
Kosta Nake/
Rreth 60 vite më parë, kur isha nxënës në shkollën 8-vjeçare, Neimi, mësuesi im i gjuhës shqipe dhe leximit letrar, me origjinë nga një familje dervishlerësh, më dha për ta lexuar një botim të hershëm të “Qerbelasë.” Im atë, kur donte të shante dikë përdorte shprehjen “hë, ti Mavija i Syfjanit”. Pastaj erdhi 6 shkurti i vitit 1967 me histerinë e luftës kundër fesë, rrjedhimisht Qerbelaja dhe Mavija u zhytën në terr, madje Mavija në perceptimin tim mbeti si ngjyra mavi, një përzierje e të kuqes me blunë. U desh ky botim i plotë i poemës në Prishtinë që arriti tek unë rreth gjysmë shekulli më vonë për të mësuar gjerësisht për Qerbelanë dhe për të kuptuar përmbajtjen e sharjes së tim eti.
“Në anët t’ati lumi
që s’e ze të shkretën shumi,
n’ato çuka, n’ato maja,
atje është Qerbelaja.” (f. 257)
“Historia e Skënderbeut” dhe “Qerbelaja” janë si dy motra binjake jo vetëm për nga viti i njëjtë i botimit, por edhe nga konceptimi i njëjtë si luftë midis së mirës dhe të keqes, si strukturë, si stil, si ngarkesë poetike e njëjtë. Megjithatë kanë një ndryshim të rëndësishëm: nëse “Historia e Skënderbeut” ka veshur një bluzë të kuqe dhe një fund të zi si simbol i kombit shqiptar, “Qerbelaja” ka veshur kostumin jeshil të bektashizmit dhe fjala “mëmëdhe” tek ajo ka thjesht një konotacion fetar dhe vetëm te kënga e fundit bën një kapërcim nga Lindja e Mesme në Shqipëri.
“Qerbelaja” është një poemë epike e rrëfyer me një varg 8-rrokësh e cila si një lumë që rrjedh zhurmshëm dhe e josh përfytyrimin tënd lirik, befas, në vend të ujit qelibar ose bardhësisë së shkumës, të shfaqet i turbulluar nga gjaku. Në tetor të vitit 680, nipi i Profetit Muhamed, imam Hyseni, u vra bashkë me 72 meshkuj luftëtarë të familjes nga ushtria e Jezitit. Gjakderdhja e përmasave të mëdha, skemat makabre të shfytyrimit të luftëtarëve, madje edhe të flijimit të fëmijëve, vazhdoi për dymbëdhjetë breza, prandaj fusha e Qerbelasë mbetet simbol i përplasjes pa kompromis i luftës për pushtet, veshur me mantelin e luftës midis së mirës dhe të ligës, midis të vërtetës dhe gënjeshtrës, midis mirësisë dhe djallëzisë dhe njëkohësisht një skenë tërheqëse për poetët me frymëzim tragjik.
Duke e konsideruar poemën të njohur nga lexuesi, si objekt studimesh prej më shumë se një shekulli, do të veçoja vetëm disa detaje që Naimi i ka sjellë mjeshtërisht dhe përbëjnë dëshmi të një lufte që vazhdon, ku krishtërimi e islamizmi, përveç fjalës së ëmbël me frymëzim hyjnor, nganjëherë kanë përdorur edhe tehun e mprehtë të shpatës.
Në këngën e dytë, nëpërmjet portreteve të Aliut dhe Mavijes, poeti deklaron qëndrimin e vet si mbështetës i njërës prej palëve duke braktisur rolin e soditësit asnjanës.
Aliu: “Diturija, njerëzia,/miqësija, dashurija,/urtësitë, mirësitë/të gjitha ishin të titë,” (f. 22) “e të rreme s’thoshte kurrë.” (f. 30)
Mavija: “Ishte mënxyrë e gjëmë,/i lik e i pabesë,/një egërsirë/shpirt errët e pa mëshirë,” (f. 23) “hante sa tre kuaj dhe pesë buaj.” (f. 72)
Në këngën e tretë zhvillohen bisedime për mirëkuptim midis dy palëve, duke patur 48 mijë njerëz të rreshtuar ballë për ballë me armë e mburoja. Kur bisedimet nuk dhanë rezultat, Aliu i porositi të vetët që të luftonin për t’u mbrojtur, jo për të vrarë, të mos i ndiqnin dhe të mos i godisnin kundërshtarët se kishin qenë vëllezër me ta. Po, kur gjakrat nxehen, disa këshilla harrohen.
Në këngën e katërt lufta zhvendoset në një front jetik. Mavija mori në zotërim lumin Fyrat (nënkupto Eufrat) dhe nuk i linte të afroheshin njerëzit e Aliut, duke i kërcënuar me etje dhe pasojat e saj. E kundërta ndodhi, kur lumin e mori në zotërim imam Aliu, i lejoi kundërshtarët të pinin se “Uji është i Perëndisë,/nuk ësht’ i njerëzisë.” (f. 46) Pajtimi dhe kompromisi u fshinë në raportin mes kundërshtarëve dhe për katër muaj u ndeshën 87 herë.
Lufta me etjen rimerret edhe te kënga XIV me dy nga skenat më tragjike. Etja është e papërballueshme për fëmijët, prandaj Abas Aliu i hipi kalit, mori një pafillë (pagure) ta mbushte me ujë dhe u tha kundërshtarëve: “Po me fëmijënë ç’kini/të pin’ ujë pse s’i lini?” (f. 167). Shkoi te lumi i kulluar, e mbushi pafillën, por armiqtë ia zunë rrugën dhe e qëlluan me shigjeta, ja prenë krahët, por ai e mbajti pafillen në gojë; një shigjetë ia shpoi pafillen dhe uji rrodhi si gjaku, dha shpirt edhe Abas Aliu. Imam Hyseni mori një nga djemtë, Abdullain 12-vjeçar, për ta çuar te lumi ta shuante etjen, po kundërshtarët ia qëlluan me shigjetë mu në fyt.
Në këngën e pestë ndodh masakra e parë e madhe me 75 mijë të vrarë. Aliu mund të kish arritur fitoren dhe historia do kishte rrjedhur ndryshe, por Amri nga kampi kundërshtar e ndjeu humbjen dhe u tha ushtarëve që për të shpëtuar nga vdekja e sigurt, të vinin në ushta kuranin. Ky është detaji i parë ku manipulohet me besimin, sepse luftëtarët besimtarë nuk donin ta preknin librin e shenjtë. Reagimi i Aliut:
“Doni fjalën e vërtetë
njeriu është kuran vetë,
besa është në kraharuar,
nuk është në kartë shkruar.” (f. 53)
Detaji i dytë: Të dyja palët vendosën të takohen me përfaqësues pas dhjetë muajsh. Njerëzit e Mavijes zgjodhën përfaqësues Amrinë, kurse njerëzit e Aliut Ebu-Musanë. Dy përfaqësuesit hynë në një tendë, por nuk u morën vesh. Kur doli nga çadra Ebu-Musai, hoqi unazën nga gishti dhe u tha njerëzve se ashtu hiqte ai dhe Alinë e Mavijen, pra një trajtim i barabartë. Kurse Amri u tregua dinak, sepse, kur e hoqi unazën, tha “kështu heq Alinë”, pastaj e vuri përsëri unazën dhe tha “kështu vë Mavinë,” pra mbret shpallej ky i dyti.
Në këngën e gjashtë lufta ballë për ballë u pasua nga eliminimi i kundërshtarit me goditje pas shpine ose me helmim. Kështu e pësuan Aliu dhe Hasani. Hasanit i dhanë 40 herë helm, por shpëtoi. Ai vendos të tërhiqet dhe deklarimi i tij na kujton “Fjalët e qiririt”: “Për ju dua të përpiqem,/në zjarr të hyj e të digjem,/…t’u nxjerr të shihni dritë.” (67)
Detaji i tretë: Mavija i vë kundërshtarët ta hapin varrin për veten dhe do t’ua falte jetën me kusht që të mohonin imam Aliun. Me vdekjen e Mavijes, lufta vazhdoi mes birit të tij, Jezitit, dhe Hysenit, vëllait të Hasanit.
Hyseni “Ish bir i Fatimesë/ ishte drit’ e Perëndisë,/mburronjës i njerëzisë.” (103) Imam Hyseni doli vetë para armiqve me mburojën e Hamzit dhe kordhën e të atit. Poeti e kanalizon aktin e tij të vetmohimit: “S’më vjen keq për derët tënë/po më vjen për mëmëdhenë/dhe për besën e për fenë/më vjen keq për njerëzinë/që i dhatë arratinë.” (f. 181) Edhe vrasja e tij ndodhi te lumi. Atë ditë ishte e premte dhe njerëzija nuk e kishin për mirë të luftonin, por armiqtë e shkelën zakonin dhe ia prenë kokën. Kënga XIX ka një variant mistik: Beshir Maliqi mori kokën e prerë të Hysenit për ta çuar në Sham dhe për të marrë shpërblimin me flori. Koka e prerë e imam Hysenit predikonte gjatë udhës dhe ky motiv i njeriut të shenjtë që udhëton me kokën e prerë në duar, do të rimerret te misionarët e përhapjes së bektashizmit.
Në antitezë me të “Jeziti i mallëkuar/ish i zi porsi kërcuri/dhe zemrën e kish prej guri/ish shum’ i shëmëtuar…”(100) Jeziti e goditi me purtekë kokën e prerë të imam Hysenit, po plaku Nemir iu kundërvu për dhunimin e bërë: “ç’bën ashtu, dora t’u thaftë!” (f. 218)
Në këngën e tetë ka diçka që e gjejmë edhe në mjedisin shqiptar: Mehmet Qathiri strehoi Myslimin me djemtë e tij që ishin në rrezik si kundërshtarë të Jezitit, por armiqtë e spiunuan. Ybejdi kërkoi t’i dorëzonte, po Mehmeti iu përgjigj: “Kush më shkel prakn’ e shtëpisë/më vjen nga an’ e Perëndisë.” (f. 87) Sa e sa raste të tilla gjejmë në letërsinë shqiptare. Myslimit ia prenë kokën dhe ia dërguan mbretit në Sham, Ybejdit ia prenë kokën dhe ia dërguan Myhtarit, Mervanit ia prenë kokën dhe ia dërguan Abdullahut. Në këngën XII niset në luftë Vehepi “i ri e djal’ i mirë/shpirtin e kish të pavdirë/dhe s’i kish dirsur mustaqja/i ndritte si hëna faqja.” (f. 137) Njerëzit e Mavijes ia prenë kokën dhe ia çuan së ëmës dhe të shoqes. Sakaq na vjen para sysh koka e prerë e Ali pashë Tepelenës, madje edhe shembuj të tjerë deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore.
Në këngën XIII kemi skemën më heroike: Mehmetit ia prenë krahun e djathtë, po flamurin s’e lëshoi, ia prenë dhe krahun e majtë, atëherë e rrëmbeu flamurin me dhëmbë e iku që mos ia merrte armiku.
Kënga XIV fillon me një përsiatje për parajsën dhe skëterrën:
“Parajsa, kopsht i ndrejtuar
për të mirët është shkruar,
kur të shohç një vënt të gjerë,
një mirësi të paprerë,
një fatbardhësi për jetë
atje dhe Zoth i vërtetë.”
Skëterra “mbushurë gjëmba e ferra,
një rripë, një shkretëtirë,
një natë që s’ka të gdhirë,
një të madhe errësirë,
për ata po s’ka mëshirë
mundonjësit i përpshijnë
edhe në zjarr i vërvijnë.” (f. 162)
Dhuna e ushtruar si shpagë ndaj kundërshtarit është e egër dhe Naimi ka sjellë disa skena që dalin jashtë përfytyrimit të njeriut të sotëm. Imam Aliu dërgoi në Egjipt Mehmetin e dytë për t’u përballur me Zeblejën, por ai ishte me pak forca dhe u vra bashkë me trimat e tij. Njerëzit e Mavijes e çanë barkun e kalit dhe e futën brenda Mehmetin e vrarë që i vëllai të mendonte se Mehmeti ishte i gjallë. Në këngën XX triumfon linja e Profetit Muhamet, por shpaga ndaj përkrahësve të Jezitit është po aq makabre: e shtinë në dorë Ymerë “dhe e therën posi kanë”, pas atij zunë Shimrinë “mijëra copa e bënë,” (f. 232), pas tij therën edhe Sinanë. Shpaga që e gjejmë edhe në Shqipëri si hakmarrje dhe gjakmarrje rivjen në këngën XXII. Në qytetin e Horasanit ku i parë ishte Nasrë Sejari, mik i Mavijes, kishin vrarë Jahjanë dhe e kishin lënë të varur. Shpaga e Jahjasë është e barabartë me vrasjen e 80 mijë përkrahësve të Mavijes. Vetë Nasrë Sejarin e varën dhe e lanë varur siç kishte bërë ai me Jahjan. Hithtarët e Muhametit i rrëmuan varret dhe eshtrat e Mavijes, Jezitit dhe Mervanit, i hodhën në zjarr dhe i dogjën.
Në këngën XIV Naimi bën një kërcim të madhe nga Lindja e Mesme në Shqipëri:
“Pa qasuni o shqiptarë,
Zot i madh e sjellët mbarë,
të zëmë vëllazërinë,
mirësin’ e miqësinë,
jemi të gjithë një farë,
vëllezrë të tërë jemi
dhe kemi gjithë një besë
…besë është Perëndija
dhe udh’ e saj njerëzia.”(f. 275)
Kënga XXV është një përmbledhje këshillash e moralizimesh me karakter universal: “…ngrehu e lartësohu/duke marrë dituritë/që ta bësh natënë ditë.” (f. 280) Gjuha vete ku dhemb dhëmbi dhe përfundon me Shqipërinë: “Shqipërinë ta shpëtoni” (f. 287), “gjuha e Shqipërisë është gjuha e Perëndisë, shqiptarët t’i sjellë në udhë të mbarë.” “Fali, fali Shqipërisë/gjithë ç’ke të mirësisë/ Shqipërinë mos e lerë,/të prishet e të bjerë (f. 288)
Shqipëtari trim me fletë,
si ka qenë, do të jetë,
të ketë gjith’ urtësinë
e ta dojë Shqpërinë. (f.289)
(Poema “Qerbelaja” e Naim Frashërit, Bukuresht 1898,
Vepra 4 Rilindja, Prishtinë, 1978)