Nga Albert Vataj/
E pabesueshme por e vërtetë. Gjithçka është e gostitur si prej një dore të plotpushtetshme. Ylli i fatit të Mehmet Aliut ishte ylli që shndriti një prej qytetërimeve më të famshme të botës që po rrezikohej të shtypej nën peshën e varfërisë. Dinastia shqiptare që nis me korçarin Muhamed Ali pasha për të sosur me pinjollin Mbretin Faruk, riktheu botës Egjiptin madhështor të faraonëve dhe piramidave.
Ndoshta bota nuk e njeh si të tillë, por etapa e famshme e rizbuluimit të një qytetërimi siç ishte ai faraonik dhe piramidave daton pikërisht në periudhën kur Egjipti sundohej nga shqiptarët.
Dora d’Istria: Mehmet Aliun e mbërtheu një pasion i tillë për Francën, sa mund të thuhet se Rilindja e perandorisë së Faraonëve të lashtë, është pasojë e një aleance franko-shqiptare!
Konsulli francez, Mourriez: E pyeta një ditë Mehmet Aliun pse aq shpesh ai thoshte se ishte shqiptar. Ai m’u përgjigj: “I tillë jam dhe gjuha ime është shqipja. A nuk më kini dëgjuar kur u flas rojeve!… Shqiptar jam e shqiptar do vdes, ndonëse u përpoqa të bëhem egjiptian i mirë!
Fan Noli: Mehmet Aliu ishte vërtetë fetar, por aspak fanatik dhe ky fakt vendimtar e bënte të hapur ndaj ideve perëndimore, sepse prej fanatizmit nuk vjen asgjë e mirë. Mendim ky i shkëlqyer, i vërtetuar plotësisht nga historia dhe i hedhur tej me neveri nga iluministët francezë të shekullit të 18-të dhe nga vetë revolucioni francez”.
Historia e Mehmet Ali pashait të Egjiptit është një histori e jashtëzakonshme e një djali që lindi në Zëmblak të Korçës në vitin 1769. Familja e tij u shpërngul hershëm në Kavalla të Greqisë, qytet i ndërtuar nga Aleksandri i Maqedonisë për kujtim të kalit të tij. Mehmet Aliu ishte i 17-ti nga fëmijët e zëmblakasit, Ibrahim Agai, të cilët vdiqën njëri pas tjetrit.
Sipas legjendës, detyrën e parë publike Mehmeti e përmbushi kur ishte vetëm 18 vjeç. Një fshat aty afër nuk paguante taksat. Ai shkoi me 10 vetë të armatosur dhe kërkoi të takojë katër të parët e fshatit. I futi në xhami dhe iu premtoi se nuk do të dilnin gjallë nëse fshati nuk paguante taksat.
Në Egjipt shkoi ushtar i thjeshtë i Portës së Lartë, por shpejt u bë komandant dhe me kohë pasha. Udhëhoqi Egjiptin drejt përparimit, pavarësimit, shtet-krijimit dhe krijoi dinastinë mbretërore shqiptare pavarësisht se nuk dinte të shkruante dhe të fliste gjuhë tjetër përveç shqipes të cilën nuk e shkruante gjithashtu.
Në ditët kur Napoleon Bonoparti pushtoi Egjiptin i cili që nga koha e Sulltan Selimit kishte qenë pjesë e pandashme e perandorisë osmane, Mehmet Aliu, ashtu si edhe shumë myslimanë të tjerë, shtetas të perandorisë u ngrit për të mbrojtur këtë tokë të perandorisë osmane nga këta kolonizator të rinj.
Në krye të një batalioni me shqiptar, Mehmet Aliu marshoi drejt Egjiptit, ku pas përpjekjeve të ndryshme luftarake me francezët më në fund, Egjipti u çlirua nga zgjedha Bonaparte. Pas çlirimit të Egjiptit dhe mosmarrëveshjeve të ndryshme civile, më në fund në vitin 1805 Mehmet Aliu më këshillën e sheikut të Azharit, morri fermanin nga Sulltani për tu bërë guvernator i Egjiptit së bashku me titullin Pasha.
Duke parë situatën e prapambetur të Egjiptit të asaj kohe, Mehmet Aliu ishte ai që filloi zhvillimin e vendit dhe të vetes së tij. Një hov të madh, drejtuesi shqiptar i Egjiptit i dha bujqësisë, industrisë e tregtisë, duke rritur mirëqenien në popull.
Në Aleksandri, Rozet, Damiet e gjetkë, nisën të ndërtoheshin fabrika të mëdha, ndërsa francezët jepnin mbështetjen. Më tepër se njëmijë anije përshkonin Nilin.
Kështu, qyteti i faraonëve nisi të zbulohej. Misione francezësh u morën me arkeologjinë. Më 1822, Çampollion gjeti dhe zbërtheu alfabetin e hieroglifëve, duke kurorëzuar një punë të nisur që më 1798-n.
“Gjithë mbretnija e Mehmet Aliut është nji punë e rrallë dhe e çuditshme në historinë e botës, është nji varg triumfesh të papreme, nji rradh fitimesh të luftës e të diplomacisë, prapa të cilave mbeti i habitur historiani”, shkruan në librin e tij, Aleksandër Xhuvani.
Më 1824, si rrjedhojë e kryengritjeve të barbarëve në Greqi, Sulltan Mahmudi i II-të që nuk mund ta shtypte dot këtë rebelim grek, thirri në ndihmë Mehmet Aliun, i cili duke çuar në krye të kësaj ekspedite djalin e tij, Ibrahim Pashën, arriti që të shuajë dhe shtypë revoltat në Greqi. Si rrjedhojë e kësaj fitoreje, Mehmet Aliu u shpërblye nga Sulltani që të bëhej edhe guvernator i Kretës. Fuqitë e mëdha (Britania e Madhe, Franca, Rusia), duke parë shtrirjen e gjerë që Mehmet Aliu pati që nga Sudani e deri në Kretë, më 1827 dërguan armatat e tyre për të luftuar Ibrahim Pashën, të birin e Mehmet Aliut, i cili pas përplasjes me fuqitë e mëdha u thye, dhe u detyrua që të lëshojë shtypjen e terrorizmit grek. Ai la në fushën e betejës 93 anije lufte.
Më parë, ai dhe i biri i tij Ibrahimi, ata kishin shkatërruar lëvizjen vahabiste që kishin pushtuar Mekën dhe Medinën. Ata madje arrestojnë liderin e shtetit vahabist, Abdullah bin Saud, i cili do të ekzekutohet në Stamboll.
Pas betejës tjetër të vitit 1839 që e fitoi, djali i Mehmet Aliut, Ibrahim Pasha, i cili theu Ushtritë osmane, në Konia të Anadollit, filloi marshin për në Kostandinopojë, ku sipas shumë historianëve, ambiciet e Mehmet Aliut ishin që ai të bëhej Sulltan i shtetit Islam. Por, duke parë forcën dhe vitalitetin e Mehmet Aliut, fuqitë e mëdha e ndaluan dhe kërcënuan sërish Mehmet Aliun, që të mos avanconte më tej.
Pas kësaj përpjekjeje të fundit, Mehmet Aliu u tërhoq në Egjipt, ku atij iu njoh e drejta e Khedivllëkut mbi Egjipt (lloj mbretërimi), nga ku gjenerata e nipërve të tij udhëhoqi deri në vitin 1952.
Më 2 gusht 1849, Mehmet Ali Pasha vdiq në Aleksandri. Trupi i tij u mbështoll me një shall kashmiri, në kokë i vunë festen tuniziane dhe shpatën e tij. Arkivoli u përcoll nga 22 sheikë, që lexonin vargje nga Kurani deri kur mbërriti në xhaminë e Alabastrs në Kajro, ku u varros. Kjo ishte historia e shqiptarit nga Kavalla, që s’dinte shkrim e këndim, por që mundi brenda pak vitesh ta transformojë Egjiptin apo Misirin e prapambetur në një port të ndërveprimit të kulturave evropiane dhe egjiptiane.
Ismail Pasha është pasuesi i Mehmet Aliut që mbahet si modernizuesi i Egjiptit. Ai sundoi nga viti 1863 deri më 1879.
Ai ishte udhëheqësi që themeloi shërbimin postar, modernizoi ushtrinë duke e kthyer atë në një ushtri bashkëkohore, bëri ndërtimin e hekurudhave. Por ajo që mbahet si vepra jo vetëm më e madhe në Egjipt, por në mbarë botën, ishte ndërtimi i Kanalit të Suezit: një kanal artificial detar, me një gjatësi prej 163 kilometrash – nyja që lidh hemisferën perëndimore dhe atë lindore të tokës. Kanali i Suezit ka rëndësi të madhe strategjike, për arsye se është rruga më e rëndësishme e tankerëve detarë për furnizimin e Evropës me naftën e Lindjes së Afërme. Kanali i Suezit është hapur në vitin 1869. Kostoja e lartë e ndërtimit të këtij kanali detyroi Ismail Pashën t’ua shiste kanalin anglezëve, të cilët e ndërruan me koncesion.
I fundmi i dinastisë së Mehmet Aliut ishte mbreti Faruk, i rrëzuar nga froni prej kryengritjeve nacionaliste.
Më 1952-shin kohërat ndryshuan në Egjipt. Nacionalistët nuk pranonin më të drejtoheshin nga dinastia e mbretërisë. Revolucioni i udhëhequr nga gjenerali Abdul Naser e rrëzoi dinastinë me gjak shqiptar. Më 26 janar 1952 ndodhi një djegie e pjesshme e qytetit të Kairos dhe më 23 korrik, kur Faruku ishte në Aleksandri, grupi komplotist “Oficerët e Lirë” me në krye gjeneral Naguib morën nën kontroll Kairon.
Mbreti Faruk emigroi në Itali dhe vdiq në Romë në vitin 1965.
See insights and ads
Like
Comment
Share