• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Reagime për dhunën ndaj fëmijëve

June 22, 2016 by dgreca

Në Tiranë opinioni publik u trondit nga një akt tjetër dhune ndaj fëmijëve brenda një kopshti të paliçensuar. Ministria e Arsimit dënoi ngjarjen dhe po i shton kontrollet. Veprimtarët e shoqërisë civile kërkojnë forcimin e masave parandaluese, duke kontrolluar ekipet e mësuesve në këto institucione. Dhunimi i një fëmije trevjecar në një kopsht privat nga administraorja e tij ka tronditur opinionin qytetare dhe mediat vendase, të cilat po kërkojnë më shumë masa mbrojtëse në institucionet parashkollore. Tv Klan dhe programi i tij Stop transmetuan pamjet e një kamere të fshehtë se si administratorja e kopshtit Anjeza Shahini dhunonte një fëmijë vetëm 3 vjeç në mes të grupit me fëmijë dhe mësuese të tjera. Veprimtarët e shoqërisë civile pohojnë se pamjet e transmetuara nga media janë të papranueshme dhe se duhen shtuar masat parandaluese. Skandali i dhunës ndaj këtij vogëlushi shtohet më tej edhe nga fakti që kopshti privat në Sauk, një fshat në periferi të Tiranës është i palicensuar për të ushtruar këtë veprimtari. Administratorja ushtroi dhunë ndaj fëmijës, duke shkaktuar pasoja të dëmshme fizike dhe psikologjike në shëndetin e fëmijëve. Ministria e Arsimit dhe Sportit deklaroi se e dënonte ashpër dhunën e ushtruar ndaj një fëmije të pambrojtur. Ky rast i paprecedent dhe i urryer duhet të trajtohet me seriozitet maksmial nga të gjitha autoritetet shtetërore, nga shoqëria shqiptare, thuhet në deklaratë. Nga inspektimi rezultoi se “Kopshti Diren” nuk ishte licencuar nga MAS-i dhe vepron në kushtet e informalitetit dhe krimit ekonomik. Nga inspektimet e fundit të Inspektoratit Shtetëror të Arsimit janë gjobitur dhe mbyllur 20 kopshte private. Ministria e Arsimit dhe Sportit tha se do të rinisë një inspektim kombëtar të të gjitha kopshteve private. Altin Hazizaj drejton qendrën për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve dhe Linjën Allo 116, ku mblidhen cdo ditë dhjetëra denoncime dhune nga vetë fëmijët. Ai është i shqetësuar se edhe pas denoncimeve të dhunës administrata shtetërore nuk ka institucione të mirëfillta për parandalimin e dhunës dhe eleminimin e pasojave të saj. Komiteti Shqiptar i Helsinki deklaroi po ashtu se kjo gjendje shqetësuese dhe e përsëritur nuk mund të tolerohet dhe se duhen zbatuar ligjet bashkëkohore në fuqi në fuqi. KSHH vlerëson se nuk është bërë sa duhet në drejtim të parandalimit të këtyre rasteve. MAS nga ana e saj kërkoi më shumë bashkëpunim mes qytetarëve, medias dhe institucioneve shtetërore në një aleancë për luftë pa kompromis ndaj informalitetit dhe mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve shqiptarë. Ajo ftoi qytetarët të verifikojnë statusin e kopshteve, ku çojnë fëmijët dhe të denoncojnë çdo rast dhune fizike apo verbale në institucione publike, private apo jashtë tyre.

Filed Under: Opinion Tagged With: ndaj fëmijëve, per dhunen, reagime

IDEJA E VËSHTIRË E GURUS!

June 22, 2016 by dgreca

(Epope mbi martirët e rinj)/

Shkruan:REXHEP KASUMAJ, BERLIN/

1.  “Pesë minuta pas shuarjes së jetës, trupi njerëzor nis shformimin. Njëherë së brendshmi e, mandej, përshfaqet prishja jashtësore. Dhe fundi i tij, nuk është veçse fillim i një gostie të madhe për organizma të tjerë të uritur”.

Pikërisht kësisoj fillon “Kimia e vdekjes”. Në dukje e trishtme, por, thelbësisht, këtu nuk ka asgjë pesimiste. Shpirtthyese. Përkundrazi. Përvoja e prekshme e përkohësisë së jetës që jepet në tabllonë e sipërme të thrilerit nga Simon Beckett dhe ideja e transcendencës do të duhej, si thonë dhe librat e shenjtë, të paqësonin njeriun. Ta bënin më të dashur e të dhëmbshur, më të prajshëm e modest. Me të gjithë. Por ai, me gjasë, është i pandreqshëm. Indusi i çuditshëm Prahlad Jani tash 70 vjet jeton pa ngrënë asgjë. Merr, thotë, energji kozmike nga meditacioni dhe hyjnitë që e kishin kontaktuar kur ishte vetëm 8 vjeç.

Mirëpo, shëmbuj të tillë ngjajnë dëshpërues jo pse ky njeri, duke qenë në kufi të t'mbinatyrshmes, është i paimitueshëm, por pse, meditacioni i tij çlirues si armë e mbijetesës, nuk i qaset shpirtërave te vobektë politikë. Që këtej dhe rrjeshtat mendimthellë të autorit të “Kimisë …”, të lartë si yjet, nuk kapen dot nga thundrat e deleve (si do të thoshte Niçe). Ndaj, mneri i asgjësë dhe frika e ndëshkimit qiellor sikur nuk mjaftojnë për ta disiplinuar njeriun. Aq më pak për ta fisnikëruar atë. Mbase, një tjetër drojë e ndëshkim, toksor tashmë, i shkon më shumë natyrës së tij.

2.
Ndoshta ky do të ketë qenë kryemotivi inspirativ që Ramikshan Alipur Radavi, i njohur si Guru dhe mjeshtër i Jogas, të vendoste të përfshihej në garën e mëhershme zgjedhore për legjislaturën e Kuvendit federal të Indisë. Në vendin e tij i kishte dalë nami si konservativ e nacionalist dhe kjo, në të parë, nuk është se bën një lajm të veçantë.

E ndryshmja e nominimit të tij është filozofia elektorale dhe një premtim i vështirë. Janë, ndërkaq, interesante dy mesazhe që i japin veprimsisë së tij politike njëlloj idealizmi mesianist: i pari i drejtohet ndjekësve të tij, kurse i dyti – gjithë botës. Vetëm kur të kemi spastruar shpirtërat tanë, pohon ai me bindje gati fanatike, do të spastrohet demokracia e Indisë dhe, pastaj, një Indi e shpëtuar do të shpëtojë rruzullimin. Mirëpo i vetëdijshëm për pamjaftësinë e Jogas, ligjërimit mistik dhe praktikave spiritiste, si për të përplotësuar këtë, ai, në rast fitoreje, premton një ligj-rrufe të padëgjuar: ligjin për dënim me vdekje të autorëve të veprës korruptive!

3.
Anipse i ashpër e drakonik, fillimisht do të mrekullohesha me idenë-ligj të Gurus. Por, duke persiatur mbi përmasat e tejshtrira të korrupsionit në Kosovë, do ta humbja entusiazmin shpejt më pas. Thashë: lehtë e ka ai të dënojë me vdekje krimin e korrupsionit. Të korruptuar ka më pak ndër bashkëvendës (relatorët e huaj u rezervojnë përherë shqiptarëve një ndër vendet e para të nderit në këtë zejë) dhe India e tij është aq e paanë. Ndërkohë që në Kosovë ka një shpërpjestim krejt të kundërt: të shumtë, si krimbat, janë korruptantët e palodhshëm dhe i ngushtë, tepër i ngushtë është landi verior i shqiptarëve. Për pasojë, do të shfaqej një problem madhor: ata do iknin – por duke lënë pas, në formë varresh, nishanet e tyre të pështirosura. Të dëndura, të kudoshfaqura dhe monumentale, ato, varret e heronjëve tanë të korrupsionit, do të shtriheshin vrânshëm gjithandej Kosovës së vogël. Varret e rëndomta civile, madje edhe ato të dëshmorëve të kombit, do të pakoheshin e përbuzeshin ndanë varrezave gjigante të martirëve që janë fikur për të mbajtur sa më lartë pishtarin e bëmës historike të hajnisë popullore. Dhe, tutje, ndërsa ato të vdektarëve të thjeshtë do të rrafshoheshin gati të paemër, të mbuluar me bar e harresë – ato të të dënuarve prej gjahtarësh të pashpirt të ligjruajtësve e drejtësiprerësve europianë me “procese të montuara politike”, do të ndrinin me kurora lulesh përherë të freskëta, vënë plot dhimbje e politesë nga mehybët, të mëshiruarit dhe përfituesit e skemës bashkëhajnore.

E pra, ku do të merrnin shqiptarët e gjorë, si indusët në subkontinentin e tyre të pamatë, gjithë atë tokë, atë rezervat shtetëror për varrezat e titajve të idealit të ri? Për të gjallë, ata ua vodhën elektorëve të tyre bukën e fëmijëve, kurse me vdekjen pompoze do ua rrëmbenin, ashtu, hapsirën jetësore e s’do tu mbetej veçse braktisja dhe mohimi i atdheut…

Ndërkaq, nismërisht, do të rrjedhonte natyrshëm hapja e një diskursi, të madh e të lodhshëm, kombëtar për mënyrat e ekzekutimit të të dënuarëve të panumërt e ballhapur! Propozimet e “institucioneve indipendente”, shoqatave të bamirsisë, veteranëve të torturës, personaliteteve emblematikë, të specialistëve të dhimbjes shpirtërore e të tjera, do të ishin të ndryshme, të egra ose më të mëshirshme, por gjithsesi të habitshme e marramendëse: që nga teknikat moderne e deri te ato mesjetare me elefantë të shkujdesur (që duhet importuar enkas, si kosto shtesë e buxhetit të konsoliduar) apo peshq të uritur!..I gjithë spektakli (u muar vesh, po u miratuan dënimet mesjetare) do të ishte madhështor, madje me një hir të rëndshëm perandorak, si kompensim i vonë për shkëlqimin e munguar, por poaq dhe i pakollajtë për menaxhim, ngaqë do të duhej të dëshmonte efiçencë të lartë për të kapur ashtu kurorën e lavdisë së “shtetit shkurtabiq” (për të shmangur hatërmbetjet saktësojmë se të tilla cilsohen, rëndom, krijesat shtetërore ose me banorësi të paktë, ose me territor voglan ose me sovranitet të cunguar!), këtij veterani robnie që i zbardhi vonë dita në fushën e mëllenjave! Kremosja, nga ana tjetër, nuk do të ishte zgjidhje më komode. Tagri i saj do të ishte njësoj i rëndë: vendstacionimi i qendrave të tyre, shpenzimet e ndërtimit, mirëmbajtja e kujdesshme profesionale, të gjitha bashkë bëjnë një rëndesë aspak të lehtë në kushtet e stanjacionit zhvillimor dhe kufizimeve energjetike!.. Mandej, po të mungonte dhe filtrimi i stërholluar, shtjella e pluhnajës së ngritur nga kallja e çdoditshme (se e gjatë do ishte radha e tyre) do të ndotte ambientin dhe skandalizonte natyralistët, ata që merren oficialisht e të tjerë që janë adhurues të flaktë të natyrës së pafajshme.

Mandej do të pllakoste, e padurueshme në sfondin e saj romantik, zallahia e gjyqeve të mëdhenj. Gjyqeve epokalë me fjalime solemne të të pandehurve që janë krenarë e s’kanë përse të pendohen dhe faqe gazetash të stërmbushura me kronika luftëtarësh të dalluar për shtimin e rendimentit të të lashtave korruptive, avoketër të ndërkryer pas fitimesh përmbytëse që u vijnë nga “fonde për mbrojtjen e vjedhjes atdhetare” dhe familjarë që betohen, heshturazi disa e zëshëm ca të tjerë (me grusht a me dy, tre e me shumë gishtrinjë të ngritur, s’ka rëndësi) për hakmarrje dinjitoze si e do besa e nderi i fisit…

Madje jo vetëm kaq. Si shpërblim mbarëpopullorë për trashëgiminë e tyre që s’i bindet as mortit, turma e lumnuar me prijës të tyre nga jeta profane civile, do të ndjenin detyrimin, tashmë në sferat e epërme të shpirtit e kulturës, edhe për përuljen, kujtimin e paharruar, përrallat me legjenda uliksësh për fëmijë para gjumit, kapituj të tërë lektyrash shkollore, festa, përvjetorë, betime të zjarrta, akademi solemne ku do të flisnin përlotur pleq të rrjedhur…Dhe do të përçudnohej ashtu e gjithë kulla vlerore: edhe tradicionale edhe kontemporane!

Përfundimisht, nga sa do të reflektoja (anipse kjo punë nuk është në dorën time) ideja e Ramikshan Alipurit të urtë, mu duk jo pak e zorshme dhe e huaj. E bukur, po njëkohësisht e largët, si India e tij magjishme. Ndërkaq e besoj, mjerisht, një epilog krejt më të lumtur. Ashtu si ndodhi ditë më parë në një konte amerikane (raportuar nga mediat gjermane), edhe ndër shqiptarë, e veçanërisht në Kosovë, kur ligjzbatuesit do të çojnë korruptantët e pranguar në vuajtje dënimi dhe pasi drejtoria e burgjeve tu thotë ankueshëm e shkurt: nuk ka vend, jemi plot, ata, më në fund, do të marrin urdhërin e shumëpritur e gazplotë nga autoriteti sipëran: lërini të lirë!

Berlin, qershor 2016

Filed Under: Opinion Tagged With: E GURUS!, IDEJA E VËSHTIRË, Rexhep Kasumaj

Rrëfim për haremin e shoqërisë

June 21, 2016 by dgreca

Nga Kozeta Turishta/

Po marr pak ajër, do më zihej fryma nëse do flija gjumë sonte për shumë arsye të forta.Sigurisht që shpirti n’a dhëmb të gjithëve për ato pamje, të gjithë kam parë që janë tronditur, vecanërisht prindërit.Unë kam pasur gjithmonë një parim, kolegët e mi mos t’i përflas, mos t’i shaj, edhe atëherë kur ke shumë të thuash.Vërtet me “Anjezën” kemi punuar sëbashku, thjesht mardhënie pune, asnjë miqësi më shumë përtej televizionit, aq sa unë e kam njohur më ka reflektuar sjellje normale.

Çfarë më shqetëson mua përsonalisht do thoni ju? Çfarë e shtyn Kozeten të mbaj këtë qëndrim kaq emotiv?

Si kjo monstra që nuk e paskemi njohur kurrë, imagjinoni sa monstra të tjera ka që punojnë nepër media, njoh unë nga ata që as shpirt nuk kanë, nën make-up-in/makiazhin e tyre, thjesht fshihen bukur e gjë pa bërë nuk lënë. Ja këta bukuroshet që me taka mund të arrijnë diku në 1.50, këta ordinere të pista, të këqija e të rrëzikshme, bëjnë kompromise me ‘moralin’ e tyre, duke vënë në lojë jetën e tjetrit.

Unë kurrë njeriu keq në këtë jetë nuk i kam bërë, por të keqën e kam njohur, më të keqen e mundshme kam përjetuar, po, po,  i kam kaluar në kurriz kur ordineret të vidhnin djersën, gjakun, atë që kishe investuar me mund, punë, dëshirë e motiv, pa marrë parasysh pasojat që mund të shkaktonin. Këto ordineret çdo “sukses” e kanë të pagëzuar me ordinerlliqet që ua di e gjithë Shqipëria.

Atë ‘një vit’ jetë që ma keni hequr, jam e sigurtë që zoti do jua shpërblej shpejt është dhe natë Ramazani, e për mua është natë e madhe, por sërish kot flas se ju nuk dini çfarë është zoti.

E humbur me nder, sepse turpin me bukë nuk e kam ngrënë kurrë, kafshatë që nuk kapërdihet për njerëz normalë që janë rrritur me dashuri e edukatë familjare.

Më vjen keq për vendin tim shumë, me atë politikë të fëlliqur që mbart, që e kanë kthyer në HAREM, kush ekspozohet më bukur do i zër punën tjetrës edhe kur je brenda cdo lloj rregulli ligjor.

Ajo që nuk të vritka vërtet të bëka më të fortë, ta kthesh dhimbjen, padrejtësinë në triumf e forcë dhe këtë mund t’a bëjnë vetëm gratë e femrat që brenda tyre buron dinjiteti, vetëbesimi dhe dëshira që armikun t’a luftosh me ri-ngritje.

Ato shqetësimet e familjës simë që m’i sollet, hallall në këtë dynja nuk jua bëj sa të kem jetë, ato lutjet e tim eti që të bëhesha e fortë sepse nuk kisha humbur asgjë, veçse mirësia ime u zëvendësua me një llum rrugësh që dhe vets e dinë sa kanë abuzuar me jetën e tyre dhe pse jeta është personale gjithsecili e bën si dëshiron, por deri në momentin që me llumin tuaj nuk i prekni të drejtën tjetrit, madje me krenari pa iu dridhur syri fare nxirrni dhe atë surrat të mykosur gjër tek këmbët, ato palët e syve deri tek barku, por mos harroni se ka zot dhe një ditë do kujtohet për të këqijat që keni bërë moj monstra të pista.

Sepse dhe unë jam fëmija i dikujt.

Ashtu do sillen dhe me “fëmijën” tuaj, që ska laborator t’i vërtetoj ADN-në besoj.

Filed Under: Opinion Tagged With: e shoqërisë, Kozeta Turishta, për haremin, rrefim

Parajsa pa shenjtorë!

June 21, 2016 by dgreca

Shkruan: Avdi Ibrahimi/

Dijetarët e njerëzit e mire, njerëzit e arsimuar e të pregaditur profesionalisht e që kanë vlera njerëzore e atdhetare, njerëzit që nuk janë të korruptuar, njerëzit që nuk kanë abuzuar me pushtetin, njerëzit që nuk janë pasuruar në kurriz të popullit me anë të ryshfeteve, njerëzit që nuk janë pasuruar duke shitur pasurit tona kombëtare, pra të gjithë ata njerëz të ditur e autoritativ janë te obliguar nga vetë Zoti të udhëzojnë e t’i prijnë popllit në rrugë të drejtë, të këshillojnë bashkëkombasit për punë e sjellje të dinjitetshme dhe ta pengojnë të keqën nga batakçiu i padinjitetshëm dhe nga ai njeri që është pasuruar me anë të vjedhjes dhe grabitjes së pasurisë së popullit, zakonisht pozita e pamerituar shoqërore dhe pasuria me punë jo të ndershme të këta njerëz luajnë rol negative, ngase me punet e tyre të pista ata zhvishen nga virtyte të larta njerëzore dhe bëhen mendjemdhenjë e mizor.

Fitimi i ndyrë i parave të pista me marrjen e ryshfeteve e kamatave, si dhe tregtimi i drogës dhe i qenieve njerëzore, është ligësi, është mizori. -Kohëve të fundit kemi pare e po dëgjojmë kritika e mallkime të përditshme mbi kontrabandimin e veteraneve të rrejshëm të UÇK-së, ku i bëhet një shtrembërim i pafalshëm historisë tone më të re që do të ketë pasoja afatgjate kombëtare sepse pasardhesit tane do të mësojnë histori të rrejshme rreth luftës çlirimtare dhe luftëtarëve veteran të paqenë të UÇK-së, po dje u denua nga drejtësia e vonuar një Drejtor i Arsimit në Prizren, ai kishte keqpërdorur paratë për manifestimet tradicionale kushtuar heroit të UÇK-së komandant Remzi Ademaj, s aka të tillë që kanë abuzuar e po abuzojnë nëemër të UÇK-së?! Të gjitha këto të liga e të këqija janë poshtërsi e madhe e atyre njerëzve injorant që veprojnë në këtë drejtim.
Ndaj të marrim dituri të ndalim injorancën, sepse injoranca është vepër që i shërben Djallit.
Fuqia e të pasurit dhe ruajtja e t’i fizike me anë të parasë nuk është gjithçka siç mendojnë disa njerëz të servilosur e injorant, sikurse edhe fitorja me anë te intrigave e pazareve politike për interesa personale nuk varet gjithnji nga numri i të votuarit kur dihet paraprakisht se njerëzit votohen më shumë me anë të shanatazhit e mashtrimit duke kontrabanduar votën unë ty, e ti mua, po edhe të shumtën e rasteve blihet vota, se për ndryshe djajt s’do të fitonin kurrë mbi njerëzit e dinjitetshëm Sado e vështirë që të jetë jeta, dhe sado që Djalli të të mashtroj me anë të shantazhit, me anë të gënjeshtrës, sado që ai fut tek i servilosuri i tij dyshime për ta mbajtur pengë të gjorin që t’i sherbej apetiteve të tij lakmitare, sado që ai mbjell frikë, urrejtje apo jotolerancë ndaj atyre njerëzve që ai Djalli nuk ka mundur t’i përvetësoj për qëllimet e veta, ndaj hap sytë o njeri dhe mblidh mend, mos u bën rob i Djallit. Por mbështetu tek vetvetja, te e vërteta, te e drejta që nganjiherë vonon por nuk harron ta ndëshkoj Djallin Pra mbështetu vetëm te ndihma e Perëndisë që ka krijuar njerëz të ndershëm të ditur e të mire, është ajo mbështetje e vetme që ngrit moralin e lartë kundër së keqës për të ralizuar fitorën e së vërtetës e të së drejtës njerëzore.
Shqiptarët assesi nuk guxojnë të bien pre e shantazheve e intrigave dhe mashtrimeve të përfituesve ordinerë që për përfitimet e tyre personale, të përqahen në çështje të fesë, e as të dofarë liderësh partiak, të cilët nuk mbajnë drejtësinë si në çështjet materiale e fizike ashtu edhe në jetën shpirtërore ndaj kombit e Atdheut. Nga sa po shofim për çdo ditë, të varfërve nuk u është përmirësuar jeta fare, përkundrazi ata ndihën më të shtypur dhe gjendja e tyre po përkeqësohet edhe më shumë nga këta matrapaz politik që kanë kapur shtetin.
Kam përshtypjen time se shqiptarët tashmë e kanë kuptuar fare mire se më nuk mund të shantazhohen e mashtrohen nga lider të rrejshëm, ngase ata kurrë nuk ua dojnë të mirën e as që kanë punuar ndonjëherë për t’ju përmirësuar jetën njerëzve të varfër. Ngase ata lideruc të damkosur janë lakmitar të pangopshëm të pasurisë.
Me gjakun e derdhur të dëshmorëve në luftën për liri dhe falë ndihmës së NATO-s, gjegjësisht Amerikës mike, armiku ynë serbomalazez humbi luftën e u thye keqas. Por më të përfunduar lufta, disa prej luftëtarëve u vërsulën pas presë së luftës duke e dërguar kështu vendin në anarki.
Kjo kënaqësi e të mirave material ka dëmtuar rëndë interesin e popullit dhe Atdheut, janë pak gjësende në krahasim me ato të mira që do duhej të punohej për të mirën e përgjithshme popullore dhe për interesat tona kombëtare, të mira këto që janë të përjetshme, prandaj nuk duhet mashtruar pas kënaqësive të përkohëshme, atdheu i mbarshqiptarëve le të jetë një Parajsë pa shenjtorë të rrejshëm!
Lufta për liri nuk është humbje, sepse ata që u vranë janë dëshmor, kurse ne që shpëtuam, duhet të mbetemi konsekuent për të luftuar për drejtësi dhe barazi njerëzore. Në të kundërtën shlirshëm mund të thuhet vetëm një njeri që është i paditur e mizor shpif gënjeshtra ndaj diturisë e së së vërtetës.
21 Qershor 2016

Filed Under: Opinion Tagged With: Avdi Ibrahimi, Parajsa pa shenjtorë!

Anjeza, një edukatore që i duhet Kuvendit

June 21, 2016 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Nëse doni të mësoni se deri ku arrin larmia e të sharit në gjuhën shqipe, gjerësinë leksikore tonën, ofshamën e të gëdëpurit shqip etj…, ndiqni këtë link: Kopshti Diren, Anjeza Shabani një MONSTËR. Eshtë një bukuri e ekzgjareuar epitetesh apo poronomesh, siç i themi ne, shqip fare. Eshtë një stuhi e mrekullueshme, sa e ka elektrizuar të gjithë internetin e botës e shqiptare. U harruan fare heronjtë e rinj të pasaportave diplomatike. Ata që na veshën kuq e zi. Dhe na dhanë privilegjin histori që pas 85 viteve të jemi pjesëmarrës në një kompeticion të madh europian. Apo të kthejmë sadopak revanshin e rezultateve të dhunshme të Rumanisë karshi nesh. apo që e ka sheshuar këtë pritshmërinë e sotshme karshi rezultateve të Gjermanisë, Italisë e Turqisë. Që ia ka bërë në kokë reformës më jetike për shtetin dhe shqiptarët asaj që i tejkaloi disa herë etapat e shtatëzanisë.

Eshtë një fjalor i mrekullueshëm, që fillon e mbaron me pështyma, bushtër, monstër, kurbë, baxhello. Në burg u kalbsh, filiqajkë. (këtë se kisha dëgjuar ndonjëherë.) O kurvë, plehrë dhe degjeneruar, njerkë katile, femër pa shpirt, tu thaftë mitra, buqe, bishë e egër.
Me që ra fjala tek kjo, puna e buqes. Kam njohur vite më parë këtu në Amerikë një vajzë të re me prindër babain shqiptar dhe nënën irlandeze. Po a, di ndonjë gjë shqip?, e pyta. Ma ktheu sigurisht që di. Dinte të gjithë ato më mënxyrat. Dhe ishte e marrosur pas fjalës buqe. Kështu i thoshte babi, mamit, sa herë që ziheshin, më tha ajo dhe qeshi e kënaqur. Kjo ishte e kuptueshme, këtë pasuri leksikore e kish përvetësuar nga grindjet dhe shërret e prindërve, që tashmë janë të divorcuar. Dhe kur i them ndonjë gjë, ajo ma kthen, ju shqiptarët buqe jeni vetë.
Çfarë lidhje kanë të gjitha këto.
Ekzagjerimi i tepruar. Dhe si ngahera çudia se si është e mundur që edukatoret, mësuesit etj rrahin fëmijët tanë. Ne të gjithë vimë nga një kulturë rrahje. Madje e themi me mburrje se druri ka dalë nga xheneti. Dhe nga ana tjetër, edhe pse jemi hapur me perëndimin, kemi një lloj nostalgjie aq sa me zor ndahemi nga ato vese që i kritikojmë. Si të thuash, shajmë diktatin dhe vdesim më pas te jemi diktues, ose imponues mbi të drejtën e vtes, jo të shoqërisë në përgjithësi. Kemi nxjerrë aq edukatorë, aq arsimtarë, aq më the e të thashë sa përgjegjësia e prefosionit, testimet e liçensimit dhe provat e karakterit i kemi varrosur me kohë. Kemi një mori edukatoresh që postojnë plot qejfe foto e statute që ta shpifin me elokuencën e fjalës. Aq sa u japin gjithë qejf ë fundore edhe foljeve ndihmëse jam dhe kam. Dhe që plot triumf deklamojnë diploma të marra në 3 muaj. Që i thonë profesionist dhe gjynahqarit, o poç, rri urtë. Pasi partia të bën gjithçka. Edhe Zot.
Kjo histori është e çuditshme ndër ne, edhe për një fakt tjetër.
Jo larg, por sot herët në mëngjes, kontrollori i shtetit njofton për kapjen deri në kockë të administrasë nga korrupsioni. Megjithatë ne harbojmë karshi Anjezës. Edhe mes nesh ka me mijra Anjeza. Dhe askush nuk e shikon një të tillë brenda vetes. Askush nuk e ndjen një farë përgjëgjesie, por vetëm zell për tu shfryrë karshi saj.
Unë do thosha, që përpara se të çoni këtë Anjezën në zenitin e mallkimeve. Bëni mirë ta çoni ca ditë në Kuvendin e shqiptarëve.
Ju garantojë se fotot apo video me pickime e shpulla. Do ju argëtojë e do ndërgjegjësojë më shumë se kjo që po na prish gojën.
Dhe po na mban akoma në detin e gjynahut.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Anjeza, Ilir Levonja, një edukatore, që i duhet Kuvendit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 568
  • 569
  • 570
  • 571
  • 572
  • …
  • 868
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Vatra shpreh mirënjohje e falënderim për patriotin Jim Xhema, sponsori “Platinum” i Vatrës për festën e Flamurit Kombëtar më 27 Nëntor 2026 në New York
  • Kongresi i Manastirit
  • “MALLI I MËRGIMTARIT”, NJË URË KULTURORE MES ATDHEUT DHE DIASPORËS
  • Krimet serbe në Kosovë në dokumentet e Arkivit Presidencial të Bill Clintonit
  • Mbrojtja e krerëve të UÇK-së si çështje e së vërtetës historike, dinjitetit të luftës çlirimtare dhe interesit kombëtar
  • Jeronim De Rada, apostulli i fjalës shqipe dhe arkitekti poetik i Rilindjes Kombëtare
  • NJË USHTAR, NJË VARR I SHËNJTË DHE KUPTIMI I RESPEKTIT NË AMERIKË
  • Gjergj Hani, in memoriam…
  • Quo vadis revolucion?
  • Koleksioni Aurea – Tri botime ekskluzive të shtëpisë botuese “Dukagjini”
  • Përkujtojmë me nderim në ditën e ndarjes nga jeta poetin e madh Lasgush Poradeci
  • Poezia “epifanike” e Luan Ramës për Ricosin dhe Çamërinë
  • Lena Rexhepi: “Atdheu që dua”
  • SHKRIMTARI ME I MADH PER LIRIKUN ME TE MADH
  • MBI MONUMENTIN E PAVARËSISË NË VLORË

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT