• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Dr. Sali Berisha:SHQIPTARJA QE NA DHA NDER…

August 26, 2013 by dgreca

Sot është ditëlindja e Nënë Terezës. Kryeministri  Sali Berisha nëpërmjet një mesazhi në Facebook, e cilësoi si shqiptaren që na dha nder më shumë se kushdo tjetër.

“Sot ditelindja e shqiptares qe na dha nder me shume se kushdo tjeter! Qe na deshte shume dhe kur nuk e deshem, Nobelistes Nene Tereza! Te dashur miq, sot eshte ditelindja e shqiptares me te famshme te te gjitha kohrave, gruas me te njohur te shekullit te saj, nobelistes Gonxhe Bojaxhi, Nene Tereza e Kalkutes. Kjo dite, per ne shqiptaret dhe mbare njerezit e qyteteruar, eshte dite mirenjohje ndaj asaj qe u shenjterua per se gjalli me titullin Nene e mbare njerezimit. Per Nene Terezen 25 prilli i viti 1993, siç do te shprehej ajo vet, ishte dita me e lumtur e jetes se saj, sepse ne se bashku pritem ne dheun tone Papen Gjon Pali i II ne viziten e tij te pare historike ne Shqiperi dhe Ballkan. Nderim te madh Nene Terezes, bijes se kombit tone qe si shqiptare na dha nder me shume se kushdo tjeter dhe te urojme qe Papa Francesco te shpejtoje shenjtrimin e saj. Nene Tereza u nda nga jeta shenjtore e mbare njerzimit!”- shkruan Berisha në Facebook.

Nënë Tereza lindi më 26 gusht 1910 dhe u nda nga jeta më 5 shtator 1997.

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Dr. Sali berisha, e Nene Terezes, ne ditelindjen, poston foto

Migjeni-uragan i panderprere

August 26, 2013 by dgreca

Nga Behar Gjoka/
Vepra letrare e Migjenit, në poezi dhe prozë, duke qenë moderne, njëherit ura ndërlidhëse me letraren e hershme, pati dhe ka një shkëlqim të beftë dhe të paimagjinueshëm. Shenjat autoriale dhe estetike, moderne dhe të mëvetësishme, gjuhësore dhe letrare, kanë të bëjnë me tekstet e tij, ndonëse prej amshimit të largët, qw tashmw mbushi 75 vjet i shuar nga jeta, rrezaton dritë dhe art të përveçëm. Në kuptimin fizik, për shkak të ndarjes nga jeta shumë përpara kohe, Migjeni ikën nga bota e të gjallëve në moshën 27 vjeçare, një fikje e parakohshme. Kurse, si shenja artistike, në poezinë novatore, si dhe në larminë e shkrimit të prozës, ai është një uragan i shkrimit letrar nw gjuhwn shqipe. Njw uragan qw nw kuptimin fizik ndërpritet përpara kohe, por njw uragan arti, si frymë dhe veprimtari shkrimi, që e vijon mbijetesën e vetë, fluturimin e pandalshëm, sot e gjithë ditën. Në kuptimin dhe shenjimin letrar, si tekste dhe poetikë shkrimore, hyri si një uragan dhe solli përmbysje etike dhe estetike, gjuhësore dhe letrare, si askush tjetër në letrat shqipe, të kohërave moderne, në poezi dhe prozë, në sendërtimin e një poetike shkrimore të përveçme, të patejkaluar ende në sendërgjimin e letrares në letërsinë shqipe. Mjerisht, tashmë që kemi nevojë më shumë se sa kurrë, si moral dhe frymë letrare, si mbijetesë dhe teknikë shkrimi, si qëmtim letrar dhe gjuhësor, pikërisht gjatë kësaj ndërkohje, ndaj tij dhe veprës së gjerë letrare, heshtim madje edhe më tepër dhe në një mënyrë krejt absurde, si me thënë vetëmsa bëlbëlzojmë përpara magjisë dhe artit novator të Migjenit, madje ndonjëherë edhe në mënyrë mjerane, bëjmë sikur e dimë dhe ia njohim vlerat dhe ngjyresat e shumëfishta. Migjeni, për asnjë arsye dhe gjasë, teorike dhe praktike, shkrimore dhe estetike, gjuhësore dhe letrare, kurrësesi nuk mundet që të trajtohet si një rast i zakontë, sepse në fakt ai është unik në shumëçka, në ndërprerjen e parakohshme të jetës, e po kaq në magjinë letrare të mbyllur, në një formësim dhe shprehësi letrare. Pra, vepra letrare e tij, në poezi dhe prozë, me shtjellime të posaçme, më në fund do të duhet kundruar dhe interpretuar në sistemin ekzistencial, si dhe në modelimet e ndryshme letrare, çka na dëshmon se arti dhe shkrimi i tij letrar, në ide dhe frymë, në teknikë dhe formësimin shkrimor, është shumë më tepër mbikohor, madje në shumicën e tipareve si shkrim letrar krejt i pakohë, aq sa duket sikur poezia dhe proza e tij, fatet e jetës dhe mjerimi i skajshëm, janë shkruar në këtë kohë, pra në kohën e tanishme, si me thënë janë pjesë e bashkudhëtimit të qenies njerëzore, njëherit edhe më përtej hapësirave tona. Poezia e Migjenit, një nga dëshmitë më përfaqësuese të autorit, që përmblidhet në Vargjet e Lira, që ngërthen në substancën e vetë, caqet e plota të shkrimit poetik, si mendim dhe formësim, po kaq edhe risimet e përveçme shkrimore si vargëzim dhe poetikë, si shenjë dhe arritje letrare, duke shënuar urën e ndarjes përfundimtare me shkrimin e poezisë klasike. Tekstet poetike migjeniane, ngjizur me ndjeshmëri dhe magji shkrimore, mbeten një referencë e pashmangshme e modelimeve të shkrimit modern, në ide dhe formë, në stil dhe figurime, madje në shumicën e hapësirës teksologjike të tyre, gati–gati të paimagjinueshme. Proza e shkrimtarit, qw shpalohet në një vëllimin Novelat e Qytetit të Veriut, sendërton botën e universit artistik në këtë gjini, ku shohim realizimin e disa llojeve letrarë të prozës, të novelës, tregimit, skicës, pamfletit, fejtonit, e këto të mbramet në lëmin e publicistikës, pra duke hedhur kështu binarët e shkrimit të prozës, tashmë vetëm në rruginat e ligjërimit letrar modern, si dhe duke pasuruar kështu poetikën dhe tipologjinë e shkrimit të prozës nw gjuhën shqipe. Pra, Migjeni ynë, me atë përmasë dhe natyrë të shpaluar në krijimtarinë letrare, në poezi dhe prozë, si rrallëkush shkrimtar i letrave shqipe, veçmas i përmasës moderne, nuk përmbyllet dhe qarkohet, vetëm në hipotekat zyrtare, të akademizmit të formuar në hijet ideologjike dhe sociologjike, me mendje të mbyllur dhe që simbas rastit, artin e mjeshtrave, ose e ngrenë në zenit, ose e lëshojnë nëpër humnera, për nevojat jashtëletrare

Filed Under: Kulture Tagged With: Behar Gjoka, Migjeni, uragani i nderprere

REGJIMI NA I VRISTE POETËT

August 26, 2013 by dgreca

Shkruan:Shaban Cakolli/

Dyzet e një vjet më parë,ishte 14 shkurt të vitit 1972. Diku rreth orës 20, në shtëpinë e tij, e vranë me gotën e helmit që ia mbushur vetKur po i perendonin sytë në spital, në agimin e ditës së re, në orën 5 të mëngjësit të 15 shkurtit, doli zëri i tij:

 “Më vranë ata të mos këndojë për atdheun, për fëmijët dhe ëndrrat e tyre për lirinë, por kënga për atdheun dhe lirinë do të këndohet gjithmonë.”Kështu udbashët e vranë një poet,i cili ende ishte duke u rritur,por duke u përsosur me njohuri e atdhedashuri,të cilën atë botë pushtuesi as nuk e donte,as nuk e lejonte.Dhe kjo ishte diçka që shihej qartë,regjimi po i vriste poetët.Këtë e pat thënë haptas në promovimin e “VALSI VEROR”më 1972 shkrimtari i madh Beqir  Musliu,në një shkrim drejtuar revistës “ZËRI I RINISË”Regjimi po i vret poetët:“ Alushin e vranë siç e vranë edhe Rexhep Elmazin e poetë të tjerë.Mendimet që i kam patur për poezinë e Alushit, para njëzetë vjetësh,kur e kam lexuar, i kam edhe sot,niveli i poezisë së tij është edhe sot. Shihet vrulli i tij, gjakimi i tij, ngutja e tij në jetë.”Kështu pati thënë i madhi  Beqir  Musliu,për poetin Alush Canaj,e çka mund të themi ne  më shumë se ai poet i madh?!Poetët po i vriste pushteti!I vriste,sepse ata me fjalën e tyre,po ua rrezikonin sundimin pushtues.Ky sundim i pjellës së keqe fashiste sllave,i cili me ndihmën e disa Udbash-ëve shqiptar,të cilët me aq besnikëri po ia zgjasnin jetën pushtuesit,e mbajtën  Kosovën një shekull të pushtuar.E ai shekull i gjatë,u mbajt nga damaret e gjakut të bijëve e bijave më të mira shqiptare,me prangat e  rënda të hekurta nëpër burgjet e errëta,me dhunën më të egër mbi ta:Përse?Ata nuk kishin bërë asnjë faj,asnjë të keqe askujt,madje ishin intelektual të përsosur,njerëz të urtë,të sjellshëm,të moralshëm,e kishin vetëm një të keqe,këtë të keqe ua mveshte armiku,sepse ata nuk donin pushtim,ata nuk mund të thonin jemi sërb,nga se ishin shqiptar të vërtetë,ata donin të ruanin gjuhë e komb.kurse pushtuesi kësaj ia kishte frikën,andaj frika ishte e arsyeshme për pushtuesin,nga se pushtuesi synonte me çdo mjet të na mbante nën pushtim,kurse liridashësit mbronin  të qenunit shqiptar me çdo mjet,madje edhe me jetën e tyre.E dhimbshme,por nuk ka asgjë më fisnike se të flijosh jetën për atdheun e kombin,sepse të tillët janë të pavdekshëm sa të ketë jetë mbi këtë tokë.Atdhetarët kanë dhunti të bëhen poet,këngëtar,sepse çështja thelbësore e tyre është dashuria për atdheun dhe kombin,e ate e kanë dashuri shpirtërore,të cilën meodomos e nxjerrin nga bota shpirtërore mes vargut apo këngës.Po,fillimisht ata nuk mund e  mbajnë atë zjarr shpirtëror pa e shprehur,duke e shprehur ata marrin vet forcë  edhe më tepër,si dhe i frymëzojnë brezat për atdhedashuri.I tillë ishte edhe vet Alush  Canaj,i cili në moshën e njomë u dallua me guxim,ngjizëje të atdhedashurisë,art poetik,shumë aktivitete kombëtare,të cilave  uzurpuesit përherë e më shumë ia kishin frikën.Alushi kishte atdhedashuri në shpirt nga fëmijëria,ishte stërvitur në moshën e njomë me patriotizëm dhe si i tillë mbeti i qëndrueshëm para dhunës fizike dhe psikike që i shkaktonte pushtuesi,ai mbeti i qëndrueshëm dhe i luhatur.Shembullin e tij e kanë ndjekur edhe më tej shumë të ri të kësaj ane,ishin të stërvitur dhe të paluhatur,ndryshe njeriu sado atdhedashës të ishte,po nuk ishte i stërvitur dhe binte rastësisht në duart e Udbash-ëve të asaj kohe,para atyre dhunave barbare do të ligështohej.

Alush Canaj,u lind më 24 gusht të vitit 1952 në fshatin Koretin të Kamenicës, Dardanës së sotme.Në vitin 1956 në kohën e terrorit, të aksionit të armëve dhe të shpërnguljes së shqiptarëve për në Turqi, familja e tij u vendos në Gjilan. Këtu Alushi mbaroi shkollën fillore dhe gjimnazin.

Si nxënës i fillorës u dallua për talentin e tij ndaj artit poetik. Lexonte me ëndje veprat letrare, duke patur pasion të veçantë poezinë, që më vonë u shndërruar në një dashuri e mori lulëzim të hovshëm. Vjershën e parë e botoi në Rilndjen për fëmijë, në vitin 1965, në moshën 13-vjecare, në 13 pranvera të tij.

Dhe më s`u ndal së botuari ngase portat e gazetave dhe revistave për fëmijë, për vjershat e tregimet e tij,ishin të hapura gjithmonë. Botoi në Pionieri, Gëzimi, Fatosi, Flaka e Vëllazërimit, Shëndeti e Zëri i Rinisë.

Në bankat e gjimnazit bëri emër si poet.Tani më ai nderohej dhe cmohej jovetëm në qytetin e tij, por edhe më gjerë. Vjershat dhe tregimet e botuara , bënin me dije se ishte një talent i rrallë, një penë e mprhetë e lëtrësisë sonë. Emri i tij lakohej shpesh edhe në carcet letrare në Prishtinë, në Rilindje, si një një krijues që do ta begatojë letërsinë tonë.

Katër vjet qe kryetar i Rinisë Shkollore të gjimnazit në Gjilan. Si poet që ishte, shquhej për organizimin e orëve letrare në qytet e tij, manifestime këto që tubonin të rinjë të shumtë, që përmes artit poetik, ngjallnin tek ta idetë atdhetare dhe patriotike, nuk shiheshin me sy të mirë nga lakejt e UDB-së. Ata e kishin kuptuar mirë misionin prej poeti të Alush Canajt.

Dhe e piketuan menjëherë.

Pas përfundimit të gjimnazit u regjistrua në Fakultetin e Shkencave Politike në Beograd, nga të cilat u shkëput pas një viti ngase atje e pa për së afërmi urrejtjen gjenetike që kishin serbët nda shqiptarëve. Duke mos e duruar dot këtë, u kthye në Prishtinë, në Fakultetin Filozofik regjistroi Degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe .

“Dhe ne duhet shtrënguar grushtin fort, grushtin si të Migjenit e “ t`i biemë malit që s`bëzanë”.

Derisa ishte në Beograd, i  shkruante letra shokut të tij të bankës,                          Mehmetali Rexhepit, i  tregonte atij për padrejtësitë që i shihte atje në dëm të shqiptarëve, dhe këtë qytet ai e quanate të zi sepse krejt të zezat për shqiptarët e Kosovës vinin nga andej, atje e kishin strofullën.

Një letër e këtillë kishte  shkuar deri në gjimnaz , lexohej me kurreshtje nga nxënësit  atëherë, dorë më dorë,  nëpër orët mësimore , dhe më pas e njejta, bie në duar të organeve të UDB-së. Tashti  UDB-ja , përmes saj  po e njihte edhe më mirë figurën e Alush Canajt. Në letër shkruante përafërsisht kështu:

“ Këtu vëllëzërit tanë qenkan të përbuzur. Ata i shoh çdo ditë në stacione autobusësh e trenash duke bartur valixhet e serbëve, duke pastruar rrugët, duke bërë punë fizike nga më të rëndat për kafshatë të gojës.

Pse të trajtohen në këtë mënyrë shqiptarët në këtë Qytet të Bardhë? Pse? Pse të shtypën me të vetmin faj vetëm pse janë shqiptarë, me plis të bardhë?

Dhe ne duhet shtrënguar grushtin fort, grushtin si të Migjenit e “ t`i biemë malit që s`bëzanë”.

Ta dini mirë, ky qytet qenka i zi! I zi qenka Beogradi! “

Vjershat e tij atdhetare, qëndrimi i tij prej revulucionari i përmasave të gjera, letra nga Beogradi-Qyteti i Zi, bëri ai që të përcillet edhe më shumë nga hijenat e lakejt e UDB-se. Ia kishin frikën fjalës së tij poetike që jehonte nëpër orët letrare, prandaj filluan ta merrnin në biseda informative në zyrat e UDB-së duke ushtruar edhe dhunë fizike ndaj tij. E bënin këtë  ata që ishin dorë e zgjatur e shkelësit,  që për fat të keq nuk ishin të paktë, ata ashtlëpirësit e mashtruar e shpirtshitur, që nuk e donin diellin të rrezojë mbi Kosovën e përvuajtur.

 

Ndonëse e pati bërë gati për botim përmbledhjet me poezi  Kur qel trëndelina  e Valsi veror, s`arriti t`i shoh të botuara meqë nuk e lan ata që e kishin vënë në shenjestër si tepër të rrezikshëm për sistemin sllavokomunist.

Njezet vjet pas ndarjes së tij nga jeta dorëshkrimet e panë driten e botimit nën titullin Valsi veror, botuar nga Redaksia e Zërit, në vitin 1992, nën përkujdesjen e autorit të këtyre radhëve.

Dhe ata e vranë një natë, pikërisht me 14 shkurt të vitit 1972. Diku rreth orës 20, në shtëpinë e tij, e vranë me gotën e helmit që ia mbushën vetë.

Kur po i perendonin sytë në spital, në agimin e ditës së re, në orën 5 të mëngjësit të 15 shkurtit, doli zëri i tij:

“Më vranë ata të mos këndojë për atdheun, për fëmijët dhe ëndrrat e tyre për lirinë, por kënga për atdheun dhe lirinë do të këndohet gjithmonë.”

Në 41-vjetorin e vrasjes nga UDB-ja të poetit Alush CANAJ

Më vranë ata të mos këndojë për atdheun, për fëmijët dhe ëndrrat e tyre për lirinë(Alush Canaj)

 

Eh,Dardana jonë,mund të thuhet se atëbotë ishte ndër komunat në Kosovë e cila më së vështiri frymonte shqip.Serbët dominonin kudo,përgjonin çka do,por pavarësisht dhunës së egër,nuk mundën kurrë të ndalonin qëndresën dhe atdhedashurinë shqiptare,as me gjak,as me dajak,liridashësit ishin të pregaditur të mbrojnë gjithçka shqiptare,madje nga gjiri i kësaj komune dolën patriot,dëshmor e poet,këngëtar e shkencëtar,që flijuan për atdheun e kombin.Për  Alushin kisha lexuar nga fëmijëria në gazeta e revista,kisha mësuar edhe nga të tjerët për mençurinë  dhe guximin e tij.Librin”Valsi veror”,e kam pasur dhuratë nga një kryeredaktor i  revistës për fëmijë”DORUNTINA”,zotit  Ragip Rama,i cili boton këtë revistë në Gjermani.Kur e pyeta nga ky libër?Ai më u përgjegj:Avdush Canaj,është bashkëpunëtor i revistes “Doruntina”,një njeri i mençur, i kompletuar,poet e publicist i shquar.Kisha njohur emrin e tij,por personalisht nuk e njihja,më tha se është vëllau i Alush Canajt,jeton në Gjilan,më porositi nëse do e shihja në Gjilan të e përshëndesja ngrohët.Kështu edhe ndodhi:Kur shkova në pushime nga mërgimi,në hotelin”Kristal” të Gjilanit,aty tuboheshin intelektualët Gjilanas.Miku im  Nexhat  Rexha,më prezantoj me te,ai më njoftoj ky është miku ynë,poet e veprimtar Avdush  Canaj.Më erdhi mirë që e njoha,biseduam me te gjatë,ia përcolla edhe përshëndetjet e kryeredaktorit Rama,i pranoj ngrohët,vërtetë Avdushi më la mbresa si mik i dashur,veprimtar e poet i madh.

 

Aty mësova se njezet vjet pas ndarjes së tij nga jeta dorëshkrimet e panë driten e botimit nën titullin Valsi veror, botuar nga Redaksia e Zërit, në vitin 1992, nën përkujdesjen e vëllaut të tij Avdush Canajt..Kur përkujtojmë poetinAlush Canaj, shprehim dhembjen e madhe për vrasjen e poetit ngase letërsia shqipe kishte humbur një poet të talentuar të dorës së parë, një zë të ri të poezisë. Por  poeti la vepra,qoftë për fëmijë,qoftë për të rritur,tregime,la edhe veprimtarinë e begatshme kombëtare,ai jeton me çdo atdhedashës,ringjallet në çdo varg dhe do të mbetët në kujtesën e popullit sa të jetë jeta në këtë tokë.Lavdi të madhit dhe të paharrueshmit,poetit dhe veprimtarit të madh kombëtar Alush Canaj.

 

Alush CANAJ:

 

Në këto male

 

Në këto male epike

Me kroje rrëzë guri

Luftoi me kral e mbret

Atë Bajram Curri.

 

Në këto male legjendare

Ku zogjtë pinë ujë  pa gotë

Pushkën s`e ndalën kurr

Azemi e dada Shotë.

 

Në kët male këngësh

Me ballin në re

U betuan dhe lis e gur:

-Do të mbrojmë, atdhe!

 

(1966)

 

Ylli i Arbërisë

 

Kush ia shtypi kokën

kuçedrës  së tërbuar?

Kush ia ktheu

nderin shqiptarit?

Kush e solli në jetë

lulën e lënduar?

Kush ia shëroi krahët

shqiponjës së malit?

 

Skëndërbeu-

trim me fletë,

Skënderbeu-

kurorë e lirisë,

Skëndërbeu-

rrufe, shigjetë…

Skënderbeu-

Yll I Arbërisë.

 

(1966)

 

Ëndrra në krahët e erës

 

Fusha mbylli sytë,

edhe qielli

me këngë të kaltra.

Vrik erdhi gjumi

më çoi te lumi

era në breg

me mori mbi flatra.

 

Fluturoja fushës,

fluturoja malit

sikur me raketë!

Pyllthit me lulëkuqe

vizatova një mollëkkuqe

n`pallat të zambakut

në katin e tretë.

 

Peshqit në det

më mësuan not

te i Dashurisë Kep.

As vetë nuk e di

si rashë në thellësi.

Kur me puthi nëna,

unë: sa një plep!

 

(1969)

 

Filed Under: Kulture Tagged With: na i vriste regjimi, poetet, Shaban Cakolli

“Muzgu”-shpreh bardhësinë e një mëngjesi

August 25, 2013 by dgreca

Nga Gëzim Llojdia/

Ardhja në jetë e një gazete kulturore është shenjë e mbarësisë se një komb po ndryshon . Ndonëse ballina e parë e saj ka të shënuar:” Muzgu”, në të vërtetë ajo shpreh bardhësinë e një mëngjesi,dritësimin e tij.

“Muzgu” erdhi në një kohë kur nuk e prisnim, kur bollëku i krijuesve shqiptarë arriti pikun. I gjithë ky shpërthim shpirtëror derdhej “badihava” dhe vetëm pushtonte medien sociale. Ky prodhim i begatë ,(një poet ka thënë :E varfër sofra, i pasur shpirti,) nuk merrej në duar në formën e kahershme të saj, siç është ajo e printuar. Në kushtet kur varfëria ekonomike po rrënonte çdo ditë bizneset,askush nuk mendonte më për të sjellë në jetë në një variant të printuar dhe e gjithë kjo prurje e madhe në dhjetëra faqe të kësaj gazetë kulture. E kësaj kohe,”Muzgu” është shenja e parë e një agimi polar.

Ardhja e “Muzgut”
Në përmasat e kohës,kur erdhi në jetë u gjet në një terren të përshtatshëm, gati prush e flakë mund të quhet në gjuhën jugore. Një “kohë e urie”,për shpirtin varfanjak,ndihej mungesa e një mediumi të fuqishëm e pa ndikim partiak. Një gazetë e këtij lloji , do përhap një traditë dhe rrugë-nisi me të vërtetë një traditë të bukur .Ishte llohë dimri, gjithsesi kur u bënë përpjekjet e para nuk mbetet shumë përcaktuese stinë-ardhja . Rëndësi përbënë, që në jetën e një kombi u shfaq,lindi ose erdhi një medium i ri që do të flas veçse me letërsinë ,artin,kulturën .Ardhja e saj është si kohë-pritja e zonjës mëmë për të birin, malli i nuses për burrin,malli i të atit për fëmijën.
Ndoshta ajo nuk erdhi me të qara me zhurmë si çdo ardhje në jetën tonë,por e ëmbël,e ngrohtë,befasuese,frymëzuese.Kështu një ditë ,nën ngjyrën gri të kohës,nën erën e zhurmshme të politikës(fushata elektorale e23 qershorit) ,por pa e ndryshuar grafikën e ekzistencës së saj,u ngjiz një medium që do të punojë me financat e veta për kulturën tonë. Kështu një muaj më parë ,”diagrami i kulturor”, pësoi një lëvizje jashtë të zakonshmes,ishte tregues domethënës,për shpirtra,që hapësira kërkonin,a ndoshta më bëhet ta quaj një soj eklipsi , por i hënës .Kështu ardhja e saj ishte shenjë paralajmëruese e mbarësisë ,ishte ardhja e një “dallëndyshe “në strehën tonë.

Kohë pritja

Klubi i shkrimtarëve në Vlorë mbanë emrin e Petro Markos e ka pritur mirë këtë ardhje të re. Disa nga risitë e “Muzgut” janë:ka shumë faqe. Aty prezantohen një numër i konsiderueshëm poetësh dhe shkrimtarë. Ka rubrika të reja si tregimi,përkthimi,poezia,analiza, editorial etj.
Mirëpo si çdo fillim krijesa e re kërkon rrugët dhe shtigjet për të hyrë në treg fuqimisht . Gazeta “Muzgu’ në botimet e saj po tregon se tregu do të mbetet i saj. Faqet e shumta,prezantimi numrit të madh të krijuesve po tërheq krijuesit edhe lexuesit.Kjo tregon se simotrat e saj që gjenden në treg e kanë ngushtuar rrethin e tyre duke u fokusuar tek një grup i caktuar krijuesish. Përkundrazi bënë një prezantim të fuqishëm dhe krejt ndryshe” Muzgu” është e hapur për të gjithë krijuesit .”Muzgu” nuk ka censurë. “Muzgu” nuk është indiferentë karshi krijimtarisë tuaj. “Muzgu” është një portë ku krijuesit do ta gjejnë gjithmonë hapur. “Muzgu” nuk mban drynë dhe mëri partiake. “Muzgu” nuk bazohet tek pushteti, por tek krijimtaria. Te “Muzgu” do të gjeni- shkrimtarin me emër dhe autorin e ri. Përball lexuesit. Gjykon cilësia dhe lexuesi .“Muzgu”,erdhi në të vërtetë ose më saktësisht në” kohë muzgu”, për të ndritur krijimtaria. Kjo është gazeta ,tregut i ka munguar prej kohësh.Risit dhe traditat që po ndryshojnë kaq befasisht e çmendurisht,po shembet përpara teje si një ngrehinë e tërë,shkrumb e hi,ajo pjesë e asaj gjenerate, që sollën letrat shqipe në këto lartësi dhe tani ky brez plot nur e hire,ëmbëlsisht si mjalti, bukurish si bukuria,që duken se ’po na mërijnë siç i prisnim.

 

Filed Under: Featured, Kulture Tagged With: bardhesi e mengjesit, Gezim Llojdia, muzgu

Mitterand – Dhe Zotërit vdesin gjithashtu

August 25, 2013 by dgreca

Nga  Luan Rama/*

Një vit më parë pata rastin të zbrisja drejt jugut të Francës, për një konferencë mbi Shqipërinë në afërsi të Konjak (Cognac), dhe duke qënë pranë Zharnak-ut (Jarnac), vendlindjes së Miteranit (François Mitterand), shkova të shihja dhe varrin e tij. Ajo qytezë e vogël kishte humbur në një heshtje të madhe. Rrugët ishin bosh dhe duke u drejtuar nga varrezat, vështroja me kureshtje shumë nga ato shtëpi të vjetra, një apo dy shekullore, të nxira nga një lloj myku që s’ishte gjë tjetër veç veprimi i avujve të alkoleve. Ishin shtëpi që prodhonin apo ruanin sasira të mëdha konjaku apo alkole të tjera, të cilat janë tradicionale në këtë zonë. Sigurisht me të mbërritur në varreza kërkova varret e familjes Miteran. Në çdo hap që hidhja, mes asaj heshtjeje mortore, më shfaqej si në një montazh të shpejt filmi, fytyra e presidentit Miteran që kisha patur rastin ta shihja nga shumë pranë dhe gjatë shumë rasteve, vite më parë, kur kisha ardhur në Paris si diplomat. Një fytyrë që gjithnjë e kisha admiruar, edhe pse ndonjëherë ishte e ngrirë, e lëmuar, si prej mermeri. Një portret që ato kohë mendoja se ishte më përfaqësuesi për njerëzit e politikës dhe politikën vet, apo atë që quhet “homo politicus”. Në fytyrën e tij, kisha gjetur gjithnjë në një sintezë harmonike finesën, inteligjencën, kulturën e gjerë, kurajon, ndjesinë e hollë, dobësinë për të bukurën dhe femrën në veçanti… atë mpleksje të filozofit post-marksist, Kazanovës dhe Makiavelit.

Atë ditë plot diell u ndodha ballë atij varri të thjeshtë mbi të cilin ishte shkruar: “François Mitterand 1916 -1996.” Kjo thjeshtësi më ndihmonte për të perceptuar më mirë atë për të cilën Miterani kishte luftuar dhe ku ngjizej në një magmë të vetme pushteti, miti, pasioni politik, letërsia, mitologjia… Në fakt, në mijra vjet pushtetarët kishin parapëlqyer gjithnjë mitologjinë, mitin, të qënit të lavdishëm gjithnjë, veçanërisht pas vdekjes, në mijra vjet. Por historia shpejt shumë prej tyre i kishte harruar. Gjenerali De Gol (De Gaulle) dhe më pas Miterani, e kishin kuptuar thelbin njerëzor dhe atë që lavdinë e njeriut nuk e përbëjnë shatoret, mazoleumet, piramidat. Thelbin e një personaliteti e përbën vetë trashëgimia e mendimit, e aksionit dhe e mesazhit të tij: çfarë i lë ai historisë së vendit të tij dhe më gjërë shoqërisë njerëzore.

Shumë herë e kisha vizituar Panteonin, duke soditur varret e njerëzve të mëdhenj të Francës, varret e Hygosë, Volterit, Dymasë, të Gambetës… Në se do të pyesim se cilët ishin dy politikanët më të mëdhenj të Francës gjatë shekullit XX-të, do të përgjigjeshim padyshim : De Gol dhe Miteran. Dhe çuditërisht të dy këta njerëz nuk preheshin në Panteon por në dy varre të thjeshtë, diku larg në vënde të humbura, mes njerëzve të zakonshëm. Të njëjtën ndjenjë kisha patur dhe dy vjet më parë, para varrit te Gjeneralit në «Kolombei le dëzegliz» (Colombey-les-Deux-Eglises), në Lorenë. Ja dy gjigandë që i përkisnin historisë së Francës dhe të Evropës, dy njerëz të mëdhenj me varre tepër të thjeshtë, pa asnjë epitaf, mpleksur mes një grupi varresh njerëzish të zakonshëm, të panjohur, mes të cilëve vreshtarë, borgjezë, fisnikë të rrënuar, tregëtarë, markezë, rojtarë hekurudhash, muratorë, kopshtarë…Përballë atij varri, jeta m’u duk ato çaste shumë më e thjeshtë. Po ashtu bota vetë. Kapërceva kështu nëpër histori, në njëmijë vjet dhe u riktheva sërrish në realitet. Nuk kishte lule, kurora, monumente. Një varr i thjeshtë, siç e kishte dashur ai.

Në kthim, në Paris, rihapa përsëri pas kaq vitesh librin e botuar në Shqipëri Fransua Miteran-romantizmi i pushtetit. Në fakt, titulli i librit kishte qënë Zotërit vdesin gjithashtu, por botuesi kishte pëlqyer një titull më të drejtpërdrejtë, ku të figuronte emri i tij. Sidoqoftë, duke e riparë atë libër, duke gjetur shënimet që kisha mbajtur në ato vite, si dhe duke shtuar gjithashtu pikëtakimet me Shqipërinë gjatë dy mandateve të tij presidenciale, mendova të përgatisja këtë botim të dytë, duke ruajtur gjithnjë titullin e parë, Zotërit vdesin gjithashtu. I gjallë,  Miterani nuk besoj se do ta kundërshtonte një titull si ky… A nuk ishte luhatur ai gjatë gjithë jetës së tij në pyetjen e madhe nëse Zotërit kanë ekzistuar apo jo ?…

Dhjetë vjet pas vdekjes së tij, Miterani rivjen përsëri dhe kësaj rradhe përmes ekranit të filmit Shëtitësi i Fushës së Marsit  (Le Promeneur du Champ-de-Mars) i regjisorit Robert Guediguian dhe lojës aktoriale të aktorit të famshëm francez Michel Bouquet, aq të njohur dhe në Shqipëri. Një adaptim i librit Miterani i fundit  që kishte krijuar jo pak polemika në shtypin francez. Vallë mos ndoshta pse Miterani tregonte një dobësi për këmbët e Xhulia Roberts tek filmi Pretty woman ?…

Ndryshe nga kinematografia amerikane, është hera e parë që një politikan i kohës moderne mishërohet plotësisht në historinë e kinematografisë franceze. Fransua Miteran dhe Michel Bouquet (Mishel Buke) : portrete të ngjashme, ecje gati e njëllojtë, i njëjti profil, vështrim, meditim…Miterani ishte mishëruar edhe më parë në një film të vitit 1984 nga Jean Louis Trintignan në Le Bon plasir, ku Catherine Deneuve interpretonte një nga të dashurat e tij të dikurshme. Atëhere ishin fillimet e epokës presidenciale, ndërsa tani personazhi përjetonte vitet e fundit të jetës së tij, sëmundjen, pikëtakimin me mistikën, agoninë… « Po të ishte një skenar polemik, – thotë Bouquet, – nuk do të luaja në këtë film. Miterani më interesoi sepse ishte njeriu me një kulturë jezuiti, njeriu i letërsisë, i dëshirave dhe i qejfeve, monarku amator i metafizikës, njeriu që brënda vetes kishte një pjesë të Francës… »

Po në mars të vitit 2005, u botua edhe libri i vajzës së Miteranit, Mazarinë Pingeot, Gojë e qepur. Një nevojë shpritërore, malli, mungesa e gjatë, e kishin shtyrë atë të shkruante kujtimet e saj për të atin, fëmijërinë pranë babait «të munguar», misterin që qëndronte në ajër, koridoret e fshehta të pallatit presidencial, shkallët e brëndëshme, zyra e tij, takimet e përmallura, thashethemet, prehja pranë tij. «Babai më mungon shumë, – do të thoshte ajo, – në fund të fundit, nuk më mungon vetëm mua. Ai ishte një burrë karizmatik, një nga burrat e fundit të mëdhenj të politikës. I mungon Francës, miqve, shumëkujt… »

Po, ky njeri kishte brënda vetes një pjesë të Francës. Imazhet e Le Promeneur du Champ-de-Mars  do të flasin për këtë, kur në prag të vdekjes ai  kishte shkuar në bazilikën e Saint Denis, atje ku ishin varrosur mbretërit e Francës, nga Dagobert e gjer tek Louis XVIII, duke kaluar nga i madhi Clovis. Duke përkëdhelur mermerin e ftohtë të atyre varreve, ai sikur kishte kapërcyar shekujt me pëshpërimën e tij për « forcat e shpirtit ».

Miteranit i u desh një jetë e tërë për të pikëtakuar këtë forcë…-Autori

“Nombreuses sont les merveilles, mais rien n’est  plus merveuilleux que l’homme!”-    Sophocle

“Të shumta janë mrekullitë, por asgjë nuk është më e mrekullueshme se njeriu!-Sofokliu/

Shën Fransua…

Ishin dyzetetetë orët e fundit të jetës së tij. Si në labirinthet e një piramide të lashtë ai do të hapte portën e gurtë për të zbritur poshtë, drejt atij misteri. Ishte porta e fundit.

Në dhomën e tij, pothuaj krejt të xhveshur, kishte veçse libra dhe një portret i vetëm varej në mur : François d’Assise. Më shumë se kurrë në këto momente, ai e ndjente atë figurë shënjti mjaft të afërt, sikur të ishte një sozi e tij…

Ai e njihte mirë jetën e këtij shënjti që kishte jetuar në fundin e shekullit të XII-të dhe që gjithë jetën i a kishte kushtuar shërbimit ndaj njeriut dhe dashurisë njerëzore. Ishte pikërisht ai që kishte krijuar urdhërin e françeskanëve, që është edhe sot një urdhër fetar, ku pas vdekjes së tij u mblodhën qindra e mijra e pastaj miliona besimtarë, doktrina e të cilëve ishte pajtimi. Atë portret ai kishte mundësi tashmë ta vështronte me orë të tëra. Si të thuash, dialogu i vetëm zhvillohej tashmë mes tij dhe shënjtit.

Përse vallë nëna e tij e kishte quajtur François dhe i kishte dhënë emrin e këtij shënjti. Pse ajo ishte një katolike e devotshme ?… Edhe shënjti François vitet e fundit të jetës se tij kishte vuajtur nga dhimbje të tmerrëshme fizike, të cilat ai i përballonte me një stoicizëm të jashtëzakonshëm. A nuk kishte treguar një stoicëm të tillë dhe ai ?

Shënjti François ishte një prift, por ai shkruante bukur, si të thuash ishte një prift poet… Vargjet e tij të fundit kishin qënë vërtet një hymn i pavdekshëm.

“Lëvduar qofsh o Zot, që ke hënën motër,

Dhe yjet aq të bukur që ke krijuar në qiellin e kaltër,

“Lëvduar qofsh o Zot, që erën ke vëlla,

Lëvduar qofsh për ajrin,  mjergullën dhe qiellin e kthjellët,

Dhe për gjithë kohrat ku ti mban në jetë krijesat e tua,

Lëvduar që motër ke ujin dhe vëlla zjarrin…”

Mbrëmje e vonë e datës 7 janar. Vallë sa ishte ora ? …

Një ditë më parë, larg, në shtëpinë e tyre në qëndër të Francës, në Latche, Daniela kishte shkruar në ditarin e saj : “Jean Pierre Tarot sapo më telefonoi. Shpresa që Fransua të marrë forca është shuar. Bije shi në Latche dhe më ngjan sikur ky shi bije për të dy. Ndoshta Fransua s’do të shohë kurrë më këtë copëz lëndinë, të kufizuar nga pishat, të cilat ai nuk donte t’i prisnim. I shkruaj këto fraza pa dashur që ato të jenë të vërteta… Latche pa të, ndërtimi i saj, tokat e rregulluara rreth shtëpisë ku ne jetuam së bashku… Fransua që braktis jetën tepër i lodhur, pasi jeta nuk mund ta durojë më kështu. Ne e respektojmë mënyrën e tij për të ikur nga kjo botë, mënyrën për ti dhënë fund veprës së tij, dashurive të tij, mënyrës së  largimit nga familja, e cila do të bëjë që ai të jetojë gjithnjë në gjirin e saj, sepse Fransua nuk vdes. Fransua nuk vdes…“

Në Paris, doktor Tarot nuk i shqitej nga dhoma. Ai e ndjente se dora e Presidentit ishte ende e ngrohtë në duart e tij. Presidenti e kishte porositur që tashmë askush të mos shkelte në atë dhomë ku ishin vetëm ata të dy… dhe Shën Fransua. Madje ai i kishte thënë mos ta lejonte as Danielën. Me dorën tek dora e tij, presidenti i kishte mërmëritur : “Gjithshka ka përfunduar tashmë… Ç’ndjejmë vallë ?…Asgjë ! Veç përgjumemi ngadalë. Jam i sigurtë !…

Duke vështruar nga tablloja e shenjtit, atij i u kujtua se para ca kohësh, Julien Green, kishte botuar një libër mbi François d’Assise, të titulluar Frère François.

Po, në fund të jetës së tij, shenjti François vuante tmerrësisht. Mjekë të shumtë i ishin mbledhur tek koka ditët e fundit, por ai u kishte thënë : “Asgjë tashmë nuk vlen, veç Zotit !”

Më  pas, duke hapur me stërmundim krahët ai kishte thirrur “Motër vdekje, mirësevjen !”

Tashmë Presidenti e ndjente se po shuhej, po binte në një gjumë të madh. Portreti i shënjtit Fransua i u mjergullua ngadalë. Tashmë po ikte, po zbriste, ndoshta po ngjitej,  kushedi ?! Ai nuk po kuptonte se ç’po ndodhte me të. Ishte ballë për ballë me misterin e madh… atë mister që aq shumë e kishte munduar.

Ishte ora 6 e mëngjesit në aveny “Frederic-Le Play”… Doktor Tarot e gjeti të ftohtë dorën e pacientit të tij. Binte një shi i imët. «Në orën 6 të mëngjesit, – kujton Mazarine në librin e saj, – mamaja trokiti në derën e dhomës dhe më zgjoi. „Babai ka vdekur ! Eja ta shohësh !… Të tjerët vazhdonin të flinin. Unë hezitoj, por ajo këmbëngul që të shkoj. Më së fundi, natën dhe e vetme, nisem për atje. Parisi është i heshtur. Bën ftohtë. Sigurisht, para se të hyj, më duhet t’u them „mirëmëngjez“ njerëzve që më përqafojnë gjithë lotët. Por lotët e mij janë të thatë. U them të më lënë vetëm. Ulëriva. Ai ishte atje, i shtrirë, i palëvizur, i ftohtë. Kësaj rradhe, gënjeshtra nuk ishte më e mundur…”

“Ai vdiq duke qënë i gjallë, – kishte shkruar Giesbert për vdekjen e tij… “Një ditë, ai vendosi se kishte ardhur fundi. U fut në shtrat me idenë se nuk do të ngrihej më që andej, por do të pushonte në qivurin e tij. Mbylli sytë. Nuk deshi të shihte asnjë njëri. Nuk hëngri. As nuk piu. Ai priste. Donte ti jepte këshillat e fundit vdekjes. Kështu mendonte të jetonte gjer me vdekjen e tij, që të mund ta shihte ti afrohej e ta ndjente pranë…”

Po, ai ishte nisur vetë drejt vdekjes me një stërmundim të madh, gati mitologjik, nisur me kureshtjen e madhe të enigmës për të parë se si ishte ajo. Kështu kishte humbur në atë mjergull, si në tragjeditë shekspiriane, apo të mbretit Lir. Shkonte nëpër mjergull për të mos u kthyer kurrë…

“Deo gratias!…”

“Le ti nderojmë Zotërit!…”

Dhe Zotërit vdesin gjithashtu…

Nën kubenë gotike të katedrales së Notre-Dame, në Paris, nga sytë e kançelarit gjerman Helmut Kohl, rrëshqet një lot.

Dhe zotat vdesin gjithashtu…

Homazhi që Franca dhe bota i bëri këtij njeriu, ishte i jashtëzakonshëm, unanim, duke i kapërcyer kufijtë e një vendi. Një popull i tërë e përcolli atë me dhimbje.

Vështrimi i tyre e ndoqi gjer në banesën e fundit, në varrezat e qytezës Jarnac, në “Le cimetière des Grands Maisons”.

“Kjo ishte vdekja e një prej titanëve të fundit të Politikës, – shkroi filozofi francez Edgar Morin, – i cili përjetoi në një kohë epike. Kjo vdekje heroi, ka ngjallur një himn funebër gjigantesk, nga njerëzit e mëdhenj dhe njerezit e thjeshtë të këtij rruzulli.”

Po, një nga titanët e fundit të mëdhenj… Filozofi Morin e kishte njohur Miteranin gjatë kohës se Rezistencës dhe bashkë kishin kryer disa aksione.

Pothuaj në të gjitha gazetat e botës folën për vdekjen e tij dhe i bënë homazh: New York Times, Washington Post, Frankfurter Allgemeine, Guardian dhe Financial Times, El Pais apo La Republica, emisione radiofonike e televizive nga e gjithë bota. Pothuaj të gjitha gazetat shqiptare shkrojtën për vdekjen e tij.

“Evropa humbi një burrë të madh shteti”, – do të thotë Kohl.  – “Unë humba një mik të madh, – deklaroi Boris Jelcin, – dhe nuk mund të mos vija ta nderoja këtë politikan të kalibrit botëror”. – “Një njeri i fjalës, një mik që do më mungojë gjithnjë”, – do të thotë Bush…

Me vdekjen e tij, pothuaj gjithë mediat shqiptare do të flisnin rreth figurës së tij: artikuj, emisione televizive apo radiofonike. Vdekja e Miteranit ishte prezente dhe në Shqipëri. Në gazetën Koha Jonë më 12 janar 1996, do të botoja një shkrim rreth tij nën titullin “Lamtumira e një evropiani”, me dy thënie që shoqëronin shkrimin, njëra e presidentit Shirak që thoshte “Miterani ishte një dëshirë për ti shërbyer idesë së Evropës”, dhe tjetra e vetë Miteranit, ku thoshte se “Franca është atdheu ynë, Evropa është e ardhmja jonë”. Fryma e këtij shkrimi që shoqërohej me fotografi nga përcjellja funebre e tij, ishte në thelb kontributi i tij në ndërtimin e Evropës, duke cituar njëkohësisht dhe një thënie të gazetës londoneze The Guardian, që thoshte se “Miterani do të mbetet ndoshta evropiani i vërtetë dhe i fundit”.”

Por Miterani ishte i tillë dhe për “Evropën tjetër”, siç e quante shpesh ai, kur fliste për Evropën Qëndrore dhe Lindore, sepse siç shkruaja në këtë artikull, “ai e kuptonte se ndryshimet në Lindje jepnin shansin e madh politik për krijimin e një Evrope të Bashkuar. Mbështetja e “perestrojkës”, e “revolucioneve” në vendet e Lindjes, si dhe ndryshimeve politike që ndodhën në Shqipëri, ishin shprehje e asaj politike konseguente për integrimin e popujve të Evropës në emër të Paqes dhe bashkëpunimit, në emër të restaurimit të një rendi të ri demokratik. Ishte pikërisht Miterani që me ngjarjet e refugjatëve shqiptarë në ambasadat e huaja në Tiranë, deklaroi mbështetjen dhe solidaritetin e Francës për fillimin e këtyre ndryshimeve në emër të një rendi demokratik dhe të të Drejtave të Njeriut…”

Rrallë herë në historinë franceze, vdekja e një presidenti kishte lënë kaq shumë mbresa. Rrallë herë një vdekje e tillë kishte qënë diçka e përkryer dhe solemne. Thua se ai i kishte menduar dhe paraprirë me kohë. Një ngjarje me një eho të madhe kombëtare e ndërkombëtare, një vdekje mediatike, qe linte pas një mori pikëpyetjesh.  Vdekja e Pompidusë kishte qënë tepër private, ajo e Gjeneralit mjaftë e thjeshtë, ehoja e vdekjeve të presidentëve të tjerë të Republikës së IV ishte shuar shumë shpejt, madje edhe ajo e Felix Faure. Jehonën më të madhe e kishte lënë vdekja e Luigjit XV.

Tashmë, varri i tij i thjeshtë mbante vetëm një mbishkrim “François Mitterrand, 1916-1996” Por shpejt, varrezat e “Cimetière des Grands Maisons” do të ktheheshin në një vënd pelegrinazhi. Tufat e para të luleve, mbanin emrat e Helmut Kohl dhe të Nelson Mandelës…. Mijra e mijra trëndafilë të kuq, duke “thyer” kështu dëshirën e presidentit, i cili kishte thënë se do të donte vetëm një tufë trëndafilash ngjyrë çaji.

Thua se presidenti e kishte parashkruar hyrjen e tij në Histori. Kjo dukej gjer në portretin e tij që kishte lënë pas, një figurë e ulur mbi karrike, vizatuar nga piktori Jean Huoleux në studion e tij në Vaux-sur-Seine. Një portret hijerëndë, imperial, roman dhe me një buzeqeshje të hollë, që gjatë katër muajve piktori e vizatoi në plumb.

Në një nga intervistat e fundit me kritikun francez Bernard Pivot, ai i ishte përgjigjur:

– “Po, unë e dua historinë, dua të shkruhem në të… Sot, ne mezi kujtohemi për Tautakhamon. Po pas disa milionë vitesh ç’do të thonë për gjeneralin De Gol, Pompidu, d’Esten, për mua apo për tjetrin që vjen më pas ? Pra të jemi relativë…  Është e vërtetë që tek unë ka diçka që më josh…dhe kjo është një dëshirë e thellë !”

Njeriu, Pushteti, Historia. Në ekranin e errët të jetës njerëzore është shkruar fjala fund. Filmi ka mbaruar. Por ndryshe nga të tjerët, „Homos Politicus“ vazhdon udhën e tij. Për sa kohë ? Eshtë herët për ta konstatuar këtë, por sidoqoftë, referenca është e gjallë, e prekëshme, pasionante, herë-herë e misterëshme…

*Parathënie e librit

 

Filed Under: Kulture Tagged With: dhe zoterit, Luan Rama, Mitterand, vdesin gjithashtu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 424
  • 425
  • 426
  • 427
  • 428
  • …
  • 559
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • JETËSHKRIMI I GJERGJ KASTRIOTIT
  • NJË KUJTIM PËR PROFESOR FEHMI AGANIN
  • Kujtojmë në përvjetorin e ndarjes nga jeta shkrimtarin arbëresh të Italisë, Lekë Matrënga
  • Albanian Roots Parade, Saturday, June 20
  • DEBATI NË WASHINGTON — PSE FINANCOHET SHOQËRIA CIVILE JASHTË VENDIT?
  • Qyteti 2400-vjeçar që i përket njerëzimit – pasuri e UNESCO-s
  • Skënderbeu në medaljonin e vendosur në pullën e parë postare shqiptare, më 1 dhjetor 1913
  • Ervin Toro: “National Albanian Registry”, një investim në identitetin, fuqinë dhe të ardhmen e komunitetit shqiptar në Amerikë
  • Dualiteti juridik dhe kriza strukturore e barazisë në Maqedoninë e Veriut
  • Beqir Derhemi, një emër në zanafillën e Televizionit Publik Shqiptar
  • Bashkë me pranverën, çelin edhe lulet e shkollave shqiptare në diasporë
  • Vittore Carpaccio nga Panteoni i Harruar në premierë dokumentari në Nju Jork
  • Rruga “Skënderbeu” në Bronx, një simbol i gjallë i krenarisë, unitetit dhe trashëgimisë shqiptare
  • Një komb pa kujtesë nuk ka themele
  • Kush ishte gazetarja shqiptaro- amerikane që u shpall “non grata” nga qeveria komuniste

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT