Kronika e dites se sotme nga gazetaret e Televizionit te pavarur ORA NEWS/
Lazarat -Pas pesë ditësh operacion policia arrin të marrë kontrollin mbi Lazarat. “Jemi prezentë në të gjithë komunën e Lazaratit duke mbajtur nën mbikqyrje dhe duke ofruar rend e siguri për banorët” thuhet në njoftimin për shtyp që policia e shtetit përcolli rreth orës 17:51 minuta.
Operacioni i Policisë së Shtetit në Lazarat është drejtuar në terren nga vetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Artan Didi.
“Ora News” përmes transmetimit satelitor ka ndjekur nga afër gjithë operacionin e ditës së sotme me ndihmën e dy grupeve të xhirimit me gazetarët Patrik Sadikaj dhe Gentian Bellaj.
Kryetari i komunës Dasho Aliko, deklaroi në një lidhje telefonike për “Ora News”, pas hyrjes së Policisë në qendër të fshatit, deklaroi se personat që kishin probleme me policinë dhe komunitetin janë larguar nga Lazarati.
Helikopterë e 1000 forca RENEA E FNSH
Dy helikopterë u vunë sot në ndihmë të forcave RENEA dhe FNSH për të kontrolluar sidomos zonën mbi xhaminë e Lazaratit ku mendohej se ishte vendosur grupi kriminal që qëllonte në drejtim të policisë.
Ndërsa policia avanconte me kujdes shtëpi më shtëpi për të shmangur pasojat e përplasjes në ajër dëgjoheshin të shtëna sporadike. Ndërkohë policia ishte e pajisur me mjete të forta dhe deklaronte se ishte gati të kundërpërgjigjej nëse bandat do të qëllonin.
Mbi 1000 forca speciale policore, të RENEA e FNSH ishin angazhuar në operacionin i cili do të vendoste kontrollin në çdo metër të fshatit famëkeq.
Forcat speciale zbuluan një bazë me sasi të madhe municionesh ndërsa rreth orës 15: 55 minuta morën nën kontroll objektin ku ishte vendosur mitrolozi që qëllonte policinë.
Detaje nga operacioni
Asgjësuar rreth 80 mijë rrënjë bimë narkotike dhe fidanë
Janë asgjësuar Mbi 12 ton e 800 kg kanabis sativa
Janë gjetur dhe 2 laboratorë përpunimi të bimëve narkotike
Sasi të konsiderueshme municioni dhe armë
Janë kontrolluar 80 banesa dhe një numri të konsiderueshëm ambientesh të tjera në brendësi të fshatit Lazarat.
Si dhe janë arrestuar 13 persona të dyshuar për sulmet me armë ndaj forcave të policisë, për kultivimin kanabisi, kundërshtim të punonëjsve të policisë apo për shkatërrim prone.
Vazhdon kontrolli i banesave
Policia vazhdon kontrollin në çdo banesë si dhe asgjësimin e parcelave me kanabis dhe hashashit. Duke falenderuar për mbështetjen dhe forcën policia i bëri apel banorëve të qëndrojnë në banesat e tyre dhe të asistojnë veprimet proceduriale të policisë, duke garantuar një veprim professional, ligjor dhe në përputhje me standardet dhe me respektin e plotë të lirive dhe të drejtave të njeriut.”
Orë pas ore cfarë ndodhi sot në Lazarat
Ora News përmes transmetimit satelitor ka ndjekur nga afër gjithë operacionin e ditës së sotme me ndihmën e dy grupeve të xhirimit me gazetarët Patrik Sadikaj dhe Gentian Bellaj.
Në orë 17: 51 minuta Policia e Shtetit mori dhe qendrën e Lazaratit dhe njofton se është prezent tashmë në të gjithë Komunën e Lazaratit, duke mbajtur nën mbikqyrje situatën dhe duke ofruar dhe rend e siguri për banorët e Lazaratit.
Ora 17: 40 “Forcat RENEA po avancojnë gjithnjë e më shumë. Janë kontrolluar rreth 80 shtëpi, ku asgjësohen bimët e kanabisit dhe sekuestrohen armët që janë lënë.
Ndërkohë, Prokuroria kryen veprimet hetimore. Policia dyshon se në fshat ndodhen 3 snajperë” informonte gazetari Gentian Bellaj i cili vëzhgoi nga afër operacionin e forcave speciale për marrjen nën kontroll të Lazaratit.
Ora 16:49 Policia e Shtetit ka deklaruar se po përparon në brendësi të fshatit Lazarat e mbështetur dhe ndihmuar nga vetë banorët e fshatit.
Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, Policia e Shtetit ka deklaruar:
“Policia e Shtetit falenderon banorët e Lazaratit për mbështetjen që po i japin policisë gjatë këtij operacioni. Vijon përparimi i strukturave të policisë në brendësi të fshatit Lazarat.”
Ora 16:30 minuta. Forcat speciale kanë hyrë tashmë në brendësi të Lazaratit duke marrë nën kontroll, njerën pas tjetrës, shtëpitë më afër qëndrës së fshatit dhe ku kanë zbuluar, sasi të konsiderueshme droge dhe bimë kanabisi.
Vetëm në dy prej shtëpive, njera e R. Gevenit, u zbuluan rreth 150 kg kanabis dhe 200 rrënjë kanabis, ndërsa tjetra e E.Mahmutajt, 18 thasë kanabis të tharë dhe shumë rrënjë të mbjella.
Në orën 15:55 minuta, gazetari ynë Patrik Sadikaj informoi se forcat speciale kanë përparuar më tej brenda fshatit duke marrë nën kontroll objektin ku ishte vendosur mitrolozi i rëndë që qëlonte policinë.
Ministri Saimir Tahiri përgëzon policinë për operacionin. Ai shkruan njeri pas tjetrit, dy mesazhe në Fb:
“Vazhdon progresi. Policia tani gjendet ne shtepine prej nga gjuante mitrolozi i rendë” shkruan Tahiri.