Shkruan: Av. Serxho Mazreku /
Ka njëzet e pesë vjet që shoqëria shqiptare po përballet me një nga realitetet më të trishta postkomuniste, me realitetin e krimit dhe të keqbërjes, që kanë mbajtur e vazhdojnë të mbajnë peng rendin qytetar dhe të drejtat e njeriut në këtë vend.Nga që gjatë këtyre më shumë se dy dekadave ligji dhe e drejta nuk kanë qenë në në të njëjtin krah, ka pasur shumë dëshpërim të individëve, që duke u përballur me keqbërësit janë ndier të braktisur nga shteti dhe shoqëria. Dhuna, hakmarrja dhe gjakmarrja kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë një kërcënim për shqiptarët, duke bërë që liritë dhe të drejtat e të miturve, adolishentëve, të rinjëve dhe femrave, shpesh viktima të abuzimeve seksuale, trafikimit, pengmarrjes për llogari të grupeve të keqbërësve dhe trafikantëve të ndryshëm, të ndihen tejet të rrezikuar në normalitetin e jetës së tyre.
Në gjithë këtë histori ku shembujt janë aq të shumtë sa është e pamundur të rreshtohen në një shkrim, duhet veçuar një dukuri alarmante: instiutcionet e antikrimit, në një mënyrë apo në një tjetër, kanë qenë gati të paralizuara, të mpira e pa vetëdije të plotë veprimi kundër këtij dimensioni agresiv që ushtrohet ndaj shoqërisë së brishtë shqiptare. Çuditërisht, sa më shumë zhvillohet teknologjia dhe sofistikohet praktika e antikrimit, aq më shumë del në pah dhe evidentohet keqbërja, vrasjet, rrëmbimet, pengmarrjet, trafikimi, rrethimi i të drejtave qytetare me ndalesa të dhushme, gjithësesi të pajustifiklara për një shoqëri të hapur, që synon të arrijë në kuotat e niveleve europiane, si në të gjitha drejtimet, edhe në atë të rendit dhe stabilitetit të jetës qytetare.
Nuk mund të mohohet lufta e strukturave të mbrojtjes së reendit qytetar për të paralizuar këtë dimension agresiv; platforma poltike, ekonomike, morale dhe shpirtërore e Rilindjes, që synon të vë në efiçensë shpirtin aktiv të progresit tonë kombëtar, si në të gjitha fushat, edhe në atë të rendit publik dhe stabilitetit qytetar të këtij vendi, po bën tentativa serioze për të bllokuar botën e krimit, por tentakulat e tij janë ende të forta dhe duhet një punë e madhe, e përçdoçastshme dhe jo me fushata, për ta frenuar dhe më në fund për ta gjunjëzuar atë.
Vendi ynë, sot pas njëzet e pesë vitesh të fillimit të hapjes së madhe, për fat të keq, ende vazhdon të ndodhet në një udhëkryq të trishtë, për shkak të trashëgimisë së botës kriminale si pasojë e pandëshkueshmërisë institucionale, e mundësive të kufizuara të institucioneve të ligjit për të frenuar, bllokuar apo më së paku tkurur përmasat e krimit, që po bën kërdinë. Plagosja e rëndë e një dymbëdhjevjeçari në Shkodër, për llogari të botës së krimit, mosgjetja e autorit, tregon se vektori i krimit në Shqipëri nuk llogarit as të miturit për të realizuar qëllimet kriminale. Kanuni që zyrtarisht nuk ekziston dhe që konsiderohet një argument tabu si dhe produktet e tij të deformuara -hakamrrja dhe larja e hesapeve, kanë të bëjnë vetëm me meshkujt e familjes, teksa fëmijët dhe gratë nuk konsiderohen në lartësinë e një larjeje gjaku. Por mijëra nënat, motrat, gratë e të fejuarat e burrave të kërcënuar nga kanuni si dhe fëmijët e tyre nuk jetojnë gjithsesi të qetë. Jeta e tyre është e ngjashme me një kalvar të rëndë e të mundimshëm, shpesh shoqëruar përgjatë këtij tranzcioni me gjakderdhje.
Elementi shoqërisht i rrezikshëm në Shqipëri e ka përshpejtuar tempin kriminal, duke e kthyer zejen e keqbërjes në një mjet për përligjien e botës së krimit. Shteti me tërë energjinë e ligjit dhe të së drejtës lypset ta bllokojë funksionimin e krimit- sipas qepjes së re të mafies. Vrasjet në seri, që po mbajnë peng familje të tëra, individë të implikuar në zejet e krimit të të gjitha spektreve e ngjyrave, por edhe njerëz të pafajshëm, që ndëshkohen vetëm për lidhjet e gjakut me të inkriminuarit, duke e zhytur atë në pellgun e ndotur të instikteve barbare, po shndërrohen në një normalitet të sëmurë në këtë vend, amullisë dhe katrahurës së të cilit, nuk po i duket fundi askund. Është më tepër se e dhimbshme, gati një fatalitet, të dëgjosh përditë lajme të trishta për familje të tëra që po shkojnë drejt shuarjes, për viktimat e radhës që mbushin kronikat e zeza nën okelion ” larje hesapesh”.
Krimi në Shqipëri është cilësuar nga ekspertë e sociologë të ndryshëm si një fenomen gjithnjë e në rritje. Me kalimin e viteve ai është kthyer në një fenomen që dominon shoqerinë shqiptare që në themelet e saj.Vendi ynë goditet thuajse çdo ditë nga krimi i organizuar dhe ai në familje.
Rastet e vrasjeve të biznesmenëve të njohur ose jo, me sipërmarrje të mëdha, janë një dëshmi e fortë për ekzistencën e rrënjëvë të fuqishme kriminale që ekzistojne në vendin tonë. Krimi në familje është gjithashtu një fenomen i përditësuar me një numër të lartë viktimash.
Nëse iu referohemi shifrave dhe statistikave, duhet të themi se gjatë këtyre viteve të fundit fundit ata tregojnë për një rritje të presionit të botës së krimit dhe ngjarjeve jkrimianle, për një realitet të frikshëm, të cilin e jetojmë në heshtje pa mundur të bëjmë diçka. Shifrat e tre viteve te fundit tregojnë për një rritje të nr të krimeve që janë kryer në vendin tonë, pa marre parasysh nr total të të dhenave të cilat nuk publikohen nga insitucionet shteterore.Kështu në Tiranë prokuroria për vitin 2013 ka raportuar 6587 vepra penale, ndërsa policia 4901.
Por, përpos ngjarjeve kriminale që kanë të bëjnë me rrëmbime e zhdukje të njohura të miturish, fëmijësh, adolishentësh, femrash, pjesë e rrjeteve mafioze të trafikimit dhe pengpmarrjes për qëllime mafioze, ka mjaft ngjarje që kanë kaluar pa shumë bujë, për shkak të frikës së familjarëve për fatin e fëmijëve të tyre.
Familja Curri ka tash rreth dhjetë vjet që është peng i një historie ku përzihet gjakmarrja, politika dhe historitë e mpleksura të këtij tranzicioni të rëndë shqiptar.
Gegë Curri dhe gjithë rrethi i tij familjar ndodhen në gjak me fisin Progni nga rrethi i Shkodrës dhe shkak eshte nje histori hakmarrjeje politike. Disa persona që fshiheshin nën petkun klaneve partiake në këtë trevë, vunë në veprim një skenar ogurzi, me pasoja të rënda, që mban peng dy familje shqiptare. Ngjarja kulmoi më 20 nëntor 2006, ku në një debat me fisin Progni për punë votash, ndodh konfrontimi dhe Lush Curri, djali i xhaxhait të Gegë Currit, i nevrikosur, godet me thikë të ndjerin Lekë Progni. i cili vdes menjëherë dhe që nga ky çast midis dy familjeve shpallet gjakmarrja. Prandaj një pjesë e familjes Curri është detyruar të ngujohet prej vitesh, të tjerët janë detyruar të largohen në drejtim të paditur.
I riu Kristian Gegë Curri ka pësuar disa herë dhunë fizike e psikike, duke u detyruar të fshihet për shkak të kësaj historie.
Emanuel Curri më 24.08.2009 goditet me mjete të forta nga dora e paguar e gjaksve, ndërkohë që 10/12.2012 vritet me armë zjarri Lushë Curri e dy vite më vonë, më 25.12.2014, e rrahur barbarisht nga persona të paidentifikuar vdes në spital Marie Curri. Misionarët e Komitetit të Pajtimit janë dorëzuar para këtij rasti, pasi nuk ia ka dalë ti bindë palët në konflikt që të pajtohen mes tyre.
A nuk ka ardhur koha për një platformë shteruese antikrimi, për të mbrojtur realisht jetën dhe shëndetin fizik e psikik të të miturve, të të rinjve, të femrave, të gjithë atyre që ndihen të rrezikuar nga trafiqet, hakmarrja dhe gjakmarrja? Po kush duhet ta bëjë këtë dhe sa duhet të zgjasë kjo gjysëmheshtje dhe apati institucionale?
Botës së krimit i duhet thënë “ndal” një herë e përgjithmonë. Vendi ynë i një mijë e një halleve nuk mund të ndahet nga ky tranzicion i gjatë, që kulmoi gjatë tetë viteve të qeverisjes së djathtë, pa siguruar një mbrojte reale të të ngujuarve, të të ikurve dhe dëbuarve nga gjakmarrja, të të miturve, grave dhe qenieve të dobëta, pasi në Europë nuk shkohet me rrëmbime, penmgmarrje, vrasje mafioze e trafikime të gjithëfarshme, por me rend, qetësi e stabilitet për të gjitha shtresat e shoqërisë, për të gjithë individët e kësaj shoqërie.