• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kongresi i Lushnjës-Jetësim i pavarësisë së Shqipërisë

January 23, 2020 by dgreca

Kongresi i Lushnjës-Jetësim i pavarësisë së Shqipërisë, gur themeli i parlamentarizmit. /

– Me rastin e 100 vjetorit/

Shkruan: Ekrem Spahiu * /

Pas afro 8 vjetësh pikëpyetjesh për ekzistencë që nga themelimi i shtetit shqiptar, Shqipërisë i duhej një institucion shpëtimi. Për më tepër, si shtet evropian, duhet të orientohej për nga institucionet evropiane, përndryshe do të mbetej e huaj për Evropën. Vullneti kombëtar e kërkoi që ky institucion shpëtimi e orientimi të ishte Kongresi i Lushnjës.       

Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë më 1912 është zhvillimi më madhor në historinë e kombit shqiptar, sepse përbën zgjidhjen e çështjes jetike të fatit të ekzistencës së mëtejshëm të kombit përmes aktit të pavarësimit dhe krijimit të shtetit si instrument i fuqisë dhe i përfaqësimit të tij.

Evropa e formësuar më së shumti mbi ekuilibrat gjeopolitikë dhe më pak mbi vlerat, do ta linte Shqipërinë jo vetëm të përgjysmuar, por edhe e dyshuar për t’u vetëqeverisur. Prandaj qeverisjen e saj do t’ia besonte një të huaji, gjerman, qeverisja e të cilit nuk do t’i shpëtonte dot pështjellimeve të pamëshirshme të Luftës së Parë Botërore. Në këto pështjellime, Traktati i fshehtë i Londrës i vitit 1915 do t’i vinte vulën e asgjësimit edhe asaj Shqipërie gjysmake që kishte mbetur.  

Në këto rrethana, intuita kombëtare do të rizgjohej. Kongresi i Durrësit i vitit 1918 do të ishte një përpjekje për ta mishëruar këtë nerv të kombit, duke riafirmuar shtetin, edhe pse me përfaqësim të cunguar.

Një vend vlerash si SHBA dhe Presidenti i saj vizionar Uillson, në Konferencën e Paqes të vitit 1919 në Paris do të bëhej mburoja e kombeve të vegjël, midis tyre edhe kombit shqiptar. Sidoqoftë, si çdo komb edhe shqiptarët duhet t’i rimerrnin vetë në dorë fatet e tyre dhe kjo orë erdhi në Kongresin e Lushnjës, i cili u mbajt më 21 janar 1920.

Kongresi i Lushnjës ribashkoi firmëtarë të pavarësisë, emra të njohur të elitës kombëtare, të patriotizmit tradicional shqiptar, fetarë e intelektualë nga të gjitha trevat e Shqipërisë: Sulejman Delvina, Iljaz Vrioni, Abdi Toptani, Ndoc Çoba, Aqif Pashë Elbasani, Luigj Bumçi, Mehmet Konica, Dr. Turtulli, Hoxhë Kadria, Sotir Peci, Ali Riza Kolonja, Eshref Frashëri, Idhomene Kosturi, etj. Mbi këtë bazë të gjerë përfaqësuese, në vazhdën e vendimeve të Kuvendit të Vlorës, vendimit të Konferencës së Ambasadorëve të vitit 1913 dhe të statusit të përcaktuar ndërkombëtarisht për qeverisjen e shtetit shqiptar nga Princ Vidi, Kongresi rikonfirmoi vijimësinë e formës së regjimit. Derisa të zgjidhej çështja e mbretit, u vendos të krijohej “Këshilli i Naltë”. Ky Këshill do të përfaqësonte kryetarin e shtetit shqiptar deri sa ky, ashtu si edhe forma e regjimit, të përcaktoheshin përmes thirrjes së një asambleje kushtetuese. Me krijimin dhe përbërjen e Këshillit të Naltë, kongresi përcolli mesazhin e gjithëpërfshirjes – një kriter ky i domosdoshëm për një qeverisje legjitime.

Paralelisht, Kongresi zgjodhi edhe një Këshill Kombëtar, (i cili u quajt edhe senat), i përbërë prej 37 antarësh me atributet e parlamentit. Nisur nga fakti që ky Këshill plotësonte funksionet e parlamentit, me të drejtë vlerësohet se me këtë zhvillim historik fillon edhe historia e parlamentarizmit në Shqipëri.

Kongresi zgjodhi qeverinë e re të kryesuar nga Sulejman Delvina, në përbërje  të së cilës përfshihen Ministria e Brendshme, Ministria e Luftës dhe një sërë ministrish të tjera të domosdoshme për një qevrisje të kohës, si institucione bazë për realizimin e politikave të qeverisë, duke i dhënë kështu kuptim atributit shtetëror të  sigurisë së brendshme dhe të jashtme.

Kongresi i Lushnjës hodhi bazat e sigurta për një qeverisje përfaqësuese të spektrit kombëtar, e dalë vetëm nga organet legjitime të popullit shqiptar dhe me shkallën më të lartë të besueshmërisë. Kongresi e rikonfirmoi Shqipërinë plotësisht nën juridiksionin e vet politik dhe administrativ, duke hedhur një hap vendimtar për sigurinë e zbatimit të politikave të vendosura prej tij.  

Ndër vendimet kryesore të Kongresit ishte edhe hartimi edhe miratimi i një dokumenti (Statuti i Lushnjës), për funksionimin e Këshillit të Naltë dhe pushteteve të tjera. Nisur nga gjerësia dhe përmbajtja e këtij Statuti, mund të thuhet se ai përbën kushtetutën e parë të shtetit shqiptar. Shpallja në atë Statut e Tiranës si kryeqytet, përbën një dimension të ri qeverisjes së shtetit shqiptar, në ndryshim nga paraardhësit, të cilët konsideronin të tillë rezidencën e vet.

Kongresi, duke i apeluar zyrtarisht botës – përkatësisht Konferencës së Paqes, për njohje të shtetit shqiptar, tregoi se populli shqiptar kishte themele e kapacitete, si dhe detyrim për të jetuar në paqe e harmoni me të gjithë popujt. Prandaj nuk kishte arsye t’u drejtohej me lutje apo me kërkesë si shpërblim.  “Shqipnia nuk ka tjetër pretendim veçse me zanë nji vend në Gadishullin Ballkanik, tue i dhanë fund mizerjes, për të gëzue nji jetë në paqe e në harmoni me shtetet fqinjë.  .. Shqiptarët janë gati me ba çdo lloji sakrifice, edhe me derdhë pikën e fundit të gjakut të tyne kundër çdo veprimi që mundohet me vu në rrezik pavarësinë e Shqipnisë e të tansisë tokësore” – thuhej në telegramin e Kongresit drejtuar Fuqive të Mëdha.  

Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës i kushtoi vëmendjen e duhur pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Më 12 tetor 1920  u dorëzua kërkesa zyrtare. Asambleja e Përgjithshme e Lidhjes së Kombeve e pranoi Shqipërinë  më 17 dhjetor 1920 si antare të Lidhjes. Ky pranim kishte një rëndësi të dyfishtë, sepse me të ripohohej njohja ndërkombëtare e shtetit shqiptar dhe së dyti, pranimi përbënte aktin zyrtar të njohjes së qeverisë së Tiranës nga ndërkombëtarët.

Një Kongres vizionar si Kongresi i Lushnjës do të mendonte strategjikisht edhe për kryeqytetin e vendit, prandaj, mbi këtë bazë, vendosi Tiranën për kryeqytet të Shqipërisë. Mendimet që shfaqën disa delegatë, për të qëndruar në qytetin e Lushnjes deri sa të stabilizohej disi situata anarkike e krijuar nga qeveria e Durrësit, i kundërshtoi hapur Ministri i Brendshëm Ahmet Zogu, i cili iu drejtua delegatëve: “Vendimet e Kongresit do të zbatohen domosdo dhe pa vonesë. Kjo gjë lyp guxim dhe punë, prandaj unë po nisem për në Tiranë”. Pengesave që iu krijuan ai i kapërceu me guxim, trimëri dhe këmbëngulje: “Unë nuk njoh tjetër autoritet, përveç Kongresit të Lushnjës”.  

Për herë të pare Shqipëria u bë me një qeveri të ligjshme, të dalë nga vullneti i brendshëm, duke mbyllur kështu kapitullin e qeverisjes së Shqipërisë nga të huajt. Ajo u shpreh botërisht kundër çdo mandati apo protektorati të cilitdo shteti të huaj. Kongresi i Lushnjës do të ndryshonte rrjedhën politike të punëve brenda në vend dhe do të krijonte një staturë të re në opinionin politik ndërkombëtar.

Kongresi i Lushnjës do të kishte efektin e thellë të ringjalljes së personalitetit të kombit përmes rikonfirmimit të pavarësisë dhe integritetit të vendit duke u dhënë të huajve të kuptonin se, vendi është në gjëndje të funksionojë sipas parimeve moderne të kombësisë, duke u mbështetur mbi të drejtat dhe detyrimet e tij si subjekt i të drejtës ndërkombëtare, pa qenë vegël e askujt.

Si delegatët e Kuvendit Kombëtar të Lushnjës, ashtu edhe qeveria që doli nga ai Kongres, ishin të vetëdijshëm për detyrat e vështira që i prisnin, por ata ishin të vendosur për t’i përballuar të gjitha vështirësitë. Për këtë ishte i domosdoshëm bashkimi i të gjitha faktorëve kombëtare. Prandaj, në cilësinë e një Ministri, përkatësisht Kryetari i Komitetit “Mbrojtja e Kosovës”, Hoxhë Kadria (Prishtina), u zgjodh të ishte nga Kosova.

Nisur nga kritere historike, vlerësohet se Kongresi i Lushnjës jetësoi pavarësinë e Shqipërisë dhe vuri gurin e themelit të parlamentarizmit, si një tipar politik që krahas gjeografisë, do ta afronte Shqipërinë edhe institucionalisht me kontinentin, të cilit i përket. Kongresi rikonfirmoi identitetin kombëtar dhe krijoi një realitet të ri politik dhe historik për popullin shqiptar. Ai zyrtarizoi vijimësinë konstitucionale të shtetit shqiptar, e cila do të vendosej në themel të qëndrueshmërisë së tij në vitet dhe ngjarjet që u zhvilluan më pas.

*ish deputet & kryetar i PLL   

Filed Under: Histori Tagged With: Ekrem Spahiu-Kongresi i Lushnjes

Artikujt e fundit

  • “UNË JAM ANEMONE” NJË LIBËR NË KËRKIM TË DREJTËSISË DHE DËNIMIT TË KRIMEVE SERBE NË KOSOVË
  • DRITAN ABAZOVIQ, DRITE NE ERRESIREN POLITIKE TE BALLKANIT
  • Përvoja 15 vjeçare e Shkollës Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit New York
  • Lunxhëria visi me heshtje dhe kambana me gjuhë
  • Piktorja gjen optimizmin e jetës përmes ngjyrave, stili abstrakt shkon përtej mendimit
  • Po Dibres, Jo “SKAVICES”!
  • Si i grabiste regjimi komunist emigrantët
  • Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Dr. Rifat Latifi priti sot në takim shefen e Zyrës së Greqisë
  • “Arbëreshët midis realitetit dhe mitit: vështrim i shkurtër historiko-kulturor”
  • JOSHJA E PYLLIT TË KUQ
  • Nertila Sinameta mes Shqipërisë, Italisë dhe Kinës
  • SHENJTORËT SI PROMOVUES TË FQINJESISË SË MIRË
  • PRESIDENTI JOHN F. KENNEDY, BERLIN, 26 Qershor1963: “ICH BIN EIN BERLINER”, “Unë jam qytetar i Berlinit”
  • 7 KORRIK 2022, KUR “PRANVERA E PROTESTAVE” VJEN NË VERË
  • BISEDA E PRESIDENTIT BILL CLINTON ME HASHIM THAÇIN RUAJTUR NË BIBLIOTEKËN PRESIDENCIALE “WILLIAM JEFFERSON CLINTON”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari Albin Kurti alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fadil Lushi Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT