• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

EDI RAMA MOS LUAJ ME ZJARRIN – PENSIONISTËT PRESIN T’UA PAGUASH GJELIN E VITIT TË RI!

December 17, 2013 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

„Harram vota jonë nëse nuk na paguan gjelin“. Kështu mallkoi sot një pensioniste nga Gjirokastra përmes emisionit shumë popullor të Bashkim Hoxhës „Ora për t’u zgjuar“ – tek News24.
Ka 23 vjet që të gjitha qeveritë e Shqipërisë tallen me popullin shqiptar, sidomos me shtresën më vulnerabile që janë pensionistët. Popullsia e moshës së tretë që përbën rreth gjysmë milioni votues mbijeton me 100 Euro në muaj. Me 100 Euro mund të mbash vetëm frymën gjallë, si skllav por jo si qytetar. 
Të jetosh me 100 Euro do të thotë të jetosh nën diktaturën e varfërisë.
Ka dy lloj diktaturash. Diktatura e frikës nga regjimet totalitariste dhe diktatura e varfërisë nga regjimet e korruptuara, të vendeve në tranzicion, si Shqipëria, ku klasa politike pasurohet ndërsa populli shkon në zgrip të varfërisë.
Ka 23 vjet që klasa politike e ka shpërdorur votën e popullit shqiptar, e sidomos të pensionistëve të Shqipërisë, duke u pasuruar në kurriz të shtresës më të përvuajtur të shoqërisë.
Pensionistët e Shqipërisë, ose një e gjashta e popullsisë së mbetur në Shqipëri, pasi 3 milionë të tjerë jetojnë në emigracion, janë prindërit tanë të cilët mbijetuan kalvarin e diktaturës dhe tani në vend që të gëzojnë qetësinë e merituar në kapitullin e fundit të jetës, kur i kanë kryer të gjitha detyrimet si prindër e shtetas, u duhet të luftojnë për bukën e gojës.
100 Euro sa paguhen në muaj pensionistët, për deputetët, ministrat dhe klasën politike të Shqipërisë është një fjalë goje, një kapriçio e vogël nga jeta e tyre e mbuluar nga lluksi dhe kamja përmes taksapaguesve, abuzimi me pushtetin dhe korrupsioni.
100 Euro për klasën politike të Shqipërisë kushton një kollare, një palë të brendshme Victoria Secret, apo një mani-pedicure, manikyri për duart e këmbët në një sallon bukurie, ndërsa për pensionistët e Shqipërisë 100 Euro do të thotë torturë, sepse duhet të ndahen në 30 ditë të muajit, me të cilat duhet të paguajnë ushqimin,energjinë elektrike, telefonat, veshjet dhe gjithçka.
100 Euro për klasën politike kushton qeni apo macja nëpër vilat dhe apartamentet e tyre, ndërsa për pensionistët janë ankthi i çdo muaji, në epilogun e jetës së tyre.
100 Euro për klasën politike janë lojë fjalësh, ndërsa për gjysmë milioni shqiptarë, të shtresës vulnerabile janë luftë për ekzistencë!
Qeveria e mëparëshme i mëshironte pensionistët e Shqipërisë dhe u paguante nga 50 $ me rastin e festave të fundvitit, për të blerë gjelin dhe për të festuar! Vitin e fundit gjelin e bëri gjysmagjel. Dhe kryeministri i atëhershëm krenohej me këtë gjest të tij bamirësie!
Çfarë ironie! Pushtetarët e Shqipërisë të mbuluar në lluks prej taksave dhe shpërdorimit të pushtetit, u hedhin pensionistëve si lëmoshë gjelin e Vitit të Ri! Dhe pastaj krenohen sikur t’ua kenë falur nga xhepat e tyre të fryrë si derrat e dhjamosur.
Por klasa politike e Shqipërisë harron kryesoren se pushteti i tyre do t’i ketë gjithnjë orët e numëruara kur populli vuan dhe ata pasurohen!
Klasa politike e Shqipërisë ta vari vath në vesh se pensionistët e Shqipërisë nuk lypin mëshirë! Pensionistët e Shqipërisë lypin të drejtat e tyre. Pensionistët e Shqipërisë kanë të drejtë të jetojnë një jetë me dinjitet.
Sepse rroga mujore e një deputeti, ministri apo kryeministri, përveç përfitimeve dhe privilgjeve, është mesatarisht të paktën sa pensioni mujor i 20 pensionistëve të Shqipërisë. Po ashtu, vendet e punës, privilegjet i përfitojnë familjarët e pushtetarëve, rrethi i ngushtë klientelist e kështu hendeku midis pakicës profitere prej votës të popullit edhe vetë popullit bëhet i tillë ku populli kthehet në skllav dhe pushtetari në skllavopronar.
Tani Edi Rama ka vendosur që t’ua heqi edhe gjelin e Saliut pensionistëve, e t’i lejë pa festë e festime, ndërsa vetë të zdërhallet, i përkëdhelur nga shpura e servilëve të rinj të pushtetit!
Si ai do të zdërhallen edhe klasa politike e Shqipërisë, pas së cilës vjen mallkimi i asaj zonjës pensioniste nga Gjirokastra, që i tha Edi Ramës, „harram votën që të dhamë më 23 qershor“. 
Edi Rama të mos e harrojë se ai fitoi më 23 qershor 2013, jo se populli votoi për të, por sepse populli votoi kundër regjimit të korruptuar të Sali Berishës. Nëse Edi Rama do të jetë kopje e atij regjimi, aq më keq, do të jetë kopje e keqe, sepse mesa duket po kërkon që të mbushë gropat e krizës, duke u prerë paret e gjelit pensionistëve, është e sigurt se kësisoj do të presë ditët e tij si kryeministër i Shqipërisë!
Shqiptarët kanë 23 vjet që rrëzuan diktaturën totalitariste, tani do t’u duhet të rrëzojnë diktaturën e varfërisë, shkaktuar nga shpërdorimi i votës, shpërdorimi i besimit, shpërdorimi i pushtetit! 

Filed Under: Komente Tagged With: Elida Buçpapaj, gjelin e vitit te ri, mos luaj me zjarrin, pensionistet presin

TRENI PER NË EUROPE-CILI BINARE NA ESHTE CAKTUAR?

December 16, 2013 by dgreca

Shkruan: Gëzim Llojdia*

1.

Treni ynë ka ngecur në stacion. Udhëtarët me bagazhe kanë vite që presin. Pyetja  e tyre mundonjëse  ka qenë prej vitesh: kur niset treni tjetër  për në Evropë, aty s’gjen  as faturino me fener në dorë,as përgjegjës stacioni që të të japi një shpjegim.

Të gjithë ngrenë supet,rrudhin buzët,psherëtijnë:ishallëh,e lënë punën në duart e Perëndisë:

-Do Zoti, mërmërijnë.

Tani, që të merrni vesh shkoqur:Duam të niset treni për në Evropë dhe pyesim:çfarë orari ka,ku ndalon në ç’stacion,kur mërin në Evropë etj, etj,mirëpo përpara të gjithë këtyre pyetjeve e gjej një gjysmë përgjigje,te  njw sentencë e folklorit:Në të vërtetë :A ka tren, që niset apo jo?

Në fakt, binari që në është caktuar për të qëndruar treni ynë ka vite, që e kanw mbuluar shkurret. Të gjithë  sytë i hedhin veç nga treni,po binari ynë që rri e pret dhe ne kaq vite  në pritje,për të shkuar në Evropë.

2.

Meqë përmendën trenat ,këto mjete të lëvizshme me shina, vendi ynë ka një përvojë të hidhur. Trenat në këtë vend filluan të lëvizin vetëm atëherë në keto vite‘:7nëntor 1947 : Durrës – Peqin23 shkurt 1949 : Shkozet – Tirana22 dhjetor 1950 : Peqin – Elbasan – Krasta / – Cërrik7 maj 1963 : Vora – Laç13 tetor 1968 : Rrogozhina – Fier20 mars 1972 : Krasta – Librazhd10 mars 1974 : Librazhd – Prenjas9 mars 1975 : Fier – BallshJuli 1979 : Prenjas – Pogradecprill 1981 : Laç – Lezha25 janar 1982 : Lezha – Shkodra (Trafiku i mallrave që me 11 nëntor 1981)11 janar 1985 : Shkodra – Han i Hotit.14 tetor 1985 : Fier – Vlora (Trafiku i mallrave deri Narta që me janar 1985)Fundi i viteve 1980 : Milot – Rrëshen,

pasi,rinia e këtij vendi ndërtoi  më parë udhët e këtyre trenave .Evropa plakë kishte vite, që mbante të instaluar jo vetëm trenat, por edhe tramvajet,vetëm këtu për çudi në këtë truall të lashtë ,trenat erdhën vonë dhe punuan vetëm për një sistem ekonomik të caktuar.

Sapo hyri “krimbi” dhe shfryu llafi  se udhët e Evropës plakë u hapën edhe për banorët e këtij trualli, trenat patën punë ,mirëpo më pas udhët e tyre dhe punesat  e tyre mbetën  aq larg botës dhe zhvillimit sa mund të thuhen se gjithë ky investim i rinisë shqiptare shkoi dëm. Trenat shqiptarë janë trenat më të lodhur të botës. Binarët ku nisen  dhe stacionet  ku ata qëndrojnë janë kandisur në ca sheshe plotë ferra. Trenat nuk janë më në modë, në këtë vend. Në Perëndim trenat, janë  një alternativë e mirë transporti,veç në këtë vend jo. Shpejtësia e tyre është lemeritëse dhe mundonjëse. Dikur trenat fundit  qëndronin edhe nëpër ca  fshatra të vegjël ku  kishte stacione të vegjël,  që sot nuk ekzistojnë më.

Ka edhe një shkak tjetër. Përse trenat nuk nisen nga  Tirana, për në Evropë? Mirë  do të qe,por kë një pengesë të vogël :në Tiranë nuk kë më as tren dhe as stacion treni. Në qytetin tonë sikurse nëpër disa qytete të tjerë treni niset e soset i trembur, se mos i thyejnë xhamet,se mos këputet ndonjë binarë, se mos i pret udhën ndonjë maqinë, se mos i zënë udhën me ndonjë ndërtim.

 

3.

Si punë e këtij treni,është udhë jonë ,rrugëtimi shqiptar drejt Evropës. Të gjithë fajësojnë dhe harrojnë se këtë vend e pllakosën ca regjime që i bënë këtij vendi për të zezën e tij largimin  nga Evropa ku ne gjeografikisht jemi pjesë e saj prej formimit të tokës dhe popullimit me njerëz. Nëse holandezët sot bëjnë be dhe këmbëngulin, që ky vend evropianë të mos futet në Evropë, duam ti kujtojmë këtij se kur ambasadori i tij në vitin 2010 erdhi në Orikum aty holandezët kanë një financim, ai vizitoi edhe qytetin e lashtë qe patë vizituar Cezari me ushtarët e tij   në dimrin  e vitit ‘48, përpara Krishtit. Ambasadori ishte historian dhe e njihte mirë këtë fakt, por ai pa ndërtesat  në shkëmb,puset e ujit,murrin rrethues të qytetit dhe i shpjeguam se ky qytetërim u ndërtua këtu në një tokë pellazge ,po holandezët ku gjendeshin atëherë kur ne ishim pjesë e qytetërimeve botërore?

Ne kemi qenë këtu dhe këtë vend na e zgjodhi Zoti vet.Asdreni ka shkruar:

Se Zoti vetë e tha me gojë/Që kombe shuhen përmbi dhé,/Po Shqipëria do të rrojë;/Për të, për të luftojmë ne!

4.

Ka dy mënyra për të kapur trenin e Europës.Ta zëm s’duam të presim  trenin tjetër ngase pritja e gjatë na ka lodhur shumë  ,athëre duhet të nxitojmë dhe ti presim udhën trenit,  që është nisur.Nëse ne jemi në stacionin e Fierit nxitojmë dhe diku aty nga Gradishta i avitemi trenit përpara:mbaje o shofer?

Po cfarë i   themi ne:Trenist mbaje trenin!

Po  nëse treni  s’ka ndalesë aty, ne si shqiptarë i dalim përpara me prita e barrikada e ndalim me hairë e pahir.E pyesim faturinon  në gjuhën e shqipove:

-A bënë me hyp në këtë tren?

Me mirësjellej ai na përgjigjet në gjuhën tonë:

-Si jo o burrë i dheut!

E kuptojë mir,po më habit si ka mësuar kaq mirë shqip?

Po mirë, a nuk më thua ku ke  mësuar kaq mirë shqip?

-Akoma vëlla se ke kuptuar se këtu gjëndemi në Gradishtë dhe në këtë territor flitet vec shqip.

-Po treni për në Europë kur niset?

-Ende s’është afishuar orari i trenave, që nisen nga lindja drejt perëndimit.Një ditë të jeni të sigurt ai orar do të gjëndet në cdo stacion treni të Europës plakë dhe uturima e tij do na zgjojë cdo mëngjes.

Ka një këngë Ilir Shaqiri në tekstin e të cilës thuhet:

Moj Evropë, Evropë e vjetër, /Si s’më gjete një rrugë tjetër,/ Një rrugë tjetër me pak besë, 100 vjet m’qite n’harresë./ Moj Evropë perdja e kallkanit, /Ta vunë zjarrin n’mes t’Ballkanit, /Ta vunë zjarrin që m’përvlon,/ E nuk pres ma nuk pres si kujton. /Nuk ja pres hilet si t’thash /Se m’ka ra ma thika n’asht, /E dredhitë po dalin n’fushë, /Arat vorre mi kanë mbushë. /100 vjet po i pres ngushllim, /Po i laj duartë me gjakun tim./
Kthema mua krenarinë dhe dorën se… /Mos të ndajmë kufi, mos të ndajmë kufi. /Kthehma tokën,/kthjellma qiellin. /Kthehma borxhin, kthehma borxhin. /Lëshoma diellin. /Du’ t’jem Zot! N’time tokë! /Dje dhe sot, sot e nesër unë jam Evropë, jam Evropë, jam Evropë. /Deshtën Lindje e Azi, herë me fe, herë me dredhi. /Trup e kokë t’mi bënin copë, /Që t’mos isha më Evropë. /Moj Evropë perdja e kallkanit, /Ta vunë zjarrin n’mes t’Ballkanit, /Ta vunë zjarrin që m’përvlon, /E nuk pres ma nuk pres si kujton. /Nuk ja pres hilet si t’thash /Se m’ka ra ma thika n’asht, /E dredhitë po dalin n’fushë, /Arat vorre mi kanë mbushë. /100 vjet po i pres ngushllim, /Po i laj duartë me gjakun tim. /Kthema mua krenarinë dhe dorën se… /Mos të ndajmë kufi, mos të ndajmë kufi. /Kthehma tokën, kthjellma qiellin. /Kthehma borxhin, kthehma borxhin. /Lëshoma diellin. /Du’ t’jem Zot! /N’time tokë! /Dje dhe sot, sot e nesër unë jam Evropë, jam Evropë, jam Evropë. /Kthehma tokën, kthjellma qiellin. /Kthehma borxhin, kthehma borxhin. Lëshoma diellin. /Du’ t’jem Zot! /N’time tokë! /Dje dhe sot, sot e nesër unë jam Evropë, jam Evropë, jam Evropë.

 

*Msc. Anëtar i Akademisë Evropiane të Arteve

 

Filed Under: Komente Tagged With: cili tren, Gezim Llojdia, na eshte caktuar, per ne Europe

KOSOVA, DASHURIA IME

December 16, 2013 by dgreca

Shkruan: Rrustem Geci – Dortmund/

Me serbët ne jemi fqinjë. Në kohë paqeje i japim bukë njëri tjetrit. Mirëpo, në çastin kur serbët mësyjnë tokat dhe shtëpitë tona, shprehet Ali Tahir Aliu, nga Bardhyli ( Bradashi ) i Besianës, ne jemi të shtrënguar t´i ngrejmë pushkët kundër tyre! Toka denbabaden shqiptare, as s´ jepet dhe as nuk falet! Kosova ka një shekull që nuk bën gjumë natën nga pretendimet e Serbisë!../

Ne që trupin e mërguam nëpër botë si pasojë të shtypjes së egër dhe  luftës, jo pak jetën e dhënë nga prëndia po e harxhojmë nëpër vende të huaja, dhe për të huajtë. Unë kujtoj thotë Ali Tahir Aliu, nga fshati Bardhyl ( Bradashi ) i Podujevës, se është çasti që t´i trokasim vetes, dhe t´ia bashkangjesim trupit, mendjen, shpirtin dhe mençurinë, dhe të kthehemi në atdhé. Republika e Kosovës, apo thënë shkurt, Kosova-Shqipëri, është dhéu ynë, gjuha dhe dashuria jonë. Pa këtë adresë të atdheut, ne do të kishim as emër dhe as mbiemër, po vetëm një popull i shkrirë në një populli tjetër. Rruste, më thotë Aliu, shqiptarët janë prindërit të mirë, i duan fëmijët, i duan vëllëzërit dhe motrat, i duan nipërit dhe xhaxhallarët, tetet dhe dajat, fushat dhe malet, krojet dhe lumenjtë, vajzat dhe gratë e bukura, dhe mbi të gjitha e duan gjuhën dhe vendin e tyre ku janë lindur. Unë nuk jam në mërgim se kam dashur të aventuroj këtej, apo se më ka thërritur mërgimi, shprehet Aliu. Mërgimi për të pamërguarin është botë e panjohur, e veshur me para të premtuara, dhe drejtësi të ekzagjeruar. Jeta ime e veshur me mërgim jo herë-herë është, e ëmbël. Mërgimi për atë që është atdhetar, ka shije të thartë dhe gërryese. Ali Tahir Aliu, u lind më 17.03. 1968, në Bardhyl të Besianës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen, në Besianë. Libri për Kosovën mua më mbeti i pashkruar dhe i papërfunduar. Kryengritjet e Kosovës aso kohe ishin të përditshme, më thotë Aliu. Unë edhe kur bëj gjumë, duart i mbaj grusht, ndërsa ëndrrat e mia janë krejt epike, dhe me beteja të ashpra. Lot më bie në zemër pse s´jam në Kosovë. Nën pushtimin e jugosllavëve, dhe të diktatorit Tito, shqiptarët përjetuam burgun më të rëndë. Të drejtat tona në Jugosllavi, shkileshin vazhdimisht. Në Kosovë, aso kohe vrisnin shumë faktorë. Vriste varfëria, niveli ulët i arsimit, burgosjet dhe shpërnguljet, ndalimi i festive kombëtare, gjakmarrja, ndalimi i flamurit, pabarazia në punësim, dhe diferencimet e pareshtura të kuadrove, bënin që jeta e shqiptarit nën pushtimin serb të ishte jetë e të shtypurit dhe e të burgosurit. Populli ynë nuk e ka thënë kot; “zullumi këputet prej s´trashi”!Rruste më thotë Aliu, një patriot i devotshëm, një atdhetar i formuar, dhe një UÇK-ist që nga ditët e para të luftës. Aliu tregon se e tërë familja e tij 50 anëtarëshe, me prindër dhe xhaxhallarë, u vunë në radhët e UÇK-së, që në ditët e para. Babai im, Tahir Aliu, me profesion murator, UÇK-së i afroi tërë ekonominë familjare dhe njerëzore, për çlirimin e Kosovës. Babi im, Tahir Aliu, që në ditët e para të luftës për liri të Kosovës dhe pavarësi, iu përgjigj thirrjes së UÇK-së, dhe u rreshtu me vullnetarët e Llapit, për t´i këputur prangat njëshekullore të robërisë. Liria çmimin e ka të lartë na thoshte babai, por, ne duhet të jemi gati për çdo sakrificë. Divorci me Serbinë dhe ish Jugosllavinë, Kosovës do t´i kushtoj një det gjaku. Që nga viti 1945, e deri me shpalljen e pavarsisë, më 17 shkurt, 2008, Kosova u përgjak s´i asnjë vend tjetër në Evropë. Komunistët e Titos, e veçmas ata serbë, të Milosheviqit, vranë , prenë rreth 55 mijë shqiptarë. Mirëpo, shtypja Serbe nuk ndalon në vitin 1956, as në vitin 1968 e këtej. Politika gjakatare serbe, vullnetin e Kosovës për Republikë të pamvarme, e quajti armiqësore, dhe çdo kërkesë në drejtim të pavarësisë, Serbia përgjigjej me vrasje dhe burgosje. Ndërsa, dënimet ishin të përditshme. Rreth 800 mijë qytetar të Kosovës ( para se të nis lufta ) u rrahën, u dënuan dhe u persekutuan nga pushtuesi serb. Lufta në Kosovë ishte e pritshme. Zullumi këputet prej s´trashi! Mirëpo, heroi popull, u kryengrit, që lirinë e shkelur, ta fitoj me çdo çmim.  Familja Jashari këtë e dëshmoi më së miri. Thyerja e përgjakshme e Jugosllavisë dhe Lufta me Serbinë, Kosovës i kushtoi me  13 mijë të vrarë, 4500 të zhdukur, 120 mijë shtëpi të djegura, një million të përzënë në 5 kontinentet, 25 mijë gra e vajza të dhunuara, dhe me një ekonomi familjare tërësisht të shkatërruar. Ky çmimi i gjakut dhe i pasurisë, dhënë luftës sonë për liri, bëri që SHBA-të, NATO, dhe e gjithë bota t´i vehet në ndihmë, Luftës për liri të Kosovës. Në atë luftë të pabarabartë Amerika na bëri me shumë duar, dhe fizikisht Kosovën e shpëtoi nga shuarja. Unë dhe familja ime, më thotë Ali Tahiri, një burrë fjalë pak e i guximshëm, lirisë së së Kosovës i kemi dhënë mjaft për kohën. Fal organizimit të mirë, dhe përgatitjes për luftë, Llapi dhe Anamorava, nuk lejuam që të ndodhë Tivari dhe Srebërnica. Babai im Tahiri  ishte i veshur dhe në front të luftës, që nga ditët e para. Tek shqiptarët, kur babai është në luftë me dike, edhe familjarët atë e ndjekin, dhe janë luftëtarë të tij. Bashkim Aliu, im vëlla, i lindur me 2.01. 1983 në Bardhyl të Llapit. Ai në moshë fare të re (18 vjeç ) u radhit në radhët e UÇK-së. Bashkimi bashkë me prindërit, Mëmën, babain, vëllëzërit, motrat dhe xhaxhallarët dhe familjet e gjerë, kontribuan shumë në bartjen e ushqimeve, armatimit, dhe ndihmë të plagosurve. Ne jemi fqinjë me serbët, më thotë Aliu, një biznesmen i sukseshëm në Dortmund të Gjermanisë, i cili në në kohën më të vështirë, Luftën e Kosovës për liri e pavarësi e ndihmoi me 3o mijë marka gjermane. Ne shprehet Aliu, në kohë paqe fqinjëve serbë u kemi dhënë bukë, kur kanë qenë në nevojë. Mirëpo, në çastin kur serbët mësyjnë tokat dhe shtëpitë tona, ne jemi të shtrënguar t´i ngrejmë pushkët njëri-tjetrit! Toka e gjyshit dhe e stërgjyshit, nuk jepet dhe as nuk falet! Kosova ka një shekull që nuk bën gjumë natën. Jo njëherë, por disa herë i kam kafshuar lotët që të mos m´i shohin prindërit, vëllëzërit, motrat, miqtë,  shprehet Aliu, se para nënës nuk kam të drejtë të qajë!..Rruste, Kosovën e kam zemër, e kam shpirt, e kam atdhe. Kosova për mua është kuptimi i jetës sime!..

 

Filed Under: Komente Tagged With: dashuria ime, Dortmund, kosova, Rrustem Geci

FEDERAT “VATRA” DHE KONSULLATA E KOSOVËS PROMOVUAN LIBRIN E ASTRIT ZEMAJ

December 7, 2013 by dgreca

*Libri me titull ”Intervenimi Ushtarak Humanitar i NATO-s në Kosovë” u që ka për autor konsullin e Kosovës në Frankfurt, diplomatin Astrit Zemaj, u promovua në mjediset e Monroe College në New York/

*Intervenimi i SHBA dhe NATO-s në Kosovë, kan qenë plotësisht të arsyeshme dhe ajo ka qenë një luftë e drejtë në aspektin moral, politik dhe njerëzor/

NGA BEQIR SINA/

BRONX NYC : Në mbrëmjen e 24 marsit, 1999, Aleanca Veriatlantike NATO filloi intervenimin e saj për t’i dhënë fund luftës në Kosovë. Për të parën herë në historinë 50 vjeçare të ekzistimit,u krye “Intervenimi Ushtarak Humanitar i NATO-s në Kosovë” pra, në vitin 1999 liderët perëndimor vendosën të përdornin NATO-n për të parandaluar spastrimin etnik nga forcat e Millosheviqit në Kosovë.

24 mars 1999, padyshim që është nata që ndryshoi historinë jo vetëm të Kosovës por edhe të Aleancës Veriatlantike. NATO filloi sulmet ndaj caqeve serbe, në një sulmë ushtarak ajror që do të zgjaste 78 ditë për të ndaluar operacionet e tyre në Kosovë, dhe, për të parandaluar spastrimin etnik. Edhe pse Këshilli i Sigurimit, nuk kishte autorizuar sulmet, NATO përmes Sekretarit të Përgjithshëm, Havier Solana mbronte arsyeshmërinë e tyre, të intervenimit.

Një intervenim ky që Konuslli i Kosovës në Frankuft – Gjermani, diplomati Astrit Zemaj në librin e tij të parë “Intervenimi Ushtarak Humanitar i NATO-s në Kosovë”, e ka argumentuar me detaje duke na treguar se përse ajo ishte një luftë e tillë, dhe para në historin e aleancës më të madhe dhe më të fushqishme në botë NATO-s dhe SHBA.

Në adituriumin e tepullit të dijes Monroe College në Bronx New York , mbrëmë u promovua libri “Intervenimi Ushtarak Humanitar i NATO-s në Kosovë” të autorit Astrit Zemaj.  Në një panel të udhëhequr nga znj Elmira Babamusta, ambasadori Bekim Sejdiu, kryetari i Vatrës Dr. Gjon Buçaj, professor Haxhi Berisha dhe vetë autori Astrit Zemaj.

Ky promovim shembullor, u krye në bashkëpunim me Konsullatën e përgjithshme të Kosovës në Neë York, dhe Federatën Panshqiptare e Amerikës VATRA me seli në Neë York, të Premten me 6 dhetor, në Monroe College, dhe kujdesin e posaçëm të profesorit të këtij kolegji zotit Haxhi Berisha.

Në këtë promovim morën pjesë rreth dhjetëra vetë, të gjithë veprimtarë të njohur të çështjes tonë kombëtare, lider, shumë nga këta intelektualë, gazetar e studentë të të gjitha lëmive. Si dhe vetë autori Astrit Zemaj i cili me këtë rastë u nderua me pllakatën “Nderi i Monroe College” në Neë York së bashku me asambleistin Mark Gjonaj, i cili gjithashtu u nderua me pllakatën “Nderi i Monroe College” në Neë York.

Në promovim mori pjesë edhe Presidenti i “Monroe College”, Mr. Stephen Jerome, asamblesiti shqiptar i Neë Yorkut, Mark Gjonaj, avokati Stiv Kaufman, professor Paulo Palombo, veprimtari Harry Bajraktari, zoti Elmi Berisha, z Musa Daka, z. Musli Mulosmani,z Agim Rexhaj,z. Esad Rizai, Marijan Cubi, dhe Uk Gjonbalaj dhe shumë të tjerë.

Promovimin e librit e hapi me një përshëndetje rasti Kryetari i Vatrës, Dr. Gjon Buçaj. I cili, përshëndeti të pranishmit dhe falënderoj për bashkëpunimin Konusllatën e R. Kosovës në New York, dhe kolegjin Monroe me professor Haxhi Berishën për kujdesin e treguar, por me theks të veçantë, kreu i Vatranëve, falënderoj autorin e këtij libri diplomatin Astrit Zemaj, për promovimin e këtij  libri nën kujdesin e Federatës PaShqiptare VATRA.

“Vatra shoqata më e vjetër në SHBA, tha Dr. Buçaj  nëpërmes promovimit të këtyre librave, me autor miqt e Vatrës, ka krijuar një kulturë e përvojë të madhe me organizime të ndryshme, çka është edhe në tarditën e kësaj shoqate famëmadhe dhe më e vjetra shqiptare në Amerikë, siç janë:manifestimet, përkujtimet, dhe promovimet e këtyre librave, natyrisht edhe si ky i zotit Astrit Zemaj të cilin gjejë rastin t’a përgëzojë përzemërsisht për linbrin e tij “Intervenimi Ushtarak Humanitar i NATO-s në Kosovë” duke i uruar suksese!’

Promovimin e librit “Intervenimi Ushtarak Humanitar i NATO-s në Kosovë” të autorit Astrit Zemaj, e drejtojë Ermira Babamusta, e cila është eksperte e punëve të jashtme, humanitare dhe atuore. Momentalisht, është kandidate e doktoraturës për Shkenca Politike dhe Diplomaci në Ë. Virginia dhe njekohesisht po ndjek programin në Inteligjence & Sigurim Kombëtar në Harvard.

Drejtuesia Dr. Ermira Babamusta, ka prezantuar personalitetet që folën në këtë promovim  nëpërmjet CV së çdo folësi. Më pas ajo u kërkoi të pranishmve që të nderojnë egzekutimin e Hymnit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Shqipërisë dhe i Kosovës vetëm muzikë pa tekst. Ndërsa, tha znj. Babamusta me një minut heshtje të nderohen dhe t’i japim respekt të gjithë dëshmorëve që ranë për lirinë e pavarësinë e Kosovës

Me nga një përshëndetje rasti për autorin e librit “Intervenimi Ushtarak Humanitar i NATO-s në Kosovë” të autorit Astrit Zemaj – Konsull i Kosovës në Frankfurt Gjermani erdhën në këtë promovim Presidenti i “Monroe College”, Mr. Stephen Jerome, Asemblisti i Shtetit të Neë York-ut, z. Mark Gjonaj, dhe Professor Haxhi Berisha.

Fjala kryesore (Keynote speaker) për librin e diplomatit Zemaj u mbajt nga kolegu i tij, Ambasadori Bekim Sejdiu, Konsull i Përgjithëshëm i Republikës së Kosovës në New York. I cili, është edhe recenzent i këtij botimi, ku trajtohen aspeket politike, juridike e ushtarake të intervenimit të NATOS-s nën udhëheqjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ambasadori Sejdiu tha se kam një kënaqësi të veçantë të flasë si koleg në këtë promovim të librit të Konusllit Zemaj. Të flasë si një mik i tij dhe si person që e kam parë nga afër ngjarjet për të cilat flet në libër Zemaj dhe të perjtojë këtë kënaqësi të mbajë këtë kumtesë lidhur me librin  “Intervenimi Ushtarak Humanitar i NATO-s në Kosovë”. Një libër shumë interesat që mendojë se duhet t’a lexojmë të gjithë për të mësuar më shumë se cili ka qenë roli i NATO-s dhe SHBA në luftën për çlirimin e Kosovës.

        “Më duhet të theksojë, shtoi zoti Sejdiu, në vija të përgjithëshme, se intervenimi humanitar ushtarak i Nato-s në rastin e Kosovës shkon shumë përtej dimenzioneve tona nacionale –  Kosova nuk është vetëm një rast i rëndësishëm për ne shqiptarët, mbasi intervenimi humanitar si koncept në Kosovë, është njëri prej koncepteve ku shkëmbehet përplasja humanitare ushtarake e një lufte më të fuqishme, si në asnjë rast tjetër në botë.”

      Ai sqaroi se në botëkuptime dhe interpretime të ndryshme, kritike dhe politike lidhur me arsyeshmërit për të dalë në një luftë përfundimtare të suksesshme. Dhe, se sa e suksesshme rezultoi një gjë e tillë, autori e përshkruan në të gjitha detajet që jep në libër. Por gjithashtu gërshetohen përplasjet për arsye dhe intersa të ndryshme gjeopolitike që përcjellin ato.

        Rasti i Kosovës, për diplomatin kosovar Bekim Sejdiu është një nga rastet më tipike,  pavarësisht se për shumë kritere atyre në jetën politike, pluhuri i harresë e të tjera, mund të bjerë mbi “Dosjen e Kosovës 1999” . “Rasti i Kosovës, do të shërbej gjithmon sa herë që në politikën ndërkombëtare do të shfaqet nevoja për ë përdorur forcën ushtarake në emër të jetës së njërëzve dhe dinjitetit njerëzor, kudo në botë. Rasti më i fundit, është ai i Sirisë, por të mos harrojmë edhe Irakun e të tjera raste që kan ndodhur pas intervenimit ushtarak humanitar të Natos – në Kosovë” tha Sejdiu.

       “Dhe, për këtë në një farë mënyrë nëpërmjet librit të tij – Konsulli Zemaj në Frankfurt – Gjermani e ka dëshmuar përmes librit dhe ka ofruar argumenta të forta që rikonfirmojnë faktin që Nato dhe Shtetet e Bashkuara me intervenimin e tyre në Kosovë, kan qenë plotësisht të arsyeshme dhe ka qenë një luftë e drjetë në aspektin moral, politik dhe njerëzorë. Andaj ky libër zë një vend të veçantë në të gjitha shkrimet që janë botuar për luftën e Kosovës” ka konkluduar në fjalën e tij Ambasadori Bekim Sejdiu, Konsull i Përgjithëshëm i Republikës së Kosovës në New York..

Me shumë vëmendje të pranishmit ndoqën fjalën e autorit, z. Astrit Zemaj, Konsull i Republikë së Kosovës në Frankfurt, Gjermani i cili përcolli me këtë rast një falemnderim të thellë për këtë promovim

“Kam nderin dhe kanqësinë, tha qysh në fillim të fjalës së tij diplomati Zemaj, që sot të jem në mesin Tuaj, dhe njëkohësisht, është një privilegj i veçantë që së bashku me Ju, të nderuar bashkëatëdhetarë, dhe miq të vendit tonë, që më keni dhënë mundësisnë për të realizuar promovimin e librit tim të ri, Legjitimiteti i Intervenimit Humanitar Ushtarak në Kosovë, pikërisht në vendin e themeleve të demokarcisë dhe të lirisë, SHBA-ve

     Prandaj që në fillim përfitoj nga rasti iu drejtua ai pjesëmarrësve, dëshirojë të ju falenderojë të gjithë ju për pjesmarrjen, dhe veçanërisht për oraginizatorët e këtijë promovimi, Shoqatën kombëtare Vatra dhe Konsullatën e Përgjithëshme të RKS/së në New York, nën drejtimin e Ambasadorit Sejdiu.

    “Sot, pothuajse 15 vite  prapa , tha  autori, z. Astrit Zemaj, Konsull i Republikë së Kosovës në Frankfurt, Gjermani, kur NATO nën drejtimin e SHBA-ve,  mori vendim dhe veproi me forcë ushtarake për të ndaluar dhunën dhe gjenocidin  tmerrues në Evropë,  i cili, nuk kishte ndodhur në përmasa të tilla që nga përfundimi i LDB-re, për popullin e Kosovës dhe Shqiptarët në përgjithësi nënkuptonte shpëtimin Biblik apo lindjen përsëri në themelet e ekgzistimit të tijë si komb.”

Në fund u kalua në një forum të hapur pyetje përgjigje me autorin Astrit Zemaj – Konsull i Kosovës në Frankfurt Gjermani si dhe për pjesëmarrësit falas u bë shpërndarja e librit me autografe. U zhvilluan takime dhe biseda të lira me autorin. Televizioni TV21 dhe Albanian Culture, gazeta Dielli, Illyria dhe Bota Sot, biseduan me autorin e librit “Intervenimi Ushtarak Humanitar i NATO-s në Kosovë” të autorit Astrit Zemaj – Konsull i Kosovës në Frankfurt Gjermani.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Astrit Zemaj, Bekim Sejdiu, Ermira Babamusta, Gjon Bucaj, Monroe College, Vatra

Amnisty International per korrupsionin, Shqiperia e krahasueshme me Nepalin, Timorin Lindor…

December 4, 2013 by dgreca

Nga Dionis Xhafa/

Amnisty International nxorri një raport ndërkombëtar lidhur me indeksin e perceptimit të korrupsionit në vendet e botës. Shqipëria, porsi gjithnjë e “përvuajtur” nga elementë negativë të shoqërisë dhe shtetit, u rendit në vendin e 116, në një rang me Nepalin e Vietnamin. Këta dy shtete ndoshta nuk ngjajnë aq dramatik, sa po të shohësh ç’vjen fill më pas nesh në renditje. Në vendin e 119 renditen disa shtete, ku mes tyre emra “simpatikë” shtetesh si Mauritania, Mozambiku, Timori Lindor apo shteti më i varfër në botë, Sierra Leone.      (http://www.transparency.org/cpi2013/results ). Vendi i 116 do të thotë një ngecje në vend që nga viti 2005, kur ishim të pozicionuar në vendin e 117-të. Nuk duhet shumë imagjinatë për të kuptuar se si lëviz korrupsioni në Shqipëri, si është shndërruar në një psikozë të përgithshme shoqërore që zor të gjejë shërim. Thonë që e keqja më e madhe e shqiptarëve nga ku shpesh nuk përparojnë është se shajnë vetveten duke qenë vetvetja, si qytetar brenda një sistemi që zor të ndryshojë. Nuk besoj se ka aq dramacitet sa për të thënë se përse jemi këtu. Ne kemi jetuar me këtë dramë, kemi jetuar çdo ditë në daullen e dramës së korrupsionit që buçet fuqishëm dhe ku çdokush ia dëgjon zërin dhe e fton në të tijën strehë.

Ta nisim tashmë me qeverisjen e re, që edhe pse akoma s’është vënë në provë të vërtetë, ka një psikozë vërtetë për tu lavdëruar. Kur erdhi në pushtet dhe u rrëzua një autokrat si Berisha ngjante sikur një mal kish rënë në tokë e ishim çliruar nga rënia e tij. Retorika e vetë Ramës ngjallte kërshëri se edhe ne shqiptarët, më të thjeshtit qytetar mund të punojnë ndershmërisht dhe të mund të jetojmë në këtë vend. Të jepet përshtyja se një pëlhurë e re ka rënë në çdo gjë, institucion, rrugicë, në të folurin e njerëzve, bisedat sikur kanë ndryshuar ngjyrë. E, për të mos llastuar një politikëbërje me ngjyra të purpurta që ledhaton shumë shpresën, na mbetet të presim nëse ngjyrat e vërteta do të vijnë. Nëse e ke lexuar Qosen, ai thotë se nëse nuk do kishte organizma ndërkombëtarë, kasa politike në Shqipëri nuk do ndryshonte dhe Berisha do të mund të bënte ç’të dëshironte akoma dhe sot. Por është një zë më i fortë se ne, që e sheh të vërtetën drejt e në sy dhe që s’na lë të hamendësojmë shumë, zëri i miqve ndërkombëtarë. Është zëri i Amnisty International, që na bën thirrje sot të ndërgjegjësohemi se ç’demokraci ka funksionauar në Shqipëri. AI është një organizëm ndërkombëtar që gjithnjë merr në mbrojtje civilët, duke kryer një punë të jashtëzakonshme në lëvrimin e vlerave të vërteta demokratike. Ashtu si në jetën e një njeriu që çfarë e ka kaluar e lë pas, ashtu me dhimbje duhet të lëmë pas një sistem që e ka rrjepur shoqërinë civile. Ditën që shoqëria do triumfojë mbi politikën, do të jetë çlirimi mendor i Shqipërisë. Sinjali i parë i një çlirimi të një ndërgjegjeje të thellë u dha në çështjen e armëve kimike. Qeveria e ardhur duhet gjithnjë të jetë në mbrojtje të civilëve, në mënyrë që progresi si ekonomik, ashtu dhe mental të bëhet avash-avash, pa hedhur hapa të gabuar. Ky është Amnisty International. Ky është zëri i së vërtetës! Ne e dimë se ku jemi…Ndërgjegja ka nisur. Duhet parë përpara, jo si parrullë politike, por si realitet në veprim.

 

Filed Under: Komente Tagged With: Amnisty International, Dionis Xhafa, korrupsioni, shqiperia

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 426
  • 427
  • 428
  • 429
  • 430
  • …
  • 482
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Potret kushtuar guximtarit të përndjekur Qemal Agaj
  • Shqipëria Nuk Ka Nevojë të Bëhet Singapor — Ka Nevojë të Bëhet Baltike
  • “PRIJATARËT E LAVDISË” – POEZI NGA VALBONA AHMETI
  • Gjuhën shqipe nuk e humb Norvegjia, e humbim ne në shtëpi
  • Një letër – Dy intelektualë – Tri dekada më vonë
  • Propaganda…
  • 𝐃𝐢𝐩𝐥𝐨𝐦𝐚𝐜𝐢𝐚 𝐞 𝐒𝐞𝐧𝐭𝐢𝐦𝐞𝐧𝐭𝐞𝐯𝐞 𝐌𝐢𝐝𝐢𝐬 𝐊𝐨𝐦𝐛𝐞𝐯𝐞: 𝐑𝐢𝐤𝐭𝐡𝐢𝐦𝐢 𝐢 𝐍𝐣𝐞𝐫𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢𝐭 𝐧𝐞̈ 𝐧𝐣𝐞̈ 𝐁𝐨𝐭𝐞̈ 𝐊𝐨𝐧𝐟𝐥𝐢𝐤𝐭𝐮𝐚𝐥𝐞
  • LËVIZJA KOMBËTARE – NGA AUTONOMIA TE PAVARËSIA E SHQIPËRISË
  • “VATRA” në Boston ju fton në “Albanian Boston Community Center” më 17 janar 2026
  • NGA NJË KOLONI DE FACTO NË NJË KOLONI DE JURE
  • ADEM DEMAÇI, JO THJESHT FIGURË E REZISTENCËS, POR KATEGORI KONCEPTUALE E SHTETFORMIMIT
  • Roli i gazetës “Arnavud/Shqipëtari” në formimin e vetëdijes kombëtare te shqiptarët përballë politikave turqizuese të xhonturqve
  • Si investonte Serbia në thellimin e përçarjeve ndërmjet udhëheqësve shqiptarë dhe në shkëputjen e tyre nga ndikimi austro-hungarez
  • Marrëdhëniet e Gjergj Kastriotit – Skënderbeut me Republikën e Venedikut sipas dokumenteve të Arkivit Apostolik të Vatikanit, Arkivit të Shtetit të Venedikut dhe burimeve historike botërore
  • “U SHKEPUT NJE METEOR POR ZJARRI MBETET ZJARR…!”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT