26 gusht 1949 – 26 gusht 2023
U bënë 74 vjet nga shpallja në Paris, Francë e Komitetit Kombëtar Shqiptar “Shqipëria e Lirë” në 26 gusht 1949.
Lufta e Mid’hat Frashërit kundër regjimit komunist në Shqipëri nuk ndali asnjëherë, por aktiviteti i tij kulmoi në verën e vitit 1949. Organizimi i antikomunistëve në mërgim, me iniciativën e Frashërit dhe mbështetjen e anglo-amerikanëve, u formalizua me krijimin e Komitetit Kombëtar “Shqipëria e Lirë” i cili i pati fillimet në Itali dhe u kristalizua në Francë. (Sipas CIAs amerikane, bërthama e komitetit ishte formuar në 7 korrik 1949.)
Komiteti zgjodhi një Këshill Drejtues me këtë përbërje:
Mid’hat Frashëri, Balli Kombëtar, Kryetar
Abas Kupi, Legaliteti
Zef Pali, Balli Kombëtar
Said Kryeziu, Independent
Nuçi Kota, Legaliteti
Komiteti u krijua i mbështetur edhe nga një komision konsultativ me përbërje:
Halil Maçi, Balli Kombëtar
Abas Ermenji, Balli Kombëtar
Vasil Andoni, Balli Kombëtar
Gaqo Gogo, Legaliteti
Gani Tafili, Legaliteti
Asllan Zeineli, Legaliteti
Ihsan Toptani, Independent
Muharrem Bajraktari, Independent
Hysni Mulleti, Independent
Ekrem Telhai, Independent
Komiteti parashtroi këto qëllime:
1. Të udhëzonte e të inkurajonte popullin e vet kurajoz në rezistencën kundër tiranisë mizore të komunistëve dhe të organizonte shqiptarët në mërgim për të ndihmuar në mënyrë efektive rezistencën. Komiteti synonte të informonte njerëzit në Shqipëri se papajtueshmëria me shtypjen komuniste ishte universale dhe se fuqia e njerëzve të lirë dhe ai i kombeve parlamentare po rritej shpejt.
2. Të gjitha aktivitetet e komitetit synonin restaurimin e pavarësisë së plotë, sovranitetit dhe integritetit territorial të kombit Shqiptar.
3. Komiteti për Shqipërinë e Lirë, i vetëdijshëm për përgjegjësitë e marra mbi supe, synonte të gjente mbështetjen e gjithë njerëzve të lirë dhe atë të vendeve demokratike.
Ndonëse personalitetet e lartpërmendura iu përkisnin organizatave të ndryshme politike, ata burra kishin të përbashkët dëshirën për të çliruar Shqipërinë nga kuçedra komuniste. Shtetet e Bashkuara ndihmuan që komiteti të shpërngulej në Nju Jork. Por beteja e Mid’hat Frashërit ndaj komunistëve u ndërpre pas vdekjes së tij të papritur e misterioze në Nju Jork, Sh.B.A. në 3 tetor 1949, pothuajse një muaj më vonë. Lavdi këtyre burrave të mëdhenj të kombit!
—Administratori
Foto: Mid’hat Frashëri më anëtarët e komitetit, Paris, 26 gusht, 1949
Marrë nga: “Mid’hat Abdyl Frashëri”