• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

TË JETOJMË SI VËLLEZËR OSE DO VDESIM SI BUDALLENJ….

January 18, 2018 by dgreca

1 Luter King Jr.

Martin Luther King: “DUHET TË MËSOJMË TË JETOJMË SË BASHKU SI VËLLËZËR  OSE DO VDESIM TË GJITHË SI BUDALLENJ”/

1-frank-300x212

Nga Frank Shkreli/

Të hënën që kaloi, në Shtetet e Bashkuara u shënua dita kushtuar Martin Luther King-ut, predikatorit protestan, aktivistit dhe udhëheqsit të lëvizjes së të drejtave civile në Amerikë, nga viti 1954 e deri më 1968.  Është kjo një festë federale që shënohet çdo vit anë e mbanë Shteteve të Bashkuara, të hënën e tretë të Janarit, e që përkon me ditëlinjen e tij më 15 të këtij muaji.  Martin Luther King-u njihet në historinë amerikane dhe botërore për rolin e tij paqësor në avancimin e të drejtave civile dhe të drejtave bazë të njeriut duke përdorur taktika dhe mjete paqësore, përfshirë mosbindjen civile, bazuar në besimin e tij të krishterë dhe frymëzuar nga aktivizmi i padhunë i Mahatma Gandhit.  Për veprimtarinë e tij paqësore, në mbështetje të drejtave civile për afrikano-amerikanët, gjatë 50-ave dhe 60-ave, atij iu akordua Çmimi Nobel për Paqë, duke u bërë kështu personi më i ri që mori këtë çmim prestigjoz ndërkombëtar, në vititn 1964.

Dita kushtuar Dr. Martin Luther King-ut është një festë dhe ditë pushimi për shumicën e amerikanëve, ashtu siç janë edhe festat e tjera federale dedikuar presidentëve të Amerikës ose datave kyçe të historisë amerikane, siç është Dita e Pavarësisë.  Sidomos në këtë ditë, media të ndryshme amerikane, përfshirë stacionet televizive, me këtë rast, kujtuan këtë burrë të madh duke i sjellur   publikut fjalime dhe citime frymëzuese të këtij personaliteti të historisë së Shteteve të Bashkuara.  Citimet dhe fjalimet e tija, megjithëse shqiptuar gjysëm shekulli më parë, tingëllojnë edhe sot gjithnjë aktuale, profetike, për të mos thënë biblike, jo vetëm për aktualitetin politik dhe shoqëror në Amerikë sot, por janë reflektuese edhe për situate të popujve kudo në botë, pasi ai fliste për vlera dhe të drejta universale të përbashkëta për çdo individ dhe për të gjithë popujt kudo, pa marrë parasyshë, racën, fenë ose origjinën etnike.

Njëri prej fjalimeve me rëndësi, por që ndoshta nuk tërheq aq shumë vëmendjen si fjalimet e tjera historike të njohura të tija jo vetëm për nga përmbajtja por edhe për nga oratoria e udhëheqsit të të drejtave civile — ishte fjalimi i Martin Luther King-ut mbajtur në Katedralën Kombëtare në Uashington në mars të vitit 1968, para se të vritej në prill të vitit 1968.

Duke folur për atë që e ka quajtur si “revolucioni i madh teknologjik”, si edhe për “revolucionin në fushën e të drejtave të njeriut”, me shpërthimin e lirisë në botë ai ka thënë se, “Kurdoherë që diçka e re ndodhë në histori, sjellë me vete sfida dhe mundësi të reja…Për t’u përballur me këto sfida, ne duhet të kemi një persepktivë botërore.   Asnjë person nuk mund të jetojë vetëm, asnjë komb nuk mund të ekzistojë i vetëm.  Kushdo që mendon se mund të jetojë i izoluar nga bota, ai është duke fjetur gjatë gjithë kohës së revolucionit modern.  Bota në të cilën jetojmë është, gjeografikisht, një botë. Sfida, pra me të cilën përballemi është që t’a bëjmë botën një, në kuptimin e vëllazërimit” dhe bashkpunimit, ka thënë Dr. King-u në fjalimin e mbajtur në Katedralën Kombëtare në Uashington në vititn 1968.

Dr. Luther King ka thënë me atë rast se është e vërtetë se identiteti ose njësimi gjeografik i kësaj periudhe historike për njerëzimin ka ndodhur pikërisht për arsye të shpikjeve shkencore dhe teknologjike të njeriut modern.  Nepërmjet zbulimeve shkencore dhe teknologjike, njeriu modern ka bërë të mundur pothuaj zhdukjen e largësive gjeografike, gjë që na tregon se, “bota në të vërtetë është një fqinjësi, një mahallë.”  

“Nepërmjet gjeniut tonë shkencor e teknologjik kemi krijuar një botë të afërt, të një fqinjësie të mirë me njëri tjetrit, por fatkeqsisht nuk kemi treguar angazhimin etik e moral që nga kjo fqinjësi të krijojmë një vëllazërim.  Por duam, a nuk duam, jemi të detyruar që të bëjmë një gjë të tillë, ashtuqë që të krijojmë në vëllazërim dhe bashkpunim me njëri tjetrin për të mirën e përbashkët.  Duhet të mësojmë të jetojmë me njëri tjetrin si vëllëzër ose për ndryshe do të vdesim të gjithë si budallenj”, është shprehur ai.  “Të gjithë jemi të lidhur me njëri tjetrin, kemi të njëjtin fat të përbashkët dhe “Çdo gjë që afekton njëri prej nesh drejtë për së drejti — indirekt, na prekë të gjithëve” duam e s’duam, ka thënë Martin Luther King. 

Ai kishte cituar, poetin dhe klerikun anglez të gjysëm shekullit të 19-të, Xhon Donne,I  cili ka thënë se, “Asnjë individ nuk është dhe nuk mund të jetë një ishull në vetvete.  Çdo person është pjesë e këtij kontinenti…”   Ndërkaq,  duke folur për problemet e Amerikës të periudhës që ai jetoi, sidomos për trajtimin e keq të afrikano-amerikanëve nga shoqëria e atëhershme,  Martin Luther King ka cilësuar padrejtësitë raciale të atëhershme si “një barrë e afrikano-amerikanëve dhe si një turp i të bardhëve.”  Ai ka folur për argumentat e disa personave të periudhës së tij  të cilët thonin se problemet nuk mund të zgjidheshin menjëherë, se duhej kohë, se koha në të vëtetë, do të shëronte të gjitha plagët.  “Koha”, ka thënë ish-udhëheqsi i të drejtave civile në Amerikë, “është një mit e ky mit është se koha është neutrale, se ajo mund të përdoret për qëllime konstruktive dhe për të qëllime shkatërruese.”  Forcat e errëta, ka theksuar ai, e kanë përdorur më efektivisht se forcat e vullnetit të mire, justifikimin se koha do i sherojë të gjitha problemet.  Koha do ta tregojë, ka thënë ai, se “Do të duhet që ky brez, eventualisht, të pendohet për të bëmat e forcave të errëta dhe jo vetëm për fjalët dhe veprat e dhunës së tyre, por edhe për heshtjen e tmershme dhe për qëndrimet indiferente të njerëzve vullnet mirë e të cilët rrinë duarkryq” përballë problemeve me të cilat ballafqoset një shoqëri, duke u shprehur, “Prit se koha do t’i zgjidhë”.

Martin Luther King në fjalimin e tij në Uashington në mars të vitit 1968 ka thënë se asgjë në histori nuk ndodhë vet-vetiu.  “Por, ngjarjet ndodhin si përfundim i përpjekjeve të vazhdueshme dhe punës së palodhëshme të individëve të dedikuar ndaj kauzave të drejta e të cilët janë të gatëshëm të jenë edhe bashkpuntorë të Perendisë.  Pa një punë të rëndë dhe pa përpjekje të vazhdueshme, koha në vet-vete, bëhet aleate e ngushtë e forcave primitive të stagnimit shoqëror, është shprehur ai.  Koha për të vepruar është tani. “Kështuqë duhet të jemi bashkpuntorë të kohës dhe të jemi të vetdijshëm se koha është gjithmonë e përshtatëshme për të bërë mirë, për të bërë atë që duhet bërë”, për të mirën e përbashkët.

Mesazhi i Martin Luther King-ut 50- vjet më parë ashtu si dhe sot është “vëllazërimi” dhe “bashkpunimi” midis forcave vullnet mira, në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, me qëllim për të zhdukur  problemet e shoqërive moderne, siç janë respekti për jetën e njeriut, liria dhe drejtësia e barbartë për të gjithë, zhdukja e varfërisë, diskriminimit dhe probleme të tjera shoqërore – të cilat megjithë arritjet e shkencës dhe të teknologjisë moderne – nuk mund të zgjidhen pa “vëllazërim” e  bashkpunim me njëri tjetrin, sipas Martin Luther King-ut, pasi asnjë njeri nuk është ishull në vetvete.  “Nëqoftse njeriu nuk ka punë as të ardhura, ai nga ana tjetër nuk ka as jetë, as liri, as mundësinë për të qenë i kënaqur”.  Duke njoftuar protesta paqësore kundër diskriminimit, “Kemi ardhur në Uashington”, përfundoi Martin Luther King fjalimin e tij në Katedralën Kombëtare të kryeqytetit amerikan në vitin 1968, “Për t’u angazhuar në një veprim dramatik paqësor, për t’u kujtuar të gjithëve hendekun e madh që ekziston midis premtimeve të bëra dhe mos- realizimit të premtimeve të dhëna.  Për ta bërë të padukshmen, të dukshme”, theksoi ai duke paralajmëruar se, “Asgjë nuk do të realizohet drejtë zgjidhjes së problemeve me të cilat përballet shoqëria, nëqoftse njerëzit vullnet mirë rrinë duarkryq me shpresen se koha do t’i zgjidhë eventualisht problemet.  Është mesazhi i Martin Luther King-ut, para 50-vitesh se tani është koha për veprim që “vëllazërisht” dhe në bashkpunim me njëri tjetrin dhe në mënyrë paqësore të zgjidhen problemet me të cilat përballet cilado shoqëri, sepse koha nuk pret, por shkon në favor të forcave të errëta të shoqërisë, të cilat e përdorin kohën për qëllime dhe interesa personale, por shkatërruese dhe në dëm të interesave për të mirën e përbashkët të shoqërisë.  Megjithkëtë, Martin Luther King ishte optimist se liria më në fund do të fitohej, “Sepse si trashëgimia e shënjtë e kombit tonë ashtu si dhe vullneti i përjetëshëm i të Madhit Zot, janë të mishëruara në kërkesat tona për  të drejta të barabarta.  Ashtuqë, sado i errët të jetë horizonti, sado të thella të jenë ndjenjat e zemërimit dhe sado të dhunëshme të mund të jenë përplasjet, më në fund do t’ia dalim”, nëqoftse mësojmë të jetojmë së bashku si vëllëzër, ka përfunduar Dr. Martin Luther King-u fjalimin e tij në Katedralën Kombëtare, në mars të vitit 1968.

 

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, Martin Luther King, Nesazhi i bashkimit

Delawie: Ata që e shfuqizojnë Ligjin për Specialen do të përballen me pasojat

January 17, 2018 by dgreca

Ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie u ka bërë thirrje përfaqësuesve politikë në Kosovë që të heqin dorë nga shfuqizimi apo ndryshimi i Ligjit për Gjykatën Speciale. Në të kundërtën, ai ka thënë se politikanët që do të përballen me pasoja të rënda.

2 Delawie

Ne Foto:Ambasadori amerikan Greg Delawie/

“Deputetët që e mbështesin këtë nismë dhe politikanët që i prijnë asaj përkundër mohimeve të tyre, do t’iu nënshtrohen pasojave specifike dhe të ashpra” ka deklaruar Delawie. Këto komente ai i ka bërë në ditën kur Kryesia e Kuvendit po vendosë nëse do të përfshijë për seancën e radhës së Kuvendit nismën e 43 deputetëve për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

“Dëshiroj të flas me ju, qytetarët e Kosovës se përse Gjykata Speciale është kaq e rëndësishme për Kosovën dhe përse Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të bëjnë gjithçka që kanë në fuqi për të siguruar që gjykata ta përfundojë mandatin e saj”, ka thënë Delawie.

Kosova e ka bërë këtë Gjykatë, vazhdoi Delawie, për të sjellë para drejtësisë të gjithë ata persona që janë akuzuar se kanë kryer krime kundër individëve të tjerë, gjatë kohës së luftës së Kosovës për liri.

“Kosova ka luftuar më 1999 dhe ne kemi qëndruar pranë jush, kemi qëndruar me viktimat, kemi qëndruar përkrah drejtësisë. Askush nuk do të mundet ndonjëherë t’i rishkruajë librat e historisë për fushatën e krimeve mizore të Republikës Federale të Jugosllavisë, por realiteti është se disa individë që kanë luftuar për kauzën e drejtë të lirisë së Kosovës kanë kryer krime të rënda kundër të tjerëve, për çka edhe duhet të japin llogari”, ka theksuar ambasadori amerikan.

“Kjo është përse duhet Gjykata Speciale. Viktimat, rastet e të cilave mund të ndiqen penalisht nga Gjykata Speciale përfaqësojnë shumë etni, shqiptarë, romë, serbë e tjerë dhe të gjithë kanë qenë kosovarë. Andaj të gjithë meritojnë trajtim të barabartë para ligjit”, theksoi ai.

“Kjo Gjykatë na intereson sepse ndërhyrja e jonë më 1999 ishte e bazuar në idenë se krimet e luftës ndaj kujtdo, ishin sulm ndaj drejtësisë ndërkombëtare dhe mbajmë në mend vuajtjet e një milion kosovarëve të dëbuar nga shtëpitë e tyre, të strehuar nëpër male apo përtej kufirit maqedonas. Dëshironim drejtësi për ta. Ushtarët amerikanë vënë jetën e tyre në rrezik për ta mbrojtur atë parim dhe ua kemi borxh që të vazhdojmë ta mbrojmë këtë parim edhe sot”, ka thënë ambasadori amerikan.Ai tha po ashtu, se Gjykata nënkupton se Kosova nuk mund të jetë vend i tillë ku mosndëshkimi do të ishte normë.“Ta pranosh ketë realitet do të nënkuptonte kthim në udhëheqin e stilit të epokës së Millosheviqit të cilën një gjeneratë e qytetareve kosovar kanë luftuar për ta rrëzuar”, theksoi ai.“Gjykata Speciale në intereson, sepse duam që Kosova ta marrë vendin e saj si shtete evropian duke ju bashkuar NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Ndryshimi apo zhbërja e Ligjit për Gjykatën Speciale dhe demonstrimi i përbuzjes për sundimin e ligjit do ta vë Kosovën mbrapa me vitet të tëra në integrimin e saj drejt institucioneve evropiane”, vijoi ambasadori amerikan.Në vijim, Delawie u është përgjigjur edhe pohimeve të disa liderëve në Prishtinë, se punën e Gjykatës Speciale mund ta marrin sipër edhe institucionet vendore të drejtësisë. Por, ai ka hedhur dyshime.“Ne kemi investuar shumë në sistemin e drejtësisë në Kosovë, por ky sistem ende nuk e ka demonstruar që është i aftë që të ndajë drejtësi në rastet e profilit të lartë dhe dëshmitarët vazhdojnë që të jenë subjekt i frikësimeve, kërcënimeve dhe dhunës. Ende nevojitet një mekanizëm i jashtëm. Drejtësia për viktimat ka pritur kohë të mjaftueshme”, tha Delawie.

Ai u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të ë Kosovës që të këmbëngulin që udhëheqësit e tyre ta mbrojnë të drejtën për drejtësi.“Pyetini, çfarë lloji dëshironi që Kosova të bëhet. A dëshironi që Kosova të bëhet vend ku sundimi i ligjit nuk aplikohet për ata që kanë pushtet, fuqi apo miq politikanë? A dëshironi që Kosova të jetë një vend i tillë, ku kriminelët nuk përballen me asnjë pasojë për krimet e tyre? A dëshironi që Kosova të mbetet prapa, kur të tjerët t’i bashkohen Bashkimit Evropian?”, ka shtruar dilemat dhe pyetjet ai.

“Apo, a mos dëshironi që Kosova të jetë ai vend ku respektohet sundimi i ligjit, ku mbrohen të drejtat e viktimave dhe e cila e merr vendin e vet të duhur si anëtare e respektuar e bashkësisë ndërkombëtare në aleancë me vijë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Delawie.“Ky është vizioni im për vendin tuaj, për të ardhmen e vendit tuaj. Nëse e ndani këtë vizion, atëherë qëndroni përkrah drejtësisë, qëndroni krah viktimave, qëndroni bashkë me mua kundër kësaj përpjekjeje për ta zhbërë përkushtimin e Kosovës ndaj Gjykatës Speciale. Kjo është krejt ajo çka unë dëshiroj për Kosovën, që Kosova të ketë sukses si një vend i drejtë, i pranuar dhe me prosperitet”, ka deklaruar në fund Delawie.(Arton Konusheci-RFL)

Filed Under: Politike Tagged With: Ambasadori Delawie, Ligji per Specialen, pasojat

Këshilli i Sigurisë vlerëson të qetë dhe stabile gjendjen në Kosovë

January 16, 2018 by dgreca

-Këshilli i Sigurisë së Kosovës: Hetime intensive në të gjitha pistat e mundshme në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviç-/1 Qeveria e KosovesPRISHTINË, 16 Janar 2018-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka mbledhur sot në mbrëmje  Këshillin e Sigurisë së Kosovës, bazuar në përgjegjësitë dhe obligimet kushtetuese dhe ligjore, për të diskutuar mbi gjendjen aktuale të sigurisë në vend.Këshilli i Sigurisë së Kosovës, me përfaqësim të institucioneve të Republikës së Kosovës, mekanizmave të sigurisë dhe të organeve të drejtësisë, ka vlerësuar situatën në vend, me theks të posaçëm në zhvillimet e fundit në veri të Mitrovicës, pas aktit të vrasjes së politikanit serb Oliver Ivanoviç.

Këshilli i Sigurisë së Kosovës thekson se autoritetet e sigurisë dhe ato të ndjekjes po zhvillojnë hetime intensive në rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviç dhe po hetojnë të gjitha pistat e mundshme. Organet e rendit kanë kërkuar nga të gjithë qytetarët, pa dallim, që të ofrojnë ndihmën dhe bashkëpunimin e tyre në zbulimin e kapjen sa më të shpejt të kryesve të këtij akti kriminal dhe sjelljen e tyre përpara drejtësisë.

Këshilli i Sigurisë së Kosovës vlerëson se në rast të nevojës për ndihmë dhe ekspertizë në zbardhjen e rastit mund të kërkohet ndihmë profesionale nga agjencitë e specializuara ndërkombëtare, në veçanti nga FBI e SHBA-së.

Këshilli i Sigurisë së Kosovës vlerëson se gjendja e sigurisë në vend është e qetë dhe e qëndrueshme dhe se organet e rendit janë duke kryer me përgjegjësi detyrat e tyre në ruajtjen e qetësisë publike dhe të sigurisë për të gjithë qytetarët e vendit.

Politikani serb Oliver Ivanoviç u vra mëngjesin e sotëm me armë zjarri në veri të Mitrovicës.

Filed Under: Politike Tagged With: Behlul Jashari, gjendjen në Kosovë, Keshilli i Sigurise, vlerëson të qetë dhe stabile

Inoçenca dhe defiçenca në punën intelektuale

January 13, 2018 by dgreca

Nga Alfons Grishaj/

Inoçenca dhe defiçenca në punën intelektuale janë si zhiva e një termometri të thyer që nuk përbën më instrument matës. Shumë intelektualë e anashkalojnë këtë. Krekosur dhe rrumbullakosur shfaqen me madhështinë e fanitjes se një meteori që shuhet pa rënë në tokë, por dhe nëse bie,  bën  kraterin e rradhës.

Shpesh herë viktimë e inoçencës bien dhe studiues seriozë. Vetkënaqësia ua mbulon logjikën analitike shkencore, duke menduar që boshllëkun akademik ua mbulon paraqitja autoritare personale. Në shkencë, përdorimi i autoritetit pa prodhim dhe memorje është si  autograf në rërë. T’i biesh ziles pa lëshuar tinguj është njësoj sikur një miop të përdorë skeletin e gjyslykëve pa lente.

Le të marrim një shembull: “Dimri i Vetmisë së Madhe”. Një libër që duket se është harruar se nga kush është shkruar. Ky roman shënonn kulmin i glorifikimit të Partisë Punës dhe udhëheqësit të saj. Këtë libër mund ta emëroja pa droje si “Manifest i Partisë Punës”. Kritikët dhe analistët e sotëm nuk merren me atë libër, por  merren me ca letra të mykura të mbetura në arkivat e PP-së, për të treguar anti-komunizmin dhe rrezikun që i kanosej autorit tek “Pallati i Endrrave”, që në fakt, autorit jo vetëm nuk i ndodhi asgjë, por fama e lavdia e tij u rritën më tepër… falë Neronit shqiptar. Enveri, nuk e detyroi shkrimtarin të vriste veten si Neroni, Senekën, por e lartësoi dhe e mbuloi me  përkujdesje atërore  drejt kultit.

Arkivat në kohën e PP-së, nuk ishin  për krijimin e një memorje pë rritjen e shërbimit historik dhe për syrin e gjërë intelektual,  por thjeshtë skedime me një çelës , të cilat shërbenin sipas oreksit , herë për glorifikim , herë për hakmarrje. Pas rënies së Çausheskut , arkivat u pastruan dhe mbetën vetëm letrat që i lanë enkas  për të demaskuar  heronjtë në njërën anë, dhe në tjetrën, për t’u hedhur hi syve popullit që të besonte se “Ballarët e Indoktrinimit” gjoja paskëshin qenë në rrezik të madh…! Kështu, programi kripto-komunist të vazhdonte. Sot ne, jemi në kurthin e këtij plani, prandaj populli Shqiptar, historianët… nuk kanë dalë akoma prej këtij impakti. Vajza e Kadaresë është dhe një ndër shembujt e planit komunist, e cila sipas kalkulimit dhe origjinës hodhi bombën kundër Amerikës në OKB. Pas kësaj (nëse nuk ndërgjegjësohemi), bomba të tjera do të ketë populli shqiptar.

Në të shumtën e rasteve, letërsia komuniste ka pasur me shumicë elementë halogene që kontaminuan  mendjet e asaj kohe. Normalisht në shekullin tonë, sajesat e stisura të diktaturës  ende  qëndrojnë në “arkiva” nuk duhet të merren seriozisht dhe shkencërisht,  sidomos nga mendjet e hapura që premtojnë  korigjimin e historisë, të  cilët    paraqiten  si zbulues në moçalin e manipulimit dhe degradimit, por realisht reflektojnë   inoçencë dhe infantilizëm. Moçali duhet sjellë ashtu si është, me  ujin  e  ndyrë, ushujza dhe baltë, pas mund të bësh filtrin njerëzor dhe profesional, duke e sërvirur si ujë të pijshëm. Zbulimi  në folenë  e korbave  konkludon  në vezë shumë ngjyrëshe që nuk janë të tiranozaurit, por të zogjve të tij!

Ka  pasur shkrimtarë që  shpëtuan prej ngerçit  ideologjik  që ishte si kusht për të hyrë në letërsinë e asaj kohe. Miqtë e mi, Naum Prifti, Frederik Rreshpja dhe të tjerë, në fillimet e tyre patën një tis indoktrinimi, por gjenialisht kthyen timonin (me kosto që askush nuk i mbrojti), duke krijuar figurën reale të ndëgjegjes krijuese. Paraqitja e babait të indoktrinimit komunist, kalorësit protektor të Enver Hoxhës, glorifikuar si një shkrimtar modern e antikomunist… nuk është asgjë tjetër vetëm defiçencë intelektuale…sepse, analogjia nuk bëhet mes viktimës  dhe gjakësorit si shpirt binjak!!

              Megjithatë, për hir të ndërgjegjes intelektuale, duhet të pranojmë aksidentin, pasionin dhe inoçencën si kompromis njerëzor, por jo defiçencën dhe hipokrizinë si katalizator për të ardhmen. Përpjekja për të bërë analiza historike kripto-analogjike, ushqen alterkacion dhe  dëmton sistemin limbik  jo vetëm të një njeriu, por të  një shoqërie të tërë.

Filed Under: Politike Tagged With: alfons Grishaj, defiçenca intelektuale, Inoçenca

“ÇELIKU”, QË U BË SHQIPONJË E ARTIT TONË POPULLOR

January 12, 2018 by dgreca

Meditime për Rexhep Çelikun një NJERI dhe një BURRË të madh të valles popullore shqiptare/1 Rexhep Çeliku

Ai iku në një kohë dhe moshë kur i çelte lule jeta. Vetëm 63 vjeç…

2 Rexhep

Tri ditë më parë iu gëzova titullit tepër të vonuar për një SHQIPONJË të valleve tona, shqiponjë që të ngrinte lart në fluturim e kapje qiejt.
E njoha një ditë tetori të vitit 2008. E njoha tek ngjitej lart si shqiponjë e na mbushte me gëzim e krenari.
Nuk ka gjë më të madhe, emocion më të madh për një mërgimtar kur sheh se si fluturon në ngjyra e në lëvizje vendi jot…
E njoha në disa fluturime në Iraklio, Rethimno dhe Jerapetra të Kretës.
I dhashë dorën…
Kur u ndamë u përqafuam…
Mbetëm miq për tu takuar në Tiranë në kthimet e mija në Shqipëri.
Kishte dashuri për një dibran që fluturonte si Ai, Besmir Agën…
Ndjeva dhimbje sot kur lexova faqeve të gazetave e portaleve se Ai, Rexhep Çeliku nuk është më, u shua për tu ngritur në qiell ashtu siç ia kishte zemra, si SHQIPONJË.
Kërkova në arkivin tim fotografik, shumë i pasur me jetë e vlera mërgimtarësh.
E gjeta në një rresht të gjatë shkrepjesh fotografike. Aparati im i xhepit, dëshmitar i shumë ngjarjeve në mërgim nuk më kishte tradhtuar, kishte fiksuar bukur lëvizje që vështirë të kapen nga një aparat modest.
E kisha fiksuar shumë herë, në shumë pozicione fluturuese të tij…
Zgjodha dhe po përcjell trembëdhjetë…
Më erdhi keq që nuk kisha ftuar dikënd të bënte një shkrepje bashkë me të.
Kështu e kanë gazetarët, shkruajnë e fiksojnë të tjerët dhe harrojnë veten.
Megjithatë sot ndjej se jam me Të, me REXHEP ÇELIKUN e madh të valles popullore shqiptare, valle që ai e artistë të tjerë të mëdhenj e ngritën në qiellin e artit popullor shqiptar.
Rexhep Çeliku numëron në repertorin e tij artistik rreth 8 mijë shfaqje, ku ka interpretuar 32 mijë role brenda dhe jashtë vendit.
Nuk e di se ku emri i tij të mund të skalitet në histori: në vendlindje, në ndonjë bulevard të madh në ndërtim ende pa emër (jo në ndonjë sokak), në ndonjë institucion apo shkollë të madhe të artit…?
Ai e meriton të jetë NDER I KOMBIT.
Dhe Nderi do të thotë përjetësim i tij.

Abdurahim Ashiku

Athinë, 12 janar 2018

Filed Under: Politike Tagged With: e artist popullor, Rexhep elite, Shqiponja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 499
  • 500
  • 501
  • 502
  • 503
  • …
  • 668
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Saint Paul in Dyrrach”
  • THEMELIMI I “ALBLIBRIS” – LIBRI SHQIP NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • Dy kryeqytete, një komb
  • Dashamir Gurabardhi: “Arti si zhvillim dhe emancipim kombëtar”
  • SHUMËSIA STILORE-LIGJËRIMORE NË PROZËN DOKUMENTARE TË REXHEP QOSJES
  • Atë Arthur Liolin, kleriku, studiuesi dhe shërbestari i shquar i komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës
  • FEDERATA VATRA URON: GËZUAR FITËR BAJRAMIN
  • Gjykata: Mbyllja e “Zërit të Amerikës” e paligjshme, urdhërohet rikthimi i 1,000 punonjësve
  • Experience History: Ambassador William Walker’s inaugural visit to the Saint George Orthodox Cathedral and the Fan Noli Cultural Center
  • 𝑺𝒉𝒆̈𝒏𝒅𝒆𝒕𝒊 𝒊 𝑺𝒊𝒔𝒕𝒆𝒎𝒊𝒕 𝑻𝒓𝒆𝒕𝒆̈𝒔 – 𝑩𝒂𝒔𝒉𝒌𝒆̈𝒃𝒊𝒔𝒆𝒅𝒊𝒎 𝒎𝒆 𝑱𝒖
  • NICOLAE IORGA, HISTORIANI ME I MADH RUMUN DHE ZBULUESI I SHKRIMIT TE PARE NE GJUHEN SHQIPE
  • Doktrina Wilsoniane dhe mbijetesa e shtetit shqiptar – nga shpëtimi i Shqipërisë te e drejta historike e Kosovës për vetëvendosje
  • Zarfi që sfidoi censurën në Shqipërinë komuniste
  • Albanian Night @ Yankee Stadium
  • O SOT, O KURRË! O FLAMUR, O DEKË!

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT