
Ambasador Flamur Gashi/
Sot, në sallën e “Teatrit Kamertal” në Kolegjin AAB në Prishtinë, para studentëve dhe profesorëve të kolegjit tonë, promovuam librin e Prof. Roland J. Gjini : Pavarësia e Kosovës, Federata Panshqiptare ‘Vatra’ dhe Gazeta ‘Dielli’ e SHBA-së (1981-20008).
Ky libër sjell në vëmendje rolin historik dhe kombëtar të Federatës Panshqiptare “Vatra” dhe gazetës “Dielli” për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, si dy nga institucionet më të rëndësishme të mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat për dekada kontribuan në ruajtjen e identitetit kombëtar, forcimin e çështjes shqiptare dhe ndërkombëtarizimin e saj.
Prof.Roland Gjini është një studiues i njohur në fushën e historisë, me një kontribut të veçantë në studimet historike dhe kërkimin shkencor. Ai ka shërbyer për 8 vite si dekan i Fakultetit të Historisë në Universitetin e Elbasanit dhe për rreth 40 vite si profesor, duke dhënë një ndihmesë të rëndësishme në jetën akademike dhe formimin e brezave të rinj.
Promovimi u shoqërua me diskutime mbi librin më të ri të Prof.Roland Gjinit dhe kontributin e mërgatës shqiptaro-amerikane në periudha të rëndësishme historike, si dhe mbi rëndësinë që vazhdon të ketë angazhimi intelektual dhe kombëtar i shqiptarëve në SHBA.
Një falënderim i veçantë për Prof.Ramë BUJA dhe Prof.Mustafa Kadzadej për fjalët e tyre për librin. Gjithashtu një falënderim për Akademik Beqir META për fjalën e shkruar që e kishte nisur për këtë promovim, si dhe Akademik Lulzim Tafa, drejtuesit dhe profesorët e Kolegjit AAB për pjesëmarrjen.
Në menyrë të veçantë falënderoj studentët, profesorët dhe dekanin e Fakultetit të Administratës Publike dhe Diplomacisë në Kolegjin AAB Prof. Vrullim Buja, për ndihmën në organizimin e këtij promovimi të rëndësishëm kulturor dhe akademik.
Promovimi i këtij libri u zhvillua me studentët e Fakultetit të Administratës Publike dhe Diplomacisë, në kuadër të lëndës “Media dhe Politika”, të cilën kam kënaqësinë ta ligjëroj për studentët e kolegjit tonë.
Përgëzime për autorin e librit Prof.Roland Gjini, për këtë vepër me vlerë të madhe studimore!