-Hapet ekspozita “Shenjtorja shqiptare nga Shkupi – korrespondenca”/
-Të pranishëm edhe vatranë të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra/
PRISHTINË, 26 Gusht 2017-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Në Kosovë të Shtunën me 26 Gusht nisën “Ditët e Nënë Terezës” në katedralen me emrin e saj, ku janë të pranishëm edhe vatranë të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, që ndodhen në këtë kohë vere në Kosovë. Mes tyre, ardhur enkas bashkë me bashkëshorten Dila është Marjan Cubi, anëtar i Kryesise së Vatres, njëherësh arkëtar si dhe kryetar i Komisionit për mbledhjen fondeve për ndërtimin e Katedrales Nënë Tereza në Prishtinë.
Ipeshkvi i Ipeshkvisë së Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, mbajti një fjalë përshëndetëse.
Ipeshkvia e Kosovës thekson se dita e sotme shënjon edhe fillimin e përgatitjes së afërt të festës së Shën Nënë Terezës, e cila kremtohet në 5 shtator, kur do të bëhet edhe shugurimi i Katedrales Shën Nënë Tereza në Prishtinë. Për sot në mbrëmje në Katedrale ishte përgatitur një program kulturor me këngë klasike dhe recitim të poezive dhe uratave të Nënë Terezës.
Sonte në Katedrale u hap edhe një ekspozitë fotografishë dokumentare që nga vënia e gurthemelit të Katedrales Nënë Tereza. Fotografitë janë të autorit Sakip Imeri.
Ipeshkvia e Kosovës ka shpallur Programin e Shugurimit të Katedrales Nënë Tereza, që do të jetë në 5 shtator 2017, ditën e 20 vjetorit të kalimit në amshim të Shenjëtëreshes Shqiptare. Kremtimi solemn i Meshës së Shugurimit do bëhet në mesditë, nga ora 11:00.
Kremtimi fillon me hapjen e “Ditëve të Nënë Terezës”, në ditëlindjen e saj dhe ditën e bekimit të gurthemelit të Katedrales, në 26 gusht. Në këtë ditë, nga ora 18:00, në Katedrale do ketë do ketë takim lutjeje dhe meditimi me Nënë Terezën.
Në 2 shtator bëhet hapja solemne e aktiviteteve kuturore e shpirtërore treditëshe të festës. Në 3 shtator në orën 11:00 zhvillohet meshë në Katedrale, ndërsa në 4 shtator në ora 18:00 – Mesha, Lutja e Mbrëmësores me Lutjet e Nënë Terezës në Kishën e Shën Ndout në Prishtinë.Pjesë e veprimtarive sot ishte edhe ekspozita “Shenjtorja shqiptare nga Shkupi – korrespondenca”, e cila u hap pasdite në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë.
Instituti i Historisë “Ali Hadri” në Prishtinë, në bashkëorganizim me Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup dhe Ipeshkvinë e Republikës së Kosovës, kanë përgatitur një ekspozitë me fotografi e dokumente të titulluar “Shenjtorja shqiptare nga Shkupi – korrespondenca”, që i kushtohet 107 vjetorit të lindjes, 20 vjetorit të vdekjes dhe 1 vjetorit të shenjtërimit të Shën Nënë Terezës.
Fjalë rasti mbajtën përfaqësuesit e tre institucioneve bashkëorganizuese.Ekspozita në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” do të jetë e hapur deri më 5 shtator 2017. Korrespondenti I Diellit, Behlul Jashari, do të përcjellë të gjithaveprimtaritë që do të organizohen në Javën kushtuar Shenjtëreshës me gjak shqiptar.