NGA PËLLUMB LAMAJ/
Është Pranverë….. Edhe ne të harruarit nga Zoti e bota kemi filluar të ndjejmë ardhjen e saj edhe pse ju shëmbëllejmë atyre leprozëve, edhe pse rreth e rrotull shikojmë vetëm tela me gjemba, ushtarë që na kanë drejtuar automatikët e mitrolozët dhe shkëmbinj të coptuar që duket se do të shkëputen në çdo moment e do të na zënë nën vehte në këtë luginë vdekjeje me emrin Spaç…
Jemi duke lëvizur si zakonisht në atë pak hapsirë të kampit, kur në kamp ja behin policë të shumtë që shoqërojnë komandantin e burgut.Pasi qendrojnë disa minuta duke soditur të burgosurit, na japin urrdhër të futemi të gjithë në sallën e kulturës. Është ora dymbëdhjetë dhe Radio-Televizori shqiptar jep një komunikatë ku njoftohet vdekja e diktatorit… Ajo ç’ka ndjemë në ato çaste ishte një përzjereje habie, mosbesimi e gëzimi bashkë. Fshehtas filluam të vështrojmë e përshëndesim në heshtje njeri tjetrin dhe kjo heshtje më e madhe se çdo heshtje tjetër, pushtoi sallën… Ndërkohë jepet urdhëri të dalim nga salla dhe të burgosurit, me sytë që ju shkëlqejnë nga gëzimi, në heshtje, me grushtat e shtërnguar dalin nga salla dhe secili në ato çaste sublime, përfytyron Lirinë e aq dëshiruar e pritur në dekada që do të trokas së shpejti, të paktën kështu kishte ndodhur dhe në B.S. kur kishte ngordhur Stalini, por me një ndryshim, Atje miliona turmat e Siberisë kishin bërtitur e ulëritur, ndërsa ne e kishim pritur në heshtje këtë gëzim që dukej se zbriste nga qielli, në të kundërt na dukej se Demoni do të ngjallej e do të na përpinte të gjithëve.
Edhe pse e kishim dëgjuar me veshët tanë, edhe pse e kishim lutur e dëshiruar për katër dekada, prapë na dukej si ëndërr; diktatori kishte ngordhur edhe pse ishte shnëdrruar në pamundësi në ndërgjegjen e gjymtuar të popullit. Për dyzet vjet me rradhë nëpërmjet një terrori sistematik e të paparë në historinë njerëzore, ky diktator i neveritshëm kishte mundur të gjymtonte arsyen e një kombi të tërë duke e shëndërruar atë në një mit…
Fotografinë e tij të varur në mur do ta gjeje pothuajse në të gjitha familjet shqiptare dhe në këmbët e tij, që kullonin gjak do të hidheshin aq shumë lule sa që dhe vet Napoleoni, Hitleri, Stalini e gjithë mbretërit e sulltanët e botës do ta kishin zili…
Është dita e dytë e zisë kombëtare të shpallur për nder të diktatorit, flamuri qëndron në gjysëm shtize duke e nderuar atë që e tradhëtoi këtë flamur…
Me detyrim na fusin na sallën e kulturës të ndjekim ceremoninë. Është e tmerrshme, ironike, poshtëruese kur shikon që një popull i tërë poshtëron veten duke u përulur e derdhur lot përpara arkivolit të diktatorit…Të persekutosh një popull për gjysëm shekulli dhe ky popull të vajtojë vdekjen, ky është paradoksi më i madh njerëzor në histori për botën perëndimore e të civilizuar që nuk e provoi e as imagjinoi terrorin e kuq, terror që politikanët e tyre ua bënë dhuratë popujve të tjerë. Është dita e tretë e zisë dhe ceremonive dhe një i burgosur informator i komandës i shoqëruar nga policë, shkon në ç’do kapanon duke kërkuar firmën e çdo të burgosuri. Bëhet fjalë për një telegram që do ti dërgohet K.Q. P.P.SH. së dhe Ledit Makbedh, Nexhmijes… Një pjesë e madhe fatkeqësisht, por dhe ish kuadro komunistë firmosin atë paçavure, por ka dhe të tjerë kurajozë që as nuk u trembet syri… I burgosuri informator më afrohet dhe më zgjat bllokun… Pasi e shof me neveri i them të largohet.Policët që e shoqërojnë pasi më shikojnë me urrejtje duke lëvizur kokën në shenjë kërcënimi, ja bëjnë me shenjë të vazhdojë me të burgosurit e tjerë. Me sa kuptojmë, është një lojë e ndyrë e sigurimit të shtetit për t’i poshtëruar e vrarë politikisht të burgosurit e që në të ardhmen t’a përdorin si dokument poshtërues në histori. Sot është dita e fundit e ceremonive dhe turmat të perulura deri në poshtërim nga frika, mbushin me lot e lule rrugët e Tiranës së kuqe duke i dhënë lamtumirën e fundit Përbindshit të kuq. Gjithë makina e propagandës së kuqe nën ingranazhet e së cilës janë përpëlitur të gjitha institucionet, ka vetëm një devocion, nderim diktatorit.
Shiu nuk ka të pushuar sikundër dhe kortezhi njerëzor që nuk ka të mbaruar veç një gjë është e sigurtë;- Përbindshi ka ngordhur. Ditët, javët ndjekin njera tjetrën dhe asnjë shenjë Lirie nuk po shfaqet në horizont e të burgosurit natyrshëm kanë filluar të humbin durimin dhe mjerimi e shpresat që tashmë janë shnëdruar në mizori kanë filluar të mbulojnë fytyrat e tyre… Pak nga pak po i afrohemi Dimrit dhe sot ka filluar dëbora e parë e ashtu butë-butë ka shtruar çarçafin e bardhë… Më në fund trokiti dhe Dita e Vitit të Ri që shumica mendonte se do ta kalonte në Liri pranë të dashurve të tyre që dhe ata mezi i prisnin. Është kohë darkë dhe të burgosurit si zakonisht janë rreshtuar për të ngrënë darkën, atë pak supë nga mbeturinat e gjellës së ushtarëve, kur nga menca del një i burgosur i shoqëruar nga policët që i bërtasin e ulërijnë. Ai ka gjetur një krimb në supën e tij dhe ua ka treguar të burgosurve të tjerë të cilët në rradhë, njeri pas tjetrit, e kanë derdhur supën në kazanin e plehrave. Ndërkohë lajmërohet komanda dhe në kamp vjen oficeri rojës i cili pasi i ka reshtuar të gjithë të burgosurit pyet se kush prej tyre e ka gjetur krimbin. Një i burgosur, duke ngritur dorën i përgjigjet oficerit të rojës e ndërkohë oficeri rojës i bën shenjë të dalë nga rreshti e të qëndrojë përball turmës së të burgosurve dhe pastaj ju drejtohet turmës të të burgosurve; e shikoni këtë armik të betuar? Ky maskara ka hedhur krimbin në gjellë për të diskretituar komandën dhe qeverinë? Ju e dini shumë mirë që ushqimi është i bollshëm dhe i pastër dhe qeveria e partia kujdeset për ju. Ky armik i betuar i popullit nuk ka për tu reabilituar kurrë dhe do të ngordh si krimbi në burg! Dhe pasi ua bëri me shenjë policëve, duke u larguar nëpër shkallët që të çonin në zyrat e komandës, policët e mbërthyen prej krahësh fatkeqin dhe pasi e lidhën e morën në drejtim të birucave. Të burgosurit në turmë filluan të mërmërisnin ndërkohë që policia dha urrdhër të shpërndaheshin e të niseshin drejt fjetores. U nisa drejt shkallëve për të shkuar në fjetore dhe dikush më preku supet. Ishte një shoku im që gjithmonë bënte shaka, edhe në momente dramatike. Ku shkon?- më pyeti duke qeshur…E vështrova një çast pa folur dhe pastaj me buzën në gaz ju përgjigja; në krevatin e kashtës të mbuloj kokën me batanije e të pres plakun e Vitit të Ri. Në moment fytyra e tij u vrejt, më vështroi me dhimbje dhe u nis drejt dhomës së tij pa folur.
– Ah, harrova,- i thashë me zë të ulët.
Ai qendroi dhe me pyeti: çfarë harrove?
– Krimbi ishte dhurata më e bukur e Vitit të Ri dhe sonte do të shkruaj një dramë!
-Kujdes, më paralajmëroi ai, sonte ka shumë policë vërdallë dhe po të kapën, do të të kalbin në birucë dhe u largua. Dhe atë natë, me kokën mbuluar me batanijen e grisur e të pistë, unë shkruajta një nga dramat e shumta, por pa mundur t’a hedh në letër ngaqë policët hynin e dilnin pa pushim nëpër dhoma. Dëbora vazhdonte të binte pa pushim dhe britmat e ushtarëve që ndërronin shërbimin, dhe ndonjë fishek drite që hidhej për të ndriçuar telat me gjemba, më kujtuan se kishte trokitur Viti i Ri 1986.
Zbulova kokën dhe i hodha një vështrim dhomës, të gjithë kishin mbuluar kokat me batanije. Doja ti zgjoja, t’ju tregoja se kishte ardhur Viti i Ri, por mu duk se do t’u prishja ëndërrat. Zot, thashë me vete, çfarë të kemi bërë?!
E ashtu në përhumbje, mbulova dhe unë kokën me batanie e nisa të mërmëris disa vargje që i kisha shkruar vite më parë vetëm e vetëm të më zinte dhe mua gjumi…….
Eh statujë,Statujë e Lirisë
Sa kurora rinie vyshkur mbi ball
Jehona dashurie që kurrë s’u dhuruan
Kafka martirësh mbetur pa varr…
Eh Statujë,Statujë e Lirisë
E vetmja dritë,i vetmi zjarr
E vetmja ëndërr ku shpresat udhëtojnë
Përzjerë me klithma,kulluar në gjak
Eh Statujë,Statujë e Lirisë
E vetmja shpresë që na mban gjallë
Por dhe po ikëm pa u takuar
Besom,do vinë të të puthin vrasësit tanë
DITARI I BURGUT Spaç 1986