(New York, Washington, Chicago, Michigan, Toronto dhe Barrie)
Shkruan: Prof.dr.Nusret Pllana
LETËR FALËNDERUESE!
Me rastin e promovimit të veprave “The Therror of Serbian over Albanians 1844 – 1999”, të autorit N.Pllana, librit të xhepit “NEVER FORGET – MOS HARRO KURRË”( Gjenocidi serb mbi shqiptarët 1844 – 1999), të bashkëautorëve Nusret Pllana e Agim Aliçkaj, si dhe të filmit dokumentar “Kush i vret Fëmijët?!”, të producentëve Nusret Pllana e Esat Shala!
Pas një suksesi të ndjeshëm të promovimit të këtyre veprave publicistike e dokumentare në qytetet më të mëdha të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kanadës(New York, Washington, Chicago, Michigan, Toronto e Barrie), në emrin tim dhe bashkëveprimtarit dhe mikut tim të idealit, veprimtarit të shquar të çështjes kombëtare, z.Agim Aliçkaj, ndjeva obligim moral dhe atdhetar, t’i falënderojmë nga zemra të gjithë mërgimtarët tanë, të dy shteteve mike të Republikës së Kosovës(Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kanadës) që na ndihmuan maksimalisht, pa u lodhur asnjëherë, dhe pa kursyer kohën, financat dhe mundin e tyre, duke e pas në fokus vetëm interesin e çështjes kombëtare, që përmes promovimit të këtyre veprave të përkthyera edhe në shumë gjuhë botërore, të sensibilizohet mirëfilli opinioni përparimtar amerikan e kanadez, për barbaritë dhe mizoritë serbe dhe për gjenocidin serb mbi shqiptarët për gati dy shekuj me radhë.
NEW YORK( 05 prill 2022)
Falënderojmë Federatën Panshqiptare VATRA të New Yorkut, përkatësisht z. Elmi Berisha – Kryetar dhe z.Sokol Paja – Kryeredaktor i gazetës DIELLI, për organizimin e mrekullueshëm në selinë e tyre në “VATRA”, aty ku secili prej nesh, kur hyn në atë Sallë të vogël por shumë të bukur, e ndjen ‘aromën’ e gjigandëve të letrave shqipe, ‘aromën’ e Nolit e të Konicës dhe, ndjehesh aq i lumtur, sa që krenohesh dhe mburresh që je pellzago-iliro-dardan, respektivisht shqiptar.
Faleminderit të gjithë vëllezërve dhe motrave tona dhe të gjithë miqëve tanë shqiptaro – amerikan që na nderuan me pjesëmarrjen e tyre në këtë manifestim kulturor, edukativ e shkencor.
Merita të veçanta për këtë promovim të suksesshëm në New York, ka miku im, z.Agim Aliçkaj dhe familja patriotike Aliçkaj, meqenëse bashkëpunimi i tij me Federatën Panshqiptare “VATRA” ishte për çdo respekt.
Angazhimi dhe përkushtimi i vatranëve, z.Agim Rexha, z.Alfons Grishaj e z.Mondi Rakaj ishte i mrekullueshëm dhe prandaj, Unë dhe Agimi u jemi shumë mirënjohës dhe falënderues.
Organizimi enkas për mua, nga ana e z.Agim Aliçkaj(bashkëautorit të librit tonë të xhepit: NEVER FORGET – MOS HARRO KURRË (Gjenocidi serb mbi shqiptarët), i një darke me karakter pune(më 06 Prill 2022), me Kryesinë e Ligës Shqiptaro – Amerikane, ishte shumë mbresëlënës, me ç’rast na nderuan me pjesëmarrjen e tyre edhe Kongresisti shqiptaro – amerikan z.Josepf DioGuardi me bashkëshorten Shierly Cloys DioGuardi.
WASHINGTON( 06 prill 2022)
Qëndrimin tim 5 ditor në New York, por edhe shkuarje – ardhjet dhe buajtjet tona një natë në Hotel në Washington, me të gjitha shpenzimet, jo të vogla, i kanë mbuluar komplet bashkëshortët Agim e Sadete Aliçkaj, të cilëve u jam shumë mirënjohës dhe falënderues, për mikpritjen dhe përcjelljen e tyre vëllazërore.
Tepër mbreslënës ishte edhe udhëtimi ynë i përbashkët me Agimin për në Washington. Të gjitha shpenzimet, edhe të udhëtimit, me veturën e tij, por edhe të fjetjes, edhe të ushqimit i mbulonte Agimi.
Për regjistrimin dhe futjen e librave tona në Bibliotekën Botërore të Kongresit Amerikan, meritat kryesore u takojnë: Kongresistit shqiptaro – amerikan Josepf DioGuardit dhe anëtarit të Bordit Ekzekutiv të Ligës shqiptaro – amerikane, Prof.dr.Faton Bislimi. Ndërkaq për prezencën e ekipës televizive të VOA(Zërit të Amerikës) një falënderim i veçantë i takon gazetarit dhe kameramanit të kësaj redaksie televizive, z.Burim Goxhuli dhe gazetarit të mirënjohur të TV21, me seli në New York, z.Halil Mula.
Në Washington, më 6 prill 2022, në ora 13:00, përkatësisht në Bibliotekën Botërore të Kongresit Amerikan, na priti gazetari dhe kameramani i mrekullueshëm i VOA(Zërit të Amerikës), z.Burim Goxhuli. Aty doli të na priste bibliotekistja shqiptare Nevila Pahumi( që e mbulonte departamentin e Shqipërisë dhe Kosovës), e që na ndihmoi në regjistrimin dhe arkivimin zyrtar të librave tona: The Terror Of Serbian OCCUPIER OVER ALBANIANS 1844 – 1999 dhe NEVER FORGET – MOS HARRO KURRË(Gjenocidi serb mbi shqiptarët 1844 – 1999), të autorëve Nusret Pllana e Agim Aliçkaj, për kontributin e së cilës e falënderojmë nga zemra.
Të nesërmen(më 07 prill 2022), patrioti dhe atdhetari i shquar, z.Sabedin Gashi, na e organizoi një takim shumë miqësor dhe impresionues me mikun e madh të shqiptarëve, Ambasadorin William G.Walker, në shtëpinë e tij në Washington. Mikpritjen që na e bëri z.Walker ishte aq e ngrohtë e aq miqësore sa që, Unë dhe Agimi nuk do ta harrojmë sa të jemi gjallë. Kurrën e kurrës, populli shqiptar nuk do ta harroj kontributin e këtij burri të Madh amerikan që e ka dhënë për Kosovën në përgjithësi e për sensibilizimin e opinionit botëror në veçanti – kur gjenocidin për masakrën e Reçakut e cilësoi si krim kundër njerëzimit.
Ia vlen që përmes kësaj letre falënderuese të përmendet edhe ky fakt që, z.Sabedin Gashi kishte aq raporte të afërta miqësore me Ambasadorin legjendar amerikan, z.Walker, sa që, kujdesej për të sikur të ishte djali i tij, për çka na bëri shumë krenarë edhe neve.
Sab Gashi na nderoi edhe me një organizim të shpejtë e shumë të suksesshëm të promovimit të veprave tona përmes Shoqatës Shqiponja e Lirë, në konakun e z.Lulzim Shabiu në Washington, e ku morën pjesë edhe shumë bashkëatdhetarë dhe mërgimtarë të trojeve tona etnike.
CHICAGO(09 Prill 2022)
Më 08 Prill 2022, në aeroportin e Chicagos më priti miku im, bashkëatdhetari ynë nga Llapi, mjeku dhe humanisti shqiptar, Prof.dr.Avni Thaçi – ligjërues në Universitetin Malcolm X College dhe Rush University në Chicago.
Barrën e organizimit të promovimit të suksesshëm të veprave tona në Chicago( të nesërmen, më 09 Prill 2022) e kishte bashkëatdhetari dhe humanisti Afrim Sejdiu, së bashku me Prof.dr. Avni Thaçin dhe z. Bujar Breznica, të cilët i falënderojmë nga zemra për angazhimin dhe përkushtimin e parezervë që ky promivim të na mbetet në kujtesën tonë si një ngjarje shumë e rëndësishme kulturore, edukative e shkencore.
Një kontribut të veçantë për rëndësinë e këtij promovimi e dha edhe ish Ambasadori shqiptar në Romë, poeti dhe shkrimtari i njohur z. Visar Zhiti me bashkëshorten e tij znj.Eda Agaj – Zhiti, shkrimin e të cilit, për këtë ngjarje e botuan shumë medie shqiptare, të shkruara dhe elektronike.
Mikpritja dhe qëndrimi dyditor në shtëpinë e Prof. Avniut do të mbeten gjatë në kujtesën time, ndihesha bash si te vëllai im, për çka i jam shumë mirënjohës dhe falënderues.
Të nesërmen herët(më 10 prill 2022), me xhipin e Prof.Avniut u nisëm për në Detroit – Chicago, ku edhe e kisha të caktuar promovimin që duhej të fillonte në ora 14:00.
Prof.Avniut, rrugëtimi ynë i gjatë ( Chicago – Detroit dhe anasjelltas) i ka kushtuar hiq më pak se 12 orë vozitje, pa kursyer edhe shpenzimet tjera përcjellëse, e duke i lënë mënjanë edhe obligimet e veta familjare .
DETROIT – Michigan ( 10 Prill 2022)
Në Qendrën kulturore të Kishës shqiptare Shën Pali, një mikpritje të ngrohtë e të paharruar vëllazërore na dëshiruan Imzot Dom Ndue Gjergji, Kryesia e Shoqatës Malësia e Madhe me Prof.Lukë Junçaj, Kryesia e Shoqatës Kosova, me juristin e diplomuar, z.Ndrecë Gj.Tomaj, Akademik Zef Pergega, Zef Palushaj, Kolë Tomë Dedëvukaj, Lulash Palushaj e shumë pjesmarrës të tjerë të cilët me prezencën e tyre në promovimin e veprave The Terror Of Serbian Occupier Over Albanians 1844-1999, NEVER FORGET – MOS HARRO KURRË (Gjenocidi serb mbi shqiptarët 1844-1999), të autorëve: Nusret Pllana e Agim Aliçkaj, si dhe promovimin e filmit dokumentar: Kush i vret fëmijët?!, të producentëve Nusret Pllana e Esat Shala.
Prezenca e shumë vëllezërve e motrave tona nga shumë troje etnike shqiptare që jetojnë e punojnë në Detroit – Michigan, e bëri edhe më madhështore atmosferën e këtij manifestimi kulturor, edukativ e shkencor, përballë atyre muraleve gjigande e të bukura me motive tipike shqiptare, që të bëjnë të ndihesh shumë krenarë që je shqiptar.
Ardhja enkas e shokëve dhe miqëve të mi nga Toronto në Michigan, si: Bedri Toçani me bashkëshorten e tij Vjollcën, Musa Zhuri me bashkëshorten e tij Sarandën dhe bashkëluftëtari im Mehdi Toçani, dhe prezenca e tyre në promovimin e veprave tona e bëri edhe më të bukur atmosferën promovuese.
Shumë faleminderit Prof. Lukë Junçaj dhe të gjithë bashkëpunëtorëve Tuaj për këtë organizim të mrekullueshëm që do ta mbajmë mend sa të jemi gjallë. Një falënderim të veçantë ia dedikoj edhe Akademikut të nderuar Zef Pergega, i cili, promovimit të veprave tona, me kompetencë ua kushtoi një shkrim të mrekullueshëm e shumë përmbajtësor, të cilin ia botuan shumë portale, por edhe medie të shkruara dhe elektronike.
KANADË – Toronto ( 11 Prill 2022)
Pas përfundimit të suksesshëm të promovimeve tona(më 10 Prill 2022) në Michigan, së bashku me bashkëluftëtarin tim, patriotin dhe humanistin Bedri Toçani dhe ekipën e tij, u nisëm për Toronto, ku arritëm pas 5-6 orë udhëtimi me xhipin e tij të bukur, të kënaqur e të disponuar me pritjen dhe përcjelljen që na e bënë malësorët e Malësisë së Madhe në Michigan, sa që, fare nuk e kemi ndie lodhjen e atij udhëtimi të gjatë, duke biseduar, duke bërë humor e duke kënduar këngë patriotike, për t’u vendosur pastaj në shtëpinë e Bedriut e të Vjollcës, aty ku unë kam shkuar disa herë brenda dhjetë viteve, me aktivitetet e mia të ngjeshura promovuese, e ku ndihem aq mirë, bash si te vëllai e motra ime. Respektin dhe mikpritjen e tyre as që mund ta përshkruaj me fjalë. Vërtetë janë të mrekullueshëm dhe lum kombi që i ka.
Të nesërmen(më 11 Prill 2022), Imami i Xhamisë shqiptare në Toronto,z. Adnan Bërbatofci, patrioti dhe humanisti Ahmet Hoti, në bashkëpunim me Bedri Toçanin dhe shokët e tyre, organizuan një iftar enkas për mua dhe për komunitetin shqiptar atje, me ç’rast ishin të ftuar dhe morën pjesë edhe Konsulli i Republikës së Kosovës në Kanadë, z.Donat Syla dhe Konsulli i Republikës së Maqedonisë së Veriut, z.Ilir Islami.
Ishte atmosferë tipike vëllazërore, meqë salla ishte e mbushur plotë me burra e gra, djem e vajza nga të gjitha trojet etnike shqiptare, që jetonin e punonin në Toronto, e që kishin ardhur të marrin pjesë edhe në promovimin e librit të xhepit NEVER FORGET – MOS HARRO KURRË (Gjenocidi serb mbi shqiptarët 1844 – 1999), të autorëve N.Pllana e A. Aliçkaj.
KANADË – Barrie ( 12 Prill 2022)
Aktivitetin tonë promovues dyjavor e përmbyllëm në qytetin Barrie të Kanadasë, në lolalet e Restoranit të tyre Danny’s Fish and Chips, të miqëve tanë shumë të nderuar e të respektuar Bujar e Limoza Demiri nga Prespa, me mikpritjen e bujarinë e tyre tipike tradicionale shqiptare, që përherë të bëjnë të ndihesh i lumtur dhe krenarë, sa herë gjendesh në konakun e tyre. Për çdo respekt ishte edhe mirësjellja dhe respekti që na e bëri atë mbrëmje mbresëlënëse edhe dhëndrri i tyre Semiri, i cili meriton një falënderim të veçantë.
Pas darkës që e kishin organizuar për të gjithë pjesëmarrësit që kishim ardhë nga Toronto, bëmë edhe promovimin e librit të xhepit NEVER FORGET – MOS HARRO KURRË (Gjenocidi serb mbi shqiptarët 1844 – 1999), ku përveç miqëve tanë të shumtë, morën pjesë dhe na nderuan me prezencën e tyre edhe ish Kryetarja dhe Presidentja e nderit të Shoqatës Shqiptaro – Kanadeze, veprimtarja e shquar e çështjes kombëtare, e palodhura Dr.Ruki Kondaj me bashkëshortin e saj z.Fatmir Kondaj.