-FORCA E SIGURISË SË KOSOVËS ME GJENDJE GATISHMËRIE/
Kurti priti në takim komandantin e KFOR-it, Gjeneral Major, Michele Risi/
Prishtinë, 2 prill 2020– Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me ministrin në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia, në kuadër të takimeve të rregullta, priti sot në zyrën e tij Gjeneral Major, Michele Risi, Komandant i KFOR-it në Kosovë, dhe këshilltarin e tij politik, Andrea Angeli, me të cilët diskutuan mbi gjendjen e sigurisë në vend me rastin e përhapjes së virusit Corona, dhe masave të vazhdueshme që Qeveria e Republikës së Kosovës ka ndërmarrë për parandalimin e përhapjes së mëtutjeshme të pandemisë COVID-19.
Komandanti Risi, shprehu mirënjohje për bashkëpunimin mes Qeverisë dhe KFOR-it dhe gatishmërinë për ta thelluar atë. Ai nënvizoi se përballë sfidës me të cilën po ballafaqohemi, bashkëpunimi ndërinstitucional është i patjetërsueshëm dhe se ruajtja e sigurisë në Republikën e Kosovës është qëllim i përbashkët.
FORCA E SIGURISË SË KOSOVËS ME GJENDJE GATISHMËRIE/
-Kryeministri në detyrë, Albin Kurti vizitoi Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës, u prit nga Ministri i Mbrojtjes në detyrë Anton Quni: Shteti i Kosovës dhe FSK-ja nuk kanë aleat më të madh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës në rrugën e ndërtimit dhe forcimit të kapaciteteve tona mbrojtëse/
-FSK-ja Ushtri e Kosovës vazhdon edhe më tutje me gjendjen e gatishmërisë së nivelit 2, duke qenë gjithmonë e gatshme të mbështesë autoritetet civile të vendit në përballje me pandeminë COVID-19 dhe nevojat tjera/
PRISHTINË, 2 Prill 2020-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/ Këtë paradite, Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me Ministrin në detyrë të Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi, vizituan Ministrinë e Mbrojtjes, ku takuan ministrin në detyrë, Anton Quni, zëvendësministrin, Enver Dugolli, Komandantin e FSK-së, gjeneral-lejtnant, Rrahman Rama dhe ushtruesin e detyrës së Sekretarit, Faruk Gecin.
Fillimisht vizituan Ministrinë ku të gjithë diskutuan gjerë e gjatë për avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës me misionin dhe detyrat sipas ligjeve të aprovuara në Parlamentin e Kosovës. Përgatitja sa më e mirë për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit, është elementi kyç i ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajon. Shteti i Kosovës dhe FSK-ja nuk kanë aleat më të madh se Shtetet e Bashkuara të Amerikës në rrugën e ndërtimit dhe forcimit të kapaciteteve tona mbrojtëse. Projektet e shumta të përbashkëta me ShBA-të dhe ushtrinë e saj, që nga përgatitja dhe shkollimi i oficerëve dhe nënoficerëve, deri te ato kapitale si pajisje me armatim, janë përcaktim yni strategjik dhe nuk do ndalen për asnjë moment.
Qeveria në detyrë e Kosovës, edhe në këtë kohë krize me pandeminë e shkaktuar nga COVID-19, do të përkrahë pa rezervë projektet e planifikuara nga Ministria e Mbrojtjes dhe FSK, duke qenë falënderues edhe ndaj partnerëve tanë strategjik për angazhimin dhe përkushtimin e tyre të sinqertë. Kryeministri në detyrë Kurti, vizitoi edhe Qendrën Operative të Shtabit të Përgjithshëm të FSK-së ku u njoftua për masat dhe veprimet e marra për luftimin e virusit Corona dhe për kontrollimin e tërë hapësirës administrative të Republikës sonë.
FSK-ja vazhdon edhe më tutje me gjendjen e gatishmërisë së nivelit 2, duke qenë gjithmonë e gatshme të mbështesë autoritetet civile të vendit në përballje me pandeminë COVID-19 dhe nevojat tjera, thekson njoftimi i dërguar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës.
Ndërsa, Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka dërguar këtë njoftim:
Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës Albin Kurti i shoqëruar edhe nga Ministri i Financave dhe Transfereve në detyrë, Besnik Bislimi, vizitoi Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së në Prishtinë.
Ai u prit nga Ministri i Mbrojtjes në detyrë Anton Quni i shoqëruar nga zëvendës Ministri i Mbrojtjes Enver Dugolli, Komandanti i FSK-së gjenerallejtënant Rrahman Rama, U.d. Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes Faruk Geci dhe Shefi i Stafit të Shtabit të Përgjithshëm të FSK-së gjeneral brigade Jeton Dreshaj.
Në fillim, Ministri Quni falënderoi kryeministrin Kurti për vizitën dhe e njoftoi në pika të përgjithshme për nivelin e gatishmërisë operacionale dhe veprimet e deritashme të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së në mbështetjen e autoriteteve qendrore dhe lokale civile në përballimin e situatës së krijuar pas pandemisë së COVID-19. Gjithashtu, Ministri Quni, e njoftoi me objektivat afatshkurtër dhe afatgjatë të Ministrisë së Mbrojtjes me fokus në rrugën përpara të realizimit të planit gjithëpërfshirës të tranzicionit të FSK-së në kuadër të procesit të tranzicionit të saj.
Duke shprehur mirëkuptimin e plotë në fokusin aktual të Qeverisë pas situatës emergjente nga COVID-19, ai theksoi nevojën e mbështetjes qeveritare në përmbushjen e këtyre objektivave të dimensionit të interesit shtetëror për të arritur në stadin e formësimit të plotë të forcave tona për përmbushjen e misionit të saj kushtetues dhe ligjor për mbrojtjen e territorit dhe pjesëmarrjes në operacionet ndërkombëtare paqeruajtëse. Ministri Quni gjithashtu e theksoi rolin e jashtëzakonshëm dhe të pazëvendësueshëm të SHBA-së dhe partnerëve tjerë në të arriturat e deritashme dhe projektet për të ardhmen duke mundësuar që FSK të jetë forcë profesioniste, bashkëkohore dhe e ndërveprueshme me standardet e vendeve anëtare dhe partnere të NATO-s.
Në anën tjetër, Komandanti i FSK-së, e njoftoi Kryeministrin Kurti me të dhëna konkrete për objektivat operacional të FSK-së, programet dhe projektet kryesore të planifikuara për periudhën vjetore dhe afatmesme që determinojnë stadin e zhvillimit dhe operacionalizimit të plotë të aftësive dhe kapaciteteve ushtarake të planifikuara me mbështetjen e aleatit tonë kryesor, SHBA-së dhe partnerët tjerë sipas Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit. Me qëllim të përmbushjes së këtyre objektivave operacional, Gjeneral Rama kërkoi nga Kryeministri Kurti dhe Ministri Bislimi mbështetjen financiare qeveritare dhe lehtësimin nga barrierat procedurale administrative për procedimin me kohë të projekteve të veçanta të mbrojtjes.
Nga ana e tij , Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen dhe vlerësimin e lartë për lidershipin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, për angazhimin dhe kontributin e veçantë në përballjen aktuale me COVID-19, si dhe shprehu zotimin për përkrahjen e plotë në të gjitha aspektet dhe drejtimet të FSK-së, në realizimin sa më të suksesshëm të procesit të tranzicionit, si një ndër objektivat edhe të programit qeveritar të vendit.
Mbështetje të plotë për të gjitha projektet e planifikuara të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, në proces dhe për të ardhmen, siguroi edhe Ministri i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi i cili gjithashtu premtoi që do të angazhohet me prioritet të lartë, për lehtësimin dhe eliminimin e të gjitha barrierave procedurale administrative për projektet përkatëse.
Vizita e Kryeministrit Kurti vazhdoi në Shtabin e Përgjithshëm të FSK-së, respektivisht në Qendrën Operative të FSK-së, ku u pritë nga ana e Shefit të Stafit të SHP FSK-së, gjeneral brigade Jeton Dreshaj me bashkëpunëtorë. Me këtë rast, gjeneral Dreshaj prezantoi në pika të shkurtra, punën dhe procedurat standarde të aplikuara të Qendrës përkatëse, veprimet e deritashme të Forcës për Detyrë si dhe kurset e veprimit të përgatitura për të ardhmen.
Pas takimeve, kryeministri Kurti dhe ministri Quni me delegacionet e tyre drekuan në kuzhinën e kazermës së FSK-së, duke respektuar masat e përcaktuara për parandalimin e COVID -19.