SHTËPIA BOTUESE OMSCA-1 NXORI NË QARKULLIM LIBRIN ME POEZI ‘UNË JAM E PËRJETSHME’ TË AUTORES ELIDA BUÇPAPAJ
TIRANË, 7 JANAR – Shtëpia Botuese OMSCA-1 bën të ditur se këto ditë ka nxjerrë në qarkullim librin me poezi të autores Elida Buçpapaj. Redaktor i librit është Skënder Buçpapaj.
Libri përmban 136 faqe dhe kushton 500 lekë.
Këtu po sjellim edhe parathënien e librit:
NJË LIBËR I RI QË FTON PËR NJË LEXIM TË RI
Nga SKËNDER BUCPAPAJ
Libri i ri “Unë jam e përjetshme” është rindërtim novator i librit të mëhershëm të poetes Elida Buçpapaj “Unë nuk jam e përjetshme”. Lënia jashtë e një pjesëze mohuese, ngërthen në vetvete jo thjesht një përfundim kundërvënës. Shumë më tepër se kaq – ai ngërthen në vetvete një pohim mohues, një konkluzion të ri sa etik aq dhe estetik, një propozim të ri ndaj lexuesit, pas një rishikimi të thellë të përvojës jetësore dhe poetike nga ana e autores.
Nëse librit të mëhershëm “Unë nuk jam e përjetshme” i printe thënia e poetit Robert Graves “Poetët janë njerëz”, pra, janë tokësorë, librit të ri do t’i shkonte për shtat thënia e shkrimtarit dhe krikut të artit John Ruskin se “poetë janë njerëz, profetë dhe besimtarë (religjiozë) njëkohësisht”, pra janë njëherësh tokësorë dhe qiellorë, janë njëherësh të njerëzishëm dhe të perëndishëm.
Laboratori poetik ndërmjet dy titujve të sapopërmendur, ka punuar në katër reparte: në ripunimin e versioneve më të hershme dhe risimin e figuracionit ose të detajeve figurative, në versione të reja të plota, në versione të reja të pjesëshme, por që i përkasin së njëjtës frymë. Kjo përkon me ribotimet e disahershme të poezive në gazeta dhe revista në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe në Perëndim, si dhe në mediat online, deri në periudhën digitale dhe atë të rrjeteve sociale, siç është facebook, pra në epokën kur poezitë shkruhen dhe të faqosen në fashikuj jo dosido, po drejtpërdrejt në eterin e Universit pasi kanë përshkruar rrugën e periudhave epokale të njerëzimit prej fazës së shkrimit në gur apo dru, pastaj në pergamena, në papirusa dhe në shtypshkrim e deri në këtë mbërritje.
Në gjithë këtë përballje e këtë ndeshje me kohën, me lexuesin, përkundër raporteve të reja të krijuara mes autores, krijimit, proceseve të shkrimit dhe të leximit, asnjëherë nuk janë harruar, gjithnjë janë mbartur me vete imazhet, mjeti më karakteristik i poezisë së Elidës. Ashtu si reja e ngarkuar me stuhi, e cila mbart me vete si vetëtimat, ashtu dhe bubullimat, poezia e saj është gjithmonë një mori imazhesh, asnjëherë të heshtura, përherë gjëmuese. Nga ky aspekt, do thënë se kjo teknikë e komunikimit poetik i ngjason jo pak teknikës kinematografike, sidomos asaj pas “Portokallit mekanik” të Stanley Kubrikut, ku teknologjitë e reja të përcjelljes së mesazhit artistik bëhen gjithashtu pjesë e komunikimit me publikun, në këtë rast me publikun e poezisë, të cilit jo vetëm i lejohet, por edhe i detyrohet perceptimi i poezisë si me fjalën, ashtu edhe me imazhin e mbartur prej saj, ashtu edhe me akustikën që e përbën dhe e shoqëron këtë imazh.
Me librin e ri “Unë jam e përjetshme”, autorja fton për një lexim të ri, nëpërmjet të cilit lexuesi e kupton edhe hopin që ajo ka shënuar nga libri “Unë nuk jam e përjetshme” deri tek “Rapsodi e Golgotës së tranzicionit”, deri tek krijimet e saj më të reja dhe ciklet e saj më të reja, por e kupton edhe logjikën që i lidh të gjithë librat e autores, të gjithë poezinë e saj, edhe logjikën e shkëputjes nga disa prej etikave dhe estetikave të mëhershme të shkrimit, derisa të dalë në verdiktin se vetë poetja është gati krejt vetvetja, njëherësh gati krejt dikush tjetër, nga një e papërjetshme tashmë ajo është shndërruar në një të përjetshme. A nuk kishte, pra, të drejtë Paul Valery kur thoshte se nuk ka poezi të përfunduara, ka vetëm poezi të braktisura?
Ngjan e pamundur, pra, të flasësh për këtë poezi dhe të shmangësh shtjellimet teorike për poezinë dhe përtej saj. Nga pozita e redaktorit të këtij libri, je i ftuar të kuptosh më drejt raportin krijues me poezinë, të pranosh se lexuesi dhe redaktori i parë i poezisë është vetë krijuesi. Ndërsa redaktori është thjesht ndërmjetësuesi i parë me publikun. Në këtë cilësi, mund të them se kjo poezi e ka të vetin gjithëpushtetin ndaj rimës dhe mosrimës, ndaj mbingarkesës figurative dhe komunikimit troç, gati publicistik, ndaj vrullnajës së ndjenjave dhe ndaj akullnisë së përsiatjeve tejet racionale. Në këtë dyskajore, në këtë segment do kërkuar edhe tallazitja e kësaj poezie, e cila shkon nga përshkallëzimet ngjitëse rënëse, deri kulmore, tek ato zbritëse, deri fashitëse, nga kalamburet marramendëse, deri tek fjalëlojat gati fëminore, nga përgjëratat ledhatuese deri tek kumbimet vringëlluese.
E pra, në këtë dyskajore përfshihet gruaja dhe vajzëria e saj, nëna dhe fëmijëria e saj, bija e atdheut dhe mërgimtarja e përmalluar për atdheun, përfshihet tranzicioni postmonist i vendit të saj dhe mërgimi plot sfida në botën e huaj, përfshihet kthimi i përhershëm me mendje dhe zemër në atdhe dhe amnezia gjithnjë e më e rëndë e atdheut ndaj bijve e bijave të saj të larguar. “Unë nuk jam e përjetshme” do të ishte libri i parandjenjave; “Rapsodi e Golgotës së Tranzicionit” do të jetë libri i sendërtimit të makthshëm të këtyre parandjenjave, ndërsa „Unë jam e përjetshme“ libri i verifikimit të koshiencës dhe subkoshiencë, që në gjuhën jo poetike përkthehet me togfjalëshin e thjeshtë „a nuk të thashë!“. Dhe pa këtë vizion pararendës poetët nuk do të ishin poetë dhe në fund të fundit, prandaj poetët dallohen nga njerëzit e zakonshëm.
Metafora për poezinë e Elidës pjesë e kartës të identitetit të saj poetik, ajo luan me metafora, të cilat i vendos në funksion të një sensibiliteti të tillë poetik sa i prek thellë telat e shpirtit njerëzor.
Poezia “Shkela një lodër fëmije” është një metaforë e jetës me afatet e saj, ku fatalizmi ekzistencial është i pashmangshëm, ku ekzistenca nuk ka dilema. Tek kjo poezi autorja është edhe „fajtorja“ që e shkeli kukullën, edhe vetë kukulla.: “Shkela një lodër fëmije/ një kukull të drunjtë/ si një„matrioshkë“/ me flokë dhe faqe të kuqe,/ një kukull që vetëm qeshte/ që ishte e lumtur…/ ajo as nuk hante/ as nuk pinte…/ ajo nuk kërkonte as të flinte/ që të shihte ëndërra/ ajo duket se shihte ëndërra me sy hapur,/ pa ironi,/ ajo nuk kërkonte as të udhëtonte/ me jaht,/ të paktën sa të shihte detin,/ ose të dilte të paktën natën/ në ballkon/ sa për të parë hënën/ kur të bëhej presje…/ ajo s’i pa asnjëherë yjet,/ as plepin…/ dhe prapë ishte e lumtur/ ajo rrinte tërë ditën në shtëpi/ pa lëvizur/ majë televizorit,/ apo mbi tavolinë/ kur e ftonin/ për të ngrënë me ta/ fëmijët/ kur ishin të vegjël/ ajo kukuriste fare,/ kur qendronte mbi tavolinë/ me fëmijët/ dhe dukej se më të lumtur se ajo/ vërtetë nuk kishte në botë njeri…” Kukulla, pra, ishte njeriu apo vetë koha e seicilit prej nesh.
Për të shpjeguar parimin krijues që ka prirë në ndërtimin e këtij libri të ri, unë po pranëvë dy versionet e poezisë “Pikë e lotit”, e cila është poezia më me pak vargje e përmbledhur këtu: Versioni I: “Pikë, pikë e lotit/ më e vogël se një pikë shi/ në cep të syrit/rri…/ pikë, pikë e shiut/ më e vogël se një pikë/ rërë/ që të mos më shihen lotët/ fytyrën lagma të tërën.” Versioni II: “Pikë, pikë e lotit/ më e vogël se një pikë/ mbi„i“/ në cep të syrit/ rri…/ pikë, pikë e qiellit/ më e vogël se një pikë/ mbi «i »/ rigon si lot/ duke bërë/ pirueta/ mbi asfaltin gri…/ pikë, pikë e lotit/ më e vogël se një pikë/ mbi „i“/ në cep të syrit/ rri…” Nëse në versionin e parë poezia ka nëntë vargje, ka dy rima, ka pesë detaje-imazhe, në versionin e dytë ajo ka shtatëmbëdhjetë vargje, ka tetë detaje-imazhe, ka vetëm një rimë, e cila bie gjithnjë mbi i, ka disa asonanca. Kështu grafikisht shënohet më mirë shiu që bie pambarimisht dhe pandërprerë nga lart poshtë, shmanget detaji i shiut, i cili është i pranishëm, por është i nënkuptuar, metaforik, është “pikë e qiellit”, është gjithashtu i kuptuar në foljen “rigon”, përjashtohet detaji i fytyrës së lagur dhe rima “rërë/tërë”, zgjerohet hapësira nëpërmjet ardhjes së përfytyrimeve të qiellit dhe asfaltit, madje edhe të tingullit “i”, përshpejtohen ritmet e përfytyrimeve nëpërmjet “piruetave” të lotit.
Forma e jashtme grafike e poezisë, në rastin konkret, bëhet më e hajthme, porosia e saj më e trishtë, më filozofike, poezia është tashmë metaforë e kulluar. Ashtu si Robert Frost e përkufizonte atë në mënyrën më koncize: “Poezia është metaforë”, larg përkufizimeve të gjata e të rënduara të teoricienëve, ndonëse, për hir të së vërtetës, ato të gjitha fillojnë me “Poezia është gjuhë…”. Për më tepër, poezia e sotme është një metaforë që montohet dhe çmontohet, e anasjelltas, një metaforë që fillin e ka në fund dhe lidhjen nyjë e ka në zanafillë, e anasjelltas. “Shkela një kukull/ një kukull të drunjtë, të lumtur…/ ajo u plasarit copka-copka/ se ishte e vogël/ sa një grusht fëmije,/ ajo u thye copka-copka, një copkë sy bashkë me pak flokë të kuqe,/ një copkë hundë me gjithë gojkën e vockël,/ një copkë bark me pak fustan të kaltër/ me pikla të kuqe.” Në këto vargje, gjithnjë të poezisë “Shkela një lodër fëmije”, kemi një metaforë në kuadër të një poezie metaforë, ku janë bashkë poetja me veten e saj, me fëmijërinë e saj, me amësinë e saj dhe me fëmijën e saj. Vetëm ky kontekst kaq i brishtë dhe kaq i ndjeshëm e shpjegon makthin gati të tragjik që përmban veprimi i pakujdesshëm ndaj një lodre fëmije, në fakt, pra lodra e fëmijës së saj.
Poetja, kështu, e merr në gji sërish, e mëkon sërish poezinë e saj me më shumë filozofi, me më shumë përkryerje stilistike, me më shumë flatra e fluturime, e kalon atë nëpër metamorfoza të reja, e pikënis vrullshëm e sigurt për shekuj të rinj dhe epoka të reja.
“Të botosh një vëllim poetik është si të hedhësh një petal trëndafilli në Kanionin e Madh dhe të presësh jehonën,” thotë poeti dhe artisti i madh shumëplanësh amerikan Marquis. Nuk mund ta shprehë askush, ndoshta më mirë, emocionin e pritjes që e pason një ngjarje të tillë. Dhe nuk mund t’i shkojë për shtat asgjë më mirë se kjo metaforë vëllimit të ri poetik të Elida Buçpapajt, bindjes së re poetike të Elida Buçpapajt, “Unë jam e përjetshme”.
Për të marrë përsipër këtë parathënie, përtej faktit se jam redaktor, më ka shtyrë para së gjithash privilegji sa dhe përgjegjësia se vetë unë, me emrin e përveçëm Skënder Buçpapaj, jam pjesë e frymëzimeve të kësaj poezie, posaçërisht e një prej cikleve më të bukura, “Ti nuk më beson, nuk më beson…”, pjesë e shqetësimeve dhe përjetimeve të jetës dhe të poezisë, pothuaj në çdo fjalë dhe rrokje, pothuaj në çdo ahmë dhe frymim të çdo hapi jetësor e poetik, jam, nëse jo lexuesi i parë, dëshmitari i parë i kësaj poezie, le të besoj ashtu se edhe fatsjellësi i parë.