Ministri Igli Hasani ka njoftuar fillimin e një projekti nga MEPJ për krijimin e një departamenti të ri që do të merret ekskluzivisht me çështjet që ndërlidhen me shqiptarët në rajon. Në këtë njoftim, ajo që bën përshtypje është përbërja e panelit, ku qeveria e Kosovës nuk ka asnjë përfaqësues:
– Nga Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi marrin pjesë:
Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor i RMV, Izet Mexhiti; Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik i Malit të Zi, Nik Gjeloshaj;
– Nga Kosova:
Doktori i Shkencave të Historisë në Universitetin e Prishtinës, Ibrahim Gashi;
Nga Presheva:
– Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginën e Preshevës, Nevzad Lutfiu.
Nuk arrij dot të kuptoj këtë strategji të ndjekur nga shteti Shqiptar, që si ka mundësi nga 2 shtetet e tjera ka përfaqësues zyrtarë shtetërorë, por nga Kosova asnjë. A është në koordinim me shtetin e Kosovës kjo nismë? Si shpjegohet që nuk ka përfaqësues të qeverisë së Kosovës? Nëse nuk është e koordinuar, ajo që unë lexoj është minimi i autoritetit të shtetit të Kosovës nga Shqipëria zyrtare në planin rajonal e ndërkombëtar. Të nderuar zotërinj të Shqipërisë zyrtare, Kosova është shteti tjetër shqiptar në rajon. Nuk është “biri”, por vëllai dhe ka të njëjtat të drejta dhe detyrime për komunitetet shqiptare në rajon. Është në dobi të faktorit shqiptar që të tilla nisma të koordinohen nga të dy shtetet shqiptare.
Shqipëria nuk është më i vetmi shtet shqiptar në rajon, por është bashkë-përgjegjëse dhe duhet të jetë bashkë-koordinuese.
Është pyetje logjike të shtrohet hipoteza që mund të ketë patur përpjekje për koordinim, por që duke parë përbërjen e panelit nuk kanë dalë me sukses. E megjithatë këtë hipotezë për përpjekje për koordinim paraprak e hedh poshtë historiku i marrëdhënieve të Shqipërisë zyrtare të tanishme me qeveritë e ndryshme të Kosovës. Nëse do ishin thjesht pikëpamje të ndryshme nga administrata Kurti-Osmani do shpreheshim që janë këndvështrime të ndryshme politike.
Megjithatë të njëjtën qasje e kanë patur edhe me administratën Haradinaj, e cila nuk ka patur qasjen e ngjashme me administratën e tanishme në Kosovë. Prapë se prapë është anatemuar nga Shqipëria zyrtare aktuale madje duke kaluar edhe në ofendime banale për ish-kryeministrin e Kosovës që ka luftuar për pavarësi.
Këta tregues më bëjnë të mendoj se nuk është politika e administratës aktuale në Kosovë që përbën ndarje në filozofinë e rrugës që duhet ndjekur për forcimin e faktorit shqiptar dhe paqes në rajon, por se Shqipëria zyrtare aktuale kërkon të mbajë rrolin si lider i shqiptarëve në rajon.
Këtë mendim e quaj të gabuar sepse përçahet dhe dobësohet faktori shqiptar në tërësi. Koordinimi dhe bashkëpunimi do forconte zërin e shqiptarëve dhe do ndihmonte në tërësi shqiptarinë dhe paqen në rajon dhe më gjerë. Për sa më sipër jam kritike ndaj Shqipërisë zyrtare aktuale dhe jo ndaj Kosovës zyrtare.
Marjola Bejkollari, Anëtare Kryesie e Diaspora Për Shqipërinë e Lirë