirtëror në një tjetër shekull zhgënjyes përmes antologjisë së nobelistit Eugenio Montale
  • FAN (1971) / “TË PISH E TË HASH NË SHQIPËRI” — REPORTAZHI EKSKLUZIV BOTËROR I TELEVIZIONIT ZVICERAN
  • Folklori çam, i gjallë edhe në botën moderne!
  • Milan Shuflaj, e vërteta historike dhe martirizimi i lirisë akademike në Evropë
  • Kontributi i Prof. Emeritus Injac Parrinos në shkencat albanologjike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT