KUR E KA PERFAQESUAR VANGJEL DULE SHQIPERINE NE RUSI?/
*Nje pyetje:A mund të na informoje publikisht Vangjel Dule nëse ka arritur të diskutojë me deputetët rus për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe paqen në Ukrainë?/
* Thonë se ka rrjedhje të informacioneve sekrete nga Shqipëria drejt Rusisë, po për këtë, di gjë Vangjel Dule?/
Nga Arben Llalla/
Nënkryetari i Kuvendit të Shqipërisë ,Vangjel Dule shihet të ketë bërë një vizitë në Kuvendin e Rusisë. Nuk e dimë se kur Vangjel Dule të ketë përfaqësuar Shqipërinë në politikën ruse, por një gjë është e sigurt se fotografia është gjatë mandatit që ai gëzon postin e lartë të Republikës së Shqipërisë. Vangjel Dule është politikani i parë i lartë që ka vizituar zyrtarisht Rusinë. Ne, duam të dimë nëse Vangjel Dule diskutojë me deputetët rus për njohjen e pavarësisë së Kosovës dhe paqen në Ukrainë? Meqenëse ju dha rasti të qëndronte disa ditë në Rusi dhe të kishte takime me krerët më të lartë të këtij shteti. Mos vallë z.Dule ka qenë në biseda informative me agjentët rusë për deri sa flitet kohëve të fundit në media se ka rrjedhje të informacioneve sekrete nga Shqipëria në drejtim të Rusisë? Çfarë do të thotë tani nëpër TV, Vangjel Dule se nuk kam qenë në Rusi sot por para disa kohëve? Unë e garantoj lexuesin se Vangjel Dule ka qenë në Rusi gjatë mandatit si nënkryetari Kuvendit të Republikës së Shqipërisë dhe jo si deputet i PBDNJ, por si deputet shqiptar, duke përfaqësuar shqiptarët dhe jo minoritarët grek. Nëse unë gënjej, atëherë Vangjel Dule le ti drejtohet Gjykatës. (@Arben Llalla
Oligarkët e politikës, fajtorë për largimin e investitorëve të jashtëm!
Nga Faik KRASNIQI/
Në çdo shtet me ligj mbrohen prodhuesit vendor me heqje të taksave dhe stimulime të ndryshme, kurse në anën tjetër duke i taksuar produktet që vijnë nga vendet e tjera! Fatkeqësisht tek ne nuk ka ndodhur kjo prej pas luftës në Kosovë, por janë favorizuar prodhimet e huaja e janë shtypur brutalisht prodhuesit vendorë, me taksa të llojllojshme! Kjo është bërë për faktin se ato kompani që janë distributorët kryesorë dhe importojnë mallra nga shtetet tjera, e sidomos nga Serbia dhe Maqedonia, i kanë ngulfatur dhe dëmtuar prodhimet vendore! E kjo e gjitha me ndihmën e matrapazëve të politikës, të cilëta kanë interesa të përbashkëta biznesore me këto kompani, sepse shteti kur është i interesuar ta zhvillojë shtetin dhe t’i përkrah prodhimet vendore siç ndodh në shumicën e shteteve normale ku funksionon ligji, do të vepronte ndryshe e jo të punojë në dëm të prodhimeve vendore! Ky është një paradoks i madh!
Kjo vlen edhe qumështin pluhur që importohet nga vendet e tjera, e sidomos nga shtetet e kontaminuar, por kur një Agjension që duhet të kontrollojë cilësinë e ushqimeve që vijnë nga jashtë, tash e 16 vite është i kapur nga kriminelët e politikës dhe parapolitikës, e që i mbulon mbrapa çdo skandali, atëherë ku ta dinë populli i shkretë se çfarë është me të vërtetë duke konsumuar! Por dëshmia më e madhe se çfarë mbeturina sllave jemi duke konsumuar e çfarë qumështi fëmijët tanë po pinë, janë sëmundjet malinje që e kanë prekur popullatën në masë të madhe, ku kemi me qindra raste në vit të shfaqjes së kancerit dhe leukemisë sidomos tek fëmijët e vegjël!
Politika fajtore për mosinvestime të jashtme!
Problemi me investitorët e jashtëm daton prej pasluftës në Kosovë, që pikërisht njerëzit e fuqishëm të politikës dhe nëntokës, duke ju kërkuar mito investitorëve të jashtëm, me kushtëzim të marrjes së lisencave, i kanë larguar kompanitë e huaja që kanë dashur të investojnë tek ne! Këtë e kanë thënë me dhjetëra investitor të huaj por edhe biznesmenë shqiptarë që jetojnë në perëndim! Madje shumë prej atyre bizneseve në pamundësi që të investojnë në Kosovë, për shkak të këtyre marrifetllëqeve, atë investim e kanë bërë në vendet e rajonit, për shkak të lehtësirave dhe favoreve dhe sot ato kompani punësojnë me qindra e mijëra punëtorë vendas, si dhe janë bartësit kryesorë të eksportit dhe ekonomive të atyre shteteve! Në një shtet jofunksional, ku nuk funksion ligji, matrapazët e politikës e shfrytëzojnë mosfunksionimin e shtetit dhe të ligjit, dhe përmes investitorëve që vijnë nga jashtë, mundohen që të pasurohen përmes mitove! Por në vendet e perëndimit këto gjëra nuk pinë ujë, sepse nuk është në natyrën e tyre që të paguajnë mito për të investuar, por përkundrazi, aty ku investojnë kërkojnë favore dhe lehtësira të ndryshme nga shteti! Në shtetet e Evropës Lindore, si psh në Poloni, Çeki, Sllovaki, Estoni, Hungari, Rumani etj, qeveritë e atjeshme ju kanë bërë shumë favore investitorëve të jashtëm, vetëm e vetëm që t’i joshin për të investuar në vendet e tyre, si psh lirimin nga taksat për disa vite, dhënien e tokës falas ku kanë ndërtuar fabrikat e tyre e shumë favore të tjera!E të gjithë e dimë se sa përpara kanë ecur ekonomikisht këto shtete, ku tash e njëmbëdhjetë vite janë edhe pjesë e BE-së! Në shtete të tilla të brishta, të korruptuara dhe të kriminalizuara si Kosova, këto gjëra janë të pritshme! Prandaj edhe kemi shumë pak investime të jashtme dhe deri sa nuk bëhemi shtet serioz dhe ligjor, mos të presim që do kemi investime të jashtme dhe as zhvillim ekonomik, sepse asnjë kompani serioze nuk është çmendur që të rrezikojë kapitalin e tij në shtete joligjore, të kriminalizuara dhe të korruptuara! Treguesi më i mirë se çfarë shteti i korruptuar dhe joserioz jemi, është largimi i dhjetëra e qindrave prodhuesve dhe bizneseve vendore, të cilët në pamundësi që të zhvillojnë biznesin e tyre në Kosovë, janë larguar dhe kanë zhvendosur biznesin e tyre drejt shteteve të rajonit, shtete të cilat ju kanë ofruar favore dhe lehtësira të shumta, vetëm e vetëm që të investojnë tek ta, kurse në vendin e tyre prej pas luftës janë ballafaquar me njëqind mijë probleme që ju kanë shkaktuar qeverisjet e deritanishme!
BRITMA…
Replikë Spiro Janaqit alias Ilir Hoxholli/
Nga Arben LLALLA/
Në paraqitjen e fotografisë së deputetit të PS, Ben Blushi, unë kam shkruar:
Deputeti i PS, Ben Blushi në strehën e organizatës ekstremiste antishqiptare SFEVA( Bashkimi i Studentëve për Çlirimin e Vorio Epirit), në qendrën e Vatrës Epiriotase. Themelues i SFEVA është Mitropoliti i Konicës, Sebastianos, më 1982. Në këtë sallë ku është fotografuar deputeti Blushi zhvillohen aktivitetet e shumta me tema për aneksimin e jugut të Shqipërisë (Autonomia e Vorio Epirit). Në krahun e majtë të deputetit Ben Blushit është Spiro Janaqi, anëtar i kryesisë të organizatës OMONIA-dega Selanik.
Pra, nuk jam marrë se kush janë njerëzit e tjerë dhe cilës parti i përkasin, por kam thënë qartë dhe saktë se fotoja është bërë në strehën e SFEVA, atje ku organizohen aktivitetet antishqiptare. Në reagimin e tij të vrullshëm, Spiro Janaqi alias Ilir Hoxholli, djali i ish oficerit ushtarak Yqmet Hoxhollit, i njohur pas vitit 1992, Aleks Janaqi nuk na jep të dhëna vendin se ku kanë dal në fotografi, por vjell vrer, shpif duke tentuar të ulë autoritetin tim si njeri, historian dhe publicistë i pavarur. Është për të ardhur keq kur mëson se kryetar i PS, dega Selanik qenka një njeri me fjalor kaq të ulët dhe ofendues. Në deklaratën e tij Spiro Janaqi shkruan se jam me 7 klasë shkollë, ky lloj sistemi shkollor i përket viteve 1950, shkruan se më kanë përzënë nga Greqia. Por të gjithë jemi dëshmitar se Greqia shpall NON GRATA, çdo shqiptar që mbron dinjitetin e tij kombëtar. Spiro Janaqi, shkruan se në Maqedoni më kanë shpallur Person të Rrezikshëm, kjo është më se e vërtetë se jam shpallur disa herë nga MPB të Maqedonisë, por jo me akuzë se jam hajdut, vrasës, narkoman, por sepse familja ime ka qenë pjesëmarrëse direkt në UÇKosovës dhe UÇKombëtare. Për këtë ne jemi krenarë që na u dha mundësia të japim kontributin tonë si familje, ndoshta rast të tillë s’do na vij më në këtë jetë.
Z.Janaqi alias Hoxholli, më akuzon se qenkam njeri i SHIK në Greqi, por harron se në kohën që kam jetuar në Greqi ska patur SHIK, por SHISH. Familja Janaqi alias Hoxholli kanë probleme me sigurimin e Shqipërisë, këtë ata duhet t’ia kërkojnë këtij Institucionit dhe jo Arben Llalla. Nëse vërtet do të isha SHIK apo SHISH, unë do të isha krenar sepse do jepja kontributin tim në ruajtjen e integritetit territorial të vendit tim, Shqipërisë. Asnjëherë në jetën time nuk kam shkruar shkrime për inate personale, nuk kam probleme personale me askënd, as me Greqinë, as me Maqedoninë, as me dreqnin, por këtë herë Spiro Janaqi po më detyron të them disa gjëra të viteve të shkuara. Spiro Janaqi bënë mirë të na tregoj se ku shkuan ndihmat që ai dhe babai i tij mblodhën më 1999 për refugjatët e Kosovës? Përse SHISH më 1999(ishte PS në pushtet, partia e Janaqëve) e thirri në bisedë informative Aleks Janaqin, babanë e Spiros? Në cilën uzinë sekrete ushtarake në Greqi ka punuar Aleks Janaqi? Ju Spiro Janaqi jeni anëtar i organizatës OMONIA, këtë përse e mohoni? Më vjen për të vjell kur po ju bëj këto pyetje, por nëse keni diçka për shpifje mund ti drejtoheni Gjykatës së Republikës së Shqipërisë, shtetas i cili jam unë, ju keni nga dy shtetësi dhe dy identitete.
E pash të arsyeshme të shkruaj këtë herë për çështje personale e cila nuk ishte e tillë sepse kohëve të fundit shumë presione dhe telefonata kam patur në lidhje rreth fotove dhe shkrimeve që kam shkruar, duke thënë dhe mbrojtur të vërtetën.
INJORANCA ËSHTË NËNA E GJITHË TË KËQIJAVE!
Opinion nga Fadil LUSHI/
Një ditë një miku im më tha se fqinji i tij kishte “dalë fare nga mendtë”. Sabah e aksham i shqetësuaka fqinjët e apartamentit ku jeton dhe për këtë, padrejtësisht, e kishin konceptuar si “jashtëqitja e mëhallës së tyre”(!?). Ky sa herë që i bën “hesapet pa hanxhiun”, aq herë nuk i dalin ato dhe, kur nuk i dalin, aq herë kalamajve të tij ua shanë nënën…, por zonja e tij e nderuar, ia kthen përgjigjen e mprehtë, të goditur dhe të menjëhershme: “Të marrsha të keqen! Hajt, mos i gënje fëmijët dhe mos u ushqe me shpresa të kota e të vdekura!”. Ky fqinji, disa ditë më parë, pa “arsye ishte preokupuar” me atë pankartën e Ernesto (Che) Guevara-s që e kishte parë diku te sheshi “Shkupi 2014” gjatë protestave të organizuara nga punëtorët dhe anëtarët e sindikatave të Republikës së Maqedonisë, me rastin e 1 Majit. Kur ky “preokupim nuk i kishte mjaftuar”, ishte dalldisur me “punët” e kryeparit të partisë politike në opozitë gjegjësisht, të partisë së Lidhjes Socialdemokrate të shtetit biblik, në veçanti me “bombat a patatet verore, të ziera, të pjekura, të fërguara dhe të skuqura të tij”, mandej kishte vendosur të “fusë hundët” a të merret edhe me “emrat e mysafirëve të ftuar” në punimet e kongresit të VMRO-DPMN-së, si dhe me kandidaturën e kryeparit të saj, në detyrë…, ishte dalldisur me “panoramën fizike” të ca lëneshave si dhe të njerëzve të pasur, po edhe të atyre në nevojë…, ishte dalldisur edhe me faturën e qirasë së shtëpisë si dhe me atë të rrymës që “gabimisht hesapin ia kishin futur a rrasur deri në kurriz”(!?). Kur edhe gjithë këto “dalldisje nuk e ngopën“, filloi të merret me dertet dhe me fukarallëkun e miletit, ra në konflikt me vetveten si dhe me politikanin e zonës së tij, i cili vite me radhë, me premtime boshe, kinse ia paskësh përbuzur votën e tij të shitur, të blerë, po, në doni thuajeni, edhe si të shituar!? Për këtë arsye, dhe të tjera të tilla, kishte lënë pas dore të gjitha “detyrimet” e tij…, se me çfarë detyrash (shtëpiake) ishte i ngarkuar një dreq e di. Një gjë e dimë se kur duhet të shkojë në pazar, ai “ frekuenton mejhanen e Xhelo qufarit”(!?), që gjendet diku në Çarshinë e Epërme të “katundit poteremadh”(!?) të Tetovës.
Miku im nuk ndryshon nga mendja e fqinjit të tij. Edhe ky ka një dërrasë mangët, ndonëse vend e pa vend çan kopalla!? Sa herë që më takon, muhabetin e fillon me shamatë dhe me ca shprehje anadollake. Kur do të të përcjellë ndonjë haber që i dedikohet armikut të tij, e bën ashtu si në gjumë, të krijon përshtypjen se e ka gjumin si të pleshtit dhe kur ta thotë haberin, nuk e koncepton tamam. Më thotë se ishte “ngatërruar më kot” me Blendin gjegjësisht me Fevzon si dhe me emisionin e tij OPINION!? Kur i parashtrova pyetjen se ç‘pate me të, ma ktheu: “Ja, po ta shpjegoj vakinë. Fevzoja në emisionin e së mërkurës u bëri tarafllëk femrave të bukura shqiptare që nga vakti i mbretit shqiptar, Ahmet Zogolli e deri më sot. Në atë mbrëmje atij sikur i paskësh munguar burrëria shqiptare, kinse tek ai nuk ishte hetuar ai shovinizmi mashkullor, kinse i kishte munguar fytyra dhe ai zëri i malësorit, sikur i kishin munguar mendimet dhe zakonet patriarkale…, sikur i kishte munguar ajo fryma e kohës së vjetër e të tjera”(!?). Një ditë “ishte ngatërruar edhe me ekologjistët katundarë(!?) dhe ashtu troç u kishte thënë: Ç’u zë zori juve për ajrin e ndotur të kasabasë sime…, ç’u hyn në punë juve trafiku i ngarkuar i lagjes sime”(!?). Filloi të ngatërrohet edhe me mua, kinse, sipas fqinjit të tij, shkrimet i mia paskan qenë “nekrologjike, të sajuara, shkrime që përcjellin lajme të njohura dhe mbase edhe të absolvuara”(!!). I thashë t’i bënte të fala fqinjit të vet se unë, “filan fistaku”, do të shkruaj për aq kohë sa do të frymojë inati i tij prej shqiptari dhe për aq kohë sa ai do të jetojë aty pranë mëhallës sate…, do të shkruaj për aq kohë sa atij nuk do t’i hynë në punë dertet dhe sikletet e të tjerëve. Si duket, ky miku, sikur ra dakord me “konstatimet e mia” dhe më tha nëse do vazhdoja të shkarravisja, atëherë të shkruaja edhe për atë mbledhjen e Rijasetit të Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë. Sikur desha t’i them se kjo është paksa e sikletshme, aq më tepër kur “Rijaseti në mbledhjen e vet të fundit kishte vendosur që të shkarkojë nga posti myftiun e qytetit të…, N.N., sekretarin e përgjithshëm në BFI, N.N. dhe N.N nga Myftinia e N.N. Mosmarrëveshjet në BFI lindën pasi ish-myftiu nga…, N.N., dyshohet se ka keqpërdorur një kredi prej “xxx” mijë eurove që është marrë në emër të BFI-së”(!?). Nëse miqtë e mi të lartpërmendur, tok me mua, “prodhuan ca lajme të papërfillshme”, ky lajm që do e lakojmë në vijim nuk mund të thuash se është i parëndësishëm, sidomos kur hetohet tash a në vigjilje të Muajit të bekuar të Ramazanit. Sot e gjithë ditën e Perëndisë asnjeri nuk mund ta anashkalojë këtë lajm që del nga një institucion, sa human po aq edhe emancipues, një institucion që nuk është dosido, një institucion që nuk është i “rezervuar” as për azilantë e as për klandestinë…, një institucion që është i vetmi që nuk njeh, po edhe nuk i nënshtrohet tranzicionit tonë politik të bezdisshëm dhe të pafund, është i vetmi institucion pa pronarë, është një institucion në hapësirat e të cilit, nuk ka dhe as që mund të ketë vend për njerëz me moral të dyfishtë, nuk është një institucion ku mund të futesh fukara e të dalësh me xhepa të thellë, është një institucion që nuk njeh parti politike, që nuk njeh as shtet e as qeveri…, që nuk është në vartësinë e…, është një institucion që njeh Zotin dhe që i nënshtrohet fjalës së tij, është një institucion ku përcillen mesazhe të solidaritetit, institucion që nuk njeh fjalën e rreme dhe as të shtrembëruar. Nëse dikush edhe në të ardhmen do të mëtojë ta nënshtrojë këtë institucion, atëherë e meriton atë thënien e psikologëve, ku, pos të tjerash, thuhet: “Injoranca është nëna e gjithë të këqijave!”. Ne i besojmë këtij konstatimi të psikologëve, sa për të tjerët nuk dimë!?
Ata që merren me të kaluarën do të thonë se historitë e shpëtimit të shqiptarëve, sipas një mendimtarit tonë të madh, kanë këto rrjedha: “…, ne shqiptarëve nga greqizimi na shpëtuan romakët, nga latinizimi na shpëtuan bizantinët, nga sllavizmi respektivisht nga “grykësia imperialiste sllave” na shpëtuan turqit dhe, së fundi, na shpëtuan amerikanët bijat dhe bijtë më të mirë kosovarë. Unë jam kureshtar ta di se kush do ta rrënojë atë kështjellën e “perandorisë së inateve tona patologjike e histerike”(!?). A mos vallë ky shtet me gjithë “insanatin” e vet është shndërruar në spital neuropsikiatrik a në Bardovcë…, (duke futur në këtë strajcë edhe artikullshkruesin, mikun tim dhe fqinjin e tij).
PO NUK ZURI VEND PRONA-NUK ZE VEND SHTETI
“ DUKATI KA TË DREJTË“/
“Dukati ka te drejte”-Këtë shprehje e ka thënë me gojën e tij, në vitin 2001, kryetari i opozitës, zoti Edi Rama, sot Kryeministër. Në atë kohë djemtë e Dukatit, të rrethit të Vlorës, për të mbrojtur pronat e të parëve të tyre nga politikanët zaptues , përlesheshin me gurë me policët e armatosur të forcave speciale të dërguar nga ish kryeministri Sali Berisha. Unë Nuro Kulluri , pronar autokton në fshatin Dukat, sot në moshën 80 vjeç kam provuar dhe përjetuar gjithçka ka ndodhur në fshatin tonë dhe nuk mund të rri i heshtur dhe të largohem nga kjo jetë pa i thënë porositë e mija ashtu si i mendoj.
Dukati ka të drejtë të marë kur kërkon që secili të marrë pronën e tij. Janë ato prona që diktatura e Enver Hoxhës i grabiti me ligjet e diktaturës së proletariatit dhe Sali Berisha, donte t’ja falte Berluskonit për të ngritur bizneset e tyre. Janë po ato prona ku arkeologët thonë se të parët tanë, kanë qënë aty prej 10.000 vjetësh dhe dokumentat thonë se ata kanë mbajtur deri 150.000 kokë dhen e dhi dhe qindra gjedhe dhe prodhimet e tyre i eksportonin ne Brindizi. Janë po ato prona të dukatasve autoktonë, të cilat prej 20 vjetësh politikanët po synojnë ti quajnë prona publike, me hilenë lakmiqare që me to të kënaqin veten dhe miqtë e tyre. Janë po ato prona që mbajnë brenda vetes varret si dhe mijëra ton kocka të pronarëve të tyre autoktonë. Malet, bregoret dhe fushat tona kanë dëgjuar nga pronarët vendas meloditë e bukura baritore dhe kanë përjetuar shumë histori njerëzore, të cilat nuk i beson kollaj kur ti tregojnë.
Mohimi i pronës është mohim i dinjitetit njerëzor dhe mohim i atdheut. Padrejtësia e filluar me ligjin 7501, duhet të korigjohet, përndryshe vazhdimisht do të ketë korrupsion, konflikte, tensione sociale gjakderdhje , jetë të humbura. Ju lutem ju dhe kryetarëve të tjerë të majtë apo të djathtë, që ta dëgjoni edhe fjalën time se po merrni popullin në qafë. Ata që kanë përfituar e dijnë mirë se janë në pronë të botës, por vazhdojnë ta mbajnë pronën e tjetrit duke u justifikuar vetëm me faktin se atë pronë ja ka dhënë ligji dhe shteti. Por ku e gjeti Shteti atë pronë? Shumë mirë që kërkoni transparencë për pasurinë e politikanëve por pse nuk kërkoni transparencë për pasuritë që pretendohet se janë të shtetit kur ato asnjëherë nuk kanë qenë pasuri të shtetit. Prona, nuk fitohet me grabitje dhe as me legalizime, aq më tepër kur është pronë që ka zot. Atëhere pse Kuvendi nuk po e bllokon padrejtësinë me pronën? Ju keni detyrimin të bëni një ligj të vetëm dhe të drejtë ashtu siç thotë dhe Kushtetuta në nenin 41 dhe me këtë ligj të korigjohen paudhësitë e bëra pas vitit 1991.
Zoti Servet Pëllumbi , me vonesë por bëri shumë mirë, që e deklaroi publikisht politikën e Katovicës që është zbatuar pas vitit 1991 prej Ramiz Alisë me veglat që caktoi në krye të forcave politike. Qeveria e 1991 kishte detyrë të çrrënjoste diktaturën komuniste. Kjo do realizohej nëse do të ishte zbatuar Satuti i kooperativave bujqësore, që ngriti diktatori Enver Hoxha. Aty thuhet se në rast se kooperativa prishej çdo familje merr pronën që ka futur në kooperativë . Në 1991 deputetët duke shkelur mbi parimet morale dhe të drejtën, miratuan ligjin 7501, ligji më djallëzor që po e shkatërron Shqipërinë. Siç është deklaruar edhe në Kuvend, nga ju zoti Kryeministër dhe deputetë të tjerë, anarkia e pronës ka shkaktuar mbi 8000 viktima. Në breza dukatasit janë shquar si njerëz të ekuilibruar. Dukati një fshat i dalluar për respektimin e traditës ka filluar të ndjejë pasojat e këtij ligji. Janë ligjet që nuk e kthejnë pronën tek i zoti ato që , po e thyejnë traditën e nderit dhe të korrektësisë që është respektuar në breza. “Dukati ka të drejtë“ Të gjithë ne që jemi bij të këtij vendi e dimë mirë këtë, por këtë e harrojnë të zgjedhurit tanë menjëherë pasi bëhen deputetë. Pse? Mos vallë të drejtën tonë për pronat e trashëguara duhet ta kërkojmë nga SHBA , Gjermania, Italia, Greqia, Turqia, Beogradi, Moska apo kryetarë shtetesh të tjerë. Ata dhe Strasburgu është mjaftuar me vendimin Pilot por atje me siguri bëhen raportime krejt të zbeta dhe ata nuk mund ta imagjinojnë situatën e rëndë që është krijuar për shkak se shteti për 25 vjet po vazhdon të mashtrojë me fasadën e kompensimit dhe po vepron me ligje që shkelin detyrimet kushtetuese.
Nga këto ligje të padrejta po përfiton batakçiu dhe i pandershmi, por i ndershmi revoltohet. Ne jemi të revoltuar , por po presim se revolta sjell pushkën dhe pushka merr jetë njeriu, por kjo nuk na pëlqen se kështu humbasin të gjithë shqiptarët dhe mbyllen dhe dyert e Evropës.
Kemi nuhatur se Qeveritarët po hedhin sytë nga kullotat e maleve të Dukatit. Dihet se aty Shteti nuk ka prona dhe aty pronësinë e kanë familjet autoktone të dukatit. Po të jetë nevoja burrat e Dukatit flasin të gjithë me një zë dhe rreshtohen të gjithë me një komandë të vetme. Zoti Rama : bëhuni burrë shteti dhe kuptoni realitetin, mos na shtyni në luftë civile se do të ishte fatalitet për të gjithë Shqipërinë dhe Kombin tonë. Ky palo pluralizëm kriminal që po bëhet 25 vjeçar duhet të ketë respekt për Dukatin dhe dukatatasit që janë 10.000 vjeçarë në ato male.
Dëgjojmë të thuhet se nuk ka dokumenta pronësie. Kjo nuk është e vërtetë. Është e sigurtë se pushtuesit turq dhe ata italianë, i kanë regjistruar pronat e shqiptarëve. Mbreti Zog ngriti një kadastër shumë të rregullt për kohën, por edhe diktatori Enver Hoxha i ka regjistruar të gjitha pronat që shtetëzoi pas vitit 1945. Pra Shteti i kishte dhe i ka dokumentat e pronave të shqiptarëve. Nëse në krye të shtetit dhe në Kuvendin e Shqipërisë, do të kishte shqiptarë të ndershëm, nuk duhej të miratohej ligji 7501, por një ligj që pronarët të dorëzojnë kërkesën dhe të jetë detyrim i shtetit që duke hapur arkivat ti kthejë në origjinë pronat e grabitura nga diktura. Nëse tek drejtuesit e derisotëm ndërgjegja kombëtare është mposhtur nga nxitja për para dhe përvetësim, kjo le të bëhet sot. Asnjëherë nuk është vonë për të korigjuar gabimet. Kjo është detyra kryesore e njerëzve të zgjedhur.
E kuptoj zoti Kryeministër revoltimin tuaj nga situata dhe uroj me gjithë zemër që ju të dëshironi me sinqeritet të bëni shtet ligjor. Atëhere , hapini arkivat, kadastrat dhe regjistrat e shtetëzimeve dhe ktheni në origjinë pronën tek i zoti. Pronarët nuk duan kompensim. Kompensoni ata që shkelën ligjin por pronarit kthejani tokën babait të tij. Por keni dhe një rrugë ndihmëse – mblidhni fshatin se dukatasit e dijnë se ku janë kufijtë e secilit dhe jepuni dokumentat e reja të pronave ashtu siç i kërkon koha e sotme moderne. Ju garantoj se në shumicën e rasteve në të gjithë Bregdetin pronarët i dijnë kufijtë e pronave të tyre. Në rastet ku ka vështirësi ose kufitarët nuk e gjejnë dot gjuhën e përbashkët duhet ndërhyrje Shteti me dokumentat që Shteti i disponon. Reforma që presim nga ju është që secili të gëzojë pronën e tij të trashëguar sa është i gjallë. Por kjo do të kundërshtohet nga të babëziturit apo të shiturit të ulur si deputetë në Kuvend , ata si puna e ujkut pëlqejnë mjegull për të shqyer dhe grabitur më lehtë.
Zoti Edi Rama Ju jeni shprehur se “Dukati ka të drejtë“ Kryeministrat pas vitit 1991, kanë lënë gjurmë negative dhe do mbahen mend si gënjeshtarë të mëdhej që e mashtruan popullin, që sabotuan demokracinë dhe i futën familjet shqiptare në konflikte dhe në gjak me njëra tjetrën. Si asnjë herë në historinë qindra shekullore të këtij vendi konflikti për pronën është futur edhe brenda famijes. Gazetat japin shpesh lajme të tilla. Zoti Edi Rama, ne jemi larguar nga Sali Berisha sepse ai mashtroi dhe punoi për tu pasuruar për veten e tij sipas udhezimeve të katovicës. Prona nuk ka vetëm vlerë si para, por është problem delikat që nuk mund të shlyhet me kompensime. Politika për pronat lidhet me fëmijët tanë dhe përcakton të ardhmen e kombit. Me politikën e kompensim/legalizimit, të nisur nga Saliu, brezi i ri, i lënë pa prona, si arixhiu pa atdhe do largohet nga vendi , sepse me forcën e shtetit prej 25 vjetësh, po i mohohet atdheu i të parëve. Kryeministrat pararendës, i kanë shtuar problemet që la pas diktatuta aq sa ndërkombëtarët ju venë si kusht dhe ju kërkojnë ju që t’a dekriminalizoni Shtetin. Ata kanë të drejtë por kanë edhe detyrim të orientojnë se nëse dekriminalizimi nuk fillon me drejtësinë mbi pronën edhe ju do të dështoni edhe me shumë se Sali Berisha. Me kompensime dhe legalizime Shqipëria do të vazhdojë të zhytet në kënetën e korrupsionit dhe në çorbën e politikës së mbrapshtë dhe antishqiptare të Katovicës që po vazhdon prej 1991, kur drejtonte Ramiz Alia. Ata që vijnë si reporterë të BE nga zoti Stefan Fyle deri tek gjermani Fleckenstain, duke qenë të edukuar ndryshe , mbase nuk arrijë ti kuptojnë në thellësi këto gjëra, por raportojnë për progress dhe lavdërojnë edhe kur Kuvendi bën ligje që shqiptarët të thellohen në anarkinë e Katovicës dhe të justifikohen kur vjedhin pronën e tjetrit. Kjo është e vërteta e hidhur.
Mos sakrifiko zgjidhjen e problemit të pronës për interesa elektorale . Turqina u bë shtet të fortë dhe shtet ligjor nga Qemal Ataturku, Italine e shpëtoi nga post fashizmi DeGasperi. Ju zoti Edi Rama keni mundësinë historike, që të ngrini themelin e shtetit demokratik nëse zbatoni parimin se “Prona e grabitur i kthehet të zotit” Zgjidhja bëhet me kthimin fizik të pronës tek i zoti dhe kuptohet që edhe kompensimi duhet por kur bëhet fjalë për nevoja publike.
Kërkojmë të jeni shumë i kujdesshëm, i matur dhe largpamës. Siç themi në gjuhën e popullit: mat mendo e diskuto 7 herë dhe vendos e pre një herë. Drejtësinë e duan të gjithë, se drejtësia i qetëson të gjithë, ndaj duhet të vendosësh drejtësi duke filluar me pronën e trashëguar se kështu hapet dera që Shqipëria të pranohet në Evropë.
Me konsideratë dhe shpresë.
Nuro Kulluri
- « Previous Page
- 1
- …
- 660
- 661
- 662
- 663
- 664
- …
- 859
- Next Page »