Çamëria është një plagë, por edhe një krenari, një kulturë që vazhdon të jetojë dhe të frymëzojë.
Në përkujtim të genocidit grek ndaj popullsisë çame, që njihet si “Muaji të Çamërisë”, në kuadër të aktiviteteve për 15 qershorin, Ditën e Çlirimit të Gjilanit, Fondacioni Çamëria “Hasan Tahsini”, në bashkëpunim me Komunën e Gjilanit në Kosovë, organizuan më 9 qershor 2025 “Ditën e Çamërisë”, ku u zhvilluan një sërë aktivitetesh kulturore, informuese dhe përkujtimore. Ky aktivitet u mbajt nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni dhe të drejtuesit të Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, Alket Veliu.
Aktivitetet nisën në Bibliotekën e qytetit të Gjilanit, me një program edukativ dedikuar fëmijëve, ku u promovua libri poetik për fëmijë “Historia e Çamërisë përmes heronjve të saj”, i cili sjell në vëmendjen e të vegjëlve historinë dhe figurat e ndritura të Çamërisë, përmes një rrëfimi të thjeshtë në vargje dhe të përshtatur për moshën e tyre. Shumë të interesuaar për historinë e Çamërisë dhe figurat e saj historike, fëmijët bënë mjaft pyetje në një bashkëbisedim me autorin e librit Arben Iliazi. Në vijim, po në ambientet e Bibliotekës, vijoi promovimi i librit dhe dokumentarit “Ode për tempujt që nuk u harruan”, me autor Luan Ramën dhe regjisor Pandeli Çeçon. Pjesëmarrësit patën mundësi të shohin në ekran dramatizimin e kësaj vepre, që ruan kujtesën kulturore e historike të trojeve çame, si dhe të përfshihen në një bisedë me drejtuesin e Fondacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, Alket Veliu, dhe me pjesëmarrjen e studiuesit çam Ahmet Mehmeti.
Alket Veliu, drejtues i Fonadacionit Çamëria “Hasan Tahsini”, tha: “Një popull që e harron Çamërinë, ai e harron edhe vetveten. Edhe në ditët e sotme, kërkesat e shqiptarëve të Çamërisë janë ato të lëvizjes së lirë, të gëzimit të pronave të tyre dhe të njohjes dhe pranimit të gjenocidit, që mbetet një plagë e hapur edhe sot, pasi as ata që lindën në Çamëri, por edhe pasardhësit e tyre nuk mund t’i vizitojnë trojet e të parëve.
Pelegrinazhet, ekspozitat, aktivitetet përkujtimore dhe të tjera janë pjesë e “Ditës së Çamërisë ” që organizohet çdo vit në muajin qershor, ku synohet të sillen në vëmendje vuajtjet dhe të mos harrohet gjenocidi, por edhe të ruhet dhe transmetohet kultura çame në Shqipëri dhe më gjerë. Ndaj jemi të emocionuar dhe mjaft të nderuar që “Dita e Çamërisë “, 27 qershori, që përkon edhe me përvjetorin e gjenocidit grek ndaj Çamërisë , kujtohet së bashku me 15 qershorin, Ditën e Çlirimit të Gjilanit.
Nënkryetarja e Komunës së Gjilanit, Leonora Morina Bunjaku, tha: “Jemi shumë mirënjohës që sot kemi Fondacionin Çamëria “Hasan Tahsini” me aktivitete. 15 qershori është një ditë krenarie dhe përkujtimi – Dita e Çlirimit të qytetit tonë, Gjilanit. Në këtë ditë, me peshë historike dhe emocionale, kemi fatin dhe nderin të ndajmë festën tonë me miqtë tanë të dashur nga Çamëria, të cilët kanë ardhur nga larg për të qenë pjesë e kësaj ngjarjeje të veçantë. Prania juaj sot në mesin tonë është shumë më tepër se një gjest miqësie – është dëshmi e lidhjeve të fuqishme shpirtërore, kulturore e kombëtare që na bashkojnë ndër breza. Çamëria nuk është vetëm një kujtim historik – ajo është një plagë, por edhe një krenari, një kulturë që vazhdon të jetojë dhe të frymëzojë”. “Le të jetë kjo një festë për të gjithë – një festë për kulturën, për historinë dhe për atë që jemi si popull”, tha nënkryetarja Leonora Morina Bunjaku.
Edhe drejtori i Kulturës, Kushtrim Zeqiri, tha se 15 qershori, Dita e Çlirimit e Gjilanit, është një ditë e rëndësishme, derisa edhe më të rëndësishme e bënë Dita e Çamërisë me aktivitetet e saj.
Aktiviteti kulmoi në orët e pasdites në Galerinë e qytetit, me një Panair Kulturor të hapur, ku u ekspozuan veshje tradicionale çame, fotografi informuese për historinë e Çamërisë, si dhe u organizua një program artistik me këngë e valle popullore çame, duke sjellë një atmosferë emocionuese dhe të gjallë për të gjithë të pranishmit.
“Ne kemi sjell një copë Çamërie sot në Gjilan për të treguar historinë çame nëpërmjet aktiviteteve kulturo – artistike”, tha Alket Veliu në çelje të ekspozitës: “Kultura çame është pjesë e kulturës shqiptare dhe si e tillë ajo mbart dhe trashëgon tiparet dhe vlerat e kulturës shqiptare në tërësi dhe siç do të shohim më poshtë, edhe ato regjionale në veçanti. Do të ishte gabim ta ndanim atë prej të tërës, pra asaj që quhet shqiptare ose ta trajtonim atë vetëm si kulturë regjionale, të një territori e popullsie që shtrihet e jeton në një teritor të caktuar. Kultura çame është shprehëse e vlerave të një popullsie me histori të lashtë, bart shtresësime të hershme, të formuara në epoka të ndryshme. Atje ne trojet tona të braktisura, lëviz dhe gjallon shpirti i Çamërisë dhe i popullsisë së saj. Ato janë në shtëpitë e tyre dhe zota që nuk ka fuqi ti shpërngulë. Kultura çame është kultura e një popullsie të zhvendosur me dhunë nga trojet e veta shekullore. Si e tillë ajo është bërë pjesë e pandarë e vitalitetit dhe ekzistencës së saj”.
Nënkryetarja Leonora Morina Bunjaku tha se “ekspozita me veshje tradicionale, fotografitë dhe figurat e shquara çame, si dhe programi me këngë e valle popullore, janë dëshmi e gjallë që kultura nuk shuhet – ajo jeton në kujtesën tonë kolektive dhe në brezat që vijnë. Kemi nderin të hapim panairin kulturor çam, një dritare në traditën, identitetin dhe shpirtin e një populli që nuk e humbi kurrë dinjitetin”.
Ky aktivitet ishte një dëshmi e bashkëpunimit të frytshëm mes Fondacionit Çamëria ‘Hasan Tahsini’ dhe Komunës së Gjilanit, për të ruajtur dhe promovuar historinë, kulturën identitetin çam dhe atë shqiptar, kudo në trojet etnike.
Sildi Koqini