• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Promovim veprash të gjenocidit serb mbi shqiptarët!

October 4, 2022 by s p

Shkruan: Nusret Pllana/

Mbrëmë në Vienë, u promovua libri i xhepit MOS HARRO KURRË – VERGISS NIEMALS, i autorëve: Nusret Pllana e Agim Aliçkaj, përkthyer në gjermanisht nga Arlinda F. Çitaku.

Në këtë ngjarje kulturore e shkencore u promovua edhe filmi dokumentar DËSHMITË E HESHTURA, i përkthyer me titra anglisht, i autorit N.Pllana, film ky, që i kushtohet gjenocidit serb në Krushën e Madhe të Komunës së Rahovecit, kur më 25 mars 1999, ushtria dhe policia gjakatare serbe i vrasin 243   shqiptarë duarthatë të këtij fshati, vetëm e vetëm pse ishin shqiptarë, në mesin e të cilëve, sot e 23 vite më parë, 63 janë ende të pagjetur, ndër ta edhe Heroi i kombit Mr.sc. Ukshin Hoti.

Përveç shumë bashkëatdhetarëve tanë nga Austria e Gjermania, na nderoi me prezencën e tij, edhe poeti i ri, Bear Berisha, djali i heroit të kombit Xhevat Berisha, ndërkaq morën pjesë aktive dhe e vlerësuan lartë këtë vepër publicistike e dokumentare edhe Ambasadori i Republikës së Kosovës në Vienë, z. Lulzim Pllana dhe shkrimtari e dramaturgu nga Shkodra, Mag.Prof. Gjergj Jozef Kola, me banim në Vienë.

Autorët: N.Pllana e Agim Aliçkaj, i falënderojnë të gjithë të pranishmit për kontributin e tyre në këtë manifestim kulturor, e në veçanti organizatorin dhe moderatorin, z. Nikollë Gjini – këngëtarin e mirënjohur shqiptar nga Prizreni.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Nusret pllana

PLIS! KURORË PERËNDIE – POEZI NGA KADRI TARELLI

September 15, 2022 by s p

PLIS! KURORË PERËNDIE!

Bora zbardh çdo majë lisi,

Rrënjë thellë në Dardani.

Mbi çdo krye zbardhon plisi,

Dhuratë zotash për shqiptari.

Plis, kur lërohet e mbillet toka,

Për ilirët, strehë, shtresë e qiell,

Me plis, mbi plis, mbështetet koka,

Ante Pellazg, puth yje, hënë e diell.

Majë shkëmbi, majë guri,

Ku shqiponja ngre fole

Plis i bardhë mbi krye burri,

i bën bashkë për komb e dhe.

Kuvend burrash shtrohet plisi,

Zbardhon mali nën flamur.

Një kushtrim, Në këmbë fisi,

Kala guri përmbi gur.

Të djeg lufta të skuq gjaku, 

Trimat shkrepin si rrufe!

Lufton djali, ngrihet plaku,

Jeta s’vlen pa mëmëdhe.

Plis, kurorë perëndie!

Shenjtëruar në stuhi,

Simbol paqe, dashurie,

Shekujt tutje, ti prap i ri!

PAJTIM! FRYMË ATDHETARIE!

Pse e huaj ndër shqiptarë, fjala pajtim?

Shqip folur e shkruar, na përkund fare pak.

Çirremi, godasim, vrasim, plot zemërim,

Arsyeja hesht, mosdashja vendos lak.

Pajtimi lyp forcë, besë dhe bajrak.

Gumëzhin në vesh, vjen si fjalë e rrallë.

Gjuha rrotullohet, buza kullon gjak,

Kur tjetrit i thyejmë dhëmb e dhëmballë.

Na trazon politika, kjo bushtër tinëzare,

E ndan një popull në parti dhe fe.

Këmbëkryq me hasmin ulet e bën pazare,

S’pyet për komb, shet nder e atdhe.

Fryma e pajtimit, ka mbetur në kërkim!

Arratisur nga vatrat tona, kohë më parë.

Gërshëra e mallkimit, na preu pa ngurrim.

Mes vetes grindje! Trojet arbërore ndarë.

Rilindasit dikur, shenjtorë të mëmëdheut,

Me penë e pushkë, na thërrasin përsëri.

Tok mblidhuni rreth zjarrit të Prometeut,

Flaka e pajtimit të ndizet, për shqiptari.

KU TA GJEJ TË SERTËN FJALË?

Ku ta gjej të sertën fjalë?

Më thoni ku ta gjej?

Pres trazuar, si det plot valë,

Ta ngjesh në shkrim e ta pëlqej,

Si gozhdë kovaçi, në varg ta mbërthej.

Ku ta gjej një fjalë? Ju pyes!

Me peshë e me shumë mend.

Ta ve në krye vatre, në sofër e kuvend.

Të keqen ta rrah burrash, sa ta vdes,

Të mirës që dhemb, t’i bëj pakëz vend.

Ku ta gjej një fjalë,

Të urtë, të ëmbël si mjaltë?

Si pishtar ta mbaj në dorë, në ballë,

Të ndriçoj natën dhe ditën e nxirë. 

Fushës e malit, shkujdesur të bredh i lirë, 

Në  dheun tim të lashtë, të qullur të ngrirë,

Shpresën e humbur ta ngroh, ta mbaj gjallë.

S’ka gjë, se këmbët më zhyten në baltë.  

Por fjalën e baltosur, s’e dua, s’e pranoj,

Druhem se firmos ndëshkimin tim.

Më dëgjon ç’ them? Ç’ thua të dëgjoj!

Mendje e ndritur të larton, të bën edhe trim,

Fjala e lëshuar, mbetet shigjetë pa kthim.

E përbuz fjalën e sheqerosur,

Për servilin, pasuri mbi pasuri.

E lakmoj edhe fjalën e marrosur,

Që godet e shemb çdo padrejtësi.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Kadri Tarelli

PO TË RRËFEHEM TY ATDHE / Poezi nga Zyrafete Kryeziu-Manaj

September 8, 2022 by s p

PO TË RRËFEHEM TY ATDHE

Sot po vij tek ti me hapa të lodhun

Atdhe,

veq ruajma besën e shekujve

Se do të ma kthesh sofrën e ngrohtë

me pogaqe prushi.

Sot po vij tek ti atdhe me shpresat e mëdha

se e mira do të na ndritë ballin ty e mua,

se eshrat po na kërcasin nga të

zanunit ngusht, nga dertet e hallet.

Po vi tek ti me i vra dhimbjet Atdhe,

e me ngjy piken e lotit deri në tharje,

me ja hap rrugën dritës së diellit

e me ngrohë pak shpirtin 

e mërdhirë nga ditët e rënda që i

përcollëm me humbje.

Atdhe ngrohma ballin pash

gjakun e dëshmorëve,

dhe shtroma sofrën pa hile, 

me agun e stineve te gjelbrume, 

e me barin e njomë të njomësohemi.

Ah bre atdheu im sa përmallshëm

po nisem kah ti!

veq shpresa po me mban se do

te bëhet mirë.

S’I MET FOLË SOT

(Nënës time)

Me cilën fjalë me nis ditën për ty
E yjet që të bëjnë roje
Çka t’ju them?
Brinjët mi numroje pas hileve të turturave
Me ofsham flisje
E ngrehje cepin e buzëve
Thoje,
Lirija nganjëher dhemb,
dhemb oj bijë.
Nën palët e shpirtit
E fshihje merzinë
A të kujtohet nënë…?!
Kur në dhe të huaj hapnim varrë
Për loqkën tënde
Që mbeti anve të botës
Pa mujt me ardh bri teje,
Ti matëshe kohën me akrepin e orës mbrapsht,
Doje me u kthy në kujtime,
Atëhere kur rreth oxhakut na grumbulloje,
E ne ngroheshim nga dy palë zjarre
Ate të zemrës sate
Dhe me prushin në oxhak…!
Ma thuaj nënë
Me cilën fjalë ta bekojë zotin
Që m’fali bijën tënde,
Dhe kurr s’më trembi jeta
U mësova nga forca jote.
Kur dhimbjet t’i shponin brinjët…
Ti prap thoje
Ka edhe ma zi
Forca, bija ime forca, mos të na vrajnë ligësit.
A e din bre nënë
Se rrënja e pragut u varfrue pa fjalën tënde
E oborri se ka rritën e diellin tëndë…
O zot falëm, falëm..
Se sot veç malli më flet.

PËRDITË JAM GRUE

Në lëkurën time e të saj ndeshet koha lakuriq 
se me lotët e tronditura e shamikuqen mbyllasysh
këndohej kënga e vajit. 
Motet rrokullisen duke përbuzur qenien time e të saj 
e rrënjën ia përbuzin me fjalët gri.
A ndoshta veç pse e shtyjnë të bëhet preh gjahu,
E liga thyer historish me ligjerata të përditshme 
për ta bërë copë unin e saj prej çike. 
Se nga sot pragu i ri nuk është yti. 
Unë tash jam grua përditë, edhe kur ringjall jetën
apo kur gurohem amanetesh 
edhe kur netëve pa hënë u bëjë roje 
vetëm që mos shterojnë burimet, 
e gjogut të bardhë
ia kreh jelat e besës, 
se veç kështu e rriti emrin grua
Kanunit ia thyej rreshtat.
Rob shtëpie të mos më thërrasin më!

PO FLAS ME TY

Po të mundi kohë e vdekur
Bija im
Je dromcë e harruar kohësh
Dhe zingjir që ndryshku bëhet me pëllëmbë…
Koha e vdekur e jeta bashkë
Punojnë në të kundërtën e gravitetit
Dije mirë
Se nuancat e hija nuk shkojnë bashkë…
Po tu vesh kohë e vdekur
Grise, grise, munde
Se ditët të kthehën në zhubravitje orësh
E hiqi lëshon rrenjë, e gris paqën
e shpirtit tënd…
Vraje kohën e vdekur
Shoqe mos u bënë me te
As mos pi ujë nga buzët e saj se e vdekura kohë
Të vdes dhe ty 
po sdite me e hjek nga loçka e zemrës sate.

ELEGJI PËR TIM VËLLA

Ti pash rrudhat e ballit

që haheshin me kohën, 

kur zunë e ta mbyllën derën e shkollës, 

e ta vranë dëshirën e mbjellur moteve, 

 or vëlla.

– Po lisat nuk thyhen dot!- sa herë e thoje këtë. 

Se rrënja e rrënjës thellë e ka shtrëngu dheun e lokës, 

atë dhe ku koka s’pari të ra, 

e këtë tokë, që jorgan i eshtrave tu bë. 

Brenda zemrës sate pushoi dhimbja, 

ajo dhimbje- për ditarin e notave peng.

Për Arbërin, që i premtove ta vlerësoje 

në hartimin e fundit në vjeshtë, 

e Besës ia harrove notën, peng ia le. 

-Po kthehu o bac e mbylli notat, 

se të presin cicërimat e zogjve

korridoreve të shkollës!

Të asaj shkolle, që dryrin e armikut e hoqe duke e thyer.

-Lisat nuk rrëzohen leht, 

ti e the vetë frazën e përditshme,

në lojën hileqare kur ta ngriste UDB-ja. 

Sa herë u thoje: 

-Vendi ka zot!

ata tokën ndër këmbë ta dogjën, 

se të tyrin s’të bërën dot.

Po ani fli tash, fli, 

se themelet e lirisë së atdheut t’ u bënë shtrat, 

e koka jote mbështetun në krah shqiponje. 

Të atij flamuri, që e valvite si fëmijë. 

Që atëherë bac, 

ta nguli dhëmbin kuçedra sllave, 

por s’të rrëzoi dot…

Lisat nuk rrëzohen lehtë edhe nëse lakohen, 

rrënjët i ngulitin thellë në tokë,

Tash fli, se gjumi i përjetësisë të bënë mirë.

Notat të mbesin kod në histori.

Fli baci im në të amshueshmin dhe, 

që tu bë jorgan i trupit tënd 

dhe bajrak që valon lirshëm në gjoksin tënd.

PRAPA MË VINTE AHU I FRYMËS SATE

Kur putha dashurinë u deha
e prapa më vinte ahu i frymës sate
unë tërhiqja aromën dhe e futnja në valvulat e zemrës
ta ruaja si pajën e vashave

U deha me at’ erë trupi, 

u njoma si shelnje në pranëverë
në shtratin e dashurisë u deha
ringjallje si me langun elikzir

DHE NGA ATDHEU

Në strajcën t’ime të kozmetikës

Buzëkuq nuk ka,

Nuk ka as lapës për sy

As tush të zi çërpikësh

As parfum Parisi.

Për këtë

Ç’do të thonë zonjat “madam”…?!

Unë u them

Po ka dhe nga atdheu

Që e bart pas

Kahdo që endi trupin tim.

Me mungon dhe pallto e dimrit

Trikoja e trashë me lesh delesh

Çorapet

Ato kur nëna m’i dha ditën e arrestimit.

Ah…! edhe ato më mungojnë

Por s’ka gjë

Nuk ka jo,

Se strajca e mbushur me dhe nga atdheu

Palcë dhe shpirt m’i ngrohë.

Në strajcën t’ime të kozmetikës

Nuk ka pudër nga Stambolli,

Nuk ka as medaljon ari

As brushë e pincet vetullash,

Por aty ka një grusht dhe nga atdheu

Që njom shpirtin

Dhe ngrohë ashtin në ditë acari…

Ai grusht dhe nga atdheu.

Filed Under: Sofra Poetike

Zonja me perla – Poezi nga Lulëzime Malaj

September 2, 2022 by s p

Zonja me perla

Dehje dallge – buzëqeshja e saj,

Fërfërim’ e flokëve – fushë me grurë,

Krahë që imitojnë përqafime fluture,

Që pres të kthehen e s’mbritën kurrë!

Ajo s’mbante në qafë bizhu të çmuar,

Sytë blu i kish përmbytur krejt perla!

Misteret dhe magjin e saj enigmatike,

I ngarkojn’ marinarët anijeve në skela!

Po s’di nga cila galaktikë ajo u arratis,

Ra tek unë rastësisht apo erdhi vet’?

O Zot, po pse m’dha puthje t’Nefertitit…

Dhe më detyron të rrëkëllej një det!?

Spirancë e fundosur tani heshtje saj,

Po unë si guask’ mos kam vdekur vetë?!

Mjafton të shoh një anije në horizont,

T’gjallërohem, që kjo s’është e vërtetë!

Po ti një ëndërr, rrëmbeja Luther King

E dashur, shtroje krejt urë përmbi det,

Pastaj, në djall le t’ikin vitet e vetmisë,

Dhe e gjithë bota le të ik në dreq!

S’po ngazëllehem se larg feks një vel,

Që ngjet me udhëtimin tipik surreal,

Në ritualin e përditshëm pres zonjën,

Me perla, me mjekrën time të bardh’!

****************************************************

Letër nga New York-u

Mbi rrasën e pusit pran’ shtëpisë,

ulur rri e mendoj;

për kujtimet e fëmijërisë,

që m’trokasin fort’ në portë.

Ç’rastësi!

Një mesazh në celular më befasoi,

vjen nga im kushëri,

që banon në New York!

A e mban mend motër, më thotë;

– Kur ishim fëmijë,

kur luanim me porta,

me topin tonë prej lecke?!

Sa herë ti më bëje hile

në gjuajtje penalltije,

edhe hëna mërzitej

e ndukte faqet si rrecka!

Kur gjarpëronte

makina – postë tej në xhadetë,

në barkun e saj të bardhë,

zienin; lajme, mall,

derdheshin n’ato letra;

hallet, brengat, dashuritë,

ne e ndiqnim me sy,

atje, rrëz’ një pllaje në mal!

Kur ngjiteshim,

ndër degët e manit në avlli,

me gjethe na puthte

në gushë e faqe!

A e di? Për ato perëndime

t’purpurta m’ka marr malli,

për të bukurat vashëza,

që binin erë manushaqe!

A të kujtohet motër,

kur laheshim te gjoli,

dhe një ditë mendova

t’i bija me not n’bregun tjetër?

Porse në mes të gjolit,

shkuma më doli,

ndërsa ti qeshje,

perëndimi digjte shallin e vjetër!

Këtu më zihet fryma,

nga rrëmuja molisëse…

Rrokaqiejt,

pronësojnë kaltërsirën an’ e kënd.

Për aty m’rri mendja,

nën kuben e drurëve në harlisje,

pezull si mjegull e tejdukshme,

e avullt, e ergjendtë…!

************************************************

Kam parë heshtje…

Kam parë heshtje dramatike me britma,

Derdhur në kanavacë, në një kryevepër!

E kam parë në një shtëpi të braktisur;

Memece dhe maskuar syrin e verbër!

Heshtja ime i ngjet një melodram-e,

Nga të qeshurat, brinjët lidh me shall,

Pastaj rebelohet, i bie me grusht ajrit,

Dhe duket, sikur më çon në djall!

Ndodh, që heshtja rri tek unë mërzitur,

Lamtumirën më lë, ngritur dorën shtizë!

Por në muzg, kthehet sërish tek unë,

Ka pasaportë, po nuk ka vizë!

Ajo seç ka ca gjëra të çuditshme, etruske;

Sytë e saj të dashur me kod i deshifroj

Me të qeshurat e saj, ndërtoj mëngjeset

Dhe gjithë botën, ndërtoj!

Unë gëzohem, kur ju shoh kaq të heshtur,

Në heshtje rrin’ dhe yj’t e ndrijn’ një botë,

Kësaj bote të heshtur që lëngon në borë,

I falni dashuri dhe klimë të ngrohtë!

Kam parë heshtje dramatike me britma,

Derdhur në kanavacë, në një kryevepër!

E kam parë në një shtëpi të braktisur;

Memece, dhe maskuar syrin e verbër!

*****************************************************

Casa di Giulietta

Mëngjesi më çoi në shtëpinë e Zhuljetës,

Muret, rëndojnë nga letrat: – Të dashuroj!..

Me to unë poeti, mund të ndërtoj mijëra libra

Dhe mijëra librari mund të ndërtoj!

Në oborr kumbonin vringëllima shpatash,

Romeo, dashurinë e marrë e kish bër’ litar,

Dhe kacavirrej në ballkon si Robinsoni,

U çmendën yjet, kush të ik më parë!

Po se po dhe hëna, krejt jeshil u fsheh,

Në një çast tragjik u mbytën serenadat,

Befas, Zhuljeta e përqafoi me ato krahë,

Të rën’ nga qielli, si prelude të kristalta!

Derën, ma hapi Zoti Uiliam Shekspir,

Natyrisht, në studio do e gjeja gjithsesi;

Tok me Hamletin dhe kafkën e të atit,

A mund të mendohet Shekspir pa tragjedi?!

Hyra në dhomën – marroke të Zhuljetës,

Atje, në fund të shtratit me harqe – gotike,

Këmish’ e natës dukej ende e ngrohtë,

Përzier me aroma lulesh ekzotike!

Ika në panik, se Shekspiri nuk të kursen,

Po sikur t’i ngjasoja me personazh të vet?!

Dhe vendoste, të më vrisnin Montague-t

A ndoshta, të fisit Capulet?!

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: lulezime malaj

Nana Terezë / Poezi nga Alfons Grishaj

August 29, 2022 by s p

Nana Terezë

Nan e nanave midis dy shekujsh

Shpirt’ i shpirtnave të katakobëve

Dishepull besnike Apostujsh

Mburojë e varfnisë së kombeve.

Shejtnesh e gjallë në qiell

Shejtnesh e gjallë në tokë

Dashnin e Zotit zgjodhe vel

Kryqin e naltsum t’ Krishtit shok.

Dikur të shau tirania

Tash lëvdohen me emrin tand

Hijemadhe dhe e dritshme hyjnia

Mbulesë ozoni anë e kand.

Nan , lutu për tan hipokritët

Q’ emrin tand stampun n’ filxhana

Orendi, tue shkallmue ritet

Tregtaruc ,rrugaça e mjerana .

Buz tok’s ka me u shfaq Jupiter

Hana ka me vrapu larg…larg

Dheu i çam dhe uji shterr

Soji i njeriut lebetit zharg.

Në vaj ka me kenë alemi

Se kombet pa Babel vajmedet

Te fundmin fluturim Zgalemi

Ka me e ba mbi nji lug det !

Me Abrahamin e Krishtin

Ke me u ul mbi dheun tue u tret

E ke me ia pshtue shqipes fisin

Në tokën e re ma t’ fortin shtet !

Sirena e Grand Kanal (Venecia)

Gjarpërova në Grand Kanal

Me një “lundërtar” në sanall

Buzë molos rruzulluar

Dy sy qielli , flokë flauruar .

Trup skalitur si drenushë,

Plot jetë siç laureshë

Hedh vështrimin e adorë

Dhe valvit të bukrën dorë.

E pyes unë “lundërtarë”:

“A e sheh vashën rreze arë?”

Dhe tek e pyes për perrinë

Ajo kthehet në gjeraqinë!

Kthej kokën prapa në varkë

Asnjeri , por veç një arkë …

Fërkoj sytë si ëndërrimtar.

Si eter avulloi “lundërtar”!

Sërish arka dhe dy rrema ,

Mugëtirë …trokth rreh zemra :

“Ku shkoi nimfa e “lundërtari” ?”

Shurdhu vala, verbu fari!

Çapëloj t’ hap arkën e trishtë…

Prej nga del çupë e fildishtë

Si Houdini qesh Sirena

Lundërtarja tok me rrema…

Prag vjeshte

Janë larguar ca të mirë

N’ dimencionin e pavdirë

Dhe të tjerë që janë përreth

Ca në vreshtë dhe ca në gjeth.

Se të moçmit thon’, “Gusht e gunë”

Mund t’ ketë breshër , fortunë…

Vreshtari vjel të bekuarin rrush

Verë për dimër , dru për prush.

Si çdo vit kështu vjen √jeshtë

Puth det , livadh e kreshtë

Çdo barishte që çngjyros tokë

Fije argjendi mbi tonën kokë.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: alfons Grishaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 19
  • 20
  • 21
  • 22
  • 23
  • …
  • 134
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Ekzistenca e kombit shqiptar varet nga ekzistenca e kombit amerikan
  • Flamuri Shqiptar: Nga Emblemë Perandorake në Identitet Kombëtar
  • ATHANAS GEGAJ VEPRIMTAR DHE STUDIUES SHQIPTAR NË AMERIKË  I SHQUAR PËR ROLIN E TIJ NË ÇËSHTJEN KOMBËTARE 
  • DR. ATHANAS GEGAJ, EDITORI I DIELLIT DHE SEKRETARI I VATRËS U PËRKUJTUA NË NEW YORK
  • Ismail Qemali në gazetën franceze “Le Bloc”
  • Grupi artistik shqiptar “Albanian Eagles Dance” përformoi në “ArtFest Fort Myers” në Florida
  • INSTITUCIONALIZIMI I BARAZISË SË SHQIPTARËVE – NGA MARRËVESHJA POLITIKE TE GARANCIA JURIDIKE
  • ALBANIAN HERITAGE BOOKSHELF INITIATIVE
  • Stuhitë “Bomb Cyclone”: Kur natyra teston kufijtë e shoqërisë moderne
  • Dr. Athanas Gegaj, editori i Diellit dhe sekretari i Vatrës përkujtohet në New York
  • SHQIPJA – GJUHË E MADHE E NJË POPULLI TË VOGËL, POR TË LASHTË E RRËNJETHELLË NË TROJET E VETA
  • Një vulë, një zarf, një epokë…
  • 20 Shkurti i 35 viteve më parë…
  • Mohimi i krimeve shpërfaqet si vazhdimësi e vetë krimeve
  • GJUHA AMTARE, NJË PJESË THELBËSORE E IDENTITETIT DHE TRASHËGIMISË SONË KULTURORE

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT