• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“DARSIA”, VENDBANIM I FISIT ILIR TË DAORSËVE

July 27, 2019 by dgreca

Harun Greca 1942-2016/

“DARSIA”, VENDBANIM I FISIT ILIR TË DAORSËVE, GJURMË JETE 3200-1500 VJET PARA KRISHTIT/

– Në gjurmë të historisë s ë  Darsisë  së  Lushnjës dhe Peqinit nga Lashtësia deri më 1944 përmes shfletimit të librit”DARSIA” shkruar nga studiuesi Harun Greca. Shfletimi bëhet si homazh për Mësuesin tim, kolegun, kushëririn si dhe në respekt e nderim të  Darsisë nga vij.

– Në këtë libër enciklopedi autori përpiqet që të sjellë në vëmendje historinë e Darsisë së harruar, duke u mbështetur në qindra dokumente arkivore, në të dhënat arkologjike, etnografike, gjuhësore si dhe në Toponiminë, udhëtimin nëpër shekuj të banorëve të saj, por edhe betejat që janë zhvilluar në Darsi, përfshi edhe marshimin e ushtrisë së Jul Ç ezarit gjatë përballjes me Pompeun në betejën për Durrësin; merret me bëmat nëpër shekuj të darsianëve, mënyrën e  jetesës së tyre, zakonet dhe traditat,pushtimin osman, Islamizimin dhe Gjurmët e Krishtërimit, arsimimin, qëndrën dhe pjesmarrjen në luftra, bujqësinë dhe blegtorinë etj.

– Në faqet e këtij libri përshkruhen për të parën herë me detaje dy tragjedi të përgjakura; ajo e marsit të vitit 1913, kur serbët therën 27 burra dhe lanë pas toponimin “Ke t’thermit” si dhe ajo e 24 tetorit 1943 , kur Mehmet Shehu në krye të Brigadës së Parë dhe në prani të Dushan Mugoshës pushkatoi 72 burra të pafajshëm duke lënë pas toponimin”Ke t’vramit”.

                                     ***

Harun Greca, djali i xhaxhit tim, i bir i Tahirit dhe Behijes, u lind më 1942 në Gjuzaj, komuna Ballagat, Lushnje. I arsimuar me vështirësi për shkak të izolimit të zonës, ai arriti të kryente studimet në shkollën e mesme në Tiranë, dhe ta plotësonte me korrespondencë arsimimin e lartë falë vullnetit dhe pasionit për studime. Universitetin e Tiranës e përfundoi me korrespondencë në Fakultetin e Filologjisë, në degën Gjuhë dhe Letërsi. E kam pasë mësuesin tim të parë që në fillesat e arsimit fillor, ndërsa më pas edhe koleg e këshillues. Haruni shquhej në fushën e studimeve dhe ka një kontribut të jashtzakonshëm në historikun e arsimit të Lushnjës, por në mënyrë të veçantë në Darësi. Edhe si mësues, edhe si drejtor shkolle, ai meritoi respektin dhe mirënjohjen e nxënësëve, prindërve dhe mësuesëve. Janë me dhjetëra breza nxënësish që kanë marrë mësime prej tij.

Haruni ndërroi jetë me 28 Qershor 2016 në Tiranë. Shkolla 9 vjeçare e Gjuzajt, ku ai dha më shumë se tri dekada kontribut, sot mbanë emrin e tij: Shkolla 9 vjeçare”Harun Greca” Gjuzaj. Haruni së bashku me bashkshorten e tij, Liri(ndjesë pastë), rritën dhe edukuan 3 fëmijë shembullorë, Leonorën, mësuese për shkollat e Mesme, Alabanin- mjek reanimator në Tiranë, Silvanën -Pedagoge në Universitetin Shtetëror.

Krahas kontributin si mësues, drejtues shkolle, Haruni la pas artikuj të shumtë studimorë në organet e shtypit pedagogjik, por dhe librat e botuara:

1-Darësia

 2- Mësonjëtoret e Draësisë

3- Gjuha Shqipe 9-, tekst mësimor për klasën e nëntë të shkollës 9 vjeçare dhe

4- “Gjuha Shqipe 9”, Libër ndihmës për mësuesit (bashkautor).

I ndjeri studues, një ndër kontributorët më të spikatur të arsimit në Darësinë e Lushnjës, dhe jo vetëm, na ka lënë pas si një vlerë e veçantë, një libër historik me vlera jo vetëm për darsianët, por edhe çdo lexues e në mënyrë të veçantë për studiuesit, librin”DARSIA”.

  Në një farë mënyre historia e krahinës rebele kishte mbetur ilegale në kohën e diktaturës edhe për shkak të dominionit nacionalist gjatë viteve të Luftës së Dytë botërore, por dhe të gjurmëve biografike që ajo la pas. Për rrjedhojë të ngjarjeve krahina mbeti pa infrastrukturë, pa investime, pa ujë të pijshëm, pa rrugë automoblistike. Bijtë e kësaj zone deri vonë nuk ksihin shkollë të mesme, dhe izolimi i privonte për të zbritur në qytetin e Lushnjës për të vijuar arsimin e  mesëm. Darsia u ndëshkua edhe për shkak të  biografisë së saj antikomuniste. Por autori , kur e shkroi librin, nuk i vuri si qëllim vetes të merrej me biografinë e krahinës dhe me 45 vitet e lëngimit të saj; ai përpiqet që të sjellë në vëmendje historinë e Darsisë së harruar, Toponiminë, udhëtimin nëpër shekuj të banorëve të saj, por edhe betejat, përfshi edhe ushtrinë e Julçezarit gjatë përballjes me Pompeun në betejën për Durrësin; merret me bëmat nëpër shekuj të darsianëve, mënyrën e  jetesës së tyre, zakonet dhe traditat,pushtimin osman, Islamizimin dhe Gjurmët e Krishtërimit etj, arsimimi, qëndresa dhe pjesmarrja në luftra, bujqësina dhe blegtoria etj…. Në faqet e këtij libri përshkruhen për të parën herë me detaje dy tragjedi të përgjakura; ajo e marsit të vitit 1913, kur serbët therën 27 burra dhe lanë pas toponimin “Ke t’thermit” si dhe ajo e 24 tetorit 1943 , kur Mehmet Shehu në krye të Brigadës së Parë dhe në prani të Dushan Mugoshës pushkatoi 72 burra të pafajshëm duke lënë pas toponimin”Ke t’vramit”.

KU NDODHET DARËSIA?

Para se të japim burimin e emërtesës së krahinës le të prezantojmë vendodhjen e Darsisë sipas librit “DARSIA” botim i vitit 2010 nga Shtëpia Botuse”Globus R”, libër me 310 faqe i ilustruar me fotografi, harta, gjetje arkologjike të lashtësisë, vizatime, dhe burime të shumta bibliografike e arkivore.

DARSIA, shkruan autori, e ndodhur në zemër të Shqipërisë, ngritur mbi gjunjë mes dy fushave; të Myzeqesë dhe asaj të Peqinit, e banuar 3200-1500 vjet para Krishtit, e gjelbëruar përjetësisht prej ullinjëve shekullorë, e përshkuar kryq e tërthorë nga rruga më moderne e kohës, EGNATIA, me banorët e saj punëtorë, krijues e të talentuar, me ekonomi e kulturë të zhvilluar, ka qenë zonjë mbi zonjat.

Gjeografikisht, Darsia është vazhdim i zonës kodrinore të Dumresë, ka të njëjtin reliev, klimë e bimësi, por përbën njësi të veçanta sa i takon të dhënave në fushën e shkencës së etnografisë(në tradita, në mënyrën e jetesës, në kulturën materiale, artistike, shoqërore e shpirtërore). Në Veri kufizohet me Peqinin e Rrogozhinën në Shkumbin, në lindje me Dumrenë në Trash, Pekisht, Rrasë, Çerragë, Kosovë e Vogël e Stan Karbunarë. Jë Jugë dhe në perëndim me fushën e Myzeqesë në autostradën Lushnje-Rrogozhinë deri tek ura mbi Shkumbin. Përfshihet në rrethin e Lushnjës dhe të Peqinit dhe përbëhet nga dy pjesë: Darsia e Lushnjës dhe Darsia e Peqinit. Ajo ka pamjen e shumkëndshit të çrregullt, shtrirë e mbështetur në Myzeqe dhe Dumre dhe laget e freskohet në ujrat e rrjedhshëm të Shkumbinit.

Relievi përgjithësisht është kodrinor. Ka vetëm pak fushë në të majtë të rrjedhës së Shkumbinit dhe disa lugina në brendësi të saj. Majat më të larta të kodrave janë: Karthneku 325 m mbi nivelin e  detit, Mollasi 299 m, Shkujka në Shegas 282 m, Mollagjeçi në Ballagat 275 m, Sopi i Bardhokut në Kurtinë 239 m, dhe Balaj 230 m. Dikur të veshura me drurë e shkurre, plot bukuri e hijeshi, por sot përcëlluar, djegur e zhveshur. Sëpata dhe zjarri i shfarosën. Vetëm në faqet, poshtë tyre, riten shkurre të llojeve të ndryshme.

Në dy anët e krahinës, lindje dhe perëndim, duke filluar nga lartësitë e kodrave, rrjedhin përrenj të shumtë, të gjatë e të shkurtër, të cilët në të kaluarën shkonin ujëplot, dimër e verë.Të tillë numërohen: Lunja në Karbunarë, përrenjtë ën Shezë e Vashaj, në Manasufaj e jazxhijas, në Shegas e Dushk, në Gramsh e Zhamë, në Kasharaj e Garunjas, Përroi i Lushnjës dhe lskarica në Gjuzaj etj.

E gjitëh krahina, nga lashtësia deri ën ditët tona, ka qenë e banuar në vazhdimësi prej banorëve autoktonë. Gjatë rrugëtimit të shekujve kanë ndodhur largime dhe ribanime të herëpashershme, që dokumentohen prej gjetjeve e mbeturinave të shumta arkologjike, nga dëshmitë e ndryshme dhe dokumente shkresore.

VENDBANIMET E DARSISE

Vendbanimet janë fshatrat: Allprenaj, Balaj, Ballagat, Biçakaj, Çelhakaj, Dushk, Garunjas, Golem, Gramsh, Gjocaj, Gjuzaj, Gjyshaj, Hasmashaj, Hajdaraj, Hysgjokaj, Jazxhias, Karthnekë, Kasharaj, Kurtaj, Kurtinë, Kupas, Karbunarë, Lekaj, Manasufaj, Murriz, Mollas(Murtajas), Rrumbullakë, Sallbegaj, Skilaj, Shezë, Shegas, Thanasaj, Vashaj, Xibrakë, Zgjanë, Zhamë dhe lushnja qytet(dikur fshat).

Qendrat kryesore janë: Sheza, Htsgjokaj, Ballagati, Karbunara, Gjocaj, Golemi e Dushku. Njësitë administrative nga të cilat varen historikisht janë Lushnaj e Peqini.

  Veprimtaria kryesore e banorëve ka qenë bujqësia dhe blegtoria. Kultivohej më shumë, më lashtësi e mesjetë, gruri e vreshtaria, pas tyre, në shekullin e XVIII, misri. Përhapje të gjerë ka pasur rritja e deleve, dhive e kuajve. Sipërfaqja e zonës mbulohej kryesisht me drurë lisi, shkoze dhe blini, që manin një faunë të pasur me shpezë e kafshë ët egra të llojeve të ndryshme. Në pyje, korie e lëndina jetonin në koloni shpendët si:qukapiku, çota, fuga, shkurtëza, turtulli, dudia, pëllumbi i egër, gjeli i egër, thëllëza, shpatorja, mullenja,  gargulli, etj, por ehd ekafshë të egra si: lepuri, iriqi, kunadhja, vjedulla, dhelpra, çakalli, ujku, derri i egër etj.

Banesat, në fillimet e para, ndërtoheshin kryesisht me drurë, por më vonë edhe prej guri ranor, jo shumë rezistent. Banorët ishin mjeshtra për ndërtimin e tyre.

Në shekuj Draësia, për shkak të pranisë së egnatias, ka shërbyer jo vetëm si nyje strategjike militare, pr edhe të asaj  ekonomike, kulturopre e tregtare.Nëpër të kaluan ushtri të panumërta, tregtarë, shtegtarë, ushëtarë, të varfër e të pasur, dijetarë dhe varrmihës, dishepuj të Krishtit e Idhtarë ët tyre, që shpërndanë e mbollën Krishtërimin. Majat e kodrave, dendësiht të populluara e të urbanizuara, u kthyen shpesh në rolin e kullave observuse, mbrojtëse e sulmuse dhe rrugët në lumenj me prurje të shumta trupash të armatosura.

Po pse krahina e mori emrin Darësia?

(Vijon)-Pergatiti: Dalip Greca

Filed Under: Histori Tagged With: Harun Greca-Daresia-Daorset

TESTAMENTI I ALEKSANDRIT TË MADH, NJË TRILLIM I LUCIA NAJDIN

July 24, 2019 by dgreca

Alexandri i Madh/

– Autorja italiane Lucia Nadin në librin e saj “Albania Ritrovata” pretendon se ka zbuluar ‘testamentin’ e Aleksandrit të Madh, në të cilin ai i drejtohet popullit të Shkodrës, por asnjë paraqitje  origjinale të këtij dokumenti me rëndësi nuk na jep dhe nuk ka si të ketë me atë përmbajtje siç na e ofron ajo. Teksti i testamentit të Aleksandrit të Madh është një përgatitje e falsifikur, që nuk ka asgjë të vërtetë… Ky falsifikat, sipas  Nadin, është gjetur bashkë me tekstin e “Statuteve të Shkodrës”, të shkruara në vitin 1469.

Shkruajne: Luftulla PEZA – Liljana PEZA/*

Aleksandri i Madh i Maqedonisë është vlerësuar nga historia si ushtaraku më i madh në historinë botërore dhe për këtë ka lënë gjurmë të thella në ndërgjegjen e njerëzimit. Shumë studime, libra, filma, pjesë theatrale etj. janë shkruar mbi te dhe vazhdojnë të thuren edhe sot. Prandaj ai vazhdon të frymëzojë miliona njerëz në botë dhe të ngjallë kureshtjen e dijetarëve. Për aftësitë e tij të ralla, arritjet e mëdha, përparimin e madh shoqëror, që solli dhe famën e madhe, që ruan edhe sot, vazhdojnë përpjekjet e ethëshme, që Aleksandrin e Madh të Maqedonisë, këtë birë të madh të kombit shqiptar, ta tjetërsojnë në grek opo sllavomaqedon.   

Josef Green (1834-1917) në librin e tij mbi Levantin, shkruan për te:

“Shqiptarët janë një racë ariane, së pari të njohur si pellazgë, por të quajtur ilirë nga romakët. Aleksandri i Madh pushtoi Azinë me 25.000 ushtarë shqiptarë….Duan jashtë mase malet e tyre dhe janë atdhetarë të mëdhej. Gratë e tyre kryejnë shumë punë jashtë shtëpie, por janë të trajtuara me respekt. Edhe pse me disa lloj dialektesh, gjuha e tyre është është një dhe zakonet e tyre janë një” (Cituar nga libri L. & L. Peza “Dritë e re mbi pellazgët…2013:18)[i].

Të tilla përfundime mbi Aleksandrin e Madh dhe luftëtarët e tij shqiptarë gjen me shumicë në literaturë, shkruar nga historianë dhe studiues të huaj. Është për të ardhur keq, që historianët shqiptarë, qofshin edhe ata të Maqedonisë, e kanë braktisur nga padia këtë bir të madh të kombit shqiptar, duke ju lënë dorë të lirë falsifikatorëve.  Kjo shpreh gjendjen katastrofike në institucionet tona të historisë, që historinë e shqiptarëve e njohin përciptas, prandaj e shkruajnë atë sipas studiuesve të huaj, shumica falsifikatorë. Në radhë të parë duhet të zgjohen intelektualët maqedonas për të njohur më mirë realitetin dhe historinë e tyre të lashtë.

Vitet e fundit me falsifikimin e identitetit të Aleksandrit të Madh është përfshirë edhe studiuesja  italiane Lucia Nadin në librin e saj “Albania Ritrovata”, sjellë në shqip nga Onufri 2012.  Ajo pretendon se ka zbuluar ‘testamentin’ e Aleksandrit të Madh, në të cilin ai i drejtohet popullit të Shkodrës, por asnjë paraqitje  origjinale të këtij dokumenti me rëndësi nuk na jep dhe nuk ka si të ketë me atë përmbajtje siç na e ofron ajo. Teksti i testamentit të Aleksandrit të Madh është një përgatitje e falsifikur, që nuk ka asgjë të vërtetë ajp. Ky falsifikat, sipas  Nadin, është gjetur bashkë me tekstin e “Statuteve të Shkodrës”, të shkruara në vitin 1469. Dorëshkrimi i “Statuseve të Shkodrës” dhe testamenti i Aleksandrit të Madh, janë gjetur në Bibliotekën e Muzeut Correr në Venecia, nga studiuesja Lucia Nadin në vitin 1995.

Publikimi i parë i librit të Nadinit u bë në Itali në vitin 2002. Në vitin 2003, në Shqipëri u botua  në gjuhën shqipe dhe kjo për tu thënë shqiptarëve shikoni se edhe vetë Aleksandri i Madh e ka pranuar se është grek dhe ka luftuar për të ngritur mbretërinë e Greqisë.

Statuset e Shkodrës janë hartuar në gjysmën e parë të vitit 1300 që shoqëroi ngjarjet e qytetit të Shkodrës deri në rënien e qytetit të lashtë në duart e turqve në vitin 1479.

Ja çfarë shkruhej në këtë gjoja testament të Aleksandit të Madh të Maqedonisë, që Lucia Nadin përpiqet të na e sheshë si një dokument të vërtetë, me rëndësi të madhe historike:

“Unë Aleksandri, bir i Filipit, mbretit të maqedonasve, mishërim i monarkisë, krijues i Perandorisë Greke, biri i Zeusit, bashkëbisedues i Brahamanëve dhe i Pemëve, i diellit dhe hënës, triumfues mbi mbretëritë e Persëve e të Medëve, Zoti i Botës prej ku lind dhe ku perëndon dielli, nga Veriu në Jug, pinjoll i farës së shquar të popujve Ilirikë të Dalmacisë dhe Liburnisë dhe të popujve të tjerë të së njëjtës gjuhë që popullojnë Danubin dhe zonën qendrore të Thrakës, u sjell dashurinë, paqen dhe përshëndetjet e mija dhe të të gjithë atyre që ndjekin sundimin e botës.

Duke qenë se ju gjithmonë me jeni treguar të besës dhe të fortë e të pathyeshëm në betejat e bëra krah meje, u jap dhe u dorëzojë juve në zotërim të lirë gjithë hapësirën e Akuilonit e deri në skaj të Italisë së Jugut. Askush tjetër, veç jush, të mos guxojë të vendoset dhe të qëndrojë në ato vende dhe po u gjet ndonjë i huaj, ai do të mund të qëndrojë vetëm si skllavi i juaj, dhe pasardhësit e tij do të jenë skllevër të pasardhësve tuaj.

U shkrua në Kështjellën e qytetit të Aleksandrisë, themeluar prej meje buzë lumit madhështor të Nilit në vitin XII. Me vullnet të perëndive që nderohen në mbretëritë e mia, Zeusit, Marsit, Plutonit dhe Minervës, perëndisë së perëndive. Dëshmitar të këtij akti janë Atleti, logotheti i im, dhe 11 princa të tjerë, të cilët unë po i emërojë si trashëgimtarë të mi dhe të të gjithë Botës, meqenëse po vdes pa lënë pasardhës”.

Ky gjoja testament i Aleksandrit të Madh është zbuluar dhe përkthyer nga studiuesja italiane Lucia Nadin, të cilin ajo e ka paraqitur në hulumtimin shkencor, “Statuti de Scutari, della prima meta del secolo XVI con le addizioni fino al 1469”,  Lucia Nadin, 2002, Romë.

            Ky është i ashtuquajturi testament i Aleksandrit të Madh, që na e jep si dokument të mirqenë Nadin dhe që përmban në vetvete mjaft pohime, që nuk janë të vërteta, prandaj nuk pranohet. Ai përbën një shkresë të rreme dhe i shërben qëllimeve të caktuara për të tjetërsuar Alesandrin e Madh dhe historinë e maqedonisë dhe të shqiptarëve. Aleksandri i Madh nuk ka lënë asnjë testament, por me gojë para se të vdesë, perandorinë e tij maqedone e la në duart e gjeneralëve të tij dhe më të zotit prej tyre.

            1-Për të njohur në thelb të vërtetën mbi mbrendinë e këtij “testamenti falls”, duhet të njihemi shkrutimisht me historinë e Ballkanit gjatë kohës së hekurit, mijëvjeçarit të fundit p.e.s., kur ka jetuar Aleksandri i Madh.  Historia e njerzimit ndahet në tri periudha të mëdha kohore, që karakterizohen nga organizime të rëndësishme shoqërore. Gjatë gurmesmit në shoqërinë njerzore arrihen fillimet e organizimit shoqëror, lind shoqëria e mbledhës–gjuetarëve. Koha e gurvonit karakterizohet nga ndërtimi i vendbanimeve të përhershme, ndërtimi i “farmave” më të hershme  (nga fjala “far” e gjuhës pellazge/shqipe), që çuan në ngritjen e fshatrave të parë në histori, ku merr rrugë bujqësia, mbarshtrohet bagëtia, përpunohet balta, qumshti, lëkura, dridhet fija dhe fillon të endet copa me vegjën e parë dhe një nga veshjet e para ruhet në poçeri “Fustanella” pellazgo/shqiptare.  

Ky është Qytetërimi Pellazg, që ndeshet në Ballkanin Qendror me qendër rajonin Vinkë-Turdas. Kulmi i këtij qytetërimi qe shpikja dhe përdorimi i alfabetit të parë, ku në poçeri ndeshen fjalët e para të shkruara “UJI” dhe “DORA”, që vërtetojnë lidhjen e Qytetërimit Pellazg të Vinkës me shqiptarët. Me këtë shoqëri realizohet edhe teknologjia e metaleve, shkrirja e bakrit.

Gjatë kohës së bronzit në Ballkan organizimi shoqëror përsoset më tej me ngritjen e qytet-shteteve të para në historinë e njeriut, që kishin hapsira të kufizuara, por shtruar me rrugë me shtëpi disa katëshe, rrethuar me mure të larta me gurë të mëdhej katërkëndësh, të lëmuar mirë, që quheshin mure pellazgjike,  që vendoseshin njeri mbi tjetri pa llaç. Këto mure ruhen ende sot në Trojë, Athinë, Butrint, Orik, Apolloni, Tomorr, Lis, Shkodër etj. Fillon qeverisja me ligje dhe tregëtia në largësi të mëdha. Në këtë fushë shquhen mineanët e Kretës, që me anijet e tyre “Trireme” (me tre radhë remash/lopatash) arrinin në Amerikë, Skandinavi, Afrikë etj. (Peza & Peza 2016) etj.  

Gjatë mijëvjeçarit të fundit p.e.s., pra gjatë kohës së hekurit,  në Ballkan shënohen ndryshime të tjera thelbësore në jetën shoqërore dhe politike. Në fillim të kësaj periudhe rajoni banohej vetëm nga fise të ndryshme të shoqërisë pellazge, siç na njofton Herodoti, të cilët flisnin gjuhën pellazge në dialekte të ndryshme, shumë të afërta me gjuhën shqipe. Në organizimin shoqëror fillon  grupimi i fiseve të afërta, duke shënuar lindjen e popujve maqedon, ilir, thrak, dardan, epirot, dak, paeon etj.,  që pasohet nga formimi i mbretërive të para ballkanike prej tyre. Gjatë shekullit 7 p.e.s. ngrihet Mbretëria Maqedone dhe më pas ngrihen edhe mbretëritë Ilire, Epirote, Dardane, Thrake, Dake dhe Peone. Pjesa jugore e Ballkanit në këtë kohë ishte e pushtuar nga Perandoria Persiane, prandaj rajoni mbeti prapa dhe ruante ende organizimin shoqëror të kohës së bronzit,  dhe nuk u arrit të formohej asnjë mbretëri.

Filipi i II i Maqedonisë në vitin 336 p.e.s. i pushton rajonet jugore ballkanike, duke i bërë pjesë të mbretërisë maqedone. Më pas Aleksandri i Madh e shkatërroi Perandorinë Persiane dhe e shtriu pushtetin maqedonas deri në Indi. Në këtë kohë Europa qendrore dhe veriore dhe pjesa rreth e qark Europës në Azi dhe Afrikë sundohej nga fise të paorganizuara si në kohën e gurit gale, kelte, gjermanike, baltike, sllave etj.

Pas luftrash të ashpra me popujt ballkanikë, romakët pushtojnë Ballkanin në vitin 168 dhe jugun e tij më 146 p.e.s. Gjatë kësaj kohe në jugë të Ballkanit erdhi fisi i panjohur dhe pa emër, që romakët e quajtën me emrin “graekoi”, grekët. Fisi grek ishte pa asnjë shkallë kulture, nuk dihet se nga erdhën, pasi në vendin e origjinës nuk kanë lënë asnjë dokument kulturorë dhe asnjë të tillë nuk sollën, kur erdhën në Ballkan.

Aleksandri i Madh i Maqedonisë ka jetuar në vitet 356-323 p.e.s., kur mbretëria maqedone ishte në kulmin e zhvillimit të saj. Ai nuk i ka njohur grekët, sepse ata erdhën në Ballkan më shumë se 200 vjet pas tij. Nga këto të dhëna historike vërtetohet që ajo që shkruhet në  falsifikat për Aleksandrin e Madh “krijues i perandorisë greke” është një lajthitje e falsifikatorëve, sepse është jashtë çdo realiteti. Aleksandri i Madh ka qenë maqedonas, që në kohën e tij ishte shteti më i fuqishëm i botës, kur nuk ka ekzistuar as emri “Greqi”. Mbretëria e parë greke në Ballkan u ngrit në vitin 1832, kur dhe mbreti ishte gjermani Oto d.m.th. rreth 2000 vjet pas popujve shqipfolës ilirëve, maqedonëve, thrakëve, dakëve etj. 

2-Në “testamentin” e falsifikuar shkruhet “u shkruar në Aleksandri”, qytet në buzën e Nilit në Egjipt, themeluar nga Aleksandri i Madh. Por dihet se Aleksandri i Madh nuk ka vdekur në Aleksandri, por në Babiloni, mijëra kilometra larg Egjiptit.  Kështu një dokument i tillë nuk mund të formulohej në Aleksandri nga Aëelsandri i Madh.

3-Emrat e perëndive, që jepen në dokumentin e sajuar nga Naidin, përveç kryeperendisë Zeus, i njohur në kohën e Aleksandrit të Madh,  emrat e tjerë Marsi, Plutoni dhe Minerva, janë emra latin të perëndive pellazge, që nuk kanë qenë të njohura në kohën e Aleksandrit të Madh, prandaj ai nuk ka si ti ketë ditur ato. “ Marsi” është  perëndia “Aresi Pellazg”, perëndia e lufës dhe bujqësisë, “Plutoni” është emërtimi latin i “Hadi Pellazg”, perëndia e nëntokës, ndërsa “Minerva” është emërtimi latin i “Perëdisë Athina”, perëndia pellazge e diturisë, poezisë, mbështetëse e artit dhe tregëtisë. Perëndesha Athina ka qenë edhe mbrojtëse e qytetit, që për nder të saj do të quhej Athina.

Në kohën e Aleksandrit të Madh kanë qenë njohur vetëm emërtimet pellazge të perëndive, ndërsa emërtimet latine për perënditë pellazge janë shumë më të vona, gjatë erës sonë dhe të panjohura për Aleksandrin e Madh. Edhe këto emra latin të perëndive pellazge, që janë riemërtuar nga latinët gjatë shekujve të parë të erës sonë, përbëjnë të dhënë të rëndësishme, që e fakton të rremë testamentin e paraqitur nga Naidin.

4-Në atë, që Naidin paraqet si testament të Aleksandrit të Madh, shkruhet që ai nuk ka lënë trashëgimtarë. Por e vërteta është se Aleksandri i Madh me gruan e tij Roksanën, princeshën persiane, kanë patur një djalë, që lindi pas vdekjes së Aleksandrit dhe u quajt Aleksandri i IV. Aleksandri i IV bashkë me t’ëmën Roksanën dhe gjyshen Olimpia, e ëma e Aleksandrit të Madh, u vranë barbarisht së bashku me urdhër të mbreti Kasandër të Maqedonisë në luftën për pushtet.

5-Një problem kyç, që lidhet me Aleksandrin e Madh, është gjuha e tij ose gjuha maqedone. Maqedonët ashtu si ilirët, epirotët, thrakët, dakët dhe popujt e tjerë në Ballkan dheAndoll, që lindën nga trungu pellazgjik, e kanë shkruar gjuhën e tyre me alfabetin e trashëguar nga  pellazgët, i njohur gjerësisht gjatë mijëvjeçarit të fundit p.e.s. dhe duke e përshtatur për gjuhën e tyre. Ruhen mjaft  dokumete gjuhësore, mbishkrime të gjuhës maqedone, që nuk janë studiuar nga gjuhtarët shqiptarë, në Shqiperi apo Maqedoni.  Nga kjo neglizhencë kanë përfituar falsifikatorët dhe gjuhën maqedone e kanë trajtuar si një formë e greqishtes. Falsifikimi i gjuhës maqedone më pas çoi edhe në falsifikimin e Maqedonisë si provincë greke në lashtësi dhe të Aleksandrit të Madh si grek.

Vitet e fundit u bë e mundur studimi i disa mbishkrimeve të gjuhës maqedone nga studiuesi Shaban Berisha nga Kosova, të cilat përkojnë me gjuhën shqipe. Në librin “Gjuhët e lashta të Ballkanit dhe Anadollit….Peza L.& L.2018”, gjinden të dhëna të plota për gjuhën e lashtë maqedone, e cila afron shumë me gjuhën shqipe, sepse është me origjinë pellazgjike ashtu si dhe shqipja dhe përbën një formë të lashtë të gjuhës shqipe. Këto dokumente vërtetojnë atninë maqedone/shqiptare të Maqedonisë së lashtë dhe sigurisht edhe të Aleksandrit të Madh.  

Grekët kanë historinë e tyre dhe kësaj nuk mund ti shtohen kryetrima, heroj dhe ngjarje, që nuk janë pjesë e saj, duke i hequr nga historia e popullit shqiptarë.  Grekët kanë ardhë në Ballkan gjatë shekullit të fundit p.e.s. dhe përmenden për herë të parë në histori nga romakët me emrin “graekoi”, kur pushtuan Ballkanin, si fis pa emër, barbar dhe pa asnjë nivel kulturor.   Nuk dihet nga erdhën, sepse në vendin e origjinës nuk kanë lënë asnjë dokument kulturor, edhe në vendi e ri nuk sollën asnjë të tillë. Grekët kur erdhën në Ballkan gjetën të ngritura mbretëritë maqedone, ilire, thrake, epirote, dardane, dake, qytete me pallate dhe rrugë të shtruara, faltore të shumta të perëndive pellazge, shtresa e lartë dinte shkrim e këndim, që dëshmohet nga mbishkrimet e shumta në Durrës, Apolloni, Butrint, Athinë, Korinth e gjetkë. Ballkani gjatë pushtimit romak u emrua “Provinca ilire” dhe bënte pjesë në Perandorinë Bizantine dhe u zotërua nga kultura dhe gjuha ilire. Disa nga perandorët e Bizantit kanë qenë me origjinë ilire si Konstantini i Madh, Justiniani i Madh etj. Grekët asnjë rol nuk kanë luajtur deri në vitin  1832, kur u ngrit Mbretëria Greke për herë të parë në histori me mbretin bavarez Oto, në sajë të kryengritjes arvanitase.

Problemet historike filluan pas luftës ruso-turke, kur fuqitë europiane ju kundërvunë Turqisë për ta larguar nga Europa. Në këtë kohë njerzit që vizitonin Greqinë mahniteshin me monumentet antike dhe duke mos njohur historinë, konsideronin grekët si krijuesit e tyre. Duke dashur të shporrin Turqinë nga Europa ju dha përrahje e madhe Greqisë, duke ngritur mithin e Greqisë së lashtë, grekëve të lashtë, periudhës helenistike, por të gjitha në korriz të historisë së shqiptarëve.

Ja si e shpjegon këtë Nikos Dimou, një nga shkrimtarët dhe komentatorët më të shquar grekë. Ai është autor i shumë artikujve, emisioneve televizive dhe radio. Ai ka shkruar më shumë se 60 libra, duke përfshirë poezinë, satirën, filozofinë, teorinë politike. Ndoshta libri i tij më i famshëm është: “Në mjerimin e të qenurit grek”.  Nikos Dimou lindi në Athinë në vitin 1935. Ai studioi letërsi angleze dhe franceze në Athinë dhe filozofi në Mynih.

Profesori grek N. Dimou, në një intervistë për New York Times në vitin 2012 thotë:
“Ne flisnim shqip dhe quanim vetveten Bizantinë”, por atëhere Winckelmann, Goethe, Viktor Hugo, Delacroix, të tërë na thanë, “Jo, ju jeni Grekë, pasardhës direktë të Platonit e Sokratit”, dhe atëhere filluan problemet.

Kam 12 vjet që them nuk ka grek, vetëm Akademia jonë e shkencave nuk më beson. Nuk lash gjë pa lexuar dhe nuk dilnin asgjëkundi, dilnin vetëm shqiptar.

Faktet historike janë shumë kokëforta dhe ne shqiptarët u përvëluam nga krijimi i Greqisë fallco se na morën padrejtësisht një territor dhe një popullsi të madhe që na u tjetërsua. Ata shqiptarë që nuk pranuan të bëheshin grekë fallco u dëbuan. Krijimi i grekëve fallco, është ndoshta marrëzia më e madhe në historinë e njerëzimit dhe aventura më e madhe që kanë bërë disa shtete Evropiane”.

 Ndërsa M. Glenny, autor mbi historinë e Ballkanit: “The Balkans, nacionalism, war and the Grait Power” 1999, f. 26 shkruan: “ Vite më përpara koncepti i shtetit grek (i cili ishte produkt i politikës së fuqive të mëdha) nuk ka ekzistuar, grekët nuk e dinin cilët ishin. Madje, sipas anthropologut Roger Just shumë nga grekët e shekullit 19 që sapo kishin fituar pavarësinë nga Turqia, jo vetëm që nuk e quanin veten helenë, por as që flisnin greqisht, por flisnin në gjuhën shqipe, vllahe dhe sllave”. 

Të gjitha këto sa shkruam më sipër vërtetojnë se historia është e qartë dhe duhet pranuar. Vërtetohet gjithashtu se “Testamenti i Aleksandrit të Madh” paraqitur nga Naidin përbën një falsifikat të fëlliqur, që ka për qëllim të tjetërsojë atninë maqedone/shqiptare të Aleksandit të Madh dhe historinë e Maqedonisë dhe ta bëjë Aleksandrin e Madh grek dhe epokën e tij pjesë të historisë së Greqisë.

Prandaj “Testamenti” i dhënë nga Naidin, nuk mund të pranohet si dokument i vërtetë, sepse është në kundërshtim me historinë.

Kritika të forta për tjetërsimin e historisë së Maqedonisë, të trajtimit të maqedonëve të lashtë si grekë dhe të njësimit të gjuhës maqedone me gjuhën greke, janë bërë  sidomos ndaj historianëve A.B. Daskalakis, Nicholas Martis, Manolis Andronikos, Michael Sakellariou, Malcolm Errington, N.G.I.Hammond dhe Michael Wood, që ndodhen në studimin e shpërndarë në internet “THE DISTORTIONS OF THE MODERN WESTERN AND GREEK HISTORIANS”/ Shtrembërimet e perëndimeit modern dhe historianët grekë/.

Pragë-Golem, 2 korrik 2019

*E derguan per Diellin-autoret e shkrimit


Filed Under: Histori Tagged With: Aleksandri i madh- Luftulla e Liliana Peza

DON NIKOLLE MAZREKU- JO VETEM I DIJTUN PO, EDHE TRIM…

July 24, 2019 by dgreca

37  VJET  BURG  E  INTERRNIM/

DON NIKOLL MAZRREKU-(Grafikë nga F.Radovani 1993)/

Nga Fritz RADOVANI/

Don Nikolli (1912 – 1996) asht le në Mazrrek. U shkollue në Romë dhe asht Shugurue Meshtar atje me 10 Shkurt 1939, plot 80 vjet perpara. Në 1940 asht Famullitar në Tiranë. Filloi aktivitetin Atdhetar në revisten e mbrojtjes së të drejtave kombtare kunder italianve dhe pushtuesve. Në vitin 1941 boton broshuren “Skandali Cordignano”, veper e cila asht edhe sot nder ma të njohunat antiitaliane, tue u rreshtue perkrah Don Ndre Zadejës…

Me pushtimin sllavokomunist të Shqipnisë, arrestohet në vitin 1946 e dënohet 5 vjet burg po, duhet cilsue se me 25 Dhjetor 1950, sigurimi i shtetit i pushkaton vllaun Rrokun, tue i veshë akuza fallco per Frano Mirakaj. Don Nikolli u dergue në kampe shfarosje deri në vitin 1956 në Tepelenë, Kurvelesh, Berat… Mbasi u lirue punoi puntor krahu derisa prap në 1967, një vit mbasi u lirue u interrnue persëri 7 vjet në Lushnje, dhe atje u dënue me 20 vjet burg e u dergue në Skrofotinë të Vlonës. U dergue në Burrel, Ballsh dhe Zejmen…

Asht lirue me 17 Mars 1987, dhe vjen tek e Motra Marija Gjoka. Aty ka jetue deri në 1996.

Don Nikolli asht kenë Autor i poemave me vlerë të madhe letrare dhe historike “Kangë per Gjergj Kastriotin”, “Me Flamujt e Kastriotve” dhe “Tek lisi i thamë”…

Ka edhe libra të pabotuem me vlerë të madhe me pseudonimin e njohun Nik Barcolla.

Don Nikolli asht kenë një Burrë i pergatitun me humor dhe një kandveshtrim të veçantë.

Kujtoj në 1966, erdhi në ekspoziten time personale me At Aleks Baqlin. Po bisedonim per mosmirmajtjen e Kishave nga shteti… U hap biseda per Xhaminë në qender të Tiranës, e kujdesin që duhet tregue per atë Xhami, mbasi Don Nikolli kishte mendim personal: “Ajo Xhami duhet ruejt dhe nuk duhet kursye asgja per kujdesin e mirmajtjes saj, mbasi çdo i huej porsa ven kamben në Tiranë, kupton menjëherë se me cilen qeveri ka punë, pa kenë nevoja prej kurrkujt me i tregue se kush asht Enveri, Mehmeti e Haxhi Lleshi!”.

Koha vertetoi se angazhimet me “Lindjen dhe Konferencat Islamike..,” ishin e mbeten si i parashikonte i Dijtuni e Trimi Don Nikoll Mazrreku: “Shqipninë nuk e ndriçon Dielli!”

            Melbourne, Korrik 2019.

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz radovani-Don Nikolle Mazreku

LUFTA NDARËSE VAZHDON

July 23, 2019 by dgreca

NGA  ASLLAN  BUSHATI/

Shteti totalitar i E.Hoxhës e çoi luftën e klasave në Shqipëri, më në  ekstrem se çdo vend tjetër komunist  në botë. Çdokush kishe frikë ti shkonte dikujt nga e ashtuquajtura ” klasa e përmbysur” (sikur të mos ishin shqiptar)  edhe  për ngushullim, në rast fatkeqësie në familje edhe kur e kishe të afërt (gjak e gjini). Madje shpesh për këtë duhet të merrje leje tek “nëna “ parti. Kjo  dukshëm erdhi si një ndarje e re në popull tonë multifetar, gjë  që nuk kishte  ndodhur më parë  në historinë tonë  mijra vjeçare. Edhe pushtuesit tentuan ndarjen me idetë e tyre fetare, por nuk ia arritën qëllimit. Kurse komunizmi e arriti ndarjen  e thellë nëpërmjet luftës klasave, kësaj “mortaje” vrasëse kombëtare. 

Me këtë rast do të cek shkarazi dy ngjarje nga jeta ime  në dy periudha kohore  të ndryshme për të arritur në një përfundim. Sëpari: në dimrin e vitit 1989 shkova në fshatin tim Midhë –Burrel për të takuar familjarët e mi. Kishte qenë furtunë dhe ishin rrëzuar disa  shtylla të rrjetit elektrik. Për të ringritur linjë po punonin rreth njëzet burra, ndër të cilët  ishte edhe Abas Sula, një i burgosur politik për 25 vite (por edhe kushëriri im nga Nana). I takova të gjithë përfshi edhe Abazin.  Pas dy ditësh më thirrën në Ministrinë e Mbrojtjes për ballafaqim me një letër anonime (sipas autoriteteve) por që në fakt ishte shkruajtur nga dy bashkfshatarë të mi, duke më qortuar fort se kisha shpërfillur “luftën e klasave” duke i dhënë dorën “armikut të klasës” dhe kushëririt tim Abas Sula.

 Së dyti: Në kohën kur Fatos Nano vuante dënimin në burgun e Bënçës në Tepelenë, ndërroi jetë nëna e tij Marie Nano, (por edhe pedagogia ime e Shkollës Ushtarake Skënderbej). Në këtë kohë  shteti totalitar ishte përmbysur e një frymë më pajtuese kombëtare dukej në horizont, në radhë të parë  për meritë të përndjekurve politik  të sistemit komunist. Unë mbaja postin e Drejtorit në Ministrinë e Mbrojtjes dhe i veshur civil, mora pjesë në ceremoninë e varrimit të pedagoges time Marie Nano. Pas dy ditësh më thirri në zyrë ish Ministri (i ndieri Safet Zhulali) duke kërkuar shpiegime për këtë ndodhi. Unë i thashë se kam qenë në ceremoninë mortore të pedagoges time Marie Nano e cila më ka dashur shumë si ish skënderbegas, por që edhe unë e kam dashur shumë ish pedagogen time. Më lejoni tju bëj me dije se në qoftë se Violeta Bylyku- Mejdani (motra e Rexhep Mejdanit), qoftë larg ndërron jetë, unë do të shkoj në ceremoninë e saj se e kam patur pedagoge  dhe e kam dashur shumë ashtu siç edhe ajo më ka dashur e respektuar. Nese gjykoni se kam vepruar gabim, pres i qetë çdo ndëshkim.

Ish Ministri u mendu pak dhe më tha: nuk ke bërë asgjë gabim, jemi shqiptar, njerëz të një gjaku, madje të kërkoj të falur që ta përmenda. Disa ditë më vonë në mbledhjen me drejtuesit e Ministrisë më kërkoi përsëri të falur publikisht. Unë edhe sot pas gati çerek shekulli e kujtoj me respekt këtë qëndrim të të ndierit  Safet Zhulalit.

Tani le të këthehemi në ditët e sotme dhe të bëjmë krahasim me të shkuarën për të parë se ku jemi e ku po shkojmë?. Me  këtë rast nuk kam ndërmend  të marr në mbrojtje asnjë politikan,  për asnjë arsye  dhe nuk pajtohem me askënd, nëse me dije ose pa dije i ka fryrë  frymës  së  një ndarje të re kombëtare postkomuniste.

E them këtë sepse sot në masmedia, çdo ditë e në përmasa vetëm në ngjitje, ka një sulm të paparë gjithformësh të Kryeministrit Edi Rama  kundër opozitës. Ai  kudo e me plot gojën e konsideron atë tradhëtare të vendit (siç bënte Enveri në kohën e tij me klasën e përmbysur). E konsideron përgjegjese për mos ecjen e vendit përpara, pengesa kryesore për mos integrim në BE, pengesa kryesore për mosrealizimin e reformave të  planifikuara, pengesë për gjithçka. Insistimi i tij  mediatik është ngulitja në mendjen e simpatizantëve të tij se e djathta shqiptare ka qenë është e do të jëtë tradhëtare e interesave madhore të Shqipërisë. Sipas tij vetëm të majtët janë mençuria e kombit,  vetëm ata janë  gjeneruesit e bartësit e ideve madhore , vetëm ata dhe askush tjetër mund të bëjnë shtet dhe se vetëm ata  mund ta çojnë Shqipërinë përpara. Pra të majtët (sipas llogjikës ediramase) janë atdhetarët, kurse krahu tjetër pra  të djathtët janë tradhëtarët. 

Për një periudhë të gjatë, është thënë se fajin e ka Saliu, më pas  qeveria e më parëshme,  kurse tani opozita e rrugëve , qaramane, përtace, gjumashe  e paaftë etj etj. Pra ky është këndshikimi i Kryeministri tonë të zgjedhur për të drejtuar Shqipërinë dhe jo vetëm të majtën. Por fatkeqsisht ai po tregon se është   mbjellësi e gjeneruesi më i madh i një lufte të  pafund ndarëse në një vend të vogël e në  një mikro shteti siç është Shqipëria.

Kujt i shërben kjo ndarje kaq e fortë dhe e vrazhdët në dy kampe gati armiqësore në Shqipëri, sikur të jetë prag lufte civile? Pse zgjedhjet vidhen e vidhen pafund edhe kur janë një partiake (si ato të 30 qershorit 2019) dhe askush nuk ndëshkohet? Pse synohet kapja e sistemit të drejtësisë, e drejtimit dhe menaxhimit të gjithçkaje në shtetin shqiptar? Pse endet pambarimisht pas PPP-ve (partneriteti publik privat) i cili ka krijuar një hendek financiar rreth tre miliardë euro , një gurë i rëndë  ky në qafën e çdo shqiptari për tridhjetë vitet e ardhëshme? A mos vallë disa kanë vjedhur aq  shumë saqë  pasuria e tyre (përfshi edhe ata vetë  ) rrezikohet të ekspozohet? A mos vallë qaravitjet tek ndërkombëtarët dhe lyerja e rrotës disa prej tyre , shërben si bunker mburojë për fshehjen e pasurisë së krimit të shtetarëve të lartë? A mos bëhet gjithë kjo përplasje shoqërore për karreigen e një personi të vetëm (qoftë ky kryeministër) apo edhe të  një grupi të vogël  rreth tij)?

 Mendoj se po. Madje dua të shtoj se edhe disa ndërkombëtar në Tiranë kanë jo pak përgjegjesi për heshtjen para këtyre fakteve të hidhura  ose edhe të të  qënit bashkfajtor me Edi Ramën. Kur vjen puna për të mbrojtur Edi Ramën  ata kanë në majë të gjuhës  gjithato lloje  rrumbullakosjesh  diplomatike e frazash pakuptim vetëm që ti shërbejnë atij.  Por kur është fjala  për tu shprehur për qëndrimet dhe veprimet e opozitës , nuk ka më  diplomaci por shprehje të hapura dashakeqsie e mospranimi. Kjo e ka emrin njëanëshmëri.

Opozitës , intelektuakëve,studentëve, shoqërisë civile dhe çdo shqiptari të ndershëm, i del për detyrë të mbrojë unitetin kombëtar nga kjo qasje që shkon kah përplasja e dhunëshme  civile.Të ruaj vendin nga një llojë  lufte e re klasash për karriget dhe pasurinë e një grushti shtetarësh të korruptuar e të inkriminuar. Kjo masë e madhe njerzish lypset ti bashkangjitet  opozitës dhe në mënyrë demokratike duke aplikuar hap pas hapi të 52 elementët e mosbindjes civile të eci përpara për një qeveri tranzitore dhe zgjedhje të lira, të nderëshme e të drejta.

Filed Under: Histori Tagged With: Asllan Bushati- Ndarja vazhdon

Kosova, Bust Senatorit Amerikan Bob Dole

July 22, 2019 by dgreca

-Kryeministri në detyrë Haradinaj: Sot, i gjithë populli i Kosovës e nderon veten dhe miqësinë e përjetshme me ShBA-të. Me rastin e ditëlindjes së Senatorit Bob Dole, ne po shënojmë nisjen e projektit për një përmendore/

 -Busti i Senatorit Bob Dole planifikohet të përurohet më 28 nëntor 2019, që përkon me Ditët e Falënderimeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës/

PRISHTINË, 22 Korrik 2019-Gazeta DIELLI/ Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në shënimin e ditëlindjes dhe inicimit të ndërtimit të bustit për Senatorin Bob Dole, që do të përurohet më 28 nëntor 2019, që përkon me Ditët e Falënderimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. 

Me këtë rast, kryeministri në detyrë Haradinaj tha se ky është një moment mjaftë i mirë për t’i uruar një miku të Kosovës ditëlindjen dhe ai është Senatori Bob Dole, duke falënderuar për prezencën dhe kujdes ambasadorin e ShBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, zonjën Alison Kosnett, dhe drejtorin ekzekutiv të Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka.

 “Po më atribuohet shumë kujdesi për këtë përmendore dhe t’iu them të drejtën unë vetëm ndihmoj, por iniciativa ka ardhur prej qytetarëve, bizneseve, Odës, shumë miqve që janë këtu prezentë dhe më lejoni t’ju falënderoj gjithë juve që jeni bashkuar sot dhe me rastin e ditëlindjes së Senatorit Bob Dole, ne po shënojmë nisjen e projektit për një përmendore për Senatorin Bob Dole”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj.

Kryeministri në detyrë Ramush Haradinaj, falënderoj Senatorin Bob Dole për dakordimin e dhënë që ne të veprojmë kështu, duke theksuar se me respektin më të madh i është drejtuar edhe Komunës së Prishtinës me shkresat e duhura dhe tashmë ky proces ka filluar, duke kujtuar kohën e 29 viteve më parë, në vitin 1990 kur është bërë vizita e parë e një delegacioni të lartë të senatorëve amerikanë në Kosovë.”Përderisa Senatori Dole ishte në hotelin “Grand” duke bashkëbiseduar me udhëheqësin e atëhershëm të shqiptarëve, presidentin tonë historik, Ibrahim Rugova, policia, regjimi i Millosheviqit kishte filluar keqtrajtimin e qytetarëve jashtë. Kjo vizitë ishte kthesë, kjo vizitë ishte një nismë për së mbari e Kosovës dhe kështu u vazhdua nga të gjithë ata që na nderuan me vizita më pastaj në Kosovë dhe kështu u vazhdua me përkrahjen e vitit ’99, me ndërprerjen e tragjedisë dhe kthimin e jetës në Kosovë dhe mendoj se sot, i gjithë populli i Kosovës e nderon veten dhe këtë miqësi”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj, duke shtuar se janë të gëzuar që populli i Kosovës i drejtohet me një nderim dhe në shenjë falënderimi për kontributin e tij jetësor për Kosovën, Senatorit Bob Dole.
“Falënderojmë presidentin Trump për kujdesin për Kosovën dhe njëkohësisht urojmë që miqësia jonë Kosovë- Amerikë të jetë e përjetshme. Zoti e Bekoftë Kosovën! Zoti e bekoftë Amerikën!”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj. 

Po ashtu, kryeministri në detyrë Haradinaj beson se artisti Luan Mulliqi, të cilit i është besuar kjo detyrë, do të na nderojë poashtu dhe do të jemi të nderuar.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës  z. Philip Kosnett, falënderoi kryeministrin në detyrë, Qeverinë e Kosovës, Komunën e Prishtinës dhe Odën Ekonomike Amerikane të Kosovës për mundësinë e këtij çasti frymëzuese, duke thënë se bashkë me bashkëshorten e tij janë të nderuar që janë dëshmitarë të vënies së gurthemelit dhe po ashtu edhe senatori Bob Dole është prekur nga ky nderim.

 “Gjatë tërë jetës së tij në shërbim, fillimisht si hero i ushtrisë amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore, pastaj në Kongresin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si kandidat për president të SHBA-ve dhe tani si njëri ndër burrështetasit më të respektuar, Bob Dole i ka prirë gjithmonë shtytjes përpara të kauzës së lirisë në tërë botën. Andaj, nuk ishte fare befasi që ai u bë mbështetës i pazëvendësueshëm i Kosovës, duke qëndruar përkrahë popullit të këtij vendi në përpjekjet tuaja për ta ndërtuar një shtet të fortë dhe të lirë”, tha ambasadori Kosnett. 

Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, tha se nuk ka mënyrë më të mirë sesa kjo e sotmja që t’i urojmë senatorit Bob Dole ditëlindjen e tij, e në të njëjtën kohë nuk ka ditë më të mirë se kjo e sotmja që bashkërisht të konfirmojmë përjetësimin e kujtesës për gjithë rolin dhe kontributin që senatori Bob Dole ka pasur në Kosovë.

Busti i Senatorit Bob Dole planifikohet të përurohet më 28 nëntor 2019, që përkon me Ditët e Falënderimeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës./b.j/

***

Kryeministri Haradinaj: 22 Korriku 2010, datë e rëndësishme e shtetësisë së Kosovës

PRISHTINË, 22 Korrik 2019-Gazeta DIELLI/ Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka shkruar sot:

Një nga datat më të rëndësishme të shtetësisë së Kosovës është edhe 22 korriku i vitit 2010, kur Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë shpalli verdiktin se, Pavarësia e Kosovës është legjitime dhe e drejtë dhe nuk bie ndesh me të Drejtën Ndërkombëtare.
Ky vendim historik për vendin, konfirmoi themelet e pavarësisë tonë, të sovranitetit të shtetit dhe integritetit territorial.
Për koicidencë, një ditë para vendimit të GjND-së, më 21 korrik, unë u thirra në Hagë, në procesin e dytë gjyqësor. Sot, kur sërish thirrem në Hagë, në këtë përvjetor të nëntë, Kosova është më e fortë se kurrë, si shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik, i pandashëm dhe i përkushtuar në rrugën euro-atlantike.

RH

Filed Under: Histori Tagged With: Behlul Jashari-Ramush haradinaj- Bob Dole sen

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 260
  • 261
  • 262
  • 263
  • 264
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT