

Prof. Besim Muhadri/
Shkrimtari Mark Pashku, laurat i çmimit “Rexhai Surroi”, autor i romaneve “Fshati i heshtjes”, “Ligji i maskave”, i librit me poezi “Zhurma e mendimeve”, këtë vit botoi romanin e tij më të fundit, një vepër me theks të fortë filozofik dhe me një tematikë të larmishme, të titulluar “Livia”. “Mes realitetit dhe ëndrrës, mes gjumit dhe zgjimit, mes kodrave dhe luginave, mes jetës dhe vdekjes, mes lexuesit dhe autorit – dhe në shumë të tjera deri në pafundësi – gjendet një mister i madh. Në përgjithësi, mister është çdo sekondë e jetës sonë, përmes së cilës udhëtojmë. Mes atyre sekondave ngrihen kujtime, histori dhe strategji mbi të cilat hartohet e planifikohet ajo që nuk ishte parashikuar…”
E citova këtë fragment nga autori për të theksuar qasjen e tij filozofike në ndërtimin dhe zhvillimin e narrativës së romanit Livia, një vepër që Mark Pashku e ka ndërtuar me një thellësi të veçantë. Ngjarja zhvillohet në Holtë, një emër letrar, por i lidhur me vendlindjen e autorit. Në tërësi, rrëfimi ndodh në Mal të Zi, në Ballkan, dhe përshkruan njerëzit e asaj treve, me të cilët autori jeton dhe ndërvepron. Duke zbërthyer të keqen që ka pllakosur vendin e tij, ai krijon një prozë të fuqishme, të cilën lexuesi e përthith lehtë, e kupton shpejt dhe e ndien thellë. Përmes këtij romani, autori reflekton mbi problemet aktuale, si ato kombëtare ashtu edhe ato botërore. Në qendër të rrëfimit është Lekë Bardhi, një profesor i historisë, dhe gruaja e tij, Livia. Përmes tyre, autori trajton çështje të mprehta të kohës dhe të ndikimit të globalizmit, veçanërisht në institucionin e shenjtë të familjes.
Janë shumë faktorë që e kanë shtyrë shkrimtarin të trajtojë këtë temë të ndjeshme, duke arritur në përfundime njëkohësisht të dhimbshme dhe domethënëse. Ndonëse romani prek disa tematika, në thelb ai vë në fokus familjen – një institucion i shenjtë, por i kërcënuar nga rrënimi. Tek Leka shohim një luftëtar konsekuent, i gatshëm për vetësakrificë për të mbrojtur dhe ruajtur familjen, pavarësisht kostove të kësaj “lufte”, e cila shpesh e çon në prag të rrënimit psikologjik, social dhe material. Livia, gruaja e Lekës, hyn në jetën e tij në një moment tejet të vështirë dhe dëshpërues për të dy. Rrëfimi i saj është një dramë njëkohësisht tragjike dhe reale. Martesa e tyre, ndërtimi i ëndrrave, lindja e fëmijëve, punësimi i Livias dhe avancimi i saj në karrierë janë investime të mëdha që sjellin si lumturi, ashtu edhe sfida të papritura. Leka përballet me një realitet të pakthyeshëm që zhvillohet para syve të tij, duke luftuar për të shpëtuar një lumturi që i rrëshqet nga duart. Edhe pse dëshpërimi është i madh, ai nuk dorëzohet, duke luftuar deri në fund kundër së keqes që kërcënon jo vetëm qenien e tij personale, por edhe shoqërinë shqiptare dhe njerëzore në tërësi.
Duke ndjekur rrugëtimin e Lekës në këtë betejë, qoftë edhe kur ai vetë ka gabuar, pajtohem me mendimin e Afrim Kasollit, një prej vështruesve të romanit, i cili e konsideron këtë vepër si një pasqyrë të përkushtimit të autorit për të eksploruar sprovat, dilemat dhe kuptimin e ekzistencës njerëzore. Lekë Bardhi është figura qendrore e romanit, bartës i të gjitha ngjarjeve dhe ideve filozofike e artistike që ngërthen vepra. Përmes tij, autori portretizon intelektualin idealist, që lufton kundër të keqes që po shpopullon Holtën e tij të dashur, ndërsa njerëzit largohen nga vendlindja dhe u lëshojnë hapësirë forcave që shkatërrojnë identitetin kombëtar. Leka është viktimë e realitetit të krijuar nga globalizmi, demokracia e keqkuptuar dhe liria e tepruar. Në këtë roman, Mark Pashku paraqet një panoramë të fatkeqësive që rrezikojnë traditat, vlerat kombëtare dhe familjen si institucionin më të shenjtë. Kjo liri e paorientuar, që shpesh manifestohet më së shumti tek gjinia femërore, shfaqet si një sfidë për balancën familjare dhe shoqërore.
Një shembull i qartë është vetë Livia, një grua fatkeqe, e cila në një moment dëshpërimi gjen mbështetje tek Leka, por më pas, në një moment kritik, i kthen shpinën, duke sakrifikuar madje edhe fëmijët e tyre.
Megjithëse romani sillet rreth Lekës dhe Livias, ai sjell edhe personazhe të tjera me role të rëndësishme. Një prej tyre është IA, një figurë simbolike e së keqes, ashtu siç është edhe vdekja e tij. Leka është i vetmi që e kupton rëndësinë e tij, duke e varrosur në varrezat e familjes – një akt domethënës në një kohë kur ai vetë ka humbur gjithçka. Një element tjetër intrigues është varri misterioz, ku pretendohej se ishin varrosur dy persona të së njëjtës gjini. Ky pretendim, që u kthye në një fenomen mediatik në kohën kur u shfaq problematika e identitetit gjinor, shqetëson thellësisht Lekën. Në fund, një analizë shkencore tregon se eshtrat e varrit i përkisnin një kryezoti dhe të birit, duke rrëzuar mitin që ishte krijuar rreth tij.
Autori trajton edhe tema të tjera, si burokracia, keqkuptimi i demokracisë, rënia e sistemit arsimor, korrupsioni dhe sfidat e kohës moderne, duke i përshkruar me finesë përmes një proze të pasur dhe të rrjedhshme. Ndonëse romani përfundon me një “happy ending” ku pas një lufte të gjatë familja ribashkohet, dilemat dhe problemet e ngritura mbeten të hapura, jo vetëm për shoqërinë shqiptare, por edhe për botën në tërësi. Në fund, duhet theksuar se Mark Pashku është një njohës i thellë i artit të të shkruarit prozë dhe i ndërtimit të narrativës. Livia është një roman i rrjedhshëm, i lehtë për t’u lexuar, por i pasur me mesazhe të fuqishme. Autori tregon se di të trajtojë temat komplekse duke ndërtuar vepra gjithnjë e më të lexueshme e të rëndësishme.