• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

CARRIE HOOPER DËSHIRON TË VIZITOJË SHQIPËRINË

October 18, 2013 by dgreca

HOOPER: “I  DUA SHUMË SHQIPTARËT,  SEPSE KANË NGADHNJYER DHE MBIJETUAR, ME GJITHË KUSHTET  E  RËNDA, GJATË HISTORISË SË TYRE”/

Nga Prof. Murat Gecaj/

Tashmë, janë të njohura shkëmbimet e ndërsjellta të mesazheve ndërmjet njerëzve, të njohur ose të panjohur. Këtë mundësi na e jep një ndër shpikjet më të rëndësishme të njerëzimit, siç është Interneti. Ndër këta, sigurisht,  jam edhe unë, që kam dërguar ose kam marrë mesazhe të shpeshta, në shtete e kontinente të ndryshme të botës, por dhe që kam komunikuar përmes “Skype” etj. Natyrisht, nuk kemi se përse të “mburremi”, as vetë as ndonjë tjetër, nëse shprehemi se, gjatë ditës, dërgojmë ose marrim mesazhe përmes Internetit, nga të njohur ose të panjohur, të cilët jetojnë jo vetëm në vende të ndryshme të Europës, por dhe në shtete të tejera në kontinentet: Amerikë, Kanda, Australi, Afrikë ose Azi.

Pa u zgjatur më tej, dëshiroj t’u tregoj lexuesve, se pikërisht sot, mora një ndër mesazhet, që më duken më interesantë dhe më domethënës. Atë ma dërgonte znj.Carrie Hooper, nga Nju Jorku i SHBA-ve. Më bëri shumë përshtypje se, megjithëse e vërbër, kishte një veprimtari shumë të dendur dhe se, ndër vendet,  që ajo nderon e vlerëson, është Shqipëria jonë dhe, ndër gjuhet e shumta, që ka mësuar në largësi, është gjuha jonë amtare.

Meqenëse ajo më shkruante se e-mailin tim e kishte gjetur përmes kolegut e mikut tim publicist, Dalip Greca, Editor i Gazetës “Dielli”, në New York të Amerikës,   po sot,  i dërgova këtij një mesazh të shkurtër, në përgjigjen e të cilit ishin këto fjalë:

“I dashur Prof. Murat Gecaj! Të gjitha ato, që ju shkruan Carrie Hooper, janë të vërteta. Edhe letrën, në gjuhën shqipe, ajo e ka shkruar 100 për qind vetë. Edhe flet shqip-shkëlqyeshëm. Shkruan dhe poezi shumë të bukura shqip e këndon shqip. Sa për kërkesën e saj, për ta vizituar Shqipërinë, është e mira që ta marrë përsipër ndonjë instituticion shtetëror, sepse ka nevojë për shoqërues…Sinqerisht: Dalipi”.

2.

Për të kënaqur kureshtjen e  lexuesve, letrën që ka shkruar znj. Carrie Hooper, po e publikoj të plotë dhe pa bërë asnjë korrigjim gjuhësor në të. Me këtë rast, e përshëndes atë përzemërsisht, nga kryeqyteti ynë dhe e falënderoj sinqerisht, për tërë atë veprimtari të dobishme dhe, veçanërisht, për dashurinë dhe respektin, që ajo ka për Shqipërinë dhe gjuhën tonë amtare.

Duke marrë parasyshë gjendjen shëndetësore të kësaj mikeje të mirë amerikane, e cila është me gjendje të rënduar shëndetësore dhe, megjithatë, shprehë dëshirën e saj për ta vizituar Atdheun tonë, po u drejtohem  edhe organeve tona të larta shtetërore në Tiranë, por dhe përfaqësuesve tanë diplomatikë në Vashington, që ta shohin me dashamirësi dhe përparësi këtë kërkesë dhe të bëjnë të pamundurën, që asaj t’i plotësohet dëshira, për të ardhur sa më shpejt në Shqipëri.

Ja, letra e znj. Carrie Hooper:

“I nderuar Prof. Murat Gecaj,
Përshëndetje! Unë quhem Carrie Hooper dhe jam nga Elmira të Nju Jorkut në ShBA. E mora emailin tuaj nga Dalip Greca, redaktori i Gazetës Dielli. Kam lexuar shumë shkrimet tuaja dhe më pëlqyen shumë.
Jam amerikane pa asnjë prejardhjeje shqiptare. Jam krejt e  verbër që nga lindja dhe punoj si pedagoge të gjermanishtes dhe  të italishtes tek Elmira College në qytetin tim të lindjes. Më  tej jap piano dhe kanto në shtëpinë time dhe jap koncerte vokale  në vende të ndryshme. Përveç kësaj këndoj në dy kore dhe i bie  pianos. Më pëlqen të mësoj gjuhë të huaja dhe përveç italishtes  dhe gjermanishtes, kam mësuar suedisht, spanjisht, pak  finlandisht, pak frëngjisht, pak rusisht, dhe latinisht.
Para pesë vjetësh fillova ta mësoja gjuhën shqipe pasi kisha një  student nga Shqipëria në kursin tim të italishtes. Në fillim  përdora një libër në brail dhe pastaj dëgjova një kaset me  përralla në shqip. Gjithashtu bleva një fjalor shqip-anglisht që  një grua e transkriptoi në brail për mua. Në verën e vitit 2009  dhe në verën e vitit 2010 ndoqa kurse të gjuhës shqipe tek  Arizona State University në Tempe të Arizonës.
Shkruaj poezi shqip dhe disa nga poezitë e mia janë botuar në  Gazetën Dielli si dhe në revistën Kuvendi që botohet në shtetin e  Michiganit. Më tej kam shkruar artikuj për Gazetën Dielli.  Gjithashtu kam dhënë intervista për Radio Kosovën, për Radion e  diela, një program që transmetohet në Toronto të Kanadasë, për
emisionin Shqiptarët e Amerikës me gazetarin kosovar Qazim Doda,  si dhe për Gazetën Dielli dhe për gazateren Rajmonda Moisiu. Për  më tepër kam kënduar për veprimtari të organizuar nga bashkësitë  shqiptare në Nju Jork, Detroit, dhe toronto. Më tej këndova në  Kishën e Shën Elia në Jamestoën të Nju Jorkut dhe në Kishën e Shën Gjergjit në Boston të Massachusetts-it. Jam anëtare e një  ansambli folklorik, Bashkimi Kombëtar, me drejtor Gjergj Dedvukaj  dhe kam mësuar t’i bie çiftelisë.
Dëgjoj programet e Radio Tiranës, të Radio Vatikanit, dhe të  Radio Marisë, të cilët shoku im më inçizon nga interneti, dhe  lexoj artikuj nga gazeta shqiptare duke përdorur kompjuterin tim  të aksesshëm.
Gjuha shqipe është gjuha ime e preferuar dhe i dua shumë  shqiptarët sepse kanë ngadhënjyer dhe mbijetuar megjithë kushtet  e rënda gjatë historisë së tyre. E adhuroj shumë mikpritjen e shqiptarëve. Do të dëshiroja ta vizitoja Shqipërinë. Nga  Carrie Hooper (e-maili: hoot751@stny.rr.com)”.

Tiranë, 18 tetor 2013

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: carrie hooper, deshiron te vizitoje, Murat Gecaj, shqiperine

NË METROPOLIN SHQIPTAR KURBAN BAJRAMI FESTOHET PRAPË NËN QIELL TË HAPUR

October 15, 2013 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Në Tiranë binte shi kur besimtarët myslimanë me rastin e festës të Kurban Bajramit falën Namazin. I gjithë riti fetar u zhvillua si zakonisht në bulevard – në mënyrën më të pameritueshme dhe më të paemancipuar të mundshme në mungesë të objektit fetar.
Ceremonia u zhvillua e shkurtuar për shkak të kushteve atmosferike, me difekte në foni, të cilat bënin që lutjet të vinin të cunguara, ndërsa njerëzit faleshin mbi asfalt, pak të mbuluar nga tapetet e gjithkund lisho bulevard.
Për 23 vjet tranzicion, politika u tall me këtë komunitet, i cili dallohet për tolerancën fetare, duke qenë një nga faktorët që i ka siguruar shtetit laicitetin e tij. Sa e rëndësishme është kjo kur shohim se diskordancat fetare e kanë kallur në flakë botën mbarë. Politikanët shqiptarë duhet të shkojnë për çdo vit në Mekë e t’i kërkojnë Zotit t’i falë për mëkatet si ikonoklastë. Jo se kryejnë sulme direkte kundër objekteve të kultit, porse blasfemojmë duke i lënë besimtarët myslimanë të shfaqen në publik si të jenë një komunitet tribal – pa shtëpinë e Zotit – kur në fakt janë një komunitet i qytetëruar, me bonsens dhe tolerancë shembullore.

Toleranca fetare që ekziston në Shqipëri, padyshim që i dedikohet edhe shumicës. Ajo është në shërbim të vëllazërimit dhe harmonisë midis shqiptarëve. Harmonia fetare ndikon pozitivisht edhe në harmoninë kombëtare, të cilën e prish vetëm politika.

Komuniteti mysliman në kryeqytet meriton që të ketë Tempullin ku të falet. Shqipëria është vendi ku identiteti fetar apo krahinor vetëm se e plotësojë identitetin tonë kombëtar, sipas thënies së përherëshme të Vaso Pashës se feja e shqiptarit është shqiptaria. Ashtu si e pohon edhe Fishta „si t’kshtenë, si muhamedan / Shqypnin s’bashkut t’gjith e kanë/.“ Apo: „Bini, Toskë, ju, bini Gegë! /Si dý rrfé, qi shkojnë tue djegë!/A ngadhnyesé a t’gjith déshmorë! / »

Toleranca fetare është në gjak të shqiptarëve. Jo më kot jemi i vetmi vend në Europë, me shumicë myslimane që i morëm në mbrojtje hebrejtë. Islamizmi shqiptar është unik dhe kombëtar. Im atë, poeti Vehbi Skënderi, më tregonte se i jati i tij dhe gjyshi im, Imam Demir Efendiu, i shkolluar në Stamboll me një bibliotekë të jashtëzakonshme, kishte pikpamje të tilla liberale, sa njërin djalë të tij, dmth xhaxhain tim, e dërgoi të studionte në Shkollën e Fullcit, ndërsa tim atë, duke i parë vokacionin e çoi të ndiqte studimet fetare në Medresenë e Lartë të Tiranës, ku midis mësimdhënësve kishte orientalistin e mirënjohur Vexhi Buharaja, Profesor Mehdi Bushatin, Hafiz Ismetin etj etj.

E pra ta lësh këtë komunitet pa objekt kulti është mëkat. Ndërtimi i Xhamisë do të plotësojë simetrinë fetare në metropolin e Tiranës, pasi dy komunitetet e tjera tashmë i kanë ndërtuar Tempujt e Zotit. Në zemër të Tiranës ndodhet Katedralja e besimit katolik që mban emrin e apostullit të Shën Palit, një nga figurat më të rëndësishme të Krishtërimit, që e ka vizituar Durrësin, kur daton edhe komuniteti i parë krishterë, rreth viteve 50 të erës sonë. Po në zemër të Tiranës ka dy vjet që është inauguruar edhe Katedralja Ortodokse “Ringjallja e Krishtit”, me një arkitektonikë madhështore, duke mbuluar një hapësirë rreth 2000 metra katrorë, me një kosto rreth 50 milionë $. Një objekt kulti i rëndësishëm është edhe Katedralja e Nënë Terezës në Prishtinë, gurin e themelit të të cilit e vendosi Ibrahim Rugova, me besim fetar mysliman, por me një vetëdijë shkencore europiane për rrënjët e identitetit kulturor shqiptar, që kërkon respekt të ndërsjelltë fetar prej palëve. Toleranca nuk pranon intolerancën e cila i bën besimtarët myslimanë të kenë 23 vjet që, në festën e Kurban Bajramit, t‘i falen Zotit në mes të bulevardit kryesor të Tiranës nën tempullin e qiellit të hapur.

Filed Under: Komente Tagged With: Elida Buçpapaj, kurban Bajrami, ne qiell te hapur, Tirane

Nëpërkëmbja e gjakut të dëshmorëve nuk është traditë e shqiptarit

October 10, 2013 by dgreca

Shkruan: Teuta Kamberi-Llalla/Tetove/

Deri më sot siç dihet publikisht asgjë nuk është bërë për statutin e familjeve të dëshmorëve, invalidëve të luftës së 2001 edhe pse në Marrëveshjen e Ohrit është paraparë që brenda vitit 2004 të zgjidheshin këto çështje si shumë çështje të tjera të dala nga ky dokument i garantuar nga Ndërkombëtarët.

Partia shqiptare, ajo që thirret në emër të Luftës së 2001 bart një lloj përgjegjësie për realizimin e statutit të dëshmorëve dhe të familjeve të tyre sepse gjatë çdo fushate parazgjedhore politikanët e tyre bërtasin për zgjidhjen e kësaj çështje. Por edhe pse ka vite në qeveri nuk e ve këtë ujë në zjarr, i harrojnë premtimet dhe kështu çdo gjë mbetet në vend, pa lëvizur, pa u realizuar. Gjatë qeverisjes 2008-2011, një ministër shqiptar çirrej në media se janë ngritur grupet e punës midis BDI dhe VMRO-DPMNE dhe shumë shpejtë problemi i statutit të familjeve të dëshmorëve do të zgjidhet, por që nga 2011, kanë kaluar dy vite dhe çdo gjë është heshtur, është harruar. Familjarët e dëshmorëve, invalidët dhe të dëmtuarit e 2001 i ka kapur pesimizmi dhe nuk u besojnë më premtimeve boshe për zgjidhjen e çështjeve në fjalë. Pra, ka humbur shpresat tek këta njerëz.

Angazhimi i partive politike shqiptare i deritanishëm rreth kësaj çështje nuk ka qenë në nivelin e duhur, prandaj ekziston një pikëpyetje e madhe se me çfarë parrulle do ti kërkojë votat partia që çirret në emër të luftës së 2001 në zgjedhjet e ardhshme.

Mjerimit të tejskajshëm të familjeve të dëshmorëve i shtohet edhe përvetësimi i ndihmave që japin emigrantët tanë në Perëndim, ndihma të cilat në shumicën e rasteve nuk mbërrijnë në destinacionin e duhur, por në xhepat e atyre që bëjnë tregti me gjakun e dëshmorëve.

Nga viti 2005 e deri 2009 ish-kryetari i Komunës së Tetovës z.Hazbi Lika në heshtje ishte munduar t’ju lidhje një lloj pensioni mujor familjeve të dëshmorëve në shumën rreth 4.000 denar, por pas mbarimit të mandatit të tij për këtë çështje më nuk kujtohet askush.

Tallja me gjakun e dëshmorëve fillon që nga drejtuesit e shoqatave që thirren në emër të vlerave të luftës së 2001, dhe në veçanti nga kryetari i Shoqatës së Veteranëve të Luftës UÇK Fazlli Veliu i cili me rastin e çdo Bajrami u dërgon Fitrat në shumën e rreth 6.000 denar familjeve të dëshmorëve të luftës së 2001. Kjo lloj mënyre për të ndihmuar familjet dëshmorëve është nënçmim, përbuzje dhe qesharake sepse ata djem që dhanë gjakun në emër të çlirimit kombëtar nuk u radhitën në radhët e UÇK për Fitra, por për çlirim, demokraci dhe mirëqenie më të mirë për shqiptarët në Maqedoni. Tallja me gjakun e dëshmorëve dhe me figurën e tyre arrin kulmin kur kjo shoqatë që e drejton pensionisti politik Fazlli Veliu i shpall dëshmorët pa kritere ose edhe me baza ideologjie politike duke krijuar përçarje midis familjeve të dëshmorëve. Ne e lusim z.Veliu mos na i përçaj dëshmorët ashtu siç keni bërë përçarjen e ushtarëve të UÇK prej kaq vitesh.

Ka rreth 10 vite që një profesoreshë e universitetit të New Jorkit Vasiliki N., është marë me çështjen e shpalljes së dëshmorëve pa kriter nga Fazlli Veliu dhe është për të ardhur keq kur do të lexojmë librin e kësaj profesoreshe universitare se Fazlli Veliu ka shpall dëshmorë për interesat e veta edhe ata njerëz që kurrë nuk kanë qenë ushtarë të UÇK, me uniformë dhe betim solemn, por janë vrarë nga ndonjë plumb qorr apo edhe në aksidente automobilistike.

Në përfundim dua ti parashtroj disa pyetje zotit Fazlli Veliu si kryetar i shoqatës së Veteranëve të Luftës-SHVL: Përse një shoqatë e veteranëve të luftës së 2001, ai e identifikon me një parti politike kur dihet botërisht se UÇK ishte jopartiake?

Përse shoqata që drejton e ka zyrën në selinë një partie politike?

Çfarë u bë me të hollat që në vitet 2002-2003 ishin futur në Bankën greke ALPHA dhe disa muaj familjet e dëshmorëve i merrnin ndihmat me karta bankare rregullisht?

Kur do të gëzojnë ish-ushtarët e UÇK dhe familjarët e tyre të drejtat të barabarta me Branitellat?

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: neperkembja e gjakut, te deshmoreve, Tetove, Teuta Llalla

“Rilindja” Krijon vende pune:Furtunë në Polici- Shkarkohen 12 drejtorët e policisë të qarqeve, dorëhiqet Burgaj

October 9, 2013 by dgreca

Reagojnë demokratet: Basha- Qeveria atentat konsensusit. Hapa pas me emërimet në polici/

Furtunë shkarkimesh dhe emërimesh në policinë e shtetit. Më urdhër të Ministrisë së Brendshme janë shkarkuar nga detyra 12 drejtorë të policisë në qarqe ndërsa ka dhënë dorëheqjen edhe drejtori i përgjithshëm i policisë së shtetit Hysni Burgaj.

Sipas informacioneve  Burgaj është emëruar drejtor i akademisë së policisë ndërsa në vend të tij do të emërohet Artan Didi.

Ndërkohë në vend të Agron Kuliçajt si nëndrejtor i Policisë së Shtetit është emëruar Sokol Bizhga ndërsa në krye të drejtorisë së Policisë së Qarkut të Tiranës vjen Ardian Çipa pasi është shkarkuar nga detyra Bernard Çaushaj.

Lëvizjet e reja

1. Muhamet Rrumbullaku, emërohet në detyrën Shef i Sektorit të Programeve Mësimore në Qendrën e Formimit Policor

2.Altin Qato, emërohet në detyrën Zv/Drejtor i Përgjithshëm në Departamentin për Sigurinë Publike

3.Tonin Vocaj,  emërohet në detyrën Specialist ne Sektorin e Studimeve Strategjike ne DPP

4.Nikolin Bala, emërohet në detyrën Specialist ne Sektorin e Studimeve Strategjike ne DPP

5.Mergim Hoxha, emërohet në detyrën Specialist ne Sektorin e Studimeve Strategjike ne DPP

6.Gjergj Jorgo, emërohet në detyrën Specialist ne Sektorin e Studimeve Strategjike ne DPP

7.Pellumb Seferi, emërohet në detyrën Specialist ne Sektorin e Studimeve Strategjike ne DPP

8.Arjan Bozhaj, emërohet në detyrën Specialist ne Sektorin e Studimeve Strategjike ne DPP

9.Artan Cuku, emërohet në detyrën Specialist ne Sektorin e Studimeve Strategjike ne DPP

10.Ardian Çipa, emërohet në detyrën Drejtor i Drejtorise Policise Qarkut Tirane

11.Ervin Hodaj, emërohet në detyrën Drejtor i Drejtorise Policise Qarkut Fier

12.Kastriot Skenderaj, emërohet në detyrën Drejtor i Drejtorise Policise Qarkut Vlore

13.Haki Çako, emërohet në detyrën Drejtor i Drejtorise Policise Qarkut Gjirokaster

14.Lorenc Panganika, emërohet në detyrën Drejtor i Drejtorise Policise Qarkut Berat

15.Bernard Çaushaj, emërohet në detyrën Specialist ne Sektorin e Studimeve Strategjike ne DPP

16.Halit Murataj, emërohet në detyrën Specialist ne Sektorin e Studimeve Strategjike ne DPP

17.Emri Vata, emërohet në detyrën Specialist ne Sektorin e Programeve Mesimore ne Qendren e Formimit Policor

18.Arben Hajdarmataj, emërohet në detyrën Specialist ne Seksionin e Trajnim, Shkollim te Nivelit te Mesem e te Larte Drejtues ne Qendren e Formimit Policor

19.Aleks Hajdari, emërohet në detyrën Shef i Sektorit te Trafiqeve te Paligjshme, ne DPP

20.Muharrem Furriku, emërohet në detyrën Specialist ne Sektorin e Programeve Mesimore ne Qendren e Formimit Policor

21.Izet Hysa, emërohet në detyrën Specialist ne Seksionin e Trajnim, Shkollim te Nivelit te Mesem e te Larte Drejtues ne Qendren e Formimit Policor

22.Saimir Muça, emërohet në detyrën Specialist ne Seksionin e Trajnim, Shkollim te Nivelit te Mesem e te Larte Drejtues ne Qendren e Formimit Policor

23.Shkelzen Aliaj, emërohet në detyrën Specialist ne Sektorin e Studimeve Strategjike ne DPP

24.Astrit Halilaj, emërohet në detyrën Specialist ne Sektorin e Studimeve Strategjike ne DPP

25.Jashar Vrekaj, emërohet në detyrën Specialist ne Sektorin e Programeve Mesimore ne Qendren e Formimit Policor

26.Ilo Keçka, emërohet në detyrën Specialist ne Sektorin e Programeve Mesimore ne Qendren e Formimit Policor

27.Ilirjan Balla, emërohet në detyrën Drejtor i Drejtorise Policise Qarkut Kukes

28.Perlat Vatoci, emërohet në detyrën Drejtor i Drejtorise Policise Qarkut Diber

29.Besnik Muçmata, emerohet ne detyren Shef i Sektorit te Policise Gjyqesore ne Drejtorine e Forces se Posaçme ne DPP

30.Gentjan Shehaj, emerohet ne detyren Shef i Sektorit te Aseteve Kriminale ne DPP

31.Edmond Tarkaj, ripranohet dhe emerohet ne detyren Drejtor i Drejtorise Policise Qarkut Korçe

32.Perlat Çullhaj, ripranohet dhe emerohet ne detyren Drejtor i Drejtorise Policise Qarkut Durres

33.Shaban Nexhi, ripranohet dhe emerohet ne detyren Drejtor i Drejtorise Policise Qarkut Shkoder

34.Niko Brahimaj, ripranohet dhe emerohet ne detyren Drejtor i Drejtorise Policise Qarkut Lezhe

35.Neritan Nallbati, ripranohet dhe emerohet ne detyren Drejtor i Drejtorise Policise Qarkut Elbasan.

 

Basha: Qeveria atentat konsensusit. Hapa pas me emërimet në polici

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i ka shprehur ambasadorit të BE-së në vendin tonë, Etore Sequi shqetësimin për atë që ai e ka cilësuar atentat të konsensusit nga ana e qeverisë me miratimin e aktit normativ të ligjit për nëpunësin civil.

Në një prononcim për mediat pas takimit me ambasadorin, Basha ka theksuar se qeveria po shënon hapa pas edhe me emërimet e fundit në polici.

“Shpreha vullnetin tonë për të ndalur një përpjekje për keqësimin politik në vend, parë edhe me lajmet e sotme ku qeveria po sillet si e zhbërjes jo thjesht e mosqeverisjes, por mohimit të gjithçkaje të arritur edhe në kuadër të shkarkimeve abuzive, të bëra në polici. Kjo bëhet shqetësim shumë i madh jo për opozitën si përfaqësues parlamentare e vullnetit të qytetarëve, por për gjithë shqiptarët që kërkojnë që në cdo rotacion të shënohen hapa para, e jo pas.  Dhunimi i konsensusit është hap i qartë pas dhe i cili do të trajtohet me vendosmëri nga opozita” tha Basha.

Kreu i PD-së Basha është shprehur se do të shqyrtohet me vendosshmëri çështja e shtyrjes së ligjit të nëpunësit civil ndërsa nuk saktësoi se derisa do të vijojë bojkoti i opozitës.

“Shtyrja e ligjit është një hap që do të trajtohet me vendosshmëri nga opozita.  Takim ynë pati si qëllim të qartësonte pikëpamjen e unifikuar të opozitës.  Qëndrimi ynë është një refuzim i investimit të mazhorancës për të prishur konsesnsuin. Nuk është zgjedhja jonë është zgjedhja e tyre. Zgjodhën koburen e ndryshkur të aktit normative për të ekzekutuar konsensusin” theksoi Basha.

 

 

 

Filed Under: Komente Tagged With: Basha, Furtune ne Polici, reagojne demokratet

Dashuritë e pavenitura alla-turke

October 8, 2013 by dgreca

Kryeministri dhe burrështetasi më i njohur anglez i shekullit 20, udhëheqës i Britanisë së Madhe në kohë lufte dhe paqe,autor i veprave të njohura politike dhe historike i cili në vitin 1953,do të dekorohej edhe çmimin Nobel për letërsi, Winston Churchill, gjatë jetës do të kalonte sprova nga më të ndryshmet. Ai megjithë autoritetin e lartë që gëzonte në kohën e tij,do të përjetonte edhe dështime,duke humbur  zgjedhjet, fill pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore,përkundër arritjeve në udhëheqje të vendit dhe shkëlqimit në luftën kundër trupave gjermane.

Aftësitë e tij, si njërin ndër politikanët më të sprovuar dhe më të zot ndërkombëtar,e mbuluan Churchill-in  me lavdi dhe bënë personalitet të pazëvendësueshëm për ngjarjet më të mëdha,si në luftë ashtu edhe në tryezat ndërkombëtare të bisedimeve nga fuqitë vendimmarrëse, për zhvillimet në fronte dhe të ardhmen e Botës,në paqe,pas Luftës së Dytë Botërore.

Megjithatë, njeriut të cilit kurrë nuk i mungoi shkëlqimi,fama dhe sukseset për çuarjen e Atdheut të tij- Britanisë së madhe përpara, në luftë dhe në paqe, ai i shtrirë në shtratin e vdekjes,kur të afërmit që i rrinin mbi kokë, qanin për shuarjen që po i afrohej, Churchill i mundur nga lodhja,u tha: “mjaftë ishte, se më ka ardhur në majë të hundës me të gjitha”.

 Për fat të keq,të shumtën e rasteve vetëm kombet e mëdha sikur nxjerrin njerëz të mëdhenj,kurse kombet e vogla shumë sish,vuajnë gjatë për personalitete të tilla,në mesin e të cilëve dallohen shqiptarët,si populli më i varfër dhe me deficitin më të madh në rajon e më gjerë për mungesë udhëheqësish të zot e me renome ndërkombëtare,dhe me dinjitet të pa lëkundshëm kombëtar, jo vetëm tani.

Ndoshta si pasojë e këtij fenomeni, ata thuaja se çdo herë mbetën të prirur që të dashurohen, symbyllas, shpejt dhe në gjithkënd,të cilët pa studiuar shumë pranojnë dashurin e cilitdo, qoftë ajo edhe- jo plotësisht e kthjellët, e dyshimtë dhe jo sa duhet e sinqertë.

Kështu ndodhë sot,edhe në raport me Turqinë,e cila përkundër “dashurisë” së pafund që tregon “për ne”, ajo rreshtohet ndër dëmtuesit më të mëdhenj të shqiptarëve, në të gjitha kohët.

Për aq më keq,Turqia,ishte dhe mbeti bashkëpunëtorja dhe aleatja kryesore e armiqve më të mëdhenj për zhdukjen dhe asgjësimin e përgjithshëm të kombit shqiptar, nga trojet e tyre etnike në Ballkan dhe Evropë,bashkë me Greqinë dhe Serbinë.

Siç mësojmë nga historia e kombit, pas pazareve të fshehta turke dhe shitjes lirë të shumë tokave shqiptare,Serbia hegjemoniste,që nga vitet 1877,do të zbrazëte krahina të tëra,si Nishi dhe krahina e Toplicës, sipas planit të ministrit të jashtëm serb Ilia Garashanin, të njohur me emrin, “naqertania” e projektuar që më 1844, për shpërnguljen masive të shqiptarëve.(A.Ajvazi, “Muhaxhirët e Llapit”)

 

Ajo,atëbotë përmes gjenocidit të ushtruar,spastroi mëse 700 fshatra dhe dëboi mbi 30.0000 banorë autokton shqiptar, pra një territor përafërsisht me madhësi sa Kosovës së sotme.

(Bota Sot/ 16.01 2013″ Serbia theri 70.000 shqiptar dhe dogji 600 fshatra shqiptare”)

Zanati i tregtimit të trojeve tona nga Perandoria Turke, nuk pushoi asnjë herë, deri në shkatërrimin e plotë të saj,ajo për faljen e Plavës dhe Gucisë,nga Stambolli do ta dërgonte vet mareshalin turk,Magjar Pasha, i cili më 7 shtator të vitit  1878,për këtë shkak edhe do të vritej nga kryengritësit e Lidhjes, nën udhëheqjen e Sylejman Vokshit, Ali Ibrës, Mic Sokolit etj, në kullat e Abdullah Drenit në Gjakovë.

Kjo Perandori bëri dorëzimin e Tivarit,Ulqinit, Hotit Grudës,Malit të Zi, e deri në dorëzimin e Kosovën së sotme,Serbisë. Ndaj këto dhe shumë “gjynahe” tjera, e bëjnë Turqinë tejet të dyshimtë,në “dashuritë” e saj platonike ndaj shqiptarëve.

Jo vetëm Perandoria Turke do të falte tokat shqiptare,sipas vendimeve ndërkombëtare që nga paqja e “Shën-Stefanit” (e 3,marsit të vitit 1878 ),dhe “Kongresi i Berlinit”,(13 qershor-13 korrik 1878 etj),por edhe vet Turqia “moderne”do të tregonte kujdes të veçantë për shpërnguljen e organizuar të shqiptarëve,me marrëveshje dypalëshe,si me Greqinë ashtu edhe me Serbinë,për deportime të pareshtura, të bashkëkombësve tanë nga trojet e tyre evropiane, në shkretëtirat e Anadollit dhe të Azisë.

 

Për këtë qëllim, që në vitin 1923, në Lozanë të Zvicrës,ajo do të nënshkruante një marrëveshje me Greqinë për shpërnguljen masive të  shqiptarëve nga Çamëria dhe më gjerë,kurse në vitin1938,po kjo Turqi do të nënshkruante një marrëveshje të ngjashme  me Serbinë,për dëbimin e shqiptarëve edhe nga trojet e tyre etnike,nën pushtimin sllav. 

Pra,”mikja e jonë  e madhe”- Turqia,përkundër “dashurisë” së pakufi që kurdoherë shprehu ndaj nesh,për mbi një shekull, ajo ishte dhe mbeti jo vetëm aleatja kryesore e Greqisë dhe Serbisë për zhbërjen e kombit tonë, por edhe importuesja më e madhe e të gjitha kohëve dhe më e pamëshirshme e miliona shqiptarëve, nga trojet e tyre etnike.

Greqia as Serbia,përkundër përpjekjeve të tyre të pareshtura,pa ndihmën turke,kurrë nuk do të kishin forcë as mundësi për deportime të tilla masive dhe zbrazje me kaq shumë sukses, të trojeve tona etnike nga shqiptarët,sikur Turqia të mos shndërrohej në Deponi deportimi dhe Lokomotivë tërheqëse e pothuaj të gjithë vagonëve grek dhe serb,për bartjen e qindra mijëra dhe miliona shqiptarëve nga Evropa në Azi.

Ndaj,që nga fillimi,qeveritë turke, mblodhën rreth 5-6 milion bashkëkombës tanë, të cilët për nga numri, bëjnë më shumë se sa vet banorët e Shqipërisë dhe Kosovës- bashkë, për ti shpërndarë dhe përhumbur ata si skllavët gjithandej Turqisë. 

Për fat të keq, përveç deportimit me dhunë, atyre asnjëherë për shekuj me radhë,nuk u është njohur asnjë e drejtë elementare, gjuhësore apo kombëtare, duke i asimiluar dhunshëm pothuajse gati të gjithë, pa lejuar kurrë, as në ditët e sotme të zhvillimit dhe trajtimit bashkëkohor,kur Evropa dhe SHBA,tregojnë respekt dhe lejojnë  gjuhët e kombeve tjera,edhe kur ato janë pakicë, asnjë qeveri turke,kurrë nuk lejoi,qoftë edhe një shkollë të vetme në gjuhën shqipe, për gjithë këta miliona shqiptar që pa fajin e tyre,u detyruan të jetonin në Turqi.

Në anën tjetër,po ky shtet aziatik,tregoi aq shumë etje dhe pangopshmëri për importimin e shqiptarëve, sa që përveç marrëveshjes së Lozanës me grekët në vitin 1923,Turqia do të nënshkruante një traktat të ngjashëm edhe me mbretërinë Jugosllave,në vitin 1938,gjithnjë për deportimin me dhunë të shqiptarëve edhe nga trojet tona etnike nën pushtimin sllav.

Marrëveshja Turko-Jugosllave, e vitit 1938,do të shoqërohej edhe me një planë të detajuar pesëvjeçar,i cili parashihte që vetëm nga,viti 1939 deri në vitin 1944,nga Kosova dhe viset tjera, të transferoheshin mbi 25.000 familje shqiptare në Turqi.

Ndaj,bashkëkombës të dashur,paramendojeni tani, sikur të mos kishte shpërthyer Lufta e Dytë Botërore, më 1939, çka do të përjetonin shqiptarët nga “dashuritë” e tilla turke,të cilët ndoshta njëjtë sikurse në Greqi,sot do të numëroheshin në gishta apo nuk do të ekzistonin më fare në trojet e tyre etnike nën Jugosllavi.

I njëjti shtet,gjithnjë nga “dashuria” e madhe që ndjente për shqiptarët ,edhe pas Luftës së Dytë Botërore, pra më 28 shkurt të vitit 1953,në Ankara do të ripërtërinte edhe një herë konventën Turko-Jugosllave të vitit 1938, për dëbimin e shqiptarëve në masë, nga trojet e tyre nën pushtimin sllav,e cila do të miratohej me të ashtuquajturën marrëveshje “Xhentëlmene” ndërmjet Titos dhe ministrit të jashtëm turk të asaj kohe, Fuad Kyperli, në qershorin e vitit 1953, në Split.

 

Pra Turqit edhe pas LDB, vazhduan me “dashuri” të njëjtë, deportimin e organizuar,jo vetëm të shqiptarëve Çam të dëbuar nga Greqia,por edhe të atyre nën pushtimin jugosllav, për të cilët si vendtubim, sipas marrëveshjes,Tito-Kyperli, do të  caktohej Shkupi,prej nga organizohej nisja e tyre e detyruar për në Turqi. 

Për këtë qëllim,shteti jugosllav që në vitet e 50-ta do ti shpallte shqiptarët pakicë në trojet e veta etnike,të pa dëshiruar dhe si rrezik për sigurinë e shtetit, të cilët do ti vente në kushte të rënda represioni përmes UDB-së së udhëhequr nga antishqiptari më i madh i kohës, Aleksandër Rankoviq.

Madje, përmes një aksioni shtetëror, të ashtuquajtur “Grumbullimi i tepricave” për “nevojat e shtetit”, atyre jo vetëm se do tu merrej edhe buka në shtëpi,por në dimrin e ashpër të viteve 1955-56,do të kryhej edhe aksioni i mbledhjes së armëve,kur qindra bashkatdhetar do të gjenin vdekjen,kurse mijëra të tjerë do të sakatoheshin për gjithmonë.

Me qëllim të shpërnguljes së shqiptarëve me çdo mënyrë,Serbia që në vitin 1951, kishte shpikur metodën e deklarimit të tyre si turq,( Hajredin Hoxha, Afirmimi I kombësisë shqiptare në Jugosllavi,Prishtinë 1983), si masë më e butë për deportim,kurse për shqiptarët që do të pranonin largimin nga trojet e veta,ajo kishte urdhëruar nëpunësit e saj kudo,që tu krijonin lehtësi për shpërnguljen sa më shpejtë të tyre, për në Turqi.

 Megjithatë, përkundër vuajtjeve,keqtrajtimit dhe represionit shtetëror nga sistemi i ashpër policor i UDB-së së Rankoviqit,Serbia nuk kishte arrit, ti konvertonte më shumë se 60 mijë shqiptar si turq,ndaj e pakënaqur për mossuksesin,ajo përdori dhunën dhe terrorin për dëbime masive, sipas planeve të njohura të Çubrilloviqit, për shfarosjen e shqiptarëve,i cili do të nominohej edhe për shpërblim me çmimin e “AVNOJ-it”,nga Serbia,gjë që sipas historianëve shqiptar,atëbotë,kishte pasur guximin vetëm Fehmi Agani ta kundërshtonte.

Historiani i njohur Hakif Bajrami,në librin e tij historik (“Politika e shfarosjes së shqiptarëve dhe kolonizimi serb i Kosovës 1844-1995” Prishtinë 1995),thotë se qeveria jugosllave për dëbimin e shqiptarëve në Turqi, kishte formuar edhe një komision të veçantë shtetërorë, të përbërë nga Aleksandër Rankoviqi, Krste Cërvenkovski, Svetisllav Stefanoviq, Vojkan Llukiq, Marko Vuqkoviq etj,falë ndihmës së të cilëve, Serbia në marrëveshje me Turqinë,arriti që ti dëbonte mbi 18 % të shqiptarëve nga trojet e veta.

Ndaj,shpërnguljet e detyruara atëbotë,do të merrnin përmasa të tilla saqë,sipas statistikave të kohës, vetëm ndërmjet viteve 1951-1968 nga trojet tona etnike nën pushtimin sllav,do të dëboheshin ,jo më pak se 414.500 deri në 452.370, shqiptarë,për në Turqi.

Vendet e zbrazura të tyre, vetëm në Kosovën e sotme do të zaptoheshin nga 63000,kolon sllav,të sjellë nën kujdesin e UDB-s, dhe Aleksandër Rankoviqit, i cili për fatin e mirë të shqiptarëve,në plenumin e Brioneve më 1966,nën akuzat për tradhti ndaj Titos dhe udhëheqjes jugosllave, do të shkarkohej nga të gjitha postet,si spiun dhe bashkëpunëtor i shërbimeve shtetërore ruse.

 

Shënime të ngjashme për dëbimin me dhunë të shqiptarëve, epen edhe nga historianë tjerë të njohur, si; Jusuf Osmani në veprën “Vendbanimet e Kosovës”,Prishtinë 2004.  F.Rexhepi, “Historia e Shqipërisë dhe e shqiptarëve”,Prizren 2001.  Hajredin Hoxha, Afirmimi i kombësisë shqiptare në Jugosllavi”, Prishtinë 1983),e të tjerë.

Por, “dashuria” turke ende nuk ka përfunduar, ajo edhe tani vazhdon të jetë gati po-aq, e “madhe” sa dikur, për ne. Madje siç na bën me dije,kryeministri turk- Erdogan,këtë e ditka edhe Beogradi,me të cilin ai thotë se kanë edhe marrëveshje të vjetra.

Për shqiptarët edhe pa e thënë ai, është e ditur se Turqia dhe Serbia, edhe sot mbajnë të pa shfuqizuara ende, Konventat e dikurshme,për shpërnguljen në masë të shqiptarëve dhe përhumbjen e tyre në shkretëtirat e Anadollit,siç ka ndodhë në mbi njëqind vitet e fundit.

Edhe faktet e një historie më e vjetër,dëshmojnë “dashurinë” e flakët turke,kur të gjithë popujt tjerë ballkanik nën pushtimin osman,kishin shkollat,gjuhën dhe kulturën e tyre kombëtare,por shqiptarët jo. Të vetmit ata edhe atëherë i kishin të ndaluara të gjitha këto, sigurisht nga “dashuria” e madhe që ndjenin turqit për popullin “arnaut”. 

Madje, megjithëse shqiptari i madh- Sami Frashëri, u pati krijuar turqve alfabetin dhe i mësoi ta shkruanin gjuhën me shkronjat e tyre,ata deri në vitin 1908,nuk i lejuan bashkëkombësit e tij, të formonin alfabetin shqip, as të kishin mësim në gjuhën amtare.

Edhe pse shqiptarët ishin të fundit dhe vetëm nga mbarimi i vitit-1908,për herë të parë, guxuan ti hapnin shkollat e para në gjuhën e vet dhe me alfabet kombëtar,kjo ndodhi për kohë të shkurtër,ngase pas forcimit të pushtetit, nga të ashtuquajturit “turqit e rinj”, ato të gjitha do të mbylleshin me forcën e armëve,kudo në trojet tona etnike.

Për fat të keq, ajo që sot brengos më shumë se çdo gjë tjetër, kombin tonë në përgjithësi,nuk është më vetëm e kaluara e hidhur me pushtuesit osman dikur,por edhe qëndrimet e tanishme tendencioze të qeverive turke sot.

Sepse, turqit nuk u treguan alergjik ndaj popullit shqiptar, gjuhës dhe kulturës së tyre kombëtare vetëm gjatë kohës sa  perandoria e tyre,mbante vendet tona nën pushtim, por edhe sot e kësaj dite,të gjitha qeveritë turke,përfshi edhe qeverinë aktuale,mbajnë të njëjtin qëndrim, duke mohuar me këmbëngulje përkatësinë kombëtare dhe të drejtën për gjuhë e kulturë të miliona shqiptarëve brenda shtetit turk.

Kështu që përveç  marrëveshjeve të pa shfuqizuara me Greqinë dhe Serbinë për shpërnguljen e shqiptarëve, edhe përdorimi i gjuhës e kulturës së tyre kombëtare atje,vazhdon të mbahet në fuqi nga Turqia. Madje,sot e atëherë,për qindra vjet rresht,kurrë nuk u lejua hapja e asnjë shkollë të vetme në gjuhën shqipe, për rreth 5-6 milion shqiptar sa jetojnë pa asnjë të drejtë gjuhësore as kombëtare, në Turqi.

A donë të thotë kjo se masa e “Dashurisë”së pa venitur “vëllazërore” turke, varion në varshmëri me shkallën e asimilimit dhe përqafimit të idesë së turqizimit nga ana e shqiptarëve, apo nënkupton shkakun e ruajtjes me shumë kujdes,për qindra vjet me radhë,të së njëjtës “dashuri”platonike nga cilido pushtet turk, për ne. TURP!

Kur do të mësohet populli ynë që më në fund qeverive antishqiptare, tu thotë “mjaftë ishte”! Mos na “dashuroni” më kështu, se na keni ardhur në majë të hundës me të gjitha,dhe pikë.

 Gani Qarri      Cyrih, Tetor 2013

 

Filed Under: Komente Tagged With: dahsuri allaturke, Gani Qarri, Winston Churchill

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 433
  • 434
  • 435
  • 436
  • 437
  • …
  • 484
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Nexhat Peshkëpia dhe “Noli si Poet Shqiptar…”
  • RINGJALLJA E BALADËS SI KUJTESË KULTURORE DHE NARRATIVË TRAGJIKE
  • Filatelia serbe si instrument i hegjemonisë dhe shovinizmit shtetëror
  • SHQIPTARËT NË HOLOKAUST PARA HEBRENJVE
  • Kujtesa e Luftës së Kosovës në Udhëkryqin e Historisë dhe Kohës – Studime nga Profesor Asistent Abit Hoxha
  • Jani Vreto dhe Rilindja Kombëtare Shqiptare
  • “Vatra Long Island” fton komunitetin në festën e Pavarësisë së Kosovës që organizohet më 15 shkurt 2026
  • Tradita Amerikane e “Groundhog Day”, -25°F dhe ngrohja globale që na gjeti me pallto leshi
  • “BORDI I PAQES”, NJË SPROVË PËR SHQIPTARËT NË NJË BOTË QË PO NDRYSHON
  • “Have You Listened to Radio Prishtina?”
  • Tribuni i lirisë, Major Abas Kupi u përkujtua në Krujë
  • KOMUNITETI KRAJAN NË NEW YORK MBAJTI MBLEDHJEN E ZHJEDHJEVE TË PËRGJITHSHME TË KRYESISË SË RE TË SHOQATËS “KRAJA”
  • Fan Noli, Federata Vatra dhe John F. Kennedy: Lidhjet e Diasporës Shqiptare me Politikën Amerikane dhe Demokracinë Globale
  • Today marks the 84th anniversary of the Voice of America
  • MËRGATA SHQIPTARE, NGA KUJTESË E SË KALUARËS NË SUBJEKT AKTIV

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT