• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUJTESA E HIDHUR E KAMPIT TË PËRQËNDRIMIT TË MAT’HAUZENIT

May 8, 2021 by dgreca

9 Maji – Dita e Europës dhe fitores mbi fashizmin/

KUJTESA E HIDHUR E KAMPIT TË PËRQËNDRIMIT TË MAT’HAUZENIT

Shkruan: Albert HABAZAJ/

Përnjohje/

Kujtesa vetiake, sociale dhe ajo e shkruar na sjell panoramën thellësisht trishtuese, tejskajshmërisht të dhembshme, masivisht shfarosëse në kampet e përqëndrimit. Gjatë regjimit të nazizmit në Gjermani (1933-’45) kampet e përqëndrimit u bënë vende ku internoheshin njerëzit e padëshiruar, vende të akteve të shëmtuara të torturës, punës prej skllavi, tmerrit dhe vrasjeve masive në një shkallë të paarritur më parë në asnjë vend e në çfarëdo shekulli dhe në mungesën e kushteve minimale higjienike. Kampet (Konzentratiónslager ose KZ), të administruara prej SS-ve, kategorizoheshin në Arbeitslager (kampe pune), ku të burgosurit organizoheshin në batalione pune, dhe në Vernichtungslater (kamp shfarosj), të ngritura për shfarosjen dhe djegien e burrave, grave dhe fëmijëve. Në Europën Lindore, të burgosurit në fillim u përdorën për batalionet e punës ose për veprimet e gjenocidit ndaj të tjerëve, më pas edhe ata vetë asgjësoheshin. Në kampe të tilla si Aushvici (Poloni), në dhomat e gazit mund të mbyteshin dhe të digjeshin 12.000 vetë në ditë. Në Perëndim kanë qenë më të njohur Belseni, Dahau dhe Buhenvaldi (një kamp i punës së detyruar, ku mjekët kryenin kërkime mjekësore në njerëz). Kalvarin e rëndë të Holokaustit e pësuan më keq hebrenjtë (çifutët), sepse është llogaritur që kanë vdekur 6 milionë çifutë, ndërkohë që humbje të mëdha patën edhe Rumania, Hungaria, Lituania etj. 

Kujtesa e hidhur e kampit famëkeq

Si një panoramë shkrimore dhe me imazhe në ish-kampin nazist Mat’hauzen, botohet libri historik përgjithësues dhe dokumentues “Kujtesë e hidhur Mat’hauzen=Konzentratiónslager Mauthausen” [8.8.1938-5.5.1945] nga autori i njohur Andrea Petromilo, me origjinë nga Palasa e Himarës. Është një libër i ngjeshur me 164 faqe, mbushur më fakte, dëshmi, intervista, statistika tronditëse nga kampet e Mat’hauzenit, Melkut, Buhenvaldit, nënkampet e Gusenit, Ebesenit etj. Është një libër serioz e referencial për qëllime studimi nga autorë apo të interesuar të tjerë për fusha të tilla si krimet e luftës, kampet e përqëndrimit etj. Kjo monografi konkretizohet e plotësohet edhe fotografi origjinale, që janë njësueshmëri e besueshmërisë tekstore; po ashtu shoqërohet me tabela e lista njerëzish të ekzekutuar, ku krahas 600 shqiptarëve të pafajshëm, pjesa më e madhe e tyre, po aq të pafajshëm, ishin nga qyteti i Vlorës. (450 gjejmë në fletore statistikash, por shifrat, na thonë, nuk janë të sakta, pasi nazistët një pjesë të dokumenteve i grisën, i dogjën mungesa e tyre, patjetër dhe merorja e shkurtër i ka pasojat e saj). Shkrimtari dhe studiuesi vlonjat Petromilo ka realizuar një punë me vlera të larta humane dhe atdhetare. Fakte tronditëse nga Kujtesa e Hidhur në Mat’hauzenin famëzi, ku vlonjatë e shqiptarë pa pikë faji u dogjën më keq se të ishin copëza letrash pa pikë vlere, pasi i rrihnin barbarisht apo i përdornin si mjete eksperimentesh, derisa i gjymtonin. Libri ka vlera që shkojnë tek libri, me mesazhe njohëse e historike sa lokale, aq universale për ata që u sakrifikuan lebetitshëm në ato kampe famëkeqe. Mesazhi kryesor, që ka dashur të përcjell autori tek lexuesi është rëndësia e simboleve për historinë dhe brezat, ruajtja gjallë e fakteve historike për edukimin patriotik dhe urrejtjen ndaj individëve skizofrenikë, kushdo qofshin ata e ngado shfaqen me atë barbari, që s’ka tragjedian të përshkruaj. Autori i bën apel kujtesë qytetare që të mos harrojmë të keqen më poshtëruese dhe torturuese ndaj njerëzimit ndodhur në këtë planet. Nuk mundemi t’i rrëfejmë ato skena lemeritëse në trenat e punës a vdekjes, në miniera, gurore apo në 186 shkallët e gurta pakthimërisht të vdekjes, duke i ngjitur me peshë 50-60 kg mbi shpinë, me ndëshkimet nga më çnjerëzoret në dhomat e gazit, në dhomat e vdekjes, në dhomat e eksperimenteve, dhomat burg, mure të lartë, të lagësht, të zinj, baraka fjetoresh me numra rendorë, labirinthe pafund, imazhe të frikshme, ankthembushur, ku çdo objekt mbart një histori tmerri. Vetëm në dhomat e gazit në kampin e Mat’hauzenit u asgjësuan 7200 të internuar. Na dridhet buza e syri na mbushet me lot dhembjeje për të femrat e pafajshme e të pambrojtura dhe një duf urrejtjeje na shpërthen përbrenda për të pashpirtët nazistë tek lexojmë udhërin e datës 10.11/1940 të shtabit hitlerian: “… të mbahet sekret dhoma e përdhunimit të të internuarave prej personelit gjerman”. Një barakë kishte ndarje në dy dhoma: Adhe B. Çdo dhomë ndahej në dy pjesë: njëra ku rrinin të internuarit dhe tjera e fjetjes. Në mes ishte wc-ja. Shtretërit ishin prej druri me dy e tre kate. Në çdo krevat flinin tre veta në kushte tepër të vështira. Për mbulesë në dimër kishin një batanie të hollë. Dritarja e dyert qëndronin të hapura. Shumë ishin ata që vdisnin nga të ftohtit. Të sëmurët me sëmundje ngjitëse ishin në karantinë në katër baraka. Pranë ishte blloku i vdekjes, që dikur shërbente si infermieri. Nga muaji prill 1944 deri më 2 shkurt 1945, tek blloku i vdekjes u shënuan 4300 oficerë robër rusë, që nuk iu regjistrua as emri i tyre e as numër personal s’iu vendos. Këta, herë pas here, individualisht ose në grupe, ekzekutoheshin me plumb pas kokës, ndërsa një pjesë vdiqën nga uria…Kampi i dytë i barakave me numër 21-24 shërbente për strehimin e të internuarve të sapoardhur. Në kampin e tretë të barakave, përbërë prej 8 të tilla, strehoheshin gratë, të cilat i sollën në verë të vitit 1944 nga Varshava. Nga vera e vitit 1944 deri në prill 1945 sollën 3000 të internuar – fizikisht të dobët, tek të cilët u përdorën torturat më çnjerëzore, me finale pushkatimin. Të pamundurit për të punuar i lidhnin pas murit dhe i linin të zhveshur në të ftohtë e në ngrica, derisa jepnin shpirt. Po nënkampi i Gusenit, që kishte 30 baraka, rrethuar me tel me gjemba, ku kalonte tensioni 300 volt, që s’ka gojë të flasë, të denoncojë, të akuzojë në emër të drejtësisë e lirisë, sepse s’është parë shkelje më flagrante dhe aq egër e të drejtave të njeriut?! Minierat janë dëshmitare se sa frymë janë tretur thellësive të tyre. Po të sëmurët me tuberkuloz që i vrisnin me gjëlpërë në zemër?! Po me se ushqeheshin robërit e kampeve? Me aq pak ushqim – spirilëng, sa të mbanin trupin minimalisht e forcërisht në këmbë për punët përditshmërisht të rënda, kur trupi i tyre kishte arritur të shndërrohej në një skelet vetëm 28 kilogram deri në 40 kile. E si mund të mbahej kështu shpirti gjallë?! Në këto kampe përqëndrimi, koha e skllavërisë ishte kthyer, por me motive të reja raciste. Furrat e djegies, dhomat e shfarosjes janë dhe do të ngelen përjetësisht apel historik botëror i Kujtesës së Jetës njerëzore me dinjitet. Bijtë tanë që ranë me idealin e lirisë në zemër na kujtojnë një fjalë të urtë: “Kush mbyll sytë nga e kaluara, mbetet i verbër ndaj së ardhmes”. Gjatë këtyre refleksioneve për kampet naziste të përqëndrimit, gjykojmë se jo vetëm lajtmotivi i librit, por i Kampit të Zi të Mat’hauzenit dhe si vëllezërve të tij po aq të zinj, është: “Brezat që vijnë, duhet përmes simboleve historike të ruajtura me kujdes, të përjetojnë imazhin e një tmerri, që nuk duhet ta përjetojë në asnjë çast bota njerëzore”. Ndërkohë, përherë na e ruan të freskët këtë kujtesë edhe vepra simbol e historisë së Lirisë Qytetare, monumenti “Partizani fitimtar” i skulptorit shqiptar Odise Paskali e vendosur në Mat’hauzen, Austri që në vitin 1968, po ashtu delegacionet e mbi 40 shteteve, me flamujt e tyre, që Austria, Spanja, Luksemburgu, Holanda, Franca, Suedia, Belgjika, Polonia, Hungaria, ish – Republikat Sovjetike, Izraeli, Italia, Shqipëria etj., të cilët, nën kujdesin e Bashkimit Europian, bëjnë pelegrinazh nderimi çdo 5 maj, që nga viti 1945 e në vijimësi në “Sheshin e Apelit” po në Mat’hauzen, në kujtim të ditës së çlirimit të ish – kampit të përqëndrimit e shfarosjes Mat’hauzen, 5 maj 1945. Po ashtu, kurorat me lule që vendosen në memorialin e Mat’hauzenit, sikur na flasin që të mos harrojmë kurrë efektet e atij shpërthimi djallëzor të racës superiore nga përbindëshi Adolf Hitler, frymori i paskrupullt dilerant, manjaku tekanjoz, i neveritshmi 162 centimetrosh dhe makina e tij e vdekjes për së gjalli, me katër organizmat pamëshirshmërisht shfarosëse, që për pak mori në qafë botën mbarë. 

Organizmat speciale të skinksit të zi nazist

Katër organizmat speciale të forcës terroriste, mizorisht të poshtër të skinksit të zi nazist ishin: 1. Trupat sulmuese (SA), që përbënin skuadronet e vdekjes, të cilat mbollën terrorin gjithandej Gjermanisë; 2. Trupat e Mbrojtjes dhe të Kontrollit të SA, që quheshin SS dhe i komandonte dora e djathtë e Hitlerit, Hajnri Himler (Ky mori përsipër edhe ndjekjen e të gjithë armiqve të Rajhut të Tretë dhe dërgimin e tyre në kampet e shfarosjes masive); 3. Agjentët e Policisë Sekrete, që e quajtën GESTAPO, të cilët vëzhgonin me kujdes qoftë trupat e SA, qoftë ato të SS (që do të thotë: përgjo, por je i përgjuar. Ky organizëm sipas statistikave, kshte në organikën e vet si efektiv mbi 100000 ushtarakë e agjentë. Këta nuk jepnin llogari askund përveç kryeterroristit Adolf dhe i drejtonte Geringu [Hermann Goering], i vetmi i besuar si pasardhës i Hitlerit, deri pas dështimit në betejën e Britanisë së Madhe, ku u dallua superioriteti i aviacionit Aleat mbi atë nazist); 4. Trupat sekrete (SD) që përbëheshin nga pjesë të veçanta të efektivit të Gestapos, pra më tepër ishin agjentët e shpërndarë në të katër anët e botës, të cilët raportonin pranë shtabit të Gestapos dhe komandoheshin nga Reinhard Hajdrih, i cili kishte nofkën Hajdrih Litari.  

Gjithashtu libri na kujton se në gjithë territorin evropian të pushtuar nga nazistët funksiononin 1226 kampe kryesore, 1011 kampe të varuar përqëndrimi dhe 114 kampe shfarosëse dhe për hebrej, pra gjithsej 2351 kampe e nënkampe. Njëri nga ata qe vampiri nazist i Mathauzenit, i cili nga 8 gushti 1938 deri më 5 maj 1945 regjistroi 206000 të internuar. Nga ky numër mbetën gjallë, sidomos  ata që u sollën këtu kohët e fundit, 66534 (64800 meshkuj e 1734 femra). Mbijetuan nga kampi i përqëndrimit të Mat’hauzenit vetëm 23 shqiptarë. Ka objekte të të internuarve, pllaka përjetuese, monumente atje dhe në Shqipëri.

Edhe Dëshmorët e Mat’hauzenit janë në kujtesën e kombit

Në një pllakë mermeri, përbri furrave të krematoriumit janë shënuar, krahas emrave të tjerë, nga vendet e shteteve që u ndeshën me bishën naziste dhe që patën fatin e keq të digjeshin kufomat e tyre, edhe emrat e shqiptarëve. Mes dëshmorëve të kombit janë dhe vlonjatët. Jo vetëm nëpërmjet këtij shkrimi për lexuesit e “Diellit” por përditë dhe sikurse dëshmorët e tjerë të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, duhet të nderohen edhe këta shqiptarë në kujtesën e kombit, sepse duhet t’i përkasin mos harrimit. Më e pakta e domosdoshme, edhe pse e vonuar, është përmendja e emrave të tyre edhe në një shkrim të thjeshtë nderimtar si ky yni. Lista e martirëve tanë pranë krematoriumit të Mat’hauzenit (Austri) është si më poshtë: Xhevdet Doda, Kozma Nushi (Hero i Popullit), Abaz Dine, Abaz Sullaj Abdulla Tabaku, Adil Alushi, Ahmet Ramzoti, Alem Tafili, Ali Ashimi, Alim Biduli, Asti Gogoli, Azem Toska, Bedri Agalliu, Beg Nushi, Besim Liku, Buharedin Mitaraj, Cane Çaçi, Cane Rapushi, Dalip Meminaj, Demir Bardhi, Dervish Hoxha, Dilaver Kamberi, Dhimitër Konduri, Dhimitër Kulla, Ejup Kondo, Emanuel Hazdurian, Enver Velaj, Faik Haruni, Faslli Lelaj, Faslli Zogaj, Feim Mustafaj, Fejzo Toska, Ferik Buzi, Fizo Spahiu, Gani Kokli, Gjysh Duraj, Hajdar Shameti, Hajredin Kërkova, Hakim Veliu, Halil Shyri, Hamit Roseni, Hamit Xhyheri, Hamza Laperi, Hasan Doci, Heruran Novruzi, Hysen Shtufi, Ibrahim Skëndaj, Ibrahim Xhatufa, Ilo Çomi, Isa Rapushi, Ismail Zyma, Isuf Berberi, Isuf Ibërshimi, Izet Mema, Jani Kosta, Jani Nathanaili, Jani Popa, Jano Maska, Jorgji Ziu, Koro Çoni, Kostandin Simaku, Late Bregu, Mehmet Dauti, Mehmet Sulo, Mihal Koçi, Mihal Pema, Minella Gogo, Muhamed Velaj, Muhamet Bino, Muhamet Dine, Muhamet Kabashi, Musa Gorishti, Mustafa Kotherja, Mustafa Zahaj, Myslym Nelaj, Mustehat Malaj, Naun Thanasi, Neim Gjoni, Nexhip Hekurani, Nexhip Himçi, Nevruz Abazi, Nevruz Dine, Novruz Hajdini, Nuredin Memishaj, Pandeli Dimo, Perikli Papingji, Piro Papalilo, Qazim Çakërri, Ramadan Nebiu, Ramadan Ramo, Ramazan Myrto, Rapo Kapllani, Rapush Çarçani, Rasim Hamzaraj, Refat Ismajli, Rexhep Bani, Sabri Habibaj, Sadik Asnjoku, Sali Dibra, Sami Karriqi, Selim Çarçani, Senusi Nota, Sofokli Dhimiatiadhi, Stavri Havale, Sulejman Cenoimeri, Sulejman Doko, Sulejman Rukja, Sulejman Zakja, Sulo Gorishti, Shefqet Leka, Shefqet Shyti, Sherif Nuredini, Shyqyri Buzi, Taqo Dino, Tefik Skilja, Telat Noga, Teme Alushi, Thimio Nathanaili, Thoma Kuqali, Vangjel Vasili, Vangjel Shkurti, Vangjel Xhani, Vasil Dushku, Vasil Gjata, Vasil Mojsiu, Vehbi Vreshtazi, Xhafer Kodra, Xhafer Skilja, Xhemil Kasa, Xhemal Myhdari, Xhemal Shasho. Në listën e shqiptarëve që kanë vdekur në kampin e Mathauzenit, ku shënohet numri personal, emri dhe datëlindja janë: Athanas Babe, Andro Gerveni, Abdullah Kinetani, Ajaz Arifi, Anasatas Stavro, Ahile Lito, Bedri Agalliu, Besim Liku, Çako Lamani, Dervish Troka, Ded Papa, Sofokli Dhimitriadhi, Estref Fiaq, Fejza Dino, Gani Begosali, Georgi Cin, Hajredin Hazdinaj, Hazbi Bani, Habib Koka, Halem Telfaj, Halil Aliti, Ibrahim Gunardhi, Istref Dekollari, Jakup Telfaj, Jani Goda, Fadil Alushi, Kosta Mani, Kostandin Semikiç, Lefter Bezhani, Musten Gunbardhi, Miho Çiko, Mihal Shyti, Moikom Shyti, Naqo Siko, Nikolla Çika, Niko Papalilo, Lilo Palla, Ilija Vimo, Perikli Papingji Qazim Çakërri, Qemal Muhedari, Ramazan berberaj, Ramazan Armeni, Rushit Vërzhezha, Rexhep Toto, Muzafer Velaj, Nazif Spani, Rapo Ruçi, Rukije Sulejmani, Refat Sedrioviç, Rahman Hysa, Refit Mustafaj, Farudin Rustemi, Skënder Vrenaraj, Selfo Shebaj, Sulejman Seferi, Selim Begaj, Sofokli Dimi, Seit Qemali, Shezai Qemali, Shefqet Suli, Shahin Alia, Shyqyri Tare, Zoga Falre, Taqi Poliçani, Vangjel Xhema, Thoma Karagjozi, Qerim Asimi, Kristofor Gjyli, Stefan Sotiri, Nasim Gjani, Tahsim Jonuzi. (Për mungesë hapësire në gazetë nuk po i shënojmë numrat personalë dhe datëlindjet e dëshmorëve të Mat’hauzenit, por ne i ruajmë në dosjen e arkivit tonë). Kemi dhe një listë të të ekzekutuarve, sipas një dëshmitari:  Asim Qerimi, Akile Lita, Dhimitër Kosta, Ibrahim Rexhepi, Izet Memsi, Imer Rexhepi, Jani Kariqi, Naum Thanasi, Naxhia Himçi, Narfi Kaposhi, Pandeli Nandua, Meship Himçi, Miho Ciko, Vimo Ilija, Vlash Kuqo, Sabri Dino, Ali Akin, Xhevdet Dino, Shefqet Leka. Burimet e shkruara të nivelit akademik na japin dhe një pasqyrë përmbledhëse të 5914 të burgosurve dhe të internuarve shqiptarë në burgjet dhe kampet nazifashiste të hapura brenda vendit gjatë periudhës së pushtimit të Shqipërisë: 7 Prill 1939-29 Nëntor 1944, nga ku Tirana, si rreth kishte 1034 njerëz, Berati 414, Burreli 34, Dibra e Bulqiza 126, Durrësi e Kavaja 831, Elbasani e Peqini 261, Fieri e Mallakastra 130, Gjirokastra 504, Gramshi 17, Kolonja 151, Korça e Bilishti 615, Kruja e Laçi 24, Kukësi e Hasi 27, Lezha 28, Lushnja 41, Mirdita 28, Përmeti 49, Pogradeci 173, Puka 10, Saranda e Delvina 54, Shkodra e Kopliku 354, Tepelena 60, Tropoja 148 dhe Vlora 801, të cilët në total kanë vuajtur 26940  muaj ose 2245 vite. Siç vërehet, më tepër martirë kanë Tirana, Durrës – Kavaja, Vlora e me radhë Korçë – Bilishti, Gjirokastra, Shkodër – Kopliku etj. (shih: dr. Arqile Veshi, “Qëndresa heroike e të burgosurve, të internuarve dhe të ekzekutuarve politikë shqiptarë nga pushtuesit nazifashistë e kolaboracionistët: 7 prill 1939-29 nëntor 1944”, Tiranë, Ilar, 2014, 308 faqe me foto). Gjithashtu, kemi informacion të besueshëm dokumentar, se vetëm nga Mallakastra janë shfarosur në kampin e Zemunit 19 patriotë nga fshati Cakran dhe 11 nga fshati Dukas – Patos.

Nderimi shtetëror i dëshmorëve të Mat’hauzenit

Bazuar në ligjin nr. 109/2018 “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut”, në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1 të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë vendosi: Kreu I, neni 4 “Familje e Dëshmorit të atdheut është familja që i ka dhënë Shqipërisë një apo më shumë persona të shpallur “Dëshmor i atdheut”. Kreu II, neni 5 thotë: “Dëshmorë të atdheut shpallen ose u njihet stausi, si i tillë…[pika] dh) Shtetasit shqiptarë, të cilët janë ekzekutuar apo kanë vdekur në burgjet dhe kampet nazifashiste të përqëndrimit apo kanë vdekur si pasojë e plagëve apo sëmundjeve të ndryshme të marra në këto vende deri më 9 maj 1945”. Me rastin e 75 vjetorit të Çlirimit të ish-kampit të përqëndrimit Mat’hauzen, në Vlorë, është ngritur Memoriali i Kujtesës së Dëshmorëve të Mat’hauzenit përkarshi bashkisë së qytetit të Vlorës, atje ku në vitet e LANÇ ishte burgu, nga i nisën drejt kampit të përqëndrimit Mat’hauzen djemtë e Vlorës pas fushatës së arrestimeve nga nazistët dhe kolaboracionistët e tyre spiunë e lakej. Ndoshta nuk do të realizohej apo mund të bëhej shumë më vonë ky monument nderimi në Vlorë, pa ndihmën e zonjës Vojsava Shkurtaj, ish-kryetare e Këshillit të Bashkisë, pa kujdesin e drejtpërdrejtë të kryetarit të bashkisë, dr. Dritan Leli, pa fjalën e urtë e të peshuar të shkrimtarit Andrea Petromilo, pa punën në bllok të pasardhësve të atyre dëshmorëve, Gerion Gunbardhi, Kujtim Memaj, Denada Babe, Gudar Toto, Kristi Shametaj, Edlira Hoxha, administrata e Universitetit “Ismail Qemali”, Vlorë, Fjorda Llukmani, përfaqësuese nga BE-ja për Shqipërinë  e sidomos pa këmbënguljen shembullore e të pakthyeshme të qytetarit Polizoi Kosta, i biri i Jani Kostës, me numër personal 10050, vdekur në ish-kampin e përqëndrimt Mat’hauzen më 15.12.1944. Sheshi historik para bashkisë Vlorë do të mbetet në breza si sheshi i dëshmorëve të Mat’hauzenit, që sfiduan torturat më të padëgjuara dhe bënë sakrificën më sublime për Atdheun e të parëve, Atdheun e tyre, tonin e të brezave që vijnë.

Gjyqi i Nurembergut për mesazhet e lirisë

Në qytetin buzë lumit Pegnitz, në Nuremberg të Bavarisë, Gjermania Jugore, atje ku në vitet 1930 mbaheshin kongreset e Partisë Naziste dhe mitingjet e mëdha të përvitshme të Partisë Naziste, më 1945-’46  u zhvilluan gjyqet e Nurembergut, në të cilat kriminelët nazistë të luftës u gjykuan nga një gjykatë ndërkombëtare ushtarake. Gjyqi i Nyrëmbergut ishin një seri gjykatash ushtarake të mbajtura pas Luftës së Dytë Botërore nga Forcat Aleate, sipas ligjit ndërkombëtar dhe ligjeve të luftës dhe u bënë për ndjekjen penale të anëtarëve të shquar të udhëheqjes politike, ushtarake, gjyqësore dhe ekonomike të Gjermanisë naziste, të cilët planifikuan, kryen masakra e morën pjesë në Holokaustin dhe krimet e tjera të luftës. Gjyqet u mbajtën në Nyrëmberg të Gjermanisë dhe vendimet e tyre shënuan një pikë kthese midis ligjit klasik dhe atij ndërkombëtar bashkëkohor, sepse siguruan një platformë për drejtësi kundër kriminelëve të luftës naziste të akuzuar. Përpjekja e parë për të ndëshkuar autorët u krye nga Tribunali Ushtarak Ndërkombëtar (IMT) në qytetin gjerman të Nurembergut, duke filluar më 20 nëntor 1945. Në gjyq ishin 24 kriminelët më të mëdhenj të luftës të Gjermanisë naziste, përfshirë Hermann Goering, Martin Bormann, Julius Streicher dhe Albert Speer. Pas Çlirimit të Europës nga bisha nazifashiste, Gjyqi i Ushtrisë së Trupave Aleate të Nurenbergut përfundimisht, dënoi me vdekje 12 kriminelët nazistë. Kështu që termi “gjykim i Nurembergut” përfundimisht përfshiu këtë gjyq origjinal të liderëve nazistë, si dhe 12 gjykime pasuese që zgjatën deri në vitin 1948.

Akuzat

Ndërsa Pushtetet Aleate vepruan për të mbledhur prova, ata gjithashtu përcaktuan se kush duhet të përfshihej në raundin e parë të procedimeve. U konstatua, në fund të fundit, se 24 të pandehur do të akuzoheshin dhe do të vinin në gjyq në fillim të nëntorit 1945 dhe këta ishin disa nga më të njohurit e kriminelëve të luftës të nazistëve. I akuzuari do të paditet për një apo më shumë akuza:

1. Krimet e komplotit: I akuzuari u pretendua se kishte marrë pjesë në krijimin dhe / ose zbatimin e një plani të përbashkët ose komplot për të ndihmuar ata që ishin përgjegjës për ekzekutimin e një plani të përbashkët, qëllimi i të cilit përfshinte krime kundër paqes.

2. Krimet kundër Paqes: Të akuzuarit thuhet se kanë kryer akte që përfshijnë planifikimin, përgatitjen ose inicimin e luftës agresive.

3. Krimet e Luftës: I akuzuari supozohet se ka shkelur rregullat e mëparshme të luftës, duke përfshirë vrasjen e civilëve, POW, ose shkatërrimin e dëmshëm të pronës civile.

4. Krime kundër njerëzimit: I akuzuari ishte akuzuar se kishte kryer akte të deportimit, skllavërimit, torturës, vrasjes ose akteve të tjera çnjerëzore kundër civilëve para ose gjatë luftës.

Të pandehurit në gjyq dhe dënimet e tyre:

Gjithsej 24 të pandehur fillimisht ishin planifikuar për t’u shqyrtuar e ndëshkuar në gjyq gjatë këtij gjyqi fillestar të Nurembergut, por vetëm 22 vetë u gjykuan (Robert Ley kishte kryer vetëvrasje dhe Gustav Krupp von Bohlen ishte konsideruar i paaftë për t’u gjykuar). Nga 22, një nuk ishte në paraburgim; Martin Bormann (sekretar i partisë naziste) u akuzua në mungesë. (Më vonë u zbulua se Bormann kishte vdekur në maj 1945). Edhe pse lista e të pandehurve ishte e gjatë, dy individë kryesorë mungonin. Adolf Hitleri dhe ministri i tij propagandist, Joseph Goebbels, kishin bërë vetëvrasje, pikërisht kur lufta po mbaronte. U vendos që kishte prova të mjaftueshme në lidhje me vdekjet e tyre, ndryshe nga Bormann, se ato nuk u vendosën në gjyq.

Gjyqi rezultoi me një total prej 12 dënimeve me vdekje, të gjitha të cilat u administruan më 16 tetor 1946, me një përjashtim – Herman Goering kreu vetëvrasje, duke helmuar veten me një kapsulë cianuri natën në qeli. Tre nga të akuzuarit u dënuan me burgim të përjetshëm. Katër individë u dënuan me burgim nga dhjetë gjer në njëzet vjet. Një shtesë prej tre individësh u liruan nga të gjitha akuzat… Asnjë qytetar shqiptar dhe europian, asnjë qytetar i botës, sot e nesër e sa të jetë jeta kurrë nuk mund e nuk duhet t’i fshijë nga kujtesa emrat më të zinj të historisë së shekullit XX e ndoshta të të gjitha kohërave. Më të rrezikshmit që mbushnin ligësinë ekstreme të  shpirtit paranojak të Hitlerit, tok me Gëbelsin e Heinrich Himmlerin, arkitektin kryesor të Holokaustit dhe që  morën dënimin kapital ishin: Martin Bormann (në mungesë) – Zëvendës Fuhrer, Hans Frank – Guvernatori i Përgjithshëm i Polonisë së pushtuar, Wilhelm Frick – Ministri i Brendshëm i Rajhut, Hermann Göring – Marshalli i Rajhut/ president i Raishtagut, Parlamentit Gjerman [Reichstag], Alfred Jodl – Shefi i Shtabit të Operacioneve të Forcave të Armatosura, Ernst Kaltenbrunner – Shefi i Policisë së Sigurisë, SD, dhe RSHA, Wilhelm Keitel – Shefi i Komandës së Lartë të Forcave të Armatosura, Joachim von Ribbentrop – Ministri i Jashtëm i Rajhut, Alfred Rosenberg – Filozofi i Partisë dhe Ministri i Rajhut për Zonën e Zonës Lindore, Fritz Sauckel – Fuqiplotë për Ndarjen e Punës, Arthur Seyss – Inquart – Ministri i Brendshëm dhe Guvernatori i Rajhut të Austrisë, Julius Streicher – Themelues i Der Stürmer.

Dita e 9 Majit nga shumica e vendeve të tjera në Evropë, përfshi dhe Shqipërinë tonë kujtohet me nderim e respektohet si simbol i Lirisë, si Dita e Fitores në Evropë.

Vlorë, e premte, 7 Maj 2021

Filed Under: Histori Tagged With: AKujtesa, Albert Habazaj

POST MORTEM PER ZGJEDHJET…

April 27, 2021 by dgreca

ALFONS GRISHAJ/

Errësirë mbi vendin tim/

Atdhe , u mblodhën retë, u bë mynxyrë…/

Një kahje e rreme  shëndrit   porsi lyrë./

Kalorësit e lirisë  të kurthuar  me hore/

Një luftë e humbur që kurr’ s’ka  fitore./

Dhe nëse derdhë djersë… është bosh…/

Nuk mbushet me ujë vrimat e kosh’,/

As burrëri nuk ka me pisa t’ paudhë,/

Nuk e lanë zhigun as  fjalë e as shpullë./

E  , nëse më pyesni t’ lodhur nga jeta…

Do u them o miq : “fitoren e bën kuleta!”

T’ gjithë popujt mjeranë pa busull  e urti ,

Gjithmonë  qeverisen   nga   pis Jahudi!

E ju do më thoni : “ U lodhën heronjtë tanë!”

E unë do  përgjigjem :” S’ka lodhje  vatanë!”

E di , të rrethuar  me Serb e Turkoshakë,

Komunistët  paatdhe , mbarsen si shakë.

Po, fuqia kombit është atdhedashuria 

Mbi miellin e sahanët që ngre  lypsaria,

Shqipëtari do ngrihet një ditë  mbi  tiraninë 

Me zjarr e hekur do e shkulin  makutërinë.

Tash  o mjeranë ,  gëzofshi kryq’n e  Greqisë…  

Ramëziun e Vuçiqit ,  bakal’n e Rumelisë ,

Kameleonin pabrekë , traktat’n  panderë…

Skamje ju mbuloftë  , paçi  terr e ferrë!

Filed Under: Histori Tagged With: alfons Grishaj, Errësirë mbi vendin tim

NË KOPSHTET E VATIKANIT, ME PAPËN E NDERIT,…

April 19, 2021 by dgreca

-risjellim emocionet me rastin datëlindjes së Atit të Shenjtë-

Nga Visar Zhiti/

 Ç’kopshte të mrekullueshëm brenda mureve në Vatikan, aq sa na duket se jemi futur në një ëndërr! Nga lart rrjedhin ujëvara qiellore, nga ato me misterin e dritës tjetër. Po edhe një qetësi mërmëritëse, që sikur ia zbulojmë kumtin tek udhët mes blerimeve, aq ndjellëse, për të ecur sa më paqësisht, tani e gjithmonë, në dashuri. Gjethnajë dhe bar gjallërues, cicërima të kristalta dhe frushullima flatrash. Jo, nuk janë vetëm zogjtë, por edhe engjëjt, kështu na duket. Pasditja sikur merrte frymë me mushkëritë e “Shpellës së Lourdes-it”, që na shfaqet befas fare pranë. Dhe na kap një ndjesi përlehtësimi dhe përhapjeje, sikur nuk kemi kufizime, jo vetëm ndaj njëri-tjetrit dhe ndihemi frymë gjithandej. I shtrëngova dorën sime shoqeje. Sikur merrnim nga drithmat e njëri-tjetrit kështu. Para nesh, e ndienim, rendte djali ynë, i padukshëm, ja, ja, i pashë një pjesës flatre, kjo pendë prej tyre ra… Andej duhej të shkonim. Tej pjerrinave të edenta pemët presin si meshtarë të lumtur. Dhe ja, lule të tjera që sendërtojnë me ngjyrat e tyre çaste të tjera mrekullie. Emblema papnore. Prej lulesh dhe ajo në sheshin qendror aty. Nga shatërvanët hovnin ujëra si bekime të kthjellëta. Kupola e mermertë e Bazilikës së Shën Pjetrit vezullon e madhërishme dhe nuk kuptohet ku mbaron ajo dhe ku fillon qielli. Një përzierje mistike me retë anash si të ishin një grup me Mikelanxhelo. Poshtë nëpër nikie statuja biblike… ja, ja, ati yt. Pranë është stacioni i trenit të Vatikanit, që sikur sjell dëshira dhe pak më tej gjykata, jo, jo e gjyqit të fundit dhe burgu, shpesh e më shpesh bosh, por ndodh të bujtë ndokush, ngjarje e rrallë, do ta kenë lajmin patjetër gazetat. Ime shoqe ma shtrëngon dorën prapë. Buzëqesha trishtueshëm. Madona që na mirëpresin. Ja, Zoja e Këshillit të Mirë, që është dhe Pajtorja e shqiptarëve, shkodrania. Dhe drurë biblikë, të mbjellë nga personalitete të larta të botës, presidentë, kryeministra… edhe ty ta pranuan kërkesën që si titullar i ambasadës, por edhe si bashkatdhetar i Shenjtes Nënë Tereza, – po nëpërmendja, – që me rastin e kanonizimit të saj, në jubileun e marrëdhënieve mes dy shteteve tona, të sillje një ulli nga vendi yt, të mbillej këtu. Ia thashë kryeministrit. Prita… Mure të tjera kështjellore, heliodromi i vogël, livadhe me gëmushat si qingja, pylli natyral, një shenjtërore e mermertë, kthesat si ngazëllime mahnitjesh, kështu më erdhi t’i krahasoj, stola të drunjtë, të rrallë, rojat që të përshëndesnin të parët, Radio-Televizionit i Vatikanit, dielli që vazhdonte dhe derdhte ar. Me siguri po afroheshim. Pashë kolonat e Akademisë. Përballë, pas degëve të pemëve, sërish dritare, mbase ato të Arkivit Sekret a të Bibliotekës së vjetër Apostolike. Se ishte bërë dhe një e re, por ajo ishte pesë kate nën tokë, e bunkertë. Ku ishin letrat e Gjergj Kastrioti – Skënderbeut, po librat shqip? Mes qiparisave, tej në thellësi, vegim që afrohej, nuk po u besonim syve, në këmbë, me të bardha si i statujtë, ai, Papa i Nderit, Bendedikti XVI. Në kohën pas lutjeve të pasdites po na priste aty. Nuk mund të iknim pa e parë, pa i puthur dorën. S’po duronim sa të mbërrinim dhe një si lulnajë emocionesh po binte mbi supet tona. Ndjemë se shtangëm, nuk po ecnim ne, por pllaja mitike, sikur afrohej ajo, me Papën e Nderit në krye, ende larg, rrezëllitës. Po na aviteshin qiparisat. Një vezullim. Mbase i kryqit të argjendtë që i varej në gjoks Atit të Shenjtë, Ratzinger.

Wow! – do ia bënte djali ynë. Po aty, në krah, si i veshur me natë, sekretari i tij i veçantë, arqipeshkvi Georg Gänswein, njëherësh edhe Prefekt i Pallatit Pontefik të Vatikanit. Në këmbë dhe ai. Ruba e zezë i derdhej hijshëm deri në fund. Vetëm koletoja si një tufë rrezesh zbardhëllente. Dy gjermanë, besëtarë të një miqësie apostolike, magjepsës. Të dy pa kësula mbi krye. Flokë e bardhë të Ratzinger-it si fllad. Si muzg të Gänswaein-it. Ndalëm para tyre. U përkulëm. Arqipeshkvi, gjithë përzemërsi buzëqeshëse, na paraqiti te Papa i Nderit, që na përgëzoi për ardhjen. Sa zë të ngrohtë kishte, me pak si ngjirje si të marrë katakombeve, andej nga varret biblike. I thamë se është lumturi të takosh Shenjtërinë e Tij. Vuri buzën në gaz si me druajtje. Dhembshurisht. Ime shoqe i dhuroi një stola të kuqe, si gjaku i martirëve të kishës tonë, 38 prej të cilëve sapo ishin lumturuar dhe stola ishte punuar nga gra shqiptare të Veriut, këto po shpjegonte ime shoqe, kur Imzot Gänzwein ndërhyri entuziast: – Paskeni ardhur me dhurata, faleminderit! Atij i kisha dhënë ditë më parë një bibël të vjetër dy shekullore në gjermanisht, ma solli studiuesi nga Kosova Bejtullah Destani, s’e di ku e kishte gjetur. Dhe Gënswein ma ktheu duke më dhuruar “gemelli” embelematike manshetash. Heshtje. Heshtje folëse. – …dhe të kanë dënuar për poezi, s’mund të besohet… – tha Ati i Shenjtë duke më parë me sytë tejpërshkues si të një ikone. U trondita, ai e dinte, pra, se me kë ishte takuar. Kishte shkruar poezi dhe vetë në rininë e hershme. Kishte parë dhe Luftën e Dytë botërore si nxënës dhe i kishte ikur asaj, “dezertoi”. Gjithsesi, dënohesh dhe për poezi dhe Papa thotë “e pabesueshme”, me qëllim që e tillë duhet të jetë, të mos ndodhë më. Kurrë. Ndërsa fliste, po e vështroja me adhurim. Te sytë kishte rrathë të lehtë, pakëz të fryrë, mbase pagjumësia, lutjet e leximet natën. Ashtu i mpakur nën pallton e bardhë e të gjatë, ku renditeshin kopsat, edhe ato të bardha si varg i argjendtë yjesh, shtati sikur nuk ia pengonte shpirtin që të shtjellej edhe më, i përforcuar si me një si ethe përvëluese të ftohtë duke na dhënë dhe neve përreth forcë enigmatike. Filozof i Zotit, yll në teologji, shkruanin për të dhe “bashkë me Lessing, Kant dhe Beethhoven janë përfaqësuesit e fundit të gjenisë gjermane”, fat të jesh pranë tij, thoshin. Ula kryet, nuk e vështroja dot. Pashë nga këmbët që Papa i Nderit tani mbante sandale murgu. Ne të tjerët ishim me këpucë të zeza. Eda kërkoi leje për të bërë ndonjë foto. Imzot Gänswein u tregua i gatshëm, e mori ai aparatin. Pas nesh ishte muri i mbushur me bimë kacavjerrëse. Më shkrepi t’i kërkoj Papës një autograf mbi librin e tij “Deus Caritas Est”… Më dridhen duart, tha shenjtërisht, kur të shkoj në shtëpi do ta shkruaj… Dhe do na e dërgonin bashkë me librin e tij më të fundit “Ultime conversazioni” dhe me dy kartolina brenda. Ja ç’kishte shkruar: “Con la mia benedizione. Benedetto XVI”. Po dhe atje në kopshtet parajsore të Vatikanit u lut për mbrojtjen tonë. Amen! Në ballinën e pasme të librit më tërhoqi citati i tij: “Kurrë nuk e kam përftuar pushtetin si një pozicion force, por gjithnjë si përgjegjësi, si një detyrë të rëndës e të vështirë. Një detyrë që të shtrëngon çdo ditë dhe të kërkon: a ishe në atë lartësi”? Dhe tërheqja e Tij ishte po në atë lartësi, gjest historik për një papë, që ndryshoi rrënjësisht “ministrimin pjetrin” duke rifutur, krahas dimesionit njerëzor, edhe atë spiritual të origjinave. Iki se jam lodhur, të vijë ai që mund të bëjë më shumë. Dhe Papa i Nderit na mëson se nuk mund të japësh dorëheqjen në ditë të vështira e krizash, që t’u shmangesh detyrave, jo, por mund të ikësh, kur gjendjen e lë mirë që të bëhet më e mirë. Shikoja nga Papa dhe mbushesha me një lloj përdëllimi të tjetërsojtë, të ngjashëm me ato kur je para një kryqi të bukur. Vetmia e tij, pa vetmi. Kam Zotin, thotë. I mbyllur pa mbyllje. Është bota që s’e lë. Herë pas here i shkon pasardhësi, Papa Françesku, përqafohen, shkëlqejnë dhe kokë më kokë një Zot e di se ç’bisedojë, për një jetë pa luftëra e uri, por të begatë të mbarë njerëzimit, me paqe, dashuri e hirin e Hyut. Dhe përkushtimi i tyre, siperan e i përulur, është dritë shpresëdhënëse, udhërrëfyese. Kishim parë në Pallatin Papal në Castel Gandolfo, në muzeun vatikanas divanin ku rrinin dy papët. Janë të shenjta miqësia, bashkëpunimi e vazhdimi. Fjala ka nevojë për frymëzim, thotë Ratzinger. Dhe Vepra e tij vlerësohet si themel në doktrinën e besimit për mijëvjeçarin e tretë. Shkronjat në autografin e Tij e jepnin dridhjen, që jo, nuk ishte vetëm e dorës. Gishtërinjtë e bardhë, të hollë e të gjatë të tij më ishin dukur sikur pikonin muzikë. Na kishin thënë të njohur se ai është dhe pianist i shkëlqyer, i apasionuar pas Mozartit. Dhe po ata na kishin treguar gjatë një darke në Selinë e Shenjtë një thënie të Papës së Nderit, lakonike, përmbledhëse, se kur kishte rënë njëherë fjala që dhe vëllai i tij, klerik dhe ai, i binte pianos a ndokush tjetër, s’kishte rëndësi dhe Ratzinger ishte përgjigjur: “Po, ashtu i duket”, – dhe kishin buzëqeshur përreth. Më bëri përshtypje, merrte më forcë qortuese se kishte dalë nga goja e atij që njihet si “bashkëpunëtor i të vërtetës”, guximtar i fjalës. Dukja sot është bërë një dukuri e padurueshme, po mendoja. Ashtu na duket, kjo është çështja. Sa shumë pësohet nga ata njerëz, qofshin dhe vëllezër apo dhe vetja, që u duket sikur dinë të bëjnë atë që pikërisht nuk munden, veç e tjetërsojnë dhe bëhen shkak prapësish të rënda, jo veç në arte e letërsi, por edhe në veprimtari të ndryshme shoqërore e politikë duke i kthyer ato shpesh në të kundër të vetvetes, fare brutalisht. Poezia në kryq, m’u fanit, si Krishti, me dy hajdutë anash dhe turma që bërtiste: kryqëzojeni!… dhe këtë bëritmë ta quash poezi? Kjo po bëhet… Po më vinte rëndë që e kapa veten duke përsiatur kësisojshëm, kur isha kaq pranë së shenjtës, me një Papë që dhe tërheqjen e kishte bërë shenjtërisht dhe që po më dukej se më shumë se sa toka, tani po e ndillte qielli i pafund. Ai qiell ku ne kishim sytë, sepse të rënë në tragjedinë tonë si në një hum(b)nerë, vetëm lart mund të shikonim… Dhe ne nuk duruam pa e përqafuar Lartësinë e Tij të Shenjtë. Si për ta mbajtur sa më shumë pranë vetes. Kështu dhe Ai, na u duk. Pastaj, po kaq njëlloj, dhe me Imzot Gänswein. Mirënjohës, i mërmëritëm, që na i dha këtë mundësi, të një takimi që ndoshta vetëm një herë në jetë na ndodh. Pastaj erdhi një makinë e bardhë, e xhamtë. Papa Mobile. Qerre moderne e apostujve, e vikarit të madh. Ndali pranë nesh. Papën Ratzinger e ndihmoi për të hipur në të Imzot Gänswein. Dhe askush tjetër. Ne s’guxuam të lëviznin, por zgjatëm krahë të padukshëm dëshirash. Papa vështroi nga ne qiellërisht. Kryqi i argjendtë mbi gjoksin e pakët vezulloi sërish si në fillim. Na e bëri me dorë, ndërsa Monsinjori buzëqeshte. Aq tërësore ishte ajo buzëqeshje, sa dukej sikur shkonte dhe te gjërat përreth. Makina e bardhë zbriti pa u ndjerë në rrugën me drurët e lartë cedër anash dhe mori për nga Manastiri “Mater Eçlesiae”, mes blerimeve, ku banonte Papa. Zhurma e lehtë e një porte do të ishte e fundit. Dhe dielli gjithë urtësi të perëndishme treti nga ana tjetër e qiellit, ku nuk shihej, nga rifillonte një botë e dimensioneve të tjera, mbase ajo e amshueshmërisë. Po kërkonim nëpër qiell se mos pikasnim ndonjë flatër, atë të djalit tonë, që na paraprinte. Kishim mbetur ashtu në këmbë, të mahnitur. S’di se sa kohë, deri më tani…

Filed Under: Histori Tagged With: ME PAPËN E NDERIT, ne Kopshtet e Vatikanit, Visar Zhiti

KRYENGRITJA E MALËSISË E VITIT 1911 DHE SHQIPTARËT E AMERIKËS

April 19, 2021 by dgreca

NJË SHËNIM I SHKURTËR PËR 110 VJETORIN E KRYENGRITJES SË MALËSISË, NDIKIMI TEK SHQIPTARËT E AMERIKËS. FAIK KNICA PËR KRYENGRITËSIT…/

NGA DALIP GRECA-DIELLI/

Sivjet u përkujtua 110 vjetori i Kryengritjes së malësorëve gjatë vitit 1911, si prolog i shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, edhe pse vijon pandemia e Covid-19. Edhe Vatra u përfaqësua në veprimtarinë përkujtimore me një nga nënkryetarët e saj Dr. Pashko Camaj, bir i Malësisë.Përkujtimi i Kryengritjes së Malësisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka ushqyer në vazhdimësi patriotizmin e shqiptarëve të mërguar. Duke u përkujtuar në cdo përvjetor kjo ngjarje me ndikim në historinë e kombit shqiptar,si pragu i Pavrësisë së Shqipërisë, ka përcjellë tek brezat atdhetarizëm, veçanërisht tek brezi i ri .

Kam qenë me fat se që kur erdha në Neë York u vura në kontakt me shoqatat nga Malësia, që për cdo vit përkujtonin 6 prillin e vitit 1911 dhe udhëheqësin e kryengritjes Dedë Gjo Lulin. Madje në përkujtimin e prillit të vitit 2011, isha një nga ligjërusit, së bashku me diplomatin Sokol Neçaj.Në gazetën Illyria dhe më pas në Dielli, i kam ndjekur me emocion veprimtaritë.

Më 2004 kalova nëpër duar për Editim(Editor i librit) librin më të dokumentuar për këtë ngjarje historike me rëndësi kombëtare ”Kryengritja e Malësisë e Vitit 1911” e studuesit Gjergj Nikprelaj, të sjellë në shqip nga Fran Gjokaj, redaktor Qazim Muja, redaktor letrar Prof. Dr. Gjovalin Shkurtaj, recezent Prof. Dr. Gazmend Shpuza, botim i shtëpisë botuse GjonlekajPublishing Co në Neë Yrok-Copyright-Luigj Gjokaj. Libri qe ndodhet ne biblioteken time, ma shtojë informacionin për kryyengritjen dhe kryengritësit.

Ndërsa në veprimtaritë e vitit 2015, në 100 vjetorin e vdekjes së Dedë Gjo Lulit, isha një nga ligjëruesit, në konferencën që organizoi Shoqata “Malësia e Madhe” në Neë York, në Royal Regency Hotel në Yonkers. 

Në konferencë prezantova kumtesën” Jehona e Kryengritjes së malësorëve në Diasporën Shqiptare të Amerikës”, ku solla  për të parën herë fakte për ndikimin e asaj kryengritjeje në rritjen e shpirtit kombëtar të mërgimtarëve të asaj kohe,që ishin ende të paorganizuar në shoqata Kombëtare.

Për të përgatitë kumtesën kisha shfletuar shtypin e diasporës të atyre viteve që publikoheshin në SHBA “Dielli”, si dhe citime nga gazeta “Trumpeta e Krujës”- The Trumpet of Croya”, që botohej nga Faik Konica, drejtor – Angelo Laska, manager. Shqiptarët e Amerikës, kishin një projekt për të nisë një dërgatë tek malësorët me qëllim që të ndikonin në mbajtjen gjallë të shpirtit kryengritës dhe për t’i dhënë shpirt Lëvizjes Kombëtare në viset Shqiptare. Trumpeta e Krujës në numrin e 15 prillit,1911, nëntë ditë pasi ishte ngritë Flamuri në Bratile, në kolonën editoriale, vetë editori Faik Konica, bën një shënim me titull” Kryengritja në Gegëri”, ku shkruan për një projekt të shqiptarëve të Amerikës në përkrahje të kryengritësve malësorë dhe shtron nevojën për një fushatë ndihmash.
Konica sqaron lexuesit se ky projekt kishte nisë që një mot më parë në vjeshtën e vitit 1910, kur shpërtheu Kryengritja në Shqipërinë e Veriut. Duke folur për kryengrtjen e Malësisë, Konica shkruan se”Këtë radhë fusha e luftës nuk është Kosova, por Malësia e Mbishkodrës, e cila po e sfidon Perandorinë e plakur. “
Pena e Konicës i këndon hymne kryengritësve që me trimërinë e tyre tërhoqën vëmendjen e Europianëve, nën këtën ndikim ai shkroi “marsejezën”…. Në krye të Ushtrisë shqiptare është Gjeneral Isa Boletini, karakteri i të cilit duket për dita më i madh, dhe fama e të cilit sa po vete dhe po forcohet.Në një Luftë të madhe që u bë afër Shkodrës, kryegjenerali ynë në krye të 8,000 Shqiptarëve, rrahu ushtrinë halldupe, vrau disa qindra nizamë, plagosi shumë më tepër edhe zuri shumë rob të gjallë.
Në kumtesë theksova edhe faktin se nga heroizmi i malësorëve dhe karakteri heroik i Ded Gjo Lulit, kanë tentuar të përfitojnë Mbreti Kral Nikolla dhe shteti i Malit të zi.Vetë Krajl Nikolla ,shkroi një poemë me titullin”Kryengritja e Malësorëvet”( Malisori Ustanak”, ku ai i thur lavde kryengritësve, por nuk harron që aty këtu t’i jap dhe merita vetes. Kjo Poemë që u botua edhe në shtypin shqiptar(Revista Leka), kishte 215 strofa katërshe, që përfshinin 860 rreshta në 22 faqe të revistës….

Filed Under: Histori Tagged With: dalip greca, Faik Konica, Kryengritja e 1911, ndikimi, Shqiptaret e Amerikes

HAMIT LUMI, SI DHASKAL TODHRI PËR SHKOLLAT SHQIPE NË LUMIN E VLORËS

April 17, 2021 by dgreca

Msc. Albert HABAZAJ/

Në luftën dhe përpjekjet për arsimin kombëtar u shquan një plejadë e tërë atdhetarësh, ku, krahas Leonidha Naçit, Mulla Xhaferit, Halim Xhelos, Jani Mingës, Ibrahim Shytit, Marigo Pozios, Gaqe Kapores, Thanas Floqit, Beqir Velos, Spiro J. Kolekës, Naqe Konomit, Murat Tërbaçit, Lluka Papajorgjit, Vasillaq Pozios, Hamza Isait, Muhamed Çobos, Elmaz Xhafer Kaninës, Ibrahim Abdullahut e gjithë atij detashmenti drite, shndrit edhe emri i Hamit Lumit. Kujtojmë që me shpalljen e Pavarësisë Kombëtare, me kujdesin e drejtpërdrejt dhe këshillat e urta të Uratës së Flamurit, Plakut të Bardhë, Kryeministrit Ismail Qemali, rol të veçantë luajti Ministria e Arsimit, me ministër Luigj Gurakuqin dhe zëvendës Jani Mingën, Muço Qullin e Sali Gjukën. Lajmotivi i këtyre mëmëdhetarëve me idelae të mëdha ishte: “Shkollat shqipe na duhen për shndritjen e mëndjes së kombiarëve”

Parë në këtë rrafsh, edhe treva e Labërisë, si pjesë e së tërës shqiptare, ka nxjerrë bij e bija, që në rrjedhat e kohërave kanë luftuar me pushkë e me penë për mëmëdhenë. Një nga këta yje dritërimi të Labërisë është edhe atdhetari publicist Hamil Çela Lumi (1869-1929). Emri i tij është i njohur në Lumin e Vlorës e më gjerë, ndërkohë që për të janë bërë veprimtari nderuese dhe janë shkruar artikuj vlerësues, nga të cilët mund të përmendim si ndër fillimtarët artikullin e dr. Zeko Braho: “Hamit Lumi (Çela) – patriot i shquar, publicist dhe vjershëtar”, në revistën “Studime historike”, botim i Institutit të Historisë, Tiranë, 1980, 3, f. 190-192. Po ashtu janë botuar monografi lokale nga mësuesi veteran Serri Tushi, apo studiues të fushës. Poeti i njohur shqiptar me banim në Zvicër, përkthyesi dhe studiuesi Agim Shehu na paraqet një profil më të plotë të këtij pishtari të dritës në Vlorë e Labëri me botimin e punimit monografik “Gjaku i borës: Atdhetari Hamit Lumi”, monografi, Tiranë, Shtëpia Botuese Enciklopedike, 1996, 124 f. Në këtë monografi përfshihet një studim i autorit, këngë për Hamit Lumin, vargje të Hamit Lumit dhe poezi popullore botuar prej tij, si dhe mendime të zgjedhura, shkrime publicistike e letra të tij botuar te “Liri e Shqipërisë”, “Dielli”, “Mbrojtja Kombëtare”, “Mbrojtja e Shqipërisë”, “Mbrojtja shqiptare”, “Albania”, “Koha” dhe “E vërteta”. Emri i tij është i përfshirë në librin “Histori e Kurveleshit” të prof.dr. Rami Memushaj, Tiranë, Toena, 2004, me 508 f. nga f. 327-328; po ashtu edhe në librin “Enciklopedi e Kurveleshit”, me autorë prof. dr. Nasip Meçaj e Fatmir Toçi, Tiranë, Toena, 2009, 406 f., në faqet 240. Edhe në librin “Histori e Labërisë” me autor Bardho Hysenaj, Tiranë, Redona, 2011 me 765 faqe, për të shkruhet  në faqen 605. Është e vërtetë që gjatë një shekulli për Hamit Lumin flet një Vlorë e një Labëri, sepse ka bërë vepra atdhetarie dhe ka lënë gjurmë qytetëruese si një marathonomak drite hapërisave ndërshqiptare, që vlen për t’u krenuar me të, për të mësuar prej tij dhe për ta nderuar brez pas brezi, lab pas labi e shqiptar pas shqiptari.

Në vitin 2001 në Universitetin “Ismail Qemali” Vlorë organizohet konferenca shkencore “Vlora në rrjedhat e kohës”. Punimet e kësaj konference përgatiten nga prof. Bardhosh Gaçe dhe botohen në Tiranë me redaktor akad. Shaban Demiraj. Ndër të tjerë, studiuesi Aleksandër Prifti, ish – drejtor i Arsimit në Vlorë paraqiti kumtesën: “Udhët e reja të zhvillimit bashkëkohor”, ku ndër të tjera thekson: “Me gjithë përpjekjet e veçuara të njerëzve të shkolluar dhe atdhetarë për ta ruajtur shqipen të gjallë, puna për mësimin e shqipes nis të marrë udhë me fillimin e shek. XX, kur në krahinat e Jugut lindin ndjenjat kombëtare. Sipas burimeve të kohëve të fundit, del se atdhetarë labë përpiqen të dërgojnë në krahinë abetare të Naum Veqilharxhit [(Bredhit):1797-1854), i cili është ideologu i parë i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, mendimtar i shquar iluminist e veprimtar nismëtar i shkollës shqipe, që në vitin 1844 botoi të parën abetare të shqipes “Ëvetarin” -shën.im – A.H]. Po këto mbeten përpjekje të izoluara. Duhej të kalonin edhe disa dhjetëvjeçarë që të vinte periudha e Rilindjes, kur shqiptarët i formuluan qartë kërkesat e tyre edhe për mësimin e shqipes. Pas përpjekjeve të rilindësve të këtij qyteti, si Musa Çakërri, Dush Strati, Hamit Lumi, Jani Minga e atdhetarë të tjerë, sidomos në zbatimin e këshillave të Komitetit të Stambollit dhe për përhapjen fshehurazi të mësimit të shqipes më 8 gusht 1908, u çel shkolla shqipe e Muradies. Çelja e kësaj shkolle shqipe ishte fryt i përpjekjeve të mëdha të atdhetarëve të Vlorës, të cilët kishin bashkëpunim të ngushtë me kolonitë e shqiptarëve në Bukuresht, Kajro, Stamboll, Boston e gjetkë. Ky bashkëpunim kishte nisur edhe më parë, më 1895 nga anëtarët e shoqërisë “Vlora”, më 1900 nga shoqëria “Lumi i Vlorës”, më 1902 nga shoqëria “Për shkollat shqipe” e Kaninës e deri në korrik 1908, kur u krijua “Lidhja Kombëtare për përhapjen e gjuhës shqipe”, e cila luajti një rol të veçantë, që u kurorëzua me themelimin e shkollës shqipe të Muradies. [Shkolla nr.1, sot 28 Nëntori, shën. im A.H] Në këtë dhjetëvjeçar, mjaft mëmëdhetarë, si Kolë e Kristo Karbunara, Hamit Lumi, Zihni Abaz Kanina, Xhafer Drashovica, Hamza Isai e Ibrahim Abdullahu, kishin hyrë në lidhje me shoqëritë patriotike, klubet dhe shtypshkronjat ku botoheshin libra, gazeta e revista shqipe, të cilat u përhapën në Vlorë e në krahinat e saj. (shih: “Konferenca shkencore “Vlora në rrjedhat e kohës”, Tiranë, Toena, 2001, f. 287-288).

Edhe në botimin e nivelit akademik “Fjalor Enciklopedik Shqiptar (FESH), 2, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Qendra e Enciklopedisë Shqiptare, Tiranë, 2008, me 1802 f. me foto, në f. 1574 përfshihet zëri i përgatitur nga dr. Zeko Braho e Xhemil Çeli: “Lumi (Çela) Hamit (1868-1929). Veprimtar i lëvizjes kombëtare, publicist dhe vjershëtar. Lindi në fshatin Vërmik të Kurveleshit. Kreu shkollën qytetëse në Janinë. U kthye në Kurvelesh dhe më pas u vendos në qytetin e Vlorës, ku u mor me përhapjen gjuhës dhe librave shqip në Lumin e Vlorës dhe Kurveleshin e Poshtëm. Në 1900 organizoi klubin atdhetar “Lumi i Vlorës”. Në vitin 1904 u arrestua nga autoritetet e pushtimit osman dhe u dënua me 20 vjet burg. Gjatë vuajtjes së dënimit në burgun e Beratit u ridënua me 101 vjet. Doli nga burgu me rastin e amnistisë së vitit 1908 dhe vazhdoi veprimtarinë atdhetare në klubin “Labëria” të Vlorës. Mori pjesë në Kuvendin e Manastirit të Cepos, më 21 korrik 1911, si pjesëtar i çetës së Kurveleshit. Për shkak të ndjekjeve të autoriteteve osmane u detyrua të emigrojë në Boston të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (1911), ku bashkëpunoi me gazetën “Dielli” dhe për një kohë qe administrator i saj. Në vitin 1916 u paraqit me disa artikuj në të përjavshmen “Mbrojtja Shqiptare”, që dilte në St. Louis të Ilinoisit. Në janar 1917 u kthye në Boston, ku së bashku me bashkatdhetarin Sadik Kuçi, filloi botimin e revistës politike e shoqërore “Luftëtari i drejtësisë”. Me fillimin e botimit të gazetës së ilustruar “Albania”, organ zyrtar i Partisë Kombëtare Shqiptare, botuar nga Parashqevi  Qiriazi, Hamit Lumi u aktivizua në të me një varg shkrimesh polemike. Më 1918 bashkëpunon me gazetën “Koha” të Mihal Gramenos; shkroi edhe në gazetën “E vërteta” të shqiptarëve në St. Louis. Ka përdorur pseudonimet “Vlora”, “Cingla”, Lopata”, “Labi” etj. Në Boston mori pjesë aktive në shoqërinë patriotike “Besa-besë” dhe më pas në federatën “Vatra”. Vdiq në Boston Emrin e tij e mbajnë shkollat 9-vjeçare të fshatrave Vërmik e Babicë e Vogël (Vlorë)”. 

Emri i Hamit Lumit radhitet  ndër ata atdhetarë shqiptarë të rilindjes, që, duke parë qartë rrezikun, e shtuan punën për të ngjallur në popull ndjenjën e  shqiptarizmës dhe dashurinë për gjuhën amtare. Nuk vonoi dhe ata nxorrën abetare dhe librat e parë në gjuhën shqipe, të cilat në rrugë të ndryshme arritën edhe në Kurvelesh e Mesaplik. Emri i Hamit Lumit lidhet ngushtësisht me Luftën për zgjimin kulturor dhe shkollat shqipe në malësitë e Vlorës e Labërisë, të cilat ishin një truall shumë i përshtashëm për kultivimin e dijeve dhe të ndjenjave liridashëse. Në një një shkallë shumë të zgjeruar kjo ndodhi veçanërisht nga fillimi shek. XX. Njerëzit ishin të etur të dinin për kombin  e tyre dhe kjo dëshirë e madhe i shtynte të mësonin të shkruanin e të lexonin shqip edhe pa abetare e pa mësues, nga librat që u binin në dorë, aq e lehtë dhe e bukur ishte gjuha e tyre.

Veprat e Naimit dhe të rilindësve të tjerë u progaganduan dhe u përhapën në Kuvelesh e Mesaplik nga atdhetarët e këtyre viseve që bënin pjesë në gjirin e shoqërive patriotike jashtë atdheut. Ndër këta, dallohet Hamit Çela nga Vërmiku, i njohur si hamit lumi, i cili e filloi veprimtarinë patroitiike që më 1895. Burimet referenciale na njohin me punët që ai bënte fillimisht si shërbëtor, barkëtar dhe argat. Duke punuar si detar në një anije me vela që udhëtonte në Adriatik, në detin Jon, Egje e Marmara, ai u njoh me atdhetarë shqiptarë në mërgim. U lidh me shoqërinë e Bukureshtit dhe prej saj filloi të merrte abetare, libra e broshura që shtypte ajo shoqëri në atë kohë. Këta libra i sillte në Vlorë, ku bashkë me Jani Mingën i propagandonin e i shpërndanin. Me barkën ndërlidhte patriotë vlonjatë dhe atdhetarë jashtë atdheut, sillte libra e gazeta që botoheshin jashtë Shqipërisë dhe u bë përhapës i mësimit shqip. Me nismën e tij u formua në Vlorë më 1900 klubi “Lumi i Vlorës”, anëtarë të të cilit ishin shumë atdhetarë vlonjatë që luftonin për çlirim kombëtar. Pasurohen  faktet që klubin “Lumi i Vlorës” e krijoi në Vlorë në vitin 1900 me Jani Mingën e atdhetarë të tjerë vlonjatë. Por veprimtaria e Hamitit për përhapjen e ideve patriotike dhe për mësimin e gjuhës shqipe në qyetetin e Vlorës dhe në fshatrat e Labërisë u diktua nga autoritetet turke, të cilat e zunë duke shpërndarë libra dhe gazeta në gjuhën amtare dhe e dënuan me 20 vjet burg. Në vitin 1903  u arrestua duke shpërndarë libra e gazeta në gjuhën shqipe dhe u dënua me 20 vjet burg, të cilin e vuajti në  burgun  e Beratit. Meqë edhe atje filloi t’u mësonte të burgosurve shkrim e këndim me abetaret dhe librat që i dërgonte Hasan Prishtina, e nxorrën prapë në gjyq.

Ka mbetur proverbiale dhe e famshme përgjigjja e zgjuar dhe e guximshme që Hamiti i dha gjykatësit kur ai e kërcënoi, në emër të sulltanit, për ta torturuar e vrarë. “Sulltan Hamiti i vret dhe i torturon ata që përhapnin shkrimin dhe leximin e gjuhës shqipe në Shqipëri – tentoi gjykatësi ta trembte pishtarin e pafikur lab. “Unë nuk bëj krime dhe nuk vras njerëz, – ia ktheu Hamiti gjykatësit – por mësoj të burgosurit në gjuhën shqipe, që është gjuha më e vjetër në botë dhe nuk jam kriminel siç është mbreti, Hamiti juaj, që vret e  torturon shqiptarët që kërkojnë të drejtat e tyre… Të jeni të sigurt që unë atij Hamitit të madh tuaj do t’i ha kokën”. Gjykata turke e dënoi me 101 vjet burg, po u lirua kur erdhën në fuqi xhonturqit (turqit e rinj) dhe në dhjetor 1911, për t’u shpëtuar ndjekjeve të këtyre, u detyrua të emigronte në Amerikë, dhe pikërisht në Bostonin vatran që diellonte shqiptarisht, ku veç veprimtarive të tjera patriotike, nuk e reshti punën për mësimin e shqipes nga fëmijët e emigrantëve shqiptarë. Me të drejtë mund të themi se Hamit Lumi për ne ishte shembëlltyra në kohë e Theodor Haxhifilipit (1730-1805), që ne e njohim si ose Dhaskal Todhri, dëshmori i parë i shkollës shqipe, një marathonomak drite nëdë viset ndërshqiptare

Filed Under: Histori Tagged With: Albert Habazaj, Hamit Lumi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 258
  • 259
  • 260
  • 261
  • 262
  • …
  • 738
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • MURI I BERLINIT RA, POR MURET POLITIKE DHE IDEOLOGJIKE MIDIS SHQIPTARËVE VAZHDOJNË TË QËNDROJNË
  • Dy “Qemalët” e mëdhenj që themeluan dy shtete mbi rrënojat e një perandorie
  • THANK YOU to the City of St. Petersburg and Chief Anthony Holloway for Supporting Albanian School VATRA!
  • A egzistonte koncepti i kombit në kohën e Skënderbeut?
  • Dardane Halimi: “ALB Connection was created to give every Albanian-owned business in America a voice and visibility”
  • KRIJIMI I NJERIUT TË RI: NGA IDEOLOGJIA KOMUNISTE TE KULTURA E PËRFITIMIT NË SHQIPËRINË E SOTME!
  • Transpozimi poetiko-dramatik i veprës “Trungu ilir” të Sabri Hamitit
  • Mirëqenia mendore dhe shëndeti i sistemit tretës
  • SKËNDERBEU DHE ALFONSI I ARAGONËS: KËNDVËSHRIME TË TJERA
  • Ismail Qemali mes hafijeve dhe gjeopolitikës: Botohet për herë të parë letra e panjohur e vitit 1902
  • 8 nëntor 1462 – Dita e shkrimit të “Formulës së Pagëzimit” nga imzot Pal Engjëlli
  • GJON MILI – IMAZHET PA FORMË DHE ONEIRIZMI POETIK
  • Nëntori i historisë dhe i kujtesës kombëtare
  • FILATELIA PËRBALLË HISTORISË – 118 VJET NGA KONGRESI I MANASTIRIT
  • Portreti i një intelektuali …

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT