• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

OPOZITA PROTESTOI FUQISHËM NË SHQIPËRI

July 12, 2024 by s p

GAZETA PANORAMA:
Zjarr dhe molotov para kryeministrisë dhe bashkisë/ Mesazhet e Berishës dhe thirrja për qeveri teknike! Çfarë ndodhi në 3 orë protestë të opozitës

Ka zgjatur rreth tre orë protesta e opozitës para kryeministrisë, ku kryefjala ishte qeveria teknike dhe lirimi i Sali Berishës nga arresti shtëpiak.

Fillimisht qytetarët u grumbulluan para selisë blu, ku më pas së bashku me deputetë dhe drejtues të PD i janë drejtuar bulevardit Dëshmorët e Kombit dhe kryeministrisë.

Fjalimet nisën me regjisorin Edmond Budina, për të vazhduar me disa qytetarë të tjerë. Më pas protestuesve iu drejtuar me një fjalim Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, i cili hodhi akuza ndaj Edi Ramës, por edhe drejtësisë.

“Të gjithë duhet ta dinë, se Edi Rama financohet në Uashington dhe Bruksel nga armiqtë më të egër, për ti ngulur thika Kosovës, që nga Ballkani i hapur dhe cdo gjë tjetër. Ai nuk bën gabime rastësisht. Mos harroni çfarë tha në Kuvendin e Kosovës, së Shqipëria dhe Kosova do kishin një president të ardhshëm”, tha Meta.

Ai kritikoi edhe këshilltarët e djathtë, që  nuk kanë marrë pjesë në protestën e thirrur nga opozita para kryeministrisë.

“Turp për ata që përtojnë të vijnë këtu për të përmbysur regjimin më kriminal dhe më antikombëtar që ka njohur kjo tokë. Turp për të gjitha ata këshilltare opozitar që nuk janë me Tedi Blushin, me Klevis Balliun përballë kryehajdutit të Tiranës. Turp për ata që nuk janë përball hajdutëve në bashki. Turp për ata opozitar që kanë hallin e autoritetit të SPAK-ut”, u shpreh Presidenti i PL.

Më pas fjalën e mori kreu i PD, Sali Berisha, por në këtë moment qytetarët hodhën molotov drejt kryeministrisë.

Sali Berisha bëri thirrje për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme pa Edi Ramën kryeministër.

“Sot në emër të Partisë Demokratike, në emër të frontit të gjerë opozitar, në emër të çdo shqiptari që ka mbi trup edhe shpirt plagët e Rilindjes dhe në emër të flamurit kuq e zi, unë sot i jap këtë paralajmërim Edi Ramës: Prano qeverinë teknike, si kushti i të gjitha kushteve për zgjedhje të barabarta, dhe të shkojmë në zgjedhje të përgjithshme”, tha Berisha.

Pas përfundimit të fjalimit të Sali Berishës protestuesit u zhvendosën edhe para bashkisë së Tiranës, ku edhe aty hodhën molotov.

Më pas protestuesit iu drejtuan Parlamentit, ku brohorisnin “Parlamenti i krimit”. Më pas protesta u mbyll aty ku startoi, në selinë e Partisë Demokratike.

Filed Under: Politike

ERNEST KOLIQI SHKON NË SHKODËR – SHKODRA DHE MBARË KOMBI SHQIPTAR PASUROHEN  ME BIBLIOTEKËN E ERNEST KOLIQIT  

July 11, 2024 by s p

Nga Frank Shkreli /

                        

                                                        “A ka send mâ të mrekullueshëm në kët botë   

                                                          se me i sjellë qytetnimin nji kombi zhytë  

                                                                           n’ errsín e padijes?  

  

Bashkia Shkodër në bashkëpunim me revistën “Shêjzat” njoftuan lajmin për aktin e dhurimit të bibliotekës së shkrimtarit të mirënjohur, Ernest Koliqi, nga ana e revistës “Shêjzat”, Bibliotekës “Marin Barleti”, të qytetit të Shkodrës.  Dhurimi i Bibliotekës “Ernest Koliqi” Bibliotekës “Marin Barleti” në Shkodër u cilësua si një akt bashkpunimi midis Bashkisë  Shkodër me revistën “Shêjzat” – për transferimin e një koleksioni prej nja 1500 tituj librash, gazetash e ekstraktesh të ndryshme në bibliotekën publike të Shkodrës, “Marin Barleti”.   

  

Sipas lajmeve, biblioteka personale e Ernest Koliqit iu dhurua bibliotekës publike të qytetit të Shkodrës me nismën e studiuesit të njohur Ardian Ndreca.  Thuhet se bëhet fjalë për rreth 1500 tituj librash dhe koleksione gazetash, të cilat, sipas profesor Ndrecës, dëshmojnë për personalitetin e Koliqit si mësues, poet, romancier, eseist, përkthyes, gazetar, dramaturg, por edhe botues, ndër më të njohurat revista ishte “Shëjzat”.   

  

Duhet uruar dhe përgëzuar studiuesi Ardian Ndreca që ka bërë të mundur — siç u shpreh ai vet për mediat, me këtë rast — që të shpëtojë aq sa ka mundur nga bibliotekja origjinale e Koliqit, të cilëën unë e mbaj mend si shumë të pasur.  “Në mënyrë krejtsisht të rastësishme mbërrijta që të shpëtoj këtë pjesë të bibliotekës”, u shpreh ai për median vendore dhe kombëtare, duke shtuar:  

“Ka shumë dekada në të cilat jam përpjekë që kjo bibliotekë e Koliqit e cila dihej se ekzistonte në Itali, duhej të kthehej në Shqipëri por për shkaqe të ndryshme ishte e pamundur me e bë këtë gjë.  Personi që i zotëronte deri para pak vitesh, vdiq dhe në mënyrë krejtsisht të rastësishme mbërrijta që të shpëtoj këtë pjesë të bibliotekës, me idenë që sa më shpejt me e kthye në Shkodër dhe me ia dhenë një institucioni shtetëror, pra një institucioni që përfaqëson të gjithë qytetin dhe është publik i hapur për të gjithë. Si njësi, janë gjithsejt nja 1500 libra, ekstrakte, artikuj, ku bajnë pjesë edhe një koleksion gazetash tepër të rralla të fund viteve 1800 e në fillim të 1900-ave. Libra dhe materiale të botuara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Itali në vende të ndryshme dhe në vende të Ballkanit, të cilat i mungojnë deri më sot fondit të bibliotekës si dhe asaj kombëtare. Ashtu siç ka ndodhë me Arshi Pipën, para disa vitesh kur vet Pipa ia dhuroi qytetit të Shkodrës bibliotekën e tij. Kjo gjë ndodhi edhe me bibliotekën e Ernest Koliqit. Shpresojmë që një gjë e tillë të verifikohet edhe nga autorë të tjerë shkodranë që kanë jetuar në mërgim…”, ka shpjeguar Profesor Ardian Ndreca.   

  

Ky është një zhvillim tepër i rëndësishëm për Shkodrën, për Shqipërinë dhe për mbarë Kombin. Jam i bindur se ai shikon nga lartë me kënaqësi për arritjen e bibliotekës së tij, sado të pjesëshme, nga Roma në Shkodër, në dispozicion të lexuesve shqiptarë, jo vetëm në Shkodër e Shqipëri, por nga të gjitha trojet ku flitet shqip — siç e kishte prëcaktuar ai vet në një shkrim se kjo bibliotekë, është për të gjithë ata: “Që kanë për gjuhë amtare shqipen – ku ma shumë e ku ma pak – frymzohen nga shpirti i zakoneve arbnore e që sot ndahet në tri pjesë: banorët e shtetit shqiptar, vëllëznit tanë nën Jugosllavi dhe bashkatdhetarët e diasporës. Në idealin tonë, që kurrë s’ka për t’u shkimun, këto tri degë përbajnë nji tanësi gangullore, cilido që të jetë zhvillimi shoqnuer i veçantë i tyne.” Ernest Koliqi, Bota e re e shqiptare – Shëjzat II, 5-6, 1958.  

  

Edhe Adrian Ndreca, në hapjen e pavionit të veçant të bibliotekës kushtuar Koliqit, theksoi gjithashtu se biblioteka “Koliqi” është një vlerë shumë e çmuar për Shkodrën dhe më gjerë. Një “kthim simbolik” e quajti ai transferimin e bibliotekës së Ernest Koliqitn ë Shkodër, duke shtuar se Koliqi, së pari, i përket lexuesve, mbarë lexuesve shqiptarë, ashtu si i përket edhe qytetit të tij – Shkodrës.  Koliqi, shtoi studiues Ndreca, ka se çka t’u mësojë lexuesve, duke shpresuar që ky rikthim të jetë edhe tek leximi i veprave të Koliqit, u shpreh ai për median.  

  

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe Kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci dhe Ministri i Shtetit Elisa Spiropali.  Uroj dhe shpresoj që hapja e sallës “Koliqi” në Bibliotekën publike të Shkodrës, të jetë fillimi i një procesi zyrtar, sa më të shpejt, që figura e këtij shkrimtari të madh të Kombit, të hiqet nga lista e zezë komuniste dhe të vlerësohet nga letrarë, historianë, akademikë dhe shkencëtarë jo-komunistë — për kontributet e vërteta të tija – ashtu siç janë ato.   

Ky është një akt që duhet të duartrokitet dhe të mirëpritet nga të gjithë dashamirësit e Ernest Koliqit, adhuruesit e trashëgimisë së tij letrare dhe atdhetare, por edhe të librave shqipe, në mbarë hapësirën kombëtare. Ernest Koliqi, siç dihet, ishte i ndaluar dhe i përjashtuar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës dhe për fat të keq edhe gjatë këtyre 30-viteve të ashtuquajtur “post-komunizëm”, Ernest Koliqi vazhdon të jetë, zyrtarisht, i përjashtuar, i kritikuar dhe i denigruar nga qarqe të caktuara politike dhe jo-politike — zyrtare dhe jo-zyrtare — në Shqipëri.   

  

Mundësimi i transferimit të bibliotekës së Ernest Koliqi (megjithse jo e plotë nga koha që e mbajë unë mend nga vizita ime në të, në vitin 1970), është megjithëate një hap i duhur, i mirëseardhur, megjithëse tepër i vonuar.  Ernest Koliqi, “shkoi” pardje në Shkodër, siç e cilësuan disa media transferimin e bibliotekës së tij të përgjysmuar në bibliotekën e Shkodrës, por ende nuk mund të thuhet se ai është pranuar në “shtëpinë” e vet.  Ka ardhur koha që Ernest Koliqit t’i hapen portat e “shtëpisë” së tij – Shqipërisë dhe të shqiptarisë në përgjithësi, që i deshi aq shumë – për të cilat jetoi, veproi dhe i mbrojti interesat kombëtare deri në frymën e fundit të jetës së tij. Biblioteka e Ernest Koliqit në Shkodër vetëm do t’i sjell qytetërim, Shqipërisë, Shkodrës dhe Kombit shqiptar — të zhytur për një gjysëm shekulli në errësirën e indoktrinimit të ideologjisë aziatike sllavo-komuniste.  “A ka send má të mrekullueshëm në këtë botë se me i sjellë qytetnim nji kombi, zhytë n’errsín e padijes.”  

  

Frank Shkreli  

  

Në përkujtim të Ernest Koliqit me rastin e Dhurimit të Bibliotekës “Ernest Koliqi”, Bibliotekës “Marin Barleti”, Bashkia Shkodër –  

   

“A ka send mâ të mrekullueshëm në kët botë se me i sjellë qytetnimin nji kombi zhytë n’ errsín e padijes?  

-Ai që kalon nëpër popull tue hjedhë farën për nji jetë mâ të mirë,  

ai që e ndriçon me nji dritë mâ të bukur tokën qi na ushqen,  

ai që bân me ngadhnjye agimet në muzgun e pacaktuem të shpirtnave;  

shkurt: kush i difton popullit nji udhë të re qytetnije të vërtetë,  

âsht i denjë me qênë i nderuem si gjymsë perendije.”  

Marrë nga novela “Gjaku” – Ernest Koliqi  

   

                                                                                                          

May be an image of 2 peopleProfesor Ardian Ndreca me Kryetarin e Bashkisë Shkodër, Benet Beci  

  

    May be an image of 6 peopleNdër të pranishëm edhe Dom Nikë Ukgjini — Foto nga ceremonia marrë nga portali i Bibliotekës “Marin Barleti” -Shkodër  

          

  

               [Text Wrapping Break]  

May be an image of 6 people and textNjë foto që po qarkullon në rrjetët sociale – ku dallohet Ernest Koliqi me  shkrimtarët Asdrenin dhe Poradecin, ndër të tjerë –   

në Kafe të Madhe, Shkodër, 1936  

  

  

  

May be a black-and-white image of 9 peopleShkodra në rininë e Ernest Koliqit – foto nga Biblioteka Marin Barleti  

Filed Under: Politike

Angazhimi intelektual modern i Ismail Kadaresë për Çamërinë

July 10, 2024 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Në vitin 2016 pata kënaqësinë që Prof Xhufi të më ftonte për të qenë bashkëautor në shkrimin e librit “Çamëria vështrim historik dhe identitar”, një punim i drejtuar nga Prof. Pëllumb Xhufi, e shkruar sëbashku me Prof. Pëllumb Xhufin, Profesor Bashkim Kuçukun dhe Profesor Hajredin Isufin. Në këtë ndërmarrje fisnike na bashkoi dëshira për të shkruar një rrugëtim historik, identitar e kulturor të Çamërisë ndër shekuj si pjesë e pandarë e historisë, identitetit dhe kulturës shqiptare. Për kënaqësinë tonë të veçantë kësaj ndërmarrje profesionale dhe kulturore iu bashkangjit dhe shkrimtari ynë Ismail Kadare që shkruajti Hyrjen e tij. Në kundërshtim nga çu dëgjua dhe u shkrua në këto ditë ,duke mos respektuar as kodin njerëzor të mirrësjesjelljes kur shuhet një njeri, për rolin jo aktiv të shkrimtarit dhe intelektualit Kadare për çështjen kombëtare, kjo Hyrje tregon qartë angazhimin e plotë të tij në një diskurs modern që i bën nder kulturës dhe identitetit tonë. Çamëria shkruan Kadare-bën pjesë në një nga hartat më të dhimbshme të Europës, atë që ka njohur shpërnguljen. Është një hartë për të cilën flitet me kujdes, për të mos nxitur acarime të reja, në këtë botë të shqetësuar. Ndërkaq, heshtjet, gjithashtu mund të acarojnë, ndoshta më keq. Kontinenti ynë europian është plot me shembuj të tillë dhimbjesh. . Në rastet e shumta kur flitet për këtë dramë, është theksuar, se Çamëria nuk është kurrsesi një fantazmë që ngrihet për të errësuar marrëdhëniet e fqinjësisë midis grekëve dhe shqiptarëve. Përkundrazi, kur popujt e lehtësojnë ndërgjegjen e tyre nga peshat e vjetra, ata afrohen më fort, dhe, rrjedhimisht, duke u kuptuar më mirë, e duan edhe më shumë njëri-tjetrin. Ky libër i ri për historinë e Çamërisë është në vazhdën e një tradite të tillë pozitive, larg mllefeve dhe smirave kombëtariste. Në të flitet gjerësisht për të vërtetat historike, mbështetur në dokumente të autoreve shqiptare dhe të huaj, pa paragjykimet e njohura, ato që me aq lehtësi e kthejnë çdo mirëkuptim në moskuptim dhe çdo afrim në të kundërtën e vet. Pasqyrimi gjerësisht i traditave kulturore të Çamërisë, duke nisur nga kultura urbane, nga muzika, këngët polifonike, vallet dhe veshjet e një bukurie të rrallë, është një riafirmim i thelbit pozitiv të këtij libri.

Libri u përkthye dhe u botua dhe anglisht dhe frëngjisht dhe duhet thënë se falë edhe Hyrjes së shkruar nga Kadare, shkrimtarit që është përkthyer në 45 gjuhë, ai egziston si referencë në çdo punim bibliografik duke ndërkombëtarizuar edhe çështjen çame kulturialisht. Europa, Shqipëria humbi më 1 korrik një figurë e personalitet që shenjoi kulturën dhe identitetin tonë për gjysëm shekulli. Shqipëria do të ketë gjithnjë e më tepër nevojë për mesazhet e veprës së Kadaresë që plazmojnë identitetin europian të shqiptarëve.

Ismail Kadare:

Çamëria, harta e dhimbshme e Europës*

Njerëzit janë mësuar prej shekujsh me hartat dhe leximin e tyre, sado të larmishme të jenë ato. Harta shtetesh dhe popujsh, harta historike, klimatike, detare apo tokësore, ngulitën qysh në bankat e shkollës në kujtesën e nxënësve, me emrat dhe ngjyrat e tyre dalluese. Më pas, me shtimin e dijenive, njerëzit mësojnë se ka harta të vjetra dhe të reja, në të cilat disa nga emërtimet mungojnë ose janë zëvendësuar me të tjera. Kjo është e njohur dhe e shpjegueshme, si pasoje e zhvillimeve të historisë, kryesisht, të luftërave dhe shpërnguljeve. Kur viset e populluara zbrazen nga gjindja e vet njerëzore, letërsia dhe arti janë të fundit që i braktisin. Mund të thyhen ushtritë, të tërhiqen rojet e fisit, të heshtë diplomacia, arti nuk bindet. Ai kthehet e rikthehet atje, të logu i vjetër.

Atje ku ndodhi shkulja, këputja mizore, krimi. Atje ku të tjerët i ndal shenja e kufirit të ri, traktatet ose rendi i ri i botës. Këto radhë janë pjesë nga parathënia, shkruar për një antologji letrare-artistike për Çamërinë, përzgjedhur nga miku im i ndjerë, Ali Podrimja, më 2004. Çamëria bën pjesë në një nga hartat më të dhimbshme të Europës, atë që ka njohur shpërnguljen. Është një hartë për të cilën flitet me kujdes, për të mos nxitur acarime të reja, në këtë botë të shqetësuar. Ndërkaq, heshtjet, gjithashtu mund të acarojnë, ndoshta më keq. Kontinenti ynë europian është plot me shembuj të tillë dhimbjesh. Në antologjinë me motive letrare artistike për Çamërinë, është theksuar në mënyrë të ndjeshme se kjo përmbledhje nuk është as thjesht politike, as nismëtare e ndonjë fushate.

Është, në radhë të parë, një libër njerëzor. Libër me vjersha, poema dhe art, shkruar nga njerëzit për njerëzit. Është një dhimbje, që nuk ikën ngaqë dikush e shpall të paligjshme. As duke bërë sikur nuk e di. E, aq më pak, kur sillesh pa nderim ndaj saj. Në rastet e shumta kur flitet për këtë dramë, është theksuar, se Çamëria nuk është kurrsesi një fantazmë që ngrihet për të errësuar marrëdhëniet e fqinjësisë midis grekëve dhe shqiptarëve. Përkundrazi, kur popujt e lehtësojnë ndërgjegjen e tyre nga peshat e vjetra, ata afrohen më fort, dhe, rrjedhimisht, duke u kuptuar më mirë, e duan edhe më shumë njëri-tjetrin. Ky libër i ri për historinë e Çamërisë është në vazhdën e një tradite të tillë pozitive, larg mllefeve dhe smirave kombëtariste. Në të flitet gjerësisht për të vërtetat historike, mbështetur në dokumente të autoreve shqiptare dhe të huaj, pa paragjykimet e njohura, ato që me aq lehtësi e kthejnë çdo mirëkuptim në moskuptim dhe çdo afrim në të kundërtën e vet. Pasqyrimi gjerësisht i traditave kulturore të Çamërisë, duke nisur nga kultura urbane, nga muzika, këngët polifonike, vallet dhe veshjet e një bukurie të rrallë, është një riafirmim i thelbit pozitiv të këtij libri.

Një popull që gjen kohën e nevojshme të përpunojë me kaq finesë këta tinguj e këto ngjyra të jetës, pohon një prirje humane e mirëkuptim me botën. Vëmendja ndaj teksteve të autorëve të huaj e shqiptare, që nga Maksim Artioti i mesjetës së vonë, lindur në Artë, e gjer të Abedin Dino i Parisit të viteve 1930, pinjollit më të ri të dinastisë së Dinenjve, mik i Gertrude Shtejn, Tristan Cares e Pikasos, janë disa nga shembujt e një vizioni humanist e kulturor të Çamërisë, larg spekulimeve të ngushta politike të ditës.

Problemi çam ka mbi njëqind vjet që është i pranishëm në zonën juglindore të Europës. Ai është i ngjashëm me probleme të tjera, herë më të vjetra e herë më të reja, që janë shfaqur e shfaqën në pjesë të ndryshme të kontinentit tonë. Në pamje të parë shpesh ato duken të ndërlikuara e të pandryshueshme, madje të pazgjidhshme, ngaqë lidhen me emancipimin e përgjithshëm të njerëzimit, i cili, ndonëse, jep përshtypjen e një zhvillimi me ritëm të shpejtë, në të vërtetë qëllon të jetë më i ngadaltë sesa duket. Krijimi i Europës së bashkuar, në mesin e dytë të shekullit njëzetë, ka qenë një lajm i madh jo vetëm në përmasa kontinentale, por ato botërore.

Bashkë me zhvillimet e reja ekonomike, politike e kulturore, ai krijoi premisat e një çlirimi të brendshëm shpirtëror, falë të cilit u ringjallën shpresa për zgjidhje të çështjeve që ngjanin më parë pa asnjë shpresë, përveç mjeteve të armëve dhe të luftës. Një vizion i ri për kufijtë dhe bashkëpunimin midis shteteve çon vetvetiu drejt mirëkuptimit të mëtejshëm midis kombeve, çka është baza që secili prej tyre të ndihet më i plotë brenda thesarit të përgjithshëm njerëzor, që popullon planetin tonë.

* Hyrja e librit

Filed Under: Politike

Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Itali, shoqata kulturore që synon integrimin dhe shkëmbimin kulturor

July 9, 2024 by s p

Skender Lazaj, kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Itali dhe Lori Duka sekretare dhe drejtore artistike e shoqatës në një rrëfim ekskluziv dhënë gazetës “Dielli”, organ i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës “Vatra” në New York, nëpërmjet editorit Sokol Paja, tregojnë jo vetëm historinë dhe aktivitetet kulturore, komunitare e atdhetare të shoqatës por dhe rolin e fuqishëm që LSHASHI luan për integrimin dhe shkëmbimin kulturor të artistëve shqiptarë në Itali.

Kush është Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Itali?

Shoqata kulturore me qendër në Gardone Val Trompia në Itali, e njohur edhe me shkurtimin LSHASHI, është një organizatë jofitimprurëse e themeluar më 14 prill 2015, e cila vepron në të gjithë territorin kombëtar italian. Për nga natyra e saj, bashkon të gjithë shkrimtarët dhe artistët shqiptarë që banojnë në Itali dhe e ushtrojnë artin e tyre në diasporë. Për t’u anëtarësuar mjafton të jesh banues në Itali, të ushtrosh çdo formë arti dhe të paguash tarifën vjetore.

Organizimi aktual

Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Itali, ka një organizim horizontal, jo fort hierarkik. I vetmi organ ekzekutiv, në kuptimin e vërtetë të fjalës, është Bordi Drejtues, që organizon dhe kujdeset për çdo aspekt ligjor dhe administrativ në garantimin e suksesit dhe jetëgjatësisë së shoqatës. Më pas, secili prej anëtarëve është në kontakt të drejtpërdrejtë me të tjerët për të shprehur lirshëm çdo ide, dyshim, projekt apo nevojë. Aktualisht anëtarët e bordit janë: Skender Lazaj (kryetar), Mimoza Leskaj (nënkryetare), Valbona Jakova (përkthyese dhe shkrimtare), Lori Duka (sekretare dhe drejtore artistike), Rajmonda Mara (arkëtare dhe redaktore), Fabiola Sali (redaktore) dhe Fatmir Gjata (poet).

Cili është misioni i LSHASHI – it?

Shoqata lindi me objektiv kryesor krijimin e një mjedisi, hapësire të favorshme, për të nxitur lirinë e shprehjes dhe promovimin e artistëve dhe shkrimtarëve shqiptarë në të gjithë Italinë. Në këtë mënyrë do të mund të krijohej një kanal krahasimi mes subjekteve që kishin të njëjtin pasion. Më pas, me kalimin e viteve, veprimtaria e shoqatës u gërshetua fort me komunitetin pritës, pra atë italian, duke krijuar kështu aktivitete promovuese ndërkulturore dhe artistike, të afta për të përcjellë mesazhe të forta, duke përfshirë më të rëndësishmin: integrimin e komunitetit shqiptar në kulturën e vendit pritës.

Çfarë lloj aktivitetesh organizon shoqata?

Veprimtaritë që zhvillohen gjatë gjithë vitit, kanë të bëjnë me prezantimin e veprave letrare të poetëve, deri te konkurset poetike kushtuar të rinjve, pa harruar dhe takimet e ashtëquajtura “reading”. Por nuk mbaron këtu, sepse çdo vit mbahet eventi më i rëndësishëm që është “Arti në Lëvizje”, i cili paraqet punën e artistëve të ndryshëm: nga piktura në skulpturë, nga letërsia te këndimi, nga teatri te punimet e dorës. E gjithë kjo me një qëllim të vetëm: promovimin dhe ruajtjen e kulturës shqiptare në diasporë! Vitet e fundit, shoqata ka rritur ndjeshëm bashkëpunimin e saj edhe me organizata të tjera jofitimprurëse si shoqata “Komuniteti Shqiptar në Itali” me qendër në Brescia, Proloco of Ghedi (provincë Brescia), shoqata kulturore “Alba”, qendra ndërkulturore “METE” po në Brescia, dhe shumë të tjerë. Ndërsa një ndër bashkëpunimet më frytdhënës për ne, është ai me Konsullatën e Republikës së Shqipërisë në Milano dhe qendrën kulturore SlowMill.

Për çfarë projektesh po punon LSHASHI?

Po punojmë drejt disa horizonteve. Na pëlqen të përmirësohemi gjithnjë e më shumë dhe të mësojmë nga shembujt e të tjerëve. Që nga viti 2022 kemi krijuar antologjinë e parë poetike të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptarë në Itali. Një projekt që vazhdon akoma sot dhe që së shpejti do të shohë dritën e botimit vëllimi i dytë. Në radhën e nismave në plan për të vazhduar, është edhe ekspozita piktoreske me titull “Zërat e dygjuhësisë”, e cila u inaugurua më 21 prill 2024 në qytetin e Inzino-s (Itali). Është një projekt i mbështetur fuqishëm nga Bordi Drejtues dhe do të ketë si protagonistë kryesorë piktorët dhe artizanët e shoqatës sonë. Gjithashtu, po punohet për dhurimin e një numri të konsiderueshëm librash, të botuar nga shkrimtarët dhe poetët shqiptarë të shoqatës, për bibliotekën e një qyteti italian. Kjo me qëllim që t’i jepet mundësia komunitetit shqiptar që jo vetëm të lexojë libra në gjuhën amtare, por edhe të pasurojë italishten nëpërmjet teksteve të përkthyera në dy gjuhë. Më në fund, shoqata synon të sjellë në vëmendje edhe rubrikën “artisti online”. Një tryezë e rrumbullakët virtuale e fokusuar tërësisht te letërsia – poezia, proza ​​dhe romani. Është një projekt i nisur nga ne gjatë pandemisë dhe për shkak të suksesit që pati, është propozuar sërish që të realizohet në vazhdim.

Si po ecën komunikimi i shoqatës?

Angazhimi i Lidhjes së Shkrimtarëve në frontin e komunikimit nëpërmjet mass medies, është gjithashtu shumë i rëndësishëm, duke marrë pjesë në mënyrë aktive dhe të vazhdueshme, në programe televizive (emisioni URA) dhe radiofonike (Radio Projekt 21 Kopenhagen), publikime në shtypin e shkruar dhe në kanalet e rrjeteve sociale. Ekipi ynë beson se ka disa baza të komunikimit që nuk ndryshojnë kurrë: thelbi i artit dhe ai i atyre që e shprehin atë, nevoja që çdo artist të shprehet nëpërmjet gjuhës së tij (artistike sigurisht) dhe të flasë në mënyrë tërheqëse me bashkëbiseduesit e tij. Dhe nga ky këndvështrim, digjitalizimi ka hapur dhe vazhdon të hapë rrugë të mëdha komunikimi.

Linkografia

https://www.youtube.com/@lidhjaeshkrimtarve
https://www.facebook.com/groups/478213179004200?sub_confirmation=1

Filed Under: Politike Tagged With: Sokol Paja

VATRA DHE KISHA “ZOJA E SHKODRËS” PROMOVUAN VEPRAT E HISTORIANIT GJON IVEZAJ

July 7, 2024 by s p

Sokol Paja/

New York, 7 korrik 2024 – Federata Pan-Shqiptare e Amerikës “Vatra” në bashkëpunim me Kishën Katolike “Zoja e Shkodrës” promovuan në Qendrën Kulturore “Nënë Tereza” katër veprat historike të z.Gjon Ivezaj. Me pjesëmarrjen e gjerë të komunitetit shqiptar në New York, aktivistëve e veprimtarëve të komunitetit, mediave, shoqatave si Malësia e Madhe, Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë etj, në fjalën e hapjes Dom Pjetër Popaj, famullitari i Kishës “Zoja e Shkodrës” falenderoi kontributin historik e bibliografik të veprave të Gjon Ivezaj dhe theksoi rëndësinë e arkivave dhe historianëve shqiptarë për të shkruar të vërtetat historike të kombit tonë. Sekretari i Vatrës Dr.Pashko Camaj theksoi nevojën e ruajtjes dhe përcjelljes së trashëgimisë historike të shqiptarëve. Gazetari Frank Shkreli në kumtesën e tij renditi kontributin e Gjon Ivezaj në promovimin e traditave, gjuhës, kulturës, vlerave autentike atdhetare të Malësisë. Sipas z.Shkreli botimet janë një kontribut i shkëlqyer për Shkrelin historik dhe Malësinë e Madhe në përgjithësi. Ai u ndal te figura e personalitete të rëndësishme kombëtare nga kjo krahinë si At Zef Pllumit, Dasho Shkrelit, At Anton Lulit e Azem Shkrelit etj.

Studiuesi Dr. Paulin Marku në kumtesën e tij rwferoi rreth librit “Rrënjët e Malet e Malësisë së Madhe” theksoi se autori Ivezaj sjell me punimin e tij ngjarje dhe të dhëna të rëndësishme mjaft të hershme historike nga gjurmime antike, për prjardhjen ilire, ndikimet dhe pushtimet romake si dhe stilin romak. Hapsirë në këtë libër i jepet rolit kanonik dhe rëndësia e Dioklese gjatë shekullit V-XI, pozitat juridike të popullsisë si dhe disa të dhëna rreth toponimit të Dioklesë. Me interes në këtë libër është edhe kulrivimi i besimit fetar, roli i klerit katolik në krahinën e Malësisë, tha Dr. Marku. Studiuesja e historisë dhe letërsisë zonja Valdete Dida Cenalia në kumtesën e saj paraqiti aspekte të veçanta të të bjeshkuemit në trevat e Malësisë dhe aspekte bujko-blegtorale të trevave historike të Malësisë së Madhe. Prozatori Mëhill Velaj në kumtesën e tij diskutoi rreth librit “Gjurmime historike në rrënjët kombëtare” ku theksoi se ky libër studimor ndjek një rend kronologjik historik duke filluar me studime Ilire mbi përhapjen e fiseve Ilire në Ballkan ku përmes kronikash historike dhe autorëve antik jepen të dhëna faktike për shtrirjen dhe realitetin historik të fiseve Ilire dhe superstrukturën e tyre shoqërore dhe gjurmët e vlefshme në arealin e kulturës antike e atë mesdhetare deri në fazën e pavarësisë së Shqipërisë si një lloj kapërcyelli e përmbyllje studimore në vazhdën e shekujve. Në përfundim të promovimit fjalën falenderuese e mori autori i librave Gjon Ivezaj i cili falenderoi e shprehu mirënjohje të lartë për Kishën Katolike me në krye Dom Pjetër Popaj, Federatën Vatra me në krye Dr.Elmi Berishën, familjen e tij Ivezaj, kumtuesit shkencorë për referimet dhe shpjegoi me detaje aspektet e botimeve të tij shkencore e publicistike referuar në burime arkivore e dokumentare historike. Autori dhe familja në përfundim të promovimit shtroi një koktail për të gjithë pjesëmarrësit. Ky ishte një aktivitet i shkëlqyer atdhetar, kulturor e komunitar në shërbim të identitetit historik e kulturës shqiptare në mërgatën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 93
  • 94
  • 95
  • 96
  • 97
  • …
  • 672
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • 𝗣𝗮𝘀𝗶𝘃𝗶𝘇𝗶𝗺𝗶 𝗶 𝗮𝗱𝗿𝗲𝘀𝗮𝘃𝗲 𝘁𝗲̈ 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿𝗲̈𝘃𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗲𝗿𝗯𝗶
  • Arbëreshët e Argjentinës – Një histori e dy emigrimeve dhe e mbijetesës së identitetit shqiptar
  • SKËNDERBEU, VASAL APO ALEAT I ALFONSIT TË ARAGONËS?
  • HIJESHIA LIGJËRIMORE DHE APOTEOZA E SHQIPTARISË NË KËNGËT E NIKOLLË NIKPRELAJT
  • LEGJITIMITETI DHE PUSHTETI
  • SPECIAL THANK YOU!
  • “ONOMASTIKË DHE ETNOLINGUISTIKË”
  • DEMOCRATS WON. BUT HAS DEMOCRACY?
  • MIHAL GRAMENO – ATDHETAR E KRIJUES AKTUAL
  • GJERGJ FISHTA – PERSONALITET I IDENTITETIT DHE I KRENARISË KOMBËTARE
  • NDARJET ADMINISTRATIVE QË RREZIKOJNË COPËTIMIN E HAPËSIRËS ETNIKE SHQIPTARE NË MAL TË ZI
  • DY SHTETE, NJË HORIZONT KOMBËTAR: SHQIPËRIA, KOSOVA DHE SFIDA E PËRGJEGJËSISË STRATEGJIKE
  • SHKRIMTARI SHQIPTAR PËRBALLË POLITIKAVE KULTURORE PËRÇMUESE
  • Kongresi i ri demokrat: Si do të kufizohet pushteti i Trumpit?
  • KUR NJË IDE BËHET INSTITUCION

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT