• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

«Ngjyrat e Dashurisët»- roman i ri i Lis Bukurocës

July 25, 2017 by dgreca

shpendi ne mal

Nga Shpend Sollaku Noé/

Nëpër këto male zgjodha ta mbaroj së lexuari librin e Lis Bukurocës «Ngjyrat e Dashurisët». Kur lash pas edhe faqen e fundit, u ndjeva më i plotë në kulturë. Janë 200 faqe e dy rreshta të shkruara bukur, me një shqipe të zgjedhur e të pastër, me një frazë concize, me një dialog të shkathët e të pasur që do tʼia kishin zili edhe dramaturgët me pervojë, me një zhdërvjelltësi të shkruari që të bën ta lexosh me një frymë.

Edhe pse me një erotizëm të ndjeshëm, ky libër më la përshtypjen e një romani të mprehtë social që vetëm në paraqitje ka ravijezimet e një zhanri të verdhë të regjur në erotizëm. Personazhet, të kursyer në numër, janë të detajuar e të tipizuar mirë dhe bëjnë të padobishëm praninë e pseudove të tjerë të vagët, shpesh të bezdisur e të kotë nëpër romane. Këto faqe kanë aq sa duhet të kishin, edhe në përshkrime e situata. Nuk janë të tepërta edhe poezi të mirëfillta kushtuar Lizës, përkundrazi, i japin larmi e thyerje interesante formave të tjera të të shkruarit të pranishme në këtë vepër.

Që prej vitit 1988 Lis Bukuroca, i ndjekur prej policisë serbe, u detyrua të braktisë Kosovën. Qysh atehere jeton e punon ne Gjermani. Ai ka një eksperiencë të gjatë (nga vitit 1991) si përkthyes nga shqipja, maqedonishtja, serbo-kroatishtja, italishtja dhe frëngjishtja por, më kryesorja, muza e tij ka gjetur shpërthime origjinale në ese, analiza, tregime dhe poezi.

Gjithë kjo eksperiencë mijërafaqëshe në të shkruar ka shërbyer si një pedanë e shkëlqyer për ta katapultuar këtë autor të guximshëm e të rrallë në një prozë të gjatë të sukseshme si kjo, që sigurisht ka për të patur pasuese të tjera edhe me të arrirra.

Këto pak rreshta janë vetëm një penelatë e shpejtë që ka për tʼu pasuar edhe me studime më të thella; ky është vetëm një urim prej thellësisë së zemrës, Lis Bukuroca.

 

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: - roman i ri, «Ngjyrat e Dashurisët», i Lis Bukurocës, Shpend Sollaku Noe'

Bardha e Temalit, Miti dhe Kujtesa, Pashko Vasa në vlerësimin e Olimpia Gargano

June 16, 2017 by dgreca

Si e vlerëson Pashko Vasën dhe Bardha  e Temalit një studiuese e  huaj/
Bardha e TemalitNga Gëzim Llojdia/ 

1.Olimpia Gargano  një studiuese e pasionuar  italiane ka hulumtuar rreth fushave të albanologjisë dhe identitetit kombëtar si dhe figurave të shquara të këtij identiteti.

Ajo eshte perqendruar tek- Miti dhe Kujtesa: Përfaqësimi dhe keq përfaqësimi i Kulturave Kombëtare dhe Popujve- tek shkruan:Procesi i ndërtimit të kombit shqiptar i njohur si Rilindja (dmth,”Rilindja”),lulëzoi në fund të shekullit XIX, u rrit shumë nga angazhimi i palodhur i intelektualëve shqiptarë që botonin veprat e tyre jashtë vendit për t’iu shmangur censurës osmane, me qëllim parandalimin e shfaqjes së një kulture kombëtare shqiptare. Ky material fokusohet në një rast të veçantë të përfaqësimit kulturor, lidhur me shkrimtarin dhe diplomatin shqiptar Pashko Vasa (1825-1892), i cili, për të paraqitur kombin e tij në një audiencë ndërkombëtare, zgjodhi gjuhën franceze për romanin e tij.

 2.Studiuesja italiane në vëmendje të saj duke cituar këtë personazh si Pashko Vasa merë në shqyrtim,  veprën e tij:”Bardha e Témalit” një botim të diplomatit shqiptar . Si dhe për një libër gramatikor që do të thotë t’i mësojë lexuesit shqiptarë për të huajt. Duke vepruar kështu, Vasa  shkruan O.Gargano,vuri në vend atë që rezulton të jetë një dukuri mjaft e pazakontë në fushën e studimeve imagjinare, në atë që nuk bie në asnjë nga dy tipologjitë e përfaqësimit të identifikuara nga krahasuesi holandez Joep Leerssen, përkatësisht”vetë dhe imazh .Do të thotë si një përfaqësim letrar i bërë nga një autor në gjuhën e tij, që nënkuptohet si një përfaqësim i bërë me të vërtetë. Përfaqësim “, të arritur nëpërmjet t ëdhënave  gjuhësore.

Rrjet tjetër nga ai në të cilin autori i përket. Në mënyrë interesante, në formësimin e imazhit të vendit të tij, Vasa përdorte të njëjtat stereotipa, që dilnin në literaturën evropiane të udhëtimit. Megjithatë, nëse në këtë të fundit ato mund të lexoheshin si sinjale të folklorit ekzotik, duke u ndezur kur erdhi në vendet e Ballkanit, në një intelektual të angazhuar në një zgjerim identitar të kulturës së tij kombëtare, ato shfaqen si një mjet i fuqishëm konceptual me të cilin imazhi i kombit shqiptar u themelua, për të thënë, nga brenda.

Dule vlerësuar këtë rast  autorja italiane  shkruan:Përfundimisht, përmes këtij studimi të rastit, ky dokument synon gjithashtu të theksojë një aspekt që deri më tani është lënë pas dore, përkatësisht roli ndërmjetësues i literaturës frankofone në fushën e studimeve shqiptare.

3.Prof. Zymer Mehani shkruan:Romani “Bardha e Temalit” priti një shekull që t’i jepej publikut në gjuhën shqipe. Shtëpia Botuese “Naim Frashëri” në Tiranë e botoi atë me përkthimin e Sotir Çaçit, duke e përfshirë në veprën seriale të Pashko Vasës më 1987; kurse Rilindja në Prishtinë e botoi liber më vete të përkthyer nga Ymer Jaka, më 1969.Edhe pse “Bardha e Temalit” që botuar frëngjisht një qind e ca vjet më parë, edhe pse iu dha lexuesit me një shekull vonesë, si një nga romanet e parë të letërsisë sonë, ai ishte dhe mbetet një nga krijimet më interesante të traditës. Duke e analizuar këtë vepër të shkruar frëngjisht, Prof. M. Gurakuqi, me gjalljen e tij , theksonte se “ajo asht pjesë përbamëse e letërsisë sonë, ashtu si janë veprat në latinisht të Barletit dhe Bicikemit”.Ky roman, ndër më të parët e llojit, dëshmonte se autorët e Rilindjes po ngriheshin dhe formoheshin nga ana e mjeshtërisë artistike dhe po nisnin, ashtu, edhe gjininë e prozës së gjatë.Romani “Bardha e Temalit” është një pasqyrë e gjallë e jetës shqiptare në shekullit të XIX. Me frymëzimin e tij pasionant autori ka pasqyruar skena të jashtëzakonshme familjare dhe sociale në ambjente tipike shqiptare, përmes një sfondi të theksuar romantik.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Bardha e Temalit, Gezim Llojdia, Olimpia gargano, pashko Vasa

Poezia, si formë e shprehjes së lirisë dhe dashurisë universale

June 14, 2017 by dgreca

Gëzim Hajdari, poeti shqiptar më i pranishëm i antologjive botërore/1 Gezim Hajdari

Nga Hyqmet HASKO/Rrugëtimi poetik i Gëzim Hajdarit është një rrugëtim mbresëlënës, i mbusHur me ankth e peripeci, me vuajtje e sfida, me stres e vetmi, por edhe me magjinë e perlave të tij estetike, ku ka trupëzuar e shpirtëzuar ëndrrën e tij në sirtar, ballfaqimin me poezinë dhe artin kontemporan të fjalës së bukur shqipe. I endur në terrnajën e poezisë së socrealizmit si i papërshtatshëm dhe i refuzuar, poeti lushnjar, me një botë të pasur emocionale dhe me potencë të lartë të imazhit poetik, gjeti në Perëndim eldoradën e tij, duke thyer të gjithë kufijtë e parashikueshmërisë për fatin e një poezie të re në troje e vise të tjera, ku deri atëherë nuk kishte trokitur poezia shqipe, ose më saktë, vetëm tek tuk ndonjë poet i “rekomanduar” ia kishte dalë të ishte deri diku i pranishëm.
Sot, pas një përvoje sfidante dhe ballafaqimesh të forta, mund të themi se Gëzim Hajdari është poeti shqiptar më i pranishëm antologjive botërore, më shumë se cilido shqiptar tjetër, duke qenë kështu edhe ndër më të studiuarit e letrave shqipe jashtë Shqipërisë. Por siç ndodh shpesh është pak i pranishëm e pak i ndjekur nga vet Shqipëria për të cilën ka bërë të flitet nëpër ambientet më elitare të poezisë botërore. Edhe pse paradoksale poeti me një talent të shpërthyer më së shumti e të mirëpritur tej mase jashtë Shqipërisë ka me vendin amë marrëdhënie të ndërlikuara e dyfaqëshe siç nuk mund të mos i kishte cilido idealist që për kohëra të gjata pat ëndërruar një Shqipëri më të mirë, duke varur shpresat në ndryshimet politike, sipas autorit të pambërritura kurrë.
Gëzim Hajdari, i lindur në vitin 25 shkurt 1957 në Lushnje (Shqipëri) dhe është një poet, eseist, përkthyes dhe transmetues shqiptar. Ai u diplomua në letërsi shqipe në Universitetin e Elbasanit dhe letërsisë moderne në Universitetin La Sapienza në Romë. Ai është autor i shumë librave me poezi, nga librat e udhëtimit, ese dhe përkthime. Veprimtaria e tij letrare bëhet e plotë në dy gjuhë, në gjuhën shqipe dhe italiane. Poezia e tij është përkthyer në disa gjuhë. Ai është kryetari i “Montale Eugenio” Qendra Ndërkombëtare, si dhe një qytetar nderi për merita letrare, i qytetit të Frosinone, ku ai banon që nga viti 1992.
Kontakti i tij i parë më poezinë ka nisur që në moshën 11 vjeçe, por është një histori shumë e gjatë që i është dashur ta përmbledh disa herë nëpër intervista. Ka nisur në fshatin ku ai ka lindur, në Hajdaraj, vazhdoi pastaj në gjimnaz ku edhe u konsolidua. Pastaj erdhi vëllimi i parë me poezi i quajtur “Antologjia e shiut” që del një muaj para rrëzimit të diktaturës së Enver Hoxhës, natyrisht ka qenë një rrugëtim i mbushur me probleme politike, censure, mungesë lirie, që nuk ndryshuan as pas rënies së komunizmit.
Edhe më pas ka pasur probleme të tilla e madje, siç pohon diku edhe vetë, është kërcënuar edhe me jetë. Ai gjithmonë bënte pjesë tek idealistët, besonte se do të ndryshonin shumë gjëra, se do të ndërtohej një Shqipëri e re, më e ndershme, më e ligjshme, më transparente, por nuk ndodhi asgjë e tillë. Si gjithmonë idealistët janë humbësit e mëdhenj. Edhe në këtë rast fituan po ata që ishin fitimtarët e mëparshëm, ata që ishin ideologët e regjimit të vjetër dhe ky dyzim, kjo qasje repressive, kjo paranojë gjen pasqyrim të gjërë e të thellë në artin poetik të Hajdarit.
Ndërsa pjesës më të lodhur më të vuajtur të vendit iu desh të largohej. Edhe sot mbeten po të njëjtat kushte. Në Shqipëri nuk ka ndryshime. Një pjesë e mirë e idealistëve u detyruan të iknin, dhe Shqipëria mbeti e njëjta që ishte. Kjo natyrisht nuk do të thotë se ne kemi ndërprerë lidhjet me Shqipërinë. Tek Poema e mërgimit (Poema dell’esilio), Hajdari shpjegon gjithë këtë situate, teksa flet për gjithë dështimet e tij në marrëdhënie me Shqipërinë dhe dështimet e Shqipërisë me veten dhe të ardhmen.
Shqipëria, me dritëhijet, enigmat, mungesat, dhimbjet, vetminë, muret, izolimin, hapjen dhe shqyerjen, me gjithçka tjetër, duket se është e pranishme në vargun e tij të lirë, të thjeshtë, komunikues e të kapshëm, fluid e transhendent të Gëzim Hajdarit. Vargu i tij nuk u ngjason aspak atyre të poetëve të larëm, që me stile të padeshifrueshme, duket sikur shkruajnë për të komunikuar vetëm me ndonjë koleg që ndan me ta të njëjtin kod shkrimi, e jo me lexuesin që minimalisht kërkon emocion dhe emocioni nuk mund të vijë kurrësesi nëpërmjet errësirës dhe mosdepërtimit.
Hajdarin nuk joshet nga qasjet e ngutura dhe të hequra shpejt me laps të lehtë plumbi, qasje minimaliste, simboliste, surrealiste, e çfarëdolloj figurash të tjera që eufimizojnë mendimet e hedhura në letër vrullshëm.
Joshja e tij vjen nga thellësitë, nga përballjet me kujtesën, unin, historinë, përditshmërinë shqiptare.
Shqipëria e Hajdarit është Shqipëria e dyzimeve dhe fasadave, e rënieve dhe ngritjeve të vrullshme, e ëndrrës dhe zhgënjimit, e mitit dhe banalittetit, ku mbijetojnë farët e një të keqeje kolektive, por dhe gjallimi i shpresës së lirisë universale, që do ta mbështjellë më në fund fatin e vendit të tij të vogël ballkanik.
Suksesi i tij në Itali është unikal, por akoma më i beftë dhe më mbresëlnës është suksesi i poetit në botën anglo-saksone, që e ka pritur Gëzim Hajadarin krahëhapur dhe me ndjesinë e një befasimi poetik, të një zbulimi.
Botimi në Angli i vëllimit “Vragë” (Stigmata) i poetit Gëzim Hajdari, nga botuesi Shearsman Books në Bristol, me përkthyese Cristina Viti, i botuar në italisht dhe anglisht, pati një audiencë të pa parë në mediat londineze e më gjërë, shoqëruar me promovime të bujshme dhe fjalë të epërme lavdëruese për këtë poet. Promovimi i librit të Hajdarit do të paralajmërohej edhe nga disa site kryesore angleze, si dhe do ta publikonte siti kryesor: “Neës and Events European Literature Netëork”, si një ndër ngjarjet më të rëndësishme kulturore në Londër.
Vëllimi Vragë/Stigmate është botuar tri herë në Itali nga botuesi i tij historik, Besa Editrice: botimi i parë në 2002, pastaj në 2006 dhe në 2016. Është një libër që të befason për ritmet dhe emocionet poetike që sjell, nëpëmjet kujtesave rurale të kthyera në klithma universal dhimbje e dashurie, ku vendlindja e tij, vendi i tij bëhen metafora të kërkimit të lirisë dhe dashurisë universale.
Thënë ndryshe, poezia e tij lind e përjetohet prej formave të pafundme të dashurisë, shndërrohet në joshje, që nxit dhe grish, konturohet e projektohet si një mundësi poetnciale për të njohur veten dhe botën. Poeti, njëlloj si në fillesën e marrëdhënies, gjen vendin në botë. Poezia rifiton vlerën e harruar dhe kthehet në një model kërkimi drejt ëndrrës së kulluar.
Dikush kapërcen vetminë. Dikush gjen fjalën e duhur mes fjalëve të humbura. Një tjetër mban mend vargje të kthjellët, të fuqishëm, plot tingull dhe kuptim, ashtu siç i ndeshim në poezinë e Gëzim Hajdarit. Falë origjinalitetit, kjo poezi na shtyn të besojmë se ç’ishte e poetit është bërë tashmë dritë brenda atij që lexon apo mban vesh ato fjalë magjike dhe drithëruese…
…Me kalimin e viteve, Gëzim Hajdari është shndërruar gjithmonë e më shumë në një poet të brendshëm, nga ai lloj i veçantë krijuesi që ujërat dhe dallgët e të folurës së përditshme i kthen në dritë poezish. I ngjashëm, por jo krejt njëlloj, me atë që mbështet veshin pas tokës për të dalluar lëkundjet, ky poet mbërthen kryet pas gjoksit, në përgjim të ndjenjës njerëzore.
Ja si shkruan poeti tjetër unik lushnjar Faslli Haliti: “Kur pashë këtë poezi të poetit Hajdari në një Blog me poezitë e Staneskut Lorkës A.Merinit, Bodlerit, shkruar italisht nga vetë poeti ynë, e përktheva këtë cikël me gëzimin që më krijoi poezia e lushnjrit tim Hajdari”. Ja një fragment i kësaj poezie:
“I lë këto vargje si një lamtumirë
gëlltitur nga lakuriqësia e kujtesës
duke e ditur se bota nuk ka nevojë për të
Për përshëndetjen time me dorën që dridhet
poshtë në sfondin e ndritur
askush nuk kujtohet.
Horizonte të dyshimta
mbështetem ujit tënd të ftohtë
dhe gërmoj ballin tënd prej qielli të zi
të braktisur në mjegullën e dendur…”
Udhëtimi i Hajdarit ka qenë dhe mbetet sinjifikativ dhe në SHBA, ku tash pesëmbëdhjetë vjet vazhdon të befasojë lexuesin, mediat dhe kritikën letrare amerikane me atë përcjellje krejt të veçantë që poeti i bën kujtesës, kohës dhe historisë shqiptare.
Botimet në revistat më prestigjioze letrare, intervista të bujshme në shtypin dhe mediat e USA, marrja me krijimtarinë e tij poetike të disa emrave mjaft domethënës në qarqet letrare dhe kritike amerikane, e bëjnë Hajdarin një poet dhe një letrar që nga një emigrant, i larguar nga vendlindja për shkak të keqkuptimeve me një kohë të sëmurë, është kthyer në një përcjellës të vlerave të mbetura në hije të letërsisë, artit dhe kulturës elitare të vendit të shqiponjave.
Veç gjithë zulmës së botimeve dhe vlerësimeve që nuk kanë reshtur për asnjë çast, në USA janë shumë universitete që studjojnë veprën e G. Hajdarit. Në USA janë mbajtur disa kumtesa mbi poezinë dhe veprën e poetit shqiptar, ndërkohë që poezi të poetit Hajdari janë recituar edhe në aktivitete e mbrëmje letrare amerikane. Vepra të Hajdarit që janë përkthyer në USA dhe presin të botohen në të ardhmen janë: “Trup i pranishëm”, përkthyer nga Charif Shanahan; “Poezi të zgjedhura 1990 – 2007”, përkthyer nga Viktor Berberi; “Poema e mërgimit”, përkthyer nga Anita Pinzi; “Poezi te zgjedhura 1990 – 2007” dhe “Barihidhët”, përkthyer nga Sara Stickney dhe “Dhimbjehëne”, përkthyer nga Patrick Barron.
Pra, siç shihet, veç Italisë dhe Francës në Europë, në Angli dhe SHBA-të kanë shfaqur mjaft interes mbi veprën e Gëzim Hajdarit.
Duke lexuar Gëzim Hajdarin të duket sikur përballesh me efektet e një kure teraupike, pas një mpirje të gjatë dhe ankthi sindromik dhe ky është efekti i poezisë së vërtetë, të të freskojë shpirtin dhe të të bëjë të ndihesh me mirë me veten dhe me të tjerët, në një botë të pa përkryer dhe stresante, siç është bota jonë, të cilës poeti i bën një autopsi të thellë poetike, të denjë për penat më të mira të artit poetik, në të gjitha kohët dhe e cila ka çuditur botën perëndimore me fuqinë imazhiniste të këtij poeti unik.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Gezim Hajdari, Hyqmet Hasko, Poeti i antologie boterore

Poetesha Bajame Hoxha((Çeliku) në Sofrën Poetike të Diellit

June 13, 2017 by dgreca

Nga Bajame Hoxha(Çeliku)/
1-BajameHoxha2I pavdekshëm brenda meje/

Në inboxin tënd kërkoj ndër vite/

Se mos një mesazh ka mbërritur nga ti,/

Dhe kur aty nuk gjej asgjë tënden/

Çdo ditë e bukur më mbytet nëpër sy./

 

Harroj dhe futem e futem përsëri

Aq sa gjithë botën tënde e ndjej,

Ti qëndron aq thellë me aq krenari

Sa përjetë brenda meje të gjej.

Duke kërkuar

Duke kërkuar Hygoin në raft

Ngriva kur hapa një libër,

Qe shkruar kohë më parë

Një autograf përsipër.

E hapa qe fletore

Dikur hedhur në raft,

Në faqen e parë

Qe mbushur

Me kujtime e mall.

 

Lexova një lexova dy

Dhe ngriva mbi një mbishkrim,

E njoha, më gërvishti në sy

Më shtrëngoi në fyt

 

Më ngau në gji.

U futa thellë fjalëve

Që i lexova dhjetëra herë,

Vallë ke harruar

Që ke lënë një mbishkrim

Kaq të thellë?!

 

Dhe lexoj me dhjetëra kujtime

Të rinj e të vjetër

Mes tyre ah sa shkrime

Por ky s’ngjan me asnjë tjetër!

 

Lexoj e rilexoj këto fjalë të nxehta

Dhe kthej kryet më një anë,

Se s’dua as vetja

T’më shoh lotin e vrarë.

 

Ti je këtu mes rreshtave

Dhe mes shkrimit më shikon mua,

Ky shkrim po mi thotë të tëra

Ato që s’ke mundur t’mi thuash.

 

U preka këtë mëngjes pranvere

Më ngeci mendimi në fyt

Dhe lotin gëlltis.

Ti ke mbërritur që dikur

Thjesht në shtëpinë time,

Pse qe fshehur kaq vite

Raftit e s’më dilje?

 

Ti je këtu me mua

Më flet në fletën e shkruar,

Zërin të dëgjoj tek thua:

Jam këtu ndër librat e tua.

 

Lexoj e lexoj mes lotit

Shkrimin e njoh, je ti!

Pse ma ke lënë kaq fshehur

E unë e gjeta tani:

 

“Me shumë dashuri Kur ta hapësh

Do t’kujtosh takimin e parë…

Besoj se jemi të lumtur

Këto çaste që u pamë!”

 

E lexova dhe ulem e goditur

Ku të të mbaj më thuaj,

Në zemër a në duar?

 

O JETË BARBARE

 

Një mall i largët më ngulet si thikë

E loti rrjedh më ngrin mbi qerpikë,

Seç më trondit, më vret pa pushim

Ajo besë që qe ngulë shpirtit tim.

 

E tani e duroj këtë lot vajtimi

Kjo tradhti më nget pa mëshirë,

O jetë barbare ku vajti betimi

Që erdh si prelud përjetësisht?!

 

Por ja një ditë dhe ne u ndamë

Si shumë të tjerë forcërisht!

Tashmë dhe lotët e mi u thanë

Atje tek brazimat tinëzisht.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Azem Shkrelit

 

Dikur ke thanë:

Më mëso të vdes bukur Kosovë!

Dhe ti,

Poet i ëndrrave

I jetës plot vargje,

I re kitarës ma bukur

Dhe shkove në parodisë

Me tinguj kitare

Me këngë universale

Me liri në zemër!

Ah,

Ti poet i poetëve

Sa krenar që dukesh!

Ashtu fisnikërisht qëndron edhe tani

Mes vargut

Mes poetëve

Mes lirisë së Kosovës.

Ti e di

Në çdo takim

Ty të presim të vish.

Të shohim

Tek shtrëngon duart e shokëve

Si dikur

Me poezi në duar

Me buzëqeshje në buzë

Me dashuri në zemër

Me Kosovën në shpirt!

Më mëso t’i bie bukur

Ke thanë dikur

Dhe ti i re ma bukur, Azem!

Se shpirti yt dinte me këndue

Bjeshkëve të Sharit

Lëndinave të Kosovës.

Dhe tani

Të them unë:

Më mëso vetëm t’i bie kitarës

Më mëso të vdes bukur si ti,

Azem shkreli!

 

 

 

 

Si zog shtegtar po nisem nëpër vise

Ma kanë prishur folenë në atdhe

Kokë ulur krahë këputur e pendë rënë

Më të rëndë në zemër një gur të vënë.

 

Kaloj dhe kontinente shuar shpresë

Më kot kërkoj një fole që s’më nxeh,

Folenë që me kohë e pata ndërtuar

Ndërtuar e kisha në timin Atdhe.

 

Atdheu im, e di që u lodhe

Pranverë dua të bëhem për ty dhe në eter,

Më beso! Me ty në krah për ditë po endem

Me ty në jastëk dua kryet të vë.

Ah, atdhe, atdhe sa e madhe fjalë që je

Dhe dheun, dhe gurin sa të ëmbël i ke!

Në krah do të mbaj,si toka pranverën

Ashtu si si pranverë që çel sythet e jetës.

 

 

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: Bajame Hoxha(Çeliku), I pavdekshëm brenda meje

Mbresa për romanin “MALL I KALTËR” i Viktor Canosinaj

June 10, 2017 by dgreca

Nga Pirro Dollani/

Mall i kalter- V. CanosinajSapo përfundova së lexuari romanin “MALL i KALTËR, shkruar nga miku im, romancieri i talentuar, Viktor Canosinaj! Romani mbi motivet e jetës së piktorit të madh Ibrahim Kodra është një nga ato libra që lexuesi me padurim pret të mbarojë faqen për të kaluar te tjetra. Ajo që të bie menjëherë në sy është përgatitja paraprake që autori ka bërë për të shkruar këtë roman. Cilësi kjo e shkrimtarëve profesionistë e seriozë ndaj vetes dhe lexuesve të tyre. Romani “Mall i Kaltër” është një libër mjaft informues, është një histori poetike e rrugës së pikturës nga antikiteti deri në artin modern të kohës. Canosinaj tregohet mjeshtër në “ndërtimin e suspense-s”! Vepra ka një strukturë kompozicionale të veçantë. Dy janë elementet kryesorë: digresionet e shpeshta dhe rrëfimi është në vetë të dytë. Besoj se nuk është lehtë të shkruash një roman në vetë të dytë, ku personazhi Kodra rrëfen për fëmijën Kodra, një mënyrë që mendoj se i ka dhënë dorë autorit për të zhbiruar edhe më thellë në shpirtin e atij jetimi nga një fshat i vogël, i cili më vonë do të arrijë majat e artit të pikturës. I tërë romani, 343 faqëshe, është një këngë e bukur, prekëse për mallin, dashurinë e atë që të mungon. Malli, kujtimet, dashuria janë lajtmotivi që përshkon tërë elementët e kësaj vepre letrare. S’di pse m’u kujtuan këtu fjalët e poetit të madh anglez William Wordsworth, që thotë se “kujtimet e mbajnë gjallë njeriun”. Një rrëfim elegant, që rrjedh me një gjuhë sa e drejtpërdrejtë, aq edhe e figurshme e poetike. Leksiku i qëmtuar me aq kujdes, aq i pasur e me një erëmim shqipërie, saqë çdo shkrimtar duhet ta ketë zili. Fjalët në fjali janë si ato ngjyrat e fijeve të endura në ato qilima që përshkruan autori në roman. Të pashlyeshme nga mendja janë bisedat e Kodrës së ri me skulptorin Paskali në studion e tij. Sa i gjetur e domethënës është “detaji” që çdo herë kur i riu Kodra i hynte në studion e skulptorit Paskali, do ta gjente atë duke punuar mbi bustin e Ketit, gruas së tij, të asaj italiane të bukur, veprës “më të shkëlqyer që kishte nxjerrë nga duart”, që, si të thuash, ishte si një kompesim për atë kompromis që mjeshtri kishte qënë i detyruar të bënte në jetë duke “përjetësuar” me artin e tij ndonjë diktator. Por kjo ishte vetëm dukja: ajo që mbeti ishte busti i bukur i së shoqes! Një meritë e Canosinajt është skalitja e një mori figurësh, si të babait të Kodrës, të nënës së vdekur që i ngjasonte me shtojzavallen që Kodra fëmijë kishte takuar dikur në pyll, të njerkës, të zonjës Stefani, Norës, Karmelës, etj.

Ky roman, është një trillim letrar mbështetur në çaste nga jeta e mjeshtrit Ibrahim Kodra, e përfshin një periudhë kohore prej mëse gjysmë shekulli, por i tërë rrëfimi letrar ndodh brenda një caku kohor pak më shumë se dy orësh.

Pa dyshim, romani “Mall i Kaltër” është një vepër që do të pritet me shumë interes nga lexuesit.

 

Filed Under: LETERSI Tagged With: i Viktor Canosinaj, mbresa, për romanin “MALL I KALTËR”, Pirro Dollani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 224
  • 225
  • 226
  • 227
  • 228
  • …
  • 300
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT