• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

A E KUSHTËZOJNË TË DREJTAT E NJERIUT DEMOKRACINË?

December 8, 2012 by dgreca

Nga Kozeta Zavalani/

10 Dhjetori shënon Ditën Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut dhe përzgjedhja e kësaj date, nuk është e rastësishme. Kjo ditë u shpall fillimisht si përvjetor i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, dokumenti i parë i rëndësishëm me fuqi detyruese në mbarë botën. Të drejtat e njeriut të dala nga filozofia, që nga shekulli XVII kanë gjetur hyrje në kushtetutat shtetërore. Ato kanë rrjedhur në një formë të caktuar dhe u janë garantuar shtetasve si të drejta konkrete themelore. Njeriu abstrakt i filozofisë u shndërrua në këtë mënyrë në qytetar konkret i miratuesve të kushtetutës. Të drejtat themelore kishin funksionin e mbrojtjes së qytetarëve nga ndërhyrja e shtetit dhe ishin pjesë përbërëse e filozofisë së liberalizmit. Duke patur parasysh se dinjiteti i lindur i të drejtave të barabarta dhe të patjetërsueshme të të gjithë anëtarëve të familjes njerëzore është themeli i lirisë, drejtësisë dhe paqes në botë.

Nisur nga dallimi mes të drejtave të njeriut dhe të drejtave themelore vërejmë se të drejtat themelore, për nga përbërja e tyre nuk ndryshojnë. Dallimi ndërmjet tyre qëndron në aspektin formal. Të drejtat themelore janë të drejta që një shtet ua garanton qytetarëve të vet dhe që janë të shënuara në kushtetutën e tij. Zbatimin e tyre, qytetari mund ta kërkojë para gjyqit. Ndërsa të drejtat e njeriut përbëjnë idenë themelore prapa këtyre të drejtave themelore. Deri në mesin e shekullit të kaluar, të drejtat e njeriut ishin të drejta morale, të cilat duhet të zbatoheshin nga çdo lloj mënyre e organizimit shtetëror, pra si të drejta natyrore. Me “Deklaratën e Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut” të Kombeve të Bashkuara, është bërë përpjekje për konkretizimin e idesë filozofike dhe vendosjen e tyre si të drejta të patjetërsueshme me kriter botëror.

Por a e kushtëzojnë të drejtat e njeriut demokracinë dhe anasjelltas?

Në kushtetutat moderne demokratike, të drejtat e njeriut janë të futura si të drejta elementare themelore. Shtrohet pyetja: A janë strukturat demokratike kusht për zbatimin e të drejtave dhe dinjitetit të njeriut?. Ose më mirë: A mund të quhet demokratik një shtet, në të cilin nuk realizohen të drejtat në fjalë? Për të kuptuar këtë duhet të theksojmë se thelbi i iluminizmit politik të kohës së re është unitetiti mes të drejtave të njeriut, ndarjes së pushtetit dhe demokracisë. Efekti real i të drejtave të njeriut kushtëzon vlerën e tyre juridike, e kjo e dyta kushtëzon nga ana tjetër ndarjen e pushtetit. Pushtetari është i lidhur me zbatimin e të drejtave të njeriut, vetëm nëse ai vetë është i lidhur me drejtësinë. Me drejtësinë, ai është i lidhur vetëm në sistemin e ndarjes së pushtetit, ku instanca ekzekutive as nuk e sundon drejtësinë, e as nuk mund ta shkelë atë. Asaj i është caktuar funksioni nga instanca ligjvënëse dhe kushtetuese, sipas së cilës janë ata gjyqtarët e pavarur që kontrollojnë respektimin e drejtësisë. Zhvillimi i të drejtave nga ana tjetër kushtëzon edhe demokracinë, d.m.th. lirinë e popullit për formulimin e ligjeve të tij dhe kontrollimin publik të të tri instancave të pushtetit. Në këtë mënyrë mbyllet rrethi i lidhjeve ndërmjet idesë së të drejtave të njeriut, ndarjes së pushtetit dhe demokracisë. Ato janë një njësi institucionale ligjore. Realiteti i tyre politik është kusht për humanizëm, drejtësi, liri dhe dinjitet për çdo individ. Rënia e njërit prej këtyre tri elementeve shkakton edhe rënien e dy elementeve të tjera.

Çdo njeri ka të drejta të lindura, por jemi njohur me faktin se të drejtat e njeriut nuk respektohen gjithmonë. Është shumë më vështirë të mbikqyren të drejtat e njeriut se ligjet kombëtare. Mirë do të ishte sikur të gjithë njerëzit dhe shtetet e botës të respektonin rregullat bazë të lojës, d.m.th. të respektonin të drejtat e njeriut, por përvoja ka treguar të kundërtën. Apelet për respektimin e tyre nuk kanë mjaftuar.
Gjyqtarë kryesorë janë Kombet e Bashkuara, organizatë e cila është themeluar në vitin 1945, dhe në të cilën janë përfshirë të gjitha vendet e botës. Dihet që Organizata u themelua pas tmerrit të Luftës së Dytë Botërore dhe funksioni i saj është mbikqyrja e të drejtave të njeriut, për sigurimin e paqes në botë. Në vitin 1948, shtetet anëtare të OKB-së aprovuan „Deklaratën e Përgjithshme të të Drejtave të Njeriut”, e cila që nga viti i aprovimit të saj është zhvilluar në mënyrë të vazhdueshme. Konstatojmë se Kombet e Bashkuara janë të përshtatshme për rolin e gjyqtarit kryesor. Natyrisht, as Kombet e Bashkuara nuk mund të pengojnë thyerjen e rregullave të lojës, pra mosrespektimin e të drejtave të njeriut. Por me veprime konkrete ato mund të kujdesen, të luftojnë për respektimin e tyre. Gjatë përpjekjes për kryerjen e detyrës së tyre, Kombet e Bashkuara hasin jo rrallë në probleme të ngjashme me ato të gjyqtarëve të lojës së futbollit. Çdo vendim i tyre, i bën ato të padëshirueshme për njërën nga palët. Shumë shpesh, ato kritikohen dhe akuzohen nga të gjitha anët.
Po kush e kryen funksionin e gjyqtarit anësor, pra kush i tërheq vëmendjen OKB-së duke “ngritur flamurin”?
Këtë funksion e kryejnë organizatat joqeveritare që kanë krijuar strukturën, rrjetin e mbrojtësve të të drejtave të njeriut në të gjitha pjesët e botës. Pra shoqëria civile publikon raporte mbi shkeljet e të drejtave të njeriut dhe kështu ajo përkrahet në të gjithë botën. Ndaj shoqëria civile duhet të bëjë presion mbi qeveritë e ndryshme. Por ato nuk kanë mundësinë e vendosjes së sanksioneve. Ndaj kompetent për këtë janë Kombet e Bashkuara.
Por, si i mbikqyrin Kombet e Bashkuara, në bashkëpunim me organizatat e ndryshme joqeveritare, të drejtat e njeriut?
Për mbikqyrjen e të drejtave të njeriut, Kombet e Bashkuara kanë formuar komisione, nënkomisione dhe komitete të ndryshme. Shembuj në këtë drejtim janë: Komiteti për të Drejtat e Fëmijëve, apo Komiteti për Parandalimin e Diskriminimit të Gruas. Shkeljet e të drejtave të njeriut mund të paditen edhe para gjyqit. Për rastet individuale, kompetent është Gjykata e Krimeve të Luftës, ndërsa për rastet e shkeljes se të drejtave të njeriut nga ana e shtetit, kompetencën e ka Gjykata Ndërkombëtare e Hagës e Komisariati i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejta të Njeriut.
Janë të njohura meritat e Mary Robinsonit dhe pasardhësit të saj Sergio Vieira në koordinimin e institucioneve të OKB-së në bindjen e shumë shteteve të botës për rëndësinë e respektimit të të drejtave të njeriut.

Megjithatë shkeljet e të drejtave të njeriut vazhdojnë.

Kur dëgjojmë për shkeljet e të drejtave të njeriut mendojmë për të ashtuquajturën „Bota e tretë”, apo për diktaturat e largëta. Por shkeljet e të drejtave të njeriut nuk janë të kufizuara vetëm brenda kufijve të kontinenteve, sistemeve të caktuara politike, normave apo feve të caktuara. Nuk ka thuajse asnjë vend në botë, ku gjatë një viti të mos ndodhin shkelje të të drejtave të njeriut. Sipas përkufizimit, shkelja e të drejtave të njeriut nuk është asgjë tjetër, veçse një formë e zbutur e krimit të rëndë që ushtron shteti mbi qytetarët. Shkeljet e të drejtave të njeriut si krim i lejuar, i duruar, i porositur apo i mbrojtur nga qeveritë, rrezikon në masën më të madhe paqen e brendshme dhe të jashtme të një organizimi shtetëror. E kaluara ka treguar se me ndarjen e pushtetit për të kontrolluar monopolin e pushtetit në legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor dhe me zgjedhjet e përgjithshme, të lira, të fshehta, që përsëriten në mënyrë periodike, është krijuar një instrument i përshtatshëm i shtetit juridik. Shtetet e qeverisura nga diktaturat nuk njohin instrumente të tilla. Ato shkelin të drejtat e njeriut dhe rrezikojnë në këtë mënyrë paqen në botë. Ato helmojnë klimën politike, duke krijuar rrethana të tilla, në të cilat të drejtat e njeriut dhe paqja kanë pak mundësi për t’u realizuar, ndaj edhe puna jonë duhet të jetë gjithmonë me intensitet të vazhdueshëm e të pandalshëm.

Filed Under: Opinion Tagged With: demokracia, Kozeta Zavalani, te drejtata e njeriut

NGA BERISHA DHE RAMA VJEN SHOW POLITIK DHE INFANTILIZËM SHTETFORMUES

December 7, 2012 by dgreca

Nga ELIDA BUÇPAPAJ/

Festimet e 100 vjetorit të pavarësisë ishin organizuar me vetëdije shtetërore. Por nderim dhe respekt meritoi kombi shqiptar për nivelin e kulturës demokratike dhe ekuilibrin. Megjithëse ishte një festim fitimtar pas një shekulli tragjik, shqiptarët nga të gjitha trojet demonstruan pjekuri dhe një gëzim legjitim. Sepse përballë të djeshmes së kallur në luftra, konflikte, genocid, dëbime masive, shqiptarofobi dhe diktatura, tani kombi shqiptar i ndarë në pesë shtete ndodhet në prag të integrimeve Euro-Atlanike. 
Mrekullia e këtij festimi ishte se Shqipëria në paradën ushtarake parakaloi bashkë me 12 vende aleate të NATO-s, si vend anëtar i Aleancës ushtarake, garanci kjo, për të mos lejuar më trazira dhe turbullira në dëm të shqiptarëve. Ka ardhur koha që shqiptarët të jenë të barabartë mes të barabartëve të integruar në NATO dhe BE. Ky është objektivi që duhet të arrijnë shqiptarët dhe drejt këtij objektivi duhet t’i drejtojë klasa politike, e cila në vend të përgjegjshmërisë karakterizohet nga arrivizmi politik, ku etja për pushtet është kthyer në paranojë. Për të gjithë, papërjashtim.

Në festimet e 100 vjetorit, paçka se pati lëvizje të madhe, dhe prurje të madhe festuesish nga të gjitha trojet shqiptare dhe diaspora gjithçka shkoi për mrekulli, nuk pati asnjë incident që të prishte shijen e festimeve, përveçse u nderuan simbolet e kombit dhe gjithçka u vesh me flamuj të kuq me shqiponjën e zezë dykrenore. Kaq. Fqinjët u irrituan edhe nga kjo, por le të irritohen dhe le të shërohen nga albanofobia që në dekadën e fundit prodhoi të paktën tri konflikte, ai i Kosovës, Maqedonisë dhe Luginës së Preshevës. T’i falesh flamurit të kombit dhe të nderosh Isa Boletinin, Ismail Qemalin apo Hasan Prishtinën bën veç detyrën ashtu si veprojnë francezët, italianët, amerikanët, gjermanët, polakët, çekët. Nuk po i marr assesi si shembull fqinjët sepse ata kanë dëshmuar përherë shqiptarofobi dhe nacionalizëm të sëmurë.

Dhe do të thuhej se gjithçka shkoi ashtu si e dëshironte zemra e çdo shqiptari, sikur të mos përballeshim me shijen e hidhur të konfliktualitetit midis palëve edhe në ditën e madhe, me sjelljet vulgare për të festuar veç dhe ndarë dhe që u kulmuan me retorikën e Berishës e cila vazhdon prej 28 nëntorit. Nuk do ta „fajësoja“ për rastin „Preveza“ sepse Berisha iu referua kontekstit historik. Në këtë rast, po të kishte mendësi shtetformuese, do të duhej të dilte Ed Rama e ta mbronte, si do të duhej të vepronte Berisha nëse do të„shkiste“ Rama. Por në politikën shqiptare ekziston ligji i xhunglës, që do të thotë se kur je duke rënë nuk të japin dorën por shkelmin për të rënë sa më poshtë që të jetë e mundur, mundësisht në greminë.

Kur u mendua se u tejkalua incidenti diplomatik, dhe pala greke u sqarua, Majlinda Bregu doli e lajmëroi se qeveria shqiptare do të mblidhet pas festimeve në Vlorë, atje ku mblodhi qeverinë e parë Ismail Qemali. 

Kur Berishës do t’i duhej t’i largohej euforisë së festimeve, e cila gjithësesi ishte legjitime, për t’iu afruar realitetit, Berisha bie në një tjetër eufori, ku nga kryeministër vetëshpallet aktor dhe bën show në nivel amator dhe infantil.

Sot, kryefjala e klasës politike shqiptare, kudo qofshin, është integrimi sa më i shpejtë i shqiptarëve si komb në NATO dhe BE sepse jemi të fundit në rajon.

Çfarë kërkon kjo? Përgjegjshmërinë dhe sjelljen e shtetarit për të ndërtuar shtetin e të drejtës. Kurrsesi provokime që bien erë destruktivizëm.

 

„Shteti i së drejtës“ është një doktrinë me origjinë nga drejtësia gjermane, që po ta pëkthejmë shqip do të thotë „shteti i bazuar tek drejtësia dhe integriteti“, ose „shteti ligjor“. „Shteti i së drejtës“ është një shtet i mbështetur tek kushtetuta, ku pushteti ekzekutiv ushtron pushtetin e tij përmes ligjit. Sipas konceptit Anglo-Amerikan „shteti i së drejtës“ lidhet me konceptin e „rule of law“ – „sundimi i ligjit“, që do të thotë me fjalë të tjera sundimi i drejtësisë në të mirën dhe për të mirën e qytetarit.

Që do të thotë se nëse klasa politike shqiptare arrin ta ndërtojë shtetin e së drejtës, kombi shqiptar integrohet në Europë. Gabim i secilës palë penalizon shqiptarët si komb, i dënon shqiptarët si komb, pa asnjë faj, për fajin e vetëm se vazhdojnë e besojnë tek këta politikanë.

Pas 22 vitesh tranzicion, Berisha deklaroi nga Vlora: „Shtetësi shqiptare pa kushte për çdo shqiptar kudo ndodhet“, kur do të duhej që nga selia e Ismail Qemalit, vajti që vajti, ta kishte ftuar edhe liderin e opozitës dhe prej andej të deklaronin bashkë, se të gjitha energjitë do të shkojnë për ndërtimin e një strategjie kombëtare për krijimin e shtetit të së drejtës, i cili do ta bëjë qytetarin shqiptar të ndihet i barabartë në kontekstin e integrimeve europiane. Ky është objektivi, ky është qëllimi. 

Sepse ajo që e shpalli Berisha me daulle dhe me trumpeta, që nuk ka asnjë lloj efekti për shqiptarët, përveç retorikës dhe fuqizimit të fqinjëve tanë me „fakte“ kundër „Berishës nacionalist“, do të mund të arrihej ashtu si e kanë arritur fqinjët tanë me pakicat e tyre. Në Kosovë, çdo serb, ka shtetësi të dyfishtë, atë të Serbisë dhe të Kosovës. Po ashtu çdo kroat, boshnjak apo turk. Edhe në Maqedoni, sllavët e Maqedonisë kanë dy pasaporta, atë të Maqedonisë dhe të Bullgarisë, si shtet në BE dhe anëtar i NATO-s. Po shteti i Shqipërisë ku është? Po shtetarët e Shqipërisë ku janë? Duke u përleshur me njëri-tjetrin.

Politikanët e Shqipërisë janë në udhëkryq dhe në konfliktet partiake, të cilat janë kthyer në gangrenë për shtetin e së drejtës, i cili duket se është në fund të tunelit. Pasi niveli i korrupsionit, i mungesës së integritetit tek politikanët dhe i lidhjeve të politikës me të shkuarën diktaturiale po e minojnë stabilitetin e vendit. Bashkë me retorikën, shown politik që bën Berisha dhe qëndrimin antagonist të opozitës në raport me shumicën.

Askush nga palët nuk i falet vendit dhe flamurit, por flamur për ta janë vetëm interesat për pushtet. Mjerisht, ky është realiteti.
Kështu, ndërsa Sali Berisha bën show politik, duke luajtur me kartën e nacionalistit të thekur dhe të paekuilibruar, opozita vazhdon me politikën e drejtëzave paralele ku nuk gjen asnjë pikë të përbashkët me maxhorancën. E gjitha kjo prodhon destruktivitet, infantilitet shtetformues dhe aventurizëm. Sa ndryshe janë këta burra me ata burrashteti që e krijuan shtetin shqiptar një shekull më parë. Janë 180 gradë ndryshe. Sepse aspiratat madhore të një kombi arrihen me projekte të përbashkëta, bashkuese dhe integruese.

Filed Under: Opinion Tagged With: Berisha, Elida Buçpapaj, nacionalizmi, Rama

FIQIRI DINE, KRYEMINISTRI I 30 I SHQIPERISE

December 6, 2012 by dgreca

Shkruan: Eugen SHEHU/

Si një lum madhështor që ngarend të derdhet në det,ashtu edhe istoria e trevës së Dibrës,kërkon të zgjohet nëpër kohë.Ky zgjim,ndonëse i dhimbshëm,ndonëse me të vërteta befasuese,kurdoherë është i mirëpritur prej shqiptarëve,kudo ku ato gjallojnë.Ky zgjim klith jo vtëm histori por na sjell në kujtesë të ditëve të sotme edhe emra të bijve të shquar dibran,Fiqri Dine e meriton të kujtohet përherë me nderim.  I lindur në marsin e vitit 1898,Fiqiriu do të ishte një ndër djemt e shumtë të kësaj familjeje të njohur në krejt Maqellarën.Dine Maqellara,miku i ngushtë i Elez Isufit,Sufë Xhelilit,Sadulla Strazimirit e Nazif Grazhdanit,u shqua sidomos në lëvizjen e madhe kombëtare shqiptare për shpalljen  epavarsisë.Një varg betejash në vitet 1910-1911,provuan jo vetëm trimërinë e Dine Maqellarës,por edhe urrejtjen shekullore të tij ndaj serbosllavëve.Mendoj se është me vend të kujtojmë se qeveritë shqiptare të pas viteve 1915,disa herë e patën kërkuar Dine Maqellarën në Durrës e Tiranë,duke i bërë propozime për poste e funkdione konkrete,por burri trim u mjaftua me detyrën provinciale të kryetarit të komunës së Maqellarës,detyrë të cilën e mbajti deri ditën që vdiq.

Më i madhi i djemve të tij,Fiqiriu,mbaroi në vitin 1914,shkollën e mesme,në Dibër të Madhe ku edhe u shqua ndër shokët për rezulltate të larta në mësime.Është kjo arsyeja që Dine Maqellara,ndërhyn tek disa miq të tij në Austri dhe Fiqiriu tanimë 17 vjeçar,merr rrugën për në akademinë ushtarake në Austri.Këtu,bien në sy zgjuarsia dhe talenti i spikatur ushtarak i fiqiriut i cili ndonëse arrinte rezulltate të larta në mësime,mendjen e kish në turbullirat ballaknike të viteve 1915-1918 e sidomos në Dibrën  eshtrenjtë të tij. Me të mbaruar akademinë ushtarake,në vitin 1919,Fiqiri Dine kthehet në atdhe.Në fillim ai punon për disa muaj në funksionin e nëntogerit,në Shkodër e madje,me formimin e Qeverisë atdhetare dalë prej Kuvendit të Lushnjës,Fiqiriu inkuadrohet në radhët e xhandarmërisë së Ushtrisë Kombëtare Shqiptare,me gradën e togerit.Arma e xhandarmërisë shqiptare,e ndihmuar edhe nga disa misionarë angleze e hollandeze,njohu përparime të shpejta në vitet 1919-1924.Është e kuptueshme që në këto zhvillime,ndërthuren edhe talenti,trimëria,dhe ndershmëria e kuadrove shqiptare ndër të cilat militonte edhe Fiqiri Dine. Ngase shihnin në personalitetin e Fiqiri Dines,ushtarakun e rreptë por të ndershëm,komandantët direkt të tij dërgojnë relacione të njëpasnjëshme në zyrat eprore duke e propozuar ate në funksione të larta. Kështu në vitin 1920, e shohim birin e Maqellarës në funksionin e qarkomandantit të qytetit të Shkodrës.Orvatjet serbo-malazeze në fundvitin 1920,për të shkelur territoret shqiptare,kanë dështuar disa herë radhazi,falë organizimit luftarak të persosur të xhandarmërisë dhe ushtrisë kombëtare shqiptare në qarkun e Shkodrës.Janë dhjetra burime arkivore të xhandarmërisë shqiptare të cilat na bëjnë me dije mbi veprimtarinë atdhetare dhe ushtarake të Fiqri Dines.Flitet mbi operacione të shumta dhe dalin në pah,trimëria e birit të Maqellarës.;”Mbramë,rreth mesnatës, në vendin e quajtur Tamare,forcat tona janë përpjekë me disa çetnikë serb të armatosur që patën shkel kufirin shqiptar.Reparti ynë asht rrezikue se tepërmi por asht dash ndërhyrja e kapiten Fiqri Dines i cili ka drejtumun me sukse operacionin ku kan metë të vramun 4 ushtarë serb e janë plagosur disa të tjerë”.( Arkivi Qendror i shtetit-Tiranë.Fondi Qeveria e Lushnjës,dokumenti 37/a fleta 13 ).

  Në fund të vitit 1921,janë forcat serbe të ndihmuara nga bjellogardistët rus,të cilët mësyjnë në malësitë e Mirditës gjoja për të ngritur aty flamurin e pavarsisë së shqiptarëve.Ahmet Zogu,(ate kohë në detyrën e ministrit të mbrendshëm shqiptar) njofton pos të tjerave edhe Fiqri Dinen i cili në krye të 300 burrave niset drejt Mirditës.Ai lufton trimërisht në krye të xhandarmëve shqiptarë duke vënë në vend nderin e qeverisë shqiptare të dalë nga Kuvendi  historik i Lushnjës.Të nxitur nga ky qëndrim,në një prej luftimeve të kryera në Dibër,forcat serbe i djegin shtëpinë Dine Maqellarës dhe ngase burrat ishin të gjithë nën armë për mbrojtjen e atdhut,serbët i marrin gratë dhe fëmijët e Dinajve dhe i internojnë në Manastir.Fatmirësisht,në gjoja kryengritjen e Mirditës,ushtria kombëtare shqiptare zuri mjaft robër si serb,ashtu edhe bjellogardist.Me urdhër të Ahmet Zogut,robërit serb u ndëruan me familjet dibrane të internuara në Nish dhe Manastir,me ç’rast përfitoi edhe familja e Dine Maqellarës.Në fillim të viteve-30-të,Mbreti i shqiptarëve Ahmet Zogu,u përpoq të luaj një politikë sa më të hapur në ballkan e më gjërë,por duke bërë gjithmonë kujdes të vazhdueshëm si më parë për sigurimin e tërësisë tokësore shqiptare politike.Duke mos haruar rrezikun nga fqinjët,ai vazhdonte gjithmonë me reformimin të ushtrisë kombëtare shqiptare,ai mundi të modernizojë ate si në koncepte edhe në armatime.Mendoj se ka qenë vlersimi i drejtëpërsëdrejti i tij,i cili në krye të katër grupimeve më të mëdha ushtarake vendosi , Muharrem Bajraktarin,Preng Previzin,Fiqiri Dinen dhe Hysni Demën.Në komandën e grupimit të vet ushtarak,Fiqiri Dine u shqua jo vetëm si prijës ushtarak i rreptë por edhe politikan shumëdimensional.Ashtu sikundër bëri përpjekje të gjithanshme për ruajtjen e kufijve detare e tokësore,ç’prej Shëngjini deri në Lurë,ashtu ndërmori edhe mjaft veprime politike për të lejuar që shqiptarët e këtej kufijve politke të vitit 1913 të mundenim të gjenim ngrohtësi në vatrat tona, në pronat tona,kur shkonin ktej në shtetin amë,të ndjekur prej forcave pushtuese serbosllave,kullat e tij në Maqellarë,por edhe shtëpitë ku banonte në Shkodër,Burel e Tiranë,ishin oda që rrinin kurdoherë të mbushura plot e përplot me trima.E vërteta është se Ushtria Kombëtare Shqiptare,nën komandën e Fiqiri Dines,Muharrem Bajraktarit,Hysni Demës dhe Preng Previzit,jetoi jo vetëm me shqetsimin e mbrojtjes së kufijve të shtetit amë,por ndërmori nisma konkrete ushtarake në disa raste,edhe në mbrojtje të shqiptarëve të trevave të tjera etnike.”Askurrë na nuk e kena pranue Shqypninë e ndame,ka thënë Fiqiri Dine më 28 nëndorin e vitit 1938,në fjalën e mbajtur përpara efendive të garnizonit të Dibrës,…se ajo asht ndamun jasht vullnetit të popullit tonë dhe çka bahet e vendoset jashtë këtij vullneti,nuk reziston dot gjatë”.

  Pushtimi fashist i Italisë,do të brengoste burrin e mençur të Maqellarës,por gjithsesi nuk do ta mposhte.Të katër Kolonelët e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare,të lidhur me njeri tjetrin në besë malesh,vijuan luftën e tyre kundër okupatorit italian.E vërteta asht se Fiqiri Dinen,ashtu si kundër edhe miqtë e tjerë të tij,komanda e lartë ushtarake e thiri disa herë duke i premtuar grada e detyra më të larta.Por biri i Maqellarës asesi nuk pranoi.Përgjigja e tij,ishte krijimi i çetave nacionaliste dhe lufta me armë kundra çdo okupatori. Përkundër asaj çështë thënë e shkruar për “tradhëtarë” Fiqiri Dine (prej historiografisë komuniste enverotitiste),misionarët anglez që ndiqnin me sy luftimet në Shqipëri,në vitet 1943-1944 shprehen ; “Gjithashtu tre krerë fisnorë kishin ngritur qendra rezistence kundër italianëve.Fiqiri Dine në Dibër,në kufirin me Jugosllavinë,Muharrem Bajraktari në Lumë,në luginën e thyer të Drinit të Zi dhe pas arratisjes nga burgu italian, kryezinjtë në Kosovë”.( Julian Amery “Kujtime që nuk shlyhen “ Tiranë 1995, fq 80 ).

  Janë me dhjetra beteja madhore të zhvilluara në Malet e Dibrës,të cilat,të udhëhequra nga Fiqiri Dine,përcaktuan fatet e mëtejshme jo vetëm të Dibrës por krejt trevave veriore të Shqipërisë.Në këto beteja të pakompromis,biri i Maqellarës ishte kurdoherë në radhët e para,i heshtur por tepër i dashur me bashkëluftëtarët e vet,rreptë me ata që shfaqnin mendime anarkike dhe tepër largpamës në politikat ballkanike që luheshin në kuriz të shqiptarëve.Në vitet 1942-1943,ai gjithashtu u shfaq hapur kundër komunizmit sllav,mandej jo rrallë në malet e Dibrës pat qarkulluar simbolika e shprehjes së tij se ;”Kryet e Dibranëve s’ka mujt me i ul kurrë serbi e malazezi,por po don me i perkulun komunizmi”.

  Në korrik-gushtin e vitit 1943,lidhjet e Fiqiri Dines me Organizatën e Ballit Kombëtar janë tejet interesante.Burri i maqellarës,ushtaraku vizionar,politikani me prirje perendimore,parashihte tek ky grupim politik një relizim konkret të aspiratave shekullore të shqiptarëve.Për më tej ideja e Shqipërisë Etnike e cila gjallonte në konstitucionin moral të krejt popullit tonë, e ftonte Fiqiri Dinen të bashkëpunonte realisht me këto forca politike.Kështu në korrik 1943 me porosi të Mit’hat Frashërit,Fiqiri Dine mbledh në katundin Homesh të Dibrës,krejt prijësat e Veriut.Në këtë tubim,pos të tjerave merrnin pjesë edhe Ali Këlcyra,Hasan Dosti,Isuf Luzaj të cilët në fjalën e tyre u ndalën rreth bashkimit të formacioneve nacionaliste të kësaj treve në një komandë të vetme.Më pas,ka qenë vetë apsotulli i shqiptarizmës,Mit’hat Frashëri,i cili ka propozuar në krye të komandës ushtarake,Fiqiri Dinen.Burime relevante flasin për ate,se ndërsa në Homesh zhvillohej tubimi i krerëve nacionalistë,forca të shumta italiane marshuan drejt Maqellarës dhe pas rreprezaljeve të shumta në popull,bënë shkum e hi,shtëpinë e Fiqri Dines.Ky me të marrë vesht lajmin,në krye të 700 dibranëve,rrethon Maqellarën dhe pas dy ditë luftimesh të rrepta e çliron plotësisht ate.

“Përsa u përket forcave italiane,ato të sulmuara nga forcat dibrane të Fiqri Dines,u detyruan të tërhiqen në lagjen e tyre,në qytetin e Dibrës.Pa humbur kohë komandanti i Divizionit italian, gjenerali Diaz,dërgon me mision në Maqellarë prefektin e Dibrës Mehmet Hoxhën (ky ishte nga Gjakova.Prej një burimi të sigurt është njoftuar se ishte në shërbim të komunizmit serb.Më vonë u emërua ministër në qeverinë federative të titos)Prefekti në fjalë,i garantonte Fiqiri Dines se gjenrali Diaz do t’ia paguante gjthë vlerën e shtëpise në napoleona flori.Fiqiri Dine,i indinjuar për këtë propozim provokues,i thotë të dërguarit të gjeneralit se ai nuk ishte një njeri që mund të blihej me para dhe se nuk do të bëhej kurrë tradhëtar i atdheut”.(L.Radi “Rëfime për Dinejt e Dibrës” fq.46).Edhe në muajt gusht shtator 1943,forcat nacionalsite dibrane,të udhëhequra nga Fiqiri Dine,zhvilluan me sukses disa luftime,kundër divizionit italian të komanduar nga gjenerali Diaz. Ndonëse italianët përdornin rëndom artilerinë e rëndë si edhe teknikën luftarake moderne,nacionalistët duke shfrytëzuar maksimalisht terrenin,të prirë trimërisht prej Fiqiri Dines,në mjaft luftime ngadhnjyen kundër forcave italiane.Lidhur  me aftësitë e larta organizuese të birit të Maqellarës,misionarët anglez do të shkruanin tekstualisht : “Njeriu më i fuqishëm i Dibrës,ishte Fiqiri Dine,dikur pasues i Ahmet Zogut.Fiqiriu kish udhëhequr kryengritjen e famshme dibrane më 1943 dhe kishte dëbuar italianët nga Dibra… Fuqia e tij vinte jo nga numëri i pushkëve,por nga ndikimi i tij,mbi krerët më të mëdhenj,të cilët i admironin cilësitë e tij si burrë shteti.Kudo që shkonin në Dibër,ne ishihnim shenjat e ndikimit të tij të fuqishëm”.( Julian Amery. “Kujtime që nuk shlyhen “ Tiranë – 1995, faqe 104 ).

  Kapitullimi i italisë,solli konfiguracione të reja politike në Shqipëri.Tashmë ishte konturuar një vijë e ashpër demarkacioni midis forcave nacionaliste shqiptare të udhëhequra prej  Ballit Kombëtar dhe forcave partizane komuniste të udhëhqura prej komunistëve të Beogradit.Kjo vijë e ashpër demarkacioni,u shëndrrua në dimërin e egër 1943-1944 në një luftë të dhimbshme vëllavrasëse e cila frymëzohej prej guzhinave të ndyra serbosllavo ruse.Për të vërtetën historike duhet thënë se në fillim të vitit 1944,qeveria angleze pranoi që Hungraia,Rumunia dhe Bullgaria,të hynin në sferën e ndikimeve Sovjetike.Ata tërhoqën misionin e tyre ushtarak edhe nga beogradi,me çrast u kumtuan jugosllavëve se për ta,do të kujdesej Baba Stalini.Ky fatalitet,do të mbështillte më pas edhe tokat shqiptare,kur aty të lulëzonte terrorizmi bollshevik.

  Misioni Anglez në Dibër,i përfaqsuar nga Peter Kamp,që në fillimet e veta të veprimtarisë u bashkua me forcat nacionaliste të udhëhequra nga Fiqiri Dine.Anglezët kërkuan prej Fiqiri Dines që forcat e tij të vireshin në front për të luftuar kundër gjermanëve.E vërteta është se burri i mençur i Maqellarës pranoi këtë ide të anglezëve,vetëm nëse këta do të plotsonin kushtet e tij siç ishin furnizimi me veshëmbathje,armatime e municione të luftëtarëve si edhe zhvillimin e luftimeve larg zonave të banuara ku gjermanët të mos kishin mundësi të kryenin reprezalje në popull apo të digjnin qytetet shqiptare.Peter Kamp,në kujtimet e veta,flet pos të tjerave për vizionin e qartë të Fiqiri Dines i cili rrezikun më të madh për ardhmërinë shqiptare e parashihte tek vendosja e komunizmit dhe jo kalimi i përkohshëm në këto troje i forcave gjermane.Ka vizion,kjo ndjenjë e përgjegjsisë për fatet e vendit të vet,do të bënte që në fillim korrikun e vitit 1944,të pranonte besimin që Këshilli i Naltë i Shqipërisë,i dha,për të drejtuar shtetin shqiptar.Shumë është përfolur në 50 vitet e diktaturës komuniste,kjo përgjegjsi e madhe morale e Fiqri Dines.Shumë lart është hedhur mbi ato ditë kur ndritte si xhevahiri,mendimi nacionalist shqiptar,ai mendim i thellë që buronte prej dëshirës së shqiptarëve,për të jetuar kurdoherë së bashku në trojet e tyre etnike.Më poshtë, do desha t’u jap lexuesve të mij,vetëm disa rreshtat e parë që burri i Maqellarës,trimi i Dibrës,Fiqri Dine,mbajti në ceremonin e marrjes së detyrës së vështirë të kryeministrit shqiptar ;

“Zotnij të ndershëm ! Bashkë me shokët e mij,me të cilët sot kam nderin të paraqitem para Zotnisë suaj,mora përsipër në këto kohra kaq të vështira këtë barrë të rëndë që i shkëlqyeshmi Këshill i Naltë pati besimin e ma bani nderin të ma ngarkoje.

Para se t’u lutem me ma dhanë votëbesimin tuej,me lejoni të parashtroj në vija të përgjithshme,mendimet themelore që do të udhëzojnë veprimet tona në lidhje me mundësitë e dhanuna prej gjendjes së kesaj lufte që gjigandët po zhvillojnë ndërmjet tyre  e që drejtazi apo terthorazi kanë prek thellësisht edhe vendin tonë qoftë në fushën landore apo në ate shpirtërore. Ideali Kombetar mbi gjithshka.

  Mbi gjithshka Zotnij Deputet,qëndron Ideali Kombetar,kombi shqiptar,tanesia etnike shqiptare,vllaznimi shqiptar n’emnin e Atdheut,të rendit publik dhe të përparimit.Është detyrë e gjithsecilit prej nesh dhe e të gjithëve së bashku t’ia pershtasim metodikisht veprimet tona ketij ideali të perbashkët po deshëm t’ shmangemi çdo mosmarveshjeje që ven në rrezik gjendjen tonë të sotme dhe ate të një të nesërme më të bukur e më të shkëlqyeshme që e kemi për detyre e të drejtë ta parashikojmë.E nesërme që për ne asht Shqipëria Etnike,Shqipnia në sherimin e saj nga plagët e rënda shpirtërore e landore,Shqipnia në ndertimin e saj kulturor,shoqënor,ekonomik e financiar mbi themele më të shëndosha e më të sigurta. Tue pas gjithë këtë qëllim,na do t’i qendrojmë besnikë vetes sonë e njeni-tjetrit, e terthorazi do t’i qendrojmë besnik kushteve të shteteve të medha nder luftuese dhe do të jemi korrekt me fqinjët tanë.Gjithashtu,do të mundim te marrim,të pranojmë e të durojmë çdo barrë e çdo therrori qe na paraqitet,të kryejmë çdo veprim e detyrë që te na kërkohet”.

( Gazeta “ Bashkimi i Kombit “ më 21 korrik 1944 ).

  Që në ditët e para të qeverisjes,Fiqiri Dine mori një varg masash me të cilat donte të parandalonte luftën vëllavrasëse midis shqiptarëve të grupuar në dy formacione politike me kahje të kundërt.Në fjalimet,bisedat si edhe urdhërat e dhëna ato ditë,burri i Maqellarës ky antiserbosllav i lindur,u përpoq me çdo kusht të denonconte komunistët serb,për çorbën e hidhur që po gatuanin në Shqipëri.Ai vendosi qëndrime tejet korrekte me gjermanët mandej hyri në bisedime konkrete lidhur me fatet e trevave shqiptare në Kosovë e Maqedoninë perëndimore.Autoritar në vendimet e marra,Fiqiri Dine ka urdhëruar një pjesë të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare,të luftonin në kufijtë etnike shqiptare si kundër serbo-malazezëve,ashtu edhe kundër bullgar e sllavomaqedonasve. Madje një tjetër vlerë e pamohueshme e Fiqri Dines,gjatë periudhës së shkurtër të qeverisjes së tij,ishte pakti antikomunist që ai lidhi me Ismail Golemin në Jug,Abaz Kupin në Shqipërinë Mesme dhe Gjon Marka Gjonin e Preng Previzin në Shqipërinë e Epërme.Mik e bashkëluftëtar i ngushtë i tij mbeti deri në fund edhe Muharrem Bajraktari.Ndonëse lufta vëllavrasëse dukej se po shuhej,këtë gjë nuk mund ta pranonin komunistët.Herë herë,rrugicat e qyteteve kanë qenë mbushur me traktet e tyre duke sharë e fyer burrin e maqellarës i cili duke e kuptuar qëllimin e tyre provokues,nuk ka ndërmarrë asnjë aksion kundër bazave komuniste.Duke parë këtë  qëndrim të matur të nacionalistëve shqiptarë,në ate qerthull të rrezikshëm ngjarjesh,nacionalçlirimtarët  shqiptarë të përzier me serb,nuk kanë vonuar të shpallin luftën deri në vdekje midis shqiptarëve.Në një udhëzim të klikës komuniste të Tiranës pikërisht në gushtin e vitit 1944,është thënë ;

“Të hidhen  menjëherë trakte nga ana e korpusit,e divizioneve,ku përveç tjerave të thuhet edhe kjo,e cila të jetë kryesorja ; Mehdi Frashëri,Lumo Skendo,Ali Këlcyra,Fiqri Dine,Lef Nosi dhe gjithë bashkëpuntorët e tyre kuilinge,janë tradhëtarë të popullit,si të tillë do të shkojnë në gjyq për tradhëti,çdo manovër e tyre dhe e kujdo tjetër do të jetë e kotë.Të gjithë krerët e tjerë do të shkojnë përpara gjyqit…”( Dokumente të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH. Udhëzimi dërguar shtabit të korp armatës I-rë më datë 5-9-1944.Vëllimi II , faqe 145 ).

  Në gushtin e vitit 1944,Stalini pat filluar kundërofensivat e mëdha.Tashmë ai nuk mund të pyeste për milionat e ushtarëve të rënë por kërkonte lavdinë e rrënuar nëpër gërmadhat e qyteteve që digjeshin.Fitoret e bollshevikëve po rrisnin radhët e nacionalçlirimtarëve në krejt Evropën Lindore,popujt e të cilës as nuk mund të imagjinonin,terrorin e kuq,ndarjet e përçarjet,që do të vinin paskëtej.Edhe në trevat shqiptare,ky ogur i zi,do të nderej përmes luftës vëllavrasëse.Tërheqja e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare prej kufijve etnike,mësymja e formacioneve komuniste në Kosovë e Maqedoninë shqiptare,eleminimi i egër fizik që pat nisur ndaj figurave madhore nacionalsite,bënë që Fiqiri Dine të jepte dorëheqjen.E shoh me vend,tju rikujtoj,ato fjalë të mençura,që ky burrë pat thënë shtatë decenie më parë,ndërsa linte postin e kryeministrit shqiptar.

“Shkëlqesa ! Qeveria që kam nderin të kryesoj,ka ardhë me besimin tuaj në fuqi,me një program që në pikat e tij  kryesore  asht  përmbledhë në programin që parashtruam  përpara  parlamentit më 24 korrik 1944.

Sikurse asht në dijeninë e Zotnisë suej,pikat esenciale të ketij programi parashifnin mbrojtjen e tanësisë së kufijve t’Atdheut dhe sigurimin e rendit publik.Per me ia arrijtë ketyre qelimeve Qeveria mbështetesh në fuqitë e armatosura të Shqipnisë,ne vullnetin e mirë të popullit dhe në shpresën e pajtimit shpirtëror të të gjithë shqiptarëve.

Mjerisht,rrethanat e jashtme dhe ngjarjet e trishtueshme të mbrendshme gjatë këtij muaji të veprimtarisë qeveritare,i kanë dhënë qeverisë provën e hidhët se nuk mundet ma të shpresoj me i dal per zot këtyre pikave kryesore të programit të sajë.Fuqitë e armatosura për mbrojtjen e Atdheut,të shkatëruara nga trashëgimitë e pushtimit të huaj,nuk janë e nuk mund të vihen në gjendje për me  e plotsue këtë detyrë.Sigurimi i rendit botëror i rrënuar nga propaganda e jashtme antikombëtare,nga kryengritjet dhe shkatërimet e shkaktueme nga vrasja,nuk mundet ma të vendoset me mjetet qe ka në dispozicion.Qeveria,vullneti i mirë i një pjese të popullit,për qetsimin e shpirtërave e për bashkimin e të gjithë shqiptarëve në këto çaste fatkeqe për Atdheun,ka munguar fare.Para këtyre fakteve Qeveria që kam nderin të kryesoj dhe une vet,nuk mundemi mjerisht të vazhdojmë me mbajt barrën e përgjegjsisë të një gjendjeje që asht shkaktue jashta vullnetit ton e qe asht trashigimi i fatkeqsive,i mosmarveshjeve,i vullnetit të keq dhe i fuqive të huaja qe janë mbi mundesitë tona rregulluese.

  Per te mos i ndalue eventualisht ato fuqi kombëtare që e ndjejnë vendin më të zotit per me shpetue Atdheun nga rreziqet qe po e kercnojn sot e neser,Qeveria ua kthen mandatin qe Shkelqesia e juaj patët mirësinë me nga ngarkue”.                        Me nderime te nalta :

                                                                             KRYEMINISTRI

                                                                            FIQIRI  DINE

(  Gazeta  “ Bashkimi i Kombit “ më datë 29 gusht 1944 , ditë e martë ).

  Pas kësaj tavolina dhe zyra e tij  e punës,do të ishin,Nëntë Malet e Dibrës.Gur më gur e kep mbi kep,në krye të 400 trimave dibranë,pushka e Fiqiri Dines do të këndonte vetëm kundër komunizmit sllavoshqiptar,të kësaj pjelle të urryer.Bashkëpunon me ONDSH si edhe me “Lidhjen e Maleve” dy organizata që mbajtën të ndezur,përmes dhimbjesh të mëdha,shpresën dhe ëndrrën e shqiptarëve për bashkimin e trojeve etnike.Në vitin 1946,së bashku me vëllanë dhe bashkëluftëtarin e vet Dilaverin,le viset e shenjta të vendlindjes për të vazhduar në Botën e Lirë,luftën antikomuniste.Një varg takimesh,me personalitete të huaja,bisedat me ta,na bëjnë me dije se Fiqiri Dine kishte kurdoherë shpresa të mëdha në ardhmërinë e vendit të vet.Ai i gjendur përballë privacioneve të mëdha askurrë nuk u mposht e gjunjëzua,përkundrazi gjente forca të ngrihej duke luftuar për Dibrën dhe Shqipërinë.Fjala e tij zgjonte respekt. Ai do të duartrokitej në Bruksel më 28 nëndorin  e vitit 1959,në festën madhore të flamurit shqiptar,ku pos të tjerave do të kumtonte : “Motra e vllazën : Mbani lart moralin ! Kini kurajo e durim se dita e përmbysjes së komunizmit do të vije,asht vetëm çashtje kohe.Na do ta ngermë lart përsëri flamurin kuq e zi pa shenja të hueja në atdheun tonë”.

( L. Radi , “Rrëfimi për Dinejt e Dibër” faqe 92 ).

  Ndërsa një vit më pas,më 28 nëndor 1960,ndërsa varrosej po në Bruksel,bashkëluftëtari i tij Muharrem Bajraktari në fjalën e lamtumirës për Fiqri Dinen ,do të thoshte se “mbylli sot përgjithmonë,sytë e menduar të tij,dishepulli i Shqipërisë Etnike”.Kështu shkonte një trup i madh i Atdheut tonë Etnik,por mbetet amaneti i tij,në botën shqiptare,ata që Atdheun e vënë mbi gjithshka.

  Së fundmi me këtë rast,shprehi dhe ngushllimet e mia personale dhe mbarë familjes Shehu,për shuarjen e jetës të birit të Fiqri Dines,Xhelal Dines,familjarëve të tij dhe mbarë fisit Dine,si në SHBA ashtu dhe në Shqipëri.(NE FOTO: Nga e majta) – Fiqiri Dine – Preng Pervizi – Muharrem Bajraktari – Hysni Dema)

                                                                                                                                           Bern-Zvicër

Filed Under: Histori, Opinion Tagged With: Eugen Shehu, Fiqiri Dine, Kryeminsitri i 32

ME SHPRESE SE TRUALLI ARBEROR DO TE BEHET NJE NJESI E VETME

December 6, 2012 by dgreca

Pershendetja e Alfons Grishaj* ne Mbremjen Solemne te 100 Vjetorit te Pavaresise/ Michigan

 

Mirëmbrëma juve qytetarë të botës së lirë!

Mirëmbrëma vëllezër dhe motra shqiptarë, bij të rreptë të shqipes dykrenare, simbolit të mosnënshtrimit dhe të mëvetësisë!

100 Vjetorisë i Pavarësisë së Shqipërisë, na gjen ne Shqiptarëve me shpresën dhe besimin se trualli Iliro-arbëror do të bëhet sërish një njësi e vetme, jo se armiqtë tanë shekullorë e pranojnë me dëshirë këtë projekt, por sepse është pjekur ndërgjegja jonë kombëtare, dhe se rruga që kemi zgjedhur është ajo e duhura…

Kësaj here, si komb jemi rreshtuar në anën e drejtë, në anën e lirisë së vërtetë, në linjën e perëndimit, ku bën pjesë dhe atdheu i dytë i shqiptarëve, Amerika…

Sot ne nderojme vlerat kombetare, burrat e mëdhenj që u orientuan drejt në kohë të ndryshme të historisë: Kastriotin e madh, Ismail Qemalin, Luigj Gurakuqin e Dedë Gjo Lulin, Sokol Bacin, Dasho Shkrelin e Prekë Calin, Dom Nikollë Kacorrin e Preng Bib Dodën, Nolin e Konicën, Azem Bejtën e Isa Boletinin, Adem Jasharin e Azem Hajdarin.

Nderojmë të gjithë ata bij e bija që dhanë jetën për çështjen e madhe kombëtare.

Nderojmë shtetin tonë Shqiptar mëse 2500 vjecar, që nga mbreti Bardhyl e deri tek mbreti Zog…

Nderojmë qeveritë shqiptare që nga Ismail Qemali e deri tek Sali Berisha…

Ne e dimë se jemi të cunguar nga ana territoriale, por jo nga ana shpirtërore dhe fizike.

Për të finalizuar aktin final të bashkimit të trojeve shqiptare, përvec faktorit të jashtëm, ne na duhet të jemi sa më tepër relative… sa më pak bajraktarizëm, aq më shumë shqiptarizëm!

Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët kudo në botë!

God bless America!

* Alfons Grishaj ” Pishtar i Demokracise”, Kryetar i Federates Panshqiptare ” Vatra”, Dega Detroit

Filed Under: Opinion Tagged With: alfons Grishaj, ne darkene Vatres, pershendetje

SI MUND TE PERFAQESOHET KOMUNITETI?

December 6, 2012 by dgreca

Në mbarim të meshës së dytë të ditës së dielë, me  3 Dhjetor 2012, në Kishën e Shën Palit, në Rochester Hills, Michigan, Famullitari i kësaj Kishe, Don Fran Kola bëri dy falenderime e dha një mendim në të mirë të komunitetit.

Së pari: “Falenderoj Komisionin e përkujtimit të 100 Vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, i cili që në fillim të punës së tij e deri ditën që u mbarua aktiviteti kurorëzues, me mbrëmjën solemne të datës 25 Nëntor, punoi me përkushtim, që të nderohemi si shqiptarë  të denjë për raste të tilla. Gjithçka shkoi mirë dhe të gjithë ( tri qendrat fetare, të gjitha shoqatat e komunitetit) u aktivizuan për ta kremtuar, ashtu siç ndodhi, me vlerësimin maksimal, deri në përcjelljen e të ftuarit të fundit.”

Pikërisht për këtë, mendoj se  një komision përfaqësues të funksionojë vazhdimisht ne komunitetin tonë, për të gjitha rastet që na paraqiten.

Së dyti: Don Frani falenderoi Zotin dhe Drejtësinë Ndërkombëtare për lirimin nga të gjitha akuzat, të legjendës së gjallë të UÇK-së Ramush Hajradinaj, i cili që kur filloi lufta e deri në fund nuk u largua asnjë ditë nga Kosova.

Për nismën e përfaqësimit të komunitetit, një ditë më vonë u takuam pak minuta me Don Franin, i cili po kthehej nga vizita e një të sëmuri, për të na bërë më të qartë:

“Përfaqësimi i Komunitetit Shqiptar të Michiganit është shumë i nevojshëm,- vijoi sqarimin Don Frani,- pasi për shumë shqetësime që kanë shqiptarët u drejtohen vetëm qendrave fetare,duke kërkuar dokumenta të ndryshme në ndihmë të problemeve të secilit prej  tyre. Të qënit i përfaqësuar sa më mirë, është në të mirë  të çdonjërit prej nesh. Komisioni i këtij rasti e tregoi qartë se sa mirë mund të punohet bashkë dhe, se sa vlerësohet kjo mënyrë pune. Prania dhe mbështetja e shtetit shqiptar ishte që në hapat e parë të  punës së këtij komisioni, ku morën pjesë tri qëndra fetare ( duke u vetëpërjashtuar Imam Shuajb Gerguri me disa pretendime sa për të gjetur shkak), edhe pse Komisioni kishte planifikuar aktivitete edhe ne  Xhami. Ky komision, me ndonjë shtesë, mund të jetë një përfaqësim i përhershëm i këtij komuniteti tepër vital..”

Gjatë vazhdimit të bisedës për  çeshtje teknike te funksionimit, Don Frani mendon se në komision duhet të jenë vetëm përsona përfaqësues dhe, në ndonjë përjashtim të rrallë mund të jetë  ndonjë përsonalitet, që ka pasur histori përfaqësimi.

Komisioni mund të projektoi aktivitete dhe takimet e tij me përfaqësues të shtetit shqiptar, të Kosoves dhe shtetin Amerikan në nivele të ndryshme, të rekordoi takime me kongresmenë e senatorë, veçanërisht në raste zgjedhjesh. Institucionet shtetrore kanë një adresë për t’iu drejtuar këtij komuniteti deri para ketij jubilue jetim, ose me përfaqësim të parcelizuar.

Ashtu si erdhi propozimi i Don Franit për  festimin e këtij përvjetori, tani na vjen një propozim funksional në nivel përfaqësimi, i cili me një kujdes të posaçëm mund të bëjë shumë aktivitete, duke e organizuar e drejtuar jetën e  komunitetit drejt vizioneve të reja edhe  per brezat që povijnë, që sa më shumë ta ruajn shqiptarinë brenda vetes së tyre.

Pjeter Jaku

Filed Under: Opinion Tagged With: Don Frani, Komuniteti, Pjeter Jaku, Si mund, te perfaqesohet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 853
  • 854
  • 855
  • 856
  • 857
  • …
  • 864
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Pak çaste me Edi Pashkon pas Koncertit në Carnegie Hall
  • Gazeta “Dielli” krijuesit dhe roli i saj i madh kombëtar në fillimet e saj
  • Roli i SHBA‑së në ruajtjen e rendit global
  • BRANKO MANOILOVSKI E THA NË ÇIKAGO: JAM SHQIPTAR!
  • Plisi i Bardhë si Simbol i Identitetit dhe Vazhdueshmërisë Kulturore Shqiptare
  • “Narhelmi – Fshati piktoresk i bashkëjetesës”
  • EDITORI I DIELLIT BAHRI OMARI, PJESË E HISTORISË SË VATRËS DHE SHQIPTARËVE TË AMERIKËS
  • Tomor Dosti, in memoriam…
  • AAGA do të realizojë një studim epidemiologjik mbi kancerin kolorektal në Shqipëri
  • NJË RRËFIM SHUMËDIMENSIONAL PËR HISTORINË E PËRPJEKJEVE SHQIPTARE PËR ÇLIRIMIN DHE KRIJIMIN E SHTETIT TË KOSOVËS, PËRMES AKTIVITETIT PATRIOTIK TË FEDERATËS PANSHQIPTARE “VATRA” DHE GAZETËS “DIELLI”
  • The Western Balkans and the Global Power Competition: Strategic Choices in the Era of U.S.-China – Russia Rivalry
  • Miti i Tryezës së Rrumbullakët dhe Besëlidhja e Lezhës
  • PA U DISTANCUAR NGA E KALUARA, NUK FITOHET BESIMI I SË ARDHMES
  • ADEM JASHARI – KOMANDANTI I PËRJETSHËM I LIRISË SË KOSOVËS
  • 80 VJET NGA PUSHKATIMI I ATË ANTON HARAPIT, NJË GJYQ MES DREJTËSISË DHE PROPAGANDËS

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT