• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Nënshkruhet marrëveshja për koalicionin qeverisës

February 2, 2020 by dgreca

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë nënshkruar marrëveshjen për koalicionin e ardhshëm qeverisës në Kosovë.

Marrëveshja është nënshkruar nga liderët e të dy partive, Albin Kurti (Vetëvendosje) dhe Isa Mustafa (LDK).

Dy liderët, Albin Kurti dhe Isa Mustafa, në një konferencë të përbashkët për media njoftuan për arritjen e marrëveshjes dhe ndarjen e përgjegjësive në kuadër të qeverisë së re.

“Ne sot u takuam me kryetarin Isa Mustafën dhe u dakorduam që të takohemi edhe nesër për ta zgjedhur qeverinë e re dhe në këtë mënyrë ta jetësojmë ndryshimin e madh politik të 6 tetorit. Ne tashmë kemi nënshkruar marrëveshjen dhe jemi marrë vesh për të gjitha, përveç për harmonizimin të programit edhe për ndarjen e përgjegjësive në kuadër të qeverisë së re, ku ne do të bashkëqeverisim”, tha i mandatuari për kryeministër, Albin Kurti. 

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa tha se dy partitë dëshirojnë që qeveria të jetë e suksesshme, dhe siç u shpreh ai, të realizojë pritjet e qytetarëve.

“Ne kemi arritur marrëveshje dhe vlerësojmë se është marrëveshje e mirë është në interes të ndryshimeve që domodosshmërisht duhet të ndodhin në vendin tonë”, tha Mustafa.

Sipas kësaj marrëveshjeje, Qeveria e re e Kosovës, e udhëhequr nga LVV dhe LDK do të ketë 15 ministri, dy zëvendëkryeministra dhe rreth 33 zëvendësministra.

Ndërkaq, kryetari i Kuvendit të Kosovës, do t’i takojë Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti tha se Glauk Konjufca, i cili ishte zgjedhur në krye të institucionit legjislativ më 26 dhjetor, nuk do të japë dorëheqje, por do të marrë një post qeveritar.

Ndërkaq, çështja e presidentit nuk është pjesë e kësaj marrëveshjeje, tha lideri i LDK-së, Isa Mustafa.

“Sa i përket presidentit nuk është pjesë e marrëveshjes që sot e kemi nënshkruar. Do të jetë çështje për të cilën do të dakordohemi unë dhe Kurti si lider politik dhe do ta zgjedhim edhe atë çështje në kohën që është e domosdoshme”, tha Mustafa.

Dy partitë pritet gjatë ditës të mbledhin organet vendimmarrëse, që ta miratojnë marrëveshjen e arritur mes dy liderëve.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, mandatari për kryeministër të Kosovës, Albin Kurti ka bërë një postim në Facebook, ka uruar qytetarët për arritjen e marrëveshjes.Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës në rrjetin e tij social Facebook ka shkruar se me arritjen e marrëveshjes së koalicionit do të angazhohen në fuqizimin e shtetit të Kosovës.

Më 3 shkurt, në seancën plenare të thirrur nga i mandatuari për kryeministër, Albin Kurti, pritet të votohet për Qeverinë e ardhshme të Kosovës, të udhëhequr nga LVV-ja dhe LDK-ja.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj më herët ka thënë se lajmi për arritjen e marrëveshjes “është veprim i duhur dhe konkretizim i mirë, që respekton rezultatin zgjedhor”.

“Tashmë është e domosdoshme të formohet qeveria sa më shpejtë”, ka shkruar Haradinaj në llogarinë e tij në Facebook.

Qeveria konsiderohet e zgjedhur nëse merr shumicën e votave (61 e më shumë) të të gjithë deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Bazuar në numrin e deputetëve të Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike, shumica prej 61 votave është e pritshme të arrihet, pasi që në zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura më 6 tetor, Vetëvendosje fitoi 29, kurse LDK 28 ulëse në kuvend. Këtij numri i shtohen edhe votat e komuniteteve pakicë, të cilat do të jenë pjesë e qeverisë po ashtu.

Megjithatë, në rast se përbërja e propozuar e qeverisë nga Albin Kurti nuk merr shumicën e votave të nevojshme, presidenti i Republikës së Kosovës, brenda 10 ditësh emëron kandidatin e ri për kryeministër.

Nëse as herën e dytë nuk zgjidhet qeveria, atëherë presidenti i Kosovës i shpall zgjedhjet, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 40 ditë nga dita e shpalljes së tyre.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë janë mbajtur më 6 tetor, 2019. Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më së shumti vota, e përcjellë nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Këto zgjedhje pasuan dorëheqjen e Ramush Haradinajt nga pozita e kryeministrit të Kosovës, pasi që ai kishte marrë ftesë për intervistë në cilësinë e të dyshuarit nga Gjykata Speciale me seli në Hagë.-Kortezi-Luljeta Krasniqi-Veseli-Europa e Lire.

Filed Under: Histori Tagged With: Nenshkruhet Marrveshja-LVV-LDK

“KUSH KUJDESET PER TË MJERIN” PATER PAULIN MARGJOKAJ (II)

January 31, 2020 by dgreca

Nga LEONORA LAÇI/

Disa ditë më parë solla në vëmendje artikullin e Pater Paulin Margjokës lidhur me rolin e disa personaliteteve të rëndësishëm fetar kryesisht nga Gjermania e Anglia që frymëzuan njerëzimin dhe mbështetën të varfërit.  Ndërsa këtu përmenden personalitete fetare nga Franca si; Antoine-Frédêric Ozanam, Léon Harmel, Albert De Mun, Frédéric Le Play, kardinali Lavigerie, kardinali Manning.

Pater Paulin Margjokës së fundmi i janë ribotuar studimet e tij, përmendim këtu: “Kush janë anmiqt e Shqipnisë?” botuar në 2012 nga Botimet Françeskane, vëllimin e dytë të saj “Si râ murtaja komuniste e muer dhenë- Liri prendimore apo despoti orjentale”- Botimet Françeskane, Shkodër: 2019. Ekziston edhe një vëllimi i tretë me titull “Njerëzimi midis tiranisë dhe lirisë” që ende nuk është botuar.

Për Pater Paulin Margjoken duhet të krenohet vendi i lindjes dhe duhet t’i jap vëmendjen e duhur, vendin e duhur.

(Revista Jeta Katholike, Pater Paulin Margjokaj, Jeta Katholike, vjeti 1967, nr 4).“Vijojmë prej numrit të kaluem me prû asi njerzsh qi janë perpjekë në nji mndyrë a në nji tjetr per të lenue mjerimet e njerit. Me ande kerkojmë sidomos emnat e atyne njerzve qi u interesuen per të permirsue gjendjen e puntorisë. Sepse, si âsht çekë edhe n’artikullin e mâparshem, shi në kohën qi kemi para sysh u zhvillue me hapa të shpejtë industrija moderne e u pá nevoja qi me gjetë mndyrë se si me e rregullue gjendjen aspak të mirë të puntorisë nder fabrika. N’artikullin e kaluem shkruem mbi Kolpingun e mbi Ketteler e çekem ndoj êmen tjeter nga bota tedeshke, ket herë po bijmë do njerz nga bota frenge. Arsyen pse jemi kah zgjedhim asi njerzsh qi kan jetue në kohë të Marksit e kemi thanë qyshë në fillim. Sá per vende, prej kah vijnë kta njerz, janë marrë para sysh vetem ato kû Marksi ká jetue e veprue. Perposë Gjermanisë e Anglisë, Marksi ka jetue edhe në Francë. Per mâ teper Marksi e ká zotnue gjuhen frenge. Madje në familjen e Marksit qi âsht kenë familje me njerz shkollet së naltë, âsht folë posë gjermanishtjet edhe gjuha angleze dhe ajo frenge. Sigurisht Marksi e ká marrë at dijen e vet në lamen shoqnore e ekonomike nga auktorë anglez e freng.

Mâ së parit permendim Antoine-Frédêric Ozanam, lindun në vj.1813 e vdekë në 1853. Qyshë i ri, 18 vjeç tue kenë, kishte fillue me u marrë me studjime shoqnore. Ai i pat bâ nji kritikë soçjologut të njoftun Saint Simon. Nder lekcjonet qi Ozanam dha në 1839 mbi të Drejten Tregtare, kishte parashtrue mendimet e veta themelore të nji doktrine shoqnore katolike. Qi të mbrrihet mâ lehtë me rá në godi puntori e sipermarrsi lypet, si mbas Ozanam, me u ndjekë rruga mes liberalizimit e dirigjizmit shtetnuer. Me fjalë tjera: jo me kenë krejt lirë e pá asnji kontroll sikurse dote liberalizmi i asaj kohe, por n’anë tjeter jo me pasë shtetigjithëshkafen në dorë e mos me durue asnji nisjative private. Puntorit i token me të drejtë me marrë nji shperblim familjar, dmth, me mattë aq sá të mjaftojë me mbajtë mbarë familjen e vet. Ozan, qi e gjeti kavinë e revolucjonit të vjetës 1848 në gjendjen e keqe shoqnore, mbajti krahin e popullit dhe thotë se ky mund t’a sigurojë lirinë vetem në nji demokraci të krishtenë.

Per nji akcjon dashtnijet të krishtenë ai kje nxitë jo vetem nga prindë e vet, por edhe vetë pat rasen me e pá me sy mjerimin e popullit. I mbushun mendësh qi Kisha nuk gjênë sa duhet besim në botë, ai në vj.1833, prá vetem 20 vjeç tue kenë, zbashkut me 5 studenta, i vuni gurin e themelit Shoqnisë së Shen Vinçencit. Si shembull e si pajtuer u zgodh Shen Vinçenci de Paul, i famshmi shêjt freng qi jo vetem ka themelue urdhnin e Lazaristave, qi quhen edhe Meshtarët e Misjonevet, por âsht i njoftun sidomos si themelues i Motravet të Dashtnisë, qi frengisht quhen Filles de la Charité, në Shqipni i quejshim Mungeshat e Spitalit. Natyrisht ká edhe tjera mungesha qi sherbejnë nder spitale, por kto qi themeloi Shen Vinçenci janë mâ të permendunat, e Shoqnija e ktyne mungeshave qi në ndoj vend quhen Vinçenci janë mâ të permendunat, e Shoqnija e ktyne mungeshave qi në ndoj vend quhen Vinçentine, âsht mâ e madhja në mbarë boten katolike; ato kapen në mâ se 60 mi.

Kjo Shoqnija e Shen Vinçencit, themelue prej Ozanam, âsht nji shoqni shekullarësh. Dy janë qellimet kryesore qi çdo pjestar i Shoqnisë ia vên vedit per detyrë: ndima per t’i u dhanë njerit per çdo nevojë e shejtnimi vehtjak i çdo pjestari. Tash per tash shoqnija âsht e perhapun nder 103 vende të botës. Qandrrat kapen gjithsejt në 32 mi e mâ se 400 mi janë pjestarët e Shoqnisë. Ndoshta u bjen nder mend katolikve qi janë kah lexojnë kta rreshta, qi në Shkoder e nder qandrra tjera ndaheshin ndima per të vorfen; kjo ndimë nder qandrra kû veprojshin françeskanët quhej “Buka e Shen Ndout”, mjesá nder ato të Jezuitve si edhe të Priftenve ndimote Shoqnija e Shen Vinçencit, shi kjo e themelueme prej Ozanam. Kshtu âsht kenë gjithkund nder kisha katolike të Shqipnisë nder kohët e kalueme.

Ndima qi apin njerzt e ksaj Shoqnije u shkon jo vetem atyne qi kanë nevojë materjale, por edhe mâ fort merren para sysh nevojët shpirtnore. Shkohen e vizitohen familjet, per të diktue kû janë njerzt qi kanë nevojë per ndimë. Po mos të shkohet me i vizitue kta njerz fatmjerë, ata nuk kishin me pasë kurajon me dalë vetë e me e lypë ndimen per të cilen kan nevojë. Nder mbledhje të shpeshta qi bajnë pjestarët e Shoqnisë bamirëse, vihen e msohen e pregatiten herë per herë se si e në çë mndyrë do të veprojnë, per të lenue mjerimin e njerzvet.

Ozanam kje nji intelektual, por jo në veshtrimin qi mund të ketë kjo fjalë sot, kur neve na paraqiten asi “intelektualësh” kacagjela, të cilët jo vetem flasin shum pse dijnë pak, por edhe veprat qi ata kryejnë nuk perkojnë aspak me fjalët e mdhaja qi flasin. Ozanam jo vetem ka shkrue e ka botue libra, por ai e ka diftue me vepra dashtnijet se si duhen të merren në dorë problemet e vshtira të shoqnisë.

Tash po bijmë nji njeri t’industrisë, ky quhet Léon Harmel e âsht kenë nji nder njerzt mâ me randsi të katolicizmit shoqnuer në Francë. Ai pat kenë lindë në 1829 e ka vdekë në 1915. Harmel pat pasë nji fabrikë tekstilit të veten, kû u mundue me gjith shpirtë me e rregullue çashtjen e puntorvet sa mâ mirë e mâ per ta. Në fabrikën e vet pat krijue kashen e kursimit, pat shti kshilltarët e fabrikës e shperblimin familjar. Ket të mbramin e ká fillue në vj.1891, prâ mbasi ka pasë dekë Marksi. Na permendim ktu Marksin qi ka vdekë në 1883, sepse e kemi qitë ceken me prû vetem faktet qi kan ndodhë ndersa Marksi ishte gjallë. Arsyen sepse, e din tashmâ lexuesi e ka me e marrë vesht edhe mâ mirë mbas do kohet. Per mâ teper Harmel u mundue edhe per shkollimin e puntorvet të fabrikës. Kuptohet vetvetiut qi ai e mbante si krejt të natyrshme qi puntorët do të kenë të drejten me u bashkue nder sindikata ase në shoqni tjera, krejt si t’a kenë dishirin vetë puntorët.

Bashkëkohës i Harmel ishte Albert De Mun, i lindun në 1841 edhe ky prisë i dêjë i katolikve francez të shekullit të kaluem. Ideali i tij kryesuer ishte nji Francë katolike, e rregullueme prej parimesh kristjane në lâmen shoqnore. De Mun themeloi organizata të fuqishme jashta-parlamentare: Union Catholique (bashkimi katolik), mandej Aktion liberale Populaire (akcjoni liberal populluer) qi u dallue në luften kundra anmiqvet të religjionit. Per të sigurue bashkëpunimin mes puntorvet e puntorëdhansvet De Mun themeloi Cercles ouvriers (qarqet e puntorvet) dhe Jeunesse Catholique (rinija katolike).

Kerkesat qi De Mun parashtroi në parlament kjenë kto; sigurimi i puntorve, kufizimi i punës së grave, dmth, ato nuk do të bâjshin të tana punët e randa sikurse burrat, mandej reduktimi i orvet të punës e në fund shperblimi i drejtë. Propozimet e tija shoqnore-politike i bani mbasi u muer vesht me shokun e vet Leon Harmel. Vjeta kur i bâni propozimet âsht kenë 1884, prá nji vjetë mbas dekës së Marksit.

Per nji tjeter francez të ksaj kohe, Frédéric Le Play, qi u muer me problemet e puntorisë, po permendim vetem dy libra të tij të randsishem: “La réforme sociale en France”(reforma shoqnore në Francë), botue së parit në 1864, si edhe “L’organization du travail” (organizacjoni i punës), botue në 1870. Le Play ká vdekë në 1882. Ky ndjehet edhe si themelues i nji shkolle: “science sociale”(shkolla e shkencës shoqnore).-Nji tjeter themelues i nji  shkolle në vedi-shkolla e Réforme sociale (e reformës shoqnore) âsht Charles Périn prej Belgjiket, i lindun në 1815 e vdekë në 1905. Të dyja kto shkolla kan kenë në lulzim në kohen para se të çpallej ençiklika (qarkorja) shoqnore “Rerum Novarum” e Leonit XIII në vj.1891.

Tashti po bijmë ktu kardinalin Lavigerie, i lindun në 1825 e vdekë në 1892. Ky tanë fuqinë e vet e zellin e perdori n’Afrikë, kje êmnue argjipezhgev n’Algier (Alger), kryeqytet i Algjerisë, mâ vonë u titullue edhe si Argjipezhgev u Kartagjenës e Primat i Afrikës, qysh me 1882 u bâ kardinal. U perpoq sa mujti per bashkimin mes Arabve e Kristjanve n’Algjeri. Shoqnija e “Etenve të Bardhë”(Pères Blancs, zyrtarisht: Patres Albi) qi ai themeloi në vj.1868, i caktoi vedit Afriken si fushë kryesore të veprimtarisë. Edhe tjera Shoqni “Motrat e Bardha” e themelueme në 1869 prej të njajtit kardinal, ishte e shenjueme me veprue nder shkolla e nder spitale në mes të Muslimanvet.

Por shka e ka bâ edhe mâ të famshem kardinallin Lavigerie edhe jashta qarqeve katolike âsht kenë kryqzata e tij kundra skllavërisë. Ky âsht nji problem i vjeter qi e trazonte koshiencen e Europjanve që nga shekulli i XVI-të. Fuqitë kolonjale kerkojshin njerz të fuqishem per t’i perdorë nder punët e bujqsisë n’Amerikë, sepse Indjant u dukshin atyne teper të ligshtë. E në ket mëndyrë u fillue me grabitë Zezakët e Afrikës e me i dergue me punue nder pronet e pushtetevet europiane n’Amerikë. Mâ gjatë nuk mund të shkojmë ktû, pse do të duheshin shum faqe me e pershkrue ket marre të “qytetnisë” së kohës së ré. Mjafton me dijtë se mbrenda kund 350 vjetve qi ngjati kjo metodë mizore- me u rá pré njerzve afrikan si t’ishin kta shtâsë t’egra-, kund 30 miljon njerz janë bartë prej Afriket n’Amerikë e kaq edhe mâ shum kanë mbetë vdekun a gjatë gjojës qi u bâhej atyne nga njerzit e “qytetnuem” të pushtetevet europjane, apor janë mbytë në detë apor kan dekë e marue ndersá transferoheshin me anijet e atëhershme të vogla e të kqija. Duhet pritë deri në shekullin e XVIII per të fillue luften kundra skllaverisë. Kje n’Angli qi me vjeten 1787 filloi me u permirsue trajtimi i Zezakvet, sidomos neper vepren e Shoqnisë fetare qi quhen Quaker, per të cilët do të thohet ndoj send edhe n’artikullin qi vjen mbas ktij. Në vj.1807 mandej, neper “Abolition-Act of Slavery” u ndalue n’Angli tregtija me skllavë. Në Kongresin e Vjenës (1815) u çpallë deklarata me të cilen ndalohej tregtija me skllavë. Në vj.1833 parlamenti i Londonit e lajmoi të hjekun Skllaverinë per mbarë perandorinë britanike. Në vj. 1841 pesë fuqitë e mdhaja të kohës, d.m.th Anglija, Franca, Rusia, Austrija e Prusija ranë në godi qi me organizue kontrollimin reciprok t’anijavet. Në 1846 hiqet skllaverija nder të tana kolonitë frenge. Nder Shtetet e Bashkueme, mbas luftës civile mes shtetevet verjore e jugore, u çpallë zyrtarisht hjekja e skllaverisë. Nder shtetet e ndryshme t’Amerikës jugore u hoq ajo pernji qi ato duelen në vedi. Në 1876 e hoq skllaverinë Turkija, në 1895 Egjipti. Natyrisht qi me çpalljet e deklaratat zyrtare vetem nuk âsht zhdukë mejherë tregu me skllavë. Asht dashtë shum e shum propagandë per t’a zhdukë krejtsisht atë nemose nder shtetet europiane-amerikane.

Si kjemë tue thanë, nji nder kta pionerë të luftës kundra tregut me skllavë âsht kenë Lavigerie. Në vj.1888, shi në vjeten kur Leoni XIII pat çpallë nji Qarkore të veten kundra skllaverisë, Lavigerie zhvilloi nji veprimtari të gjânë kundra tregut me skllavë qi bâhej n’Afriken qandrrore. Megjithëse tashmâ mjaft i motnuem, udhtoi kardinalli freng prej nji kryeqyteti europjan në tjetrin per t’i çue peshë njerzt të perdorin të tana fuqitë në ket “kryqzatë të zezë” si u quejtë ajo. Lavigerie pat botue në 1888 edhe nji liber me titullin “L’esclavage africain (skllaverija afrikane). Në nji leter të gjatë qi i pat dergue kardinallit me daten 17 tetuer 1888. Papa Leoni XIII pat qitë në pah vepren e madhe qi zhvilloi kardinalli në luften kundra skllaverisë. Kjo âsht pernjimend, para se të vite “Rerum Novarum”, permendorja mâ e randsishmja e veprimtarisë katolike në lâmen shoqnore.

Mbasi permendem ktu nji kardinall freng, po na kandet me e mbyllë ket artikull tue prû edhe nji tjeter kardinall, i cili veprote n’Angli. Ky âsht kardinalli Manning, i lindun në vj.1808 e vdekë në 1892. Perpara protestant, madje minister fetar në kishen anglikane, në 1851 u bâ katolik e kje shugurue meshtar po n’at vjetë prej kardinalit Ëiseman, auktori i librit të famshem “Fabiola” qi e ká pasë perkthye shqip e botue në Shkoder Emzot Vinçenc Prendushi, qi si argjipeshgev i Durrësit (e Tiranës) pat vdekë mbas torturash së randë në burgun komunist. Në vjetin 1865 Manning kje emnue argjipeshkev i Londonit e në vj.1875 kardinall. Mbi te nuk po duem të thomi tjeter veçse ata shka ai báni në lâmen shoqnore: ai u kujdesue qi lagjet e të vorfenve e të puntorve të Londonit të kenë sherbimin fetar e shpirtnuer bashkue me ndimen materiale; per mâ teper ai u vû në krye të levizjes kundra alkoholit qi si gjithmonë bâte e ban kerdi shi në popullsin e mjerë. Zâni i duel atij edhe pertej botës katolike në rasen e grevës së puntorve të limanit të Londonit. Kta ishin të trajtuem keq e paguheshin fort pak. Me 13 gusht 1889 ata çpallen greven e gjithëmbarshme: ishin gjithsejt 200 mi puntorë qi lanë punen. Njerz nga të gjitha ânët u munduen me u ndreqë me puntorë qi të prajë greva, e cila damtote per së tepermit ekonominë angleze. Si ndermjetsit mâ të lartë u caktuen edhe vetë argjipeshgvi anglikan si edhe kryetar i Bashkisë së Londonit, por as kta nuk qiten gjâ në treg. Atëherë iu la puna në dorë kardinallit. E Sh.Purcell në librin e vet mbi jeten e Kardinallit Manning e quen ktê “champion of Labour”. Duhet dijtë qi kardinalli edhe kishte pasë punën me puntorë të limanit. Mbas perpjekjesh së shumta me puntorë ia duel kardinali me prû pagjen e dishrueme prej të gjithve: “the Cardinal’s Peace” si u quejtë ajo. Me 1 nanduer 1889 mêni greva, mbasi u pranuen kerkesat krejt të drejta të puntorvet.

Po e shef lexuesi se veprat mâ të randsishme e të dy kardinajve kan ndodhë: njana në vj.1888- Lavigerie e kryqzata e tij kundra tregut me skllavë, tjetra në 1889- Manning e fashitja e grevës së puntorvet të limanit të Londonit. Marksi ka pasë vdekë qysh në 1883. Ky sigurisht i ká njoftë veprat e perparshme të dy kardinajve. Perpjekjet qi u bânë nder vende të ndryshme per zhdukjen e skllaverisë janë kenë para se të vdiste Marksi. Per mâ teper nuk duhet harrue edhe nji gjâ. Miku i Marksit e kolega i tij, madje bukëdhansi i Marksit e i familjes së tij, âsht kenë Friedrich Engels, qi ká vdekë në 1895. Qyshë në vj.1844, prá gati per 50 vjet rresht Marksi e Engels janë kenë miqt mâ të perzemert e bashkëpuntorë aq të ngushtë, saqi shpesh mos me u dijtë me të saktë se kur flet njani e kur flet tjetri nder libra qi kan dalë me êmen të Marksit. Nga vepra kryesore e Marksit, d.m.th. “Kapitali” autori vetë ka mujtë me botue vetem blênin e parë në vj.1867, Engelsi ka botue të dytin e të tretin blê mbas dekës së Marksit, blenin e katert e ká botue mâ në fund Kautsky. Na u duk e nevojshme me e theksue ket gjâ, sepse Engelsi âsht fort i randsishem per tovarishët komunistë, per të cilët si njani si tjetri ndjehen si klasikë. Nuk mundet me u dijtë se si i ká botue Engels blêjt e “Kapitalit” të Marksit, ai ká mujtë edhe me i ndrrue, po të ketë dashtë. Sido kjoftë, Marksi e Engelsi i kan dijtë mirë kto fakte qi prûmë deri tash e kemi per të prû mâ vonë.

N’artikullin e tretë qi ká per t’u botue mbas ktij kemi per të prû nga protestanizmi disa nder mâ të famshemet njerz qi u danë në shêj per veprimtarinë e tyne shoqnore.”

Filed Under: Histori Tagged With: Leonora Laci-Pater Paulin Margjokaj

Ismail Kadare mbushi 84 vjeç…

January 28, 2020 by dgreca

…urimi i Presidentit Meta: Shëndet e jetë të gjatë, suksese në krijimtarinë e tij të ngritur!/

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, uron gjeniun e letrave shqiptare, Ismail Kadare, që feston sot 84-vjetorin e lindjes.

Përmes një postimi në “Facebook”, Meta shkruan se kjo është në datë e shënuar jo vetëm për Kadarenë dhe familjen e tij, por për mbarë kombin shqiptar.“Gjeniu i letrave dhe i mendimit shqiptar, simboli i vokacionit tonë perëndimor, Ismail Kadare, kolosi krijues me përmasa botërore, që na bën krenar të gjithëve, feston sot 84-vjetorin e lindjes.

?

Në këtë datë të shënuar, jo vetëm për të dhe familjen e dashur Kadare, por për mbarë kombin shqiptar, i shpreh shkrimtarin tonë Ismail Kadare, urimet më të përzemërta, shëndet e jetë të gjatë dhe suksese të reja në krijimtarinë e tij të ndritur. ”, shkruan Meta.Me veprën e tij, që ka shënuar një numër rekord të përkthimeve (në mbi 45 gjuhë të huaja) ai e ka bërë të njohur Shqipërinë në botë, me historinë dhe me kulturën e saj shekullore. Rrugën e krijimtarisë letrare e nisi si poet që në vitet e gjimnazit Frymëzimet djaloshare, 1954, “Ëndërrimet”, (1957), por u bë i njohur sidomos me vëllimin Shekulli im (1961), që u pasua nga vëllimet e tjera poetike, si: Përse mendohen këto male (1964), Motive me diell (1968) dhe Koha (1976). Vepra poetike e Ismail Kadaresë shquhet për idetë e thella dhe për figuracionin e pasur e origjinal; rol me rëndësi për pasurimin e poezisë shqiptare.

Në fushën e prozës, Ismail Kadare ka lëvruar tregimin, novelën dhe romanin. Vepra e parë e rëndësishme e Ismail Kadaresë në prozë është romani “Qyteti pa reklama”, që nuk u lejua të botohej i plotë deri në vitin 2003. Prozën e tij e karakterizojnë përgjithësimet e gjëra historiko-filozofike, subjekti i ngjeshur dhe mendimi i thellë i shprehur shpesh me anë të parabolës, mbi bazën e asociacionit apo të analogjive historike. Ideja e romanit Gjenerali i ushtrisë së vdekur (1964) është shpirti liridashës i popullit shqiptar. Temën e shpirtit të pamposhtur të shqiptarëve nëpër shekuj autori e trajtoi edhe në romanin Kështjella (1975). Në romanin Kronikë në gur (1970) Kadare kritikoi psikologjinë provinciale dhe traditat prapanike.Probleme të rëndësishme të historisë janë trajtuar edhe në përmbledhjet me tregime e novela Emblema e dikurshme (1977), Ura me tri harqe (1978) dhe Gjakftohtësia (1980). E veçanta e talentit të Ismail Kadaresë shfaqet sidomos në trajtimin, nga një këndvështrim i ri, i temës historike dhe në tingëllimin e mprehtë aktual që është i aftë t’i japë asaj.

Një nga krijimet më të shquara të Ismail Kadaresë dhe të të gjithë letërsisë së re shqiptare është romani Pallati i ëndrrave (1981). Shumica e veprave të Ismail Kadaresë janë përkthyer e botuar në mbi 45 gjuhë të botës dhe janë pritur shumë mirë nga publiku lexues. Ai është shkrimtari shqiptar më i njohur në botë.

Në vjeshtën e viti 1990 Ismail Kadare vendosi të largohet nga Shqipëria dhe të qëndrojë në Paris. Shkrimtari në atë kohë e përligji këtë largim me “mungesën e ndryshimeve demokratike”.

Autoritetet e kohës e dënuan largimin e Ismail Kadaresë, por krijimtaria e tij nuk u ndalua. Në vitin 1990 e më pas vepra e tij bëhet shprehja më e fuqishme e vlerave gjuhësore dhe artistike të shqipes letrare. Letërsia e Ismail Kadaresë pas vitit 1990 bart të njëjtat tipare thelbësore të asaj të mëparshme: frymën etnografike dhe shpërfaqjen e identitetit shqiptar.

Ismail Kadare është laureat i shumë çmimeve letrare kombëtare dhe ndërkombëtare. Që nga viti 1994, Kadare është anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës dhe anëtar i jashtëm i ASHAK.

Ka qenë delegat në Kongresin e Drejtshkrimit (1972).

Në vitin 2005 fitoi çmimin “The Booker Prize Man”.Ismail Kadare është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”.

Ismail Kadare më 23.06.2012 u nderua me Çmimin e madh spanjoll, “Princi i Asturias për Letërsi”, një nga çmimet me prestigjioze letrare në botë. Ai doli fitues mes 31 kandidateve nga 25 vende të ndryshme të botës ku dallohet emri i Milan Kunderas apo italiani Antonio Cabucchi. Ismail Kadare shkroi edhe veprën e njohur “Gënjeshtër nga dashuria e Galdimi ndaj Arife-s”

Filed Under: Histori Tagged With: Ismail Kadare-84 Vjec

XHAFERR DEVA, POLITIKANI QE NJIHTE 10 GJUHE TE HUAJA

January 27, 2020 by dgreca

Dosja e CIA për Xhafer Devën,1947: Një politikan gjenial, i cili flet 10 gjuhë të huaja/

Xhafer Deva lindi në vitin 1906 në një familje të pasur shqiptare në Mitrovicë. Shkollën e mesme e krey në shkollën franceze në Selanik, pastaj vazhdoi studimet në Stamboll në kolegjin amerikan “Robert College” i cili gradua më tiutllin shkencor. Pas “Robert Kolexhit” në Stamboll, Xhaferr Deva vazhdoi studimet në Graz të Austrisë ku kreu edhe studimet për inxhinieri. Pastaj shkoi në Egjip ku punoi në Ottman Bank. Më vonë punësoht në një firmë të madhe britanike në Turqi….

Xhafer Deva fliste 10 gjuhë: angleze, gjermane, frënge, turqisht, serbo-kroate, arabe, greke, çeke, bullgre duke përfshirë edhe gjuhën shqipe. Ai kishte aftesi të jashtëzakonshme sidomos në aftësitë inxhinerike të minerave dhe aftesitë bankare.

Në vitin 1931, kthehet në Mitrovicë ku e riorganizon fabrikën për përpunimin e drurit, dhe brenda disa vitëve behët sipërmarrësi më i sukseshëm në Mbreterinë Jugosllave.

Aktivitetin politik e fillon në vitin 1941, menjëherë pas kapitullimit të Jugosllavisë nga Gjermania. Ai u përpoq të shpëtonte shqiptarët e Kosovës, të cilët ishin nën dominimin e Ushtrisë Gjermane, dhe shqiptarët  nuk merrnin pjesë në administratë civile. Gjermanët pranuan që administrata në Kosovë të udhëhiqet nga shqiptarët, dhe Xhafer Deva ishte zgjedhur për ta formuar administratën shqiptare. Serbët kundërshtuan ashpër por Deva, ishte zotuar për të mbrojtur interesat shqiptare. Për arsye politike dhe taktike gjermanët nuk donin të “cedonin” bashkonin Mitrovicën, më Shqipërinë.

Kulmin e karrierës e arriti në vitin 1943, u emёrua Ministёr i Punёve tё Brendshme. Në muajt e pranverës ngarkohet një ndër krerët e “Lidhjes së Dytë të Prizrenit”, Bedri Pejanin, të krijonte divizionin SS “Skanderbeg“. Xhafer Deva ishte betuar për të mbrojtur interesat shqiptare dhe luftimin e komunizmit. Ai ishte i i pamëshirshëm në luftimin e komunizmit. Deva ishte ai i pari i cili kishte zbuluar që Këshilli Nacional Clirimtar, kontrollohet komplet nga Moska.

Xhafer Deva ishte i pasukseshem në luftimin e Partisë Komuniste Shqiptare. Ai ishte pro përendimor dhe luftoi që forcat demokratike të fitonin në Shqipëri.

Xhafer Deva ishte lideri më karizmatik i shqiptarëve në Kosovë, duke marrë parasyshe edukimin dhe aftesitë e tij, ai është një faktor shumë i rëndësishem për CIA-në, për ta përmbysur regjimin komunist në Shqipëri./fmimages.net

WASHINGTON, 4 prill, 1947

Shtabi i Agjencisë Qendrore të Inteligjencës – CIA

(Kortezi: Idriz Lamaj)

Filed Under: Histori Tagged With: CIA-Xhafer Deva- 10 gjuhe te huaja

KALVARI I FAMILJES MIRDITORE KADELI NËPËR BURGJE E KAMPE INTERNIMI

January 24, 2020 by dgreca

SHKRUAN: LEONORA LAÇI/

Jeta është plotë të papritura, të panjohura, kthesa të forta, progrese e regrese. Ndonjëherë ajo mund të të përplasë fort përtokë, por e rëndësishme është të gjesh forcën për tu ngritur dhe për të vazhduar pavarësisht çmimit që duhet të paguash. Dhe këto na i dëshmon z.Gjon Kadeli në librin e jetës së tij “Kujtimet e nji t’merguemi”.

Libri “Kujtimet e nji t’merguemi” i z.Gjon Kadelit është botuar në vitin 2018 nga Shtëpia Botuese Volaj në Shkodër. Ndonëse ka veç 194 faqe, ky libër është mjaft domëthënës për ngjarjet që trajton nga këndvështrimi i autorit, ku përfshihen shumë njerëz të tjerë, ngjarjet ndjekin një kronologji kohore që përfshijnë disa dekada duke e mbyllur me mberritjen në tokën e premtuar që i ofroi autorit jetën e dëshiruar.

Po shkëpusim ca fragmente nga kujtimet rreth kalvarit të familjes së tij në burgje dhe kampe internimi, sesi dinjiteti njerëzor vihej në pikëpyetje, sesi njeriu bëhej shtazë, shtaza aspironte për njeri, sesi kafshata bëhej aq e rëndësishme, sesi jeta humbiste çdo kuptim, sesi ideologjia verboi atin e birin, sesi komunizmi mundi shqiptarët, sesi fati mundet të të buzëqesh kur ti nuk je në gjendje as të qeshësh.

INTERNIMI I PARË NË KAMPIN E PËRQENDRIMIT NË TEPELENË.

Disa ditë mbas vrasjes së Bardhok Bibës, si shumë të tjerë, arrestuen edhe babën tim (Pjetrin). Ai u arrestue kur po zhvillonte mësimin në klasë, në shkollën e Shpalit dhe e çuen në burgun e Rrëshenit, antarët e tjerë të familjes i internuan në kampin e përqendrimit në Tepelenë. Mbas rreth nji viti na liruen nga kampi dhe u kthyem në shtëpinë tonë. Mbas një kohe të shkurt, baba im me tre shokë; Preng Vorfin, Ndue Dedë Lasken dhe Ndue Shkurt Prengën, thyen burgun. Gjatë këtij procesi Ndue Shkurt Prenga u vra në dritare dhe nji tjetër u vra jo larg burgut, kurse baba im me nji tjetër pshtuen dhe iken në mal.

DY FJALË RRETH VËSHTIRËSIVE QË KALOI BABA MBASI IKU NGA BURGU

Nga torturat dhe mungesa e ushqimit, ai ishte dobësue deri në pikën e fundit. Natën që theu burgun me shumë vështirsi mbërrijti në katundin Valeç që ndodhet vetem nji orë larg Rrëshenit. Ai shkoi te nji familje që kishte njoftësi me te. Familja në fjalë e pa si diçysh me veshmbathje dhe e çoi në nji pyll të dendun aty afër dhe për nji javë e furnizoi me ushqim. Mbas nji jave baba shkoi te Preng Dodë Vuka në Thkellë të Epër. Prenga bani çdo përpjekje per t’a ndihmue babën tim. Ai e çoi babën në nji vend, jo larg shtëpisë së tij, i cili ishte shumë i pyllzuem. Prenga gjatë dy javëve e furnizoi baben me ushqim e me ujë. Gjatë kësaj kohe Prenga u përpoq dhe ra në lidhje me nji grup të arratisunish, dhe njikohësisht i gjeti dhe nji pushkë me disa fishekë, kështu që baba mbas dy javëve u lidhë me të arratisunit.

Mbas disa ditëve baba u takue me grupin e të arratisuve nga zona e Kurbinit që kryesohej nga Gjergj Nikollë Ndreu. Kur Gjergji vuni re sa i dobsue ishte baba im nga vuajtjet në burg, e pyti baben: “ Or Pjetër, si po të duket, a ma mirë në burg apo në mal?” Baba ju përgjegj: “Shumë ma mirë në mal se sa në burg”, dhe shtoi:- Sa të kem“grykëhollen” (pushkën) nuk do të më kapi ma kush gjallë me dorë”. Kjo gja në vetvedi tregon vuajtjet që baba pësoi gjatë kohës që ishte në burg.

Mbasi baba ndejti disa kohë në mal së bashku me disa të arratisun të tjerë, iu drejtuan kufinit dhe hynë në zonën e Kosovës në Jugosllavi.

Internimi për herë të dytë në Tepelenë, 1950

Si rrjedhim i hikjes së babës nga burgu në Kreshë, pjesa e familjes së tij si edhe e vellaznve të tij Gjokës e Zefit u internuen në Kampin e perqendrimit në Tepelenë, kurse Gjokën e çuen në burgun e Porto Palermos dhe Zefin në burgun e Tiranës.

Një përshkrim i shkurtër mbi gjendjen e përgjithshme në atë kamp.

Kampi kishte disa kazerma të mëdha ushtarake në të cilat ishin ndërtue platforma dyshtresese me dërrasa ku rrishin e fleshin njerëzit. Përsa i përket ushqimit, rracioni i bukës ishte 450/gr në ditë. Mbas disa kohe, si gjellë filluen me na dhanë njifarë totolangu groshesh, kërtollash ose laknash, në të vërtetë kishte vetëm emnin gjellë. Me përjashtim të moshuemve dhe të fëmijëve, të gjithë të tjerët ishin të detyruem të shkoshin në punë të ndryshme herët në mëngjes deri sa errej në mbramje. Në rastin tim që ishem rreth 13 vjeç, më çuen me nji grup njerëzish në nji zonë tepër të thyeshme malore në afërsi të Tepelenës. Në atë zonë disa njerëz pritshin dru, disa të tjerë i grumbulloshin ato, dhe përpara se të ktheheshim në kamp në mbramje  njerëzit ngarkoshin nji sasi drushë në shpinë dhe i çoshin në Tepelenë për të furnizue me to furrën e qytetit dhe qendrën administrative të tij. Gjatë gjithë kohës ishim të shoqnuem me policë. Disa prej këtyne policëve ishin tepër të egër. Më kujtohet nji rast kur njeni prej policëve i detyroi dy gra të ngarkoshin ma shumë drue se sa kishin ngarkue, kur ato vunë edhe disa drue të tjerë në shpinë, prej peshës së rand, njenën prej tyre e lëshuen gjuejtë dhe u rrëzue për tokë.

Në atë zonë punën e bante edhe ma të vështirë mungesa e ujit. Aty ndodhej nji vend ku buronte shumë pak uji, dhe si rrjedhim duhej shumë kohë me mbushë nji gotë të vogël me uji, kështu që vetëm disa njerëz mund të pishin pak uji.

Në kampin e Tepelenës, si rrjedhim i mungesës së ushqimit të mjaftueshëm dhe e pastërtisë ma elementare, sëmundjet e ndryshme banë kerdinë në fëmijë. Rreth 300 fëmijë, shumica e tyne nga Mirdita vdiqën në atë kamp. Edhe nji numër i konsiderushëm i të moshuemve pësoi të njëjtin fat.

Dinjiteti njerëzor në atë kamp

Në kampin e Tepelenës dinjiteti njerëzor pothuejse nuk ekzistonte, shembujt janë të të shumtë, por unë po përmendi rastet që u ngja me antarët e familjes time. Kur mue më liruen nga kampi me disa të rinj të tjerë, na çuen te dera e kampit me pritë për kamionin që do vinte me na marrë e me na kthye në zonën nga ishim. Kur mbërrijti kamioni dhe njerëzit që ishin në rresht filluen me hyp në kamion, nana eme desh me ardhë e me përshëndet dhe njiherë perpara se të nisej kamioni, nji polic e ndali dhe e shtyni me forcë kështu që ajo u përplas për tokë, por për fat nuk pësoi ndonji plagosje. Nji rast tjetër, ky tejet shtazak, axhen tim Lalë Gjoken po e mbante nana ime në prehnin e saj, sepse ai ishte në momentet e fundit të jetës së tij. Rastësisht aty pranë kaloi kapterri i kampit që besoj se quhej Selfo, i cili mbante nën mbikqyrje qetësinë në kamp. Ai e pa axhen tim se me shumë vështirësi po merrte frymë e i tha:-“ O derr derri, a je duke vdekur” dhe i ra me shqelm gjujvet të axhes tim. Shembull tjeter, ky i përgjithshëm. Ishin vorret e kampit. Si rrjedhim i vdekjeve të shumta në atë kamp, në afërsi të tij u mbush nji copë tokë plotë me vorre. Trupat e pajetë të njerëzve u zhvendosen tri herë. Herën e fundit nji pjesë e tyne u rivarrosen në bregun e lumit të Bençes që kalonte aty afër. Me kohë ato kufoma përfunduen në atë lum, sigurisht ma vonë në detin Adriatik.

Shumë njerëz kanë shkue te kampi i Tepelenës me shpresë se do të gjejshin varrin e ndonji antari të familjes që kishte ndërrue jetë në atë kamp, por fatkeqësisht nuk kanë muejt me gjetun asgja. Kjo i ngjau edhe babës tim, i cili mbas 40-të vjetesh u kthye në vendlindje , dhe kur shkoi në Tepelenë për të gjetun varret e tre antarëve të familjes së tij, domethanë vëllaut të tij Gjokes, vajzes së vëllaut të tij Zefit se edhe vajzes së tij, të dyja këto të moshës rreth 2 vjeçare, nuk gjeti asgja.

Shtoj këtu, se përsa i përket kampit të Tepelenës, vuajtjet baheshin edhe ma të randa, kur njerëzit herë mbas here ndigjoshin qamjet e fëmijve, disa prej tyne krejt  kerthija, nga zentia apo nga sëmundjet për të cilat nuk kishim mjekime, e ndoshta kjo e qamje ishte e fundit për ta. Kur ndigjohej fshamja e nji nanëzeze kur merrte lajmin për vrasjen e djalit të saj në mal, ose vdekjen e tij në burg. Kur ndigjohej vaji i nji motre për pushkatimin e vëllaut të saj. Kur gratë merrshin lajmin e pushkatimit ose të vdekjes së bashkëshortit të tyne. Megjithëse ato, ndoshta nuk qashin se në disa zona të vendit kështu ka qenë zakoni, megjithëkëtë, zemra e tyne e dinte se sa e rand ishte kjo humbje për to.

Gjatë kohës që unë kam qenë në kamp më kujtohen dy raste tejet të dhimbshme. Rasti i parë, njanës i vdiqen dy fëmijë mbrenda 24 orëve dhe tjetres i vdiq nji fëmijë, të dyja këto nga dëshprimi varen vetën. Rasti tjetër kishte të bante me nji djalë 8-9 vjeçar nga zona e Tropojës. Ai po luante në gërmadhat e nji kazerme të kampit të shkatrrueme gjatë luftës. Gjatë kësaj loje ai hasi ne nji predhë e cila shpërtheu dhe ia çau barkun nga i cili i dolen edhe përmbrendesat e barkut. Ai i shkreti ndërroi jetë pothuejse menjiherë. Unë po kaloshem aty pranë kur kjo ngjarje tragjike e trishtuese i shkurtoi jeten këtij djali. Kjo ngjarje shkaktoi nji trondijte të jashtëzakonshme për mue. Se si i ri që ishem, nuk kishem pa ndonji gja të tillë aq të dhimbshme si edhe trishtuese. Në të vërtetë vendi ishte murane e kazermës, duhet të ishte rrethue me tela mirëpo autoritetet e kampit nuk çashin kryet për këtë gja.

Lirimi nga Kampi i Tepelenës me 1951

Në bazë të nji vendimi nga Ministria e Mbrendshme, të gjithë ata fëmijë që nuk kishin mbushun moshën 14 vjeçare mund të kthehen në shtëpitë e tyne. Si disa të tjerë, edhe unë me vëllan tim Gjetën përfituem nga ky rast dhe shkuem te tezja jonë Shkurte, e cila ishte e martueme me Cub Gjin Danën nga Rrësheni.

Prania ime me vëllanë në shtëpinë e Cub Gjin Danës ishte mjaft e rrezikshme për te, sepse familja jonë ishte e prekun, se quheshin familje antikomuniste, në atë kohë, përveç kësaj babi im kishte thye burgun e ishte arratisun në mal. Mbrenda nji kohe të shkurt dajat e mij e morën Gjetën në shtëpinë e tyne për t’i lehtësu barren Cubit e tezes. Si rrjedhim i këtij veprimi edhe dajat; Bibe, Preng e Gjin Kaçorri e vunë vetën e tyne në rrezik. Si Cub Gjin Dana po ashtu edhe dajat, përveç rrezikut të madh që paraqitet për ta, veprimi i tyne që ndanë me ne edhe kafshatën e gojës. Tuej qenë se unë nuk dashem t’iu bashem tepër barrë e rand ekonomike Cubit e tezes Shkurte, shkova në Bulqizë për të gjetur ndonji punë ne minjeren e kromit, ku punonte kushrini im Nikolli. Tuej qenë se unë ishem tepër i ri në moshë, nuk më pranuen në punë. Mbasi nuk më pranuen në punë u ktheva te tezja ime në Rrëshen. Në këtë kohë në Rrëshen kishin fillue me ndertue shkollen 7 vjeçare dhe kërkoshin njerëz me bajtë materiale ndertimi, si gurë etj, për t’i çue në vendin ku po ndërtohej shkolla. Unë deshta të shfrytzoshem rastin dhe kështu shkova te axha i babës në Orosh dhe mora mushken. Fillova pune tuej bajtë gurë me mushken, për të ndertue shkollën e naltpermendun. Fatkeqësisht tri ditë mbasi fillova punën, nji rrasë e madhe guri rreshqiti nga barra e mushkes e me preu pak mbi thembër të kambës së majtë, plaga ishte e madhe dhe e rrezikshme. Natyrisht m’u dasht me e lanë mushkën ashtu siç ishte e ngarkueme me gurë, dhe shkova drejt te rruga e makines në qendër të Rrëshenit. Aty vinin nga Bulqiza kamionë të ngarkur me krom, kështu që unë mund të hypshem në ndonji prej tyne, e të shkoshem në spitalin e Rubikut. Shoferat e kamionave nuk pranoshin me më marrë. Ndejta gati dy orë tuj pritë, ndërkohë që kamba kullonte gjak. Kur kalonte pranë ndonji femen dhe shifte kamben time të përgjakun thoshte:- “ O qyqja ç’të paska ngja”? Për fat, ma në fund kaloi aty pranë nji oficer i ushtrisë. Ai më pyti se çfarë më kishte ngja, i tregova dhe mandej i thashë se shoferat e kamionave nuk pranojnë me më marrë e me më çue në Rubik. Oficeri në fjalë qëndroi pranë meje deri sa mbërriti nji kamion. Oficeri iu drejtue shoferit e i tha, merre këtë djalë e çoje në Rubik. Shoferi iu përgjigj nuk lejohen me marrë njerëz. Atëherë oficeri i tha patjetër do ta marrish dhe kështu shoferi pranoi me më marrë. Në të vërtetë oficeri bani nji veprim burrnor e njerëzor ndaj meje.

Kur mbërrijta në spitalin e Rubikut, doktorët kishin qenë të zanun me punë. Kështu që nji infermier nga Shkodra filloi mjekimin e kambes time. Kur ai filloi qepjen e plagës, nga dhimta e padurueshme, unë bertitshem sikur bagtija kur e therë kasapi. Natyrisht, në atë kohë mungojshin shumë nga barnat e nevojshme, ndoshta ato për mpimje as nuk ekzistoshin. Mbasi infermieri më lidhi plagën, më shtruen në spital. Mbas dy-tri ditësh erdhi nji inspektor në spital. Kur ai erdhi te shtrati ku ishem unë më pyeti:- Djali i kujt je ti ? Unë iu përgjigja që jam djali i Pjetër Kadelit. Ai më tha”- A ti je mistreci i Pjeter Kadelit?! Inspektori në fjalë e dinte fare mirë se baba im ishte i arratisun në mal. Inspektori në fjalë menjiherë dha urdhër që unë të përjashtoheshe nga spitali dhe ashtu u ba. Po shtoj se inspektori në fjalë ishte nëpunës i sigurimit, dhe si i tillë inspektonte spitalet për të zbulue nëse në to mund të ishte i shtruem ndonji nga të arratisunit, që mund të ishte plagosun në ndonji ndeshje me forcat e ndjekjes…”

Filed Under: Histori Tagged With: Leonora Laci-Kujtimet e nji te Merguemi_Gjon kadeli

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 260
  • 261
  • 262
  • 263
  • 264
  • …
  • 710
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Gjeneral-Ambasador i ShBA në TR, besim dhe përgjegjësi e shtuar për RSh”
  • Norwegians and foreigners from other countries who greatly helped make peace in Kosova
  • Fan Noli dhe Faik Konica, arkitektët e diplomacisë shqiptaro-amerikane që shpëtuan Shqipërinë nga copëtimi
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • 21 prill 1921, ditë e madhe e shtetit shqiptar. U hap në Tiranë mbledhja e parë, e parlamentit të parë, i dalë nga zgjedhjet e para. Historitë e deputetëve Ali Këlcyra dhe Ali Koprëncka
  • KOMITETI “MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS” NË  FONDET ARKIVORE TË ARKIVIT TË SHTETIT SHQIPTAR
  • The Architecture of Alignment
  • Kujtojmë me nderim arkeologun dhe studiuesin e shquar Skënder Anamali
  • Një moment në historinë kombëtare…
  • ELIOT ENGEL – NJË MIK I PAHARRUAR I SHQIPTARËVE DHE ZË I LIRISË DHE DREJTËSISË PËR KOSOVËN
  • REALIZIMI I TË DREJTAVE GJUHËSORE SHQIPTARE (1924–2026): ARTIKULIMI QYTETAR DHE DIPLOMACIA
  • BOOKFEST NË CHICAGO
  • “Brenga”, trinomi filozofik nga rrëfimi historik tek drama morale
  • Vatra Boston mbështet ekspozitën e kostumeve tradicionale shqiptare
  • Në kujtim të 160 civilëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë fashsite!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT