Letër nga Londra/
NJË LIBËR QË MË ZGJOI MALLIN PËR VENDLINDJEN/
Rreth veprës së z. Enver Memishaj “Fejzo Lepenica jetoi e vdiq për Shqipërinë”, Tiranë 2015. Vlerësuar nga Prof. Dr. Kaliopi Naska./
Nga Kastriot Rexhepi – Lepenica/
Ne Foto:Fejzo lepenica/
E lexova me nje fryme monografinë e Enver Memishaj “Fejzo Lepenica jetoi dhe vdiq për Shqipërinë”.
Nga babai dhe gjyshi dija shumë pak për këtë patriot të madh. Paraqitja që Enver Memishaj ka bërë në veprën e tij të pesëmbëdhjetë sikur më bëri pjesëtar të vlerave të tij atdhetare, burrërore dhe njerzore.
Fejzo Lepenica hyri në lëvizjen patriotike shqiptare që në vitin 1920, si luftëtar trim në Luftën e Vlorës, oficer xhandarmërie gjatë viteve 1920 – 1924, arratisur në Greqi pas dështimit të revolucionit të Qershorit të vitit 1924. Në Greqi ai ishte së bashku me patëriot të Çamërisë në vijën e parë për mbrojtjen e të drejtave të kësaj popullsie shqiptare. Vdiq në Janinë në moshën 35 vjeçare i sëmur nga burgimet dhe internimet nga qeveria greke.
Autori i librit ka bërë një punë këmbëngulse, kërkuese, hulumtuese të mbështetur në dokumenta burimore, në shtypin dhe folklorin e kohës të cilat vijnë në harmoni të plotë me ngjarjet historike që ka kaluar vendi ynë dhe paralel me këto ngjarje autori ka paraqitur jetën dhe veprën atdhetare të Fejzo Lepenicës.
Për këtë duhet vlerësuar e lartësur z. Enver Memishaj që ka zbuluar e nxjerr në dritë figura të tilla patriotike që në diktaturë u lanë qëllimisht në harresë, u mbuluan me pluhurin e kohës sikur nuk kishin ekzistuar.
Fejzo Lepenica nuk është zbulimi i parë, është po ky autor që ka vendosur në piedestalin patriotik major Ahmet Lepenicën, Hysni Lepenicën dhe mbi bazën e këtyre veprave Presidenti i Republikës z. Bujar Nishani i ka dekoruar “Nder i Kombit”. Vepra e z. Enver Memishaj është vlerësuar nga autoritet e shquara të historisë.
Për këtë punë atdhetare e kulturore vendlindja e tij Lepenica dhe krahina, duhet t`i jenë mirënjohës këtij punëtori të pa lodhur të kulturës dhe historisë sonë.
Ajo që më vuri në mendime dhe e kam vrejtje për gjith fisin Memishaj, është fakti se siç pohon Enver Memishaj në monografinë për Fejzo Lepenicën, kanë humbur gjurmët e katër vetëve nga fisi tyre, pra një familje: Fejzua me bashkshorten dhe dy vajzat e tyre. Nuk u falet dhe të pakën këto 25 vjetët e fundit duhet t`i kishin gjetur gjurmët e tyre. Për këtë duhet të kishin ndihmuar edhe fshatarët e tjerë, miqtë dhe shokët e tyre që janë të shumtë. Eshtrat e tyre duhet të prehen në varrezat e fshatit në Shesh të Nikës, pasi janë pjes e kësaj balte. Për këtë vepër njerëzore duhet në radhë të parë dashuri, humanizëm por edhe para.
Të mos harrojmë se kjo familje ka mbetur në Janinën shqiptare ku vete e vjen brenda ditës, nuk janë në Amerikë a në Arabi…
* * *
Pasi më erdhi libri në Londër, bashkë me dy libra të tjera të Izet Çullit dhe Asqeri Llanaj shkova dhe ja dhurova Bibliotekës së atij qyteti.
Zyrtari që më priti po e shfletonte librin e z. Enver Memishaj faqe më faqe dhe duke biseduar me mua pa i hequr sytë nga libri më tha se toponimi vendit tuaj Lepenicë vjen nga sllavishtja që në shqip përkthehet vend i bukur.
Ai po kërkonte në libër një pamje të këtij fshati që ta ballafaqonte me pamjen e bukurisë së personazhit të librit Fejzo Lepenica, të cilit i bëri përshtypje pamja e këtij burri.
Nuk vonoi asnjë muaj dhe më erdhi përgjigja zyrtare se libri ishte pranuar në Bibliotekën e Londrës.
* * *
Atje larg, në tokën e huaj, që për ne shqiptarët është bërë mikpritëse, libri që më dhuroi bashkfshatari im Enver Memishaj në zgjoi ndjenjën e dashurisë së madhe për vendlindjen, Lepenicën tonë të dashur.
E njoh fshatin tim me pëllëmbë, që nga maja e malit të Quramëngës deri në buzë të lumit Shushica që e përshkon fshatin mes për mes.
Nëpërmes këtij libri po shikoja me sytë e imagjinatës zonat bimore: shkurret mesdhetare, dushqet, koniferet dhe kullotat alpine që vetëm në territorin e Lepenicës janë si të ndara me thikë dhe që ndikohen nga deti më atë anë të malit.
Pema e mares shtrihet nga buza e lumit deri në Shënkolle, ndërsa dushqet janë të gërshetuar me bredha. Është interesante se në kullotat alpine, tek Gurët e Mëdhi gjejmë gështënjën e egër shekullore, që mendohet se origjina e sajë vjen 10 – 15 km., më në veri në mal të fshatit Gumenicë.
Çaja e kullotave aplipine zbret deri në Laraskë. Klima e butë në fshat ka lejuar që para 70 vjetëve kultivimin e agrumeve, këtë shembull e ka dhënë Qazim Veshi. Kultivimi ullirit vjen që nga kohët që s`mbahen mend, këtë bimë të uruar do ta gjejmë në Zallin e Zhardajve, në lagjen Gjikaj, brenda në fshat dhe në Fush të Madhe, kultivuar nga Xhelal Hoxha, xhaxhai i babit të Enver Memishajt. Fiku dhe të tjerë dru frutorë janë të përhapur, por dua të përmend nje fik shekullore në Grop të Gjike, i cili vazhdon të jap fryte edhe sot e kësaj dite.
Po kështu mund të përmendim drurët me vlerë si marja që i merren frytat, shqopa për drurin e sajë të rrallë, po kështu panja, bredhi, murrizi për frutat dhe drurin, thana, çaj mali, trumëza, rigoni, sherebeli etj.
Lepenica është edhe një fshat me ujë të bolshëm.
Veç lumit që gjarpëron me aq bukuri fushave të fshatit, burimet natyrore kanë qenë jetdhënës për këtë fshat, si Krivova, Dafina, Laqi, Matollaci, paraqiten në vijim të njeri tjetrit në baraslargësi me ujë mali të bollshëm e të freskët gjatë gjith vitit.
Gjeografia e fshatit paraqitet me bukuri të rralla.
Maja e malit të Quramëngës ka pamjen e një ballkoni mahnitës, pishat shekullore të këtij mali, Sterra e Valit, që është një guvë e thellë që mban borë gjatë gjith periudhës së vitit edhe në korrik e gusht është një frigorifer natyror. Zbresim më poshtë te Lugu i Mollës, Vali i Gravës, Gurët e Mëdhi, Guri i Jasharit, Harca e Shkallës, Harca e Gravës, Shënkollja, Këmba e Baçelit, Shpella e Shkruar që ende nuk është shpallur monument kulture, Harca e Hasangjonit, Fiteci dhe Guri i Fitecit, Guri i Shenjtë ku ra dëshmor në luftë kundër fashizmit Hano Rexhepi.
Kështu kemi zbritur nga maja e malit të Quramëngës në fshat. Ku të tërheqin vëmëndjen portat me harqe mermeri, rrugicat e shtruara me kalldrëm, shtëpitë dy katëshe në shpinë të njera tjetrës.
Me interes paraqitet edhe punishtja e stërrallit në Breg të Gjike, vendi ku nxirrej stërralli.
* * *
Faleminderit Enver Memishaj që me librin tënd më zgjove dashirinë për vendlindjen. Nëpërmjet librit tuaj e pashë edhe nje herë Lepenicën si në një film të bukur. Për ne emigrantët libra të këtij lloji kanë një rëndësi shumë të madhe historike dhe atdhetare.
Fejzo Lepenica