
Instituti i Studimeve për Krimet e Komunizmit për herë të parë sjell para publikut dokumente arkivore që dëshmojnë veprimtarinë kriminale të regjimit diktatorial mbi fëmijët. Dje, të vendosur në një ekspozitë, në sheshin Skënderbej, “Fëmijët pas telave me gjemba” ishte një akt dhe homazh për fëmijët në Ditët e Kujtesës, të cilët vuajtën dhunën dhe persekutimin, pas burgosjes apo ekzekutimit të familjarëve të tyre. Drejtori i ISKK, Çelo Hoxha ne fjalën e tij, tha se “dokumentet në këtë ekspozitë e vërtetojnë se në periudhën 1945-1990 ka pasur mungesë ligji, dhe se, në terma ligjore, ajo që quhet internim ka qenë kufizim i paligjshëm i lirisë nga institucionet e regjimit komunist”. E shoqëruar me dokumente autentike, ekspozita ka tërhequr vëmendjen e qytetarëve si, dhe të trupave diplomatikë e përfaqësuesve të parlamentit prezentë në ceremoninë e perurimit duke u njohur me pjesën më të errët, dhe të dhimbshme të represionit komunist edhe mbi fëmijët e pafajshëm.Me ide të ish drejtores se Drejtorise se Studimeve ne ISKK, Luljeta Lleshanaku, dhe kurim të studiueses Brisejda Lala, qëllimi i ekspozitës është të hedhë dritë në një pjesë të rëndësishme dhe të pa studiuar të historisë së Shqipërisë, e cila lidhet me një nga anët më të errëta të veprimtarisë kriminale që u krye në emër të shtetit shqiptar.Ekspozita sjell për herë të parë aspekte të rëndësishme që lidhen me jetën e fëmijëve në internim dhe persekutimin e tyre. Nëpërmjet dokumenteve arkivore dhe fotove, vijnë para publikut informacione të panjohura lidhur me burgosjen e minorenëve dhe dërgimin e tyre në kampe pune. Dokumentet dhe historiku shoqërohen me skica të ish përndjekurit politik z.. Musa Çapani; ndërsa grafikat e tjera të përshtatura me historitë personale të marra nga vëllimet e “Zërave të Kujtesës”, janë realizuar nga piktorja Neraida Dado. Dokumentet e ekspozuara zbulojnë që internimi i fëmijëve ishte një proces i pabazuar ligjërisht, duke ofruar fakte mbi jetën e fëmijëve në kampe internimi, të rrethuar me tela, siç ishte Kampi i Tepelenës; jetën e fëmijëve në vende internimi në mungesë të kushteve më minimale të jetesës gjë që binte në kundërshtim me propagandën e kohës dhe konventat ndërkombëtare të të drejtave të fëmijëve. Këtu janë ekspozuar dhe dokumente të kohës që pasqyrojnë numrin e fëmijëve në kampe dhe vende internimi; dëshmitë e kohës i japin zë historive personale të përjetuara prej tyre. Ekspozita është e fokusuar tek persekutimi i fëmijëve dhe vuajtjet e tyre gjatë regjimit komunist, pavarësisht mungesës së theksuar të dokumenteve zyrtare dhe të dhënave lidhur me këtë fenomen. Përpos kontributit në Ditët e Kujtesës, ekspozita shënon nje prej ngjarjeve, më me rëndësi në kuadër të veprimtarisë vjetore të ISKK, duke përfshirë edhe botimin e kolanës 2022, promovimi i të cilëve mbahet nesër, në orën 10.00, në mjediset e Hotel Internacional Tirana, me prezencë të autorëve, ish të përndjekur dhe studiues.