• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Greku pinte Metaksë, shqiptari-Skenderbeg, serbi- Shlivovicë, maqedonasi… Mastikë

May 10, 2016 by dgreca

Nga Fadil LUSHI/

POLITIKA, KJO LAVIRE HYJNORE!/Ky daja, një ditë sërish erdhi te zyra ime. Mu duk se rradakja a fiqiri i kishte dalë toptan nga terezia. Ishte bërë i tëri hundë e buzë. U ul në kolltuk, ashtu rehatshëm…, njësoj si ai mysafiri i paftuar që të vjen në “zijafet”. Ata që nuk e njohin nga afër, e konceptojnë si “derdimen”, por ama ai nuk është i tillë. Në fakt është një njeri që i ka të gjitha haberet sa u përket vakive këtejpari. E përshëndeta me gjysmë goje. Edhe ai ma ktheu njësoj dhe paksa si me inat. I parashtrova  pyetjet: Ç’kemi? Si i ke punët dajo…? Kurse ai ma ktheu me çallëm dhe ashtu korçarçe: “Punët i kam xham fare!?” Nuk i besova. Duke ia paragjykuar përgjigjen, thash se si mundet një njeri, me gjithë atë “surrat të shëmtuar dhe paksa të shtrembëruar”, me gjithë atë ulërimë të gjatë, të dhembshme, të thekshme e me kokën rrëmujë, t’i ketë punët “xham fare”. Sikur kishte ardhur të më “bëjë me faj”. Vazhdova me pyetje: Me ç’sebep u duke këtejpari. Sikur “hazërxhevapin” e kishte në xhep. “Erdha të të tregoj se sot herët në sabah, te apartamenti im plasi poterja!” E pyeta se kush e filloi këtë potere dhe kush ishte kryeshamataxhiu… “Kush tjetër, pos meje. E nisa me dajeshën tënde!”. Po ç’të bëri kjo dajeshë e ngratë që me ty heq të zinjtë e ullirit! “Eh, ajo t’u pi çaj rusi, filloi të më lakojë ca broçkulla. Duke mos i duruar këto andralla të saj, fillimisht theva derën e dhomës, mandej dëmtova ashensorin dhe, së fundi, ua prisha gjumin gjumashëve dhe ca zonjave të rënda që hiqen pak shtatzëna!”. E ndërpreva duke i thënë: O shkurtoje, o mbylle këtë muhabet. “Jo ore, qerrata, kush je ti të më bësh urdhrin…, mu tani do ta ndez muhabetin për do çështje politike!” Hë, ç’më zuri belaja me dajën dhe me politikën ditore, me atë politikë, që ka humbur rrugën, shijen, freskinë dhe cilësitë…, politikës që i ka dalë boja…, që ka humbur vlerën nga përdorimi i tepruar dhe është bërë e mërzitshme nga përsëritja e shpeshtë në kohë dhe në vend të gabuar!

Ky daja, më dha urdhër të prerë: ”…, kësaj radhe, këtë shkarravinë,  do e nisësh me kryeparin e shtetit në veçanti me vendimin e tij absurd dhe aspak juridik sa i takon abolimit të njerëzve në faj, mandej do të shkruash për ca politikanë të dovletit biblik që shtrihej diku në hapësirat e Gadishullit Ilirik (si thoshte poet Aliu nga Podrimja e Kosovës)…, do të shkruash për ca politikanë të cilët, sot e gjithë ditën e Allahut, më duken si ato çavot romë (çdo respekt për ta), që te semaforët përballë një ambasade atje diku në Topana të Shkupit, ushtrojnë zanatin e xhamlarësve të veturave…, do të shkruash për ata politikanë që nuk kanë apo nuk njohin kanun, për ata që nuk dinë se ç’është morali, për ata që nuk dinë për fukarenj dhe për fukarallëk…, do të shkruash për ca politikanë që dikur opingat e tyre i zëvendësuan me këpucë të kuqe dhe allafrënga…, do të shkarravisësh për politikanët e moderuar, të përdalë, politikanë të cilët duke ngatërruar rrugët krijuan ngatërresa mes miletit, shtetit dhe pushtetit…, për politikanët ziliqarë, për politikanët të cilëve u është shkurtuar e drejta e të menduarit ndryshe…, politikanë të cilët prodhojnë politika të mbrapshta që më pas i grumbullojnë  dhe i sistemojnë bythëpraptas…, politikanë që prodhojnë megalomani, provincializëm dhe biçimsëz politikë…, për politikanët të cilëve nuk u mungon buka e gojës, për njerëz me halle ulëritëse, për politikanët që kanë rënë në hall me fëmijët e tyre, të cilët natën e kalojnë në kafeteritë prestigjioze dhe të shtrenjta të kryeqytetit, për politikanët të cilët deri pak kohë më parë ishin hem lypsarë, hem qibarë, hem kopukë, hem komunistë, hem nazeqarë që dikur qanin orë e çast dhe pa ndonjë shkak, hem qerosë e fodullë, hem të papërmbajtur e çallëmxhinj, kryekërrusur e të neveritshëm…, do të shkruash për politikanët individualistë, për ata që sot e gjithë ditën janë kryeustallarë të kështjellës së kusarisë, korrupsionit, krimit të organizuar, për pushtetarët që nuk e kanë frikë shtetin, për miletin gjegjësisht për taksapaguesit që i frikësohen pushtetit, për miletin që vuan nën kërbaçin e pushtetarëve jomeritorë…, do të shkruash edhe për ata politikanë të cilët nuk vjedhin vetëm pasurinë e prindërve dhe kalamajve të tyre…, do të shkruash në veçanti për ata politikanë, të cilët sot me gojën plot gjetën a morën guximin t’u thonë diplomatëve evropianë: sikter dhe ikni nga vendi ynë, ndërkaq agababës Amerikë, i thanë pezdeveng!?”. Të gjitha referimet e dajës i kuptova, përpos informacionit në lidhje me këpucët e kuqe dhe me zonjat e rënda që hiqen pak shtatzëna!???

Ky dajkoja, aq shumë më lodhi saqë u detyrova t’i them, ashtu troç, a mos vallë ke ngatërruar zyrën time, me atë të ofiqarit të gjendjes civile a edhe me atë të kryeimformatorit të  ShIK-ut…, a mos vallë mua më ngatërrove me fallxhoren e Shutkës, a mos vallë ngatërrove zyrën time me supermarketin e bllokut tënd, pronari i të cilit shet kikirikë, a mos vallë zyrën time dhe të hiqimetit e ngatërrove me atë zyrën e komitetit dhe me postën e policisë, o ti dajko, a mos vallë zyrën time e ngatërrove me atë të qoftexhiut Yillmaz, aty në hyrje të Kapalli Çarshisë së Stanbollit…! Sikur dajkos, desha t’i them se hiç fare nuk më shkojnë shkrimet me porosi, qofshin ato dedikuar edhe politikanëve, dhe ca të tjerëve…, të cilët në emër të  makiave-lizmit provincial, preferojnë po edhe mëtojnë ta pushtojnë pushtetin, qoftë edhe për Neronin e Debar Maallo-s, që me budallallëkun e tij, parapëlqen ta djegë Shkupin…, dhe të tjerat kasaba dhe katunde përreth tij…

Që unë ta humanizoj dhe emancipoj sadopak këtë shkrim, do ta përmbyll me një barsoletë ku protagonistë do të jenë popujt, të cilëve u kishte ra hiseja të jetojnë në një vend të mallkuar nga padishahu. Do të shkruaj për historinë e Gadishullit Ballkanik, për popujt të cilët në mënyrën e tyre i dalin zot gadishullit, ata që kërkojnë të drejtën e pronësisë. Dikur moti në një mejhane orientale, ishin tubuar ca njerëz, i pari ishte grek, i dyti shqiptar, i treti hiqej serb, i katërti maqedonas, i pesti bullgar dhe i gjashti turk me kod osman. Secili fliste në gjuhën e vet dhe njëkohësisht pinte rakinë e vet të flamosur (jo të gjithë pinin rakinë me terbie). Greku pinte Metaksë, shqiptari-Skenderbeg, serbi- Shlivovicë, maqedonasi pinte Mastikë, bullgari-Mustak dhe turku pinte Yeni raki të përzier me ujë. Toptan ishin bërë tapë, jo nga rakitë, sa nga nacionalizmi dhe folk a kiç-patriotizmi i tyre. Greku tha se Gadishulli Ballkanik është antik, shqiptari tha se është Ilirik, serbi tha “To je nashe”, maqedonasi tha se është Biblik, bullgari tha se është i Car Borisit, turku lëre që tha se Gadishulli është Otoman, por tha se të gjithë ju që i dilni zot këtij vendi, të tërë jeni minoritarë!

Në momentin që isha duke e përcjellë dajën, më ra telefoni, andej matanë u dëgjua zëri i ashpër i dajeshës, e cila më tha se a e ke dajën atypari… Unë iu përgjigja me pyetjen se ç’të duhet. “Mua nuk më duhet, u duhet lugëve të sofrës… dhe kalamajve të padëgjueshëm e zevzekë, të cilët kanë marrë në dorë shkrepësin… dhe po kam frikë se mos ia vënë flakën shtëpisë, hajt të mos them shtetit!?”.  Atëherë daja iku me rrëmbim.

Filed Under: Opinion Tagged With: Fadil Lushi, lavirja Hyjnore, Politika

EDHE 5 MAJI I PRODUKTIT “KATOVICE” U FESTUA ME TE NJEJTIN POMPOZITET SI 5 MAJET E ENVERIT

May 8, 2016 by dgreca

Opinion nga Hakik MENA/

5 Maj, dita e cila u zyrtarizua dhe u përkujtua si e tillë me triumf proletar para ‘90-ës prej diktaturës sllavo-komuniste, fatkeqësisht vazhdon me te njetin popmpozitet. Edhe ky 5 Maj I 2016-tës, pothuajse me të njëjtën mënyrë, tendencë dhe pompozitet, e ka festuar edhe produkti “Katovician”, përgjegjës i tranzicionit të tejzgjatur të pas ’90-ës.

Por këta “dëshmorë” (nëse ka pasë të tillë ), për çfarë ideali luftuan vallë?!

Për pushtimin e shqiptarit nga sllavo-komunizmi?! Për vrasjen , zhdukjen dhe ndjekjen e elitës nacionaliste?! Për burgosjen dhe internimin e ajkës së familjeve patriote shqiptare?! Për krijimin e njeriut të ri socialist që deri në fillim të viteve ‘90, mendonin se thënia: “Vëllezërit kinezë dhe miqtë kosovarë”, është korrekte ?! Për të lënë fëmijët jetimë me baballarë gjallë, të cilët rrugëtonin me ditë të tëra për t’i takuar ata në burgjet e tmerrshme të Spaçit, Burrelit etj?! Për futjen e thikës mbas shpine Kosovës?! Për prerjen në besë të vëllezërve tanë shqiptarë në Kosovë ?! Për lejimin e ekzekutimit të 5000 vëllezërve tanë në Tivar?! Dhe më në fund për shpërfytyrimin e shqiptarit prej gjithçkaje që e identifikonte atë?!

Tani, nëse këta dëshmorë dhe shokët e tyre, u vranë e sakrifikuan për çfarë u parashtrua më sipër, atëherë jo vetëm që nuk janë dëshmorë, por përkundrazi tradhtarë! Dikush me vetëdije e dikush pa vetëdije! Ata mund të konsiderohen maksimumi si “dëshmorë të komunizmit”, megjithëse mjaft prej tyre nuk kanë pasë ide as se ç’ishte komunizmi. Në fund të fundit, për çfarë vlejti sakrifica e tyre? A u bë kombi shqiptar më i lirë, më i begatë e më i bashkuar? Apo u transformua në një burg të frikshëm, për 3 milion shqiptarë brenda skëterrës “enveriste” e njëherësh në një thertore etnike në mostrën me emrin Jugo-sllavi!

Historia 46-vjeçare e pushtetit komunist tregon se “dëshmorët” ishin njëlloj si shokët e tyre që mbijetuan deri në rrënimin e sistemit të kuqove në 1990, pra kriminelë, vrasës sadistë, persona të zhveshur nga çdo veti njerëzore. Në kuptimin politik, komunistët, partizanët, dëshmorët e tyre dhe veteranët më pas, janë fenomeni më regresiv që është shfaqur ndonjëherë në trojet mbarëshqiptare. Një bandë gjakatare që rrënoi themelet e kombit dhe që mbolli zi, dhunë, përçarje e skamje për gjysëm shekulli pa ndalur. Mjafton të lexosh deklaratat dhe kujtimet e shokëve të tyre të armëve, që e pësuan personalisht prej sistemit për të cilin luftuan dhe sakrifikuan, që të bindesh për këtë. Koha tregoi se sistemi komunist për të cilin luftuan e u vranë dëshmorët, ishte një regjim antinjerëzor, i cili nuk kurseu asnjë shqiptar. Prandaj një “ide” kriminale, një “ideal” vëllavrasës, një regjim gjakatar, që kreu gjenocid mbi shqiptarët, një sistem që mbolli veç zi, varfëri e uri masive, nuk ka sens logjik të nderohet apo propagandohet.

Për këto arsye, e shoh si një provokim të vazhdueshëm të ndjenjave të mbarë shqiptarëve nacionalistë, angazhimin e vetë shtetit për pompimin e një date dhe simbolike, e cila i ka sjellë kaq dëme e fatkeqësi këtij vendi.

***

Nuk ka ilustrim më të plotë për të dëshmuar natyrën vrasëse, kriminale dhe antishqiptare të luftës pushtuese sllavo-komuniste, se sa kjo vjershë (këngë) që po postoj më poshtë, e cila u dedikohet të parëve të familjes time Mena të Lurës. Në vitin 1945, njëmbëdhjetë burra të shtëpisë, rrokën armët e dolën në mal, sepse nuk u pajtuan me sistemin sllavo-komunist. Më i moshuari prej tyre, Selman Mena, ishte pothuajse 70 vjeç… Ata martirë të kombit nuk pranuan të nënshtrohen ndaj pushtetit antikombëtar komunist, por zgjodhën me vetëdije sakrificën me jetë e gjithçka, vetëm për të jetuar të lirë. Ideali i lirisë kombëtare, apo vetjake, është ajo çka e dallon rodin njerëzor nga çdo gjë tjetër.

Kështu, pas gati dy vitesh rezistence me armë në dorë kundër batalioneve të Sigurimit, Selmani (baba), Hasani, Tahiri, Lami, Selmani, Bajrami dhe Qazimi do të vriteshin në përpjekje.

Aliu, Isaja, Mexhiti dhe Ramizi do të provonin burgjet e tmerrshme të para të sllavokomunizmit, prej të cilëve, Aliu nuk arrin të dalë i gjallë. Dyshohet të jetë vrarë prej komandës së burgut. Isaja del, arratiset, e vritet në kufi. Mbijetojnë vetëm Mexhiti e Ramizi, të cilët do të provonin të gjitha vuajtjet e ferrit komunist .

Pra:

9 burra të nji familje të vrarë;

2 të mbijetuar, të cilët do të vuanin përkatësisht 15 dhe 10 vjet burg politik, pa llogaritë këtu internimet e tyre e të gjithë familjarëve!

Sot, për herë të parë po postoj të gjitha fotot e tyre në Facebook.

Pra, kur kujton raste të tilla të krimit komunist, mua si pjesëtar i nji familjeje të martirizuar siç thashë më sipër, vetvetiu më vjen t’u drejtohem autorëve të propagandës me “dëshmorë”, me këtë thirrje:

O ju derra shërbëtorë të sllavokomunizmit, o ju palaço, o ju kriminelë, o ju të paftyrë, o ju zhele, o ju morra të kuq, o ju fëmi zboristash, o ju bij të etërve… nuk po ju thotë kush të mos hani vidhni e zhyteni në llumin tuaj tradicional proletar, por të paktën tash mbas 70 vjetësh, mos çorodisni popullin me data të sajuara historie! Lejoni historianët e vërtetë, seriozë, profesionistë, të bëjnë punën e tyre e të ftillojnë popullin e shkatërruar, të trullosur dhe të çoroditur shqiptar, të vijë në vete! Mjaft me gënjeshtra e spekulime propagandistike të kohës së komunizmit, të cilat sot i gjen vetëm në Korenë e Veriut!

Në këtë kontekst, edhe një pyetje që desh e harrova për pak: Kta të PD-së ç’deshën vallë në këtë “festë”?!

Kjo vjershë (këngë) është shkruar në ditën, kur janë vrarë 4 pjesëtarët e parë të familjes Mena. Vjersha eshte marre prej librit “Kenge Popullore Te Ndaluara” me autot Z. Fatos Mero Rapaj.

NË DHJETOR DYZETEGJASHTË

Në dhjetor dyzetegjashtë,

u hap lajmi me çdo anë,

se komitat n’Mat kanë ra,

poshtë nën Lis vend kanë qânë,

aty një rrethim u paskan bamë;

Janë MENET, paskan thanë.

Krisi pushka anë e mbanë.

Selman Mena paska thanë;

pushka t’parin mu me m’marrë,

sak Selmanin e kanë vramë,

fjalën e fundit ai ka thanë:

“Mos dorëzoni or djem të gjallë”.

Kur ka thirrë Bajram Mena,

gjithë komunistve u ka hy tmerra.

Por, ç’po thotë e zeza gojë,

Plumbi trimin e përshkoi,

dhe prapë pushka nuk pushoi.

Luftoi sa gjaku i ka shterrue,

të gjithë vllaznit janë grumbullue,

mitralozët i kanë pushue,

dhe rrethimi pak asht largue.

Porsa pak u kanë lirue,

dy kamët Lamit ia kanë coptue,

Aliu shpejt ka dash me u çue:

Ju bre vllazën me m’lishue,

se besa e Zotit s’kam me u turpnue…

Dhe për mue mos hidhni lot,

veç shtrëngoni armët fort,

Ja kështu pra unë po ju thom,

Mati e njef trimninë tonë,

katër luftëtarë në Mat i lamë.

Filluen pyjet me gjelbrue,

ata t’shtatë që kanë shpëtue,

malli fort i ka mallzue,

në pllaje t’Lurës janë nis me shkue.

Se n’atë pyll nji vit ma parë,

t’njimbdhet bashkë kishin banue.

Mbas nji dite tu qendrue,

keqas shumë i kanë rrethue,

asnji i gjallë mos me shpëtue.

Nji thirrje u ba nga partizanë:

S’keni ka t’delni u kanë thanë.

Bajram Mena tha nji fjalë:

Nuk dorzohna asnji i gjallë,

veç me luftë e ballë për ballë.

Ali Mena trim drangue,

jashtë rrethimit paska qellue,

Roje larg paska qellue.

Kur asht kthye n’vend me pa,

partizanët n’kamb janë çue:

“S’ke ku shkon-i thanë-se je i rrethue”!!!

Pushka Aliut i asht ngatrrue,

me rrovole ka luftue,

shtegun shpejt ia kanë lirue.

Dhe me vllaznit kur asht bashkue,

kush asht vra e kush ka shptue.

Por Ramizi i ka thanë,

Tahirin vlla na e kanë vramë,

kur na dha neve komandë:

“Yrysht vllazën të gjithë në kambë,

komunistët me i ngranë me dhambë.”

U ba përleshje ballë për ballë,

gjer sa mbeti Tahiri i vramë.

Çfarë me thanë e me tregue

edhe njëherë janë betue,

dhe rrethimin e kanë shkatrrue.

Aty Qazimi asht plague,

Për të vdekun e kanë lishue,

Por ma vonë trimi asht çue,

Mal me mal paska kalue,

te Dodë Prenga ka qendrue.

TRAGJEDI E FAMILJES MENA

1) Selman Mena nga Lura, bajraktar, vritet i rrethuar në Janarin e vitit 1946, sëbashku me tre djemtë e tij: Hasanin, Lamin, dhe Manin.

2) Bajram Mena nga Lura, ish kapiten në gardën ushtarake të Mbretit Zog.

3) Ali Mena, i dënuar me burg të përjetshëm, më vonë helmohet nga organet e Sigurimit.

4) Ramiz Mena, nga bajraku i Lurës, dënuar dhe internuar nga pushteti komunist.

5) Tahir Mena, ish kapiten i Gardës mbretnore, komandat çete t’arratisurish, vritet në rrethim.

6) Qazim Mena, vritet i rrethuar në Pllajë të Lurës në maj të vitit 1947.

7) Dod Prenga, mik i Meneve dhe strehues i tyre, nga Kumbull Selita….

Filed Under: Opinion Tagged With: “KATOVICE”, hakik Mena, SI 5 MAJET E ENVERIT, U FESTUA ME TE NJEJTIN POMPOZITET

Problemi i Rilindjes është vetë Rilindja

May 6, 2016 by dgreca

Nga Jorida Tabaku /*

Indro Montanelli shprehej dikur se problemi i socializmit është vetë socializmi, pra ai shteti autoritar që do të fusë hundët në punët e gjithkujt. Për ta aktualizuar pak më tej këtë citim mund të them që problemi rilindjes është vetë rilindja, apo më saktëështë dëshira e saj për të varfëruar tëvarfrit duke rilindur bizneset e oborrit.Dhe kjo nuk është më një opinion por është një fakt, 90 milionë dollarë para të nxjerra nga arka e qeverisë për të shkuar në luksin e qeverisë në rregullime zyrash ndërsa gjysma e gjithë shqiptarëve marrin frymë me nën 5$ në ditë. Ku shqiptarëve borxhi publik u është rritur dhe shpenzimet për shërbime dhe infrastrukturë bien përditë e më shumë.

Investimet bien e ndërkohë taksat rriten në mënyrë progresive sa më i varfër aq më shumë taksa, në tre vjet taksat janë rritur me 450 milionë usd dhe çdo ngritje është trumbetuar si arritje e madhe, si lehtësi ndaj biznesit të huaj dhe në fund sigurisht si diçka që ndodh për herë të parë në këto 25 vite.Rezultati është i qartë, çmime më të shtrenjta, shqiptarë më të varfër, biznese që mbyllen dhe në fund investime të huaja 5.7% më të ulëta se sa vitin 2013.

Po ndërkohë jo të gjithë shqiptarët janë varfëruar, çdo të hënë që del buletini i prokurimeve publike lexon të bardhë mbi të zezë 11 kompani që fitojnë përherë tenderat.11 persona që janë vula, flamuri dhe stema e një ekipi të korruptuar qeveritar që po zhyt përditë e më shumë shqiptarët jo vetëm në varfëri por dhe në terror.

Por sikur të ishin veç kaq mëkatet tuaja.

Shqiptarët kanë 25 vjet që largohen nga Shqipëria, në përpjekje për të krijuar një jetë më të mirë por edhe si reagim i asaj çfarë qeveritë e ndryshme nuk kanë mundur të plotësojnë.Nuk ka ndodhur, aq më tepër në këtë 10 vjeçar, që qytetarët e këtij vendi të largohen në këto përmasa si këto tre vjet.Nuk ka ndodhur që ato të jenë kaq të bindur në korruptimin që kjo qeveri dhe kjo mazhorancë i ka bërë jo vetëm institucioneve shtetërore por edhe vetë shoqërisë.

Rilindja është qeveria që në këto tre vjet ka shpenzuar energjitë e saj për të korruptuar shoqërinë e këtij vendi, duke blerë mediat, duke blerë zërat opozitarë dhe mbi të gjitha duke sulmuar me ushtarët e bandave ato që i dalin jashtë rreshtit.Prandaj sot jemi ne të parët e Ballkanit sa i takon emigrimit në dyert e Europës, të zhgënjyer nga një gënjeshtër e ndërtuar bukur. Të demoralizuar nga një qeveri që ka korruptuar jo vetëm institucionet por që dëshiron të shkatërrojë edhe vetë shoqërinë.

E me gjithë këto , duket se nuk kemi parë asgjë akoma.Gjatë gjithë këtij tre vjeçari në qeverisje hija e juaj ka qenë krimi dhe kriminaliteti, të cilin e keni shtrirë nëçdo degë të shoqërisë.

Nuk ka pasur ndonjëherë në kujtesën time kaq shumë vrasje kriminale, nuk ka pasur ndonjëherë kaq shumë panik, shqiptarët i kanë harruar kohët kur ndodhnin grabitje rrugëve siç ndodh sot.Nuk ka ndodhur kurrë që deputeti të qëllojë me armë në komisariat e të vijë të votojë në kuvend, e nuk ka ndodhur kurrë si me këtë qeveri në dy raste, t’i fshihet edhe Interpolit të dhënat për sponsorizuesit e kësaj qeverie.Dhe e gjitha kjo ndodh sepse tashmë Shqipëria është peng i karteleve të mafias, që kanë uzurpuar edhe karrige të këtij kuvendi.

Të cilët nuk kanë frikë, se me shumë gjasë janë edhe ministrat hije të kësaj qeverie, që kanë autoritet dhe pushtet jo vetëm mbi shpirtrat dhe trupat e kësaj mazhorance por edhe mbi jetët e shqiptarëve.Ky është krimi më i madh! Pikërisht ky krim, qëështë instaluar brenda katër mureve të këtij parlamenti, për të cilin kjo opozitë ka luftuar dhe për shkak të kësaj beteje ajo është sulmuar, luftuar si e si që kjo qeveri të vrasë brenda shqiptarëve KURAJON, GUXIMIN dhe SHPRESËN.

Vetëm kështu kjo qeveri mund të jetë e lumtur!

Prandaj nuk është habi që jemi të fundit në listën e gjermanëve, amerikanëve madje edhe kinezëve të EXIM Bank për të investuar.Në një vend ku krimineli të vjedh pronën, ku mafia kërcënon akademikun apo akoma më keq kur jeta e një biznesmeni është në rrezik. Nuk ka më vend jo për biznese por as për qytetarë.

Dhe më e keqja nuk ka ardhur ende!

Prandaj nuk i bëjnë më përshtypje qeverisë as 68 mijë shqiptarët që largohen brenda vitit, as 2530 biznese që ulin qepenat e tyre sepse nuk e përballojnë dot çmendurinë fiskale të rilindjes dhe as 200 mijë shqiptarë që aplikojnë për të ikur nga ky vend.Kanë dështuar nëçdo reformë të ndërmarrë dhe kanë përkeqësuar raportet ndërkombëtare duke filluar nga Doing Bussiness, Freedom House, Raporti i DASH e kështu me radhë.Dhe fatkeqësia është se justifikimi i tyre për të gjitha dështimet mbetet gjithmonë qytetari, opozita, tjetri.A është faji i opozitës që eksportet kanë kurbë rënëse për vitin 2015? Apo është faji i opozitësqë Shqipëria ka renditjen më negative në rajon sa i takon investimeve të huaja?

A është faji i qytetarëve që papunësia ndër të rinjtëështë rritur? Që BSH vazhdon të ulë normën e interesit (ditën e djeshme e uli në 1.25%) ndërkohë që ekonomia nuk prodhon dhe nuk konsumon ndërsa qeveria flet për rritje punësimi?

Të gjitha këto nuk janë prej gabimeve tona…jo!Përkundrazi, ata që këndojnë si gjeli mbi pleh për reformën fiskale rilindase duhet të kuptojnë që janë fajtorë për atë që sot shohim.

Madje, ato të cilët të mbytur në këtë pisllëk që kanë ndërtuar këto 3 vjet përpiqen të kapen pas fijeve të barit duke sulmuar opozitën dhe atë alternativëçfarë ajo ofron, duhet më parë të përgjigjen për këtë shkatërrim që kanë sjellë.

Duhet të përgjigjen për shkretimin, varfërimin progresiv dhe mbi të gjitha tentativës për të zhdukur çdo institucion në këto 3 vjet.

Ne nuk besojmë se shqiptarët janë qorra apo dembela prandaj edhe do t’i japim atyre pushtetin i cili nuk do të jetë një e drejtë e një pakice që hiqet si shumicë.

Do të jemi garantues jo vetëm të lirisë së tregut, duke garantuar konkurrencën e ndershme në treg, por mbi të gjitha garantues të lirisë së qytetarëve nga banditët që sot kanë bekimin e qeverisë.

Dhe këtë do t’ua ofrojmë përmes forcimit të institucioneve kushtetuese, duke i rikthyer edhe këtij parlamenti integritetin që një qeveri e etur për pushtet ia poshtëroi.

Ndryshe nga pushtet mbajtësit e sotëm ne besojmë se liria edhe mundësia reale e individit për të zgjedhur është më e rëndësishme se sa dëshira për pushtet e një personi apo një klike.

Sepse ne besojmë se institucionet jetojnë më gjatë se sa njeriu apo se një parti politike dhe kjo është frika e kësaj qeverie, që një ditë këto institucione do të funksionojnë dhe do të ndëshkojnë këdo që ka gabuar.

Por, frika e kësaj qeverie është shqetësimi më i pakët i joni dhe i 2.8 milion shqiptarëve!

* Fjala e mbajtur ne seancen e djeshme parlamentare

Filed Under: Opinion Tagged With: është vetë Rilindja, Jorida Tabaku, Problemi i Rilindjes

CA DËSHPËRIME ME (PA)”SEBEPE”

May 4, 2016 by dgreca

Nga Fadil LUSHI/Të nderuar miq të mi. Sa herë që më mungon ideja për të shkarravitur ndonjë opinion a vështrim gazete, po thuaj edhe përrallë për fëmijë, aq herë më ikën fiqiri te Sulo çavo, nga  mëhalla ime, i cili në çdo “karasabah”(herët në mëngjes ), mbledh a nxjerr skrapin nga koshat, aq herë më shkon mendja te duart  dhe te “biçaku” i tij i mprehtë të cilin e shfrytëzon si mbrojtje që çavot e tjerë të mos ia vjedhin skrapin nga oborri i tij…, aq herë më ikën fiqiri a mendja te vithet a tulet e prapme të Maros, e cila me bukurinë e saj i la beqarë sot e mot çunat e mëhallës së saj…, sa herë më “mungon një dërrasë”, arsyeja, durimi po edhe vullneti për të shkruar, aq herë më zapton ajo dembelia anadollake që ashtu pamëshirshëm të kap për fyti e nuk të lejon të shkruash për ndonjë mesele, qoftë ajo të jetë e vjetër, e koklavitur, e sajuar apo edhe për ndonjë lajm që e ka marrë “havaja”…, sa herë mundohem që ta “sikteris” dembelinë time prej anadollaku…, aq herë më kaplon paragjykimi. Sa herë që më mungon durimi “për të tjerrë lesh të bardhë a lesh prej arapi”, aq herë më ik rradakja te njerëzit që nxjerrin gështenjat nga zjarri me duart e botës…, sa herë që dëshpërohem, aq herë më ik mendja te njerëzit me “koqe” si të miut, te njerëzit të cilëve po nuk ua ktheve “selamin”,” e shndërrojnë surratin” e tyre në “çehre prej hajduti”…, sa herë që më ikën rradakja te nocioni i moralit tonë kolektiv, aq herë më mërgon mendja a fiqiri te hajduti me damkë, i cili dikur moti, zaptoi shtëpinë e jetimit…, një shtëpi në rrënim e sipër…, sa herë që kam “telashe” me vetveten, aq herë më vete mendja te Faiku nga Konica, i cili në një shkrim të tij, pos të tjerash, kishte thënë: “I dashur mik – në e bëfsh gazetën me fleta të mëdha; shqiptarët do të thonë që s’fshihet dot lehtë; në e bëfsh me fleta të vogëla, do të thonë se s’është gazetë, por libër. Në e shtypsh me letra të holla, do të thonë se s’këndohen edhe prishin sytë; në e shtypësh me letra të trasha do të thonë se je “hamall” e kërkon të mbushësh vend. Në shkrofsh toskërisht, do të thonë se s’është gazetë për gjithë shqiptarët; në shkrofsh gegnisht prap ashtu, në shkrofsh në gjuhë të përzier me të dyja, gjysëm gegnisht, gjysëm toskërisht, do të thonë se është çervish…”

Të nderuar lexues, nëse nuk ju “bezdisa” me këto përrallisje në paragrafin e parë të këtij shkrimi gazete, besoj se do të më lejohet të vazhdoj të them…, sa herë që nuk pajtohem me unin tim, aq herë më mbetet mendja te një vaki nga koha e mbretit të shqiptarëve, Ahmet Zogollit…, tek ai pasaniku të cilit ia kishin vjedhur në vijimësi shtëpinë hajdutët. I ndodhur në siklet, pasaniku kishte angazhuar “rojtarë me pagesë të majme” për t’u kujdesur për pasurinë e tij. Megjithëkëtë, hajdutët prapëseprapë ia kishin “bastisur” shtëpinë dhe çekmexhenë ku kishin gjetur lekët e vjedhur nga arka e shtetit. Pasaniku, i zhgënjyer nga “rojtarët”, kishte kërkuar ndihmë nga oborri mbretëror…, por as kjo nuk ia zgjidhi problemin. Një “kumarxhi” nga një mëhallë e hajdutëve e kishte dëgjuar këtë “haber”, i ishte drejtuar pasanikut me fjalët: “…, ti, miku im i nderuar që ke prapanicë të dhjamosur, për ta ruajtur shtëpinë tënde, duhet të angazhosh një hajdut…”. Vërtet ky sugjerim i kumarxhiut zuri vend!

Sa herë që nuk merrem vesh me moshën mentale timen, aq herë më ikën rradakja te Mitro Çeloja, i cili në një shkrim satirik të tij, dikur moti me plot gojën kishte “përfolur” gënjeshtrat e kumarxhinjve tirons…. Para ruletit qëndrojnë dy mesoburra. Mbajnë fishat e fundit në dorë. Dilemë. Ku t’i vendosin? I pari parashtron pyetjen: “Sa herë në javë bën seks me gruan”? “Katër herë”, “Unë një herë më pak”. Pasi i mblodhën numrat, vendosën 7-tën. “Zari qëndroi te zeroja”. “Do të kishim fituar, po të mos kishim gënjyer”! Vërtet kishin gënjyer njëri-tjetrin, po jo ama edhe ruletin dhe shqiptarët gjithandej ku jetojnë dhe veprojnë…, pavarësisht se rrenat e tyre ishin simpatike dhe gjithsesi të këndshme.

Sa herë që mundohem të ndërroj mendje dhe bajrak, aq herë më shkon fiqiri te njerëzit që pa të drejtë parapëlqejnë a mëtojnë të paragjykojnë çdo gjë me vlerë…, më shkon mendja te njerëzit të cilët hë për hë, me a pa sebep, bënë “hyxhym” për ta paragjykuar Fatimenë, atë gocën thatanike nga Negotina e Gostivarit, e cila me retorikën, sintaksën dhe morfologjinë e saj, lëre që i sfidoi hapur intelektualët dhe akademikët e mirëfilltë maqedonas, por edhe i habiti…, i la gojëmbyllur. Sa herë që më shkon mendja te “didaktika shqipe”, aq herë ngatërroj mendjet e intelektualëve me ato të folkpatriotëve respektivisht të ca provincialistëve shqiptarë të cilët ashtu jerm, mëtuan të paragjykojnë përgatitjen profesionale të ish-nxënësve dhe studentëve tanë të cilët kohë më parë u zgjodhën për ministra në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë. Të anashkalosh këta të rinj, do të thotë të paragjykosh arsimimin e tyre fillor, atë të mesëm dhe së fundi universitetin, tok me pedagogët e tyre. Hajde mendje, hajde!

Tek nuk di si ta “harxhoj” kohën e lirë, më shkon mendja te sejmenët dhe sekserët e politikës ditore, të cilët sot e gjithë ditën e Perëndisë, do të sillen vërdallë kazinove të Shkupit, të Prishtinës dhe të Tiranës për të gjetur ndonjë politikan diletant a “axhami” për të luajtur bixhoz me mallin e shqiptarëve.., politikanë të cilëve toptan u mungon komunikimi i mirëfilltë, të cilëve u mungon ajo filozofia e politikëbërjes së moderuar, të cilëve u mungon leksiku profesional, leksiku politik .., ca të tjerëve u mungon shtylla kurrizore  e të menduarit ndryshe, ca të tjerë të duken si ai plaku i katundit me dy lek tru… Dhëntë Zoti që ky komunikim zero (politik) ngatërrestar dhe i kërrusur shqiptar, të mplaket para kohe dhe përfundimisht sa më shpejtë të shporret prej aty ku mundohet të mbijetojë me paragjykime të vjetra, me hile dhe me naze!

Një ditë, një lajmëtar solli haberin e “ligë”. Haberi i tij kishte të bëjë me ikjen e politikës grabitqare nga dynjaja e saj dhe jona. Iku nga ne pa e shkëmbyer “buzëqeshjen e saj të fundit premtues, human dhe emancipues”, iku kokulur, iku me bishtin ndër shalë, pa përmbushur premtimet e bujshme. Ata që kishin qëndruar pranë saj, thanë se “çehrja” e saj fillimisht kishte marrë bojë jeshile dhe në fund atë të verdhën. “Kryepeshkopi” që i qëndronte mbi kokë, nuk donte ta vriste heshtjen prej varri, sepse po ta bënte atë, atëherë do të vriste shpresën e fundit të saj për të mbijetuar…, për t’i shpëtuar lemerisë trishtuese. Dhe politika, mbylli sytë dhe iku pa kthim. “Inshallah “ asnjëherë nuk kthehet më! Unë nuk do të iki, sepse kam ca punë që s’i lë dot pa i bërë me huamarrës të vjetër!

Filed Under: Opinion Tagged With: CA DËSHPËRIME, Fadil Lushi, ME (PA)”SEBEPE”

KOSOVA DHE EKONOMIA E SAJ NUK MUND TE MBAHEN PENG

May 4, 2016 by dgreca

Nga Donika QANIU/New York/*
Nuk dua te ndalem ne analizen e thelle e me te gjere te parimeve,principeve dhe veprimeve ekonomike dhe finaciare te domosdoshme,paresore, e dytesore por ne mendime qe lidhen me to e qe mund te ndihmojne.
Se pari besoj qe ne Kosove ne politiken e saj dhe ne ekonomi ka nje autoritet te vertete qe mund te duket e i dobet por ka force te kundershtoje e t’i kundervihet korrupsionit ekonomik,rrugeve dhe menyrave e tij.Vlerat e verteta njerzore dhe ne fushen ekonomike nuk mund te shiten dhe te blihen si te ishin placka tregu.
As Kosova dhe as ekonomia e saj nuk mund te mbahen peng ecje dhe zhvillimi i vertete e perpara nga cdo case qe nuk eshte dhe nuk vjen nga Zoti dhe Shpirti I Tij.Si i tille eshte nje gracke e madhe e politikes dhe ekonomise.
Caset jane njerezore te mbushur me interesa te keqija,me zili te medhaja,me krime dhe nxitje krimesh,me korrupsion dhe nxitje korrupsioni,dashakeqse dhe shume.Ato kerkojne te mbushin mungesen dhe vepren e vlerave te verteta morale dhe jetesore.
Se pari dhe mbi gjithshka,liria dhe demokracia e vertete me vlerat e saj eshte nje aspirate,nje shtytje e brendshme,eshte e jetes se njeriut,e gjetjes se vetes,e dinjitetit,dashurise dhe respektit po njerezor.
Pa ate shtytje te brendshme,pa ate deshire dhe vullnet te fuqishem dhe fitimtar, nuk ka liri te vertete.Ne kohen tone,ne historine e Kosoves nuk mund te ndash apiraten,besimin dhe vullnetin e nje kombi qe eshte e para e mbi te gjitha,me ate te besimit te dashamiresise dhe ndihmes sidomos ate amerikane.
Caset e mbushura me te keqe dhe qe mbushin zbrazetine e se mires dhe te mirave,lakomojne shume,mbi te gjitha kuroren.
Kosova nuk mund t’i jape as Amerikes dhe as Europes kuroren e caseve. Me historine e saj te dhimbjes,mundimeve,te rifillimit te jetes me te lire e me energji te medha,ajo ka nje kurore te bukur te pavaresise se saj se bashku me endren e nje jete dhe nje te ardhme me te mire,shume me te mire e me te ndritur. Kurora eshte tek te vegjlit,te persekuturit,te perndjekurit,te torturuarit,te poshteruarit.Mbi te gjitha kurora nuk eshte as qellim ne vetete dhe as per te punuar vetem per te.Vjen kur t’i vij koha me forcen simbolike te saj.
Europa nuk do te kete kufinj.Eshte pothuajse aty.Nese Kosovaret kerkojne te shkojne ne Europe per te pare te aferm te tyre,te shkollohen apo te kalojne nje weekend apo pushime me te gjata ,koha ka ardhur e me mire do behet per t’i hipur trenave pa frike dhe ushtare.Per sa me siper po,shqiptaret nuk kane pse te shperndahen neper Europe,nje qeveri e nje kryeminister i mencur fton Europen ne Kosove.Populli i Kosoves eshte i stermunduar, i sterlodhur, i papune, i pangopur me buke e dituri.
Nje Kosove politikisht dhe ekonomikisht e forte i tregon vendin sic ja kane treguar te gjitha vendet e ishjugosllavise Sebise,di te ndertoje mardhenje te fqinjersise se mire me te,nje dhelper e pabese ne inatin dhe hakmarrjen e saj dhe shume lakmitare per shtrirje territori.
Nje fqinjesi te mire do te thote me shume paqe dhe siguri.Ajo pakice serbe e trajtuar me dinjitet dhe respekt mund te sherbeje si ure e mardhenjeve fqinjesore te mira pse jo shume te mira.Njerezit kane vlera te medha njerezore dhe kerkojne t’i ndajne ato sidomos me fqinjet.
Shpikjet e medha ose me mire gjetja e tyre vijne ne kohen kur domosdoshmeria,nevoja pjek momentin e tyre.Mbledhja ne dikutime e debate te verteta dhe jo shterpe e trurit te Kosoves per te gjetur rruge,menyra e duke shfrytezuar gjithe burimet e energjise eshte shume e kohes dhe e momentit pa pritur nje case qe vetem energji dhe drite nuk sjellin por vonojne ne vite bashke me problemet serioze te ekologjise kur Kosova por edhe kushdo ka nevoje, per ajrin e paster e plot jete dhe oksigjen jete.Ulja ne tavoline e trurit te vertete shqiptar edhe per nje mori ceshtjesh dhe problemesh eshte pjekur dhe shume.
Ekperienca keshillimore dhe finaciare qofte e Europes qofte e Amerikes eshte e pranishme.Kosova ka shume ndihme,ndihma me e madhe per te vjen nga njerezor e saj.
Per ta perfunduar do te thosha se lufta mbaroi,ndertimi dhe rindertimi i vendit  i se tashmes per te ardhmen kerkon energji e mundime te shumefishta.Gjermanet kane punuar vullnetarisht e papara per te rindertuar vendin e tyre mbas luftes duke ditur se vendi do te ecte perpara e ata do te shperbleheshin per punen e bere ,shperblim ne shume drejtime moral,shpirteror dhe material.
Shperblimi i puneve te mbara dhe te bekuara eshte reciprok.Kosova me panvaresine e saj siguroi jete,vazhdimesi dhe lulezim te shqiptatarve te nje kombi dhe te nje flamuri.
*Foto nga arkivi i Diellit- Behlul Jashari- Pamje nga Prishtina, Kryeqyteti i Republikes se Kosoves.

Filed Under: Opinion Tagged With: Donika Qaniu, KOSOVA DHE EKONOMIA E SAJ, NUK MUND TE MBAHEN PENG

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 569
  • 570
  • 571
  • 572
  • 573
  • …
  • 860
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • PLUHUR VEZULLUES YJESH NGA LASGUSHI IM
  • BASHKËBISEDIM KULTUROR – Kristo Floqi dhe Komedia Shqiptare
  • MESAZHE TË BUKURA NJERËZORE
  • Kushtrim Shyti, djali i mësuesit, poetit dhe dëshmorit të UÇK-së, Mustafë Shyti, vizitoi Vatrën
  • KOSOVO CINEMA IN NEW YORK CITY: DOUBLE BILL WILL SCREEN IN MANHATTAN AND BRONX FOR BRONX WORLD FILM’S 15th ANNIVERSARY
  • NUK MUND TË ANASHKALOHET ROLI I ERNEST KOLIQIT NË FORMIMIN E MARTIN CAMAJT
  • MALI I ZI, VENDI KU KSENOFOBIA NDAJ SHQIPTARËVE ËSHTË NË RRITJE E SIPËR
  • “Kosova Lindore, dje, sot dhe sfidat e së ardhmes”
  • TIDENS TEGN (1929) / LETRA E EVELYN STIBOLT, MËSUESES NORVEGJEZE TË KUZHINËS SHKOLLORE : “EKSPERIENCA IME NË SHKOLLËN PËR VASHA NË KORÇË…”
  • FOTO – STUDIO VENETIKU dhe fotografja e parë shqiptare që vdiq në burgjet e diktaturës
  • KLINIKA E POEZISË, VISARI NË UNIVERSITETIN ILLINOIS, SHBA…
  • Dialogu dhe politika e jashtme e Kosovës, katër vitet vendimtare për shtetin
  • KRISHTLINDJET…
  • Enedio Metushi: “Për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës sonë shqiptare”
  • Shoqata “Rrënjët Shqiptare” festuan festat e fundvitit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT