• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SËMUNDJET MORALE

July 12, 2017 by dgreca

4 Bahri Omari

NGA BAHRI OMARI/ Dielli-20 korrik 1916 *

Mjerisht një sëmundje epidemike po shumohet midis shqiptarëve: sëmundje e politikës. Çdo shqiptar të thuash se sheh njëfarë autoriteti në vethen e tij të bisedojë nga çdo pikëpamje mbi politikën e përgjithëshme ose më shumë të vendit të tij. Dhe shumë nga ne e dënojmë, e bëjmë tradhëtor, e çnderojmë ose e lartësojmë një njeri duke bazuar gjykimin tonë mi ca fjalë të thata likshtëdëgjuar andej-këtej, pa patur as të pakën e së pakës nonjë njohuri për biografin e atij njeriu që dënohet ose çnderohet. Tjatri, sikur ka marrë diplomë nga universiteti i Londrës, të hedh broçkulla; dhe në daç t’i mbushësh mëndjen, atë çast të mori nëpër këmbë dhe të gjeti të paditur. Më e madhja çudi është kur përdorin këto fjalët e ra, pa i kuptuar dhe i pëlcasin sheshit. Një sëmundje karakteristike e vëndeve tona, e cila bren gjëndjen sociale të një kombi. S’mund të gjesh një të tillë mani në kombet e qytetëruara. Më të shumët e këndonjësve tanë kanë jetuar shumë kohë në Amerikë, dhe do t’ua ketë hequr vërejtjen dhe do ta kenë parë se sa nuk u përket amerikanëve politika; doemos atyre që janë jashtë politikës, dhe jo atyre q’e kanë për detyrë. Po trashëgojmë një sëmundje greke, se më shumë në grekër është përhapur kjo sëmundje. Kjo sëmundje ndalon njerinë të përparonjë në punën e tij dhe e bën nevralgjik. Kjo sëmundje të bën të fëlliqësh gojën dhe të prishësh moralin. Mos të imitojmë turqit dhe grekërit. Të bëhemi seriozë.
Padija ndahet më dy: Një është ay që s’di dhe e tregon padijën, tjatri është ay që s’di dhe s’ia ka për pesë. Në këtë sërën e dytë hyjnë dhe ata që kanë marrë një mësim superficiel (d. m. th. si e shkruara mbi akull). Nga kjo radhë janë më shumë ata të mjerë politikanë të cilët janë gati të të shesën nga çdo degë shkënce dhe diturie, apo s’u vjen rëndë të të tregojnë mësimet e larta prej universiteteve! të dyshimta. Oh! sa mjerim i math për ne të gjorët që s’dimë se sa na vlen lëkura! Mori botën më qafë gjithënjë çarlatanizma, e cila humbet idealin dhe mendimin qëndrestar, që është faktori m’i math në përparimin e përgjithëshmë të njerëzisë, se i vjen mbarë sicilit të shesë pa blerë, që të marrë famë. Shumë një mikrob i lik!
Si këto, dhe egoizma zë një vënt të math midis moraleve tona të prishura; pothua u bë zakon, pa dëgjuar ndopak zënë ndërgjegjësor, t’i mohojmë vlerën tjatrit, kurse vetja jonë është për të qarë hallë; tallen të verbërit me atë me një sy. Si e si ta biem fjalën mi një pikë që ai tjatri nuk e di, dhe atëherë shkrijmë tërë diturinë tonë të paqënë; dhe ç’nuk thomi, se kështu e dimë që nuk na e gjejnë dot kleçkën. Lipset të jemi seriozë me zëmër dhe jo me fjalë, të mbajmë cilësitë e prindërve dhe të hedhëm ato të ndyrat, të cilat na kanë ardhur jashtazi nga kombet që kanë shkelur Shqipërinë. Ta ndreqim Qeverinë Shqiptare me themel të pa tundur, se moral i prishur kalbëzon rrënjat e qeverisë dhe nuk e lë të vepëronjë lirisht, e pengon dhe më në funt e rrukullis nga maj’ e shkëmbit. Cilësit e liga qenë që dërrmuan Qeverinë Romane dhe ra në duart e Barbarëve.
Bahri Omari ka sherbyer 6 vjet Editor i Gazetes “DIELLI”, u pushkatua nga Enver Hoxha, si antikomunist.

Filed Under: Histori Tagged With: Bahri Omari, Semundjet morale

SHOTE GALICA, NUSJA E MALEVE

July 11, 2017 by dgreca

Shkruan:Eugen SHEHU/

1 Shote e azem GalicaSi rrallëkund në historinë e kombeve të tjerë,tek ne,përbri emrave të luftëtarëve të shquar,jetojnë ende legjendat e trimëreshave po kaq trime e të paepura.Ato kanë qenë e mbeten në breza, bashkëudhëtare të eposit shqiptar.Ato e mëkuan këtë epos sa me qumshtin e gjirit,aq edhe me gjakun e derdhur.Qumështi dhe gjaku u ngjizën përjetësisht në shkëndijat trimërore duke ngritur gur pas guri,ate që mund ta quajmë ndryshe edhe vetëdije nacionale.

Emri i vërtetë e Shotës është Qerime ! Ajo ka ardhur në jetë prej prindërve Halim dhe Sala nga Radisheva e Drenicës,në nëntorin e vitit 1895.Pakkush e di por në lindjen e Shotës kanë shkrehur pushkë.Nuk është prish zakoni i vjetër i shqiptarëve,që qisnin pushkë vetëm kur lindin djem,ngase Qerimja e vogël ishte motra e gjashtë vëllezërve dhe në Radishevë duhej ta dinin për këtë lindje të gazmuar.Sidoqoftë,këto të shtëna armësh mbeten një simbolikë e përjetshme midis Qerimes dhe vetëdijes së vet nacionale.Ato krisma dukej se paralajmëronin që kjo bijë e Radishevës,jo vetëm do të fisnikëronte gjashtë vëllezërit e saj,por tek e mbramja do të kthehej në një simbol të shpirtit kryengritës të popullit të vet.Qerimja e vogël nuk do të mund të shkollohej në Radishevën e Drenicës. I jati s’mund ta çonte diku larg ngase kanuni nuk lejonte me nxjerr vajzën prej shtëpie, veç ate ditë kur do të hingëllonin kujat e krushqisë tek dera.Por bija e Radishevës u rrit duke pirë në gurën e pashtershme të urtësisë dhe trimërisë popullore.Mes kujtimeve bubulluese të luftërave të Drenicës,Qerimja e vogël u rrit sa me trimërinë e të parëve të vet,aq edhe me urretjen për armikun shekullor serbin.Veçmas i jati Halili e donte shumë vajzën e vogël.E merrte në krahë,e nxirte në luginat e bukura të Radishevës,i bënte vend në odën e zjarrit.Qerimja ishte e shëndetshme,e bardhë si bora e malit,e qeshur,ndaj dhe i jati,me përkdhelje quajti Shote.Dhe ç’prej asaj kohe e deri në ditën kur u shua ajo dritë e bukur e syve,ate e thirrën vetëm Shote.Kështu e thirri Azemi,kështu e thirri Hasan Prishtina,Bajram Curri,Sadik Rama,Sadik Bardhi i Rugovës,Ram Rexha e qindra trima e bashkëluftëtarë të saj.Kështu e thirrën vëllezërit e saj e të Azemit.Kështu e thirrën gurrat e pashtershme të bjeshkëve dhe zogjtë e maleve.Ajo mbeti në kujtesë të një kombi si Shote e maleve.

Janë të njohura tashmë,kryengritjet në Kosovë të viteve 1908-1909.Në rrafsh të vetëdijes nacionale,këto kryengritje masive me armë në dorë,shërbyen si piketa të para,prej nga orientohej kryengritja e përgjithshme shqiptare,për të flakur tutje errësirën e padijen,për t’u bashkuar në rrugën e ardhmërisë si krejt popujt e tjerë evropian.Ka qenë pikërisht vera e vitit 1909 kur në fshatin Radishëvë erdhën hordhi të armatosura të Xhavit Pashës në ndjekje të Isa Boletinit.Ngase luftëtarët e Radishevës,Shushicës dhe Strellcës u vunë pushkën ushtarëve Osman,edhe zemërimi i pashait famëkeq ishte pa fre.Ai u vuri zjarrin krejt shtëpive duke detyruar pleq,gra e fëmijë të mirrnin malet.Mes tyre ishte edhe Shota.Ajo betohej,duke parë kullat e Radishevës,tek digjeshin,se do të rrëmbente armët e do t’i mbante në jetën e saj.Ishte vetëm 14 vjeç.Me gërshteta të bukur,të zeza me sy që i shkëlqenin,dhe me betimin e mbajtur deri në çastn e mbramë.

Vitet që rrodhën më pas,ishin tejet të trishtueshme.Duke ngarendur drejt dritës së madhe,populli i Kosovës (si dhe krejt vilejeteve shqiptare) duhej të kapërcente malet e vuajtjeve.Kullat e djegura duheshin ringritur nga themeli,malet dhe fushat e vogla duheshin mbjellë,jeta duhej të rilindëte përmes dhimbjesh të mëdha.Shotja u ndihmonte prindërve e vëllezërve.Por tashmë,ajo u lutet atyre që ta mësojnë të qesë me pushkë.“Herët po don me msue me qitë ,oj motër !“ i thoshin vëllezërit. „Ani ma mirë njeriu me msue herët të hidhtat.Të amblat vijnë ma ndejna!“ u përgjigjej ajo vëllezërve.Por pushkën asesi,Shota nuk do ta ndate nga çiftelia.Zëri i saj i ëmbël bashkohej me tingujt e butë të çiftelisë dhe këngët e bukura duket se qetësonin sadopak shpirtërat e zhuritur të luftëtarëve të Drenicës.Në livadhet e Drenicës,në verën e vitit 1912,atëherë kur thirrjes së Hasan Prishtinës dhe Isa Boletinit,iu përgjegjën 2000 burra nga Drenica,u mblodhën edhe mjaft gra e vajza për t’i furnizuar me ushqime e për t’i përcjellë trimat.Aty Shota pat shkuar të përcjellë baban e katër vëllezërit,natyrisht duke iu lutur të ishte me ta.Por zakoni e desh që çikat të mos rreshtoheshin ende në krah trimave dhe Shota diçka u trishtua natyrisht.Ajo takon aty,në ate përcjellje,edhe trimin Azem Galica,e ndjen t’i,rrahe fort zemra në krahëror.Përcjellja ishte e dhimbshme.Trimat shkonin të rrethuar prej dashurive ngase ardhja e tyre nuk dihej.Serbët donin të mbysnin ende pa ardhur në jetë,foshnjën që quhej liri.Ata i tmerronte kjo lindje ndaj nisën drejt Drenicës,Gjakovës, Prizërenit, Tetovës e Strugës,e Kumanovës mijëra çetnikë serb.

Kuvendi historik i Vlorës,ky akt madhor i shqiptarëve,u realizua tek e mbramja prej trimërisë dhe grykave të armëve të mijëra kryengritësve në beteja të përgjithshme në trojet e pushtuara nga serbo-sllavët.Qindra prej këtyre luftëtarëve japin jetën e tyre të njomë,pa ditur se disa muaj më pas diplomacitë evropiane do t’ua „dhuronin“ këto vise Serbisë duke mos njohur jo vetëm të drejtat natyrore,por as gjakun e derdhur për lirin shqiptare.Lidhur me këtë shtypi i kohës do të shkruante ;

„Të drejtat diplomatike ! Gjdo me thnë kjo ? Për të vrafnit e të pafuqishmit përalla e gënjeshtra… vise tanësisht shqiptare u japin serbëve të cilët,si u kurdisën brenda zunë të përdorojnë mbi ate popull,masa barbarizmi,i vrasjeve,djegje,plaçkina,dhune e gjithë lloje poshtërsina që mund të mendohen“. ( Gazeta „Shqypnija e Re „ më tetor 1913 ).

Anipse përmes tymit e flakëve,përmes brengave e halleve,populli i Kosovës luftoi pa u epur.Mandej ai dëshmoi mbijetesën,dëshirën dhe besimin për një të ardhme akoma më të mirë.Këtë e dëshmuan edhe Shota me Azemin,këta trima të Drenicës,me martesën e tyre,në vjeshtën e vitit 1915.Ngase Azem Galica ndiqej prej serbëve,tok me vëllezërit e tij dasma ishte tepër e thjeshtë e jo sipas traditave të atyre anëve.Shota nuk hodhi duvak sipas zakonit por së bashku me vëllezërit e Azemit,u nis për në Galicë e rrethuar veç prej dashurisë së prindërve dhe vëllezërve të vet.Kjo darsëm pas disa ditësh u kthye në betejë e duke shtënë pa u friguar mbi serbët,duke çarë rrethimin tok me Azemin,duke u ngjitur lugjeve e majave të Drenicës,ç’prej atij momenti,Shote Galicës i thonë ndryshe,edhe nusja e maleve.Ajo hynte kështu në histori me trimërinë e saj.Kjo trimëri,u kalli datën kurdoherë çetnikëve serb,ashtu sikundër shkeli mbi një zakon shqiptar që nuk lejonte çikën të dilte në mal me burra.Shote Galica,në këtë kuptim,është kalorësja e parë fisnike e atyre qindra e mijëra grave shqiptare,që më pas luftuan trimërisht në krah të burrave e vëllezërve të tyre. Tashmë rreth Azem e Shotë Galicës,janë tubuar një grusht trimash të Drenicës.Ata kërkohen me ngulm prej pushtuesve serb,ndaj edhe kalojnë një jetë tejet të vështirë,në ilegalitet të plotë.Ngatëresat e Ballkanit në Luftën e parë Botërore,do të ishin të mëdha.Drenica do të ndahej midis dy zonave të influencës,të austrohungarezëve dhe bullgarëve.Në vetëdijen e Azemit dhe Shotës,ishte ngjizur mendimi se të dy këta pushtues kishin ardhur këtu për pjesët e tyre,ndaj duheshin luftuar pa më të voglin dallim.Ata kryejnë në vitet 1916-1917 një varg betejash e përleshjes të cilat sidoqoftë kishin përmasa të vogla,lokale,ngase ishin të pakët në numër dhe të armatosur keq.Ndër këto luftime,natyrisht,nuk mund të lihet në haresë ai në rrethinat e Mikushnicës.Një pritë (që ende sot mund të shërbejë si model i luftës popullore) u ideua nga Azemi në rrugën që të nxjerr nga Mikushnica.Me dhjetra forca të xhandarmërisë,u befasuan prej zjarrit të armëve Shqiptare.Falë terrenit,por edhe trimërisë,Shota dhe Azemi qëndruan në vijë të parë të pozicioneve duke sjellë panik të pa shoq në radhët e xhandarmëve.Lufta vazhdoi rreth katër orë dhe në tërheqjen e sipër,xhandarmët lanë 11 të vrarë e të plagosur ndërsa çeta e trimave,pasi mori armë e municione u ngjit sërish në mal.Luftëtarët drenicarë,ç’prej luftës së Mikushnikut, e kuptuan se Azemi dhe shota,do të ishin kurdoherë në ballë të tyre,në sakrifica e mundime.Lidhur me këtë betejë,por edhe të kapedanëve të tjerë shqiptarë,do të mbante pos të tjerave,një qëndrim tejet krenar,shtypi shqiptar i asaj kohe ; „Ata janë atdhetarë të ndershëm që e kanë shkuar jetën me ëndrrën e ëmbël që ta shofin atdheun e tyre të lirë“.(Gazeta „Dielli e Flamuri“ Boston-Mars-Tetor – 1916).

  Marsi i vitit 1917,do të sillte të tjera ngjarje ku  natyrshëm do të spikatnin guximi dhe trimëria e Shotës dhe Azemit.Të ndjekur këmba këmbës prej serbëve,Shotë dhe Azemi patën bujtur disa kohë, në pranverën e vitit 1917,në fshatin Obrij,në shtëpinë e një mikut të tyre.Forca të shumta të milicisë bullgare e rrethojnë shtëpinë duke zënë pozicione dominuese edhe në fshat.Pas kësaj,ata i bëjnë thirrje Azemit të dorëzohet por ky i përgjigjet si kurdoherë me flakën e pushkës.Dikur pas disa ore luftimesh,atëherë kur Azemi është i plagosur,lufton vetë sa në frengji të sajën,po aq edhe aty ku pat luftuar Azemi.Të ndihmuar edhe prej vëllaut të Shotës,Rexhepit,si edhe disa trimave të Obrijës,pas disa orë luftimesh milicia bullgare tërhiqet në turp e humbje. Dhe sërish në verën e vitit 1918,çeta e Shotës dhe Azemit,do të kryente disa aksione të guximshme.Duket se trazirave ballkanike po u vinte fundi dhe austrohungaria kish perenduar së bashku me ëndrrën e imperatorisë së madhe.Të informuar se në një granizon austriak,në rrugën Pejë – Mitrovicë,ndodheshin pasuri të mëdha në armatim,municione e ushqime,çeta e trimave të Drenicës organizoi një sulm të rrufeshëm ku veprimet më me rëndësi i mori mbi vete Shote Galica ngase Azemi ende ishte me plagë në trup.Hipur mbi një kalë të madh,të bardhë (rrëmbyer austrohungarezëve) Shota mundi të çaje rethimet e garnizonit armik duke krijuar pështjellime të mëdha në formacionet armike.E mbështetur edhe prej vëllezërve të saj,si edhe një grushti trimesh të Drenicës,ajo bëri që në goditjen e parë,të vriten disa ushtarë e oficerë ndërsa qindra të tjerë të marrin arratinë duke hedhur deri edhe pushkët e tyre.Dy ditë pas sulmit të këtij garnizoni,në rrugën Pejë – Mitrovicë,ishin me mijëra kokë bagëti,ushqime,armë e municione që iu zunë austrohungarezëve dhe iu dha falas popullit të atyre trevave.Tashmë,emri i Shotes,hipur në kalë,po arrinte në kufijtë e legjendës.Në verën e po këtij viti, çeta e Shote dhe Azem Galicës,kishte më tepër nga 400 luftëtarë trima dhe të armatosur.

Është i njohur tanimë rreziku me të cilin u përball Shqipëria,në mbarim të Luftës së Parë Botërore,në vjeshtën e vitit 1918.Ushtritë Italiane që ndodheshin në Vlorë,nisën të zënë pozicione të reja duke synuar tashmë jo vetëm Vlorën,Fierin dhe Himarën por deri edhe Durrësin,Korçën, Kolonjën e Pogradeci ishin nën protektoratin Francez dhe kurdoherë të kërcënuar prej synimeve shovene greke.Ndërsa trupat serbe pasi patën shkelur kufijtë  e vendosur në Londër më 1913,marrëshonin drejt Tiranës.Shtypi shoven serb në atë kohë,nuk reshtete së propaganduari se ushtritë serbe,po marshonin drejt Tiranës për të luftuar kundër austrohungarezëve,por kjo demagogji kursesi nuk mund të vinte në gjumë shqiptarët.Ata e dinin se pas kësaj „lufte vëllazërore“ do të vinte pushtimi i plotë i trojeve shqiptare,ndaj ngritën armët në mbrojtje të tërësisë toksore,duke dëshmuar se janë jo vetëm trima por edhe syçelë ndaj rrezikut sllav,kësisoj çeta e Shote dhe e Azem Galicës,në vitet 1918-1920,do të kryente një varg aksionesh në krejt Drenicën duke vënë kësisoj në mendime jo vetëm Beogradin por krejt kancelaritë diplomatike të Evropës.Ky varg betejash,do të ndirisnin kurdoherë nën  një shkëlqim të paçmuar,në krejt kostelacionin e përpjekjeve shqiptare për t’u çliruar prej zgjedhes serbe.E vërteta është se qeveria serbe e asaj kohe,mori masa të mëdha shtrenguese ndaj fshatrave të kosovës.Një ligj i detyrueshëm,merrte nën armë fëmijë të moshës mbi 16 vjeç dhe këta rekrute degdiseshin në veriun e serbisë për mos t’u kthyer askurrë në vatrat atërore.Njëkohësisht propaganda çetnike e atyre viteve,nuk rreshti së predikuari paqë,nën kishën serbe,duke dashur të shuaje në vetëdijen tonë kombëtare shkëndijat e lirisë.Këtë fakt e pat vënë re,pos të tjerave Komiteti Kombëtar i Kosovës i cili porosiste të mbahej i ndezur prushi i shqiptarizmës ngase „administrata serbe po bën përpjekje për të mashtruar shqiptarët e Kosovës“(Arkivi Qendror i shtetit, fondi  Mbrojtja  Kombëtare e Kosovës,dosja 13, dokumenti 345).

Në fillim të viteve 20 , çeta e Shote dhe e Azem Galicës,bashkërendojnë veprimet luftarake edhe me çetat e tjera që komnadoheshin prej trimave Abaz Kurrumeli,Met Delia,Ajet Dervina,Adem Myftari etj.Trevat shqiptarë të Kopiliqit,Rakinicës,Bukoshit,Likoshanit e Drenicës, gjëmonin herëpashere prej pushkëve të trimave duke kënduar këngë trimërie në ruajtje të kufijve etnike shqiptare.Me vlerë është të kujtohet se këtë çeta trimash askurrë nuk rendën në luftime për të marrë gjaqe apo të etur për të zbatuar zakone të verbëra.Ata kapërcyen mbi këto realitete tragjike shqiptare dhe u përpoqën të jepnin shembullin e pastërt të flijimit në emër të lirisë.Në krejt këto beteja të zhvilluara,këto çeta u udhëhoqën prej programit të shpallur të Komitetit të Kosovës i cili përndryshe mund të emërohet si kodi zakonor e shpirtëror i krejt trimave të Kosovës.Në një prej neneve të kësaj rregulloreje mabrëkombëtare,pikërisht në ate me numër 8 thuhej tekstualisht ; „çeta ose komita shqiptare,tue mos e humb kohën nëpër qytete ose katunde,duhet të ndjeke animukn këmba-këmbës“. (Arkivi Qendror i shtetit,Fondi Komiteti Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës,dosja 52,fleta 7 ).

Parë në këtë rrafsh,çeta trime e Shote dhe Azem Galicës,do të shërbente për komitetin e Kosovës,si ai ylli i ndritshëm i cili u tregonte dikur udhën karvaneve të muharxhirëve.Shote Galica,anipse me burrin e palgosur disa herë,nuk trembej të ndërmerte veprime veshur si djalë,me ate zërin-furtunë ; O prite Azem Galicën ! ajo do të triumfonte në sa  e sa beteja duke ftuar edhe bashkëluftëtarët e vet për heroizma. Tashmë çmimet për kokat e Shotës dhe të Azemit,janë të mëdha.Beogradi kërkon vdekjen e tyre me çdo kusht ngase shkëndijat e zemrave të tyre po ndiznin zjarre të mëdhenj,anë më anë të Kosovës.Një muzg të datës 9 gusht,Azem Galica mëson se drejt fhsatit të tij,do të niseshin formacione luftarake serbe-çetnike për të djegur fshatin dhe masakruar banorët e tij.Burrit  të maleve iu dhimbsen krejt shtëpitë e fshatit,ato që e patën mbajt si birin e tyre.Ju dhimbs edhe nëna e vetë e vetmuar, e cila rriste në varfëri jetimët,djemt e vajzat e dy vëllezërve të vet,të vrarë nga pushtuesit serb.Ai bisedon me bashkëluftëtaren e vet,trimëreshën Shote dhe kjo sakaq niset e hipur në kalë,si në baladat e lashta shqiptare,çika trimëreshë udhëton përmes shtigjeve të rrezikshme,pa u ndalur, e vetme pas 48 ore mbërin në Galicë.Pothuaj se në ag,troket në derë dhe nuk shmallet dot me vjerrën,trimen tjetër të Galicës.Por ende pa zbardhur drita,kur qepallat e bukur të Shotes sapo i kish mbyllur gjumi,u dëgjuan thirrje tek porta.Ishin çetnikët-serb.Vinin të armatosur deri në dhëmbë,të ndërsyer si një lukuni ujqish të cilët duan vetëm gjak.Po nënë e bijë kanë thënë fjalën një herë dhe asaj fjale do t’i vënë deri në çastin e mbramë të tyre.Pushka e Shotës ka shtënë e para.Nëna e Azemit ka vrapuar,me pushkë në dorë e disa breza fishekësh duke zënë një dritare tjetër nga ana e pasme e shtëpisë.Ajo e ka kuptuar se duhet bërë disa çaste një mbrojtje  e fuqishme me zjarr, ngase më pas po aty mund të ndërhyjnë në luftime burrat e Galicës.Beteja fillon e ashpër dhe Shote Galica qetësohet shkon nga njëra frengji e kullës tek tjetra,duke shënuar mbi çetnikët serb.Hera herës,nëna e Azemit e këshillon nusen të bëje kujdes se çikë e re dhe jetën e ka përpara.Shota i përgjigjet :

                                                             „Mos bre nanë,çka je kah flet ?

                                                               Kush s’ka rrnue,treqind vjet.

                                                               Fort po ban Shota gajret

                                                               Sa herë qet,ka nji po vret „.

Është dashur vetëm një orë beteje dhe pas kësaj,kullat e Galicës kanë nisur zjarrin të gjithë.Brenda tyre,valonte jo vetëm hakmarrja për shkijet por edhe dashuria e madhe që krejt fshati ruante për Shotën,nusen e maleve,dhe trimëreshën nënë Sherifen.Tashmë batalioni i xhandarmërisë serbe,i ndodhur midis dhjetra zjarreve, e ka të vështirë të vazhdojë betejën.Me shpejtësi ai i organizon tërheqjen e të vrarëve dhe të plagosurve dhe merr udhët teposhtë Galicës,i trembur se mos në ndihmë të fshatit vjen vetë Azemi.Kur armët kanë heshtur gratë e burrat e Galicës,mësyjnë me respekt drejt kullës së Azem Galicës.Ata takohen me nusen e fshatit të tyre Shoten,i gëzohen trimërisë së saj, e pyesin për Azemin dhe i afrojnë bujarisht disa bijë  të tyre që t’i marre me vete në luftë.Dy tri ditë më pas,ngjarja do të merrte dhenë dhe emri i Shote Galicës do të artikulohej deri në ministrinë e luftës së beogradit shoven. Ndërsa shtypi shqiptar do të shkruante ;

„Gati çdo ditë po bahen të ndjeshme e të përgjakshme,ndeshjet midis serbëve e shqiptarëve.Në Drenicë një batalion serb,e pat rrethue me të pabesë shpinë, e Azem Galicës.Ky i mrami nuk u gjet aty.Por nana e Azemit hapi luftën… Gruaja e Azemit i çau serbet me pushkë në dorë e shpëtoi nderen e shtëpisë“.( Gazeta „Populli“ 14 gusht 1920 ).

Është gjithashtu i njohur prej historiografisë sonë,fakti që në qershorin e vitit 1920,në Kukës u organizua një sulm i përgjithshëm ndaj formacioneve luftarake serbe në këtë trevë.Ky sulm,u ideua dhe udhëhoq prej Hasan Prishtinës,Bajram Currit,Shote dhe Azem Galicës,si edhe Sadik Ramës.Anipse Hasan Prishtina u tregua i vëmendshëm që në drejtimin kryesor të vinte forcat e tija, Shota e maleve propozoi të godiste ajo e para,duke u kthyer kësisoj në protagoniste të kësaj beteje.Duke luftuar në udhëheqje të dhjetra luftëtarëve,Shote Galica grishte këta për heroizma të mëdha.Disa ditë luftimesh të ashpra,të ndihmuara edhe prej çetave vullnetare të Hasit e Krumës, bënë që kufijt veriorë të shtetit amë të ishin të lirë.Ky shpirt i madh i Shote Galicës,ajo trimëri e saj,këkonin me ngulm që të shkatëroheshin themelet e atij muri të madh që donte të ndante shqiptarët,vëllezër të një gjaku në shekuj.Duke parë se pusitë dhe dredhitë,nuk po e frigonin aspak çetën e luftëtarëve të Shote dhe Azem galicës,shtabi ushtarak i Beogradit,mendoi të ndërrmerte bisedime me këta luftëtarë,duke u përpjekur të mësojë sadopak jo vetëm mbi qëllimet por edhe organizimin e burimet e kësaj rezistence me përmasa epokale.Kështu,me ndërmjetsimin e një shqiptari,u realizua një takim në ledinat e Pollacit në gushtin e vitit 1923,midis këtyre luftëtarëve dhe Mihaillo Ceroviqit,dikur prefekt i Mitrovicës.Shote Galica për të krijuar idenë se nuk ishte gruaja e vetme që luftonte në malet e kosovës,zgjodhi edhe disa gra e vajza nga Drenica,i veshi ato me tirqe,i armatosi dhe i solli aty në kuvend të burrave.Biseda në fakt nisi e ashpër dhe mjerani ceroviq,duke parë se Azem galica nuk lëkundej aspak prej ideve,u mundua të ofroje disa dhurata të beogradit.Kjo e keqësoj më tej bisedën dhe për më tej ai iu drejtua Shotës ;“ç’asht nevoja që edhe gratë me ba një jetë të egërsume si kjo ?Shota iu përgjigj ; „nuk ashtë egërsia jonë por e juaja,që nuk na leni me jetue të qeta si nana fëmijësh,por silleni si ushtarë malesh për me krye detyrën ndaj atdheut… Krali asht gjakësi e ndrydhësi ma dinak,prandaj na nuk i kemi besue e nuk i besojmë kurrë.Le të tërbohet sa të doje,si krali edhe Pashiçi i Serbisë.Këtu jena.Nuk ikim.Burra e gra kena me luftue,rropatemi por s’dorzohemi.Dhe ka me ardh dita,që mbi gjakun tonë të derdhun,ka me mbi liria“.(A.Haxhiu , „Shote dhe Azem Galica“ faqe 205).

Sigurisht,ajo çka do të trishtonte së tepërmi,zemrën e Shote Galicës,do të ishin ngjarjet e verës së vitit 1924,çetat e luftëtarëve në kosovë,kësaj vere numëronin në rradhët e tyre me mijëra vetë.Ndërkaq patën nisur bashkërendimet midis këtyre çetave,me formacionet e rregullta të ushtrisë kombëtare shqiptare.Atdhetari prej Prishtine Ali Riza Kosova,në krye të formacioneve kufitare të shtetit amë,pat parashikuar jo vetëm lëvdata për trimat Azem e Shote Galica,por sidomos bashkëpunimi konkret antiserb.Ky bashkëpunim nuk mund të kish tjetër strategji,pos përfitimit të kufijve etnike të shqipërisë,që qenë coptuar padrejtësisht në Londrën e vitit 1913.Këtij bashkëpunimi tejet të sinqertë,do t’u kundërviheshin me planet dhe veprimet e tyre,qeveria dhe shtabi ushtarak i beogradit të cilët sigurisht parandjenin rrezikimin e kufijve të përfituar me dhunë.Është kjo arsyeja që në qershorin e vitit 1924,në drejtim të Drenicës,nisen mijëra ushtarë serbo-sllavomaqedonas të Armatës së tretë të Shkupit,të drejtuar nga kriminelei Bozhidar Terziq.Të përforcuar me reparte artilerie,synimi i trupave të kësaj armate ishte tek e fundit,jo vetëm goditja e rezistencës por sidomos bombardimi dhe kallja në zjarr e krejt fshatrave të kësaj treve e cila ishte kthyer në simbol të heroizmit mabrë kombëtar shqiptar.Arbania e Vogël,përndryshe zona e lirë e Kosovës,u mësy në mëngjezin e 12 korrikut të vitit 1924 nga mijëra ushtarë.Ndërsa pozicionet e trimave i duken,artileria nisi të godiste aq fort sa ato shkrepa kurrë s’patën gjëmuar,në kujtesën e viteve.Mbi trimijë gryka zjari,donin të vinin në grykën e Drenicës,litarin e rrobërisë.Dhe përgjigjja erdhi si rrufeja :O prite Azem Galicën ! Kish qenë Shota,nusja e maleve,ajo vetëtima e parë,kushtrimi i parë i asaj beteje që zgjati plot tri ditë e tri netë.Më pas ç’ka ndodhi,veç kujtesa e gurëve të Arbanës së Vogël,mund të dëftejnë.Një plumb e plagos rëndë Azemin.I është dëmtuar shtylla kurizore dhe gjaku s’ka të pushuar.Shokët e marrin në krah.Vështirë të çahet rrethimi.Shota ndjek me vëmendje çdo lëvizje të burrit të saj dhe mendon të tërheqe vëmendjen duke dalë prej kulle ku luftonte.Dhjetra batare plumbash e ndjekin por si në legjenda ajo çan rrethimin.Trimi është shtrirë në vig,për mos t’u çuar dot më.Në shpëtim të jetës së tij,janë tani jo vetëm bashkëluftëtarët e Galicës por edhe trima të tjerë si Shaban Polluzha „Mbahu he burrneshe,i pat thënë Shaban Polluzha,kujdes Azemin,paj Drenicën e ruajm na „.

Tri ditë e tri netë,vigu me trupin e Azem Galicës,kapërceu pyet e livadhet e Galicës, Verbovcit,Rrezallës e Gjurgjevikut.Të katërtën,në shkëmbijtë e Përçevës,u mbyllën sytë e trimit.Shotë Galica jetoi deri në çastin e mbramë me trimin e saj.Anipse e dinte fatin e burrit,zëri i saj askurrë nuk u ligështua.U betua mbi trupin e tij,mbi sytë e mbyllur të trimit,duke iu thënë bashkëluftëtarëve „Kosova jonë asht e papërkulun.Ajo i ka rrënjët në zemrën dhe në trupin e heronjëve“.Thirrja :O prite Azem galicën , do të jehonte tashmë ç’prej Krume e deri në Drenicë.Së bashku me Met Delinë,Sadri Vitakun, Miftar Llaushën e dhjetra trima të tjerë,nusja e maleve do të ndërrmerte aksione mjaftë të guximshme të ideuara dhe drejtuara personalisht prej saj.Aq të befta e trimërore ishin këta sulme,saqë për mjaft kohë,shtabi ushtarak serb nuk ishte në gjendje të përcaktonte nëse Azemi ishte gjallë apo vdekur.Tashmë legjenda përsëritej në dimensionin e saj kulmor.Kësisoj për të ardhur deri në vjeshtën e vitit 1926.Ndjekjet e qeverisë serbe vazhdonin pothuaj çmendurisht.Ato kulla që spiunoheshin se patën ruajtur Shote Galicën,digjeshin me krejt ç’kishin brenda pa u paralajmëruar.Betejat e shumta,patën rralluar mjaft trima e bashkëluftëtarë të Shotës,ashtu siç rrallon mëngjezi yjet në qiell.

Një muzg vjeshte,ndërsa ishte duke ndejtur në një kullë,në rrethinat e Gjakovës,disa trima të Kosovës martire bisedojnë me motrën e tyre.Ajo është e lodhur,ajo është e sakatuar shpirtërisht e për më tej ndiqet nga çetnikët serb.E këshillojnë të marrë me vete disa fëmijë jetima të Kosovës, e të shkoje në shtetin amë në Shqipëri.Atëhrë vetëm atëherë,burrat e Drenicës kanë parë lot trishtimi në sytë e saj.E pat kuptuar se po ndahej përgjithmonë nga zhurma e luftërave për liri,nga zjarri i betejave të ashpra që i dhanë ate emër të madh,Qerimes së vogël,të dikurshme.Ashtu e përlotur,udhë pa udhë,me bukë e pa bukë,duke u kujdesur për jetimat e mjerë shkon në Shqipëri e vendoset në një fshat të Krujës.E vobekët,pa ndihma,për të ushqyer jetimat,dikur shet kalin e madh e të bukur,të vetmin që e lidhte me kujtesën e ndritshme të luftërave që pat bërë,ajo zonjë krenare, ajo prijëse dikur e dhjetra trimave të Kosovës,tani dergjet në mjerim.Jo rrallë,bijve të denjë të shqipes,fati u paracaktoi një fund të tillë.

Më 7 korrik të vitit 1927,Shote Galica mbyllte sytë.Brenda drites së tyre,mbyllej përgjithmonë imazhi i Drenicës së lirë,pa serb, e bullgarë,pa malazez e austrohungarezë.Dhe kjo i sillte lumturi. Duke e përcjellë për në varrin e thjeshtë,mijëra shqiptarë pyesnin veten të çuditur : Si mund ta nxjer një varr,këtë klithmë lirie,këte Nuse të Maleve ?Përjetësisht, pranë atij varri të thjeshtë,përkulen me respekt gjeneratat e reja shqiptare,dhe ato çika  që rrokën armët dje në fundshekull për ti prurë lirinë kosovës në Mileniumin e rij.Shota e Drenicës ishte mesazhere e këmbimit të duvakut për pushkë.

Bern-Zvicër

Filed Under: Histori Tagged With: Eugjen Shehu, Nusja e maleve, Shote Galica

Vlora e vjetër dhe kalaja e Skelës

July 11, 2017 by dgreca

1 Vlora

Dosjer nga Gëzim Llojdia/*1.Qyteti edhe në foto historike të ruajtur nga dëshmitarë të kësaj periudhe tregojnë fytyrën e qytetit, pak të njohur, të errtë të historisë. Urbanistika e katër lagjeve të hershme tregon përfund katër kodrave (Qafës së Koçiut, Mesovunit, Budakut dhe Kuzbabasë) shtrirje e banesave qytetare dhe ka një arsye që shqyrton këtë shtrirje të qytetit detarë. Deti ka qenë sundimtar i mjaftë ha tokë. Një gravurë e hershme paraqet kalanë e Skelës në Vlorë, kur deti atëherë kishte nën sundimin e tij, sipërfaqe të tëra toke. Dallgët e detit arrinin deri pranë, ndërkaq anijet nëpërmjet një kanali lundronin për të shkuar drejt ngrehinës, me një formë piramide. Nga kalaja e Vlorës, sot nuk ruhet asnjë gjurmë mbi tokë, pasi më 1905, gurët e saj u përdorën për të shtruar rrugën Vlorë-Skelë. Urbanistika e një qytetet detar sigurisht që do të pranonte si zgjidhje shtrirje të qytetit larg kërcënimit të detit kështu konstrukti i qytetit do të gjente vend dhe bazë për të qëndruar larg dihatje dhe zemërimit të detit.Ndërkaq, ata që kanë jetuar pranë detit ia njohin huqet atij. Ligësia e vetëtimave shpaloste egërsinë e moteve të luftës.Urbanistika e qytetit, përbëhej nga banesa qytetare,të vendosura si në një gropë, në pllajën përfund kodrave të Qafës së Koçiut, Mesovunit, Budakut dhe Kuzbabasë nga njëra anë dhe detit, nga ana tjetër. Duke qenë nën nivelin e detit dhe pa sisteme kanalizimesh dhe derdhje shtytëse ujerash, që me rënien e shirave të parë, qyteti përmbytej dhe gjithë pjesa jugore e perëndimore e tij kthehej në një liqen të madh e të pafund të lidhur me kënetën e Nartës dhe me detin… përmbytjet e qytetit nuk janë ndaluar ndonëse një rrjet inxhinierik kanalesh ka përshkruar qytetin.

KESHTJELLA E VLORES 1688

2.Këto pamje i kemi parë nëpër foto të kohës, por ende nuk dimë mirë kontributin e tyre në dobi të qytetarëve në vitet ‘40. Të ngulitura në kujtesë shquajnë një pjesë reale një fotografim të shpejtë nga pamja e qytetit të hirtë. Autori më tej si në një film pa zë, shfaqe banesat e tjera qytetare Shtëpitë e tjera ishin me dy dhe e shumta me tre kate, te ndërtuara me mur guri te gjere, lidhur me balte e traversa druri dhe te mbuluara me tjegulla vendi. Rrugët ishin te ngushta dhe me kalldrëm. Rruga Vlorë – Skelë ishte gjithashtu me gur dhe çakëll e kufizuar me kanale të hapura, ndërsa paralel me te kalonte një hekurudhe e ngushte, qe përshkohej nga 2-3 vagonë të tërhequr me kuaj. Për distanca të gjata përdoreshin karroca me kuaj dhe shumë pak autovetura e autobusë… Një album i arkitektit P. Stefa për Vlorën e vjetër kanë ato imazhe, që ne kemi imagjinuar për banesat karakteristike qytetare të kohës. Për banesat qytetare vlonjate, studiuesi i fotografisë Qerim Vrioni aty nga viti 2007, në një nga sarajet e vjetra të Vlorajve, hapi një ekspozitë. Shumë prej atyre banesave janë sot monument kulture. Këto banesa ende i rezistojnë kohës. Ndonëse në shumë prej tyre karakatinë, fishkëllen era. Vargmali Shashicës, që përsëritet vazhdimisht çuditshëm. Qafa që çdo stinë, ripërtërijnë mbulesën gjelbëroje. Erëra jugore, që çdo stine përcjellin mërzinë. Mjegullat e dendura “sinoptika”e motit, çdo kohë varen përmbi pikëllimin e detit. Pamjet mëngjesore, me mbrëmje të freskëta. Një këndvështrim për qytetin është si një dritare. Pas qelqeve ndjehet, aroma e detit. Në listën e trashëgimisë Grand hotel “Korça”nuk figuron dhe as si godinë nuk gjendet më në këtë qytet. Ku ishte grand hoteli, cili e ndërtoi, sa shtretër dispononte ai? Autori L. K. Çipi thotë se hoteli u ndërtua në lagjen Muradie, afër xhamisë së madhe dhe bashkisë në fillimin e rrugës kryesore të qytetit, që nga lindja të çonte drejt Qafës së Koçiut, hotel “Korça” u hap në vitin 1914 kishte 25 shtretër, tre kate, sallë dhe restorant, ishte pronë e I. Çipit ku emrin e mori për shkakun e përpjekjeje patriotike të korçarëve në mbrojtje të Republikës së Korçës, kundër aneksimit. Në këtë hotel u strehuan patriotë e luftëtarë, burra shteti si Fan Noli dhe kishin selitë e tyre shumë shoqëri patriotike, si: “Djalëria e Vlorës”, “Bashkimi”, “Opinga”, “Mësuesit e Labërisë”, “Labëria” etj. Luan Çipi sjell në kujtesë një histori që zgjati 33 vjet, por që u shua me shtetëzimin e tij në vitin ‘47 dhe iu hoq emri i miratuar nga Bashkia Vlorë në vitin 1914.

3.Gjurmët e kalase së Vlorës, sot ekzistojnë nën një bodrum të llangosur me ujë, nën një ngrehinë shumëkatëshe në zonën e Skelës, përpara stadiumit të qytetit, që ka emrin e skuadrës. Zbulimi i tyre në vitet ‘70 tregojë rëndësinë, që paraqesin muret e hershem të ndërtimit osman në brigje të Adriatikut. Pallati i sportit dhe më tej ndërtimet në vitet e demokracisë me shumëkatëshe i fshinë nga faqja e dheut muret e kalasë së Skelës. Abuzimi që është bërë duke ndërtuar përmbi një monument kulture duhet treguar. Ish-ministri i kulturës Bujar Leskaj nuk firmosi për një shumëkatësh. Dhe sot muret e kalasë së vjetër janë të mbyllura në një bodrum uji. Të pavizitueshme dhe të pashpjegueshme përse janë kandisur në këtë gjendje.Një gravurë e kohës paraqet kalanë e Skelës në Vlorë, kur deti atëherë kishte nën sundimin e tij sipërfaqe të tëra toke. Dallgët e detit arrinin deri pranë ndërkaq anijet nëpërmjet këtij kanali lundronin qartësisht për të shkuar drejt ngrehinës, që ka një formë piramide me disa tregues të hollësishëm. Një gravurë tjetër e paraqitur nga specialisti Gjerak Karaiskaj tregon një pamje të kalasë, muri i saj i jashtëm kullat dhe pemët e shumta që koordinohen njëra me tjetrën. Kalaja më e rëndësishme bregdetare, që ndërtuan turqit në territorin e vendit tonë, është ajo e Vlorës. Kjo ndodhej në bregdet, pranë skelës së sotme të qytetit, rreth 150 m nga buza e detit shkruan Karaiskaj. Ndërtimi i kalasë në këtë largësi kishte për qëllim të zgjaste distancën e mundshme të qëndrimit të anijeve armike dhe për pasojë të pakësonte efektshmërinë e zjarrit të artilerisë së tyre. Nga kalaja e Vlorës sot nuk ruhet asnjë gjurmë mbi tokë, pasi më 1905, gurët e saj u përdorën për të shtruar rrugën Vlorë-Skelë. Por nga përshkrimet e E. Çelebiut dhe nga një studim krahasues dhe interpretues i të dhënave të grumbulluara, i bërë kohët e fundit, mund të përfytyrohet deri diku me saktësi pamja e saj. Kalaja ka pasur në plan formën e një tetëkëndëshi të rregullt, me gjatësi brinjësh 90 m dhe një sipërfaqe prej 3, 50 ha. Muret rrethoheshin nga një hendek i mbushur me ujë, gjerësia e të cilit nuk dihet me saktësi, por ka mundësi të ketë qenë 30-40 m. Ky hendek, që rrethonte kalanë nga ana e tokës, lidhej me detin nëpërmjet dy mëngëve, që veçonin para saj një sipërfaqe toke në formë trapezi. Nga një sondazh që u bë kohët e fundit, me rastin e ndërtimit të Pallatit të Sportit të qytetit të Vlorës, rezultoi që muri i kalasë kishte një trashësi prej 5, 60 m, ishte ndërtuar me gurë gëlqero-rë të vendosur në rreshta të rregullt, një pjesë e të cilëve ishin të punuar. Këta të fundit, të përdorur më tepër për veshjen e faqeve të kullave, kishin forma drejtkëndëshe me përmasa rreth 0, 30×0, 20 m. Lartësia e mureve, sipas E. Çelebiut, ka qenë 15 m dhe ishin të kurorëzuar në pjesën e sipërme me bedena. Në qoshet e tetëkëndëshit kishte nga një kullë poligonale të mbuluar me çati prizmatike. Midis dy kullave dilnin nga kurtinat dy kulla të cekëta drejtkëndëshe, me lartësi të barabartë me muret, që krijoheshin nga një zgjerim i murit rrethues në këto pjesë dhe që shërbenin për të kontrolluar më mirë kurtinat midis dy kullave poligonale. Shkallët, që shërbenin për t´u ngjitur në shtegun e rojeve, ishin vendosur pranë kullave të këndeve, të drejtuara në të kundërt të tyre për t´i dhënë përparësi ngjitjes mbi mure. Kalaja kishte dy porta të vendosura përballë njëra-tjetrës në veri dhe jug. Që të dyja përshkonin nga një kullë katërkëndëshe dykatëshe, të mbuluar me çati me katër kullime. Kullat-portë dilnin plotësisht nga kurtinat dhe ishin më të larta se këto të fundit, ashtu si dhe kullat poligonale të qosheve. Një hyrje e vogël, që përshkonte trashësinë e murit, ndodhej nga ana e detit. Portat e dy hyrjeve kryesore, sipas dëshmisë së Çelebiut, ishin të tipit urë dhe komandoheshin nga katet e dyta të kullave nëpërmjet të një sistemi makarashë dhe zinxhirësh. Sigurisht që këto porta nuk mbulonin kanalin me ujë që rrethonte kalanë, i cili ishte mjaft i gjerë dhe larg tyre, por me sa duket kapërcenin ndonjë hendek të thatë që ishte hapur për të krijuar një mbrojtje të dytë të portave. Ndërsa urat e palëvizshme, që lidhnin dy brigjet e kanalit, megjithëse ndodhen pranë hyrjes, janë të spostuara kundrejt aksit të tyre. Ndryshe ato do të ishin jo vetëm mjet që lehtësonte komunikimin e garnizonit të kalasë, por edhe rrezik në rast rrethimesh. Në pjesën e brendshme të kalasë, pranë murit që shikonte nga deti, ndodhej kryekulla. Kjo ishte një kullë cilindrike masive, që mbizotëronte mbi të gjitha ndërtimet e tjera me lartësinë e saj të madhe. Kulla ishte 7-katëshe dhe mbulohej me një kupolë të veshur me plumb mbi një tambur të ulët poligonal. Përveç frëngjive të shumta për topa, që kishte vetë kulla, këta të fundit vendoseshin edhe mbi platformën që krijohej rreth tamburit deri tek muret e jashtme. Brenda kullës gjendeshin komanda e kalasë, magazinat, etj. E vendosur pranë detit ajo shërbente njëkohësisht për vrojtim dhe për të penguar afrimin e anijeve armike. Muret e kësaj kullë kanë qenë ndërtuar me gurë te punuar me kujdes. Kryekulla e kalasë së Vlorës, nga përmasat, funksioni dhe mënyra e ndërtimit është e ngjashme me Kullën e Bardhë në Selanik, kullën e Rumeli-Hisarit, kullën qendrore në «Kastel de Mare» në Modon, etj. Mungesa e tregut dhe e haneve tregon për karakterin ushtarak të këtij fortifikimi, ku në shek. XVII ndodhej një garnizon prej 400 ushtarësh. Kalaja e Vlorës u ndërtua me urdhër të sulltan Sulejmanit, që erdhi në Vlorë me 1531, për ta pasur atë si bazë ushtarake dhe kantier ndërtimi anijesh luftarake për zbarkimin në Pulje të Italisë. Janë interesante përshtypjet që u ka bërë kjo kala disa studiuesve të shekullit të kaluar, që patën mundësi ta shohin atë akoma në këmbë. Dijetari J. G. Hahn thotë se «kjo kala e tradhton arkitektin turk», ndërsa një vizitor tjetër e quan atë «Kala veneciane». Ka mundësi që në ndërtimin e kësaj kalaje të kenë marrë pjesë dhe arkitektë venecianë. Për kryekullën vizitori më i hershëm i saj, E. Çelebiu, thotë se e ndërtoi arkitekt Sinani, autori i Kullës së Bardhë të Selanikut. Gjatë kësaj periudhe u bënë rindërtime edhe në kalanë e Kaninës, e cila duhej të mbante të nënshtruar zonën kryengritëse përreth. Deri në shek. XVII. mbi një nga portat e kësaj kalaje, sipas dëshmisë së Çelebiut, lexohej mbishkrimi «Sulltan Sulejmani e meremetoi… » Kalaja e Vlorës ishte një nga ndërtimet ushtarake më të arritura të Perandorisë Turke, saqë Çelebiu shkruan se «ata që s´kanë parë fortesat e Sekedinit, Benderit dhe Vlorës, nuk kanë dijeni mbi mjeshtrin e osmanëve», përfundon Gjerak Karaiskaj, studimin rreth kësaj kalaje.

Kodra e Triportit ndodhet pranë Zvërnecit, ku janë zbuluar gjurmë të periudhës qytetare, të cilat janë në vazhdim të shekullit II. Në skajin verior të Gjirit të Vlorës, në Triport gjendet një varg i ulët kodrinor, që vazhdon prej veriut në jug dhe shtrihet deri në buzën e detit. Në veri të tij gjendet liqeni i Nartës, në perëndim dhe në jug deti, ndërsa në lindje gjendet një truall rreth 1 km i gjatë dhe 0. 5 km i gjerë, thotë Apollon Baçe. Qyteti i fortifikuar dhe skela përmenden prej Çelebiut, ku sipas tij “në perëndim të fshatit Zvërnec, në një shkëmb në buzë të detit gjendet kështjella e Jengjeçit, prej së cilës ruhen vetëm rrënojat e mureve dhe një liman shumë i madh. Me gurët e tyre, Sulltan Sulejmani ndërtoi fortesën e Vlorës. Fakti që muret e kalasë së Vlorës janë ndërtuar me blloqe të thyera të periudhës antike, na shtyu të vëzhgojmë më me kujdes zonën e mësipërme. Gjurmët që u gjetën nga sondazhet treguan se linja e mureve ndiqte kodrën në 2/3 e lartësisë së saj, duke rrethuar një sipërfaqe prej 3 ha. Blloqet e murit, identike me ato që qenë përdorur në kalanë e Vlorës, janë dëmtuar në mënyrë sistematike edhe më vonë, duke shërbyer si gurore për ndërtimet që kryheshin përreth. Megjithëkëtë, poshtë pasqyrës së ujit dhe në pjesët e saj të fillimit ruhen ende gjurmë, të cilat së bashku me disa sondazhe dhe një skicë të K. Paçit, na japin mundësinë që të rindërtojmë në vija të përgjithshme planimetrinë e saj.

*Fotografi të pabotuara me parë

Filed Under: Histori Tagged With: dhe kalaja e Skelës, Gezim Llojdia, Vlora e vjetër

VASIL ANDONI, që Mëmëdheut iu fal…..

July 8, 2017 by dgreca

Vasil andoni

(Ne foto: Vasil Andoni, i dyti nga e majta ne te djathte, ne Krah te Mithat Frasherit/

NGA RUDOLF DELIANA/*

Më 22 qershor 1939, rreth tre muaj nga dita e zezë e 7 Prillit, pushtuesi italian bën arrestimin e parë politik në Elbasan. Darkën e asaj dite, pa zhurmë e bujë, pa tërhequr vemendjen e askujt, arrestohet Profesori Vasil Andoni.Të nesërmen dërgohet në Tiranë e mbyllet në burgun e atjeshëm. Ndoshta ai qe ”vizitori” i parë i asaj ndërtese që pak nga pak u mbush plot me patriotë të tjerë.

Pse u bë ky arrestim? Cili qe Vasil Andoni?Ai dhe Fashizmi a njiheshin me njëri-tjetrin? Përgjigjet e meposhtme do të skjarojnë gjithcka.

Më 1928 V. Andoni përfundon studimet universitare dhe në periudhën 1928-1935 punoi në Normale si profesor i pedagogjisë e si nëndrejtor i saj.Si i tillë ai reformoi Internatin ku jetonte një pjesë e mirë e normalistëve. (Shih ”Normalisti Shetitës” H. Ballshi, S. Spasse). Në këtë periudhë falë tij në Normale u futën për herë të parë metodat aktive të mësimdhënies.Në këtë kuadër e gjithë shkolla u vu në lëvizje.Në Internat nxënësit u bënë vetë drejtuesit e jetës së tyre të brendëshme, duke kryer secili detyra të caktuara, sikur të ishin që të gjithë pjesë e një familjeje të madhe.Në Shkollë lindën për herë të parë ”Shoqëritë Normaliste” nëpër klasa. (Shih ”Elbasan Enciklopedi” f. 559). Secila prej tyre sipas dëshirës dhe mundësive ngriti grupe sportive, teatrore e muzikore, që gjallëruan jetën e Normales e të Elbasanit.

Po në këtë periudhë  të Arsimit tonë, vetëveprimtaria në Normale arriti kulmin me daljen e revistës ”Normalisti”. Qe një revistë pedagogjike që merrte përsipër të vendoste themelet e Arsimit tonë fillor. (Shih nr 1, fjala e A. Xhuvanit). Epiqendër e kësaj veprimtarie që ra në sy në të gjithë Shqipërinë, ishte V. Andoni, prandaj edhe ai u njoh si një arsimtar reformator. (Shih ”Përpjekja Shqiptare” nr 18-24, f. 426).

Pikërisht në vitin 1934 të kësaj periudhe Profesori e njohu për herë të parë fashizmin italian. Këtë ia venë në dukje nxënësit e tij. Ata i tregojnë se profesori i gjuhes italiane, italiani Foresti, herë pas here gjatë orëve të mësimit u lavdëronte Italinë e Musolinit. Atyre u kishte shpërndarë distinktiva fashiste dhe ua paraqiste shtetin e tij si mik e dashamirës të Shqipërisë. Madje në një rast u kishte thënë se do të ishte mirë që në Myzeqe të vendoseshin qindra familje kolone italiane që bujqësinë tonë të asaj fushe pjellore ta çonin përpara. Profesori, nuhatës i mirë politik, e rroku kuptimin e këtyre fjalëve ndjellakeqe për të ardhmen e Atdheut.                            Ai reagoi.  E denoncoi në Ministrinë e Arsimit dhe agjenti italian u largua nga Normalja. Kuptohet se edhe agjentura italiane e pranishme tek ne, e kuptoi ”nga i erdhi kjo e keqe”! Emrin e tij ”e regjistroi” në kujtesën e vet kriminale. Kështu më 1934 ndodhi përplasja e parë midis V. Andonit dhe pushtuesit të ardhëshëm.

  1. Andoni e njohu më mirë ”Italinë Mike” më vonë, në ditët e para të prillit 1939, kur e hoqi maskën e mikut dhe tregoi fëtyrën e vërtetë të armikut. Ato ditë e njohën armikun edhe të gjithë shqipëtarët, prandaj në çdo anë të Atdheut nisën demonstratat. Kështu në Elbasan normalistët e populli në shenjë proteste grisën flamurin italian, që varej në ballkonin e një ndërtese në qendër të qytetit. Edhe në Tiranë ndodhi e njejta gjë. Në këtë veprimtari masive popullore përfshihet edhe V. Andoni që në atë kohë ishte profesor në Gjimnaz e Teknike.. Bashkë me kolegë të tjerë organizoi nxënësit e vet. I bashkoi ata me ata me ato të Shkollës Femnore ”Nana Mbretneshë”.Vendoset në krye të tyre dhe i drejton në Pallatin Mbretnor, ku të gjithë kërkojnë armë për mbrojtje të Atdheut. Kjo qe përplasja e dytë e V. Andonit me pushtuesin, që ende s’kishte ardhur, por më e fortë se e para. (Shih kujtimet e H.Babmetos te gazeta liria dhe kujtimet e Ramazan Turdiut)

Të tretën përballje e bëri më 7 Prill, kur në Durrës po zbrisnin ushtarët e parë pushtues. V. Andoni përpiqet që me një farë mënyre të njoftojë Botën se në Shqipëri nisi lufta. Për këtë atë ditë nga Tirana, ende e papushtuar, i nis një telegram kunatit të tij, Dervish Dumës, që ishte Sekretar i Ambasadës Shqiptare në Londër. Në telegram vendos pa frikë edhe emrin e tij, pa u tutur  se “kupa mund të mbushej” dhe ndjenjat e hakmarrjes të pushtuesit mund të ktheheshin në veprim hakmarrës real e të fuqishëm per të. Patriotizmi i Profesorit sundoi mbi vdekjen!

Ja teksti i telegramit :

”USHTERI POPULL NXANES PO LUFTOJME PER VDEKJE RROFTE SHQIPNIA”-VASILI/

Data 7 prill kaloi. Atdheu u pushtua, por Profesori “ nuk e mbylli gojën “. Përkundrazi, e ngriti zërin e protestës në kupë të qiellit. Këtë e bëri pak ditë mbas 7 prillit, kur u rihapën shkollat dhe nisën punën e tyre normalisht.Ja c’bëri orën e parë të asaj dite. Hyri në klasë ku do të jepte mësim dhe  pa patur as më të voglën frikë, u drejtohet nxënësve me këto fjalë, sa patrotike aq edhe të guximshme:

”Djema, Atdheu ynë i dashur ra edhe një herë në robëri! Dëshmorët që ranë heroikisht në brigjet e Adriatikut ne do t’i nderojmë duke mbajtur një minutë heshtje. Çohuni në këmbë!”

Ishte e para herë që nxënësit e klasës dëgjonin fjalë të tilla! Ata brofën në këmbë dhe me lot në sy qëndruan në heshtje me sytë drejtuar te profesori dhe të mallëngjyer e të habitur nga një ceremoni e tillë e paparë dhe e padëgjuar prej tyre!

” Mos u dëshpëroni djema” vazhdoi Profesori. ”Atdheu ynë prap do ta fitojë Lirinë”.

Këtë skenë e këto fjalë nuk i harroi asnjëri nga ata djem. I futën në mendje ata dhe të gjithë nxënësit e Gjimnazit. Një mbresë shumë të veçantë lanë ato te djaloshi Hajro Babameto, një nga profesorët e ardhëshëm dhe mjaft të njohur në Tiranë. Ai i nguliti në mendje dhe në zemër. Kaluan disa dhjetëvjeçarë dhe kur erdhi Demokracia i paraqiti me shkrim në kujtimet e veta. (Shih Kujtime të H. Babametos te gazeta ”Liria” dhe kujtimet e R. Turdiut)

Kjo bisedë sa prekëse aq edhe patriotike, a nuk ishte një shpallje lufte ndaj asaj ushtrie që s’kishte më shumë se 2-3 ditë që kishte shkelur Atdhenë? Një individ sfidonte një ushtri! Nacionalizmi jepte kushtrimin pëe Liri!

Por pushtuesi  ato ditë nuk u tregua ashtu siç ishte, ujk me dhëmbë të mprehtë, se nuk donte telashe deri sa të vendoste nënshtrimin e plotë në të gjithë shtetin e pushtuar. E la Profesorin ta mbyllte vitin shkollor i qetë e të kthehej në shtëpi në Elbasan për pushimet verore.

”Dhelpra plakë” e nis ”hakmarrjen” më datë 17 qershor 1939. Atë ditë gazeta e kohës ”Fashizmi” njoftonte se Profesor Vasil Andoni pushohej nga puna.Më në fund, mbas 5 ditësh, në datën 22 qershor në mbrëmje pushtuesi qetw, pa bujw, pa rwnw nw sy tw askujt tregon fytyrën e vërtetë. E arreston profesorin e nderuar dhe të nesërmen e mbyll në burgun e Tiranës “që të mblidhte mendjen!”. Kështu fashizmi nisi të zbrazë mbi të mllefin që ruante ç’prej kohësh për atë  ”armik të hapur e kokëfortë”! Me këtë burgosje mendoi se e hoqi qafe një person tashmë të padëshirueshëm për të ardhmen e vet .

Por Profesori ” i kishte marrë masat”. Mbas telegramit të 7 prillit ai i kishte dërguar motrës një të dytë e disa kartolina, të gjitha të shkruara prej tij. E fundit prej tyre është ajo e dt 19.6.1939, pra e shkruar 3 ditë para arrestimit. Në to fliste vetëm për probleme familjare e  private. E bënte këtë për t’i treguar motrës se ende s’kishte ndodh gjë, ç’ka ai e priste.

Lajmin e burgosjes e jep kartolina e datës 25 qershor 1939. Atë e shkruan njëri nga dajat e Profesorit, plaku Jan Deliana .Midis të tjerash aty ai përmend edhe arrestimin. Ja fjalët e paraqisin atë:

”Do ta keshë pa gazetën ”Fashisti” dt. 17/6 që shkruente për pushimin e Vasilit e pardje në 22 në mbramje e muerën ndën vërejtje e më 23/6 e nisën për Tiranë.Asht atje tani.Deri tani s’kemi marrë vesht për se e kanë marr……”

Në burg V. Andoni nuk u izolua plotësisht. Atij i lejohet të takohet me familjarë, miq e shokë. Pushtuesi sillej kështu ”i butë”, jo se ”e donte”, përkundrazi e urrente, por për t’u paraqitur në publik jo si pushtues por si mik i Shqipërisë. Ndoshta mendonte që në këtë mënyrë ta nënshtronte kundërshtarin e vet.

Burgosja e profesorit bëri bujë dhe shokët e miqtë i afrohen. Madje në burg e takojnë edhe nxënësit e tij. Kjo kuptohet nga një kartolinë e nisur nga Tirana më datë 27.07.1939, që i arrin motrës në londër. Në të shkruhet:

”Jam nji nxanës i z. Vasil dhe po e shkruej këtë kartolinë, që t’iu dëftej se ai asht shum mir. Un dhe shokët mij shkojmë e piqemi përherë me z. Vasil. Prandaj mos u mërzitni aspak”. Dërguesi është Qemal Agolli.

Pra pushtuesi u tregua i butë me shpresë që Porfesori të qetësohej e të tutej, por gaboi. Më vonë e pa se ç’qe ai i burgosur e ç’bëri për ta luftuar.

Kartolinën e sipërme bashkë me të mëparshmet apo me ato që e pasuan, motra i ruajti me shumë kujdes. Më 1995 i sjell në atdhe kunati të shoqëruara me një letër në të cilën, ndër të tjera shkruan:

”Të dy telegramet e kartëpostaret po i mbyll këtu. Disa nga postaret janë dërguar nga Vasili dhe tregojnë gjendjen në Shqipëri n’ato ditë të Prillit 1939 dhe meritojnë të përmenden”.

Më poshtë shton:

”Siç e dini fort mirë, ai luftoi si pushtuesin e huaj, ashtu edhe atë të vendit – Komunizmin – deri sa vdiq! Patriotizmi i Vasil Andonit ishte i pashoq!” (Shih letrën e D. Dumës dt 21 prill 1995).

Profesori del nga burgu mbas disa muajsh, por nuk nënshtrohet. Luftën kudër fashizmit pushtues e nis duke e sfiduar pikërisht në Ditën e Flamurit dhe në Kryeqytet. Pra më 28 nëntor 1939 bashkë me patriotë të tjerë miq e kolegë të tij organizon në Tiranë të parën demonstratë kundër pushtuesit dhe kështu bëri ballafaqimin e tij të parë si luftëtar antifashist i vetëdeklaruar.

Ditët e muajt kalojnë. V. Andoni kthehet në të papunë e pa asnjë të ardhur. Me gjithë atë ai as përkulet e as nuk lyp mëshirë. Kur afrohet fillimi I viti shkollor ’41-42, Ministri i Arsimit i kohës Ernest Koliqi, e rimerr në punë.E cakton profesor në Normalen e Elbasanit dhe mbas pak ditësh e dergon në Prishtinë që të ngrejë atje Gjimnazin dhe Internatin e tij.  Këtë veprim të tijin ishministri ia kujton shokut të tij, Karl Gurakuqit, me një letër që i drejton nga Roma më 16.3.1951. Duke treguar se si ministër pati në qendër të vëmendjes kulturën shqiptare dhe intelektualët shqiptar, vazhdon:

”Lirova nën garancinë personale mbas nji konflikti t’ashpër me Gjeneral Guxonin, para të cilit dridhej mbarë Shqipnia, Tajar Zavalanin, Vasil Andonin, Mihal Zallarin”…. ”Vasil Andonin, në kundërshtim me mendimin e të gjithë shefave të Ministrisë, e emnuem drejtor konvikti në Prishtinë”. (Shih gazetën dygjuhëshe Shqip-Italisht ”Rrënjët”-Le Radici”,viti 13 nentor 2015).

Profesori edhe në Kosovë nuk ndejti ”urtë”! Krahas punës në Gjimnaz e Internat dha një kontribut me shumë vlera në vendosjen e themeleve të shkollës shqiptare në çdo skaj të trojeve kosovare, siç veproi edhe në vitet ’30 në Normalen e Elbasanit. Këtë veprimtari e lidhi edhe me mobilizimin e kosovarëve në luftë kundër pushtuesit italian, por edhe atij serb i cili nëpërmjet propagandës komuniste, përpiqej që Kosovën ta mbante në robëri edhe mbas luftës.

Më 1943 e le punën e bashkohet me M. Frashërin, mikun e zemrës së tij. Vendoset bashkë me të në krye të Ballit Kombëtar për të vazhduar luftën për Çlirimin e Atdheut. Është ndër organizatorët e Mukjes e pjesëmarrës në Konferencë e saj. E ndjek hap pas hapi  Z. Frashëri nëpër malet e Atdheut e më 1944 kalon bashkë me të e të tjerë në mërgim. Atje vazhdon luftën në dy drejtime: Në Çlirimin e Shqiperisë nga komunizmi uzurpues e antishqiptar dhe në mbrojtje të Kosovës nga pushtuesi serbokomunist, armik i betuar i Shqiptarizmës. Si armë të tijën pati mendjen, gojën, miqtë e shokët të shpërndarë kudo në botë me të cilët mbante lidhje të ngushta.

Në mërgim zhvilloi një veprimtari patriotike shumë të ngjeshur, e cila i merrte shumë orë të ditës. Materialet e kësaj veprimtarie i përgatiste në një dhomë shumë të thjeshtë të shtëpisë së tij ku banonte në Romë. Aty kishte shtratin e thjeshtë ku flinte. Po aty kishte një tavolinë me 2-3 karrige. Mbi tavolinë kishte makinën e shkrimit dhe telefonin me të cilin lidhej çdo ditë e çdo natë me miqtë e shokët që ishin larg Italisë. Në një skaj të asaj dhome kishte grumbullin e librave që kishte mbledhur ca nga ca, që të gjitha me vlera për Shqipërinë e shqiptarët. Në saje të përpjekjeve të tija kishte mundur të gjente edhe koleksionin e revistës ”Normalisti”, që e ruante me  kujdes të veçantë, si veprën e tij të parë publiçistike. Në këtë mjedis përgatiste lëndën e gazetës ”Flamuri”, e cila qe vepra e tij e dytë në fushën e gazetarisë. Për disa dhjetëvjeçarë atë e shpërndante në çdo kontinent të Globit ku kishte shqipëtarë. Ai organ shtypi u bë zëdhënësi i Nacionalizmit të lirë Shqiptarë që jetonte në mërgim. (Shih ”kujtime” të Bim Daklit). Kjo bibliotekë e vërtetë me vlera të mëdha qe dhurata e fundit që i fali Atdheut, i cili për të qe ”Nëna që e lindi dhe e rriti si Shqiptar të vërtetë”

Dy vitet e fundit të jetës së tij, kur forcat fizike nisën ta linin, shokët, të afërmit dhe miqtë e vendosën në një shtëpi pushimi në Acilia të Romës ku të çlodhej. Aty kushtet e jetesës i kishte shumë të mira, por edhe pagesa ishte mjaft e madhe. Atë e përballuan përsëri të gjithë së bashku, sepse vetë Plaku, tashmë mbi të nentedhjetat si pasuri kishte vetëm rrobat e trupit! I rrethuar çdo ditë nga shumë njerëz në atë strehë pleqsh I mbylli sytë I qetë më 11.07.1994.

Qenë po të sipërmit që me në krye nipin nga e motra, Agim Dumën, e sollën në Atdhe më 18.7.1994. Trupi pa jetë dhe I mbyllur në arkivol iu paraqit Kryeqytetit ku punoi dhe luftoi. E gjithë Tirana I dha lamtumirën e fundit. Të nesërmen me 19.7.94 arkivoli I tij u vendos në një sallë të Normales së Elbasanit e të tijën ku i dhanë lamtumirën e fundit familjarët, elbasanasit e shumë e shumë të tjerë të ardhur nga krahina të ndryshme të Shqipërise dhe nga Kosova. Të gjithë së bashku e kaluan nëpër rrugët e qytetit ku lindi e ku nisi veprimtarinë e tij të shkëlqyer si mësues dhe atdhetar i vërtetë . E vendosën trupin aty, pranë eshtrave të së ëmës, Saveta Andoni, nga e cila u nda më 1944 dhe nuk e takoi dot me! E përqafoi nëna mbas plot 50 vjetësh dhe u qetësua duke e patur pranë vetes! Kështu të bashkuar nisën rrugën  drejt përjetësisë!

Figura e V. Andonit u përjetësua në trojet shqiptare. Prishtina një rruge të saj i vuri emrin VASIL ANDONI, ndërsa Ministria e Arsimit e Kosovës i dhuroi titullin ” MERITË”, për punën e veçantë që bëri në ngritjen e shkollës shqipe në Kosovë.

Edhe Elbasani një rrugë të vetën e emërtoi VASIL ANDONI.Arsimi Shqiptar i dha titullin ”Mësues i Popullit”.Atdheu e nderoi me Urdhërin e Flamurit.

Këtij burri të rrallë të Kombit tonë dikush i kushtoi vargjet:

Mëmëdheut iu fal

në rrënjë gjaku, lirie

lindi e mbeti

Simbol Atdhetarie

Vasil Andon

një emër Shqiptar

në gji të epokave

Pishtar!

*(U botua per te paren here ne”Balli i Kombit”, dt. 13.7.1995, nr. i posaçëm me rastin e njëvjetorit të vdekjes së Tij).

 

Filed Under: Histori Tagged With: që Mëmëdheut iu fal, Rudolf Deliana, VASIL ANDONI

Në Los Angeles me Presidentin Regan dhe..Shën Terezën

July 7, 2017 by dgreca

Qyteti i shndritshëm mbi Los Angeles me Presidentin Regan dhe Shën Tereza Shqiptare, Heroina e Shenjtë e Ditëve Tona…/

unnamed (8)

Nga Keze Kozeta Zylo/

unnamed (11)

unnamed (14)

Mr. Gorbachev, tear down this wall!  Zoti Gorbacov, Rrëzoni këtë mur!/

unnamed (15)Udhëtojme pafund përmes pyjeve dhe kodrinave të buta mbushur me gjelbërim dhe aromë pranvere të përhershme në qytetin e Los Angelos, një qytet që vetëm lulëzon dhe shkëlqen nga bukurizat gati qiellore…  Destinacioni ynë në këtë ditë ishte të viztionim Bibliotekën Presidenciale Ronald Reagan, presidentin që ka fituar zemrën jo vetëm të amerikanëve, por dhe të miliona e miliona njerëzve rreth botës. Rruga e quajtur “40 Drive Presidenciale”, është emëruar për nder të vendit si Presidenti i 40-të. Rruga të conte në një majë me pamje të hatashme malesh, me reflekse blu që vinin nga qielli dhe ujërat e kaltra të Oqeanit Paqësor.

Është një nga destinacionet më të bukura dhe unike të Kalifornisë.  Biblioteka prej 300 hektarësh, përfaqëson “qytetin e ndritshëm në një kodër”, shpesh të referuar nga Presidenti Reagan dhe shërben si vendi i fundit i pushimit të Presidentit të 40-të të kombit sipas historianeve te Presidentit Reagan.

Si një bibliotekë presidenciale e administruar nga Administrata Kombëtare e Arkivave dhe Dokumenteve (NARA), Biblioteka Reagan, nën autoritetin e Aktit të Protokollit të Presidentit, është magazina e të dhënave presidenciale për administratën e Presidentit Reagan. Ato përfshijnë mbi 60 milionë faqe dokumente, mbi 1.6 milion fotografi, një gjysmë milion metra filmi dhe dhjetëra mijëra kaseta audio dhe video. Përveç kësaj, Biblioteka mbledh koleksione letrash personale duke përfshirë dokumentet nga tetë vitet e Ronald Reaganit si guvernator i Kalifornisë.

Biblioteka i është kushtuar presidentit të 40-të të Shteteve të Bashkuara (1981-1989) dhe gruas së tij Nancy Reagan. Projektuar nga Hugh Stubbins dhe Associates, Biblioteka Presidenciale është në Simi Valley, Kalifornia.

Biblioteka Reagan është më e madhe nga 14 bibliotekat presidenciale

Nderimi

Ceremonitë e nderimit ishin hera e parë qe bëheshin në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Pesë presidentë të Shteteve të Bashkuara u mblodhën së bashku në të njëjtin vend: Richard Nixon, Gerald Ford, Jimmy Carter, vetë Ronald Reagan dhe George H. W. Bush. Gjashtë Zonjat e Para morën pjesë gjithashtu: Lady Bird Johnson, Pat Nixon, Betty Ford, Rosalynn Carter, Nancy Reagan dhe Barbara Bush. Vetëm ish zonja e parë Jacqueline Kennedy Onassis nuk mori pjesë; por fëmijët e saj Caroline Kennedy-Schlossberg dhe John F. Kennedy Jr ishin të pranishëm së bashku me Luci Johnson Turpin, vajzën më të re të Presidentit Lyndon B. Johnson, si dhe pasardhësit e Franklin D. Roosevelt.

Kur u hap Biblioteka Reagan, ajo ishte më e madhe nga bibliotekat presidenciale, me përafërsisht 153,000 metra katrorë.  Ajo mbajti atë titull deri në përkushtimin e Qendrës Presidenciale.  , Biblioteka Reagan rikrijoi titullin në aspektin e madhësisë fizike megjithatë, Biblioteka Clinton mbetet biblioteka më e madhe presidenciale në aspektin e materialeve (dokumente, artefakte, fotografi).  Ashtu si të gjitha bibliotekat presidenciale që nga ajo e Franklin D. Roosevelt, Biblioteka Reagan u ndërtua tërësisht me donacione private, me një kosto prej 60 milionë dollarë (ekuivalente me 137 milionë dollarë në vitin 2015). Dhuruesit kryesorë u përfshinë Walter Annenberg, Lew Wasserman, Lodwrick Cook, Joe Albritton, Rupert Murdoch, Richard Sills dhe John P. McGovern. Për vitin fiskal 2007, Biblioteka Reagan kishte 305.331 vizitorë, duke e bërë atë bibliotekën presidenciale të dytë më të vizituar, pas bibliotekës Lyndon B. Johnson që ishte nga viti fiskal 2006 me 440.301 vizitorë, kur ishte biblioteka më e vizituar.

Ronald Regan mbahet si një nga presidentët më të suksesshëm, ishte anëtar i Partisë Republikane, komentator dhe aktor amerkan ne Hollivud. Ai shërbeu si Guvernator i 33-të i Kalifornisë 1967-1975.  Reagan lindi më 6 shkurt të vitit 1911 në Tampico, Illinois dhe vdiq më 5 qershor 2004 në Bel Air të Los Anxhelosit, në Kaliforni.

Funerali për Ronald Reagan

Një copë arkë e mbuluar me shiritat e flamurit amerikan dhe i ruajtur nga personeli ushtarak qëndroi në hollin e bibliotekës, më 7 qershor 2004

Varri i Ronald dhe Nancy Reagan jane dhe faqja përkujtimore në bazat e Bibliotekës.

Pas vdekjes së tij, arkivoli i Reagan u dërgua në bibliotekën Reagan më 7 qershor 2004 nga Point Mugu përmes një procesioni prej 25 milje në orë (40 km / h) poshtë Las Posas Road në autostradën amerikane 101. Shumë njerëz u rreshtuan ne rrugët dhe mbikalimet e autostradës për të bërë respektin përfundimtar.  Një shërbim përkujtimor u zhvillua në sallën e bibliotekës me Nancy Reagan ku more pjese fëmijët e Reaganit, të afërmit dhe miqtë. Shërbim u krye nga zyrtari Dr Michael Wenning.

Prej 7 deri në 9 qershor, arkivoli i Reaganit u ndal në sallën e bibliotekës, ku afërsisht 105,000 njerëz e shihnin arkivolin për t’i dhënë respektin e tyre.  Pas fluturimit per të sjelle trupin në Uashington, D.C., i shtrirë në Rotundën e Kapitolit u krye një shërbim funerali kombëtar në Katedralen Kombëtare të Uashingtonit.  Pas kesaj arkivoli i Reaganit u kthye në bibliotekën presidenciale në Kaliforni për një shërbim dhe përkujdesje të fundit përkujtimore.

Planet e ndërtimit për bibliotekën përfshinin një varr për përdorimin eventual të Reaganit dhe gruas së tij.  Pas një shërbimi ne muzg në bibliotekë, herët në mëngjesin e 12 qershorit 2004, trupi u vu për te pushuar i qete në vatrën nëntokësore.

Më 6 mars 2016, Nancy Reagan vdiq në moshën 94 vjeçare.  Pas funeralit, ajo u varros pranë bashkeshortit të saj në Bibliotekën Presidenciale,  më 11 mars 2016.

Ligji për Aktin e Bibliotekave të Presidentit në vitin 1955

Shumë letra dhe regjistrime presidenciale kishin humbur, shkatërruar, shitur për përfitim ose ishin shkatërruar nga kushtet e dobëta të magazinimit.

Në vitin 1939, presidenti Franklin D. Roosevelt kërkoi një alternativë më të mire duke thene se: “Mësoni më shumë për historinë e Bibliotekave Presidenciale”!

Kongresi miratoi Aktin e Bibliotekave të Presidentit në vitin 1955. Nëpërmjet arkivave, muzeve dhe programeve publike, Bibliotekat Presidenciale vazhdojnë të ruajnë dokumentet dhe objektet e Presidentëve tanë, duke na ndihmuar të mësojmë për kombin dhe demokracinë amerikane.

Shën Tereza Shqiptare në Bibliotekën Presidenciale “Reagan”

Si bijë shqiptare dhe si vizitore për herë të paë në këtë Bibliotekë madhështore u ndjeva e emocionuar dhe e privilegjuar të lexoja dhe të shikoja portretin e Hyjneshës, Shën Terezës Shqiptare me Presidentin Reagan.  Ata dukeshin sikur kishin zbritur nga qielli dhe bisedonin me vizitorët dhe falnin mirësi ashtu sic di të falë kjo racë njerëzore…

Me 20 qershor 1985,  Presidenti Reagan i dorëzoi dekoratën e Medaljes Presidenciale të Lirisë Nënë Terezës në Shtepinë e Bardhë.  Presidenti Regaan në këtë ceremoni tha: “Kjo shtëpi e mrekullueshme sjellë shumë vizitorë të mëdhenj, por asnjëri nuk është më i veçantë apo më i respektuar sesa miku ynë i dashur sot.

Një muaj më parë, ne dhame Medaljen e Lirisë për 13 heronj që e kanë bërë vendin e tyre krenar.

Vetëm një nga përfituesit nuk mund të merrte pjesë sepse ajo kishte punë për të bërë,  jo punë e veçantë, punë jo e pazakontë për të, por punë e përditshme e cila është e veçantë dhe urgjente në të drejtën e saj. Nënë Tereza ishte e zënë, si zakonisht, duke shpëtuar botën. Dhe dua ta them këtë fjalë për fjalë.  Ne i vlerësuam përparësitë e saj dhe jemi shumë të lumtur, vërtete, që ajo të mund të vinte në Amerikë këtë javë.

Tani, një çast më parë, thashë se do t’i jepnim Medaljen e Lirisë heronjve që e kanë bërë vendin tonë krenar. Dhe unë besoj se Nënë Tereza mund të nxjerrë në pah këtu se ajo nuk është më amerikane, por një vajzë e Jugosllavisë dhe ajo nuk e ka kaluar jetën e saj të rritur në këtë vend, por në Indi. Megjithatë, thjesht na ndodhi kur donim ta nderonim atë se mirësia në disa zemra i tejkalon të gjitha kufijtë dhe të gjitha konsideratat e ngushta nacionaliste.

Disa njerëz, shumë pak njerëz janë, në kuptimin më të mirë, qytetarë të botës; Nënë Tereza është. Dhe ne e duam aq shumë saqë e kërkuam që ta pranonte shperblimin tonë dhe ajo e pranoi me mirësjellje. Dhe tani do ta lexoj citimin.

Shumica prej nesh flasim për mirësinë dhe dhembshurinë, por Nënë Tereza, shenjtja e jeton atë. Si një adoleshente, ajo shkoi në Indi për të mësuar vajzat e reja. Me kalimin e kohës, Nënë Tereza filloi të punonte mes të varfërve dhe te vdekurve të Kalkutës. Ideja dhe puna e saj e Misionarëve të Bamirësisë është përhapur në mbarë botën…

Dhe dua t’ju falënderoj për diçka, Nënë Tereza! Puna juaj e madhe dhe jeta juaj kanë frymëzuar aq shumë amerikanë sa të përfshihen personalisht, vetë, për të ndihmuar të varfrit. Pra, shumë burra dhe gra në çdo fushë të jetës, në qeveri dhe në sektorin privat, janë udhëhequr nga drita e dashurisë suaj dhe ata i kanë dhënë shumë vetes. Dhe ju falënderojmë për shembullin tuaj rrezatues.

 

Nënë Tereza e pranoi me përulesi cmimin e lartë dhe tha: “ Unë jam më e padenja për këtë dhuratë bujare të Presidentit tonë, Z. Reagan, gruas së tij dhe ju njerëzve të Shteteve të Bashkuara. Por unë e pranoj atë për lavdinë më të madhe të Perëndisë dhe në emër të miliona njerëzve të varfër që kjo dhuratë, në frymë dhe në dashuri, do të depërtojë në zemrat e njerëzve. Sepse, duke më dhënë këtë mua, ua jepni atyre në duartë e mia, me dashurinë dhe shqetësimin tuaj të madh.

Unë kurrë nuk kam kuptuar se ti i ke dashur njerëzit aq butësisht. Kam pasur përvojën, kam qenë herën e fundit këtu, një motër nga Etiopia më ka gjetur dhe më ka thënë, “Njerëzit tanë po vdesin. Fëmijët tanë po vdesin. Nëne, bëj diçka”!  Dhe i vetmi person që më erdhi në mendje ndërsa ajo fliste, ishte Presidenti. Dhe menjëherë i shkruaja atij dhe i thashë: “Unë nuk e di, por kjo është ajo që ndodhi me mua”.  Dhe të nesërmen menjëherë sollën ushqim për njerëzit tanë.  Dhe mund t’ju them se dhurata që ka ardhur nga populli juaj, nga vendi juaj, ka sjellë jetë, jetë të re për njerëzit që vuajnë në Etiopi.

Gjithashtu dua të falenderoj familjet këtu në Shtetet e Bashkuara për dashurinë e tyre të vazhdueshme dhe delikate që ata kanë dhënë, dhe ata kanë treguar, duke i lënë fëmijët e tyre të bëhen motra dhe t’u shërbejnë të varfërve anembanë botës. Tani jemi për botën dhe përpiqemi të sjellim butësinë dhe dashurinë e Jezusit.

Dhe ju nuk mund të shkoni ku ne shkojmë. Nuk mund të bëni atë që ne bëjmë. Por së bashku, ne po bëjmë diçka të bukur për Perëndinë dhe keni mirënjohjen time për ju, Presidentin dhe familjen tuaj dhe për popullin tuaj. Është lutja ime për Ju që Ju të mund të rriteni në shenjtëri në këtë dashuri të butë për të varfërit më të varfërit.

Por kjo dashuri fillon në shtëpi, në familjen tënde dhe fillon duke u lutur së bashku. Lutja jep një zemër të pastër dhe një zemër e pastër mund ta shohë Perëndinë. Dhe nëse shihni Perëndinë në njëri-tjetrin, do të keni dashuri, paqe, gëzim së bashku. Dhe veprat e dashurisë janë vepra paqeje. Dhe dashuria fillon në shtëpi.

Kështu, ju po shkoni, tek të gjithë njerëzit tanë të varfër, mijëra e mijëra njerëz me të cilët merremi, ju sjellin mirënjohjen. Dhe mbajeni gëzimin e dashurisë. Duajini ata, dhe filloni në familjen tuaj të parë. Dhe kjo dashuri do të depërtojë drejt në vendin më të largët ku askush nuk ka qenë kurrë, ku është ajo ndjeshmëri dhe dashuri për Krishtin.

Dhe mos harroni se çfarë bëni më pak e bëni atë tek Ai, tha Jezusi. Ti e bëre për mua. Çfarë mundësi e mrekullueshme për secilin prej nesh do të jetë 24 orë me Jezusin. Dhe duke bërë atë që po bëjmë, siç tha ai, nëse ju merrni një fëmijë të vogël në emrin tim, ju e merrni per mua. Nëse ju jepni një gotë ujë në emrin tim, ju e jepni atë për mua.  Çfarë ndjesie dhe dashurie e mrekullueshme dhe e bukur e Krishtit eshte për secilin prej nesh!

Pra, edhe njëherë, dua t’ju falënderoj për këtë dhuratë të bukur, të cilën unë jam e sigurtë se do të sjellë gëzim të madh për njerëzit tanë duke e ndarë atë me ta.

Zoti ju bekoftë dhe ju strehofte në zemrën e Tij.

Ps: Nga Fjala e mbajtur në kopshtin e trëndafilave në Shtëpinë e Bardhë

Mr. Gorbachev, tear down this wall!  Zoti Gorbacov, Rrëzoni këtë mur!

Presidenti Reagan, me Kancelarin Kohl dhe Kryetarin e Bashkisë së Berlinit, z.Eberhard Diepgen, dhanë një fjalim në Murin e Berlinit, Porta e Brandenburgut, Republika Federale e Gjermanisë, me 6/12/1987.

Zoti Gorbacov! Rrëzoni këtë mur! “Është një thirrje proverbiale nga Presidenti i SHBA-s Ronald Reagan në Berlinin Perëndimor, më 12 qershor 1987, duke bërë thirrje për udhëheqësin e Bashkimit Sovjetik Mikhail Gorbaçov për të hapur pengesën që kishte ndarë Perëndimin dhe Lindjen me Berlinin që nga viti 1961.

Eshte e pamundur të ndahesh kaq lehtë nga seksioni ku flitet për komunizmin, diktaturat e egra, është e pamundur që ato skena të dhimbshme të të mos sjellin aq pranë përjetimet që ke pasur si një qytetare e një vendi që sundohej nga diktatura.  Në ato salla pashë gjithë liderët komunistë, por mjerisht jo nga vendi ynë edhe pse u bë bastioni i fundit  i mbrojtjes së busteve dhe ideve të Stalinit dhe Leninit…

Ky vit shënoi 28 vjetorin që kur Muri i Berlinit u rrëzua. Ishte Simboli i fundit i Luftës së Ftohtë qe u zhvillua në zemër të Berlinit, simbol që ndante Gjermaninë Lindore dhe Perëndimore. Ndërsa shumica e saj u shkatërrua, shtrirja më e gjatë e Murit të Berlinit jashtë Gjermanisë është në Los Anxhelos. Ka dhjetë segmente origjinale në bulevardin Wilshire, përgjatë rrugës nga LACMA.

Ka shumë fragmente të tjera të Murit në Kaliforni të Jugut. Dy artistë kanadezë kanë vizituar Los Anxhelos për të mbledhur disa nga historitë e tyre për një dokumentar që ata e quajnë “Freedom Rocks”.

Sapo muri ra, më 9 nëntor 1989, njerëzit morën çekiç dhe daltë dhe filluan të presin copa. Këto fragmente të vogla kanë udhëtuar që atëherë. Artistët kanadezë Vid Ingelevics dhe Blake Fitzpatrick po dokumentojnë atë që ndodhi me segmentet e Murit që udhëtuan nga Berlini në Amerikën e Veriut.

Në Institutin Goethe në Los Anxheles, pronarët e pjesëve të Murit të Berlinit mbajtën thesaret e tyre para një aparati si zogjtë e brishtë.

Profesori gjerman, Daniel Villanueva, solli një gur që e fitoi në vitin 1990. “Fatmirësisht, atje ishin shumë njerëz të tjerë, njerëz të moshuar dhe më të vjetër”, tha Villanueva. “Ata vetëm i kaluan mjetet nga dora në dorë pasi i nxirrnin.”  Artisti Zox solli fotografi të zbehta nga një natë me shi në Berlin pothuajse vite më parë kur pikturoi një pjesë të Murit, edhe pse bubullimat dhe ndriçimi pothuajse e frikësuan atë larg.

Një person tjetër, kujtonte se po ecte për herë të parë nëpër portën e Brandenburgut në jetën e saj në nëntor të vitit 1989. “Këto pjesë këtu janë shumë domethënëse për mua, sepse ato flasin me mua për shumë Historia personale gjermane. Ata janë gjithmonë të pranishëm në jetën time,

Ata filmuan segmentet e Murit në Berlin të mbuluara me barëra të këqija në një vend për hedhjen e materialit ndërtimor. Në Los Anxheles ata regjistruan një piknik pranë shtrirjes së Bulevardit “Wall on Wilshire”. Në Bibliotekën Presidenciale Ronald Reagan në Luginën Simi, ata dokumentuan një shenjë që paralajmëronte vizitorët që të mos preknin një segment të gjallë të Murit ku “Komunikatori i Madh” sfidoi udhëheqësin sovjetik për ta shembur monumentin.

Me ndarjen e Murit të Berlinit në miliona copë, simboli i Luftës së Ftohtë, që ngjall frikë dhe tmerr është bërë një shkatërrim i lëvizshëm dhe i copëzuar, me secilën fragment që krijon historinë e vet.

Projekti sjellë shpresa për ata që ende luftojnë për Liri. Pa marrë parasysh se sa e lartë ose sa e fortë është një mur, përfundimisht nje dite rrezohet. Njerëzit e morën këtë me duartë e tyre.

Të gjitha muret e tjera të ndarjes medomos që do të rrëzohen!

Përderisa fragmentet vazhdojnë të lëvizin, historia e tyre do të ndryshojë përgjithmonë.

 

Çifti presidencial një Romeo dhe Xhulietë

Unë jetoj në një Krishtlindje të përhershme, sepse Perëndia më dha ty

Romeo kishte Julieten e tij, Antony kishte Cleopatren e tij. Princi Edward kishte Wallisin e tij, dhe Ronald Reagan kishte Nancin e tij të dashur. Charlton Heston dikur ka thene  “se ishte dashuria më e forte dhe e bukur në historinë e Presidencës Amerikane”.

Ajo që filloi si një takim midis dy yjeve të filmit u bë një histori dashurie e vërtetë e denjë për filmin e tyre të Hollivudit. Ata ishin dy figura të famshme, dhe që nga fillimi marrëdhëniet e tyre u zhvilluan në një skenë shumë publike. Së pari ata ishin një çift i njohur i Hollivudit dhe në një botë ku romanca shpesh nuk mund t’i mbijetojë vëmendjes apo tundimeve që janë pjesë e stilit të jetesës dhe qe shpesh lulëzojnë.

Pastaj, kur Ronald Reagan hyri në arenën politike, çifti do të bëhej subjekt i shqyrtimit dhe ekzaminimit edhe më intensiv.

Publiku pa se ata ishin një çift iu perkushtuan shumë njëri-tjetrit.

Ata gjithmonë ecnin per dore.  Nancy do të dukej adhuruese tek bashkëshorti i saj kur ai fliste, duke u dukur se varej nga çdo fjalë e tij.  Ata ishin një histori e vërtetë dashurie.

Ata nuk duroni kurre te ishin ten dare nga njeri-tjetri. Ronald Reagan shkroi letra të panumërta për gruan e tij, dhe Nancy i ruajti letrat. Ajo shpesh vinte shënime kur ishte larg tij. Në një letër për Nancyn në përvjetorin e tridhjetë të dasmës, ai shkroi:  “Unë më shumë se të dua, nuk jam i tërë pa ty. Ju jeni vetë jeta për mua. Kur të largohesh, unë pres që të ktheheni që të mund të filloj të jetoj përsëri. “Shumë vite më vonë, kur Nancy botoi disa letra dashurie që i kishte marrë nga burri i saj, ajo shkruante:” Nëse njëri prej nesh ikte nga dhoma , ne të dy ishim të vetmuar. Njerëzit nuk e besojnë gjithmonë këtë, por është e vërtetë. Mbushja e vetmisë behej duke plotësuar njëri-tjetrin.  Kjo është ajo që ende ka për qëllim për ne që të jemi pergjithmone burrë dhe grua”.

Po sjellë një nga letrat e Reganit dërguar Nancyt:

Grua e nderuar,

Disa ditë më parë më the se unë isha i zemëruar me ty. Unë u përpoqa të shpjegoj se jam i merzitur me veten time. Por më vonë kuptova se zhgënjimi im mund të ketë qenë një kontakt i vetë-keqardhjes, ndjenja që ju jeni të zemëruar shpesh me mua.

Jo më. Ne jemi kaq “një” që ju jeni aq jetësore për mua si zemra ime – me një përjashtim; Ju kurrë nuk mund të zëvendësoheni me një transplant.

Çfarëdo thesar që unë gëzoj! – Kjo shtëpi me fermën tonë nga sytë e detit – të gjitha do të ishte pa kuptim nëse nuk do të kisha ty. Unë jetoj në një Krishtlindje të përhershme, sepse Perëndia më dha ty. Ndërsa e shkruaj këtë, ju po nxitoni nga mbrapa dhe jeni duke bërë ato gjëra vetëm që mund të bëni dhe unë ndiej një lumturi të ngrohtë duke shikuar ty. Kjo është arsyeja pse unë nuk mund t’ju kaloj juve, as nuk ju lejoj të kaloni pa arritur të me prekni. (Përveç tani se ju do të shihni atë që unë jam duke bërë.)

Unë nuk do të shkruaj më, sepse unë do t’ju arrijë ju kudo që të jeni dhe t’ju mbajë për një moment.

Gëzuar Krishtlindjet e dashur!

Unë të dua me gjithë zemrën time.

 

Burri juaj

Reagan

 

2017

Los Angeles, California

 

Filed Under: Histori Tagged With: Keze Kozeta Zylo, ne Los Angeles, Regan, Shen Tereza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 392
  • 393
  • 394
  • 395
  • 396
  • …
  • 739
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Lena Rexhepi: “Atdheu që dua”
  • SHKRIMTARI ME I MADH PER LIRIKUN ME TE MADH
  • MBI MONUMENTIN E PAVARËSISË NË VLORË
  • NDRYSHIMET KLIMATIKE DHE KËRCËNIMI I URISË GLOBALE: NJË GRADË MË SHUMË, MILIONA JETË NË RREZIK
  • KUR FLITET PËR PROCESIN KRIJUES – ROMANI “I ARRATISURI”
  • NËNTORI 2026 MES FLAMURIT DHE PROTESTËS
  • Plagët e heshtura të luftës…
  • Antonio Bellushi (1934, Frasnitë – 19 qershor 2024) mbledhës i zellshëm dhe studiues i pasurive etnokulturore e gjuhësore të Arbëreshëve dhe Arbërorëve
  • Jetimi që nxori zbuluar shtetin…
  • Qyteti antik 2400-vjeçar i Çukës së Aitoit
  • Dita e Veteranëve, përkujtojmë shqiptarët që shërbyen me nder në Ushtrinë e SHBA
  • Lëvizjet e popullsisë shqiptare jashtë kufijve shtetërorë dhe vendosja e saj në Shqipëri: Një analizë historiko – hartografike dhe socio – ekonomike
  • “DUA”, propozimi zyrtar i Kosovës për Oscar në kategorinë “Filmi më i mirë ndërkombëtar”
  • 1928 / URA E ZOGUT MBI LUMIN MAT — RRËFIMI EKSKLUZIV I ERWIN SCHNITTER, INXHINIERIT ZVICERAN QË DREJTOI PUNIMET PËR NDËRTIMIN E SAJ
  • NIKOLLA NAÇO (1843–1913) – ATDHETARI QË E VURI PASURINË, DIJEN DHE JETËN NË SHËRBIM TË SHQIPËRISË

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT