Kongresmeni amerikan në vizitë pune. Takime me presidentin Bujar Nishani dhe kreun e opozitës Lulzim Basha/
Kongresmeni amerikan Eliot Engel nisi sot një vizitë pune në Tiranë. Ai u prit në një takim nga presidenti Bujar Nishani. Kreu i Shtetit shqiptar vlerësoi angazhimin e kongresmenit amerikan dhe e falenderoi atë “për rolin e veçantë dhe mbështetjen e fuqishme që ai personalisht i ka dhënë Shqipërisë, Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve, për afro tre dekada si kongresmen”. Zoti Nishani ka ritheksuar rëndësinë e marrëdhënieve mes dy vendeve ndërsa është nënvizoi se “Shqipëria dhe shqiptarët i konsiderojnë Shtetet e Bashkuara si mikun dhe aleatin e saj strategjik më të madh”, duke shtuar se “se shqiptarët me krenari të veçantë e legjitime do të jenë gjithnjë krah Shteteve të Bashkuara në përballimin e sfidave globale dhe në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar e ekstremizmit të dhunshëm me baza fetare. Shqipëria është e vendosur për të kontribuar për paqen dhe stabilitetin, si në nivel rajonal ashtu edhe në nivel global”, u shpreh Kreu i Shtetit.
Kongresmeni Engel shoqërohej dhe nga një prej personaliteteve të diasporës shqiptare në SHBA, zoti Harry Bajraktari. Duke shfrytëzuar edhe praninë e tij, presidenti Nishani u shpreh se “ne shqiptarët ndjehemi shumë krenarë për diasporën tonë në SHBA dhe kontributin që ka dhënë për forcimin e marrëdhënieve mes tyre dhe Shteteve të Bashkuara”.
Kongresmeni Engel pati një takim dhe me kryetarin e opozitës Lulzim Basha, i cili gjithashtu e falenderoi për “kontributin e vyer që ka dhënë për Shqipërinë dhe Kosovën si dhe angazhimin e përhershëm për demokracinë në Shqipëri”. Zoti Basha më pas është ndalur dhe në zhvillimet e fundit politike në vend, ku ai ka përsëritur qëndrimet e njohura të opozitës. “Zgjedhjet e lira dhe të ndershme, krimi dhe droga me mbështetje shtetërore si dhe korrupsioni i përhapur gjerësisht, ishin shqetësimet e ngritura nga zoti Basha në këtë takim”, bëri të ditur një njoftim i shpërndarë nga Partia Demokratike.
Kroniken me detaje per viziten en Presdence e morem nga faqja zyrtare e Presidentit
Presidenti Nishani priti sot kongresmenin amerikan, Eliot Engel
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani, priti sot në një takim të veçantë kongresmenin amerikan Eliot Engel, i cili ndodhet në një vizitë pune në Shqipëri, i shoqëruar edhe nga një prej personaliteteve të diasporës shqiptare në SHBA, zoti Harry Bajraktari.
Presidenti Nishani përshëndeti vizitën e radhës së Kongresmenit Engel në Shqipëri, si një prej vizitave të shumta të tij dhe e falënderoi atë për rolin e veçantë dhe mbështetjen e fuqishme që ai personalisht i ka dhënë Shqipërisë, Kosovës dhe të gjithë shqiptarëve, për afro tre dekada si kongresmen. Në mënyrë të veçantë Kreu i Shtetit vlerësoi mbështetjen dhe bashkëpunimin e Kongresmenit Engel me diasporën shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kreu i Shtetit u shpreh se: “është gjithmonë kënaqësi mikpritja e një kongresmeni amerikan në Tiranë, por vizita dhe prania juaj na jep një gëzim të veçantë, si mua personalisht si President i vendit ashtu edhe të gjithë shqiptarëve”.
Kreu i Shtetit shprehu gjithashtu mirënjohjen e thellë për mbështetjen e madhe e të qenësishme që Shtetet e Bashkuara i kanë dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve, që prej themelimit të shtetit shqiptar e deri në ditët e sotme, me Pavarësinë e Kosovës, anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe kosolidimin e institucioneve demokratike dhe të shtetit të së drejtës. “Shtetet e Bashkuara kanë qenë pranë Shqipërisë dhe shqiptarëve në momente kyçe të historisë së tyre moderne dhe lista e falënderimeve do të ishte shumë e gjatë, por një falënderim të veçantë dëshiroj ta bëj për mbështetjen që SHBA-të kanë dhënë për rrëzimin e regjimit komunist dhe dekomunistizimin e vendit, si dhe për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, duke e ndihmuar të bëhet një anëtare e denjë e kësaj aleance.” – u shpreh Presidenti Nishani.
Presidenti i Republikës theksoi ndër të tjera se, Shqipëria dhe shqiptarët i konsiderojnë Shtetet e Bashkuara si mikun dhe aleatin e saj strategjik më të madh dhe e siguroi kongresmenin amerikan Engel se shqiptarët me krenari të veçantë e legjitime do të jenë gjithnjë krah Shteteve të Bashkuara në përballimin e sfidave globale dhe në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar e ekstremizmit të dhunshëm me baza fetare. “Shqipëria është e vendosur për të kontribuar për paqen dhe stabilitetin, si në nivel rajonal ashtu edhe në nivel global.” – u shpreh Kreu i Shtetit.
Presidenti Nishani, duke shfrytëzuar edhe prezencën edhe të përfaqësuesit të diasporës shqiptare në SHBA, zotin Harry Bajraktari u shpreh se ne shqiptarët ndjehemi shumë krenarë për diasporën tonë në SHBA dhe kontributin që ka dhënë për forcimin e marrëdhënieve mes tyre dhe Shteteve të Bashkuara.