Nga Ilir Levonja/
Në fakt klima mes Europës dhe Donald Trumpit është disi e nxehtë, së pari në lidhje me Naton, shpenzimet e pakta që vendet anëtare japin për buxhetin e aleancës së tyre ushtarake, gati 2%. Ku ai këshillon një rritje për shumë e shumë probleme në rajon etj. Së dyti emigrantët…, megjithëse edhe vet vjen nga një familje e tillë, gjermanësh të ardhur në Amerikë…, prapë këshillon atë që një hap duhet marrë. Dhe kjo e ka zanafillën që nga fushata e tij elektorale kur deklaronte se do detyronte qeverinë meksikane të ngrëntë ajo vetë barrierat kufitare me Shtetet e Bashkuara. Sidomos Europa ku sipas tij jo rastësisht elektorati solli dhe po sjell në pushtet forcat politike me programe të ashpra kundër emigracionit klandestin. Me këtë rast nuk la pa përmendur zgjedhjet e fundit në Itali. Nga ana tjetër qe i prerë në lidhje me takimin që do mbahet së shpejti midis tij dhe Vladimir Putinit…, ku në atë stilin e vet, e përmblodhi gjithçka mbi fatin e Sirisë.
Të mendosh se axhenda e Edi Ramës bën pjesë në rrugën e presidentit të Amerikës je naiv. Megjithatë ne kemi tashmë plot histori qesherake me punën e fotove. I pari e nisi vet Edi Rama me një shofer limuzine për të bërë një foto kur Obama mblidhte fonde për fushatën elektorale në 2012. Thonë se pagoi 80 mijë dollarë. Dhe këto, apo donacioni janë sot në shqyrtim nga gjykata për shkak se bie në kundërshtime me ligjet Amerike në lidhje me sporozimet e huaja. Së dyti Lulzim Basha në fushatën e fundit. Edhe ky si Edi Rama por me Donald Trumpin, përflitet se pagoi 50 mijë dollarë vetëm për një foto. Dhe shpesh në opinione, nga militantë me diapazon sa kokrra e grurit, thuhet se janë të domosdoshme për shkak se kështu i do mushka drutë, pra elektorati shqiptar. Eshtë një xhest provincial ku karshi halleve dhe informalitetit të ekonomisë sonë nuk duhej t’i kalonte nën hundë së pari drejtësisë shqiptare. Së dyti ndjeshmërisë qytetare, qofshin me prirje majtas apo djathtas. Sepse që ta dini vendi nuk rregullohet me foto. Fotot na përkasin neve, fejsbukistave me emrin popull, jo atyre që kanë marrë përsipër trendin e vendit.
Tani që të dy akuzojnë njëri-tjetrin përmes ca altoparlantëve partiakë si Taulant Balla dhe Edi Paloka. Por pyetja është se, a i kanë paguar vërtetë? Pa asnjë diskutim që po…, që të dy. Puna është tek ndjeshmëria jonë si qytetarë kur edhe shkeljet ligjore të shefave i quajmë gjë krejt normale edhe pse kostoja financiare është e tillë ku mund të ndreqje disa shkolla a spitale. Përballë shifrave të borxhit a të të ardhurave për frymë tek ne, kjo puna e fotove është bërë me të vërtetë një relaitet i hidhur. Edhe kur del me hiret e presidentes më seksi siç edhe është Kolinda Grabar e Kroacisë… aq sa sot zor se gjen shqiptar që ta di se kujt në fakt i përket kryeministri a presidenti i vendit të tij. Salloneve të Versaçes apo informalititetit urbanistik, ekonomik, mendor e rural të vendit të vet. Pa asnjë diskutim që është ajo e para, një shtetar i joni nuk ka asnjë lidhje të drejtpërdrejtë me popullin e vete, nguleni në mendje këtë. Po të kishte do i ngjante sado pak ati Makronit të Francës që e ka buzëqeshjen me pak hutim. Nuk e kanë. Ndaj për rrjedhoj janë rivalët tanë me foto e gjithçka dite, ojna moshe në faqet e përditshme të fejsbukut.
Por për çfarë mund të ketë folur Edi Rama me Donald Trumpim? Çfarë i kërkonte me aq lutje, ndërkohë kur dikush nga ata këshilltarët si Batoni, rrinte gati me shkrepsen e iphonit. Çasti, i duhej…, mjaft t’u thotë shqiptarëve se ka miq të mëdhenj. Po del foto me Donald Trumpin. Shumë nga njerëzit aludojnë për një ndjesë kur e quante çmenduri nëse amerikanët do të zgjidhnin Trumpin president. Tani i duhej të sqaronte pozitat e majta të popullit të tij dhe se shkëlqesia e tij duhej ta kuptonte. Ca hamendësojnë për reformën në drejtësi. Mirëpo Trumpit vetëm për drejtësinë nuk mund t’i flasësh dot, për të vetmen arsye, se, po drejton gatitu për shkak të pushtetit që ka prokuroria apo drejtësia edhe mbi presidentin. Dhe ai do ta quante fatlum Edi Ramën që ka Arta Markun, tekst lexuesen e togjeve të tilla nuk e di, nuk kam informacion, nuk jap llogari etj. Trumpit drejtësia po i ha skalpin. Dhe jo vetëm atij, kujtdo në Amerikë. Në vendin ku shtetari nxiton e hap krahun vetë pa pritur ta rrëzojnë masat, mjaft një përfolje. Kurse Edi Rama me këmbë e duar, gjysmë i përkulur, a të lutem për diçka, do ma garantosh strehim politik për vete dhe Taulantin kur të mos jem në pushtet. Po ai vet si kryeministër, a është peshk i madh për Amerikën? Po lali Eri? Një sërë pyetjesh të tilla, naivësh ballkanikë, letra pa vlerë për një manjat shifrash i cili nuk vë asnjë lloj politike në kandar veçmas atë që i rrit të ardhurat në fund të vitit.