• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Referendumi britanik dhe mëkatet e demokracisë

June 26, 2016 by dgreca

Nga Dr Gëzim Alpion/Universiteti i Birminghamit/

Referendumi i 23 qershorit nuk duhej të kishte ndodhur. Meqë ndodhi, ai duhej të ishte marrë më seriozisht si nga votuesit ashtu edhe nga politikanët. Dhe kjo për disa arsyje. Në Mbretërinë e Bashkuar, me një parlament që në historinë e tij një mijë vjeçare, parësore mbetet mbrojtja e interesave të kombit, një vendim kaq i rëndësishëm si qëndrimi në apo dalja nga Bashkimi Evropian nuk duhej të lihej në duart e demos-it. Ky nuk është përçmim i elektoratit por një konkluzion që mund të nxirret lehtë nga konstatime gjatë dhe pas referendumit.

Vota është njëkohësisht një e drejtë dhe përgjegjësi demokratike. Në këtë referendum një pjesë e mirë e elektoratit britanik u tregua i papërgjegjshëm. Dihet që një numër qytetarësh britanikë, veçanërisht në Angli, kanë iluzione se ky vend është akoma perandori. Nuk po ndalem këtu në aspekte të ndryshme të nacionalizmit britanik, veçanërisht atij anglez, pasi kjo është një çështje që e kam trajtuar në disa studime rreth ligjërimit populist të Enoch Powell, si dhe retorikën ‘neo-raciste’ që filloi në vitet 1980-të.

Për momentin, vlen të përmendim se ata që nuk shkëputen dot nga mendësia imperiale, nuk e kuptojnë që në një botë globale sovraniteti i plotë kombëtar është një ëndër utopike që rezulton në vetë-izolim. Kjo pjesë ‘nacionaliste’ e elektoratit u mashtrua nga politikanë të papërgjegjshëm si Michael Gove dhe Boris Johnson si dhe nga Nagel Farage, një sharlatan me mbiemër francez dhe bashkëshorte gjermane që nuk honeps dot të huajt.

Kjo nuk do të thotë se politikanët që lobuan për qëndrimin e Britanisë në BE u treguan më të përgjegjshëm. Aktualisht, figurat kryesore në politikën britanike, si në qeveri ashtu edhe në opozitë, për fat të keq, janë personalitete pa karizëm dhe vizion.

Ndërsa kampi i Brexit-it qëllimisht keq-informoi publikun për ‘gjëmat’ që gjoja vijnë nga BE-ja, Kryeministri Konservator David Cameron dhe Kryetari Opozitës Laburiste Jeremy Corbyn nuk treguan kurrë bindshëm se përse t’i kthesh kurrizin një tregu gjysëm bilioni konsumatorësh në prag të shtëpisë, si BE-ja, përbën një travesti që bie ndesh me pragmatizmit karakteristik britanik. I vetmi rast që këta dy politikanë u ‘bashkuan’ gjatë fushatës se referendumit ishte kur bënë homazhe në vendin ku u vra parlamentarja Jo Cox, vdekja e së cilës përbën treguesin më shqetësues se çfarë shkoi tragjikisht keq këtë verë në politikën britanike.

Për mua referendumi i 23 qershorit është shqetësues edhe për sjelljen e klasës politike skoceze. Skocezët patën mundësinë të shprehin vullnetin e tyre në lidhje me MB-në në referendumin e 2014-tës dhe ata zgjodhën të mos largohen. Të kërkosh një referendum të dytë tani është të sillesh si një fëmijë mistrec që pranon të marrësh pjesë në lojë me të vetmin kusht që të fitosh gjithmonë.

Skocezët dhanë një kontribut të madh në krijimin dhe konsolidimin e perandorisë britanike, veçanërisht përsa i përket sektorit bankar dhe arsimit. Po kaq e vërtetë është që në 300 vitet e fundit, si pjesë e Britanisë, Skocezët kanë përfituar nga unioni më shumë se populli i Ueillsit dhe irlandezët.

Unë do të dëshiroja që Skocia të vazhdojë të jetë pjesë e MB-së. Kjo nuk do të thotë që politikanët skocezë, që aktualisht votojnë si në Parlamentin Britanik në Londër ashtu edhe në Parlamentin e Skocisë në Edinburg, nuk duhen lejuar të vazhdojnë të mbajnë peng federatën britanike.

Po të perifrazojmë fjalët e Winston Churchill, demokracia nuk është gjithmonë forma më e efektshme e qeverisjes; ajo është më funksionalja. Referendumi i 23 qershorit tregoi se demokracia ka mekanizmat e saj jo perfekte dhe, në rastin konkret, me pasoja negative afatgjata.

Nga ky referendum më të humburit janë të rinjtë. Por kjo ka një anë pozitive; brezi i ri britanik tani ka mundësinë të bëhen qytetarë më të përgjegjshëm më shpejt.

Po kështu, jam i sigurtë se Britania, edhe pse aktualisht po përjeton një situatë jo të këndshme, do të dijë të afirmojë vitalitetin e saj. Megjithatë, gjërat do të përkeqësohen para se të fillojnë të përmirësohen.

Birmingham, 25  Qershor 2016

Filed Under: Opinion Tagged With: dr. gezim Alpion, eferendumi britanik dhe, mëkatet e demokracisë

Thaçi: Shqiptarët vazhduan të na bëjnë krenarë në Euro 2016

June 25, 2016 by dgreca

PRISHTINË, 25 Qershor 2016/ Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi sapo shkroi në ‘facebook’ se, me gjithë disfatën e kombëtares së Zvicrës, shqiptarët vazhduan të na bëjnë krenarë në Euro 2016 në Francë.

“Xherdan Shaqiri, i mbështetur edhe nga Granit Xhaka, Valon Behrami, Admir Mehmedi, Blerim Xhemaili, si dhe Shani Tarashaj në stol, shënoi mbase golin më të bukur të kampionatit evropian, duke barazuar rezultatin në kohën e rregullt.

I përgëzoj bashkëkombasit tanë për paraqitjen dinjitoze, ndërsa Shkodran Mustafit i uroj shumë fat me kombëtaren gjermane”, shprehet Thaçi nga Panamaja. 

Më herët ai ka bërë të ditur se, gjatë ditës në Panama do të ketë takime me përfaqësues të shteteve të Amerikës Qendrore dhe Amerikës Latine, për të shtyrë përpara axhendën bilaterale dhe atë të njohjes.

“Kosova është e bekuar që ka miq në çdo cep të botës”, ka shkruar presidenti kosovar.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka shkuar për një vizitë zyrtare në Panama, ku fillimisht merr pjesë në inaugurimin e zgjerimit të kanalit të Panamasë, që është rruga e dytë më e madhe ujore në botë./b.j/

Filed Under: Opinion Tagged With: krenare, shqiptaret ne euro 2016, Thaci

Një shuplakë për Brukselin

June 24, 2016 by dgreca

Nga Prof.dr. Eshref Ymeri/Ohajo, SHBA/

Rezultati i referendumit të 23 qershorit në Britaninë e Madhe ishte i pritshëm. Kjo për faktin se Londra me kohë i kishte shprehur rezervat e veta për rregullat që Brukseli kishte vendosur për anëtarët e Bashkimit Evropian, ca rregulla këto që prekin interesat kombëtare të çdo vendi-anëtar.

E mirë qe nisma fillestare për krijimin e Bashkimit Evropian të ditëve tona. Hapi i parë u hodh në vitin 1951, kur Belgjika, Franca, Gjermania, Holanda, Italia dhe Luksemburgu, nënshkruan traktatin për krijimin e bashkimit evropian të qymyrit dhe të çelikut (ECSC – Europian Coal and Steel Community), qëllimi i të cilit ishte bashkimi i resurseve evropiane për prodhimin e çelikut dhe të qymyrit dhe që hyri në fuqi më 1 korrik të vitit 1952.

Po këto gjashtë shtete nismëtare, me qëllim që të thellonin integrimin ekonomik mes tyre, në vitin 1957 themeluan Bashkësinë ekonomike evropiane (EEC, Tregun e Përbashkët – European Economic Community), si edhe Bashkësinë evropiane për energjinë atomike (Euroatom – European Atomic Energy Community).

Nënkuptohet vetvetiu që nga këto tri bashkësi evropiane, më i rëndësishmi ishte Bashkimi Ekonomik Evropian. Procesi i zhvillimit dhe i shndërrimit të këtyre bashkësive evropiane në formatin e Bashkimit Evropian të ditëve tona, u krye në dy mënyra, për mendimin tim, të gabuara:

Së pari, nëpërmjet transmetimit drejt Brukselit të kompetencave gjithnjë e më të shumta të qeverisjes në nivel kombëtar.

       Së dyti, nëpërmjet shtimit të tepruar të numrit të anëtarëve të integrimit.

Mënyra e parë domosdo që, me kalimin e viteve, do të ngjallte pakënaqësi mes anëtarëve të veçantë të Bashkimit Evropian. Sepse reduktimi i kompetencave të qeverisjes në nivel kombëtar, do të prekte me siguri interesat kombëtare të çdo vendi-anëtar, siç edhe ndodhi në të vërtetë.

Mënyra e dytë, se si u veprua për pranimin e  vendeve të tjera, të kujton atë fabulën e bretkosës që donte të trashej sa një ka, e cila u fry e u fry, derisa plasi.

Më 1 janar të vitit 1973, kësaj strukture evropiane iu shtuan tre anëtarë të rinj: Britania e Madhe, Danimarka dhe Irlanda. Nuk ke ç’u thua: vende me zhvillim ekonomik të përparuar dhe me demokraci të konsoliduar. Shpresohej se kjo nëntëshe evropiane do të jepte modelet më të mira të rritjes së standardit të jetesës jo vetëm për vendet joanëtare, por edhe për vendet e kontinenteve të tjera. Por, çuditërisht, tetë vjet më vonë dhe pikërisht më 1 janar të vitit 1981, brenda kësaj strukture pranohet një shtet paradoksal, si puna e Greqisë, e cila gjatë 20 vjetëve, pra, që prej vitit 1961, kishte qenë anëtar-shok i saj. Për ç’arsye Greqia duhej pranuar në këtë strukturë, përderia ajo ishte shumë larg zhvillimit ekonomik në nëntëshes evropiane? Se dihet që Greqia kishte një zhvillim ekonomik që mbështetej jo në prodhimin e brendshëm, por nga të ardhurat e turizmit dhe, para së gjithash, nga taksa e lartë që merrte nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për dy bazat e mëdhaja ushtarake, një taksë kjo që arrinte në nivelin e 2 miliardë e 100 milionë dollarëve në vit. Ishin pikërisht këto shuma kolosale parash që mbushnin buxhetin e shteti grek, i cili u jepte rroga dhe pensione të majme grekëve që e kalonin kohën me ahengje nëpër buzuqe, duke e mbajtur hundën përpjetë para fqinjve ballkanikë. Me siguri që mes nëntëshes evropiane, duhet të ketë qenë Gjermania ajo që ia ka lejuar vetes ta kishte Greqinë si përkëdhelaken e vet. Me sa duket, tradita e dashurisë përvëluese gjermane për Greqinë që nga koha e princit bavarez Otto (1815-1867), të cilin Gjermania e katapultoi si mbret të Greqisë në vitin 1832, post të cilin ai e mbajti për tridhjetë vjet rresht, deri në vitin 1862, kur u bë shfronësimi i tij, domosdo që e ka bërë punën e vet. Përkrahja që iu dha Greqisë nga Bashkimi Evropian, nën ndikimin e Gjermanisë, gjatë disa dhjetëvjeçarëve, pa pasur asnjë bazë të shëndoshë juridike, pranimi nga ana e Bashkimit Evropian për të vërteta i mashtrimeve, i hileve, i gënjeshtrave greke për gjendjen “e shëndoshë” të financave të saj, solli si pasojë situatën katastrofike ku është katandisur sot shteti grek, i cili noton në një borxh gjigant prej qindra miliardë dollarësh.

Përveç kësaj, si qe e mundur që Greqia të pranohej në radhët e nëntëshes, kur ajo ishte dhe vazhdon të jetë nën pushtetin e fesë, pushtet ky, të cilin Perëndimi evropian e ka braktisur që në mbarim të mesjetës? Për më tepër, cila qe arsyeja që nëntëshja ia lejoi vetes të merrte në gjirin e vet Greqinë, e cila nuk pranonte dhe vazhdon të mos pranojë edhe sot ekzistencën e minoriteteve brenda territorit të saj? Madje Bashkimi Evropian, në mënyrën më paradoksale, ka heshtur për faktin që Greqia nuk e ka firmosur Konventën për respektimin e minoriteteve. Pra, Bashkimi Evropian, ka lejuar të bashkëjetojë me një anëtar të tillë racist në radhët e veta, që nuk njeh normat më elementare të të drejtave të njeriut: njohjen e minoriteteve dhe të drejtën për të ushtrua gjuhën e tyre amtare. Le te flasim me gjuhën e fakteve:

“Kolë Boçari, profesor historie në Universitetin e Kuislandit në Australi, në vitin 1996 bëri një replikë me ministrin grek për çështjet evropiane, në gazetën britanike “The Europeans”, në të cilën u shpreh: “Mësova për deklaratën tuaj, z. Ministër, në të cilën ju pohuat se në Greqinë e sotme nuk ka minoritet. Ju ose e keni humbur lidhjen me realitetin, ose ju ka verbuar fare nacionalizmi… Në Greqi jo vetëm që ka minoritet, por atje ekziston një minoritet i madh, mbi 2 milionë banorë, që kanë pushtuar Peloponezin, Athinën, Thrakën, Livadhianë.., gjë të cilën Greqia e ka mohuar gjithmonë… Unë dhe familja ime jemi një nga viktimat e këtij represioni shekullor… Ju na ndaluat me forcë, që ne, arvanitasit, ta ushtronim meshën në gjuhën shqipe, të flisnim publikisht në gjuhën e nënës, madje na përgjonit që të mos flisnim lirisht edhe në shtëpi… Për këtë shkak, kemi ikur nga fshati i lindjes në Peloponez, për të gjetur lirinë këtu, në Australi…”” (Citohet sipas: Nuri Dragoj.  “Grekët dhe shqiptarët. Realitete historike”. Shtëpia Botuese “Weso”, Tiranë 2009, f. 326).

Më 1 janar 1986 u pranuan Spanja dhe Portugalia, kurse  nëntë vjet me vonë, më 1 janar 1995 – Austria, Finlanda dhe Suedia.

Nuk e kam informacionin e duhur se pse këto tri vendet e fundit kanë hyrë me kaq vonesë në Bashkimin Evropian. Ndoshta opinioni publik nuk ka qenë i përgatitur paraprakisht ose mund të kenë qenë edhe arsye të tjera që kanë ndikuar për anëtarësimin e tyre me vonesë. Por paradoksi duket sheshit për faktin që Greqia është anëtarësuar shumë vite përpara tyre, paçka se niveli i jetesës dhe standardet e demokracisë në Greqi kanë qenë dhe mbeten të pakrahasueshme me Austrinë, me Finlandën dhe me Suedinë. Ky është një lëshim i madh që Brukseli i ka bërë Greqisë, çka e ka kompromentuar keq në sytë e mbarë kombit shqiptar dhe mua, personalisht, si shqiptar, më ka detyruar që të mos kem respekt për Bashkimin Evropian.

Më 1 maj të vitit 2004, radhët e Bashkimit Evropian u shtuan menjëherë me 10 anëtarë, çka përbënte një shifër prej më shumë se 66% të anëtarëve ekzistues. Vendet që u pranuan ishin: Çekia, Estonia, Hungaria, Letonia, Lituania, Malta, Polonia, Qiprua, Sllovakia, Sllovenia. Nga këto, 8 vende kanë qenë anëtare të ish-kampit socialist, pra. vende të infektuara nga një ideologji vetëshkatërruese dhe me një sistem korrupsioni të padukshëm, por të përmasave gjigante, të kultivuar me shumë kujdes dhe mjaft të sofistikuar nga ana e oligarkëve komunistë me pushtet të përjetshëm.

Më 1 janar të vitit 2007 u pranuan edhe Bullgaria dhe Rumania dhe më 1 korrik 2013 ciklin e zgjerimit e mbylli Kroacia, që të tria ish-vende komuniste. Pra, nga 28 vende-anëtare, 11 vinin nga ish-blloku lindor, të cilat, siç u përmend edhe më lart, nuk mund të çliroheshin dot aq shpejt nga trashëgimia komuniste në qëndrimin ndaj ndërtimit të një shteti ligjor dhe të një demokracie funksionale. Në mars të vitit 2013 në Bullgari patën shpërthyer demonstara të fuqishme për shkak të korrupsionit qeveritar dhe të varfërisë, të cilat çuan në dorëheqjen e kryeministrit Bojko Borisov. Bullgaria vlerësohej si shteti më i varfër i Bashkimit Evropian. Në mars të vitit 2014 përfundoi në burg kryeministri kroat Sanader për vjedhje të fondeve publike. Një skandal korrupsioni me përmasa ndërkombëtare pati tronditur Rumaninë në tetor të vitit 2014. Në korrik të vitit 2015 u akuzua për korrupsion kryeministri Viktor Ponta.

Pse u nxitua Brukseli për t’i futur kaq shpejt në gjirin e vet vendet e ish-bllokut komunist dhe nuk priti kohë më të mira, derisa ato të zhvilloheshin ekonomikisht dhe t’i afroheshin nivelit të jetesës së vendeve më të zhvilluara të Perëndimit evropian?

Ndërkohë, Brukseli, me politika të gabuara në adresë të vendeve të tjera, pati ngjallur pakënaqësi jo vetëm brenda Perëndimit evropian, por edhe në vendet e ish-bllokut komunist. Në gusht të vitit 2012, kryeministri humgarez Viktor Orban, një politikan nacionalist-konservator ky, deklaroi në parlament:

“Liri do të thotë që ne të marrim vendimet për rregullat e jetës sonë. Ne vendosim çfarë është e rëndësishme dhe çfarë jo. Ne nuk kemi nevojë të na shtyjnë si gomarët. Ne duam që Hungaria të rrotullohet rreth interesave të veta. Ne nuk duam të kthehemi në koloni të Bashkimit Evropian”.

Pas pranimit të Hungarisë në Bashkimin Evropian, diku pata lexuar në shtyp ose në internet për një pakënaqësi të hungarezëve për qumështin që duhej të konsumonin. Sipas politikave të Brukselit, hungarezët nuk duhej të konsumonin qumështin që prodhojnë brenda vendit, por duhej të blinin qumështin “parmalat” që u vinte nga Italia. Pra, ja deri ku shkonte ndërhyrja e Brukselit me politikat e veta brenda shteteve anëtare: ato duhej t’u bindeshin politikave të Brukselit, paçka se këto ishin në dëm të interesave kombëtare të shteteve-anëtare. Puna pati arritur deri aty, saqë Brukseli kërkonte ta detyronte edhe Londrën se sa emigrantë duhej të pranonte çdo vit.  Por Londra nuk ishte kafshatë që kapërdihej lehtë. Burokratët e Brukselit, për të cilët qytetarët e Bashkimit Evropian paguajnë taksa të dyfishta edhe për rrogat e deputetëve të parlamenteve të tyre, edhe për rrogat e majme të eurodeputetëve burokratë brukselianë, me sa duket, i patën bërë hesapet gabim. Prandaj edhe Brukseli, pas referendumit që u zhvillua në Angli më 23 qershor, e mori shuplakën që meriton. Por kjo nuk është gjë. Dardha e ka bishtin prapa. A ka garanci Brukseli se shembullin e Anglisë nuk do ta ndjekin edhe anëtarë të tjerë të Bashkimit Evropian? Holandezët dhe danezët, për nga konstitucioni shpirtëror, janë shumë afër me anglezët. Dalja e Anglisë nga Bashkimi Evropian i ngre së tepërmi aksionet e politikës së djathtë. Nuk dihet nëse Brukseli do të jetë në gjendje t’i thërrasë mendjes dhe të ndërtojë të tjera politika në raportet e veta me vendet anëtare të Bashkimit Evropian, që te jenë në interes të secilit vend-anëtar. Gjasat janë se nuk do të jetë në gjendje ta bëjë një gjë të tillë, çka mund të sjell si pasojë shpërbërjen e tij.

Dalja e Anglisë nga Bashikimi Evropian duhet ta vërë në mendime të thella Tiranën zyrtare. Kur kryeministri i një vendi me autoritet në Evropë, siç është Hungaria, ankohet se Brukseli kërkon ta trajtojë si koloni, merret me mend se si do ta trajtonte ai Shqipërinë në rast të një antarësimi të mundshëm: me siguri si një parcelë eksperimentale, në dëm të interesave tona kombëtare.

Kolumbus, Ohajo

24 qershor 2016

Filed Under: Opinion Tagged With: Një shuplakë, për Brukselin, Prof.dr. Eshref Ymer

Anglia kjo fatkeqësi e madhe

June 24, 2016 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Nuk e dija që për ne shqiptarët shtetarë, dalja e Anglisë nga Europa, qënka një fatkeqësi kaq e madhe. Si popull e besoj, pasi prej shekujsh e kemi ëndërruar perëndimin. Ama veç si emigrantë, si të arratisur, refugjatë politikë apo ekonomikë etj. Veçse asnjëherë si anëtarë përmes pasaportës së shtetit tonë. Si kontribues normal në zhvillimin dhe ekzistencën e uninonit ku zoti na i dha si rrisk jetën dhe ekzistencën e tonë.
Por është e gjitha një shpifësirë kur shikon se si me një zell parlamentar, nga kultura jonë me tenxhere të gërrryra, me rërë apo shuka telash të sertë, t’i tregojmë ishullit të atlantikut verior se çfarë gjëmë e vetmisë së madhe do ta gjejë. Ose t’i tregojmë atë përrallën e ndarjen së deles nga tufa, që e ha ujku vigjilent.
Pikërisht vendit, që i vetëm pushtoi globin duke dalë nga shtëpia thjesht me një kaoke me vela. Vendit që iu imponua njerëzimit me kulturën dhe të tjera doke. Aq sot 99.99% e globit operon me gjuhën e tij. Ndofta të vetmit që i treguan botës dhe ia demonstruan asaj se edhe pushtimi është një demokraci me vetvendosje. Unë kam prekur plot koloni të saja, deri në skajin e karaibeve. Aty ku proçesi i vetvendosjes dëshmon qartë, në dy fytyra. Anglisë kolonizatore dhe hirearkive të autorëve revolucionarë.
Një dasim si të thuash sikur me pa sot Havanën e Kubës, karshi New York-ut të njerëzimit.
Por kjo është një histori më vete.
E tashmja është plotësisht një zhvillim nomral demokratik. Dhe e drejta e refendumit është pikërisht forca e vetvendosjes prej popullit.
Padronit të vetëm të demokracisë. Koncepte që tek ne janë privilegje vetëm të një grupi njerëzish.
Vini re një fakt, nga 1990 e deri sot. Kohë e krahasueshme midis demokracive tona. Se sa të pakrahasueshme janë daljet politike qoftë nga laburistët, qoftë nga konservatorët. Përshembull Toni Bler nuk e kishte problem të bëhej një ish. Ashtu sikur edhe Gordon Braun etj. Apo sot, ky Kameron që i thotë qytetarëve se Britania ka nevojë për një lidership të ri në politikë.
Kush vall nga këta mynxyrmëdhenjtë, pashallarët tanë, që u djeg sot kaq shumë…, dalja e Anglisë nga uninioni europian, do ta bënte këtë? Vetëm të mendosh se si zgjidhet një përfaqësues i popullit në dhomën e komunave. Apo se si zgjidhet kryetari i laburistëve e konservatorëve, të vjen për të vjell kur kujton referendumin Edi Ramës, pak muaj më parë, karshi një ishulli si Ben Blushi.
Aty e ca muaj më parë, ndihmës britanike prej 1.2 miliardëve stërlina, për vendet si Shqipëria, Turqia etj. Iu pre me forcë vote rruga e para të taksa paguesve anglezë, drejt vrimave të zeza. Ky fond i parashtruar si për rregullimin e legjslacionit të këtyre vendeve, në raport me uninion, kishte një argument të fortë. Ndihmën sociale, luftën kundër kancerit, mirëmbajtjen e rrugëve në Angli. Dhe me të drejtë. Janë plagë të mëdha që i përkasin njerëzit. Afërmendsh nuk ka asgjë të keqe kur mendon se tjetri do të rregullojë për së pari jetën e tij. Dhe vendin e tij. Pasi është paraja e tyre. Dhe nga ana tjetër nuk kanë reshtur si dhëni dorën njerëzit. Por në Ballkanin e pashallarëve, që i kanë kthyer vendet e tyre në vrima të zeza parash. U duket sot e pakonceptueshme dalja e ishullit më vete. Ndaj ka zënë e japin kujën. Nuk ngopen se përpiri fonde. Nuk ngopen së luftuari njëri-tjetrin për tu anëtarësuar.
Dhe ndoshta edhe nga këto fonde të mbushin rrugët e vendit me ngjyrën e kuqe. Edhe pse janë një dështim total i vetvetes dhe vendit.
Po a e dini se ku e ka shpjegimin kjo edukatë e mbrapshtë. Tek fakti i thjeshtë dhe tepër i qartë. Kushdo që mendon se është politikan i mirëfilltë dhe i pazevendësueshëm, bën pronë të vetën jo politikën, por popullin e tij. Kameruni nuk është i tillë. Dhe jo vetëm ai.
Sot rrjetet sociale gjëmojnë me ironi therëse, karshi lidershipit tonë dhe atij anglez. Kjo ndofta është ironia më e bukur, por dhe më e pameritura për ne. Ndaj le të gjykojmë se fjalët e Dejvid Kamerunit, për një lidership të ri politik, më shumë se Anglisë i duhet ishullit të copëtuar shqiptar.

Filed Under: Opinion Tagged With: Anglia, Ilir Levonja, kjo fatkeqësi e madhe

Kryeministri Mustafa: Drejtësia në mënyrë të pavarur ta kryejë punën e vet

June 22, 2016 by dgreca

 -Qeveria e Kosovës në mbledhjen e 96-të, të 28-tën në vitin 2016/

 -Gjatë mbledhjes së sotme, qeveria miratoi në parim nismën për lidhjen e Marrëveshjes financiare për IPA 2017 ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian/

PRISHTINË, 22 Qershor 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Duhet mundësuar që institucionet e drejtësisë në mënyrë të pavarur ta kryejnë punën e tyre, tha sot kryeministri Isa Mustafa duke folur për lirimin nga detyra të  ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, në mbledhjen e qeverisë së Kosovës, e cila miratoi një projektligj dhe dokumente tjera në kuadër të përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

 “Dëshiroj t’ju njoftoj se z. Agani, ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka kërkuar të lirohet nga pozita e ministrit. Në harmoni me qëndrimet që ne i kemi pasur gjatë themelimit të koalicionit qeverisës dhe të përcaktimit tonë të zbatimit të ligjit, unë e vlerësoj gjestin e ministrit Agani dhe vlerësoj se ne duhet të zbatojmë të gjitha procedurat, të zbatojmë ligjin dhe të mundësojmë që në mënyrë të pavarur institucionet e drejtësisë ta kryejnë punën e tyre”, u shpreh kryeministri Mustafa.Në fillimin e kësaj jave, kryeministri e ka liruar nga detyra ministrin Agani, me kërkesën e tij “deri në momentin e shpalljes së pafajësisë së plotë” pasi prokuroria ka ngritur aktakuzë për korrupsion ndaj 64 personave, ku përfshihet edhe ai.

Derisa në mbledhjen e qeverisë kosovare sot nuk pati ndonjë deklarim në pritje të emërimit të ministrit të ri të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, shtypi i sotëm kosovar paralajmëron se ai pritet të jetë Jeton Svirca, nënkryetar i Partisë së Drejtësisë, e cila drejtohet nga Agani dhe është pjesë e koalicionit qeverisës. Gjatë mbledhjes së sotme, qeveria miratoi në parim nismën për lidhjen e Marrëveshjes financiare për IPA 2017 ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.  Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Financat e Pushtetit Lokal është dokumenti i parë i aprovuar në mbledhjen e sotme të qeverisë së Kosovës. Ky projektligj ka për qëllim sigurimin e nivelit minimal të shërbimeve komunale në komunat e caktuara, që kanë popullsi më pak se 22 mijë banorë.

Është aprovuar Koncept dokumenti për hartimin e projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Rrugët, i cili rekomandon hartimin e ligjit dhe akteve nënligjore në bazë të të cilave krijohet mundësia e adoptimit të legjislacionit evropian për rregullimin e kësaj fushe në Republikën e Kosovës. Edhe Koncept dokumenti për Rregullimin e Profesioneve të Arkitektëve dhe Inxhinierëve në Fushën e Ndërtimit, është aprovuar nga kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme.U mor vendim edhe për emërimin e Zyrtarit Përgjegjës për Programin Shtetëror të Sigurisë së Aviacionit Civil dhe është themeluar Komiteti për Programin Shtetëror të Sigurisë së Aviacionit Civil në Republikën e Kosovës.Kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për ndarjen e mjeteve financiare për Manifestimin e Ditës së Komunitetit Goran në Republikën e Kosovës.

  Qeveria e Kosovës zhvilloi sot mbledhjen e 96-të, të 28-tën në vitin 2016,  pas tre takime të njëpasnjëshme javën e kaluar për dy ligje për vazhdimin edhe për dy vjet të mandatit të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit – EULEX, të cilat edhe u miratuan në Kuvend me procedurë të përshpejtuar.Qeveria e Kosovës, me kryeministër Isa Mustafën, e koalicionit të dy partive më të madha PDK e LDK, ku përfshihen edhe parti të vogëla dhe minoritetet, vazhdon punën në vitin e saj të dytë që nga zgjedhja në 9 dhjetor 2014, në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Mustafa: Drejtësia në mënyrë të pavarur, punën e vet, ta kryejë

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 567
  • 568
  • 569
  • 570
  • 571
  • …
  • 868
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Vatra shpreh mirënjohje e falënderim për patriotin Jim Xhema, sponsori “Platinum” i Vatrës për festën e Flamurit Kombëtar më 27 Nëntor 2026 në New York
  • Kongresi i Manastirit
  • “MALLI I MËRGIMTARIT”, NJË URË KULTURORE MES ATDHEUT DHE DIASPORËS
  • Krimet serbe në Kosovë në dokumentet e Arkivit Presidencial të Bill Clintonit
  • Mbrojtja e krerëve të UÇK-së si çështje e së vërtetës historike, dinjitetit të luftës çlirimtare dhe interesit kombëtar
  • Jeronim De Rada, apostulli i fjalës shqipe dhe arkitekti poetik i Rilindjes Kombëtare
  • NJË USHTAR, NJË VARR I SHËNJTË DHE KUPTIMI I RESPEKTIT NË AMERIKË
  • Gjergj Hani, in memoriam…
  • Quo vadis revolucion?
  • Koleksioni Aurea – Tri botime ekskluzive të shtëpisë botuese “Dukagjini”
  • Përkujtojmë me nderim në ditën e ndarjes nga jeta poetin e madh Lasgush Poradeci
  • Poezia “epifanike” e Luan Ramës për Ricosin dhe Çamërinë
  • Lena Rexhepi: “Atdheu që dua”
  • SHKRIMTARI ME I MADH PER LIRIKUN ME TE MADH
  • MBI MONUMENTIN E PAVARËSISË NË VLORË

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT