• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PO TROKISTE VITI I RI… SPAÇ 1986…

December 31, 2019 by dgreca

NGA PËLLUMB LAMAJ/

Është Pranverë….. Edhe ne të harruarit nga Zoti e bota kemi filluar të ndjejmë ardhjen e saj edhe pse ju shëmbëllejmë atyre leprozëve, edhe pse rreth e rrotull shikojmë vetëm tela me gjemba, ushtarë që na kanë drejtuar automatikët e mitrolozët dhe shkëmbinj të coptuar që duket se do të shkëputen në çdo moment e do të na zënë nën vehte në këtë luginë vdekjeje me emrin Spaç…  

Jemi duke lëvizur si zakonisht në atë pak hapsirë të kampit, kur në kamp ja behin policë të shumtë që shoqërojnë komandantin e burgut.Pasi qendrojnë disa minuta duke soditur të burgosurit, na japin urrdhër të futemi të gjithë në sallën e kulturës. Është ora dymbëdhjetë dhe Radio-Televizori shqiptar jep një komunikatë ku njoftohet vdekja e diktatorit… Ajo ç’ka ndjemë në ato çaste ishte një përzjereje habie, mosbesimi e gëzimi bashkë. Fshehtas filluam të vështrojmë e përshëndesim në heshtje njeri tjetrin dhe kjo heshtje më e madhe se çdo heshtje tjetër, pushtoi sallën… Ndërkohë jepet urdhëri të dalim nga salla dhe të burgosurit, me sytë që ju shkëlqejnë nga gëzimi, në heshtje, me grushtat e shtërnguar dalin nga salla dhe secili në ato çaste sublime, përfytyron Lirinë e aq dëshiruar e pritur në dekada që do të trokas së shpejti, të paktën kështu kishte ndodhur dhe në B.S. kur kishte ngordhur Stalini, por me një ndryshim, Atje miliona turmat e Siberisë kishin bërtitur e ulëritur, ndërsa ne e kishim pritur në heshtje këtë gëzim që dukej se zbriste nga qielli, në të kundërt na dukej se Demoni do të ngjallej e do të na përpinte të gjithëve.

Edhe pse e kishim dëgjuar me veshët tanë, edhe pse e kishim lutur e dëshiruar për katër dekada, prapë na dukej si ëndërr; diktatori kishte ngordhur edhe pse ishte shnëdrruar në pamundësi në ndërgjegjen e gjymtuar të popullit. Për dyzet vjet me rradhë nëpërmjet një terrori sistematik e të paparë në historinë njerëzore, ky diktator i neveritshëm kishte mundur të gjymtonte arsyen e një kombi të tërë duke e shëndërruar atë në një mit…

Fotografinë e tij të varur në mur do ta gjeje pothuajse në të gjitha familjet shqiptare dhe në këmbët e tij, që kullonin gjak do të hidheshin aq shumë lule sa që dhe vet Napoleoni, Hitleri, Stalini e gjithë mbretërit e sulltanët e botës do ta kishin zili…

Është dita e dytë e zisë kombëtare të shpallur për nder të diktatorit, flamuri qëndron në gjysëm shtize duke e nderuar atë që e tradhëtoi këtë flamur…

Me detyrim na fusin na sallën e kulturës të ndjekim ceremoninë. Është e tmerrshme, ironike, poshtëruese kur shikon që një popull i tërë poshtëron veten duke u përulur e derdhur lot përpara arkivolit të diktatorit…Të persekutosh një popull për gjysëm shekulli dhe ky popull të vajtojë vdekjen, ky është paradoksi më i madh njerëzor në histori për botën perëndimore e të civilizuar që nuk e provoi e as imagjinoi terrorin e kuq, terror që politikanët e tyre ua bënë dhuratë popujve të tjerë. Është dita e tretë e zisë dhe ceremonive dhe një i burgosur informator i komandës i shoqëruar nga policë, shkon në ç’do kapanon duke kërkuar firmën e çdo të burgosuri. Bëhet fjalë për një telegram që do ti dërgohet K.Q. P.P.SH. së dhe Ledit Makbedh, Nexhmijes… Një pjesë e madhe fatkeqësisht, por dhe ish kuadro komunistë firmosin atë paçavure, por ka dhe të tjerë kurajozë që as nuk u trembet syri… I burgosuri informator më afrohet dhe më zgjat bllokun… Pasi e shof me neveri i them të largohet.Policët që e shoqërojnë pasi më shikojnë me urrejtje duke lëvizur kokën në shenjë kërcënimi, ja bëjnë me shenjë të vazhdojë me të burgosurit e tjerë. Me sa kuptojmë, është një lojë e ndyrë e sigurimit të shtetit për t’i poshtëruar e vrarë politikisht të burgosurit e që në të ardhmen t’a përdorin si dokument poshtërues në histori. Sot është dita e fundit e ceremonive dhe turmat të perulura deri në poshtërim nga frika, mbushin me lot e lule rrugët e Tiranës së kuqe duke i dhënë lamtumirën e fundit Përbindshit të kuq. Gjithë makina e propagandës së kuqe nën ingranazhet e së cilës janë përpëlitur të gjitha institucionet, ka vetëm një devocion, nderim diktatorit.

Shiu nuk ka të pushuar sikundër dhe kortezhi njerëzor që nuk ka të mbaruar veç një gjë është e sigurtë;- Përbindshi ka ngordhur. Ditët, javët ndjekin njera tjetrën dhe asnjë shenjë Lirie nuk po shfaqet në horizont e të burgosurit natyrshëm kanë filluar të humbin durimin dhe mjerimi e shpresat që tashmë janë shnëdruar në mizori kanë filluar të mbulojnë fytyrat e tyre… Pak nga pak po i afrohemi Dimrit dhe sot ka filluar dëbora e parë e ashtu butë-butë ka shtruar çarçafin e bardhë… Më në fund trokiti dhe Dita e Vitit të Ri që shumica mendonte se do ta kalonte në Liri pranë të dashurve të tyre që dhe ata mezi i prisnin. Është kohë darkë dhe të burgosurit si zakonisht janë rreshtuar për të ngrënë darkën, atë pak supë nga mbeturinat e gjellës së ushtarëve, kur nga menca del një i burgosur i shoqëruar nga policët që i bërtasin e ulërijnë. Ai ka gjetur një krimb në supën e tij dhe ua ka treguar të burgosurve të tjerë të cilët në rradhë, njeri pas tjetrit, e kanë derdhur supën në kazanin e plehrave. Ndërkohë lajmërohet komanda dhe në kamp vjen oficeri rojës i cili pasi i ka reshtuar të gjithë të burgosurit pyet se kush prej tyre e ka gjetur krimbin. Një i burgosur, duke ngritur dorën i përgjigjet oficerit të rojës e ndërkohë oficeri rojës i bën shenjë të dalë nga rreshti e të qëndrojë përball turmës së të burgosurve dhe pastaj ju drejtohet turmës të të burgosurve; e shikoni këtë armik të betuar? Ky maskara ka hedhur krimbin në gjellë për të diskretituar komandën dhe qeverinë? Ju e dini shumë mirë që ushqimi është i bollshëm dhe i pastër dhe qeveria e partia kujdeset për ju. Ky armik i betuar i popullit nuk ka për tu reabilituar kurrë dhe do të ngordh si krimbi në burg! Dhe pasi ua bëri me shenjë policëve, duke u larguar nëpër shkallët që të çonin në zyrat e komandës, policët e mbërthyen prej krahësh fatkeqin dhe pasi e lidhën e morën në drejtim të birucave. Të burgosurit në turmë filluan të mërmërisnin ndërkohë që policia dha urrdhër të shpërndaheshin e të niseshin drejt fjetores. U nisa drejt shkallëve për të shkuar në fjetore dhe dikush më preku supet. Ishte një shoku im që gjithmonë bënte shaka, edhe në momente dramatike. Ku shkon?- më pyeti duke qeshur…E vështrova një çast pa folur dhe pastaj me buzën në gaz ju përgjigja; në krevatin e kashtës të mbuloj kokën me batanije e të pres plakun e Vitit të Ri. Në moment fytyra e tij u vrejt, më vështroi me dhimbje dhe u nis drejt dhomës së tij pa folur.

–  Ah, harrova,- i thashë me zë të ulët.

 Ai qendroi dhe me pyeti: çfarë harrove?

– Krimbi ishte dhurata më e bukur e Vitit të Ri dhe sonte do të shkruaj një dramë!

-Kujdes, më paralajmëroi ai, sonte ka shumë policë vërdallë dhe po të kapën, do të të kalbin në birucë dhe u largua. Dhe atë natë, me kokën mbuluar me batanijen e grisur e të pistë, unë shkruajta një nga dramat e shumta, por pa mundur t’a hedh në letër ngaqë policët hynin e dilnin pa pushim nëpër dhoma. Dëbora vazhdonte të binte pa pushim dhe britmat e ushtarëve që ndërronin shërbimin, dhe ndonjë fishek drite që hidhej për të ndriçuar telat me gjemba, më kujtuan se kishte trokitur Viti i Ri 1986.

Zbulova kokën dhe i hodha një vështrim dhomës, të gjithë kishin mbuluar kokat me batanije. Doja ti zgjoja, t’ju tregoja se kishte ardhur Viti i Ri, por mu duk se do t’u prishja ëndërrat. Zot, thashë me vete, çfarë të kemi bërë?! 

E ashtu në përhumbje, mbulova dhe unë kokën me batanie e nisa të mërmëris disa vargje që i kisha shkruar vite më parë vetëm e vetëm të më zinte dhe mua gjumi…….

Eh statujë,Statujë e Lirisë

Sa kurora rinie vyshkur mbi ball

Jehona dashurie që kurrë s’u dhuruan

Kafka martirësh mbetur pa varr…

Eh Statujë,Statujë e Lirisë

E vetmja dritë,i vetmi zjarr

E vetmja ëndërr ku shpresat udhëtojnë

Përzjerë me klithma,kulluar në gjak

Eh Statujë,Statujë e Lirisë

E vetmja shpresë që na mban gjallë

Por dhe po ikëm pa u takuar

Besom,do vinë të të puthin vrasësit tanë

DITARI I BURGUT Spaç 1986

Filed Under: Histori Tagged With: Pellumb Lamaj-Viti i Ri-1986-Spac

Z.MITHAT GASHI I SHKRUAN EDITORIT TE DIELLIT: NUK ISHA UNE KRYESUES I PUNIMEVE TE KUVENDIT TE VITIT 2014…

December 29, 2019 by dgreca

Pershendetje Z. Greca, /

Pashe artikullin e Z. A. Grishaj ne “Dielli Online”. Per hire te vertetes, kerkoj qe ju te bajni nji verifikim te fakteve ne lidhje me Kuvendin e vitit 2014. Po ju dergoj nji e-mail qe i kam pase nise Dr. Buçajt me 23 qershor 2014 qe ka te baje me kete teme. 

Z. Grishaj nuk mban mend se kush e drejtoi Kuvendin ne vitin 2014, dhe tregon vete qe refuzoi te marre pjese ne shoshitjen e mendimeve per caktimin e objektivave vjetor te Vatres. Ju mund ta nxjerrni ne gazete pjesen e poshtme krahas artikullit te Z. Grishaj. 

Me kete rast, ju lutem pranoni urimet ma te mira per vitin e ri 2020. Shendet dhe mbaresi per ju dhe familjen tuej. 

Mithati

 ***

PJESA E SHKRIMIT TE Z. GRISHAJ : “Ne pregatitëm terrenin për Dritanin, kur, papritmas pak kohë para Kuvendit na doli dhe kandidatura e Mithat Gashit, një burrë i  qëndrueshëm, që jetonte midis dy botëve. Këtë përshypje ma konsolidoi në Kuvendin që u bë NY , ku ai si kryesues i punimeve u dha të gjithëve nga një laps e letër, duke i testuar burrat si të ishin në fillore. Unë dhe Dalip Greca nuk e morëm letrën, kur të gjithë e kishin marrë seriozisht “shakanë” e tij… Ai e vërejti këtë… dhe m’u afrua me buzë në gaz: “Alfons, ti nuk po shkruan asgjë?!” Unë iu përgjigja se  kisha vite që kisha harruar Shkollën Fillore. Ai buzëqeshi me çiltërsi.”’

***

Ballafaqim Faktesh mbi Kuvendin e Vitit 2014 -“për hir të Vërtetës”

1. Z. Grishaj thote qe Mithat Gashi ka drejtuar punimet e Kuvendit ne 2014.  Jo e vertete.  Z. Gashi ka drejtuar nje pjese nga ora 15:00 – 16:00, nji workshop me qellim qe te merrnin pjese te gjithe delegatet ne caktimin e objektivave te Vatres per 2014-2015. 

2. Z. Grishaj deklaron qe Dalip Greca dhe ai (Grishaj) nuk moren pjese ne kete Workshop ku delegatet punonin ne menyre kolektive per te caktue objektivat vjetor te Vatres. (Nuk me kujtohet a u angazhuet ju ne kete pjese te Kuvendit).  Z. Grishaj nuk mori pjese; bisedonte me antarin e ri Z. Mishto në nje qoshe afer mikrofonit. 

Më poshte eshte nje permbledhje e mendimeve te delegateve per objektivat e Vatres per vitin 2014-2015 qe Z. Gashi i ka permbledhur ne letren qe ai i dergoi Dr. Gjon Buçajt me 23 qershor 2014.  Bashkangjitur jane edhe dokumentat origjinale te skanuara nga puna e delegateve. 

Besoj qe lexusesit e “Dielli Online” do te ken interes per te ballafaquar faktet. 

****

Emaili qe z. Gashi i pat derguar Kryetarit Bucaj, te Henen, qershor 2014, ora 2:34

Subjekti i Emailit: Mbledhja sonte…

I dashun Dr. Bucaj: 

Ngjitun me ket e mail, po te dergoj objektivat e grupeve gjate “workshop-it” qi u ba ne Kuvend. Disa prej prezantueseve nuk i kane ndjeke udhezimet; nuk e kane vu emnin e vet dhe nuk i kane shkrue objektivat ne pjesen e dyte; i kane vu ne pjesen e pare, dhe disa prej objektivave nuk jane te kthjellta. 

Ma poshte, kam nxjerre mendimet qe jane shpreh prej 6 grupeve. Nqs nji objektiv asht perserite, nuk e kam radhite dy here. Disa i kam permbledhe me pak fjale. Shihi origjinalet, dhe po munde, redukto keto qe kam shkrue une. Te japin opinion per mendimin e pergjithshem te delegateve. 

Mithati

MENDIME PER CAKTIMIN E OBJEKTIVAVE TE VATRES PER 2014-2015

1.       Te mbahen “workshops” neper gjithe deget Vatres cdo gjashte muej qe te riedukohet Komuniteti per Vatren dhe historine e saj.

2.       Organizimi i deges # 29 ne New York mbrenda nji viti

3.       Te shtohet numri i antareve (randesi t’u jepen studenteve) dhe te ngarkohen nenkryetaret me kete detyre.

4.       Te organizohen programe kulturore si seminare, etj.

5.       Te shtohet numri i nxanseve ne shkollen shqipe ne Orlando rreth 30-40 mbrenda vitit.

6.       Te shtohet numri i grave ne degen e Vatres ne Orlando –te jene 10 antare gra.

7.       Te perfundohet dhe aprovohet Kanunorja me 15 nandor 2014.

8.       Te krijohen shkolla shqipe ne cdo dege mbrenda vitit 2015

9.       Te kerkohet nga qeveria shqiptare per ngritjen e nji muzeu te krimeve te komunizmit

10.   Mobilimi i zyres se Vatres mbrenda 3 muejve.

11.   Rritja e degeve me antare –deri me 2000 antare per nji vit.

12.   Mbrenda nji viti, botimi i punimeve te seminarit me rastin e 100-vjetorit te Vatres.

13.   Mbrenda nji viti, botimi i albumit historik te Vatres.

14.   Krijimi i nji bibloteke te pasun ne Seline e Vatres.

15.   3 (tre) takime me drejtues te intitucioneve amerikane per internacionalizimin e cashtje shqiptare.

Sqarim i Editorit:

Punimet e Kuvendit të Qershorit 2014 i ka drejtuar një ekip i përbërë prej: Z. Nevruz Nazarko, kryetar, Nazo Veliu dhe Bashkim Musabelliu,ishin ndihmësit e tij. Z. Gashi ka drejtuar workshop-in për të ardhmen e Vatrës. Editori gjatë kësaj seance është marrë me punën e tij, duke bërë fotografi dhe kronikën e gazetës rreth Kuvendit.

Në Fotografinë shoqëruse paraqitet z. Mithat Gashi duke drejtuar punimet e Kuvendit të Vatrës të vitit 2015 organizuar në Jacksonville.

Filed Under: Histori Tagged With: editori, Mithat Gashi

UDHËTIM SHQIPTAR / KUKSI

December 29, 2019 by dgreca

Behlul Jashari/

UDHËTIM SHQIPTAR/

Nga kryeqyteti i Lidhjes Shqiptare/

Nuk mund të shkohet në Kuks/

As pas udhëtimit të gjatë shekullor/

Sa mur i lartë sa udhë e gjatë/

Ndanë gjysëmtokat e Atdheut/

Nga Prizreni deri në Prishtinë

Pritave policore shkohet si nëpër kufij

Trafiku i tankeve mbushë zhurmë

Edhe kryeqytetin e Kosovës

E qiellit nxijnë avionët e luftës

As nëpër tokë as nëpër qiell

Nuk ka udhë të hapur për Tiranë

Kufijtë e hekurtë hapin varre

Përtej Kaçaniku kufiri për në Shkup

Përtej Ulqini kufiri për në Shkodër

Sa keq na e prenë hartën shqiptare

Edhe Dibrën nga Dibra e ndanë

Pogradeci matanë, Struga në këtë anë

Nga një nënë u nda tërë Çamëria

Preshevën as me Kosovë s’e lanë

Një ditë a do të shkojë në Tiranë

Pa pasaportë pa vizë pa frikë

Dhe nëpër Kuks deri në Prizren

Me zambak do kthehem në Prishtinë

Ta shohë TVSH-në pa antenë satelitore

KUKSI

Kuksi vjen në mesditë (vinte)

Me tranzistor

Në shtëpinë time në Strofc

Më flet tinëz që mos ta dëgjojë

Veshi që përgjon

E ruaj si syrin nga syri i keq

Vjen me shumë pengesa e gërhamë

Si ti kish njëmijë prita

Nëpër Sharr e Qyqavicë

***

SHËNIM NË FUNDVITIN 2019 – TË 20 VJETORIT TË LIRISË SË KOSOVËS: Këto vargje në një copë letre janë nga dorëshkrimet e viteve të para luftës e të luftës, të shpëtuara të fshehura në mur në banesën time në Prishtinë të uzurpuar gjatë luftës nga forcat serbe, si dhe të tjerat dorëshkrime që janë gjetur mes blozës, hirit e rrënojave në shtëpinë në Strofc gjysëm të djegura apo krejt të djegura nga zjarri i luftës në Kosovë të përfunduar në Qershorin e vitit 1999.

Janë vargje të kohës së okupimit të Kosovës, të kufirit të hekurtë mes shqiptarëve, të ndalimit e pengimit edhe me zhurmues të valëve të Televizionit Shqiptar (TVSH) e edhe të Radio Kuksit që vinte “me shumë pengesa e gërhamë” dhe e dëgjonim në një radio të vogël-tranzistor…
***

LEGJENDAT E FOTOGRAFIVE:

1.Behlul Jashari në Tiranë te tryeza e mbledhjes së Qeverive Shqipëri-Kosove, 23 Mars 2015/

2- Vargjet në dorëshkrim.

3. Në Dobrosin të Luginës së Preshevës në kohe lufte atje duke shkruar raportin për Gazetën Rilindja: Gazetarët Behlul Jashari me llaptopin me të cilin ka raportuar nga lufta në Kosovë, Bedri Sadiku dhe Ilmi Musliu

Filed Under: Histori Tagged With: Behlul Jashari, Udhetim Shqiptar

KRISHTLINDJA SIMBAS FEDORIT

December 29, 2019 by dgreca

Nga ALESSANDRO D’AVENIA/ Perktheu: Eugjen Merlika/

Shën Pjetërburg, Krishtlindje 1875. Në klubin e artistëve zhvillohet një festë e shkëlqyer Krishtlindjeje, gjatë së cilës shumë të pranishëm përpiqen të vihen në dukje e të duken më të bukur e më të zgjuar. Një njeri që rrinte mënjanë, duke parë me vërejtje skenën dhe fytyrat e të ftuarvet, vinte re se të gjithë zbaviten por që në  realitet asnjëri nuk është vërtetë i kënaqur, atëherë vendos t’i heqë maskën lojës. “Fatkeqësia qëndron në atë që ju nuk e dini sa të bukur jeni. Secili prej jush mund t’i bënte të lumtur të gjithë të tjerët e t’i tërhiqte ata me vete. Kjo fuqi është tek secili, por aq thellësisht e fshehur, sa që është bërë e pabesueshme”. Ai që foli në mënyrë aq djegëse është Fedor Dostojevski që e tregon ndodhinë në Ditarin e një shkrimtari, që përmbledh shkrimet e rubrikës me të njëjtin emër të mbajtur në të përjavëshmen “Qytetari”. Për Dostojevskin, vëzhgues tepër të mprehtë, episodi tregon se njeriu pushon së besuari në praninë e diçkaje që kalon rrethin e ndiesive brënda e jashtë vetes, bëhet i pasigurtë e fillon të përçmojë veten dhe të tjerët. Faktit të kronikës shkrimtari i ve pas një tregim.

            Në natën e Krishtlindjes në një bodrum të akullt, një fëmijë gjashtë vjeç, i ngrirë dhe i uritur, përpiqet më kot të zgjojë t’ëmën. Atëherë del në rrugët me borë të Pjetërburgut me disa lecka në trup: kush e takon bën sikur nuk e sheh për të mos u marrë me të. Ai futet në një shtëpi plot me njerëz që festonin, por përzehet me një lëmoshë të zbehtë të një monedhe që i bie nga duart sepse gishtat ishin të ngrirë. Merr zemër duke parë një vetrinë plot me lodra, por goditet dhe ndiqet nga një djalë i keq. Shpëton dhe fshihet mbas një turre drush. Mbas pak kohe nuk ka më ftohtë dhe ndien një zë të çuditshëm që i thotë: “Hajde në festën time të Krishtlindjes, fëmijë”. Kështu gjëndet në një vënd të nxehtë, plot dritë e shumë fëmijë: për t’a pritur është nëna e qeshur. Të nesërmen, mbas druve të zotët gjejnë kufomën e fëmijës.

            Mbaron këtu tregimi Fëmija në festën e Krishtlindjes tek Jezui, dhe festa në të cilën vogëlushi u gjend është përjetësia. Dostojevski thotë se është frymëzuar nga një ndodhi e vërtetë, por përsa i përket fundit shton: “Përsa i përket festës së Jezuit a mund të ndodhte kjo apo jo? Pikërisht për këtë jam një romancier, për të shpikur”. Tregimi i fëmijës është kyçi për të kuptuar se çfarë nuk besojnë më artistët e festës: në Zotin dhe shfaqjen e tij. Shkrimtari ishte i bindur se ajo e Krishtit ishte një histori që përsëritet në të gjitha jetët njerëzore, në fakt në çdo kryevepër të tij ve në skenë një fragment ungjillor që është çelësi i leximit: pa Lazrin nuk kuptohet Krim e Ndëshkim, pa dasmën e Kanës Vëllezërit Karamazov, pa të tërbuarin e liruar Djajtë… Ishte i bindur sepse kishte sprovuar shumë herë ndërhyrjen e Zotit në konkretësinë e jetës së tij: dënimi me vdekje dhe falja në çastin e fundit; puna e detyrueshme në Siberi dhe leximi përmendësh i të vetmit libër në dispozicion, Ungjillit; sëmundja, kriza ekonomike dhe krijuese, takimi shpëtimtar me gruan e ardhëshme, Anën. Për të prania e Zotit në jetën e çdo njeriu, sado e fshehtë dhe e papranuar, është e vazhdueshme dhe e paprerë. Fëmija i bodrumit, një nga të shumtit që vdisnin nga uria dhe të ftohtit në qytet, është Fëmija i Betlemit: ai endet me pak lecka (pelenat) nëpër rrugët e qytetit-botë në kërkim të njerëzve që duan t’a mirëpresin, për ata vdes (turra e druve) në kryq, por ringjallet në festën e përjetëshme. Për Dostjevskin Zoti kalon pranë nesh në mënyra të panumurta, por kryesisht në krijesat e brishta si fëmijët, nga vuajtjet e të cilëve ishte i sfilitur, sikurse tregojnë faqet e humnerta të romaneve të tij. Brishtësia është veshja njerëzore me të cilën Zoti bëhet i gjallë brënda e jashtë nesh: nuk është kurrë një e vërtetë verbuese, por një psherëtimë, një ftesë, një rast, një dritë e heshtur… Nuk do t’ishim të lirë po të mos ishte kështu, dhe ai që nuk është i lirë nuk mund të dashurojë.

            Të ftuarit në festë “argëtohen por asnjëri nuk është i kënaqur”, sepse kanë pushuar së besuari Atit që i don pa rezerva: kush nuk ndihet i dashuruar ashtu siç është, ka vështirësi të dojë vehten e të tjerët. E shoh çdo ditë: të rinjtë me prindër që i bëjnë të ndihen të dashuruar janë më të qetë, e përballojnë jetën si një aventurë të lodhëshme por premtuese; kanë shpatullat dhe zemrën të mbuluar. Dostojevski beson me ngulm se Zoti kalon pranë secilit prej nesh, me veshje jo që bien në sy, duke kërkuar prej nesh të bashkëpunojmë me të. Ju uroj t’a njihni, të dashur lexues, me fjalët që Dostojevski i shkruante një burri të pasigurtë nëse duhej të ndihmonte apo jo një grua fajtore për vrasjen e fëmijës. “Mos e humbisni çastin në të cilin Zoti bën lëvizjen e tij”. Kështu Krishtlindja do të ndodhë tek ne e nëpërmjet nesh. Urime!

            Corriere della Sera, 23 dhjetor 2019         E përktheu Eugjen Merlika   

Filed Under: Histori Tagged With: Eugjen Merlika, Fedori, Krishtlindja

POPULLSIA E ULQINIT NË VITIN 1919

December 26, 2019 by dgreca

-Diskursi Demografik/

Dokumenti për popullsinë e Ulqinit në vitin 1919, që po botohet për herë të parë  paraqet të dhënat nga Komiteti i Mbrojtjës Kombëtare të  Ulqinit  nënshkruar nga Zejnel Gjyli, dërguar Konferencës së Paqës në Paris, duke dëshmuar për  numrin e vendbanimeve, popullsisë, familjet dhe strukturën kombëtare të popullsisë, që janë të dhëna me interes shoqëror e demografik  për Ulqinin dhe rrethinën e tij, sepse  kanë qenë të panjohura  deri më tash për opinionin e gjerë.

Shkruan: Dr.Nail  Draga/

Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, në Paris i ka zhvilluar punimet Konferenca e Paqës(1919-1920), ku janë marrë vendime për popujt e vendëve përkatëse sepse është përcaktuar statusi  i shtetëve në hartën politike të Europës. Në këtë konferencë kanë marrë pjesë delegacione të ndryshme të vendëve përkatëse, të përfaqësuar nga qeveritarët e kohës apo individë të tjerë, duke paraqitur kërkesat e ndryshme për qytetët, viset apo vendet përkatëse. Një veprim i tillë ishte i ligjshëm sepse mendohej se do të përmirsohej padrejtësia e definuar në Konferencën e Ambasadorëve në Londër(1912/13). Me një qasje të tillë ka marrë pjesë edhe delegacioni i Shqipërisë në kryesinë e Turhan Pashë Përmetit.

Por, në sajë të një dokumenti të datës 5 mars  të vitit 1919, f.209,  nga ana e Komitetit të Mbrojtjës Kombëtare të Ulqinit (Poue le Comite de la Defense Nationale de Ulqini), nënshkruar nga kryetari Zejnel Gjyli, ofrohen të dhëna  statistikore me interes për popullsinë dhe vendbanimet e këtij regjioni.

Popullsia dhe struktura kombëtare

Në sajë të dhënave të publikuara del së popullsia e përgjithshme ishte 8190 banorë, ndërsa sipas strukturës kombëtare shqiptarë ishin  6590 banorë apo 80.46%, ndërsa 1600 ishin më përkatësi sllave apo 19.53%. Ndërsa sipas vendbanimeve me i populluar ishte Ulqini me 4861 banorë, ku nga aspekti kombëtar shqiptar ishin 3500 banorë apo  72 %, ndërsa sllavë 1361 banorë apo  28 %. Të dhënat e tilla dëshmojnë se popullsia sllave (pas vitit 1880) ka qenë e vendosur kryesisht në zonën urbane, ndërsa në zonën rurale, pjesëmarrja e tyre ka qenë simbolike, ku në tërësi ishin 239 banorë, apo 14.93% nga popullsia e përgjithshme,  përkatësisht në 8 vendbanime rurale.

Kur bëhët fjalë për strukturën kombëtare të popullsisë në Ulqin në vitin 1919, theksojmë me këtë rast se ndryshimi homogjen i popullsisë shqiptare në Ulqin është realizuar pas vitit 1880, kur nga presioni i Fuqive të Mëdha, Perandoria Osmane ia dorëzoj Ulqinin Malit të Zi.

Ishte koha e koncepteve hegjemoniste sepse ndryshimi i strukturës  nacionale të shqiptarëve ishte mision shtetëror i Mali të Zi, ku u realizu në praktikë kolonizimi me popullsi sllave. Kështu në sajë të dhënave nga viti 1881 e deri në vitin 1892, në Ulqin janë vendosur  rreth 400 familje sllave. Ndërsa në të njëjtën kohë nga Ulqini kanë emigruar rreth 413 familje ulqinake, duke u vendosur kryesisht në Shkodër e Durrës në Shqipëri. Por, të dhënat për strukturën kombëtare të popullsisë në Ulqin dëshmojnë së në  këtë regjion me gjithë angazhimin nga  pushteti i kohës  për  kolonizimin e këtij mjedisi  popullsia shqiptare ishte dominuese..

Vendbanimet

Në sajë të të dhënave të të dhënave të publikuara  del se Ulqinin dhe rrethinën e tij në vitin 1919 e kanë përbërë  17 vendbanime, të cilët ishin: Ulqini, Bratica, Salçi, Krruçi, Pistulli, Kollomza, Zogaj, Shën Gjergji, Qurkaj, Reçi, Shtoji, Sutjela, Gorana, Pelinku, Mali i Brisë, Mozhura e Krytha.

Nga këto të dhëna del se në kuadër të Ulqinit(mendohët rrethinës së tij) del së ishin edhe dy vendbanime të cilët në kohën tonë nuk janë në kuadër të Ulqinit, e ato janë Gorana dhe Pelinku, që janë në kuadër të komunës së Tivarit. Këto dy vendbanime ishin në kuadër të Ulqinit duke marrë si kriter përbërjen kombëtare të popullsisë si dhe raportët shoqërore në të kaluarën. Të dhënat për  vendbanimet  përkatëse  dhe shpërndarjën  e tyre territoriale dëshmon për  zonën  gravituese, e cila edhe pas 100 vitëve pothuaj është identike, me disa ndryshime minimale në aspektin hapësinor.

Familjet

Sipas të dhënave të prezantuara gjithsej ishin  1560 familje ku sipas përkatësisë kombëtare  nga to 1225 familje ishin më përkatësi shqiptare(78.52%) e 335 me përkatësi sllave(21.47%). Ndërsa sipas vendbanimeve më së shumti familje kishin Ulqini me 880 e nga to 650 shqiptare(78.31%) e 230 sllave(26.13%) si qendër i këtij regjoni, ku më pas nga vendbanimet rurale më numër më të madh të familjeve ishin: Shtoji me 121 familje, Gorana 80, Bratica 65, Shën Gjergji 52, Zogaj 52 etj.

Me interes janë të dhënat për madhësinë e familjeve dhe dallimet në këtë aspekt sipas përkatësisë kombëtare. Nga gjithsej 1225 familjeve shqiptare me  popullsi të  përgjithshme me  6530 banorë, del se një familje mesatarisht kishte 5.37 anëtar, ndërsa për familjet sllave mesatarja e tillë ishte prej 4.77 anëtar, ndërsa në nivel regjioni mesatarja e familjeve  ishte 5.25 anëtar, duke dëshmuar se kanë ekzistuar familje të vogla, që për kohën paraqet çështje për hulumtim të veçantë socio-gjeografik.

Objektët e kultit

Në tabelën e prezentuar  jepen të dhëna për objektët e kultit, sipas vendbanimeve përkatëse. Numri më i madh është i objektëve të konfesionit të përkatësisë islame e ato gjithsej ishin 15 xhami, ku nga to  8 ishin  në qytetin e Ulqinit ndërsa  7 në vendbanimet rurale(Krruç, Pistull, Kollomzë, Zogaj, Qurkaj, Goranë e Krythë).

Ndërsa objektit e kultit kristian gjithsej ishin 7 kisha, e to në Ulqin 2 kisha katolike dhe 3 në rrethinë(Shtoj, Braticë e Salç), si dhe 2 kisha ortodokse në Ulqin.

Përfundim

Nga të dhënat e publikuara del së Komiteti i Mbrojtjës Kombëtare të Ulqinit ka prezantuar të dhëna me interes  shoqëror  duke dëshmuar qasje serioze për çështjet  demografike në kohën përkatëse. Ndonëse të dhënat e tilla nuk  janë nga ndonjë regjistrim zyrtar i popullsisë, ata ofrojnë pasqyren reale të kohës më të gjitha informatat e publikuara. Andaj të dhënat e tilla duhet të përdorën si referencë e domosdoshme  kur do të trajtohen  çështjet demografike  për Ulqinin dhe rrethinën e tij, dhe si të tilla duhet të jenë pjesë e diskursit demografik në statistikën e popullsisë në këtë  mjedis.

Ndërsa mbetët  obligim profesional për studiuesit  tanë që të vazhdojnë  hulumtimet në  dokumentacionin arkivor nga Konferenca e Paqës në Paris(1919-1920), me mundësi prezantimi të çështjeve tjera të panjohura deri më tash për Ulqinin në veçanti dhe shqiptarët në përgjithësi.

(Dhjetor 2019)

Filed Under: Histori Tagged With: Diskursi Demografik

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 263
  • 264
  • 265
  • 266
  • 267
  • …
  • 710
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Gjeneral-Ambasador i ShBA në TR, besim dhe përgjegjësi e shtuar për RSh”
  • Norwegians and foreigners from other countries who greatly helped make peace in Kosova
  • Fan Noli dhe Faik Konica, arkitektët e diplomacisë shqiptaro-amerikane që shpëtuan Shqipërinë nga copëtimi
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • 21 prill 1921, ditë e madhe e shtetit shqiptar. U hap në Tiranë mbledhja e parë, e parlamentit të parë, i dalë nga zgjedhjet e para. Historitë e deputetëve Ali Këlcyra dhe Ali Koprëncka
  • KOMITETI “MBROJTJA KOMBËTARE E KOSOVËS” NË  FONDET ARKIVORE TË ARKIVIT TË SHTETIT SHQIPTAR
  • The Architecture of Alignment
  • Kujtojmë me nderim arkeologun dhe studiuesin e shquar Skënder Anamali
  • Një moment në historinë kombëtare…
  • ELIOT ENGEL – NJË MIK I PAHARRUAR I SHQIPTARËVE DHE ZË I LIRISË DHE DREJTËSISË PËR KOSOVËN
  • REALIZIMI I TË DREJTAVE GJUHËSORE SHQIPTARE (1924–2026): ARTIKULIMI QYTETAR DHE DIPLOMACIA
  • BOOKFEST NË CHICAGO
  • “Brenga”, trinomi filozofik nga rrëfimi historik tek drama morale
  • Vatra Boston mbështet ekspozitën e kostumeve tradicionale shqiptare
  • Në kujtim të 160 civilëve shqiptarë – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë fashsite!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT