Detajet e takimit të parë të studentëve me Alinë të zhvilluar në Universitetin Politeknik. Azemi-Alisë: Nuk po protestojmë për lugët ene pirujt e menses, as për racionin e pilafit/
Nga Rexhep POLISI/*
Protesta e datës 8 Dhjetor, në darkë, kur studentët dolën afër Liceut dhe u goditën nga forcat e policisë ishte e prirë nga Azemi, i cili nuk dinte të tërhiqej. Pas përdorimit të forcës nga trupat e udhëhequra nga ish-ministri i Brendshëm, atëherë studentët u shpërndanë në godina, vonë pas mesnate me mendje që të nesërmen të bashkoheshin prapë.
Të nesërmen më datën 9 dhjetor studentët filluan prapë demonstratën, por këtë radhë ishin me mijëra studentë dhe kishin ardhur shumë qytetarë nga Tirana. Më pas studentëve i janë bashkuar pedagogët dhe intelektualët, si Sali Berisha, Arben Imami, Edmond Budina, Eduart Selami, Gramoz Pashko etj. Natën e 8 Dhjetorit, Azemi Hajdari sapo kishte mbërritur nga një vaki. Kishte vdekur babai i një shoku të klasës të tij.
Erdhi në godinë dhe doli menjëherë se para godinës kishte studentë që bërtisnin “Duam drita, duam kushte”, i udhëhiqte Arben Broci. Azemi doli nga dhoma vetëm pas 2 minutash që hyri, pasi veshi xhupin që u bë i famshëm në kronikat TV. Azemi rrinte në dhomën 109. Kur iu bashkua studentëve Azemi, kishte afërsisht 50-100 studentë. Në krye të turmës ishte Arben Broci dhe disa djem të tjerë. Këta studionin për “urith”, si iu thoshin në ato ditë studentëve të inxhinierisë së minierave. Azemi me Benin nuk njiheshin më parë.
Me karizmën e vet Azemi tërhoqi studentët te godina 15 dhe aty bërtiste që të dilnin studentët, madje u fut edhe në godinë dhe pas tij dolën shumë studentë. Më pas u bashkuan edhe disa vajza të godinës 16 dhe 17 dhe të gjithë u drejtuan për të godinat e tjera të prirë nga Azemi. Ai ishte uragan që tërhiqte. Bërtiste aq shumë sa zor të mos dëgjohej në gjithë godinat e tjera. Nën drejtimin e tij, thirrjet politike kundër qeverisë u bënë të shpeshta. Turma u bë mbi 300 vetë, mbase a më shumë dhe u nisëm poshtë, për në drejtim të godinave të arteve dhe shkencave natyrore dhe Liceut, por atje kishte policë të armatosur me shkopinj gome.
Komunizmi donte të mbrohej akoma. Azemi diti të mblidhte studentë dhe më pas grupit iu bashkuan edhe banorë tiranas që jetonin afër Qytetit “Studenti”. Protesta kishte filluar nga studentët e inxhinierisë elektrike dhe “urithët”. Të tilla protesta kishte ditë që bëheshin, sepse ato ditë nuk kishte drita dhe shahej qeveria dhe sidomos irritimi më i madh i studentëve vinte nga Nexhmije Hoxha. Ajo që të gjithë studentët pohonin në ato ditë dhe e kujtojnë edhe sot është fakti se pa Azem Hajdarin, ajo protestë nuk do të merrte ato përmasa ato ditë.
9 Dhjetori, marshim drejt sheshit
Kishin kaluar 5-6 orë të asaj të shtune mbrëma të 8 Dhjetorit 1990, që kur studentët e parë u mblodhën para godinës 15 të Qytetit “Studenti” për të filluar atë që do të ngelej në historinë shqiptare si Lëvizja Studentore e Dhjetorit ‘90 dhe sapo kishte hyrë e diela e 9 dhjetorit 1990. Studentët ishin nisur para 2-3 orësh për të dalë në Sheshin “Skënderbej”, por forcat e panumërta të policisë, të repartit special 326 (“sampistët”), të Sigurimit të Shtetit, të Gardës etj. etj., i kishin bllokuar në mes të rrugicës që lidhte hyrjen veriore të Qytetit “Studenti” me pjesën e fundit të Rrugës së Elbasanit (para urës së Lanës), ose siç quhej atëherë, me “Trikotazhin”, pasi në fund të kësaj rrugice ndodhej një dyqan trikotazhi.
Nga të dy krahët e kësaj rrugice ishin avllitë e shtëpive dhe pallate. Ndërsa përpara dhe prapa, grupin prej 1000 studentësh, e kishin futur në një “darë rrethimi” forcat e përmendura më sipër. Ata kishin 2-3 orë që këndonim këngët e njohura patriotike si për shembull: “O djem rrëmbeni pushkët, ja vdekje ja liri… ose thirrjet: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”. Në këtë kohë, grupit të studentëve i afrohet një person civil, dukej nga veshja që ishte nga ata të “Drejtorisë së dytë” dhe thotë: “Shoku Ramiz Alia pranon të takojë një përfaqësi tuajën, po të dëshironi edhe tani në këtë orë”.
Ky propozim erdhi i papritur. Studentët i kishin thënë ministrit të Arsimit të asaj kohe, Skënder Gjinushit, i cili kishte shkuar të fliste me studentët se nuk do të flasin me asnjë pushtetar tjetër, përveçse me Ramiz Alinë, por që Ramizi të pranonte të takohej me studentët në orën 2 të natës, këtë ata nuk e kishin llogaritur.
Prezantimi i Azemit para studentëve
U caktuan shpejt e shpejt 12 studentë, të cilët deri në atë moment kishin qenë më aktivë në ato 5-6 orë të tubimit, për të përfaqësuar studentët. Azemi qëndronte në ballë të studentëve që do të shkonin në takim me Alinë. Azemi kishte bërë edhe prezantimin e tij përpara studentëve gjatë një tubimi. Në të vërtetë ai nuk ishte thjesht një prezantim, por një betim i Azemit. “Jam Azem Hajdari prej Tropoje. Studioj Juridik, babë i dy kalamajve. Me ba vaki edhe me më vra mu sonte ata qenat, unë për vete shkoj pa merak, sepse e kam një djalë që mbas 10 vjetësh bahet burrë”.
Takimi u vendos që të bëhej tek Korpusi i Universitetit të Tiranës. Përpara se të niseshin, studentët u thanë shokëve të tyre që, në qoftë se ne nuk kthehemi për 45 minuta, atëherë ne nuk na kanë dërguar në takim me Ramiz Alinë, por ose na kanë vrarë, ose na kanë burgosur. Ishte në dorën e tyre se çfarë do të bënin më pas, për të mos lejuar që ata të ishim flijuar kot. Për tek Universiteti shkuan me vrap, për të mos shpenzuar shumë kohë nga 45 minutëshi. Rrugët e Tiranës ishin të shkreta. Çdo 200-300 metra kishte gardhe gardistësh, të armatosur me “Kallashnikovë”.
Kur studentët mbërritën tek Universiteti, ata panë që ai ishte rrethuar me civilë, të armatosur me automatikë të vegjël të tipit “Tompson”. Studentët i drejtuan në katin e dytë, në një klasë që ndodhej nga krahu lindor i Universitetit (krahu nga stadiumi kombëtar). U ulën në banka dhe po prisnin. Pa e kuptuar, ishin ulur ngjitur me njëri-tjetrin në tre rreshtat e parë dhe në mes të rreshtit të parë studentët kishin vënë Azemin. Pas pak, në atë klasë hyri Xhelil Gjoni. I përshëndeti dhe deshi të dinte se si ishte puna. Azemi iu përgjigj vrazhdë: “Nuk kemi ardh me fol me ty ktu, por me shokun Ramiz”. Xhelili u nxi në fytyrë, por nuk foli. Nxori nga xhepi një shami të pastër, të hekurosur, të mëndafshtë dhe filloi të fshinte me të tavolinën dhe karrigen e profesorit, vendi ku do të ulej Ramizi.
Mbërritja e Alisë
Kaluan edhe disa minuta, që për studentët u duken si vite, kur në klasë hyri Ramizi me dy truprojat e tij. Pasi u përshëndet, duke shtrënguar duart me ne, filloi pyetjet e kortezisë për shkollën, familjen, moshën tonë, fakultetet ku studionin etj., në mënyrë që ta ulte pak tensionin që ndihej pezull në atë klasë. Pastaj, si me marifet, kaloi në temë: “Më thanë shokët që ka dalë një grup i madh studentësh, që janë nisur për t’u takuar me mua. Më thanë që studentët janë të revoltuar, pasi ka disa ditë që në Qytetin ‘Studenti’ nuk ka energji elektrike dhe kaldaja nuk punon.
Unë sot në drekë dërgova edhe shokun Adil që të takohej me ju. Shoku Adil më tha se po punohet për të marrë masat për rikthimin e energjisë dhe të ngrohjes. Sigurisht që ju keni të drejtë që të vini dhe të takoheni edhe me mua, pavarësisht se është pak vonë në këtë orë, por ajo që më shqetëson, është fakti se disa ambasada të huaja janë parë të filmojnë nga tarracat e ambasadave dhe me siguri që nesër do ta japin këtë lajm, ashtu si u intereson atyre, armiqve tanë. Ju me siguri që nuk e dëshironi këtë. Prandaj unë do të propozoja, që ju të ktheheni në dhomat tuaja sonte dhe në ditët në vazhdim të mendojmë së bashku se si ta rregullojmë këtë situatë të krijuar. Qoftë për dritat, qoftë për ngrohjen, qoftë edhe për kushtet e tjera, si fjala vjen, tek mensa”.
* Kortezi RD