NGA SKËNDER BUÇPAPAJ/
Duket se mëdyshja (dilema) e 21 qershorit e përjetuar nga dyshja pushtetare në Tiranë ka qenë: si të mos e lëmë pa gjë edhe opozitën në këto zgjedhje.Kjo është përshtypja që të krijon triumfalizmi në fjalimet, në paraqitjet mediatike, sidomos ato televizive, sa të kujton vetëm slloganin gjysmëshekullor të diktatorit: Nga fitorja në fitorje.
Psikologjia e fitores, shpirti i fitores janë burime të pashterrëshme besimi dhe mobilizimi për një çështje. Ato janë të ligjshme sa kohë që nuk e humbasin lidhjen me realitetin, sa kohë që nuk e mjegullojnë, nuk e errësojnë logjikën për të parë realitetin e vërtetë. Në një vend me aq shumë probleme, aq shumë humbje, aq shumë disfata, aq shumë dështime do të ishte sakrilegj dhe herezi të trumbetosh fitoret dhe vetëm fitorjet e një partie, dy partive, një lideri, dy liderëve.
Është e papërgjegjshme të ambjentosh veten apo partinë tënde, ta thërrasësh në këtë utopi edhe popullin tënd, kur e vërteta është tejet larg triumfalizmit.
Partia Socialiste nuk ka ardhur pa arritje në këtë 21 qershor, çka nuk i fsheh dhe nuk i fshin mosarritjet. Antiteza e arritjes është mosarritja. E suksesit është mos-suksesi. Antiteza e fitores është dështimi. Antiteza e triumfit është disfata. Është qytetare, është civile që gjithmonë pranë një koncepti, një nocioni të shqiptuar ta kemi rezervë në mendjen tonë antonimin përkatës. Të mos i kemi rezervë vetëm sinonimet, siç ndodh në politikën shqiptare.
Po t’i njihnim si fitore ato që i kanë trumbetuar paraardhësit e Ramës në politikë e në qeveri, Shqipëria do të ishte vërtet fanar i lumturisë në botë e në univers. Në fakt, as një e mijta apo e milionta e atyre që janë quajtur fitore prej tyre, nuk është fitore.
Egoizmi liderian, megallomania lideriane e kanë çuar Shqipërinë dhe e mbajnë atë në pozitën e vendit më të varfër të Evropës dhe një nga më të varfërit e globit. Edhe egoizmi partiak, megallomania partiake vetëm sa e kanë fundosur, vetëm sa do ta fundosin.
Ato fitore që kufizohen vetëm në postin, karrigen e një lideri, një pushtetari, ato fitore që kufizohen vetëm në pushtetin e një partie apo të një grupimi, kanë pak ose aspak të përbashkët me fitoren e popullit dhe vendit të tyre. Këtë ne e kemi parë dhe e shikojmë këto 75 vitet e fundit. Lideri i vërtetë, forca e vërtetë politike fitoren e vërtetë e shikon tek bashkëqytetarët e vet.
Fitoret absolute nuk ekzistojnë. Si gjithçka tjetër, edhe ato janë relative. Edhe fitorja e PS-LSI është e kufizuar, është plot kundërthënie, sa nuk mund të numërohen dot as me vëllime të tëra. Mbi të gjitha, ajo ishte fitore ndaj një kundërshtari në kushte të pabarabarta.
Ashtu siç është fitore relative ajo që PS-LSI arriti më 21 qershor, edhe humbja e PD-së është një humbje relative. Të mohosh këtë për hir të absolutizimit të fitores sate është e padrejtë, është jorealiste, është demotivuese.
PS-LSI ta ngulitin në mendje se fitorja e tyre ishte në një përqindje të madhe inerci e 23 qershorit 2013. Elektoratit ende nuk i ka ikur zemërimi dhe mllefi ndaj qeverisjes tetëvjeçare të PD-së.
PD-ja po shijon humbjet. Nuk ka ilaç (bar), terapi më të mirë, më shëruese për një forcë politike të përgjegjshme se t’i shijojë humbjet. Ta ndjejë shijen e tyre të hidhur. Pa to nuk mund të dallohet shija e ëmbël e fitoreve.
PS-LSI po shijon fitoret. Nuk ka dëm më të madh se të edukosh shijet në mënyrë të njëanshme. Pas së ëmblës, vonon por nuk harron e hidhura. Dhe trauma mund të jetë më e rëndë se ajo që po vuan PD-ja.
Gjithsesi, do të ishte më e këshillueshme që fjala fitore – aq më tepër, e shndërruar në fitorje – të mos ketë vend në fjalorin e politikës në Tiranë. Kjo frymë, ky shpirt, ky psikologji ka rezultuar çmobilizues për politikën e atjeshme. Dafinat e fitoreve të rreme janë plot me gjemba.
Fritz Radovani says
“Gjithsesi, do të ishte më e këshillueshme që fjala fitore – aq më tepër, e shndërruar në fitorje – të mos ketë vend në fjalorin e politikës në Tiranë.” Gjithshka e thanun kjarte mbrenda nje rreshti. Ju pershndes!