• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HAPJA E SHKOLLËS SHQIPE TË POGRADECIT MË 14 MARS 1887

March 8, 2021 by dgreca

PËRKUJTIM NË DITËN E MËSUESIT/

LASGUSH PORADECI/

Shkolla Shqipe e Pogradecit, e këtij qytetthi palcërisht shqiptar, i futur në gjirin e maleve si kafka në trurin e njeriut, është një nder jo vetëm për Atdheun po dhe për Pogradecarët në mënyrë të veçantë. Sepse me datën rrënjësisht të vjetër të hapjes së saj në ditën e 14 Marsit 1887, ajo shkon krahas nga parësija me Shkollën Shqipe të Korçës, të shuguruar aty një moti pas pesë shekujsh robërije dhe vojtjeje. Ka qënë një kuxim, në tërrë meritën dhe në tërë fuqinë e fjalës, rrëmbimi i flamurit të gjuhës nënore nga ana e pogradecarëve pothuajse njëkohësisht me Korçën – vetëm dymbëdhjetë muaj më von. Kurse nër fshatrat e Kolonjës, në katundet e Vakëfit, futja e Shkollës Shqipe u bë siç e thamë vetëm pas katër vjet e shtatë vjet, që më 1890 e 1893 dhe atëherë me vullnetin dhe ndihmën e Kryetarit të Shoqërisë Drita Nikoll Naços, Pogradeci ardhi vetë në Korçë që në fillimin më të parë, sapo hariu prej Bukureshti Efthim V. Markua dhe prej Stambolli  dëshmori Pandeli Sotiri më 1885. Dhe në qoftë se në Korçë hapja e shkollës u shty dhe u zgjat më 1886 gjer më 7 Mars nga kundërshtimi i njerësve dhe i rethanave dhe jo më pak nga mungesa e shtëpisë shkollore, gjithashtu në Pogradec, po ajo mungesë e shtyri hapjen e shkollës edhe dymbëdhjetë muaj më pas.

Me gjithë vlerën e përpjekjes së Pogradecarëve për gjuhë e kombësi, me gjith Shkollën Shqipe të hapur pa shumë vonim pas asaj të Korçës më 1887 dhe me Klubin Shqiptar të hapur një kohësisht pas klubeve të tjera në Shqipëri më 1908, mos-lëvizja, d.m.th heshtja e vëndësve të Pogradecit rreth veprës Kombëtare të përmbushur duket si një e metë e pandrequr: prej naturës së tyre të brëndshme ose prej redhit qarkonjës, ata janë tipe të mbyllur në vetvete, të patundur sidokudo nga tërheqja e reklamës. E përhapur ose jo, e njohur ose e panjohur, një vepër që u krye qëndron kurdoherë pritëse për t’u kundruar, për t’u çmuar, dhe kështu është edhe Shkolla Shqipe e Pogradecit. Sikundër në Korçë shtyllat e para të shqipes dhe të shkollës shqipe, Jovan Cico Kosturi, Efthim Vasil Markua, Orhan Çerçis Pojani qëndruan fitimtarë-èdhe me therorinë e gjakut- përmes gjithë furtunës së tmershme kundërshtare,-ashtu fillonjësit dhe përmbajtësit e parë të Shqipes dhe të Shkollës Shqipe të Pogradecit Ndini Gjorgji Gusho dhe Sotir Gjorgji Gusho përball në gjithë pengesat dhe dëshpërimet, èdhe dyke asgjesuar rezikun e jetës, me një mijë helme për një të vetëm gëzim mëmëdhetarije.

Ndinkë Gushua dhe Sotir Gushua, nisjatorët e atdhetarisë në Pogradec, ishin që të dy prej një race thjeshtësisht shqiptare, të hollë dhe viganë nga shtati nga i cili shkak dhe bashkëqytetasit i-u theshin Ndinka-i-Gjatë dhe Sotirka-i-Gjatë, dyke i miemëruar për ndjenjat e tyre sipas një zakoni të ditur të kohës Ndinkë Shqiptari, Sotirkë Shqiptari: siç e ka theksuar në shënimin e tij vetëshkrimor më 10 Shkurt 1936 një ish-nxënës i Shkollës Shqipe të Pogradecit, atdhetari Ikonom At Llazar Kozma, Famulltar i Komunitetit Orthodhoks të Pogradecit, tashi Igumen i manastirit të Shën Naumit.

Vëllezërit Ndini Gusho dhe Sotir Gusho çlodhen prej shumë kohe në Fjetjetoren e qytetthit ku mbaruan detyrën e kësaj jete, nënë baltën e dhemshur të Shqipërisë për gji. Po ne vazhdonjësit e tyre, që na u pat lënë kjo pikëz trashëgim, duke kujtuar Shkollën Shqipe të Pogradecit qoftë dhe këtu rastësisht, pas pesë-dhjet-e-pesë vjetësh nga dita kur u çelnë për së pari dyert e saj, ruajmë në zemër me shentëri barrën e paraqitjes së punës dhe të shpalljeve përkatëse, gjë të cilën i nënëshkruari e mban të përmbledhur për një botim të arthmë, me ndjenjën e mirënjohjes dhe përuljes më së fellë që mund të jetë i zoti të ndjejë shpirti i një pjelle ndaj të-ungjit dhe t-et të vet.

Dokumentat që përkasin Shkollën Shqipe të Pogradecit, nër fletore, të përkohëshme, libra, shënime, kujtime etj, janë të mjaftuarshme për hedhjen e një drite reth fillimit, vijimit, dhe luftimit të asaj shkolle, me gjith largësinë e madhe të kohës prej më shumë se gjysmë shekulli pas ngjarjes. Midis tyre, më duhet të sjell vërrejtjen për nënëshkrimin që bën Ilo-Mitkë-Qafëzezi, vazhdonjës i gjithë ngjarjes dhe hollësirave, në veprën e sipër-thënë f.149,3. Po kujtoj këtu kalimthi për t’i plotësuar sadopak vijat kryesore të vepëronjësve të Shkollës Shqipe të Pogradecit, se mësonjësi i saj i parë ka qënë, më 14 Mars 1887, Koço Sotiri, i vëllaj i dëshmorit Pandeli Sotiri, mësonjësit të parë të Shkollës Shqipe të Korçës. Është vërtet, siç shënon Ili Mitkë Qafëzezi-ish-mësonjës dhe ky i kohëve të vona i shkollës fillore në Pogradec-se Koço Sotirit këtu i-u pat ngjitur miemri ultësonjës mason për shkak të përhapjes së Ungjijve shqip të Kostandin Kristoforidhit që ay bënte nër popull – atje ku i-a qëllonte… Ky lajm i vjetëruar që na harin gjer më sot në ditët t’ona gojërisht nga kujtesa e Thoma Abramit, kryemësonjësit veteran të Shkollës Shqipe të Korçës, ka qënë gjith aq i vërtetë, sa dhe i bujshëm dhe i potershëm. Veç që shklekëza e masonërisë nuk e kish mburimin drejt-për-drejt prej Ungjijve të Dërgimtarit Elbasanas, po shumë më fellë. Ajo qe ngrehur nga urrejtja armike ndaj zgjimit kombëtar të Pogradecarëve, që ishte zgjimi prej zgjimit të gjithë një kombi. Masonëri, në gjuhën e Rilindjes Shqiptare, është një kujtim i idhur nga dhembjet e shumta të plagës së madhe së Kombit që thuhet plaga e ndarjes në gjirin e njëshmë të një populli, e përbuzur prej veteranëve me fisnikëri, e shëruar prej dëshmorëve me gjakun e vet të therrorisë. E përbuzi dhe Koço Sotiri në Pogradec, me bindjen e tij të pathyer, siç e përbuzi i vëllaj Pandeliu me burrëri në Korçë dhe siç e përbuzë që të dy kur vajtnë një herë për t’u çmallur në fshatin e tyre të dashur fort-në Selckën e Lungjerisë – ku bashkëfshatarët, domethënë far e fis e miqërija, nuk i nqasnë po i përzunë prapë nga ardhë, për shkak të apostullatës së të dyve ndaj gjuhën dhe ndaj Kombin e adhuruar. Dhe u këthyen e iknë që të dy prapë në mërgim e në arratisje që nga kishin ardhur, dhe njëri, Koço Sotiri-Kota – vajti drejt për në burg i dënuar me një-qind-e-një vjet dyke dhënë pastaj shpirtin nga mjerimi rrugëve në Manastir më 1909, kurse tjetri, Pandeli Sotiri-Pandua – gjeti vdekjen e tmerrëshme në Stamboll nga fitilat e armikut më 1894. Sepse kështu, me kësisoj dëshmorësije, shërohej atëhere plaga e dhimbëshme e ndarjes Shqiptare, sikundër sot e nesër e në gjithë kohën e kohrave. Që të ndritet sa vete më shume fjala e Vjershëtorit të Rilindjes, që është Dhiata e gjithë Dëshmorëve.

     “Si trashëgim ju lemë shpirtin t’onë” *          

Sipas tregimeve dhe dokumentimeve që paraqitmë këtu lart mi vjetërsinë e shkollave më të para shqipe në Atdhe, duket kulluar dhe qëndron pra në mes të ditës se shkolla e parë kombëtare e Shqipërisë është çelur më 7 Mars 1886 në Korçë, kurse e dyta, dyke qënë vazhdonjësja e përnjëherëshme dhe e drejt-për-drejtëshme e asaj së Korçës, është Shkolla Shqipe e Pogradecit, e çelur pikërisht më 14 Mars 1887. Shkollat shqipe të tjera nër katundet e rrethit të Korçës (Kolonjë, Vakëf) të hapura prej Kollonisë Shqiptare të Bukureshtit, nuk vijnë sipas datës kronologjike përveç se në radhën e tretë-më von në këtë rradhë-me qënë që hapja e tyre bje, siç thamë, mezi më 1890-1893 domethënë pas katër dhe pas shtatë vjetësh tëhu. E theksoj këtu këtë fakt, me rastin e rrëfimit të istorisë shkollore kombëtare shqiptare, sepse lënia mënj’anë e Shkollës Shqipe të Pogradecit është një padrejtësi e dhimbëshme që i-u ka qënë bërë Pogradecit dhe Pogradecarëve, të cilët gjithmonë, dhe që në fillimin më të parë, kanë mbushur me të plotë detyrën e vet ndaj atdheut. Këtë detyrë ata e kanë mbushur me punë dyke e lënë në heshtje kurdoherë që ka ngjarë, jo vetëm me çështjen e shkollës shqipe dhe të mësimit shqip, po dhe me krijimin e Klubit shqiptar të tyre dhe të pjesëmarrjes aktive me çetat e lirisë dhe me luftonjësit e pavarrësisë.

Shkronjësi i këtyre serëve e ndjen për barrë të lehtë shpalljen e kësaj së vërtete istorike sot rastësisht me dy-tri fjalë, dhe do t’a ndjejë për barrë edhe më të lehtë nesër me gjithë rrëfimin dhe dokumentimin e nevojshëm i cili pret gati që prej kohe.

Dyke u hapur shkolla shqipe e Korçës – siç pamë përmes aq mundimesh dhe intrigash dhe mjerimesh – shoqërisë Shqiptare të Kollonisë së Bukureshtit i-u hap dhe asaj një përkujdesje e re, një vepërim tjetër. Mësonjëtorja së cilës ajo i-a çeli dyert me aq therrorira gjer tashi, kish nevojë për libra. Hapi i saj i parë që ish aq i thjeshtë dhe i pakët, u rit dhe u shumëzua për dita me shumë energji, për hir të propagandës së pathyer të Kryeveteranëve. Që më 7 Mars 1886 kur u çel shkolla gjer më 20 Qershor 1902 kur u desh, pas vojtjesh së skëterrshme, të mbyllet dhe të pushojë hë-për-hë, ajo pat kërkuar një ushqim të panginjur dhe të pashuar lënde mësimi, librash, fletoresh dhe ndihmash të ndryshme shkollore, të cilat plotësoheshin kryesisht nga gjiri i pashterur i Kollonisë. Kollonija që i dha shpirt asaj shkëndije së ndritur në mes të vëndlindjes, kish kujdes dhe t’a përmbajë me jetë. Dhe jeta e Shoqërisë, asikohe, pra dhe shkollës, ishin librat, librat shqip. Shtypja e këtyreve kishte hyrë në udhë përfundërisht me anën e Shtypshkronjës, po ato, aq sa botoheshin dhe ashtu siç botoheshin, mezi qenë pakmos të mjaftuarshme për lexonjësit e lirë, kur se tashi me hapjen e shkollës puna duhej shtuar dhe përshtatur pas qëllimit. Dilnin më parë librat e Kollonisë nga shtypëshkronja sidokudo, pa sgjedhje, pa kriter, tashi nevoja shtynte medoemos për libra mësimi, për libra shkollorë. Dhe këto libra duheshin dërguar veç kësaj dhe midis shume reziqesh gjer në Shqipëri brenda, gjer në Korçë. Më  parë u shtypnë prej Kollonisë, për këtë qëllim, katër soj libra shkolle, domethënë një Abetare, një Shkronjëtore, një Numurëtore dhe një libër me Këndime. Po krahas me këtë veprimtari botimesh, shoqërisë së Kollonisë i-u desh të zhvillojë me shumë kuptim dhe një sipërmarje tjetër, të mbushur me gjithë mundësirat e reziqeve: librat shkollore kështu të shtypura ish nevoja të dërgohen për në drejtimin e tyre, dhe t’a harijnë atë drejtim. Sepse ish èdhe koha e tiranisë, dhe ajo që ndalohej për Shqiptarët qe pikërisht mjeti i ndritjes dhe i mësimit. Librat e tjera të Kollonisë, të shtypura përpara hapjes së shkollës shqipe, me qënë që nuk dilnin në dritë as për një qëllim dhe as për një vënd ose qytet sidokudo të caktuar, dërgoheshin dhe hynin me më pak vështirësi në Atdhe. Ato kishin një kriter propagande kombëtare dhe si të tilla mirrnin sa me të dalë udhën e mirëregulluar të tyre. Dërgoheshin fshehtas me mjetin e rëndësishëm të kontrabandës, shumë herë me postat e Legatave dhe Konsullatave të shteteve të huaj që gjindeshin asikohe nëpër Turqi. Po dhe futeshin me kujdes brënda plaçkash vetijake me anën e miqve patriotë dhe besnikë, të cilët kalonin skelat dhe qëndrat e tjera doganore dhe të kontrollit të Turqisë. Si i bëhej çështjes tashi, që shkolla shqipe u hap dhe u hap në një qytet të ditur dhe librat, që kërkoheshin sa vinte më shumë prej këmdonjësve të saj, duheshin dërguar pikërisht në atë qytet? Të shumta ishin përpjekjet dhe mundimet e Kollonisë për dërgimin e librave në Atdhe, ajo i-a kish dalë qëllimit kurdoherë, èdhe dyke interesuar financërisht organet e shërbimit të fshehtë qeveritar, po tashi gjindja qe qërmbysur. Sepse më një anë qeverija otomane kish lejuar me një lejë të veçantë hapjen e shkollës shqipe të Korçë, e më anën tjetër ajo nuk lejontë dërgimin e librave të botuara për atë shkollë. Leja ishte siç pamë private, e lëshuar mi emrin e mësonjësit të parë dëshmor Pandeli Sotirit, dhe organet e kontrollit nuk deshin t’i-a njohin shkollës karakterin zyrtar; kështu që mjerimi i Kollonisë vazhdonte dhe tashi, pas fitimit të shkollës, me gjithë rrjedhjet e ngatërruara të çështjes. Shtegu, që ngjante i pakapërxyeshëm, u hodh dhe tashi si kaq herë pas një ndërhyrjeje stili të math ku burrat e Bukureshtit ishin rrahur e të regjur më së miri. Ndërhyrja përkiste së drejtazi Qeverinë, po Kollonija hoqi dhe kësaj rradhe udhën e tërthortë me anën e ministrit turk në Bukuresht. Ky, i mbështetur në Stamboll nga ndërmjetësimet vetore të anëtarve të Shoqërisë së atjeshme, dyke ardhur në kryeqytetin rumun solli dhe lejen e shumënevoitur dhe të shumëpritur të hyrjes së librave shkollore shqipe të Kollonisë shpenguar në Shqipëri. Dhe kësisoj filluan të harijnë në Korçë paqetat e para, kur më të mbëdha kur më të vogla, të librave të shtypëshkronjës shqiptare të Bukureshtit, të më së parës shtypëtore kombëtare, të shkruara dhe të ndrequra me dhemsuri për qëllimet e shenta të më së parës shkolle kombëtare të Shqipërisë. Njerëzit e lidhjes, midis Bukureshtit dhe Mëmëdheut, të cilëve i-u drejtoheshin paqetat dhe arkat e librave bënin në këtë vepër një detyrë të rëndë vetmohimi dhe ata siguronin me besimin e vet gjithë sipërmarjet me karakter kombëtar. Shumë herë kushtimi i tyre për çështjen e shentë shpërblehej me therrorinë e vetëvetes, siç ngjau me dëshmorin e math Spiro Kosturin që vulosi me gjakun e tij lëvizjen dhe mësimin shqiptar të Koçës, dhe siç ngjau gjithashtu me dëshmorin jo më të vogël Gjokë Pleshishtin që vulosi me gjakun e tij lëvizjen dhe mësimin  shqiptar të Pogradecit.

Me hapjen e Shkollës Shqipe të Pogradecit, që ngjau siç thamë një mot pas asaj së Korçës, më 14 Mars 1887, vepërimtarija e shtypëshkronjës në Bukuresht u dëndësua edhe më shumë se përpara, dhe kjo vërrehet në mënyrë të dukurshme nga numuri i librave të përdorura në atë shkollë, të shënuara me kujdes prej nxënësit të saj të vitit të parë, Mito Ndinkë Gusho, djali më i math i Ndinkë Gushos. Mito Gushua, që kish një kujtesë të jashtërendshme dhe çuditërisht të përpiktë-një kujtesë absolute-na ka lënë shënim për gjithë librat e përdorura në Shkollën Shqipe të Pogradecit si dhe për çdo paqetë dhe arkë dyke mos lënë mënjanë sjellësin përkatës nga Rumanija në Pogradec. E dhimbëshme dhe e tmerrshme është faqja ku bëhet fjalë shkurtas mi dëshmorin kombëtar të Pogradecit, Gjokë Shqiptarin nga Pleshishti i Potkozhanit të Mokrës, i cili u dogj i gjallë prej armiqve të Lirisë kombëtare, pak ditë passi kish dorëzuar në Pogradec një arkë me libra shqip nga shtypëshkronja e Bukureshtit, dyke ardhur nga Konstanca. 

Për librat dhe nxënësit, si dhe për hollësirat e tjera ku çvështillej çështja e gjuhës dhe e Lirisë kombëtare në Pogradec më qarkun e tij, do të parashtrojmë lajmet e vëzhgimeve t’ona në një monografi të veçantë, rreth Shkollës Shqipe të Pogradecit. Nuk po durojmë së përmënduri këtu më-të-shkruar tre emra të çmuara brenda lëvizjes së shkollës, Istref Be Starovën nga Pogradeci, Riza Be Minarollin nga Pogradeci, dhe Kajo Babjenin nga çetat e Lirisë, përkrahës të vlefshëm që të tre të shkollës së vëllezërve Ndini dhe Sotir Gusho.  

Filed Under: Histori Tagged With: Lasgush Poradeci, Pogradec 14 Mars 1887, Shkolla shqipe e Pogradecit

ISHA MËSUES

March 7, 2021 by dgreca

-nga Visar Zhiti- Gazeta Dielli*

Në nderim të mësuesve të mi dua të kujtoj e të tregoj dhe unë…

Isha mësues në një fshat të largët të Kukësit, kur më arrestuan. Në sallën e gjyqit, kur më dënuan me 10 vjet burg per poezitë e mia, midis të pranishmëve të shumtë si spektatorët në teatër, kishte dhe kolegë të mij, një pjesë me dolën dhe dëshmitarë, por një tjetër, mësues dhe ai, mik imi, më bëri një shenjë fshehurazi, vendimtare per mua, tundi grushtin nga larg, “qëndro!”, deshi të më thoshte, e kam shkruar, dhe ashtu bëra, por ata që më mallëngjyen së tepërmi ishin nxënësit e mij, rreshti i tyre në krye, kokëulur nga dëshpërimi, nuk desha t’i zhgënjej, ata më frymezuan të arrij të them fjalën time të fundit në gjyq: 

…isha mësues, na krahasojnë me pishtarët e dritës, që krahas flakës, kanë dhe tym. Për të hequr tymin, mos shuani flakën… 

Më hodhën prangat dhe më çuan në burg. Atje gjeta dhe mësues të tjerë, pedagogë, profesorë, etj, shtynim vagonat me mineral si skllevër. 

Mësues e kisha patur dhe babanë, edhe atë e kishin dënuar. Edhe xhaxhai im mësues ishte, kur e vranë si nacionalist fitimtarët, me të marë pushtet. Dhe të birin e tij s’e lanë të bëhej mësues. Dhe vëllanë tim të madh e pushuan si mësues…

Në burg njoha dhe poetin Havzi Nelaj, mësues kishte qenë dhe ai dhe e varën në mes të Kukësit si armik. 

Të vrasësh mësuesit e tu? E tmerrshme!…

Vazhdonte tradita, mësues dhe burg.

Dhe 7 Marsi ishte shpallur si Festa e Mësuesit. Sepse në 7 Mars 1887 ishte hapur shkolla e parë shqipe në Korçë. Kryemësuesin e saj, Petro Nini Luarasin, do ta helmonin shovenët grekë. Në të gjithë perandorinê turke vetëm gjuha shqipe ishte e ndaluar… 

E përkujtonim dhe në burg 7 Marsin, ashtu mjerueshëm me njëri-tjetrin. Dhe thoshim se dhe mësueset e para, qe erdhen nga SHBA, Motrat Qiriazi, për të hapur shkollat e para të vajzave në Shqipëri, u persekutuan nga regjimi komunist. 

   Më të vjetrit në burg, që dinin më shumë, nga ata që qenë diplomuar universiteteve të botës, tregonin se shkollat shqipe ishin hapur dhe më herët, me shekuj, në Veri. Pse s’i kujtonin, apo kishin qenë shkolla katolike? 

Edhe universitet kishte patur, do të kerkonim të dhënat më vonë, kur të liroheshim dhe perandoria komuniste do të binte. Ja, “Universitas Studiorum Dyrrhachium, Albanian, Universiteti i Studimeve të Durrёsit, – vazhdon anglisht teksti – was a theological university, (Dyrrhachium), Albania… Medieval Kingdom of Albania…. – Shih, Mbretëria Mesjetare e Shqipërisë! – The university was established in 1380, and then transferred to Zadar in 1396…”, pra, gati 1000 vjet më parë universitet në Durrësin tonë, që 16 vjet më vonë do të shpërngulej në Zagreb, në Kroaci.

Pse s’kujtohen fakte të tilla? Pse kjo harresë e rënde, mpakje tronditëse e historisë? Kemi arsim të hershëm, pse e rrënojmë? Pse? Siç dhe shihet, në vendin ku burgosnin dhe vrisnin mësues, qoftë dhe një në fshatin më të humbur, jo më pastaj elitën, mund të ndodhë çdo e keqe…

Të besojmë te më e mira. Te institucioni i mësuesit! T’i kthehet forca dhe rëndësia kombëtare. Profesor Çabej thoshte se “mësuesi” nuk është profesion, por mision. Mësues ka qenë dhe Naimi, shkruante libra shkollorë, edhe De Rada, dhe Shenjtja jonë Nënë Tereza… Dhe Eda ime per mësuese studioi e punoi. Ne ashtu e nisëm, me atë pasion…

Le të bëhen të gjitha ditët “Ditë të mësuesit”, të dijes dhe dashurisë…

Filed Under: Histori Tagged With: Isha mesues, Visar Zhiti

Histori civilizimi

March 4, 2021 by dgreca

Nga Astrit LULUSHI/Njerëzit mund të jenë 1.8 milion vjet të vjetër. Por ne dimë se 500,000 vjet më parë ata gatuanin mishin në zjarr.
Rrënojat më të vjetra që janë zbuluar datojnë 10 mijë vjet pes., ose afërsisht 12 mijë vjet më parë, në Gobekli Tepe, në Turqinë moderne. Ka figurina të gdhendura dhe piktura shpellash edhe më të vjetra.
10,000 pes: Bujqësia u zbulua në Lindjen e Mesme. 
8,000 pes: Bujqësia u shfaq në Kinë. 
7,000 pes: Bujqësia mbërriti në Evropë. 
6000 pes: Qytetet më të hershme ishin Jericho dhe Catal Huyuk. 
3,000 pes: Qytetërimet e para komplekse u krijuan në Luginën Indus, Sumer, dhe Egjipt.
1,200 pes: Fundi i epokës së bronzit.
323 pes: Aleksandri i Madh vdiq.  
Periudha helenistike merr hov; kultura dhe fuqia helene zgjerohen deri në Lindjen e Mesme. 
229 pes: Fillojnë Lufrat Ilire – Romake.  
27 pes: Krijohet Perandoria Romake. 
476 : Bie Perandoria Romake Perëndimore. 
1453: Merr fund Perandoria Romake Lindore.
1480: Shteti i Arbërit bie plotësisht nën pushtimi Osman. 
1776: Revolucioni Amerikan. 
1940: Lufta e Dytë Botërore. 
1948: Fillon Lufta e Ftohtë. 
1989: Diktatura komuniste bie. 
2019: Shpërthen Pandemia Kovid. 
2021: Jeta vazhdon e pa sigurt me maska. 
Pra, fillimisht historianët mendonin se viti 3,000 pes vërtet shënonte fillimin e Qytetërimit. Pastaj u zbulua Gobekli Tepe dhe gjithçka ndryshoi. Gobekli, ndërtuar rreth vitit 10,000 pes – është më shumë se 3 herë më e vjetër se civilizimi më i vjetër. Struktura në Gobekli Tepe ishte po aq e vjetër për Sumerianët dhe Egjiptianët e parë sa është për ne sot.
Nga Sumeria antike deri tani është më pak se gjysma e historisë. Çfarë ndodhi nga viti 10,000 pes – 3,000 pes? Historianët nuk kanë asnjë fjalë për të thënë. Për më tepër, çfarë ndodhi nga viti 500,000 deri 10,000 pes? Përsëri, asnjë ide. Mund të ketë pasur civilizime të përparuara, luftëra masive, teknologji të reja – nuk dimë gjë. Mund të ketë pasur epoka të shumta bronzi. Kjo është kohë e mjaftueshme që Njerëzimi të arrijë standardet e sotme dhe pastaj të bjerë përsëri në jetën primitive. Njerëzit kanë qenë aq të përparuar sa jemi ne sot (ose më të përparuar) dhe pas një kolapsi të madh janë kthyer në gjendje primitive. Ky është super spekulim (nuk ka asnjë provë) dhe super e pamundur. Historia është studim i përvojës njerëzore, dhe një pjesë e mirë e saj ka qenë fatkeqësisht brutale. Nga e gjithë kjo periudhë, njeriu di vetëm 1 përqind, ndërsa 99 përqind e saj mbetet e panjohur. 

Filed Under: Histori Tagged With: Astrit Lulushi, Histori civiliximi

Gënjeshtra bëhet dhe ligj anti-Zot

February 9, 2021 by dgreca

Alfons Grishaj/ Kjo fjalë është trajtuar në shekuj nga filozofë, shkrimtarë, doktorë psiko-analistë etj.dhe çdo herë ka pasur një trajtë të re.Philetas of Cos, says: “What I am now saying is false. Is what he says true or false? If it’s true, it is false; if false is true (Modern Philosophy, Roger Scruton, P.- 402)Tek varri i këtij shkrimtari poet ka një epitaf: “Philetas of Cos am I, Twas the liar who made die and the bad nights caused thereby.”Në shoqërinë e dyzuar civile ,gënjeshtra shihet si mjet justifikimi, si grimcë romantike, trajtë humori, mjet përfitimi, mjet jetese, por që në thelb nuk ka asgjë pozitive, sepse, sjell humor shterpë (si të një “mikut” tim…), zhgënjim, pabesi, vuajtje…deri dhe krim.Disa hiqen sikur bëjnë bëma patriotike, por në prapavijën e këtyre bëmave është interesi dhe plaçkitja, dhe kur koha ia zhvesh qëllimin, ata quhen genjështarë !!!Ka njerëz që gënjeshtrën e bëjnë të vërtetë dhe të vërtetën gënjeshtër.Sot gënjeshtra na paraqitet me eufemizma:1-Gënjeshtra quhet “zbukurim!”.2- Shëmtia, “Bukuri e egër!”. 3- Dhuna, “Demonstrim paqësor!” 3- Vrasja, “Konflikt natyror!” 4- Plaçkitja, “Djersë arti!” 5-Polici,“Gjeneral!” 6-Nevojtorja, “Shkarkim poetik!” 7- Shkrepsja, “Televizor me ngjyra!” 8-Kastraveci, “Shkop magjik!” 9-Bukuria, “Aksident natyre!” 10- Grindaveci, “Llafolog modern!” 10- Shkarravina, “Posmodernizëm!”. 11- Nallbani, “ Qëndistar!”. 12- Çobani i dhive, “Kritik letrar”.13- Mashtruesi ordiner , “Vizionar!”.14- Gomari, “ Kalë i rracës arabe!” etj…etj )Do të sjell tre ilustrime të thjeshta për të definuar kur gënjeshtra bëhet krim, kur e vërteta quhet gënjeshtër, dhe kur ajo bëhet ligj:1-Kur pushtetari e kthen gënjeshtrën në pabesi dhe krim: Në fëmijërinë time pata lexuar një libër të vogël që quhej “Simboli Al”. Mendohej që njeriu i parë që zbuloi metalin e butë të aluminit jetoi në kohën e perandorisë romake. Zbuluesi zanatçi bëri një kupë prej alumini e luçidoi dhe ia dërgoi dhuratë perandorit të Romës. Kur Perandori e pa, u mahnit, metal i lehtë, i bukur, i paparë më parë. I premtoi zbuluesit që do ta mbante afër dhe të punonte nën mbikqyrjen e tij, por e gënjeu. Ai, pasi e vrau, ia shkuli zemrën nga gjoksi, e mbushi kupën e lehtë dhe të shkëlqyer me të duke e groposur së bashku zbuluesin dhe misterin Al. Perandori mendonte që shpikësi i metalit do bëhej i famshëm dhe më i pasur se ai dhe mbase do i rrezikonte një ditë fronin, prandaj dhe e gënjeu mjeshtrin me fjalë të bukura deri sa i mori jetën, duke varrosur dhe shpikjen e tij.(a)- Një herë e një kohë, në spitalin e burgut Tiranë u njoha me një person me emrin Ali. Pas një informacioni të gënjeshtërt(nga një “mik”, anëtar partie), Aliu kish vrarë gruan në mënyrë mizore. Pas krimit ai u arrestua dhe u dërgua në psikiatri në pavionin 7 të burgut. Që nga dita e arrestimit, ai nuk fliste dhe nuk hante. Sillej si një skizofren katotonik. Të gjitha përpjekjet e mjekëve për ta bërë të fliste nuk patën dobi. As presionet dhe seancat e elektroshokut nuk ndikuan që ai të hapte gojën. Kishin kaluar rreth 35 ditë që nuk kishte futur gjë në gojë përveç ujit. Një natë çohet nga shtrati dhe afrohet pranë krevatit tim. Lëviza pak jastëkun e vendosa pas shpine duke u ngritur ndenjur:- Vlla çfarë nevoje ke ?- Un’ nuk i besoj asnjenit në kët spital përveç teje…se dhe ti je i heshtun si un, – filloi “vrasësi” dhe vazhdoi më tej, – un’ kam vra grun se m’tha nji shok partie qi gruja jeme ka shku me drejtorin. Nuk ia fali vetit, prandaj jam tue u fik ngadal. Por çka m’dhem ma tepër asht se kur isha tue e kput në kmes, ajo m’ tha: “Ali, po m’vret kot se kurr n’ jet nuk t’ kam trathtu, e Zoti e vraft at’ qi t’ka rrejt se dhe sot qi po m’ vret… prap të du!”. Aliu u ndal për disa sekonda… fshiu lotët prej syve dhe vazhdoi. – Ajo ka pasë dhimbje ka pas dhimbje të madhe…, para se me dekë … theu dhe nji dru sa dora jeme tue u kap për të. Nuk m’ hjeket prej syve kur isha tue e pre në kmes, prap ishte e bukur … O Zot…! Sa do t’ ket vuejt… e un prap jetoj?! Unë nuk e shikova me çudi, sepse jeta më kishte mësuar ta jetoja kohën dhe vendin si filozof! Isha i ftohtë si akulli i mëngjezit në acar. Por në atë kohë, kjo akullnajë që më pat rrethuar nuk më pengonte që të isha logjik dhe i pajisur me një fantazi pa limit. Qe koha e paradokseve, kur krimi shtetëror ishte në çdo qelizë të jetës. Me anë të autosugjestionit ia pata ndaluar vetes sentimentalizmat, duke çimentuar flegmatizmin tim.E parafytyrova këtë skenë sikur të isha i pranishëm.Dhe pse isha i ftohtë, më theri në shpirt duke parë vdekjen e dhimbshme të asaj nuseje të re si shtojzovalle, që sikur të ishte Alfred Hitchcok nuk do ishte në gjendje të ma sillte aq të gjallë figurën e saj sa ma solli nënqenia ime. U çova në këmbë duke i thënë:- Ali ke bërë një mëkat të madh! Nuk e di… nuk e di…por ti nuk je budallë … që me vra me thashetheme të rreme njeriun më të dashur? A mos vallë ky miku jot anëtar partie, e ka ngacmu gruan tënde për vete dhe ka pas frikë se po të tregon ty e prandaj të futi në këtë qorrsokak, sepse tek unë nuk ka pikë kuptimi tjetër…? – Jo more burr, se e kam shok! – U përgjigj ai. Nuk munda me e dëgju më, sepse m’u duk se ishte dhe viktimë e indoktrinimit. Në atë kohë po të dyshoje tek“shokët” e Partisë qe dhe krim, kur vetë Partia e Punës ishte nëna e krimit. -Shko të lutem tek shtrati e mundohu të mbledhësh veten, – iu drejtova, duke i lënë të kuptojë se biseda jonë kish kryer. Aliu m’i nguli sytë e lodhur, uli kokën duke çapluar tek shtrati i vet. Më vështroi dhe njëherë sikur do të hetonte çfarë mendoja dhe pa u shtrirë u mblodh kruspull, duke humbur në botën e pendimit, dyshimit… apo, mbase mendonte sedo ish mëmirë të ndëshkonte gënjeshtarin se gruan e tij…?! Nuk pata dëshirë ta zgjasja bisedën. Biles as të nesërmën, as ditën tjetër nuk i fola. Kisha dëgjuar e jetuar shumë ngjarje të vështira, por kjo më dukej krejt pa kuptim. Siç duket ajo qe biseda më e shkurtër e jetës, por që m’u ngulit thellë deri më sot, e të cilën vendosa ta ndaj me lexuesin.Pas dy ditësh, Aliu u çua në këmbë me hodhi një vështrim…(sikur do më thoshte lamtumirë…) dhe me ato pak fuqi që i kishin mbetur u gjuajt me kokë në qoshe të murit, duke dhënë shpirt!E dija se do të vdiste, por nuk e kisha menduar se ajo qe zgjidhja e tij më e shpejtë. Agronit, shokut tjetër të dhomës,me të përjetuar atë skenë me gjak,i ra të fikët. Ia mbylla sytë dhe u luta për të dhe të shoqen…, dy shpirtëra, viktimë e monstrës gënjeshtër. U luta që ta falnin njëri-tjetrin dhe të bashkoheshin në amshim! Kur erdhën policët dhe “doktorët” u shprehen pothujse njësoj: “ Një qen më pak!” Unë i korigjova:-Jo! Një shpirt më pak që i shpëtoi jetës së gënjeshtërt…! Qenjtë porsa erdhën!. Ato fjalë më kushtuan pak, por asnjëherë nuk u pendova. Tash unë jam i sigurt që çifti i sakrifikuar nga fabrikimi i gënjeshtarit (anëtarë partie) është nën kujdesin e Zotit, dhe gjithashtu besoj se gënjeshtari i truar do ta ketë kaluar një ferr mbi tokë dhe ende digjet në flakët e ferrit, sepse atje ku ka përfunduar, nuk ka parti që ta mbrojë!2-Kur Injoranti dhe shpirtligu e quan të vërtetën, gënjeshtër :Në vitin 1917, në Fatima të Portugalisë, Virgjëresha Mariu shfaqet tre fëmijëve:Lucia dos Santos, Francisco dos Santos dhe Jacinta Marto. Ajo uparaqitet e madhërishme e rrethuar me aureolë më brilante se vetë dielli. Virgjëresha Mari kish veshur një mantel të qëndisur anash me ar dhe mbi duart e mbledhura në gjoks i shndrisnin rruzaret. Ajo i kërkoi fëmijëve që ta donin Trininë e Shenjtë dhe të luteshin përditë me rruzare për të pushuar lufta dhe të kthehej paqja në botë.Kalvari i fëmijëve filloi në momentin që Jancinta i tregoi prindërve… Dhe pse besimtarët shkonin në Kishë dhe besonin në Jezu Krishtin, tregimin e fëmijëve e morën si gënjeshtër. I vetmi që i besoi fëmijët ishte Father Ferreira. Lucia u zgjodh nga Zoja e Bekuar si përçuesja e porosive . Shenjtorja Mari i kërkoi Lucias që të mësonte për të lexuar dhe shkruar për të kuptuar misionin e shenjtë që ajo do të përçonte. Megjithatë shumë njerëz përfshirë dhe Ipeshkvin , Kryetarine Bashkisë…, i quanin fëmijët gënjeshtarë. Lucia nuk dorëzohej : “ Zonja që kemi parë është e vërtetë! ”Duke parë mosbesimin e njerëzve , Lucia i kërkoi Nënës së Krishtit të bënte një mrekulli sepse njerëzit nuk i besonin dhe i quanin gënjeshtarë. St.Mari u premtoi fëmijëve një mrekulli. Lucia u tregoi “besimtarëve” dhe jobesimtarëve që Engjëlli që fliste me ta do të bënte një mrekulli.Me 13 Tetor 1917, u mblodhën në Fatima mbi 70 000 mijë vetë. I pranishëm ishte dhe Kryetari i Bashkisë(që ishte dhe mosbesuesi më i madh i fëmijëve) së bashku me Ipeshkvin, i cili i“torturoi” fëmijët me pyetje dyshimi. Sepse ai mendonte sesi ishte e mundur që Zoja nuk i qe shfaqur atij, njeriut të devotshëm të Kishës, por i ishte shfaqur fëmijëve?! Me 13 Tetor “dilema” mori fund. Atë ditë ishin mbledhur gazetarë, fotografë, reporterë. Mrekullia ndodhi…, dielli lëvizi në pozicione të ndryshme ku dukej sikur do e përpinte tokën. Disa u lebetitën, disa u gjunjëzuan duke u lutur, disa ia dhanë vrapit! Pra, u desh të ndodhte “Mrekullia e Diellit” që njerëzia të besonin fëmijët, që deri atë ditë vuanin mbi supet e tyre epitetin “gënjeshtarë”, dhe nga të “tillë”, u kurorëzuan me lule!Kur ishim të vegjël, prindërit na mësonin se gënjeshtra është e shëmtuar… se i kishte këmbët e shkurtëra. Ndërsa mësues dhe mësuese ndëshkonin duart e fëmijëve me shkop, kur fëmijët nuk justifikonin të thënat sipas logjikës të rriturit,apo kur tek “zojusha” apo “zoti”, tingëllonte gënjeshtër, si në rastin e ngjarjes në Fatima. Me këtë lloj ndëshkimi primitiv, mësuesit përpiqeshinta ndalonin me dhunë fenomenin që dëmtonte në rritje e sipër formimin psikomotor të fëmijës, (sepse ata nuk e kuptuan kurrë se dhuna është gënjeshtra e paqes), kur në të shumtën e rasteve ndodh e kundërta: fëmijët që ballafaqohen me dhunën fitojnë instiktivisht refleksin negativ të dhunës.3-Kur politikani e bën gënjeshtrën ligj anti-ZotPara se të zgjidhej President, Joe Biden, e quante firmosjen orderave të pakonsultuar(konsensual) ekzekutiv, diktat! Ndërsa vetë ai, në dhjetë ditë firmosi 25 të tillë dhe pse presidentët e mëparshëm nuk e kalonin numrin (6) gjashtë. Ndër këto urdhëra ekzekutiv…“lulëzoi” një më i shëmtuari në historinë e njerëzimit, ai që meshkujt transgender të mund të garojnë me femrat në kampionatet e tyre. Asnjëherë nuk më ka shkuar ndërmend një shëmti e tillë, një gënjeshtër diabolike ku i jep fund natyrës së seksit femër, të drejtës saj natyrale për të treguar aftësitë fizike në sporte të ndryshme. Shkencërisht dhe bioligjikisht, mashkulli është fizikisht disa herë më i fortë se femra, ndërsa teologjikisht jepet shpjegimi se Krijuesi e bëri femrën nga brinjët e mashkullit dhe jo nga toka siç e bëri mashkullin. Parë nën optikën e ligjeve hyjnore, femra, nëna e njerëzimit (siç bëri dhe Nëna e Krishtit, kur gjunjëzoi mbi shtatëdhjetë mijë vetë në Fatima, dhe pse përdori fuqinë hyjnore dhe bëri një mrekulli të tillë, nuk mund të bëhet kurrë Krisht!) është bërë për të qenë e ndryshme nga mashkulli. Kështu sado e fuqishme të jetë natyra muskulare e femrës, ajo mbetet në raport me mashkullin gjithnjë fluide… pjalmi i jetës! Po si mund ta quaj këtë “krater-ligj” që më ka prekur thellë në ndërgjegje e shpirt: çmenduri… shpirtligësi… hanrakllëk…? Ky është ligji degjenaritiv…më anti-njerëzori në historinë e njerëzimit dhe emëroi me bindje të plotë e quaj: Ligji anti-Zot!Në jetën time i kam takuar të gjitha llojet e sojit njerëzor dhe përvoja më ka bërë të konstatoj që më i shëmtuari dhe më i ndyri është… gënjeshtari!

Filed Under: Histori Tagged With: alfons Grishaj, Genjeshtra, Ligj-anti-Zot

Shkollat shqipe në Mërgatë- Konferenca tre-ditore e AADLC mbi metodat e mësimit në distancë

February 1, 2021 by dgreca

Nga Marjana Bulku – Nju Jork /

Konferenca virtuale mbi metodat e mësimit online organizuar nga Drita Gjongecaj, drejtuese e Albanian American Dual Language & Culture dhe shkolla shqipe “Children of the eagle” zhvilloi në tri të shtuna radhazi një serial trajnimesh mes mësuesve profesionistë të disa shteteve të Amerikës, Gjermanisë, Anglisë, Belgjikês, Suedisë, Italisë, Turqisë, Greqisë ku spikati interesimi i lartë, komunikimi i ndërsjellë dhe përfitimi reciprok.

Dita e tretë e kësaj konference u hap nga ideatorja dhe organizatorja e kësaj veprimtarie, zonja Drita Gjongecaj, e cila përmblodhi në mënyrë konçize  dy takimet e mëparëshme dhe shpalosi prezantuesit e takimit të tretë të rradhës. Hegland  Doçi, mësues i arsimit të mesëm në Nju Jork prezantoi detaje të reja të Platformës Google Forms, hartimin e pyetsorëve, dhe përfitimet praktike të këtyre formave gjatë të mësuarit online.

Mësuesja Holta Ahmataj, drejtuese metodike në arsimin publik Nju Jork, shtjelloi platformën Google Meet, kombinime me aplikacionin jam board çka u ndoq me interesim nga ndjekësit e shumtë. Nuk munguan pyetjet dhe sqarime të hollësishme.

Takimi u ndoq nga mësues dhe jo vetëm, deri në Kanada ku nuk munguan vlerësimet dhe përshëndetjet e Dr. Ruki Kondaj, presidente nderi e Shoqatës së Bashkësisë shqiptaro-kanadeze.

Aida Haziri shtjelloi në mënyrë praktike platformën Zoom përmes shembullit dhe materialeve nga gjeografia duke iu qasur vendeve dhe njohurive mbi trevat tona amë (Kosova).

Ky seminar tërhoqi vemendjen aktive të rreth 100 pjesmarrësve të cilët u njohën me platforma bashkëkohore, metoda dhe mbi të gjitha me kolegë nga tërë bota duke konsoliduar kështu rrjetëzimin mes mësuesve profesionistë çka duket një nevojë dhe domosdoshmëri e kohës. 

Ky set trajnimesh solli një përmasë cilësore kushtëzuar nga pandemia por derivuar nga serioziteti, përkushtimi dhe profesionalizmi i Drejtueses Drita Gjongecaj dhe stafit me të cilin ajo bashkëvepron prej pesë vitesh në Nju Jork. 

Mesazhet e pjesmarrësve ishin të panumërta, mësues në pension, mësues të rinj, folën e chatuan duke vërtetuar vlerat e gjithanshme që ky komunikim solli. Mjaft prekëse ishin përpjekjet e mësuesve të Greqisë, (mësuese Kristinës e cila ndonëse në pension nuk ndalet së edukuari me shqipen), të cilët krahas dëshirës për t’ju mësuar gjuhën shqipe shqiptarëve që lindin dhe rriten atje, ndeshen me problematika unike të cilat e kanë të nevojshme vëmendjen njerëzore dhe atë institucionale.

Konferenca tre ditore virtuale mbi metodat e mësimit online të gjuhës shqipe është pjesë e Seminarit mbi perspektivat e mësimdhënies së gjuhës shqipe në Diasporë që Drita Gjongecaj, Albanian American Dual Language & Culture dhe shkolla “ Children of the eagle” zhvillon për tri vite me rradhë.

Takimin e mbylli zonja Gjongecaj e cila falenderoi ndjekësit duke ju siguruar atyre edhe çertifikimin mbi pjesmarrjen në këto tre seanca edukimi metodologjik me kaq shumë vlera dhe efektive.

Filed Under: Histori Tagged With: AADLC, Drita Gjongecaj, Konference 3 ditore, Marjana Bulku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 261
  • 262
  • 263
  • 264
  • 265
  • …
  • 738
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • MURI I BERLINIT RA, POR MURET POLITIKE DHE IDEOLOGJIKE MIDIS SHQIPTARËVE VAZHDOJNË TË QËNDROJNË
  • Dy “Qemalët” e mëdhenj që themeluan dy shtete mbi rrënojat e një perandorie
  • THANK YOU to the City of St. Petersburg and Chief Anthony Holloway for Supporting Albanian School VATRA!
  • A egzistonte koncepti i kombit në kohën e Skënderbeut?
  • Dardane Halimi: “ALB Connection was created to give every Albanian-owned business in America a voice and visibility”
  • KRIJIMI I NJERIUT TË RI: NGA IDEOLOGJIA KOMUNISTE TE KULTURA E PËRFITIMIT NË SHQIPËRINË E SOTME!
  • Transpozimi poetiko-dramatik i veprës “Trungu ilir” të Sabri Hamitit
  • Mirëqenia mendore dhe shëndeti i sistemit tretës
  • SKËNDERBEU DHE ALFONSI I ARAGONËS: KËNDVËSHRIME TË TJERA
  • Ismail Qemali mes hafijeve dhe gjeopolitikës: Botohet për herë të parë letra e panjohur e vitit 1902
  • 8 nëntor 1462 – Dita e shkrimit të “Formulës së Pagëzimit” nga imzot Pal Engjëlli
  • GJON MILI – IMAZHET PA FORMË DHE ONEIRIZMI POETIK
  • Nëntori i historisë dhe i kujtesës kombëtare
  • FILATELIA PËRBALLË HISTORISË – 118 VJET NGA KONGRESI I MANASTIRIT
  • Portreti i një intelektuali …

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT