• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Tingëllime të vona

February 11, 2020 by dgreca

Poemë kushtue familjes /

Nga Lek Pervizi/

Familjës gjyshës e nanës babés e vllazënve grues e fëmijëve t’afërme të dashtun që përjetuen tmerrin e terrorine një diktature të egër viktima të pafajshme të flijijueme idhullit gjakatartë komunizmit….

Hyrje 

Në kushtet e lirisë së fitueme në një vend ku mbrenon liria e demokracia, si Mbretnia e Belgjikës, na jepej mundësia të shprehnim fjalën e mendimin, dhe të merremi me krijimtari letrare, artistike e studimore, qe na ishin mohue nën diktaturën komuniste në Atdheun tonë. Kështu gjithçka që na ishte ndalue me dhunë e terror, me burgje e kampe internimi, patjeter se gjenin mundësinë që të kkrijohëshin, botohëshin e të bahëshin të njohuna shoqnisë shqiptare dhe të huej. Me ketë rast patëm mundësi të shkruenim e botonim vepra që i kushtohëshin asaj periudhe fatkeqe që përjetuen shqiptarët e ku ne, disa të venë në shënjestrën e diktaturës u nepërkambëm e persektuem me masa drastike kriminale, siç ishin pushkatimet e intelektualëve dhe patriotëve, që ishin formue në Universitetet ma të mira të Europës. Ata që i shpëruen plumbit u mbyllen në burgje e kampe përqendrim, ku shumë prej tyne humbën jetën, dhe s’u gjendën as varret. Theksoj se i shpëtuem gjalëë nga ai tmerr, lashë mbrapa, shokë të mi moshatarë, të pushkatuem e te vdekun në burgjet e kampet e internimit. Në këtë valë të një terrori mizor e gjakatar, u përfshi dhe familja jonë, jo vetëm trungi i familjës sonë, babë, gjyshe nanë e ne femijët, por dhe kushërij e farë e fisi. Në këto kushte të pa konceptueshme e të pa besueshme për një mendje te shëndoshë të shoqnisë europiane, mue m’u dhaa që të baj disa vizatimle te kampit të Tepelenës e te tjerë, dhe po asht të krijoj poezi që pasqyronin atë gjendje terrori që mbretnonte në atë kamp, dhe në përgjithës në gjithe Shqipninë, te mbushun me burgje e kampe internimi. Pa përjashstue gjendjën e popullit të varfën të fshatarsisë, që vuenin për copën e bukës. Mrekullish i shpëtuem atyne kushtëëve mizore, që patjetër se do të bahësha dëshmitar i përveçëm, i tmerrëve që e katandisën Shqipninë në një burg apo varr të madh. Kështu arrita të shkruej e të botoj disa libra me poezi të shpëtueme nga burgjet e kampet, bashkë me disa vizatime që kishin shpëtue mrekullisht. Siç dihet në sajë të këtyne vizaatimëve, doli në shesh dhe u ba i njohun kampi i Tepelenës, si ishte ndërtue e si funksiononte, që tronditën shoqninë shqiptare por dhe autoritetet shtetnore. Jo vetëm kaq, por edhe të huejt mbetën të befasuem, si gjermanët italianët, francezët, belgët, autriakët, hungarezët etjerë vende. Kjo që treguem sa me marrë vesh se si tmerret e komunizmit shqiptar u banë të njohun brenda dhe jashtë Shqipërisë. Tashti vijmë te ky libër me poezi në formë tingëllimesh, që unë e nisa thjesht me nja dhjetë tingëllime kushtue gjyshës sime, që e pësoj nga ky terror, ku vdiq në kampin e Tepelenës, në moshën 90 vjeçe, pas 5 vjet internim. A e mendon lexuesi, se si internohet nje plakë 85 vjeçe, e mbyllet ne nje kamp në kushte mizore ? Apo dhe varri i saj asht zhdukë si të gjithë varret e tjerë të kampit të Tepelenës.ë e të tjerë. Kjo u ba shkak që unë të krijoj një poemë në tingëllime kushtue gjithë pjestarëve të familjës, që mori titulli, Tingëllime të Vona, sepse u krijuen pas 30 vjet që dolëm në Belgjikë., ku vetëm unë jetoj, se ata tashmë pushojnë në paqën e përjetshme. 


Të trishta janë kto vargje që rreshtohen, 

të trishta historitë që aty fliten,


të trishta po janë kohnat që kujtohen, 

kur trupi bashkë me shpirtin u sfiliten. 

Gjyshja më del para porsi vegim,


ajo qe « nanë vogla » thirrnim të tanë. 

Ma pushton zemrën fort një mallengjim, 

përjetoi mundime n’ moshë të randë. 

Fisnike dhe krenare kurdoherë, 

vocrrake me trup, dive për qëndresë, 

n’at mjerim nuk u ligshtue asnjëherë, 

E urtë e dashun, shum e dhanë pas fesë,

 « Zoti e ban mirë » përsëriste përherë : 

në mendje t’internuemve mbet kujtesë. 


Grue me cilësi t’rralla dhe me vlerë,


u përfshi në ngjarjet e historisë 

përkrah trimave qëndroi ma se ‘i herë, 

n’ato lufta për fitorën e Lirisë. 

Kur në Milot u grit flamuri kombtar, 

pranë Gjin Pjetrit rrinte një djal’ i ri, 

ishte bir’ i saj ai që fort krenar,


po përjetonte t’dishruemen pavar’si. 

Nuk u mburr kurr për këto përjetime, 

gjithmonë qëndroi si një femën zojnore. 

Edhe në kushte t’mjerueshme e internime, 

tregoi një forcë të madhe shpirtnore.

Jetën e humbi ndër ato mundime

 emni saj ka me u përmend përore 

Gjyshja, Mrika Pervizi – Lindë në Bulgër më 1860 – e vdekë në Tepelenë më 1950. Psa 5 vjet internim, në moshën 90 vjeçe. (Vizatim i autorit) 


Mbas viteve të para të stuhishme,


në luftë kundër turkut dhe Serbisë, 

përjetoi Atdheu kohna t’lavdishme, 

me shpalljen e vendosjen e mbretnisë. 

Djali yt ish ndër ata burrat e dheut,


që i dolën zot kombit me t’madh guxim, 

ishin ata ndërtimtarë t’Atdheut,


katër trima të lidhun në bashkim. 

Kuadriumvirat prej tyne u krijue, 

Ahmet Zogu në krye sundonte vendin: 

Ish bir’ i yt n’atë kohë që shum u shque, 

Në tanë Shqipninë ata vendosen rendin, 

prej tyne dhe mbretnia shum u forcue, 

n’faqet e historisë do t’i përmendi. 


Ishe ti nje tregimtare e madhe

 ngjarjesh të kalueme t’historisë 

bashkë me legjenda t’lashta me radhë: 

një thesar i vërtetë i mençurisë. 

Flisje për Gjin Pjetrin e për Kurbinin,


për Lidhjen e Prizrenit, 

për burrat e dheut, për Abdyl Frashërin, Isa Buletinin,

Zogun Mbret prite sa herë,


me burrat që po ndërtonin Shqipninë 

Gjergj Fishtën e madh, poetin Homer, 

që me lahutën perjetësoi trimininë, e Shqiptarve , 

që luftonin me nder, për trojet e tyne, atdheun e lirinë 


Re të zeza qiejt e botës mbuluen, 

për Shqipninë e mjerë një kob i ri ; 

hordhitë fashiste vendin e sulmuen : 

ishte dita e atij shtat prilli të zi. 

Re pas reshë dhe shpërthejti stuhia,


rruzulli u përfshi n’përleshje viganash,

 shkatërrime pësoi mbar njerëzia,


n’ lufta t’përgjakshme mbetën sa djem nanash. 

E kur dita e lirisë agoi mbi botën,


e popujt po shpresonin për shpëtim, 

mbi vendin tonë djalli lëshoi shqotën, 

ra mbi shqiptarët një ma i madh mallkim 

Historia mbrapa po e kthente rrotën, 

Pesonte Atdheu ma t’egërin pushtim. 


U vërsulen t’egra brigatat partizane, 

zjarrin duke u kallë kullave kreshnike, 

që kishin pas djegun hordhitë osmane: 

ti dëshmitare ngjarjesh historike 

Cilësitë e tuja aq të shqueme


për të cilat të njihnin krahinat mbarë 

e gjithë vendi, si një grue t’nderueme 

nuk i përfillte hiç regjimi barbar. 

Në Laç e në Skuarj, u ngrit flaka,


mbi ato kulla kala, 

çerdhe shqiptarizmi bashkë me to t’u pre dhe ty nafaka, 

re n’kthetrat e pushtetit të sadizmit,


që burgoste e internonte pleq e plaka, 

dhe i pllakoste n’kampet e komunizmit. 


Vendin, sllavo – komunizmi e zaptoi, 

me hekur e zjarr e krime mizore,


mbi kullat heroike flakën lëshoi,


e mbushi trojet me burgje e me vorre. 

Ku ishin burrat ma të mirë të Shqipnisë, 

i lidhi n’hekra, i çoi në pushkatim,


të përfshiu edhe ty vala e barbarisë,


të moren, larg të tretën n’internim. 

Atje t’ përplasën n’Tepelen’n gurore : 

me mija ndër kapanone u stivosën, 

ku sillej vërdallë veç vdekja mizore, 

mbi t’pafajshmet viktima sillte kosën, 

s’kurseu as pleqërinë as moshën fëmijore 

Aty, gjyshe e dashun, vitet t’u sosën ! 


Lot kan me u derdhë për ata që s’janë, 

për atë gjak të pafajshmish që rodhi gurrë 

Mos u përsëristë ma ajo kasaphanë,


ajo kohë mizore mos u ktheftë kurrë. 

Një vend aq i bukur, parajzë toksore,


krejt u shndrrue në burgje e kampe t’ punës, 

që për shum kënd u kthyen n’të zeza vorre: 

vdisnin njerëzit prej mundimi e dhunës 

E atdheut të tanë elita e mençurisë,


u zhduk nga faqja e dheu e u shue fare: 

mbaroi pafajsija n’kthetrat t’lemërisë, 

nuk u kursyen as mosha ma mitare: 

nanat u veshën me rrobat e zisë,


i humbën foshnjet e tyne ndër llahtare 


Hije lugetnish xhelatët vinin vërdallë, 

viktima tuj kërkue n’fshatna e qytete 

tmerrin përjetonin njerëzit për s’gjallë: 

shpëtuen ata që u ndan prej kësaj jete. 

Vdekje mbillnin çdo çast armët vrastare, brigjeve tëlumejve t’llahtarisun: kositëshin veç jetat djaloshare,
ndër gropa të përbashkëta gremisun. 

N’prehnin e nanës përpëlitej fëmija, 

për një pikë qumësht i etun i sëmurë: 

kërthiqet e gjora i zinte veç uria 

gjini i nanës ishte kthye në murë. 

Kënaqëshin sadizmi e ligësia, 

: shpirt katilët, xhelatët zemër gurë ! 


N’se vdekja të shpetoi nga ato mjerime, 

ku viktimat vuenin për një kotherë, 

pushteti gjakatar sajonte krime,


mos me t’lan me pushue n’vorr asnjëherë. 

Eshtnat e tua, tri herë ndërruen vend 

bashkë me qindra t’ tjerë të çvarrosun, 

diktatura barbare veç ish çmend, 

tmerret e saja nuk kishin të sosun. 

Edhe sot nuk dihet vorri yt ku gjëndet,


A thue vjen një kohë që ka me u zbulue ? 

emni yt përsëri do të përmendet, 

në pllaka të mermerta ka me u shkrue, 

dhe përjetësisht aty do të gdhendet, 

Heroinë të pafajsisë me të nderue 


Tani që vjetët mbi supet randohen, 

e flokët e zbardhun flasin për pleqni,

 çastet e fëminisë më kujtohen,


kur ti më llastoje me plot dashni. 

Aq shum pas nipave jepëshe me shpirt, 

e mbi të gjithë mua fort ti me doje,


e kishe zemrën të bardhë aq të dlirtë, 

s’ta bante kur zemra të na qortoje 

.E urtë, e përvujtun e grue zojnore,

 të gjithë të nderonin të vjetër e të ri, 

ishe me t’vërtetë një grue arbnore, 

stolisë me virtyte e jo me flori, 

nga jeta na ndau humnera mizore, 

për me u takue vetëm n’përjetësi 

Filed Under: Histori Tagged With: Lek Pervizi-Tingellime te vona-Gjyshes

THIRRJA E MID’HAT FRASHERIT PER TE SHPETUAR SHQIPERINE

February 10, 2020 by dgreca

Thirrja e Lumo Skëndos (Mit’hat Frashërit) në L’Humanité (1920) : “Shqipëria në përgjithësi dhe Vlora në veçanti nuk e pranojnë sundimin e Italisë imperialiste !” /

Nga Aurenc Bebja (Francë)/

“L’Humanité” ka botuar, të dielën e 1 shkurtit 1920, në faqen n°3, thirrjen e atdhetarit, shkrimtarit, diplomatit dhe politikanit të shquar shqiptar, z. Mit’hat Frashëri, mbi qëndrimin e Shqipërisë në përgjithësi dhe Vlorës në veçanti ndaj synimit të Italisë, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Një thirrje për të mbrojtur Shqipërinë/

Në morëm nga një shqiptar i Amerikës, z. Lumo Skendo, një thirrje (shkresë) për pavarësinë e vendit të tij të kërcënuar nga oreksi i Italisë imperialiste. Ne e publikojmë atë për qëllime dokumentare :

“E ngatërrojnë çështjen e Shqipërisë në përgjithësi dhe atë të Vlorës në veçanti me çështjen e Adriatikut.

Çështja e Adriatikut vjen nga një rivalitet midis Italisë dhe Jugosllavisë që debatojnë në brigjet e Istrisë dhe Dalmacisë eshtrat e monarkisë së vjetër austro-hungareze. E para pretendon ta bëjë Adriatikun një det të sajin (mare nostro). Ajo bazon pretendimin e saj në faktin e ekzistencës së kolonive të vogla italiane të rrethuara në një rajon thjesht sllav, si Fiume, Zara, Spalato,duke ngritur kështu pretendime të caktuara të përkatësisë etnike. Por arsyet që shtyjnë Italinë janë arsye të ekspansionizmit dhe sundimit, arsye të një natyre kryesisht strategjike dhe ekonomike.

Por Shqipëria dhe Vlora nuk janë eshtra (relikate) të Austro-Hungarisë. Ka një shtet atje që u njoh si i pavarur nga Konferenca e Londrës e 1912-1913, d.m.th. nga gjashtë fuqitë e mëdha të kohës, përfshirë Italinë. Është e vërtetë që Italia ka ndërhyrë përkohësisht në Vlorë, ky okupim daton që prej dhjetorit 1914 dhe ndodhi për arsye sanitare dhe humanitare, ishte e nevojshme të silleshin ndihma për qindra mijë refugjatë që kishin ikur nga Korça dhe Gjirokastra. Më vonë, z. Sonnino deklaroi në Parlamentin Italian, se vendimet e Konferencës së Londrës ishin ende në fuqi në lidhje me pavarësinë e Shqipërisë, (dhjetor 1915).

Një vit më pas (qershor 1916), gjenerali Ferrero bëri, në emër të qeverisë italiane, shpalljen e famshme të Gjirokastrës, edhe pse kushtet e kësaj deklarate shpesh janë kritikuar nga shqiptarët, Italia njohu megjithatë “pavarësinë e të gjithë Shqipërisë”. 

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France
Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Ata që mendojnë se Vlora – porti i vetëm i sigurt në Shqipëri dhe për këtë arsye me rëndësi jetike për të – do të mbetet pronë italiane (siç do të dëshironte politika e imperialistëve italianë), padyshim që pretendojnë Paktin e famshëm të Londrës (të 26 Prillit 1915) ku Italia u pajtua për ndarjen e Shqipërisë në përfitim të saj (Vlorën dhe rrethinat e saj) me atë të Sllavëve (Shkodrën) dhe atë të Grekëve (Shqipërinë e Jugut), pakti parashikonte, ndër të tjera, edhe krijimin e një shteti të vogël mysliman në qendër.

Por për sa i përket Shqipërisë, Pakti i Londrës, të cilin shqiptarët nuk e kanë njohur kurrë, është anuluar nga deklaratat pasuese të z. Sonnino dhe gjeneralit Ferrero.

Pretendimet e Italisë për Vlorën, si dhe për pjesën tjetër të Shqipërisë, bien në kundërshtim me parimin e kombësive mbi të cilat Italia mbështet pretendimet e saj në Fiume, sepse nëse Fiume ka një koloni italiane, Vlora nuk llogarit, madje as një familje të vetme italiane.

Z. Scialoja, përpara Senatit Italian, më 29 dhjetor 1919, tha : “Ne nuk kërkuam Fiumen, ishte Fiume që deshi të vinte tek ne, si arsye e parimit të kombësive.”

Pra, banorët e Vlorës të cilët nuk janë italianë, kundërshtojnë sundimin italian.

Mbrojtja e Adriatikut për Italinë mund të sigurohet në mënyrë efektive në pritje të demilitarizimit të ishujve dhe detit përreth.

Politika e imperialistëve italianë mbështetet në themele të lëkundura. Shqipëria (përfshirë Vlorën) formon një shtet, pavarësia e të cilit është njohur dhe garantuar nga një akt ndërkombëtar, një shtet i cili nuk ka elemente alogjenike dhe i cili ka më shumë se çdo shtet tjetër të drejtën të themelohet në parimin e kombësive.”

Lumo Skendo

Filed Under: Histori Tagged With: Aurenc Bebaj-Mid'hat Frashëri-Thirrja

VASIL GËRMENJI, NIPI I THEMISTOKLI GERMENJIT…

February 9, 2020 by dgreca

VASIL GËRMENJI, NIPI I THEMISTOKLI GERMENJIT, DIPLOMAT I SHQUAR NË KRYQËZATËN KUNDËR KOMUNIZMIT/

  • Inxhinieri i hekurudhave që u diplomua në Marsejë- Francë dhe u kthye profesor në Shkollën Teknike në Tiranë.
  • Perpjekja për të kandiduar për deputet në Korcë, tërheqja pas dy javësh.
  • Në ditëpushtimin fashist të Shqipërisë, Vasili dhe bashkëshortja franceze u larguan drejt Marsejës.Inxhinieri detyrohet të kthehet në këpucar.
  • Bashkimi me Rezistencën Nacionale Franceze dhe dekorimi me “ Kryqi i Meritës ” i klasit të pare. Zyrtarisht, veteran i Çlirimit Kombëtar të Frances.
  • Refuzon ftesën për t’u kthyer në Shqipëri, nga që e njihte nga afër Enver Hoxhën. Ai deklaronte se Enver Hoxha nuk ishte komunist kur e kishte njohur ai. U bë i atillë kur u takua me serbo-malazezët.  

·      Gazetar i pavarur në mërgim. Nga buletini”I mërguemi” boton gazetën”Liria e Kombit”

     * Diplomat i shquar në kryqëzatën politike kundër komunizmit,kryetar i Kuvendit të Kombeve Europiane të Robëruara.

NGA IDRIZ LAMAJ*

1-   Derë e traditës atdhetare

            Vasil Gërmenji rrjedh nga një derë e traditës  atdhetare. Gjyshi i tij, Thanas Gërmenji, udhëtonte shpesh për në Stamboll dhe Misir, ku takohej me patriotë dhe veprimtarë të shquar të Lëvizjes Kombëtare si me Naim Frashërin, Thimi Mitkon, Spiro Dinen e sa e sa të tjerë. Thanasi kishte miqësi të ngushtë me Jani Vreton, të cilin e përkrahu edhe materialisht për botimin e shkrimeve të para. Ai mbante lidhje me mërgimtarë të ndryshëm në kolonitë e shqiptarëve të Bukureshtit, Sofjes, Stambollit e Egjiptit dhe njëkohësisht u shërbeu dhe si ndërlidhës me të afërmit e tyre në vendlindje duke u dërguar lajme e të holla nga mërgimi, duke luajtur kështu rolin e një bankieri të vogël. Thanas Gërmenji ishte një prej themeluesve të lëvizjes së fshehtë “Dora e Zezë”. Ai u vra diku në Thrakë, duke lënë pas tre djem, Spiron, Themistokliun e Telemakun, të cilët mbetën jo vetëm jetimë por edhe në gjendje shumë të vështirë ekonomike.  

Më 1892 të bijtë e Thanas Gërmenjit emigrojnë në Rumani. Aty kryejnë punë të rënda fizike, si çirakë e, në të njëjtën kohë, marrin pjesë në të gjitha veprimtaritë e shoqatave kombëtare në kryeqytetin rumun. Pas nëntë vjetësh, Telemaku e Themistokliu, kthehen përsëri në Korçë e, pas shumë peripecish, vendosen me banim në Manastir. 

Në atë kohë, Manastiri ishte një prej qyteteve më të mëdha të Ballkanit, ku zhvilloheshin veprimtari të ndryshme politike e kulturore. Aty ishte Valiu i Stambollit. Në atë qytet zhvillonin veprimtarinë e tyre edhe shumë organizata shqiptare dhe të huaja, sidomos greke e bullgare.  Në saje të babait të tyre atdhetar dhe të miqësive që kishte, kryetari i bashkisë u dha atyre me kontratë një biznes për furnizimin me gaz të qytetit. Me anë të asaj sipërmarrje, vëllezërit Gërmenji, siguronin jetesën familjare e njëkohësisht mbulonin veprimtaritë e tyre atdhetare. 

Në fillim të vitit 1908, Telemak e Themistokli Gërmenji hapën një hotel në  qendër të qytetit dhe i vunë emrin “Liria”, i cili shumë shpejt u bë qëndra e shqiptarëve të Manastirit dhe gjithë atyre që u binte rruga andej. Hoteli, veç dhomave për të fjetur, kishte një restorant, një sallë të madhe për konferenca dhe një bibliotekë që mund ta shfrytëzonin të gjithë. Në një dhomë të fshehtë ndodhej shtypi kombëtar: libra, gazeta dhe revista të shtypura në gjuhën shqipe në Sofje, Bukuresht, Boston e gjetkë. 

Telemak e Themistokli Gërmenji, për t’i shërbyer kombit, nuk e ndërprenë asnjëherë veprimtarinë e tyre patriotike nga Korça, e cila prej kohësh qe bërë djepi i tërë atyre shoqërive e veprimtarive atdhetare kombëtare.

Themistokli Gërmenji luajti rolin kryesor në nënshkrimin e protokollit shqiptaro-francez të 10 dhjetorit 1916 për shpalljen e krahinës autonome të Korçës, e njohur si “Republika e Korçës”,  dhe në dëbimin prej andej të pushtuesve grekë dhe të administratës së tyre. Por,  “miqësia” e autoriteteve ushtarake franceze me Themistokliun nuk do të  zgjaste shumë. Kur qeveria  franceze filloi të marrë anën e grekëve, gjenerali francez, Salle,  në një bisedë që pati me Themistokli Gërmenjin, e pyeti ndër të tjera edhe për hapjen e shkollave greke në Korçë. Themistokliu iu përgjegj gjeneralit prerë: “Kurrë ndonjëherë qeveria shqiptare nuk do të lerë hapjen e shkollave greke në Korçë”.  Ky qëndrim i patundur atdhetar i Themistokliut dhe korçarëve të tjerë patriotë si ai, njihej mirë nga autoritetet ushtarake franceze. Tashmë ata  nuk kishin më interes për krahinën autonome të Korçës. Jo vetëm kaq por, për të kënaqur shovinizmin grek, me urdhër të qeverisë franceze, Themistokli Gërmenji arrestohet dhe ekzekutohet në Selanik, më 9 nëntor 1917.

Sipas historianit Athanas Gegaj, Themstokliu, në momentin kur do ekzekutohej, nuk lejoi t’i mbylleshin sytë, si zakonisht në këto raste. Për më tepër, kur e vunë para skuadrës së pushkatimit, ai vetë urdhëroi në frengjisht, me zë të lartë: “Feu!” – “Zjarr!” 

                                                *    *   *

Ndërsa po hidhja në letër këtë shkrim të thjeshtë, vetëm sa për të kujtuar 25 vjetorin e vdekjes së Vasil Gërmenjit, miku im i ngushtë, Bejtullah Destani, më dërgoi nga Londra këtë letër të prekshme, të pa njohur deri tani,  që përkon me datën e ekzekutimit të Themistokli Gërmenjit, të cilën ia dërgonte zonjës së vet:

“ E dashura ime Evdhoksi, 

Rashë dëshmor i çpifjeve. Me qenë se unë nuku kthenem në Korçë dhe më s’ jam për shtëpi, tinë ke të drejt të martohesh, po për martesën tënde të këshillohesh me Pandelinë e Tsalit i cili ka për detyrë, si atdhetar që është, të mos të të lërë të vuash. Nënës i puth dorën. Vasilin dhe Efçën i puth me mall sytë. Dijeni që vdes i pafajshëm. Kërkoj ndjesë nga të gjithë atdhetarët, në qoftë se kam bërë ndonjë të ligë pa dashur. Rroftë Shqipëria nën mbrojtjen e Francës. Shoqi yt, Themistokli Gërmenji, Selanik 9, 11, 1917. Adresa Evdhoksi Th. Gërmenji, Në Korçë, Shqipëri.”

Telemak Gërmenji, babai i Vasilit, ishte vrarë tre vjet para Themistokliut, më 1914,  bashkë me Memdu Zavalanin, në afërsi të Pogradecit. Në atë kohë, për vrasjen e tij u fajësuan bejlerët e Starovës. Telemaku konsiderohej si truri, strategu politik dhe organizatori i kryengritjeve të njohura anti-turke. Novelisti i njohur korçar, Bendo Shapërdani, (Vasil Alarupi), shkrimet e të cilit janë vlerësuar lart nga Noli, shkruan për Telemak Gërmenjin: 

“…Me mençurinë e Telemakut dhe trimërinë e Themistokliut, u formuan çeta të mëdha luftëtarësh për të fituar atdheu lirinë. Këto çeta u  bënë më me fame dhe aq kërcënonjëse nga trimëria e atyre djemve luftëtrarë, me të vërtetë trimëria tradicionale e shqiptarit. E provuan duke shënuar një nga episodet më të kuximshme kur kryen vrasjen e komandantit të suvarinjëve otomanë, Rexhep Pashës.  Vrasja u bë brënda në Korçë nga e gjithë çeta e sbritur në qytet dhe prirej nga Themistokliu që kish për kra Vasil Tromarën…” (“Shqiptari i lirë”,shkurt 1971, fq. 3 ). 

  • Vasili lindi në Manastir e u rrit jetim.

            Vasil Gërmenji lindi në Manastir më 12 mars 1908, pikërisht në  hotelin “Liria”, që siç thamë më lart, ishte pronë e vëllezërve Gërmenji. Me vrasjen e të atit, ai mbeti jetim qysh gjashtë vjeç. E ëma qe nga prindër grekë dhe, siç duket, ata do ta kenë detyruar të bijën që të ndahej nga familja Gërmenji. Vasili u rrit në familjen e xhaxhait dhe, pas vrasjes së tij, jetoi me Teton, siç e thërriste ai të shoqen e Themistokoliut, Evdhoksinë. 

            Vasili, u rrit dhe u edukua në Korçë ku kreu edhe Lyceun e njohur të atij qyteti. Studimet e larta për inxhinjeri hekurudhash, i kreu në Marseille të Francës. Gjatë studimeve u njoh me Geramaine, me të cilën edhe u martua para se të kthehej në Shqipëri, më 1934. Me që Shqipëria në atë kohë nuk kishte hekurudha, u emërua profesor në Shkollën Teknike në Tiranë, ndërsa e shoqja, profesoreshë e frengjishtes në Institutin “Nëna Mretërshë”. Bashkëshortët Gërmenji shumë shpejt u bënë tepër popullorë në kryeqytetin shqiptar.

Më 1935, me ardhjen në fuqi të qeverisë së kryesuar nga Mehdi Frashëri, u duk se në Shqipëri po shfaqej një lloj lirie në zgjedhjet që do të bëheshin për deputetë. Vasili mendoi të shfrytëzojë rastin dhe vuri kandidaturën në prefekturën e Korçës. Por, kjo iniciativë e tij zgjati vetëm dy javë. Autoritetet e vendit e thirrën atë dhe i thanë se “nëse donte të mbante kandidaturën, duhej të hiqte dorë nga detyra e profesorit në Shkollën Teknike.” Ai e kuptoi lojën që po luhej edhe në ato zgjedhje dhe u tërhoq nga çdo lloj veprimtarie poltike. Dy-tre javë para pushtimit të Shqipërisë nga Italia, Vasili i la lamtumirën atdheut për të mos u kthyer dot  kurrë më në të. Vendoset me banim në Marseille të Francës.

 Gjatë Luftës së Dytë Botërore, gjendja ekonomike, veçanërisht për shtetet e ndërlikur në luftë, u bë tepër e vështirë. Njerëzit vuanin deri edhe për kafshatën e bukës. Vasili me të shoqen, për të përballuar jetesën, hapën një dyqan të vogël për riparim këpucësh, me fjalë të tjera, punon si këpucar. Me atë punë të thjeshtë arrin jo vetëm të bëjë një jetë normale por dhe të ndihmojë shumë shokë e miq. Vasili ishte i njohur për bujari. Pas pushtimit të Francës jugore nga forcat gjermane, i bashkohet Frontit Luftarak Francez, Resistence Nacional, që kryesohej nga Francois Mitterand, i cili, kur vdiq Vasili, ishte president i Francës. Në mbarim të luftës i jepet në shenjë nderimi “ Kryqi i Meritës ” i klasit të parë dhe njihet zyrtarisht veteran i Çlirimit Kombëtar Frances.  Pas Luftës vazhdoi punën në dyqanin e këpucëve.

                     3-Gazetar i pavarur në mërgim

Si çdo periudhe tjetër historike, edhe asaj të emigracionit të gjatë politik shqiptar të pas-Luftës së Dytë Botërore, i përkasin ngjarje dhe personalitete të shquara dhe të veçanta. Me formimin e Komitetit “Shqipëria e Lirë”, më 1949, përveç figurave të njohura politike, nacionaliste, që ishin larguar nga Shqipëria duke lënë pas familjet, të afërmit e tyre dhe popullin në përgjithësi, në një gjëndje të tmerrshme persekutimi, toturash, ekzekutimesh, internimesh e burgosjesh, shquhet edhe Vasil Gërmenji i cili, me veprimtarinë e gjithanshme që zhvilloi, iu bashkua fushatës politike anti- komuniste. 

Pas përfundimit të Luftës, Vasilit iu afruan menjëherë “shokët” e dikurshëm duke i propozuar të kthehej në Shqipëri e të  bashkëpunonte me regjimin e ri komunist, duke i ofruar madje edhe poste të larta në qeveri. Vlen të theksohet fakti se Vasili e njihte prej kohësh personalisht Enver Hoxhën. Me të, bile, kishte pasur edhe një farë miqësie, si në Korçë edhe në Francë. Sipas Vasilit, Enveri, në kohën kur e kishte njohur ai, nuk kishte pasur ndjenja apo aspirata komuniste. Vasili e lidhte fanatizmin e Enver Hoxhës, si komunist e diktator, qysh në momentin e rënies së tij nën kontrollin e agjentëve sërbo-malazez. 

Lidhur me ftesën që iu bë Vasilit për t’u kthyer në Shqipëri, të cilën ai e refuzoi me përbuzje,  Dr. Ramazan Shpati na njeh me një bisedë të zhvilluar në mes Vasilit dhe Behar Shtyllës, në Paris, më 1947.  Konflikti i tij i hapur me Shtyllën kishte nisur rreth çështjes së Kosovës. Kur Vasili e kishte pyetur z. Shtylla për problemin e Kosovës, ai i qe përjgjigjur: “Mjaft i kemi në Shqipëri një milion injorantë, (atëherë thuhej se Shqipëria kishte një  milion banorë), pa i shtuar edhe katër apo pesë qind mijë të tjerë”. Vasili nuk kishte duruar më dhe ia kishte përplasur në fytyrë: “ Këtë  tradhëti të lartë kombëtare do ta paguani shtrenjt!” –  dhe ishte larguar pa u përshendetur me të, megjithëse e njihte prej kohësh. Menjëherë, pas këtij refuzimi, ai u angazhua intesivisht në fushatën politike të ashpër kundër regjimit të Enver Hoxhës. 

Tërheq dhe mbledh rreth vetes emigrantë të pa ndërlikuar në partira politike. Si i pavarur, përgatit, publikon dhe shpërndan, për katër vjet, 1950-1954, buletinin mujor: “I mërguemi”, të cilin, pas disa numrash, e kthen në gazetën dy gjuhëshë, shqip e frengjisht, “Liri e Kombit”. Në këtë gazetë ai trajtoi me hollësi jo vetëm zhvillimet e brëndëshme në Shqipëri por dhe në regjimet e tjera komuniste, në përgjithësi. Në komentet e analizat e tij, ai dallohet si social-demokrat i vendosur dhe bën thirrje për bashkimin e të gjitha forcave nacionaliste në një fushatë të përbashkët kundër regjimit komunist. Regjimin komunist të Tiranës ai e akuzon gjithashtu edhe për tradhëti të lartë kombëtare lidhur me çështjen e Kosovës. Gjatë tërë veprimtarisë së vet atdhetare-diplomatike, ai asnjëherë nuk e ndau problemin e Kosovës nga kauza e bashkimit kombëtar. Në shtypin e tij, si në asnjë tjetër të emigracionit, ai ndjek me vëmendje gjithë zhvillimet e brëndshme në Jugosllavi.

Në fushatën e tij politike kundër regjimit komunist në Shqipëri, ai del me një program të qartë politik. Buletini  “I mërguemi” dhe gazeta “Liri e Kombit”, janë dëshmi e gjallë e përpjekjeve të tij të gjithanëshme për çlirimin e atdheut nga regjimi komunist dhe realizimin e Shqipërisë etnike demokratike. 

            Polemikat e tij në shtyp janë konstruktive në plot kuptimin fjalës. Ai u bën thirrje grupeve politike në mërgim që mos të  grinden me njëri tjetrin për pikëpamjet e tyre partiake, por të përqendrohen në një platformë të përbashkët, thjesht për çështjen shqiptare.  Në artikullin “Parullat”, botuar tek “Liri e Kombit” para 60 vjetësh, ai shkruante:  “ Nuk na pëlqejnë parullat. Veçanërisht ato që premtojnë vdekje, prerje, varje, vrasje dhe kusure, kujt do qoftë…  Sot në Tiranë ku mbretëron një diktaturë e  urrejtur kriminale, nuk del një gazetë, nuk bëhet një shkresë, nuk shkruhet as një kartolinë edhe private, pa patur në krye parullën  “Vdekje Fashizmit – Liri Popullit”… Sidoqoftë, me gjithë parullën e tyre, Liri Popullit nuk i dhanë. Nuk i dhanë as bukë e vesh-mbathje… E futën popullin në punë të detyrueshme… Edhe sikur të ndërtojnë vepra arti dhe teknike madhështore dhe gjigandeske, dhe që mund të mbeten për një kohë të gjatë, ato do të na kujtojnë veprat e mëdha që kanë mbetur edhe sot, që kanë bërë faraonët e Egjiptit të vjetër me skllevër… Mjaft diktatura dhe diktatorë!… Le të punojmë me urtësi për heqjen e diktaturës së sotme të Tiranës dhe për zevendësimin e  saj me një demokraci të vërtetë. “Urtë e butë e tigani plot”, themi në Korçë e gjetkë.”

Po të studjohen me kujdes, shkrimet e tij gjatë katër viteve, sidomos artikujt në frengjisht, shihet qartë se ai ishte një njohës i  thellë i problemeve të brëndëshme të shteti komunist shqiptar, i shqetësimeve të mërgatës nacionaliste shqiptare apo dhe i hendekut të thellë midis komunizmit sovjetik dhe demokracive perendimore.

4-Antar i Komitetit “Shqipëria e Lirë”

Me 26 gusht 1949, shpallet në Paris Komiteti Kombëtar “Shqipëria e Lirë”,  nën kryesinë e Mitat Frashërit. Për themelimin e atij Komiteti shkruan gazeta të ndryshme perëndimore. Gazeta: “The Christian Science Monitor”, e 26 gushtit 1949, bëri këtë njoftim:  “… qëllimi i tij do të jetë  përfaqësimi i të gjitha shtresave shqiptare të cilat dëshirojnë  vendosjen e një qeverie e cila respekton të drejtat dhe lirinë e shtetasve të vet…  Në këtë Komitet përfshihen përsonalitete të shquara shqiptare në sferën shoqërore dhe politike dhe do të ketë selinë e  vet në Nju York…”. Në fakt, ndryshe nga ç’shkruan gazeta e mësipërme, në atë komitet përfaqësoheshin vetëm disa nga rymat politike nacionaliste të mërgimit. Grupet politike që kishin mbetur jashtë përfaqësimit në Komitet, filluan menjëherë reagimin e tyre serioz. Vasil Gërmenji, i pa angazhuar në asnjë grupim politik, pa vonuar, në fillim të vitit 1950, përmes buletinit “I mërguemi”, përkrah idenë për një përfshirje sa më të gjerë në këtë komitet. Faktin që Komiteti e kishte selinë në Nju York, megjithëse akoma nuk ishte antar i tij, e vlerëson si diçka të rëndësishme e shpresdhënëse. 

            Pas reformimit të Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë”, kur drejtimin e tij e mori Hasan Dosti, Vasil Gërmenji emërohet antar i këtij komiteti. Pavarësisht nga kjo, ai nuk angazhohet aq tepër në veprimtaritë e tij, thjesht për atë që e cilësonte si “një grumbullim njerzish dhe intrigash të rrezikshme për çështjen shqiptare”. Ai, me sa duket, e kishte nuhatur infiltrimin në radhët e antarëve të Komitetit të Sigurimit të Shtetit shqiptar dhe të UDB-së jugosllave.

            Më 1956, kur në krye të këtij komiteti emërohet Dr. Rexhep Krasniqi, Vasil Gërmenji ishte antari i parë që u ftua për të marrë pjesë në të, ftesë që ai e pranoi menjëherë. Pas rregullimit të shpejtë të dokumentave të udhëtimit, emigron në SHBA dhe shërben me kompetencë të jashtëzakonshme në çdo fushë të  veprimtarisë së Komitetit.

             Për bashkëpunimin e ngushtë vëllazëror midis Krasniqit dhe Gërmenjit, thjesht për kureshtje, po i sjell lexuesit disa rastësi të çuditëshme! Të dy kishin lindur jashtë territorit të shtetit politik shqiptar, Vasili në Manastir e Rexhepi në Gjakovë. Ishin rritur jetim e në varfëri të skajshme, njëri nga zonja e Themistokli Gërmenjit dhe tjetri nga zonja e Bajram Currit, në dy qytete të ndryshme: Vasili në Manastir e në Korçë, tjetri në Gjakovë e në Shkodër. Megjithëse me përgatitje të ndryshme shkollore, Vasili me kulturë franceze dhe Rexhepi gjermane, bashkoheshin në të gjitha idealet nacionaliste shqiptare. Kishin të njëjtin mendim për regjimin komunist në Shqipëri, duke e konsideruar atë thjesht si vegël të interesave sllave, e si i tillë, duhej luftuar pa mëshirë dhe në çdo mënyrë. Të dy, megjithëse i përkrahnin dhe i respektonin partitë politike shqiptare në mërgim,  kishin qëndrime të rezervuara ndaj tyre. Për ta, çdo çështje shqiptare duhej parë mbi interesin personal e partiak. Tërë këto, nuk i pengonin ata që të ishin plotësisht të pavarur në personalitetin e tyre: prof. Krasniqi më konservator, ing. Gërmenji më liberal.

5-Diplomat i shquar në kryqëzatën politike kundër komunizmit, kryetar i Kuvendit të Kombeve Europiane të Robëruara.

        “…Në mbledhjen plenare të Kuvendit të Kombeve Evropiane të Robëruara, (Assambly of Captiv Europian Nations, – ACEN), të mbajtur me 15 shtator 1970, në Nju York, antari i  Komitetit “Shqipëria e Lirë” dhe përfaqësuesi i tij permanent pranë kësaj organizate, Ing. Vasil Gërmenji, u zgjodh kryetar për të dytën herë. Ky ishte një nder që i bëhej në mërgim Shqipërisë tonë aq të vuajtur, një njohje të kontributit të parreshtur që i kishte dhënë Kuvendit, Komiteti “Shqipëria e Lirë”, që prej fillimit të tij, dhe njëkohësisht një vlerësim i lartë personal i z.Vasil Gërmenji nga kolegët e tij të ACEN-it. “Nëse mund të supozohet se zgjedhja e parë e tij ka qenë një shenjë kortezie ndaj një organizate antare, zgjedhja e dytë duhet konsideruar pa asnjë dyshim si shenjë e prestigjit që gëzonte z. Gërmenji ndër kolegët e tij në ACEN.”, shkruante ndër të tjera gazeta, “Shqiptari i lirë”, shtator-tetor 1970, fq.1, organ i Komitetit “Shqipëria e Lirë”.

            Po ç’ishte ACEN-i, Kuvendi i Kombeve Evropiane të Robëruara? Kjo ishte organizata më e madhe dhe më e fuqishme antikomuniste në botë e mbështetur moralisht dhe materialisht nga qeveria e SHBA-së. Që nga themelimin i saj, më 1954, kur zuri vendin e Komitetit “Evropa e Lirë”,  ACEN-i vazhdoi veprimtarinë e vet gati deri në rënien e regjimeve komuniste në shtetet europiano-lindore. Kuvendi Ekzekutiv ose Asamblea e kësaj organizate, përbëhej prej përfaqsive të Shqipërisë, Bullgarisë, Çekosllovakisë, Hungarisë, Estonisë, Letonisë, Lituanisë, Polonisë dhe Rumanisë. Këto  nëntë shtete të Evropës Lindore dhe Qendrore që kishin qënë të lira dhe sovrane para 1939-së, ishin antare të rregullta të  ACEN-it dhe secila prej tyre kishte  të drejtën e një vote. Aty bënin pjesë edhe disa organizata ndërkombëtare pa të drejtë vote, si “Ndërkombëtarja Agrare”,” Bashkimi Demokratik i Krishterë i Evropës Qendrore”,” Qendra e Sindikatave të Lira në Mërgim” etj. Qendra e Kuvendit ishte në Nju York, në një pallat afër Misionit Amerikan pranë Kombeve të Bashkuara. ACEN-i kishte zyra edhe në Uashington, D.C.  Gazeta e njohur “The Nju York Times”,  e ka vlerësuar ACEN-in si një OKB të vogël. Ai kishte përfaqësi të përherëshme në Argjentinë, Australi, Brazil, Kanada, Francë, Gjermani, Angli, Itali, Suedi, Danimarkë,  Kolumbi, Ekuador, Greqi,  Indi, Japoni,  Liban, Meksikë,  Filipinë dhe Zvicër.

ACEN-i e realizonte veprimtarinë e vet me anë të këtyre organeve: Komiteti i përgjithshëm, organ ekzekutiv që drejtonte shërbimet e organizatës gjatë vitit; Komiteti i punës, Komiteti politik dhe juridik, Komiteti ekonomik dhe social, Komiteti kulturor dhe informativ dhe Sekretariati me zyrën përkatëse të shtypit dhe të kontabilitetit.

Kjo organizatë e fuqishme antikomuniste përbëhej nga personalitete të njohura e të shquara të vendeve përkatëse si burra shteti, diplomatë,  ushtarakë, etj. të cilët kishin gëzuar popullaritet në vendet e tyre, si gjatë Luftës dhe  pas ardhjes në fuqi të regjimeve komuniste. Midis tyre mund të përmendim: Ferenc Nagy.,  ish kryeministër i Hungarisë; Constandin Visoianu,  ish ministër i jashtëm i Rumanisë; Stefan Korbonski, ish kryetar i lëvizjes kryengritëse kundër okupatorit gjerman në Poloni dhe shkrimtar i njohur; Dr. George Dimitrov, kryetar i komitetit Bullgar dhe mik i Shqipërisë; Dr. Lettrih, ish kryeministër sllovak;  Dr Stefan Osuki, një nga themeluesit e Çekosllovakisë dhe figura të tjera të shquara, patriotë demokratë që luftuan për lirinë e popujëve të tyre të shtypur nga regjimet komuniste.  

Në tetor 1962 Vasil Gërmenji  u zgjodh nënkryetar i Federa- tës Ndërkombëtare të Gazetarëve të Lirë. Është e gjatë lista e intervistave, fjalimeve, konferencave shkencore, analizave, debateve dhe shkrimeve të tij të ndryshme  me karakter kombëtar e ndërkombëtar. Gjatë karierës së tij ai shkroi qindra artikuj, analiza dhe raporte diplomatike. Në shtypin e kohës, emri i tij përmëndet shpesh për rolin që ka luajtur në veprimtari të ndryshme apo për takimet e nivelit të lartë që ka pasur në Uashington me burra shtetesh e diplomatë nga të katër anët e botës. Siç e vumë në dukje dhe më parë, në tërë këto veprimtari, ai vazhdimisht ngrinte edhe çështjen e Kosovës e protestonte energjikisht ndaj regjimit të Beogradit.

6-Përshëndetja e fundit

            Për Vasil Gërmenjin 28 Nëntori ishte dita më e shënjtë. Ai, edhe pasi doli në pension më1973, kërkonte me këmbëngulje që përkujtimi i Festës sonë Kombëtare nga Komiteti “Shqipëria e Lirë” të organizohej sa më mirë dhe sa më dinjitoz. Ditën e Festës, aty nga ora 10 e mëngjezit, na telefonte në zyrë dhe na kërkonte hollësitë e fundit si dhe numurin e telefonit të sallës së hotelit ku do të zhvillohej ceremonia. Megjithëse dërgonte një përshendetje me shkrim, ai bënte edhe një përshëndetje me telefon në sallë, për të uruar të pranishmit dhe për të falenderuar mysafirët e huaj për pjesëmarrjen e tyre. Në përeshendetjen e fundit me shkrim që i dërgoi Dr. Krasniqit, më 19 nëntor 1988,  shkruan ndër të tjera:

“Më vjen keq që për arësye largësije dhe shëndeti nuk jam në gjëndje të marr pjesë në përkujtimin e 76-të të festës Kombëtare Shqiptare. Edhe një here tjetër, po përkujtojmë dhe festojmë në mergim ditën më të shenjtë të kombit tonë. Ashtu si e kemi bërë çdo vit, që kur kemi ikur  prej atdheut, për arsye të ndryshme, por më shumë se çdo gjë,  sepse nuk kemi dashur të pranojmë zaptimin e tokës tonë nga të huajtë, as që nuk kemi dashur t’i bindemi diktaturave të inspiruara ose të shtërnguara mbi kombin tonë prej të huajsh, ose prej ideologjish të huaja. Jemi të bindur se bashkë-atdhetarët tonë në Shqipëri dhe në tokat tona të robëruara, e festojnë gjithnjë këtë ditë të shquar, dhe shpresojnë të gëzojnë jetë të lumtur, në paqe me të gjithë liritë demokratike që duhet të kenë njerëzit e lirë dhe për të cilat kanë luftuar me gjak të parët tonë.”

Ndërkaq, telefonatën në sallën e hotelit, ku Komiteti “Shqipëria e Lirë” po përkujtonte Festën tonë Kombëtare, nuk arriti ta bënte. Atë ditë, më 28 Nëntor 1988, ai mbylli sytë përgjithmonë, në një aksident automobilistik, aty nga ora 12 e ditës. Trupi i tij ishte përgjakur, skenë kjo që të kujtonte fundin tragjik si të babait ashtu edhe të gjyshit të vet. 

Lajmi i vdekjes tragjike të Vasil Gemenjit dhe të zonjës së tij, na erdhi pa përfunduar akoma ceremonia e Festës së Flamurit. Prof. Rexhep Krasniqi dhe Dr. Hamdi  Oruçi, miq të ngushtë të familjes Gërmenji, u nisën menjëherë për në Florida. Atje organizuan në mënyrë dinjitoze funeralin e tyre në varrezat e qytetit Inverness. Komiteti “Shqipëria e Lire” mori letra e telegrame ngushëllimi nga personalitete të ndryshme të ACEN-it, ministria e Jashtme amerikane, etj.. “Zëri i Amerikës” transmetoi të nesërmen një nekrologji të zgjeruar të Germenjit ku u evidentua veprimtaria e tij në shërbim të atdheut.

Gazeta kryesore e qytetit Inverness, në Floridën qendrore, botoi një përmbledhje të veprimtarisë politike të Vasil Gërmenjit, si antar i Komiteti “Shqipëria e Lirë”, bashkë me një fotografi të tij para ndërtesës së Kongresit Amerikan, në Uashington, kur ai po i dorëzonte kongresmenit të Nju Yorkut, Horton, një memorandum politik mbi gjendjen e Kombeve të Robëruara Europiane, nga ACEN-i në vitin 1969, kur ai ishte Kryetar i organizatës në fjalë.

           7- Heshtje e dhimbëshme ndaj tij

Vasil Gërmenji,  trashëgimtar i një dere të njohur atdhetarësh, rritur jetim me vuajtje e varfëri të skajshme; njeri praktik dhe i gjëndshëm në jetë; bujar, besnik dhe atdhetar i shquar, sot pushon në heshtje larg atdheut.  Emri tij gadi nuk njihet as në Korçën e tij të dashur e lëre më në atdheun e tij etnik, të cilit i kushtoi jetën.  

Kam pasur fatin të njihem me Vasil Germenjin dhe të bashkëpunoj me të për njëzet vjet, qysh ditët e para të ardhjes time në SHBA, më 1968 dhe përpjekjeve për të ndihmuar prof. Nexhat Peshkëpinë, në përgatitjen e gazetës  “Shqiptari i Lirë”, e deri ditën që ai mbylli sytë, në aksidentin e përgjakshëm automobilistik. Vite pas vdekjes së tij, mësova nga Dr. Krasninqi, se Vasili kishte insistuar para se të ndërronte jetë Nexhati, më 1970, që të hyja unë në komitetin “Shqipëria e Lirë” dhe të merresha me problemet e shtypit të tij. 

Kthimi i eshtrave të Vasilit në atdhe dhe ngritja e një busti pranë xhaxhait të vet në Korçë, do të nderonte Korçën dhe korçarët. Emërimi i një rruge ose Bulevardi në Tiranë, me emrin e tij, do të nderonte Shqipërinë dhe shqiptarët. Është detyrim moral, atdhetar e kombëtar edhe për shqiptarët e Kosovës të nderojnë Vasil Gërmenjin, sepse manastirliu i Korçës, i doli zot Kosovës edhe në Pallatin e  Organizatës të Kombeve të Bashkuara.  Kolegëve të Vasil Gërmenjit, burrave të shteteve, diplomatëve dhe politikanëve mërgimtarë të Kombeve Europiano-Lindore, të sunduara prej komunizmit sovjetik, u janë ngritur permendore në kryeqytetet e vendeve të tyre. Pas 20 vjet demokracie në Shqipëri, është dhimbje e tmerrshme kur mendon se veprimtaria kombëtare  e  Vasil Gërmenjit po iu jepet bashkëkombasve të tij vetëm përmes këtij shkrimi të thjeshtë.

*Ish gazetar i Zerit te Amerikes dhe sekretar i Komitetit “Shqiperia e Lire”, sot anetar i Kryesise se Vatres.

Diciturat e fotografive;

  1. Vasil Gërmenji
  2. Autori i shkrimit, Idriz Lamaj duke i dorëzuar një dhuratë simbolike Vasil Gërmenjit me rastin e daljes së tij në pension, 28 Nëntor 1973.Djathtas, i ndjeri Zef Mirakaj, që ishte moderator i darkës
  3. Gazeta”Liria e Kombit” e Vasil Gërmenjit
  4. Nga e majta, Jusuf Begeja, dr. Athanas Gegaj, dr. Odhise Dhima, Ing. Vasil Gërmenji- Strasburg 1958, kryetar i delegacionit të komitetit Shqipëria e Lirë
  5. Dr. Rexhep Krasniqi, Prof. Nexhat Peshkëpia dhe Ing. Vasil Gërmenji
  6. Mons. Zef Oroshi, Prof. Nexhat Peshkëpia dhe ing. Vasil Gërmenji

Filed Under: Histori Tagged With: -NIPI I THEMISTOKLI GERMENJIT

Revolucioni qe hengri bijtë e vet!

February 8, 2020 by dgreca

Shkruan Pellumb Lamaj/
Ishte heret ne mengjes kur ne koridorin e birucave u degjuan hapa policesh dhe perplasje dyersh e llozesh.Nuk kaloi shume kohe dhe hapat e gardianeve u ndalen perball qelise time dhe pasi hapen deren,dy gardiane me shoqeruan per tek dhomat e hetuesise ku pergjegjesi i birucave me zgjati kepucet dhe nje kulete me fotografi qe i kisha me vete diten qe isha arrestuar.Me lidhen dore per dore me nje tjeter te denuar dhe na nxoren ne oborrin e burgut ku qendronin edhe te denuar te tjere ne rresht e te lidhur dy nga dy.Pas disa minutash u hap porta e madhe prej metali dhe nje makine e mbuluar krejt hekur qe i shembellente nje makine frigoriferi,u fut brenda oborrit qe rrethohej me mure te larta betoni ku ne cdo cep qendronte nje vendroje ushtari me automatik drejtuar nga ne.Ishte ”autoburgu” kjo makine perbindeshe qe nuk ndalte se transportuari mijera e mijera fatkeq te pafajshen ne te gjitha skajet e Shqiperise ku egzistonin shume kampe pune te detyruar.Nderkohe qe prisnim ne radhe ,te heshtur per te hipur ne autoburg,nga porta e madhe u nisen drejt nesh kryetari i deges se brendeshme Llambi Pecini i shoqeruar nga nenkryetari Meramet Hila.Na hodhen nga nje shikim perbuzes perzjere me urrejtjen artificiale pasi ne nuk kishim kryer asnje faj as kundra tyre e as kundra popullit ne emer te te cilit na kishin arrestuar e denuar.Nderkohe Meramet Hila mu afrua me veshtroi me qesendi e duke u ngerdheshur mu drejtua;te dolem borxhi por ti si armik e bir armiku jo vetem na refuzove, por dhe nuk pranove ti beje apel denimit.Tani shko dhe nxirr mineral me thonje.Dhe degjo ketu -mu drejtua duke tundur nje fshikull qe mbante ne dore;harroje dajon dhe amerikanet se dhe po u kujtuan nje dite per ju,ne do ju vrasim juve te paret pastaj ata dhe u largua duke perplasur mbi beton cizmet mershine.E pashe gjithe urrejtje dhe ne moment i thashe;Le t’ja leme kohes,ajo do deshmoj gjithshkah.Ti do e ngresh i pari flamurin amerikan.Ai u kthye menjehere si bishe dhe ngriti fshikullin per te me goditur ,por zeri i Llambi Pecinit beri qe te ul doren.Lere ,mos u lodh kot me ate ,me koken qe ka ai do ngordh ne burg dhe u larguan te dy per nga zyrat e deges se brendshme qe ishin jashte rrethimit. Hipem dy nga dy ne autoburg ku na priste nje erresire e thelle qe perzjere dhe me heshtjen tone te injektonte nje ndjenje frike.Autoburgu u nis dhe nje Zot e dinte se ku.Nuk di sa kohe kaloi dhe autoburgu ndaloi dhe jashte degjuam zera e britma policesh qe me perzjerjen e dyerve te hekurta na dhane sinjalin se kishim mbritur ne destiancion.Dera e autoburgut u hap dhe policet na zbriten dy nga dy sic ishim lidhur.Per muaj te tere s’kisha pare qiell dhe diell me sy e duke thithur ajrin e fresket dhe me syte gjysem te mbyllur drejte qiellit, ndjeva nje lehtesi.Ne oborr na mbajten disa minuta dhe pasi na dhane nga dy batanije te vjetra e te grisura qe kundermonin ere myku,na futen ne nje dhome te madhe me krevata derrase tre kateshe te mbushur me tyme duhani ku mund te ishin rreth dyzete- pesedhjete te denuar.Vendosa bataniet ne cepin e dhomes ku gjeta nje hapesire dhe u shtriva i lodhur e i dermuar.Ishte heret ne mengjes kur u zgjova nga zhurma e britmave te policeve dhe perplasjes se kazaneve te supes.Ishte servirja e mengjesit e pasi e gelltitem ate cope buke dhe supen ,policet na ben shenje per ne banjo e pasi mbaruam nevojat personale na urrdheruan per ne ajrosje.Ajrosja ishte oborri ku te denuarit dilnin per tridhjete minuta.Ishte nje oborr rrethuar me mure te larte betoni ku siper mureve dalloheshin gardhet me tela me gjemba dhe ne cdo kend truperoja ushtaresh te armatosur.Disa te denuar nisen te levizin neper oborr dhe te tjere zune nga nje vend reze murreve per t’ju shmangur rrezeve te diellit.Zura dhe une nje qoshe prane murrit dhe u ula ne cimento.Nje i denuar mu afrua dhe me zgjati nje cigare;faleminderit i thashe,nuk e pi.Mire per ty -tha ai, por ja qe helmi do helm e vetem ky na ka mbetur.Ben mire te levizesh pak -vazhdoi ai- ti je i ri e ne Spac te presin galerite- dhe nisi te leviz neper oborr.Ne cast e kuptova qe ajo qe quhej ajrrosje pas gjithe atyre torturave ne qeli nuk ishte gje tjeter vecese metoda qe perdornin vrasesit tane per te na ringjallur nga kufome qe ishim katandisur ne skllever te perjetshem,por me nje ndryshim nga sklleverit,shpresa per te fituar lirine tek ne nuk do te egzistonte dhe kete e mesova me mire kur shkova ne Spac dhe pashe me syte e mi se si arrestoheshin serrish diten qe mbushnin denimin pa dale ngakampi duke marre nje denim te ri.Duke veshtruar here muret e larta prej betoni e here qiellin qe dukej i copetuar me tela me gjemba dhe ata fatkeq qe zvarriteshin ne oborr ashtu te coroditur,zhele -zhele dhe pa shprese,nje i denuar qe rrinte ulur me nje tjeter te moshuar e me syze ma beri me dore te shkoja prane tyre.U cova dhe u ula ne ate pak hije ku qendronin dhe ata kembekryq.Ne mos gaboj ti errdhe dje nga hetuesia -mu drejtua ai. Po -i thasheNga ju kemi–?Nga Vlora-ju pergjigja.Sa te kane denuar ? vazhdoi aiPesembedhjete vjete- i thasheSa vjec je ?Nentembedhjete -ju pergjigja.Eh mor bir -psheretiu ai,une e kam filluar qe nga dyzetepesa hyre e dil.A do ta ndezesh nje cigare ? faleminderit -i thashe nuk e pi.Une po shpij pak kembet -me tha ai -ti mund te besh pak muhabet me Zefin dhe nisi te ec me hapa te ngadalte.Kaluan disa caste dhe burri i moshuar qe rrinte krrusur me nje pale syze te medha miopi theu heshtjen, por pa levizur koken e me veshtrimin ngulitur largEh mor bir,ti je i ri e me moshe kalohet c’do gje.Ashtu eshte- i thasheNe Vlore kam pas miq,Sadik Premten,Mynyr Xhindin,Neki Ymerin e te tjere.Me fal -i thashe,. por nga ju kemi?Nga Shkodra,Zef Malaj.Ne cast nje ndjenje emocioni me pershkoi te terin.I burgosuri qe bisedoja ishte nje nga protagonistet e leivizjes komuniste ne Shqiperi te cilin si shume te tjere Enver Hoxha e kishte eleminuar dhe quajtur antimarksist e qe emrin e tij e kisha ndeshur ne tekstet shkollore te H.P.P.SH.Aiishte denuar qe ne fillimet kur banda bolshevike e Hoxhes errdhi ne pushtet me burgje e internime e tani i verbuar,ngryste vitet e pleqerise ne burg.Emrin tuaj e kam degjuar e lexuar ne tekstet shkollore -i thashe-dhe me vjen mire qe bisedojme.Edhe personat qe ju me permendet i kam degjuar te permenden ne bisedat familjare -vazhdova.Sadiku eshte ne France ndersa dy te tjeret besoj edhe ti e di si i vrane nga prapa shpine.Ai mbeshteti koken prane murrit te betonte dhe pasi morri fryme thelle vazhdoi-Te gjithe ne qe ishim kunder jugosllaveve e paguam ne nje forme a tjeter.Me vjen mire qe dike gjra qe neser historia ti shkruaj se s’ka me mallkim se nje popull qe nuk shkruan historine e tij te vertete.Me falni -vazhdova a mund t’u bej ndonje pyetje ?Po -vazhdoi ai pa levizur koken,nese ka pergjgje per to.Si ka mundesi -i thashe qe Enver Hoxha nje aventurier qe s’mbaroi dot nje vit ne universitet me burs shteti pa qene as kryetar grupi komunist u vu ne krye te levizjes dhe PKSH ?Ai tundi koken e pas pak mu pergjejg.Ka vetem vetem nje fjale,jugosllavet.Ne ishim te rinj,me enderra ,kishim qene me studime jashte shtetit ne vendet e qyteteruara dhe donim qe edhe atdheu yne te zhvillohej .Perqafuam nje levizje qe nuk e dinim fundin nderkohe qe Hoxha u dirigjua dhe u perkrah nga emisaret serb te cilet e dinin shume mire si vihej ne pushtet.Takimin e fundit me Miladin Popovicin e pata aty nga vera e vitit 1944 dhe pasi biseduam per pak kohe,me tha te dilnim jashte per pak ajer te fresket.Bem disa hapa dhe ai ndali e mu drejtua. Zef,c’fare mendimi keni per Kosoven.Ne cast une ju pergjigja lirshem;Kosova eshte shqiptare dhe do te zgjidhet me plebishit.Ky do te ishte dhe takimi i fundit me Miladinin dhe prej asaj dite si shume te tjere une do te konsiderohesha armik i partise dhe jeta ime do te perfundonte si shume te
tjere ,kampe,burgje,internime.Emisaret serb injektuan vrasjet pas shpine dhe terrorin nderkohe qe ne si komuniste te moderuar ashtu dhe nacionalizmi nuk ishim te pergatitur per lufte civile.Natyrisht qe s’duhet mohuar dhe faktori i jashtem qe ishte dhe vendimtari.Nderkohe u degjua zeri policit qe na bertiste te futeshim brenda.Ishte heret ne mengjes te nesermen kur nje i burgosur i shoqeruar me disa police hyri ne dhomen tone dhe nisi te lexoj nje list me emra perfshi emrin tim.Kush degjoi emrin te marr sendet personale e te dal ne oborr.Ne Spac – tha dikush qe kishte arrdhur per ne spital e priste te kthehej ne kamp.Shkova prane qoshes ku qendronte Zefi dhe i thashe qe po na transferojne per ne Spaç duke i shternguar doren.Zoti qofte me ju-me tha me nje ze te mekur.Edhe juve ju dhente zoti shendet -vazhdova – dhe dalci shendosh nga spitali.Ishte fundi dhjetorit,kishin kaluar disa muaj dhe nga nje i denuar qe vinte nga spitali i burgut te Tiranes mesuam se Zef Malaj kishte vdekur.Ashtu si Tuk Jakova e Halim Xhelo edhe protagonistit te levizjes komuniste dhe kryetarit te grupit komunist te Shkodres Zef Malaj i ishte mbyllur perfundimisht goja.Ate nate ne eresirren e galerise se piritit ne zonen e dyte nuk me ndahej fytyra e Zef Malajt.Dhe vetvetiu thelle nga shpirti me dolen disa rreshta;E moj kuceder e kuqeSi nuk u ngope me gjakEdhe pjellen tende hengreSi s’te plaska ai bark.
PELLUMB LAMAJ 
DITARI I BURGUT
  Dhjetor 1979

Filed Under: Histori Tagged With: Pellumb Lamaj-Revolucioni-hengri-bijte e vet

Kryeqyteti i Shqipërisë, sipas Faik Konicës, duhej ta kishte emrin “Drita”

February 2, 2020 by dgreca

Përgatiti  Rafael Floqi /DIELLI

Duke hulumtuar në numrat e vjetër të gazetës “Dielli” në dy shkrime interesante “Dielli”, 18/ 20 mars 1924,  se si e shihte i madhi Faik Konica të ardhmen e kryeqytetit të Shqipërisë.

Konica mendonte se në kushtet e Shqipërisë së kohës do të ishte më mirë që kryeqyteti i ri shqiptar të ndërtohej nga fillimi në një tokë pronë shtetërore dhe të kishte institucionet më të domosdoshme, dhe të ishte një qytet i ri i vogël administrativ, si ato të shteteve amerikane, si p.sh. Lansig për  Michiganin. Ai madje pat parashikuar gati 100 vjet  përpara se  tendenca për ta zgjeruar do ta dëmtonte arkitekturën e tij

Ai madje kishte menduar, madje, dhe një emër interesant që sipas tij duhet të plotësonte këto kërkesa: 1) të jet’ i shkurtër; 2) të ketë një formë, të pandryshuar, në gjithë dialektet e Shqipërisë; 3) të duket lehtë në sy dhe të tingëllojë i ëmbël në vesh të njerëzve të huaj; 4) të ketë një kuptim simbolik. Mua më duket se emëri DRITA i mbush që të katër konditat që emërova. Por siç tregoi historia, ky nuk qëlloi një emër pagëzues.

Tirana u shpall kryeqytet i përkohshëm i Shqipërisë në 9 shkurt 1920 nga Kongresi i Lushnjës dhe pjesëtarët e Këshillit Kombëtar hynë në qytet në 11 shkurt 1920. Përfundimisht Tirana u shpall kryeqytet i Shqipërisë në vitin 1925 nga Asambleja Kushtetuese.

Në Historinë e Popullit Shqiptar, “Periudha e Pavarësisë” përmendet shpallja e Republikës Shqiptare nga Asambleja Kushtetuese dhe miratimi i statutit apo kushtetutës republikane, në të cilat Tirana shpallet përfundimisht kryeqytet i Shqipërisë.

Në Tiranë, përkundrazi kundërshtimi i Esat Pashë Toptanit, hëpërhë ishte eliminuar, për sa kohë ai ishte kundërshtar i qeverisë së Durrësit. Veç kësaj Tirana ndonëse kishte një popullsi të barabartë me atë të Elbasanit, kishte kushte më të mira për organet qeveritare. Këtu kishte më tepër ndërtesa të mëdha, më tepër lokale publike, më tepër rrugë të gjera, më tepër hotele. Duke marrë parasysh këto faktorë, qeveria e Lushnjës mori vendim më 9 shkurt 1920, që ta vendoste kryeqytetin e Shqipërisë përkohësisht në Tiranë, duke e lënë të hapur çështjen e vendosjes përfundimtare të kryeqytetit kur të mblidhej e para asamble kushtetuese. Me miratimin e të gjithë pjesëtarëve të Kongresit të Lushnjës, anëtarët e Këshillit të Lartë, së bashku me pjesëtarët e qeverisë dhe të Këshillit Kombëtar, hynë më 11 shkurt 1920 në Tiranë, fill pasi repartet e ushtrisë italiane ishin larguar nga qyteti dhe vendosur në Durrës.  Gjatë kësaj periudhe i madhi Faik Konica hartoi dy shkrimet e tij si e shikonte të ardhmen e kryeqytetit shqiptar, sidoqoftë Konica parashihte atë deri në 6 000 banorë dhe jo në qytetin 1 milionë banorësh që është sot. Sidoqoftë banorët e Tiranës e pritën me entuziazëm hyrjen e organeve të larta shtetërore, në kryeqytetin e përkohshëm të Shqipërisë, të cilin asambleja kushtetuese e vitit 1925 e shpalli përfundimisht kryeqytet të saj. Sidoqoftë jeta e Tiranës si kryeqytet i Shqipërisë fillon më 11 shkurt 1920.

“Shënime mi Kanunin e Themelit-Kryeqyteti

“Dielli”, 18 mars 1924

Që Shqipëria duhet të ketë një kryeqytet të ri, pakë njërës të kuptuar e kundërshtojnë ose e vënë në dyshim, kur e bisedoja këtë çështje më 1913 në Shkodrë edhe në Durrës, – disa, që nuk e pëlqenin mendimin e një kryeqyteti të ri, jipjin si arësye të qëndrimit të tyre harxhet e tepërta, të duhura për një qëllim t’atillë, edhe varfërin’ e Shqipërisë. Shtroja përpara shëmbëllin e Amerikës, ku ngrihen për ditë qytete të ra; po ca si (Z.Krajewsky, përfaqsonjësi i Francës në Komision të Kontrollit, ish një nga ata) që më përgjigjeshin që Shqipëria s’ka pasurin’ e Amerikës, fjal’ e vërtetë, po fare pa vënt në Shqipëri: se në Shqipëri s’ka ndonjë qytet me ndërtesat qeveritare të duhura, ashtu që ndërtesat që do të bëhen të ribëhen medoemos; dhe me që do të bëhen të ra, – qoftë në një qytet të vjetër, qoftë në një shesh të shkretë, çmimi do të jetë tër’ ay dhe s’ka shpëtim nga harxhet. Përkundrazi, besojmë se për një qytet të ri harxhet do t’ ishin më të paka; se në një qytet të vjetër duhet blerë vendi.

Kurse sheshi i qytetit të ri munt të zgjidhet në një vënt që është mall’ i Shtetit dhe ashtu të mos kushtojë gjësendi. Ky është i vetmi kundërshtim që kam dëgjuar kundrë një kryeqyteti të ri, dhe kundërshtimi s’qëndron dot më këmbë prej vetiu, veç në e mbafshin nga krahu i djathtë interesa dhe nga krahu i mëngjër moskuptimi.

Le të hedhim tani një sy mi mirësit’ e një kryeqytet: të ri. Kryeqyteti i Shqipërisë duhet të jetë një pasqyrë e një shëmbëll shëndetësie, rregulle, bukurie në ndërtesat. Ky qëllim munt t’arrihet vetëm në një qytet të ri, se atje talenti i arqitektit s’gjen pengimet udhërash dhe çipesh po ka shesh të lirë për planet e tija. Ndërtesat e duhura janë këto: 1 Pallat për Kryetarin e Shtetit, 1 për Parlamentin, nj’ a 15 shtëpi për zyrat qeveritare dhe municipale, 4 për Universitetin, 1 për Shkollën e Muzikës dhe t’Arteve të Bukura, 1 për Shkollë Ushtarake, 2 për shkolla të mesme për djem dhe vajza; 1 për shkollë të parë, 1 për Musenë, 1 për Librarinë Publike të Shtetit, 11 për përfaqësit’ e huaja, 1 për gjymnasium dhe banja për gratë, 1 tjatër për burrat, për theatron dhe sallën e koncertit dhe të konferencave, 1 hotel të klasës parë, 1 hotel të klasës dytë, 3 ndërtesa për ‘ushtrimin e feve’, 1 krematorium për të djegur vdekurit, 1 klinikë, 1 për Kryqin e Kuq, 1 për postë telegrafin dhe telefonin, 1 për radiotelegrafinë, që bëjnë gjithësej 52 ndërtesa. Po të shtohen dhe 3 a 4 shtëpi mbëdha me apartamente të vogëla për familjet që duhet të vëndosen për shumë kohë në kryeqytet, si edhe 4 ‘dormitore’ ku të rrojnë studentët, – do të kemi një qytet të vogël po të mbaruar me nj’ a 60 ndërtesa dhe me një popullatë të zgjedhur nj’a 6,000 vetash (duke nëmëruar studentët dhe ushtarët). Ka kryeqytete Shtetesh, në Shtetet e Bashkuara, që s’janë më të mbëdha.

Po që të mbetet i bukur dhe të jetë pasqyra që duhet ë jetë për qytetet dhe fshatërat e Shqipërisë, – kryeqyteti, përvijësuar dhe i ndërtuar prej ndonjë artisti të vërtetë si janë n’ Evropë katër a pesë që kanë fituar famë në këtë degë, dhe njërit prej atyreve duhet t’i jipet barra) kryeqyteti duhet të mos ritet më, të mbetet një qëndrë e kombit, e patundur si një monument dhe ku çdo bina ishte proprieteti i Shtetit dhe jipet me qira, po nukë shitet. Vetëm me këtë mënyrë munt të mbahet i pacënuar nga zhvillimet industriale të shëmtuara.

Për emërin, duhet një emër që të mbushë këto të katër kondita: 1) të jet’ i shkurtër; 2) të ketë një formë, të pandryshuar, në gjithë dialektet e Shqipërisë; 3) të duket lehtë në sy dhe të tingëllojë i ëmbël në vesh të njerësve të huaj; 4) të ketë një kuptim simbolik. Mua më duket se emëri DRITA i mbush që të katër konditat që emërova.

Edhe disa mendime mi Kryeqytetin

“Dielli”, 20 mars 1924

Një nga pikat, që janë në favor të një kryeqyteti ri, është dhe kjo: zilitë, që qytetet e tjera munt t’ ushqejnë kundrë qytetit të zgjedhur për qëndrë, s’do të kenë vend, në qoftë se goditet një kryeqytet i ri. Mbaj mënt një fjalë që më thosh një Shkodran më 1913: “Po të themelohet një qytet i ri, puna ndryshon, edhe ahere as Shkodranët s’kanë për të pasur arësye ankimi.”

Le të thomi, pra, për hirin e bisedimit, se idea e një kryeqyteti të ri pranohet prej të gjithëve. Mbeten ca interesa lokale për të marë ndër sy: interesat e Tiranës.

 Pa fjalë, atje ku interesat përgjithëshme të Kombit janë në ballancë, vetëm këdo të kqyren dhe jo të tjera. Po kur të vihen në vënd interesat e Kombit, – në ësht’ e mundur të mos cënohen as interesat lokale të kryeqytetit të hëpërheshmë, jo vetëm është e udhës që të meren masa, po edhe duhet të meren.

Tirana, si kryeqytet provizor, ka ca “droi acquis”, (tw drejta tw fituara R.F) që nuk e do drejtësia të harrohen. Nga ana tjatër populli i Tiranës, dhe i katundeve për qark, është siellë miaft mirë në vjetet e fundit; ka dhënë disa prova në mos në zhvillimin politik, po të pakën urtësie: në kohëra kritike, kur munt të bënte dëm, ka ndihur, me sielljen e tij, që të mbahej qetësia. Por a duhet të presim më tepër nga një popull intellektualisht dhe politikërisht i pastërvitur, dhe i pastërvitur jo nga faji i vet? A ësht’ e drejtë t’ ankohemi se Tiranasit s’kanë çfaqur një shpirtë atdhesie më të gjallë e më të kthiellët?

Pastaj, Tirana është pak’ a shumë në qëndrë gjeografike të Shqipërisë, dhe të ndodhurit e saj afër detit i shton vleftën. Si pra, t’i bashkojmë këto pika në favor të Tiranës, me qëllimin, pas mëndjes s’ onë të domosdoshme, të një kryeqyteti të ri? Kjo pyetje munt të gjejë një përgjigjje të pëlqyer, në qoftë se sheshi, ku të goditet kryeqyteti, zgjidhet afër Tiranës.

Nj’a shtat’ a tetë kilometra nga Tirana, janë ca kodra të bukura – mall’  i Shtetit, në mos lajthitemi. Duhen tqyrur prej ekspertësh (jo ‘ekspertë’ si njeriu i natës, i quajturi Eshref Frashëri, sfinks i mbyllur, bashkonjës xvarranik i Asisë dhe i Afrikës, i hedhur nga Fati tallës n’ Evropë); – duhen kqyrur prej ekspertësh të vërtetë. Dhe atje ku të jetë më mirë, munt të goditet kryeqyteti ideal që ëndërojmë, i rrethuar nga të gjith’ anët prej një brezi kopshtesh për bukuri dhe zbavitje, si edhe për të vënë një kufi në rritjen e tij. Arësyet e ndalimit të rritjes i shpjeguam në një artikull tjatër: të jetë një qëndre qeveritare për punë dhe për shëmbëll, ritja – sado e regulluar të jetë – s’munt veç se t’a shëmtojë dhe t’i heqë fuqinë stërvitëse që do të ketë në qoftë se niset dhe mbarohet prej një artisti me kuptim të gjërë dhe me simpathi për qëllimin e themelonjësve. Ky kufizim i trupit të kryeqytetit e bën të nevojshme fqinjësin’ e një qyteti tjatër si qëndrë tregëtare. Në kryeqytet do të ketë ca dyqane për gjërat e vogëla; – po Tirana, dhjetë minuta me automobilë edhe vetëm një or’ e ca minuta me këmbë, do të jetë ‘de facto” kryeqyteti ekonomik, edhe ka për të marë ahere, e çliruar nga ngatrresat politike, një zulm të çuditshëm.

Filed Under: Histori Tagged With: Rafael Floqi-Tirana-Faik konica

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 259
  • 260
  • 261
  • 262
  • 263
  • …
  • 710
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Gjeneral-Ambasador i ShBA në TR, besim dhe përgjegjësi e shtuar për RSh”
  • Norwegians and foreigners from other countries who greatly helped make peace in Kosova
  • Fan Noli dhe Faik Konica, arkitektët e diplomacisë shqiptaro-amerikane që shpëtuan Shqipërinë nga copëtimi
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • 21 prill 1921, ditë e madhe e shtetit shqiptar. U hap në Tiranë mbledhja e parë, e parlamentit të parë, i dalë nga zgjedhjet e para. Historitë e deputetëve Ali Këlcyra dhe Ali Koprëncka
  • KOMITETI “MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS” NË  FONDET ARKIVORE TË ARKIVIT TË SHTETIT SHQIPTAR
  • The Architecture of Alignment
  • Kujtojmë me nderim arkeologun dhe studiuesin e shquar Skënder Anamali
  • Një moment në historinë kombëtare…
  • ELIOT ENGEL – NJË MIK I PAHARRUAR I SHQIPTARËVE DHE ZË I LIRISË DHE DREJTËSISË PËR KOSOVËN
  • REALIZIMI I TË DREJTAVE GJUHËSORE SHQIPTARE (1924–2026): ARTIKULIMI QYTETAR DHE DIPLOMACIA
  • BOOKFEST NË CHICAGO
  • “Brenga”, trinomi filozofik nga rrëfimi historik tek drama morale
  • Vatra Boston mbështet ekspozitën e kostumeve tradicionale shqiptare
  • Në kujtim të 160 civilëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë fashsite!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT