• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MITROVICA NDEROI DR. XHELAL MITROVICËN PËR KONTRIBUT KOMBËTAR

October 22, 2016 by dgreca

Nga Hysni Syla, Mitrovicë/

100-vjetori-i-xh-m1-dekorate1-foto-xh-mitrovica2-rruga-xh-mitrovica1-takimiNë Mitrovicë, nën përkujdesin e kryetarit të Komunës, Agim Bahtiri të organizuar nga Lidhja e Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega Mitrovicë, dhe TV MITROVICA, në prani të një numri të madh pjesëmarrësish, që kishin ardhur nga e tërë Kosova, Shqipëria e Mali i Zi, është shënuar  100 vjetori i lindjes së atdhetarit të devotshëm, intelektualit të shquar dhe gazetarit të njohur, Dr. Xhelal Mitrovica. Në tubim ishin edhe tri vajzat dhe djali i tij, që jetojnë në Kanada, Belgjikë, Shqipëri e gjetiu.

Nënkryetari i Komunës, Safet Kamberi, falënderoi në mënyrë të veçantë pinjollët e atdhetarit dhe intelektualit Dr. Xhelal Mitrovica që kishin ardhur nga shtete të ndryshme të botës në Mitrovicë, disa prej tyre për herë të parë, për të marrë pjesë në shënimin e 100 vjetorit të lindjes së babit të tyre.

Për nënkryetarin Kamberi, Dr. Xhelali, por edhe i ati Dervishi, dhe të tjerët, ishin atdhetarë të devotshëm dhe të përkushtuar për të ndihmuar me të gjitha forcat avancimin e çështjes mbarëkombëtare.

“Dr. Xhelal Mitrovica, së bashku me disa intelektualë tjerë, si: Xhafer Deva, Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani, Bedri Gjinaj, Ago Agaj, Tafil Boletini, Ymer Lutfiu, Kudret Kokoshi, Gjon Logoreci, Ferat Draga, Vehbi Frashëri, Ali Draga, Pajazit Boletini, Shaban Mustafa e të tjerë, ndër të tjera u angazhua me tërë qenien për organizimin e pushtetit lokal e administratën në gjuhën shqipe, për hapjen e shkollave shqipe në Prefekturën e Mitrovicës (Mitrovicë, Vushtrri, Podujevë e Pazar të Ri – Novi Pzari i sotëm). Ishte shumë dinamik, prandaj përcillte dhe ndihmonte çdo aktivitet me karakter politik, kulturor, arsimor etj”, tha ndër të tjera nënkryetari Kamberi.

Ai i njoftoi pjesëmarrësit në tubim se komuna e ka emërtuar një rrugë me emrin e Dr. Xhelal Mitrovicës, ndërsa kryetari Bahtiri i ka propozua Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ta dekorojë këtë atdhetar të devotshëm.

Intelektuali dhe shkrimtari i njohur mitrovicas, që ka merita të mëdha për ndriçimin e shumë figurave të shquara nga Mitrovica, që kanë dhënë gjithçka për çështjen kombëtare, Fazli Hajrizi, tha fillimisht se shumë ngjarje me rëndësi kombëtare e jetike për popullin shqiptar fillimin e përfundimin e tyre e kanë pasur pikërisht në Mitrovicë dhe në rrethinat e saj. Këto ngjarje, sipas tij kanë pasur si protagonistë atdhetarë të shquar, kundërshtarë të përjetshëm të pushtuesve të huaj, sidomos atij osman e serb. Patriotët e intelektualë të këtij mjedisi kanë qenë dalëzotës të flakët e të mençur të të drejtave kombëtare dhe virtyteve shqiptare, të lirisë dhe demokracisë.

“Në historinë kombëtare shqiptare janë të njohura personalitete të shquara që mbajnë si mbiemër emrin e qytetit MITROVICA, si: major Dervish Mitrovica, delegat në Kuvendin e Vlorës (1912), qarkkomandant i xhandarmërisë në Shkodër në Qeverinë e Fan Nolit (1924); Rexhep Mitrovica, firmëtar i Shpalljes së Pavarësisë, ministër i Arsimit e kryeministër i Shqipërisë; Dr. Xhelal Mitrovica, sekretar i “Lidhjes Popullore Shqiptare” (1941), drejtor i Radio Prishtinës (1941), mësimdhënës në Gjimnazin “Sami Frashëri në Prishtinë, përfaqësues i Mitrovicës në Parlamentin e Shqipërisë (1943-44). gazetar i spikatur; Shejh Muharrem Mitrovica, veprimtar i devotshëm i çështjes kombëtare e fetare, pjesëtar i tarikatit Sa’adi, kryetar i Organizatës “Drita”, bashkëpunëtor i revistës “Njeriu”; Muharrem Mitrovica, nënprefekt i Mitrovicës, patriot i dalluar, i burgosur në Pejë në Kullën e Sheremetit, i vrarë në mënyrë mizore më 11 gusht 1946 dhe i varrosur në vendin e quajtur “Gropat e zeza”; Kimete Mitrovica, vajza e Xhelal Mitrovicës, e cila jeton në Bruksel, veprimtare e dalluar bashkë me të shoqin Idriz Basha, bashkëpunëtore e rregullt e gazetës “Koha e jonë” që u botua gjatë periudhës 1962-1992; Rexhep Mitrovica – i Riu (1959), sot njëri ndër artistët me famë botërore, aktor në Teatrin e Komedisë në Paris, Dervish Xhelal Mitrovica, sot një personalitet i njohur në Kanada e të tjerë”, tha profesor Hajrizi..

Sipas tij, Dr. Xhelal Mitrovica ka qenë sekretar i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare Shqiptare e Kosovës” e pastaj edhe anëtar i“Lidhjes Popullore Shqiptare” themeluar në gusht të vitit 1941 në Mitrovicë, nëpunës i përgjithshëm me shërbim në Prizren (korrik 1941), drejtor i Radio Prishtinës dhe mësimdhënës në Gjimnazin, përkatësisht në Normalen “Sami Frashëri” në Prishtinë gjatë Luftës së Dytë Botërore, pjesëmarrës në Lidhjen e Dytë të Prizrenit (shtator 1943), sekretar i Komitetit (KEP) i zgjedhur në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar më 6 tetor 1943, deputet i Mitrovicës në Parlamentin e Shqipërisë (18 korrik – 28 gusht 1944) në qeverinë e Fiqri Dinës, njëri ndër gazetarët më të sprovuar e më të mirë të kohës, bashkëpunëtor në të përkohshmet “Kosova”, “Lidhja e Dytë e Prizrenit”, organ i Komitetit Lidhja II e Prizrenit, “Bashkimi i Kombit”, Koha e Jonë”, drejtues  i gazetave “Vatra Shqiptare” dhe “Buletini i Lidhjes së Shqiptarëve” në Australi etj.

“Xhelal Mitrovica u lind më 14 shtator të vitit 1916, në Mitrovicë në një familje bujare e atdhetare me prejardhje nga Pazari i Ri (Jeni Pazari). Dr. Xhelal Dervish Mitrovica, ishte patriot i shkëlqyer i kombit shqiptar i cili punoi e luftoi tërë jetën për një Shqipëri të lirë, të bashkuar si komb në Europën demokratike, dhe ishte orator e poliglot që mahniste me dijet dhe kulturën, një ndër gazetarët më të njohur në kohën e vet. I ati i tij, Dervish Mitrovica, oficer i shkolluar, arsimdashës i flaktë, politikan, patriot i kulluar, bashkëluftëtar dhe bashkëmendimtar i Hasan Prishtinës, Isa Boletinit, Bajram Currit, Mustafa Krujës, Tafil Boletinit, Rexhep Mitrovicës, Azem e Shotë Galicës, kundërshtar i rreptë e luftëtar i pa kompromis i politikës serbe, ishte i lindur në Pazarin e Ri, por që nga mosha e re e kishte lidhur jetën me qytetin buzë Ibrit (Angrin e lashtë). Duke qenë se jetonte në Mitrovicë dhe ishte i lidhur me tërë qenien e tij me këtë mjedis që e donte dhe e admironte shumë, e mori për mbiemër emrin e qytetit – Mitrovica. Xhelal Mitrovica, pa mbushur moshën trevjeçare prindërit e tij migruan në Shqipëri (Shkodër). Aty në Shkodër, e kaloi fëmijërinë e hershme, ku i vijoi mësimet në shkollën Severiane. Në fillim të vitit 1925, disa muaj qëndroi me familjen e tij në Itali, për të kaluar pastaj në Zarë (Dalmaci të Kroacisë), ku përfundoi filloren dhe Gjimnazin. Ishte njëri ndër nxënësit më të zgjuar e më të talentuar. I etshëm për dije dhe me qëllim që t’i thellojë e zgjerojë njohuritë, në mesin e viteve ’30 shkoi në Itali, ku studioi për drejtësi në Universitetin e Bolonjës. Mori edhe gradën shkencore “Doktor i shkencave juridike”. U kthye në Shqipëri, ku u mor kryesisht me gazetari, me çështjet e përparimit të atdheut e të popullit të tij. Bashkëpunoi me dhjetëra gazeta të kohës dhe u shqua si njëri ndër publicistët më të talentuar.  Bëri emër sidomos në gazetat “Kosova”, “Lidhja e Dytë e Prizrenit”, “Bashkimi i Kombit”, Koha e Jonë” etj.”, tha tutje profesor Hajrizi.

Ai i njoftoi të pranishmit se në mesin e prillit të vitit 1941, kur Mbretëria Jugosllave kapitulloi, Dr. Xhelal Mitrovica, i cili atëbotë ishte sekretar i Komiteti “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, bashkë me Bedri Pejanin – kryetar, Rexhep Mitrovicën – nënkryetar, anëtarët: Ibrahim Gjakova, Tafil Boletini, Qerim Begolli, Shaqir Curri, Qemajl Prishtina, Rexhep Krasniqi, Tahir Zajmi e të tjerë, erdhi në vendlindjen e tij, në Mitrovicë.

“Në mesin e vitit 1941, Dr. Xhelal Mitrovica u emërua drejtor i Radio Prishtinës. Në vitin shkollor 1942/43, ai u angazhua edhe si mësimdhënës në Gjimnazin, përkatësisht Shkollën Normale “Sami Frashëri” në Prishtinë, ku jepte lëndën mësimore Elementet e së drejtës ekonomike me nga dy orë në javë. Më 6 tetor 1943, në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, Dr. Xhelal Mitrovica u zgjodh sekretar i Komitetit (KEP). Po në këtë kohë u zgjodh përfaqësues i Mitrovicës në Parlamentin e Shqipërisë, ministër për propagandë. Në një fjalim të tij, ndër të tjera, thotë: “Zani i Shqiptarizmës së krahinës që unë kam nderin këtu me e përfaqësue, po buqet i fuqishëm, atje në fushën e burrave, atje ku luftohet dhe vdiset për Shqipni”, tha ndër të tjera profesor Fazli Hajrizi.

Për disa aspekte të angazhimit politiko-diplomatik të Dr. Xhelal Mitrovicës, foli Prof. Dr. Nexhemdin Spahiu, opinionist i njohur dhe drejtor i RTV Mitrovica. Ai tha se tani kur Kosova po krijon identitetin e vet politik, apo më saktë atë kombëtar, ajo ka nevojë që ta pastroje pluhurin e harresës për figurat më të shquara të saj, të së  kaluarës, të cilët përbëjnë boshtin e këtij identiteti, për të shtuar se  Dr. Xhelal Mitrovica dhe baba i tij Dervish Mitrovica, si dhe daja i tij, Xhafer Deva, janë shtylla kurrizore e identitetit të Kosovës dhe se këta, secili në fushën e vet, i dhanë Kosovës shëndritjen më të madhe në histori, kurse Shqipërisë ia dhanë shkëlqimin e Kosovës.

“Periudha e errët komuniste u përpoq të hidhte baltën dhe pluhurin e harresës, por vepra e tyre po rikthehet tani shumëfish më fuqishëm. Fatkeqësisht, kurrikulumet e shkollave dhe universiteteve tona akoma dominohen me shkrimet e historianëve që ishin shërbëtorë të Enver Hoxha. Është për keqardhje që nxënësit dhe studentët tanë ende e mësojnë historinë e shtrembëruar, por përmes manifestimeve kësisoj, si ky sot, publiku ynë po e mëson të vërtetën historike”, tha ndër të tjera ai.

Për veprimtarinë e suksesshme në gazetari të intelektualit Dr. Xhelal Mitrovica, foli gazetari Hysni Syla. Ai ndër të tjera tha se Xhelal Mitrovica ka lëruar me mjeshtri të gjitha gjinitë e publicistikës dhe ka ngritur probleme madhore që lidhen me çështjen tonë kombëtare: me kulturën, ekonominë, arsimin, politikën, historinë, etj. Ai ishte njëri ndër intelektualët më të fuqishëm në fushën e gazetarisë dhe publicistikës shqiptare, ishte një emblemë e kësaj fushe, drejtues i disa gazetave.

“Dr. Xhelal Mitrovica është një ndër emrat e mëdhenj të gazetarisë (publicistikës) shqiptare. Gazetaria në gjuhën shqipe, siç dihet, fillon me De Radën, vijon me Sami Frashërin, Faik Konicën, Fan Nolin, Nikolla Naçon, Ernest Koliqin, Gjergj Bubanin e të tjerë që punuan me mish e me shpirt nga diaspora e larg atdheut atje, ku kishin emigruar. Ajo u konsolidua me Gjergj Fishtën, Jorgji Meksin, Branko Merxhanin, Vangjel Koçën, Nebil Çikën, Maz’har Sopotin, Dr. Xhelal Mitrovicën e të tjerë. Në kohën e tij Xhelali  dëshmoi se është një intelektual i formuar, me kulturë të gjerë e botëkuptime të avancuara për kohën, një studiues i zellshëm e luftëtar konsekuent për çështjen shqiptare, një politikan i kompletuar e një njohës i shkëlqyeshëm i historisë popullit shqiptar, një analist i hollë i problemeve ndërkombëtare e sidomos atyre ndërballkanike, një njohës i mirë i interesave të fuqive që ndërthureshin në Shqipëri e më gjerë”, tha Syla.

Në vazhdim ai shtoi se Dr. Xhelal Mitrovica si intelektual dhe politikan gjithmonë nxirrte përfundime të qarta dhe të sakta dhe se është fatkeqësi që veprimtaria e tij e madhe dhe e gjerë në gazetarinë shqiptare ka mbetur e panjohur për lexuesin shqiptar. “Etiketimi që iu bë si kundërshtar i ideologjisë komuniste dhe regjimit të Enver Hoxhës ka zhdukur një pjesë të madhe të dokumentacionit të tij. Megjithatë, një pjesë e krijimtarisë së tij publicistike gjendet e përqendruar në disa gazeta, si: Bashkimi i Kombit”, “Kosova”, Lidhja e Dytë e Prizrenit”, “Vatra shqiptare” etj”, përfundoi fjalën e tij Syla.

Ndërkaq, në emër të familjes Mitrovica, ka folur vajza e madhe Lolita Mitrovica-Kupi. Sipas saj, pjesa më e madhe e nacionalistëve sot janë lënë në harresë ose ju është hedhur baltë prej të cilës ende nuk kanë dalë. Ajo ka bërë të ditur se e ka njohur Xhelalin si një bashkëshort dhe baba të dashur, të përkushtuar dhe të interesuar për zhvillimet shoqërore, intelektuale e njerëzore të Kombit shqiptar.

Nënkryetari i komunës, Safet Kamberi ia dorëzoi zonjës Kupi mirënjohjen që ia dedikoi, pas vdekjes, kryetari i komunës së Mitrovicës  Bahtiri dhe Emblemën e Komunës së Mitrovicës.

Iniciatori i shënimit të këtij përvjetori të figurës së madhe të Dr. Xhelal Mitrovicës, profesor Fazli Hajrizi, kishte përgatitur për këtë tubim një dokumentar mbi jetën dhe veprimtarinë e patriotit Mitrovica, duke e ilustruar me fotografi të vjetra të kohës, disa nga të cilat u publikuan për herë të parë.

Në qytetin e Mitrovicës edhe një rrugë u pagëzua me emrin Dr. Xhelal Mitrovica.

Filed Under: Histori Tagged With: DR. XHELAL MITROVICËN, Hysni Syla, MITROVICA NDEROI, PËR KONTRIBUT KOMBËTAR

JETON I GJALLË NË KUJTESËN E BREZAVE

October 21, 2016 by dgreca

 

1-zef_pllumi

rrno-vetem-per-me-tregue-shkurtaj

3-zef-pllumiNGA ZEF GURAKUQI/

At Zef Pllumi nuk jeton ma. Ai u shue si një dritë që shndriti deri në çastet e fundit të jetës. Por pse them u shue, kur kjo dritë shkëlqen e do të ndriçojë në veprën që la pas. Nuk mund të themi edhe se ai nuk jeton ma, mbasi jeton në kujtimet e njerëzve.

Më ka qëllue të punoj rreth 14 vitet e fundit me të dhe e quej për detyrë e nderim ta kujtoj e ta vlerësoj atë si njeri, si frat e si shkrimtar.

Më thirrën të bashkëpunoj për botimin e “Hyllit të Dritës” në mesin e vitit 1994. Kishte kalue një vit e gjysmë që kur kjo revistë historike e kulturës shqiptare rifilloi botimin me nismën e guximshme të At Zef Pllumit, që u ba edhe drejtor i saj, si dhe me punën e palodhun e cilësore të kryeredaktorit të atyne viteve, Aurel Plasarit. Qëndrova aty deri sa u ndërpre botimi, por e vazhdova bashkëpunimin edhe 10 vjet të tjera. At Zefi kishte nevojë për bashkëpunëtorë në plotësimin e një premtimi që u kishte dhanë shokëve të tij klerikë të burgut, tue u botue dorëshkrimet e fshehuna në qelitë e kampet e përqendrimit, apo të ruejtuna në fondet rezervat të arkivave. Ai gjithashtu kishte nevojë për bashkëpunim, qoftë edhe teknik, se vazhdoi të botojë edhe kujtimet e veta për atë periudhë 27-vjeçare vuajtjesh dhe poshtnimesh si dhe librat e tij me studime, krijime letrare dhe publicistike. Një kontribut të madh në këtë bashkëpunim dhanë si redaktorë Aurel Plasari dhe David Luka. Në kompjuterin tim u radhitën, u faqosën apo u ruejtën pothuaj të gjitha librat e tij si “Rrno vetëm për me tregue”, “Françeskanët e mëdhaj”, “Frati i pashallarëve Bushatlí të Shkodrës”, “U theri dicebamus…”, “Njerëz fisnikë”, etj. Kjo ishte arsyeja që edhe në përmbledhjen e veprës së tij të zgjedhun që doli në dy vëllime vitin e fundit, qe më e lehtë për botuesit të rimerren me saktësi, ashtu siç i donte autori, të gjitha shkrimet e librat e tij. Pra me pak fjalë, kam se ç’të tregoj për këtë frat të madh.

Njeriu e franceskani

Shumë prej atyne që e njohën kanë pa tek ai njeriun e vërtetë, të përkushtuem, të gatshëm për me iu gjetë në nevojë të gjithëve. Kam ndigjue nga goja e tij disa ngjarje, por njena më asht ngulitë në mendje ma shumë. Një vajze i kish dalë e drejta e studimit në Itali, por nuk po shkonte atje sepse familjes së saj të vorfën i mungonin paret. Kur e mori vesh hallin e dëshpërimin e saj bani çmos me i gjetë donatorë tue ia plotësue shumën edhe me kursimet e veta. Nuk ia di emnin asaj vajze, ashtu si nuk ia di edhe shumë të rinjve të tjerë, që morën rrugën e arsimimit nëpër botë me ndërhymjen e palodhun të At Zefit. Ata kurrë nuk do ia harrojnë këtë përkujdesje fratit të tyne.

Ai ishte njeri i andrrimeve të mëdha. Më ka qëllue të njoh një nga këto andrrime. Ai shkonte shpesh në zonën e Ishmit. Për mue, që nuk e kisha pa asnjëherë këtë zonë, ishte një kuriozitet. Dhe njëherë iu luta të më merrte me vete. E pranoi pa ngurrim dhe një të diel shkova me të. Aty mësova se ai interesohej për një kishë të moçme në Kepin e Rodonit që i përkiste shekujve të shkuem, para Skënderbeut. Kishte angazhue shumë njerëz (zona popullohej me katunde katolike) për të ndërtue një rrugë që të çonte deri te kisha, i kishte ba shumë kërkesa shtetit për t’i kthye kishës tokat që ishin pronë e saj, i ishte drejtue institutit të monumenteve për të restaurue këtë kishë të vjetër, ku rastësisht ishte ruejtë edhe një mozaik i lashtë. Kur shkuem atje më shoqnoi vetë në këtë kishë dhe në ambientet e mrekullueshme të saj, më njohu edhe me një kala të kohës së Skënderbeut

në bregdetin e Rodonit. Por ajo që më bani ma shumë përshtypje ishte ideja e tij se në këtë vend të mrekullueshëm bregdetar mund të ndërtohej një kamping ku të sillej rinia nga gjithë vendet e Europës. Do të ishte, thoshte, një prezantim aq i bukur me natyrën e Shqipnisë, por edhe me lashtësinë e katolicizmit të këtij vendi të vogël, por të pakrahasuem për nga vlerat historike. Nuk di deri ku kanë shkue përpjekjet e tij, sa asht restaurue kisha, a i janë kthye tokat asaj dhe ma kryesorja, a do të mund realizohet ideja e tij për të sjellë në këtë bregdet të bukur e historik rininë e Europës.

Si prift katolik ai i kushtonte një randësi të madhe bashkëjetesës midis feve të ndryshme me mendimin se të gjithë njerëzit i bashkon një Zot. Këtë prirje kam pas rastin ta dalloj si vepronte ai në kishën e Tiranës. Ajo ndodhet në një lagje, pothuaj myslimane. Ishte kënaqësi kur shihje në oborrin dhe ambientet e kishës të vinin edhe shumë të rinj myslimanë. Edhe puna e tij për arsimimin e të rinjve në shkollat evropiane, nuk dalloi kurrë elementin fetar. Me kontributin e tij shkuen për studime po aq sa të krishtenë edhe myslimanë.

Këtë ide të bashkëjetesës midis feve At Zefi e pasqyroi edhe në librat e tij. Një nga miqtë më të dashun në burg ishte një hoxhë, Xhabir Dibra, i cilin ndau me të edhe kafshatën gojës. Kur doli nga burgu në vitin 1951, vizitën e parë në Shkodër ia bani familjes së këtij hoxhe.

Ma me forcë shfaqet kjo prirje bashkëjetese në librin “Frati françeskan i pashallarëve Bushatlí të Shkodrës”. Mehmet e Karamahmut Pasha, marrin në sarajet e tyne priftin françeskan, jo vetëm si mjek, por edhe si këshilltar. Këta dy pashallarë , pa asnjë paragjykim, lejojnë, madje inkurajojnë ndërtimin e kishave, dhe si sundimtarë të pashallëkut, janë përkrahës të kulturës europjane dhe të elementit katolik.

Në një pamje edhe ma interesante na jepet në veprën e tij “Njerëz fisnikë” figura e një pasardhësi të Toptanëve, që gjatë studimeve në Zvicër, konvertohet në fenë katolike dhe këtë vetë toptanasi e tregon me një ndjenjë kënaqësie e nderimi.

Personalitetin e At Zefit si klerik me autoritet, si njeri i mendimit dhe i kulturës e kam konstatue disa herë. Ka qenë këto vitet e fundit i pranishëm në ngjarjet ma të mëdha. Ishte një nga njerëzit që priti dhe e përcolli nëpër Shqipni nanë Terezën. Por atë e njohën e e çmuen edhe personalitete të tjera të nalta, e një prej tyne ishte edhe europarlamentari Vander Linden, i cili erdhi në Shqipni në vitin e mbrapshtë të 1997-tës, tue gjetë te At Zefi analistin dhe gjykuesin e saktë të atyne ngjarjeve.

Një herë, kur ai mori vesh se do të baja një udhëtim në Holandë për të takue vajzën time, më solli një tufë librash të tij për t’ia dërgue, në shenjë nderimi e respekti, mikut të tij. Më gjeti ndërsa përgatisja dhuratat e mia për të njohunit e vajzës, midis të cilave edhe një bust të Teutës. U kujtova se kur do t’u jepja miqve këtë dhuratë, duhej t’i thoja diçka ma shumë për këtë mbretëreshë ilire, prandaj po kërkoja në bibliotekë të shfletoja Fjalorin Enciklopedik. Ndërkaq At Zefi, që ishte një enciklopedi më vete, me lehtësinë më të madhe po më jepte aq shumë informacion historik, sa kur ma vonë shfletova Fjalorin, konstatova se jo vetëm ato që më tha ishin të sakta, por isha njohë prej tij me ma shumë informacion historik për mbretëreshën ilire.

Mbi memorien e tij të pakrahasueshme flet edhe një fakt tjetër i habitshëm. Kishte lexue në rininë e tij, kur shërbente në Arkivin e Kuvendit Franceskan, një fletore me dorëshkrimin e fratit Erasmo Balneo. Ngjarjet që përshruheshin e lanë pa mend. Kur doli nga burgu e kërkoi në të gjitha arkivat për ta rilexue, por nuk gjeti. Dikush e kishte zhdukë. Atëherë iu fut punës për të shkrue librin “Frati i pashallarëve…” tue u mbështetë

në kujtesën e leximit të rinisë. Dhe shkruejti një nga librat ma të bukur. Kur e lexoi një frat italian, mendoi se ishte para një krijimi të trilluem artistik. Kureshtarë ai i hyni punës për të gjetë ndonjë gjurmë në Arkivin e Vatikanit. Dhe me një ndjenjë gëzimi i dërgon At Zefit dy dokumente të Pashallarëve që i përgjigjeshin me vërtetësi ngarjes së tregueme. Këto dokumente At Zefi i botoi në veprën e zgjedhun.

E pashtershme ishte njohunia e tij për historinë, kulturën, mendimin filozofik. Dhe gjithnjë kam ba pyetjen, si e formoi ai gjithë atë bagazh njohunish, kur një pjesë të madhe e ma të rëndësishme të jetës e kaloi në burgje, internime, galeri minierash me punë të stërmundimshme.

Thonë për të se nganjëherë ishte nevrik, i ashpër dhe e kishte fjalën e randë. Në vështrim të parë mund të krijohet kjo përshtypje. Por e vërteta qëndron ndryshe. Këtë gjë po përpiqem ta shpjegoj me disa raste që i kam jetur vetë. Ishte koha kur ai po mendonte të krijonte kushte ma të mira për botimet e “Hyllit të Dritës”, tue krijue një ambjent ma të përshtatshëm për zyrat dhe për shtypshkronjën. U thirr një skuadër ndërtimi dhe u banë marrëveshjet financiare për çdo volum pune. Kur mbaroi mueji, kryepunëtori bani matjet dhe kërkoi pagesën. Si njohës i mirë i ndërtimeve kuptoi se e mashtruen me vëllimet e punës dhe pagesën që kërkonin. U mërzit shumë, dhe i heshtun shkoi në dhomën e tij. Pas pak u ul përsëri poshtë. Kishte marrë nji vendim: urdhnoi t’i jepej paga që kërkonin, madje edhe një shpërblim për festën e bajramit që qëllonte ato ditë, dhe u largue tue thanë se të nesërmen do të kërkonte një skuadër tjetër ndërtimi. Nuk di si e ka pritë këtë veprim ai grup ndërtuesish, por për mue ai ishte një mësim se si mund të qortohet një mashtrim i cili të lë ma të turpënuem.

Shpesh atë edhe e keqkuptonin kur bahej nevrik. Po u tregoj një rast që lidhet me mue. Më kishte ngarkue detyrën me zgjidhë një problem të redaksisë me administratën shtetnore. U përpoqa, por nuk munda ta përmbush këtë detyrë dhe u ktheva i mërzitun. E takova në oborrin e kishës ku qëndronte me një person tjetër dhe ia tregova dështimin tim. U zemrue shumë e filloi të shajë, por ajo që më erdhi keq, në një adresë të pacaktueme, pra që mund t’i merrja sharjet edhe në adresën time. I heshtun u largova dhe shkova në zyrën e redaksisë. Aty mora një vendim të dorëzoj çelësat dhe të largohem. Kisha mbushë tavolinën e punës me dosje e shkrimeve, kur befas ai erdhi dhe i habitun pyeti: “Çka je tue ba?” “Do të dorëzoj punën” – i thashë. E kuptoi keqkuptimin dhe ashtu, i nervozuem siç ishte, doli vrullshëm nga zyra tue thanë: “Mos çaj kryet për ata që thashë se nuk e kisha me ty, por për ata burokratët e zyrave.” Mbeta i lehtësuem dhe sigurisht ndrrova mendje. Kam punue edhe 10 vjet të tjera me të pa u grindë kurrë ma.

At Zefi ishte trim. Në rrëmujat e vitit 1997, kur breshëritë e plumbave nuk kursenin askënd, ai nuk ngurroi asnjëherë të bante udhëtimin e tij të zakonshëm Tiranë-Shkodër dhe anasjelltas. Detyrat si frat i kishës françeskane të Tiranës dhe si drejtor i “Hyllit të Dritës” e detyronin t’i bante këto udhëtime edhe në ato ditë plot rreziqe. Në një mbramje ai kthehej nga Shkodra dhe i lodhun siç ishte e kish zanë gjumi në sedilje. “Maskat” i dalin veturës përpara dhe shoferi e ndalë i trembun dhe zgjon At Zefin. I përgjumun e kupton në çast shkakun e asaj ndalese dhe i qetë i drejtohet “maskave”: “Bijt e mi çka doni prej meje, me ju mallkue apo me ju bekua?” “Maskat” të befasuem nga këto fjalë mbyllën derën e veturës dhe u larguen. Veprimet e tyne meritonin vërtetë mallkimin.

Shkrimtari, studiuesi e publicisti

Siç kam thanë edhe ma sipër, kam pas fatin të ndjek hap pas hapi krijimet e tij, mbasi një pjesë të mirë të dorëshkrimeve ose e kam kalue germë për germë në kompjuterin tim, ose i kam redaktue e korrektue. Ai m’i sillte librat e tij kapitull pas kapitulli e unë ia ktheja të printueme. Kishte një dëshirë të madhe të shkruhej gegnishtja dhe e donte këtë drejtshkrim ashtu siç e kishin shkrue mjeshtrat e mëdhenj shkodranë. Ia kam respektue dëshirën me korrektesë. Ai kërkonte që edhe në “Hyllin e Dritës”, sidomos autorët shkodranë, t’i sillnin shkrimet e tyne në gegnisht. Por për fat të keq, kjo nuk realizohej gjithnjë.

Kur i dorëzoja printimet, unë tue e ndie veten afër tij, i baja edhe ndonjë sugjerim redaktimi, që e shënoja anash fletës së printueme. I priste me dashamirësi këto sugjerime kur ishte fjala për ta ba ma të qartë kuptimin e frazës, por jo kurrë kur vërejtja ishte për ndonjë mendim. Më kujtohet një herë i pata ba, anash printimit, pyetjen: “Pse Pater Zef e ke thanë kështu?” (nuk më kujtohet për çka i baja vërejtjen), por asht e befasuese përgjigja që vazhdonte poshtë shënimit tim: “Pse-hin e di vetë!”

Më ka sjellë kapituj pas kapitujsh edhe librin e tij mbi Bushatlinjt që pati shumë sukses. Nga fundi nuk më erdhi ma dorëshkrimi i shkruem prej tij, por një dorëshkrim i panjohtun. At Zefin e kishin lanë sytë dhe ai vinte shënimin: “Këtë kapitull po e shkruen Ejis Rripa simbas fjalëve të thanuna prej Pater Zef Pllumit, i cili nuk shef mâ as me shkrue as me lexue.” Ishte e dhimbshme për të gjithë ata që e morën vesh këtë humbje shikimi. Ma vonë nipat e tij i siguruen një lente të madhe që ai e vinte mbi tavolinën e punës. Me të mundi të lexonte ndonjë shkrim apo të shkruente edhe pak krijimtari të re. Një prej shkrimeve të tij të fundit ishte tregimi biografik “Unë që jetova shumë shekuj”. Ma dha ta radhis vitin e fundit. Kam në kompjuterin tim faqet e para. E kam pyet nëse ka shkrue të tjera kapituj dhe më asht përgjigj se diçka kishte ba, por pak. Ndoshta njerëzit ma afër tij, duhet të interesohen për këtë vazhdim dorëshkrimi që të mund të botohet pas vdekjes, qoftë edhe i pa përfunduem.

Të shkruesh për të si shkrimtar kërkon mjaft vend, mbasi librat e tij kanë shumë informacion, vlera artistike dhe një larmi temash. Por unë do të ndalem vetëm në një aspekt të stilit të këtyne librave, sidomos në fushën e kujtimeve, që më duket e ban të dallueshëm nga lëvruesit e tjerë të kësaj gjinie.

Vërtetësia, thjeshtësia dhe modestia e të treguemit të një kalvari të pafund vuajtjesh që përfshijnë një periudhë ma se 27-vjeçare, janë vlera që lexuesi i përjeton menjëherë. Por tue qenë se asht i detyruem me renditë fakte e ngjarje që i shkaktojnë lexuesit një ngarkesë të lodhshme e të zymtë të jetës së burgjeve, ai, tue e ndie këtë ngarkesë, kërkon të gjejë dritare “çlodhjeje” dhe këtë e ban me shumë sukses.

Po ju kujtoj disa episode të këtij mjeti “çlodhës” . Asht tejet e zymtë jeta në kampin e Maliqit, ku të burgosunit jetojnë me një mijë vuejtje në baltat e kënetës, ku përveç lodhjes e urisë, janë të detyruem të ruhen edhe nga ushujzat gjakpirëse të moçalit. Njerëzit rraskapiten, rrihen, dënohen me izolim, dhe kjo i shkakton lexuesit një përjetim të zymtë. Por ja që autori gjen një “dritare” çlodhëse. Një malësor, i burgosun edhe ai, i tregon një ngjarje sa interesante gati edhe të pabesueshme. Tue qenë në gjak në katundin e tij ai merr arratinë në bjeshkët e nalta për t’u ruejtë nga gjakmarrësit. Jeton në një shpellë i izoluem dhe ushqehet me gjahun që siguron gjatë ditës. Por një mbramje, ndërsa asht ulë pranë zjarrit, sheh në hymje të shpellës shkëlqimin e syve të një ujku. I tmerruem nga ky rrezik i ri s’di çka të bajë. Puna e parë merr një hu të ndezun dhe sheh se ai nuk po i afrohet. Por si do ta kalonte gjithë natën? I hedh një copë bukë, por ujku i merr erë dhe

nuk e ha. Kujtohet se bisha nuk e pëlqen bukën. Atëherë i hedh një copë mish. Sheh me kënaqësi se ujku e përlanë menjëherë. Ishte arrijtë mirëkuptimi. Ujku dhe malësori ndejtën përballë njeni-tjetrit në paqe atë natë. Mbramjen tjetër ai erdhi përsëri në hymje të shpellës dhe malësori prapë i hodhi një copë mish. Mbramjen e tretë ujku ia shpërbleu tue i sjellë gjahun e tij dhe të dy, njeriu dhe bisha, lidhën miqësinë midis tyne. Por një ditë malësori dëgjoi një krisëm pushke dhe në mbramje ujku nuk erdhi ma në shpellës. Të nesërmen shkoi ndër barinj dhe pyeti mos e kishin vra. Një pyetje që ngjalli shumë dyshime, të cilat shkuen deri te posta ushtarake. Ky ishte edhe fundi i tregimit të malësorit mbasi ai u burgos i cilësuem si diversant dhe ishte në një qeli izolimi me At Zefin. Autori i kujtimeve të burgut e tregon këtë ngjarje si një “shplodhje” për lexuesin për ta largue nga tmerret e kampit famëkeq të Maliqit.

Këtë mjet artistik shkrimtari e përdorë shumë herë. Asht torturuese puna në kampin e bregdetit Pishporos të Vlorës. Por midis këtij ambienti torturues ai gjen një “dritare” tjetër çlodhëse tue tregue jetën e pelikanëve që popullonin bregdetin. Të burgosunit kishin numërue rreth 2000 pelikanë. Ishte koha e fluturimeve të tyne në vise të tjera dhe ata bajnë përgatitjet për këtë udhëtim të gjatë e të lodhshëm. Me një mprehtësi vëzhgimi ai tregon se si bahet kjo përgatitje. “Në fillim – shkruen autori – mblidheshin disa pelikanë të mdhaj në grupe të vogla prej 10-12 shpendësh. N’e nesret mblidheshin me shumicë jo në nji vend, por lagje-lagje, dikund 30, dikund 50 e dikund mâ shumë, sikur t’ishin të ndamë ndër fise. Më çojshin mallin e tubimeve ndër male tona… Fluturimi i çetës së parë fillonte mbas orës 9. Rreth 50 pelikanë fillojshin fluturimin të vumë në rresht mbas njanit që printe. Së pari, fluturimi bahej poshtë, në formë rrethore, mbi kënetë, e deri te fusha e shkollës së aviacionit, gjithmonë në ngritje, dhe kur afërsisht mbrrijshin naltësinë 300-400 metër atëherë çohej çeta e dytë, po n’atê mënyrë. Ashtu e treta dhe e katërta, derisa çeta e parë kishte mbrrijtë atje ku merrte drejtimin për udhëtim, gjithmonë drejt veriut.”

Në mënyrë simbolike, jepet liria e atyne shpendëve, përballë një kampi mundimesh ku njerëzve të rrethuem ndër tela u mungonte çdo gja njerëzore.

Asht gjithashtu një ambient i zymtë burgu i Ballshit. Por edhe këtu gjindet një oazë çlodhëse. At Zefi ka marrë detyrën të ushqejë pëllumbat e burgut. Aty çdo ditë vjen nga mali edhe një gushkuq i bukur, që e çmendte me kangën e tij. At Zefi e ushqen dhe ai përsëri kthehet të nesërmen me cicërimat mahnitëse dhe merr shpërblimin e ushqimit. Asht një lidhje shpirtnore midis kafshës dhe njeriut. Por një ditë, aty pari, kalon një oficer i burgut që e ndjek këtë skenë dhe mahnitet. Kur ikë gushkuqi ai e urdhënon At Zefin që të nesërmen ta kapë dhe t’ia dorëzojë. Por oficeri mori këtë përgjigje: “Zotni komandant, ai nuk asht zogu im, por asht zog malit… Don me shtí në burg edhe zogjt e malit!… U asht bâ mendja burg… burg!…”

Asht shumë e bukur thyerja që i ban autori momenteve torturuese të hetuesisë. At Zefi thirret kohë e pa kohë për të hetue një ngjarje kur ai ka qenë prift në një kishë të malësisë. E rrahin barbarisht për të tregue gjana që as i njeh as s’ka se si ti dijë. E shkapetin për mure, i ndrydhin duert, e lenë pa fjetë. Por kur ma në fund shkon në qelinë e tij, akull të ftohtë, e shtrihet në shtrat, i vjen ndër kambë një kotele që asht e gardianit të burgut. Kafsha mundohet t’ia ngrohë kambët kallkan. Krijohet një marrëdhënie e ngushtë midis njeriut dhe kafshës. Hetuesit-njerëz e torturojnë, kafsha i bahet shok në fatkeqësi.

Po e mbyll ilustrimin e këtij mjeti të bukur artistik me një episod tjetër që më ka lanë mbresë. Autori na çon në kampin e Shën Vasisë në Sarandë. I randë dhe torturues si të gjitha kampet e punës. Asht natë dhe At Zefin nuk e zë gjumi. Dëgjon diku larg

kumbimin e disa kambanave. Asht prag krishtlindjesh. I bajnë veshët apo asht një jehonë iluzive? Del jashtë tue u justifikue, para rojeve, se ka nevojë të shkojë në banjë. Jehona nuk dëgjohet ma. Shkon sërish të flejë, por përsëri ajo jehonë kambanash. Nuk u beson veshëve. Del përsëri jashtë dhe prapë nuk dëgjon gja. Autori ia ka arritun qëllimit. Asht fundi i viteve ’80, pragu i ndryshimeve të mëdha. Nuk e di nëse asht një trillim artistik apo i vërtetë ai kumbim kambanash (përballë kampit ishte Korfuzi mbushë me kisha), por unë dëshiroj ta komentoj këtë episod si një paralajmërim simbolik të asaj që do të vinte: lirimin e të burgosurve, por ç’asht ma e rëndësishmja, lirimin e kishës dhe të fesë në këtë vend.

* * *

At Zefi qe një historian e publicist shumë i angazhuem në vitet e fundit. Botoi një libër ku shpalosi mendimet e tij për fatet e demokracisë shqiptare, botoi shkrime për ta vendosur historinë në vendin e vet me të vërteta të pa censurueme, shkruejti një numër portretesh për figura historike, sidomos për ma të mëdhenjtë françeskanë. Ai u ba kështu një nga lëvruesit ma të dalluem dhe realistë të kujtimeve, të veprave letrare, të publicistikës. Dhe me të drejtë meritoi titujt më të naltë “Nderi i kombit” dhe “Penda e artë”. Meritoi edhe atë nderim të madh që i bani shteti, kisha e populli i Shkodrës në përcjelljen për në banesën e fundit. Ai do të mbetet në kujtesën e brezave.

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: At Zef Pllumi, I GJALLË NË, KUJTESËN E BREZAVE, Zef Gurakuqi

Historia e dhimbëshme e amerikano-shqiptarit, kampion i mundjes në SHBA

October 20, 2016 by dgreca

Të vranë,  o Gaqi, të vranë,/Ti me  grushte , ata me kamë./

vangjel-simaku

Nga Vangjel SIMAKU/

Historikisht dihet që korçarët ishin emigrantët e parë, të cilët  zbarkuan në kontinentin e ri, Amerikën, që në shekullin e ’19-ë . Ata  bënin atje, punë  nga më të rëndomtat, natyrisht  edhe nga më të vështirat. Me kalimin e kohës disa prej tyre kishin mundur edhe të pasuroheshin. Krijuan edhe një diasporë atdhetare, që u përpoq shumë për  dheun e të parëve. Njëri prej tyre ishte edhe djaloshi korçar, Gaqo Vërvëri. Ishte një bir i Korçës, që edhe ai si shumë bashkëatdhetarë të tij, pati emigruar qysh i vogël nga Korça drejt Amerikës, vendit të ëndrrave.

Po kush ishte Gaqo Vërvëri…

Ai pat shkuar atje i vogël dhe u vendos në Boston të SHBA-s. Fillimisht bëri punën e lustraxhiut të këpucëve. Djaloshi hodhi shtat shumë shpejt dhe në të njëjtën kohë kishte filluar të ushtronte sportin e mundjes (wrestler) edhe të  boksit. Vitet rrodhën dhe ai mori pjesë në shumë ndeshje në të cilat doli fitimtar dhe u shpall dy herë kampion i mundjes. Djaloshi korçari  binte në sy për trupin e fuqishëm, muskuloz e shtatin e lartë.

Një ditë të bukur kampioni shqiptaro – amerikan vendosi të kthehet në vendlindjen e tij, Korçë. Por ai kësaj here nuk erdhi vetëm, solli me vete edhe gruan e tij të re amerikane, Sarën.Të gjithëve,  në Korçën e atyre viteve -ishte koha e mbretërisë shqiptare, – u bënte përshtypje ky çift i ri,  i paparë ndonjëherë në këto anë. Gaqo Vërvëri  me bashkëshorten e tij, e veshur allafrënga , bridhnin fushave nga Drenova e tutje, të hipur mbi dy kuaj race.

Ai kishte bërë dhe një shtëpi, diku  në periferi të Korçës, midis  trekëndëshit të sotëm dhe sanatoriumit, me qëllim që fushat ku lodronte me kuaj t’i kishte pranë. Gaqo Vërvëri, i cili nga një djalë i zakonshëm, ishte kthyer në një kampion të mundjes në Amerikë, kishte shumë të gjallë edhe shpirtin e bamirësisë. Ai çdo vit derdhte një shumë të hollash në adresë të jetimores së Korçës. Merrte përsipër të martonte edhe shumë vajza nga familje të varfëra apo jetimë.  Emri i tij filloi të përmendej mes atyre të shumë filantropëve të tjerë korçarë.

Por një natë mizore,  një bandë kusarësh dhe vrasësish të nxitur nga Maliq beu mësyjnë në shtëpinë e bukur të kampionit shqiptaro-amerikan. Maliq  Beu,  nuk dëshironte dhe nuk mund të lejonte kurrësesi askënd mbi veten,  që një  tjetër person ta rivalizonte,  dhe aq më tepër  një i krishterë,  i cili solli në Korçë,  mënyrën amerikane të jetesës. Shërbëtorja e shtëpisë, e blerë prej  njerëzve të Maliq beut, qëllimisht nuk i vuri shulin derës një  mbrëmje.

Njerëz të armatosur hyjnë atë  buzëmbrëmje në shtëpinë e shqiptaro – amerikanit, Gaqo Vërvëri për ta grabitur e vrarë.

Kampioni shqiptaro-amerikan, i cili  e dinte se në ç’vend jetonte e me ç’njerëz kishte  të bënte, mbante poshtë jastëkut ku flinte, një revole. Vrasësit hyjnë tinëzisht nga dera e jashtme e lënë enkas hapur dhe sulmuan  dhomën e çiftit të ri. Tetë veta hidhen ta mbërthejnë në gjumë  kampionin amerikan.  Arrijnë  t’i marrin edhe revolen poshtë jastëkut,  por nuk dinin ta përdornin. Gaqoja  me trupin e tij të fuqishëm,  i flakte tutje kundërshtarët.

– Topuzin ! – thirri ai .Gruaja e tij amerikane shfrytëzoi rrëmujën,  që u shkaktua nga dylyftimi i vrasësve me të shoqin dhe doli nga dhoma. Por ajo nuk e dinte ku ndodhej topuzi. Atëhere shtyu derën e tualetit, e cila kishte në anën e jashtëme një pasqyrë  të madhe, që e maskonte shumë mirë dhe u fut aty. Përveç saj dhe bashkëshortit askush nuk e dinte se pas  asaj pasqyre,  ndodhej  tualeti. Ndërkohë në dhomën e gjumit ndeshja vazhdonte. Gaqoja  mbrohej  i vetëm me grushte  ndaj   bandës së grabitësve. Ai i theu krahun njërit prej tyre dhe vuri poshtë një tjetër, por ndërkohë gjashtë të tjerët u sulën drejt tij dhe e qëlluan me thika. Mbi dhjetë herë vrasësit ngulën thikat në trupin e tij të fuqishëm. Pas këtyre goditjeve Gaqo Vërvëri u shemb në tokë.

Vrasësit u tmerruan nga guximi i tij. Disa i zuri gjaku  dhe disa u plagosën keq. U larguan nga sytë këmbët, pa mundur të vidhnin asgjë. Kjo ngjarje tronditi qytetin e Korçës. Menjëherë  policia e  mbretërisë së Zogut u vu në lëvizje. Gjatë dy luftimit me kampionin korçar, vrasësit u plagosën, dhe lanë shumë shenja. Policia e shtetit shqiptar, më saktë e mbretërisë shqiptare, që ishte vërtet shtet, nuk e pati shumë të vështirë , u shqyrtuan gjurmët e gjakut dhe pas disa ditësh vrasësit u kapën. Ata u dënuan të gjithë me vdekje  dhe u ekzekutuan brenda një kohe të shkurtër.

Kjo ngjarje u përcoll me shumë  indinjatë dhe dhimbje  në qytetin e Korçës. Populli i këndoi birit të tij kampion një këngë  ku spikatin vargjet:

Të vranë,  o Gaqi, të vranë,

Ti me  grushte , ata me kamë.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Gaqo Viveri, historia e kampionit, te mundjes ne SHBA, Vangjel SIMAKU

Metush Krasniqi, shpirti unifikues i rezistences kombëtare

October 19, 2016 by dgreca

KUJTESA- Në kujtim të  30-vjetorit të vdekjes/

1-metush-krasniqi

Selatin Novosella. “Metush Krasniqi, personalitet integrues i Levizjës Kombëtare”. Prishtinë. 2012/

1-metush-shtatore

Shtatorja e Metush Krasniqit/

Shkruan:Ismail Gashi-Sllovia/*

Sot jemi të nderuar ne lypjanasit, që në mesin tonë kemi personalitete vepruese e krijuese, që me veprimtarine e tyre, të përjetuar e të mbajtur në kujtesë, gjitha ato ngjarje nga historia  jonë e gjysmës së dytë të shekullit 20-t. Përmbajtja e të cilave, ishte, jo vetëm e ndaluar, por me ligjet diskriminuese të sistemit komunist slave, edhe e denueshme. Sot këtu po promovojmë veprën monografike, “Metush Krasniqi” (Personalitet integrues i Lëvizjes Kombëtare). Me të cilën, autori Selatin Novosella, na solli në mesin tonë një personalitet, të cilin natyrshëm e pagëzoi personalitet integrues. Praktikisht, Metush Krasniqi e Adem Demaçi, përbëjnë formën dhe përmbajtjen vertebrore, të rezistencës kombëtare për liri, që nga NDSH-ja e deri te UCK-ja, kundër sunduesit okupues komunist jugosllav.

Te nderuar te pranishem. Cila ishte jeta dhe veprimtaria atdhetare  e Metush Krasniqit.  Ky vigan i atdhetarisë, u lindi më 19 gusht 1928 në fshatin Dajkoc. Mësimet e para  i mori, në rrethana të kohës, në gjuhën serbe në fshatin Hodonoc,  klasët tjera të shkollimit fillor i kreu në Gjilan në gjuhën shqipe. Në vitin 1950 diplomoi në Shkollën Normale të Gjakovës, Ndërsa në vitin 1950-1951 filloi punën mësues në Shipashnicë. Atyre viteve i frymëzuar nga veprimtarët e NDSH, në Shipashnicë themeloi organizatën ilegale “Partia Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me Shtetin Amë”. Autoritetet e kohës për çdo vit Metushit ia ndërronin vendin e punës, Metush Krasniqin e transferojnë nga Strezovci në Hogosht, e nga aty në Muçivërcit. Në vitin shkollor 1955-1956 me vendimin e organeve arsimore të rrethit të Dardanës, shkolla 8 klasëshe e Muçivërcës bartet në Roganë, dhe për habi, po me atë vendim, Metushi emërohet drejtor shkolle. Kjo shkolle sot mban emrin e këtij atdhetari. Në vitin 1957 pas ndjekjeve e burgosjeve detyrohet të shpërngulet në Shkup. Atje krahas punës në arsim, me një përkushtim të veçantë, vepron në organizimin e ilegales. Në nëntor të vitit 1958 Metush Krasniqi burgoset dhe dënohet me 18 vjet burg të rëndë. Ai edhe para gjykatës tregoi qëndrim të fort, “…kam shkruar e do të shkruaj e veproj për çdo padrejtësi, që mund ti behet popullit tim”. Pas daljes nga burgu Metushi kaloi disa vite në fshatin e lindjes. Më pas kreu Fakultetin Juridik në Prishtinë, në vitin 1970 u punësua në shkollën e mesme teknike “19 Nëntori” në Prishtinë. Mirëpo 1972, me një vendim të KK të LKJ të Prishtinës, Metush Krasniqin dhe bashkëverprimtarin e Tij Isa Demaj, përkundër shumë kundërshtimeve të kolegëve, e sidomos nxënësve, i larguan nga puna. Metush Krasniqi gëzonte një autoritet të madh në mesin e rinisë shkollore e universitare në Kosovë, kishte një rreth të gjerë shokësh besnik, si: Hasan Dermaku, Rexhep Mala, Hydajet Hyseni, Ilmi Ramadani, Kadri Zeka, Rexhep Elmazi, Zeqir Gërvalla, Sabri Novosella, Isa Demaj e shumë të tjerë. Në vitin 1976 Metush Krasniqi, në reagim të denimit të 35 atdhetarëve në krye me Adem Demaçin, themelon dhe vihet në krye të Organizatës “Lëvizja Nacional-Çlirimtare e Kosovës dhe e Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi” LNÇKVSHJ. Organizatë që shtriu veprimin  atdhetar, si në shumë mjdise shqiptare, edhe në trevën e Lypjanit. Metushi Krasniqi, falë konspiracionit të shokëve, me veprimet e ti politike arriti të hap rrugën Demonstratave të 1981, më 1979 nuk u   zbulua dhe i shpëtoi arrestimit. Gjatë gjithë veprimtarisë atdhetare, Metushi karakterizohet me përpjekje për bashkimin e të gjitha grupeve ilegale, edhe pse ato karaterizoheshin për dallime e anësime ideologjike, por natyrshëm, të gjitha ideal kishin çlirimin  dhe bashkimin kombëtar. Vazhdimisht UDB, e percillëte aktivitetin e verpimet politike të Metushit, më 4 nëntor 1981 arrestohet, dhe në mungesë të fakteve pas katër muaj lirohet. Më 4 nëntor 1985 Metush Krasniqi sërish burgoset, kësaj radhe e burgosen për të fundmen herë, jo për ta dënuar me burg, por përfundimisht për ta eleminuar dhe mbytur fizikisht. Gjatë ditëve sa e mbajtën në burgje, nga disa shqipfolës, hiena që verbërisht i sherbenin okupuesit sllav, e torturojnë fizikisht e shpirtërisht në mënyrat më mizore. Pasi ishte i dërmuar për vdekje, UDB-a më 16 qershor 1986 e liron me të vetmen arsye, të vdes jashtë burgut, më 15 tetor 1986. Varrimi i tij u bë në fshatin e lindjes në Dajkoc.

Vepra monografike përmblidhet me nëntë kapituj me një lidhmëri kohërash, ngjarjesh e veprimesh të dhjetëra e qindra atdhetarëve Që nga NDSH me Gjon Sereqin, në vazhdimësi me veprimtarët intelektual atdhetarë të pëcaktuar dhe të ngritur politikisht e kombëtarisht, si,  Kadri Halimi, Ali Aliu e Ismail Dumshi, me veprimtarët e 1968 dhe të1981, me Isuf Gërvallën e deri te Zëri i Pushkës, dal si prej legjende, e Adem Jasharit dhe ushtarëve të lirisë, që sollën pavarësinë e Republikë së Kosovës. Në kapitullin e parë flitet për Metushin familjar dhe kontributin shembullor në lëmin e arsimit dhe edukimit. Në kapitullin e dytë për themelimin e Partisë Revolucionare për Bashkimin e Tokave Shqiptare me shtetin amë. Në kapitullin e tretë për vazhdimësinë e veprimtarisë atdhetare për çlirim e bashkim kombëtar. Në kapitullin e katërt për “Lëvizjen Nacional-Çlirimtare të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi” (LNÇKVSHJ). Kjo Lëvizje gjeti shtrije ne gjitha trevat shqiptare në Kosove dhe jashtë saj.
Komitetin Qarkor të kësaj Levizjeje u formuar në fillim të vitit 1979 në Lypjan. Kjo erdhi kështu duke u mbështetur në bashkëveprimin e Isa Demaj, Avdi Kelmendit me Sabri Novosellën, Ramadan Pllanen e Shefqet Jasharin. Në komunën e Lypjanit pas vitit 1975 ishte punuar ne drejtim te verpimtarisë kombëtare, dhe ky vit gjeti të rinj mësimdhënës në shkolla të mesme, rini studentore e shkollor qe ishin te gatshem per veprime pavaresisht sakrifices. Keshtu ne kete treve komunale kishte një numër të konsiderueshëm anëtarësh të Lëvizjes. Ky Komitet veproi në shtrirjen e Levizjes edhe në Ferizaj e gjetiu. Komiteti Qarkor në Lypjan kishte anëtarë te devotshem, te cilet kishin dhene prova e deshmi se jane te gatshem per verpim, si.Ismail Gashi, Beqir Lecaj Qemail Aliu, Muhamet Ademi, Banush Bytyqi, Vëllëzërit Adburrahman e Rabit Konjufca. Por, Qarkori kishte edhe celulat e veta me veprimtarë të shumët: Agim Ademin, Ali Zejnullahun, Aziz Hyseni, Ali Ymeri. Isuf Kelmendi, Ekrem Llugiqi e shumë të tjerë, që kryenin aktivitet të dendur në qelulat e tyre në këto hapësira. Në kapitullin e pestë vendimi i pushtetit jugosllav për likuidimin fizik të Metush Krasniqit. Në kapitullin e shtatë Metush Krasniqi në kujtimet e familjarëve dhe të miqve.
Në kapitullin e tetë shkruhet për vlerësimin e veprës së Metush Krasniqit, ndërsa në kapitullin e nëntë e të fundit, paraqiten dokumente nga gjykimet e tij në gjykatat jugosllave.
Metush Krasniqi e Adem Demaçi janë kryeveprimtarët, Kryrkomandatet e Gjeneralet prijetarë të Levizjes sonë Ilegale e gjysmilegales kombëtare, që me shembullin e tyre te veprimit, për dekada të okupimit komuniste sllav kanë frymezuar e inspiruar e breze atdhetarësh ne te gjitha mjediset e rrethanat kohore. Këto dy personalitete janë Lëvizje dhe program politik, që tejkalojnë kohën dhe ideologjitë. Për këto vlera të lavdishme nga tradita jonë kombëtare, tash dhe në të ardhmen, obligohen studiuesit e historisë, që patjeter ta plotësojnë historinë shqiptare, e cila pa veprimtarinë e Lëvizjes nuk është e plotë dhe reale. Metushi në rrafshin prindëror është shembulli i atësisë, në aspektin arsimor tejkalon parashikimet, kurse në atë të atdhetarisë është i pa arritshëm. Veprimtaria dhe qëndrimi i Tij, mbeten përmendore e krenarisë sonë kombëtare. Metushi, tashmë i shpallur HERO i Kosovë, me fjalët e Tij amanet; then Zeqir Gervalles, kur ishte i semuar rende ”Liria do të na ringjallë në parajsën tonë, Në Kosovën tonë. Në Mëmëdheun tonë të bashkuar e të lirë…Me Shqipërinë Mëmë”. Eshtë edhe sot e gjithomonë, Amanet që obligon ti përmbahemi, sot dhe në të ardhmen, në çdo kohë e rrethanë. Autori, Novosella me veprimtarinë e Tij hulumtuese të studiuar e te publikuar deri sot, ka pasuruar vlera historike e kombëtare nga të cilat studiuesit e historisë, publicistikes e kulturës shqiptare, do të gjejnë burime mbështetëse, nga të fillojnë studimet e reja. Në këtë rast i falënderohemi që na dhurojë këtë thesar vlerash, Selatinit i urojmë shëndet e mbarësi në veprimtarinë e mëtejshme.

Lavdi Jetës dhe veprës së Metush Krasniqit dhe gjithë veprimtarëve atdhetarë, Lavdi Dëshmorëve e Martirëve. Nderim luftëtarëve të Lirisë.

*Shkrimi u lexua, me 2 prill 2012, në promovimin e veprës ne Lypjan.Organizuar në shënim të 31 vjetorit   të Demonstratave të 1981.

Filed Under: Histori Tagged With: 30 vjet nga vdekja, Ismail Gashi-Sllovia, Metush Krasniqi

KUJTESE-17 tetor 1979, NËNË TEREZA FITOI NOBEL

October 18, 2016 by dgreca

 

Rilindja,17 tetor 1978: U dha Çmimi Nobel për Paqe NËNË TEREZA-LAUREATE/1-nana-tereza-cmimi-nobel1

-Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja shkruante historinë/

PRISHTINË, 18 Tetor 2016- Gazeta DIELLI- Behlul Jashari /  “U dha Çmimi Nobel për Paqe NËNË TEREZA – LAUREATE”, ishin mbititulli e titulli i gazetës Rilindja në 18 tetor 1979, ku në nëntitull theksohej: “Fituesja, që përndryshe është shqiptare, deklaroi se të hollat prapë do t’i shpenzojë për qëllime bëmirësie”. Gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja raportonte për ngjarjen e madhe në Oslo të një dite më parë.

Në 10 dhjetor 1979 Nana Terezë, pasi kishte pranuar Çmimin Nobël për Paqe në Oslo ka deklaruar: “Përsa i përket prejardhjes, unë jam shqiptare, indiane përkah nënshtetësia, motër murgeshë katolike, përkah thirrja, që i përkas tërë botës…” Këto fjalë të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Terezë, të shënuara në “Rilindja”, mbushën gëzim e krenari gjithë kombin.

Kështu kam shkruar në RILINDJA 60 VJET MONOGRAFI, botuar shtojcë speciale e gazetës tradicionale të Kosovës për ditën e jubileut -12 shkurtit 2005, ku kam cituar fjalët e nobelistes shqiptare Nëna Terezë në ditën e pranimit të Çmimit Nobël.

Nën foton në monografi shkruan: Nënë Tereza në bisedë me dr. Mehmet Begracën dhe redaktorin e gazetës sonë (Rilindja) Nehat Islamin (qershor, 1980).

TË TJERA NGA MONOGRAFIA RILINDJA 60 VJET:

1-gazeta-rilindja-ballina-behlul-jashari-foto

SHKRONJA PËR “RILINDJEN” DËRGOI TIRANA

Në Shtypshkronjën e  “Rilindjes” në Prizren nuk kishte shkronja të  mjaftueshme të derdhura në plumb për shkrim në gjuhën shqipe. Shkronja plumbi të alfabetit shqip në një sasi më të madhe u sollën me arka nga Shqipëria  pas një marrveshje të nivelit më të  lartë në Tiranë të  udhëheqjes së atëhershme të Shqipërisë dhe të Kosovës, marrjveshje që përfshinte edhe dërgimin e mësuesve shumë të nevojshëm për shkollat e hapura kosovare.

HISTORIA NË NJË FJALI

“Rilindja” filloi të dalë më 12 Shkurt 1945 në Prizren, në kuadrin e vendimeve të  Kuvendit të Bujanit, e mandej vazhdoi të dalë në kryeqytetin Prishtinë, si gazetë  institucionale, gjegjësisht me një status të medias publike, ndërsa që nga fillimi i viteve të nëntëdhjeta doli edhe në kushtet e ndalimit e të mbylljes së dhunshme, doli edhe me emrin “Bujku” si gazetë gjysëmilegale dhe e rezistencës, që e sfidoi ndalimin, doli  e pavarur dhe do të mbetet  e pavarur.

1rilindja-nehat-behlul-jashari

RILINDJA MË 1962: KOSOVA FITOI BANORIN E NJIMILIONIT

RILINDJA e datës 6 Korrik 1962 shkruante se Kosova “fitoi këto ditë banorin e njimilionit…”

“Simbas regjistrimit të fundit të 31 marsit të vitit të kaluem, në këtë teritor ka pasë 963.551 banorë…” shkruante gazeta duke shtuar se “asht interesante” se në Kosovë “ka afër 40 mijë mashkuj ma shumë se femna”.

ABETARJA E PARË NË GJUHËN SHQIPE

Sot duel nga shtypi abetarja e parë në gjuhën shqipe e cila me punen vetmohuese të punëtorëve grafik u shtyp, për një kohë realtivisht të shkurtë…Abetarja përmbanë 58 faqe dhe asht  shtyp në 5.000 ekzemplarë.

(RILINDJA, 19 nanduer 1946)

GJUHA E NJËSUAR LETRARE NË RILINDJA NGA 12 SHKURTI 1970

RILINDJA në 25-vjetorin e saj, më 12 Shkurt 1970, filloi të dalë me gjuhën e njësuar letrare shqipe. Me këtë rast, në artikllin “Të mësojmë me vullnet gjuhën letrare” bënte thirrje që gjuhës letrare t’i kushtohet kujdes më i madh nga të gjithë.

PALLATI I SHTYPIT FILLOI TË NDËRTOHET NË NËNTOR 1971

RILINDJA më 20 Nëntor 1971 informonte se një ditë më parë në afërsi të Stadiumit të Prishtinës me një solemnitet rasti filloi ndërtimi i Pallatit të Shtypit. RILINDJA pasi kishte investuar në truallin e Pallatit filloi edhe nëdrtimin e tij, duke qenë udhëheqëse e punimeve dhe investitore.

 

Filed Under: Histori Tagged With: 18 tetor 1978, FITOI NOBEL, Nene Tereza, Rilindja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 390
  • 391
  • 392
  • 393
  • 394
  • …
  • 693
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT