– Mes dhimbjes dhe lotëve familjarë, miq, të afërm dhe kolegë i dhanë sot lamtumirën e fundit Ferdinand Poni/
– Kreu i PD, Basha: Mes pikëllimit dhe dhimbjes, lamtumirë miku im i ngushtë/
– Ish kryeministri Berisha: Lamtumirë, mik i dashur! U prehsh në paqe!/
Ne nderim te ish zevendesministrit te Brendshem Ferndinand Poni ne hollin e Teatrit Kombetar nga ora 12 e 30 deri ne 14 e30 zhvillohen homazhe. Kryetari i Keshilltareve te djathte ne Keshillin Bashkiak te Tiranes Poni ka nderruar jete ne moshen 49 vjecare ne Prizren nga nje atak kardiak, ndersa ishte duke drekuar me dy miq ne nje lokal ne Reçan. Megjithese eshte derguar me urgjence ne spital, zoti Poni nuk ka mundur te mbijetoje.
Familjare, miq, te aferm, personalitete te shoqerise shqiptare, zyrtare e politikane po i japin lamtumiren e fundit.
Ish -Kryeministri Berisha ishte i pranishëm sot në homazhet që u zhvilluan në nderim të Ferdinand Ponit, në ambientet e Teatrit Kombëtar.
Pas vendosjes së kurores me lule dhe shënimit në librin e ngushëllimeve, ish-kryeministri Berisha u shpreh për mediat se;
“Sot ne i themi lamtumirë njërit prej personaliteteve dhe veprimtarëve më të përkushtuar, më të vendosur dhe me kontribute shumë të rëndësishme për Partinë Demokratike, për shoqërinë shqiptare dhe për vendin në tërësi.
Ferdinand Poni ishte modeli i zyrtarit të përkushtuar, efiçente, intelektualit që punoi me vendosmëri të madhe në projekte shumë të rëndësishme për modernizimin e këtij vendi dhe punoi me sukses të madh, avokatit të pamposhtur të Partisë Demokratike, demokratëve, programit, vlerave dhe parimeve që ata besojnë. Kjo është një humbje e madhe jo vetëm për familjen dhe miqtë e tij, por edhe një humbje e madhe për Partinë Demokratike është një humbje për shoqërinë shqiptare.
Ferdinad Poni është autori i modernizimit të sistemit të identifikimit të shqiptarëve, duke vendosur në një përkushtim të madh, sistemin më modern të kohës dhe unë ju garantoj se kjo është vetëm njëra anë njëri aspekt i rëndësishëm i veprimtarisë së tij, në të gjitha fushat. Në fushën e decentralizmit të qeverisjes vendore, në fushën e zgjedhjeve ai ishte një zë i fuqishëm, një zë i ditur dhe vërtet u largua nga ne, shumë para kohe, u largua nga ne në kulmin e energjive të tij por ka lënë një trashëgimi, e cila do mbahet mend gjithnjë. Faleminderit”, u shpreh Berisha.
Përpara se trupi i pajetë i ish kreut të Këshilltarëve demokratë në Këshillin Bashkiak të Tiranës të tranpostohej në banesën e fundit, kryetari i PD-së, Lulzim Basha përcolli mesazhin e ngushëllimit për këtë figurë dhe personalitet të partisë.
Mesazhi i plotë i kreut të PD, njëherësh dhe Kryetar i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha.
Zonja e zotërinj, të dashur miq!
Pasditja e djeshme solli një lajm tronditës. E pabesueshme, por lajmet e këqija të tilla janë! Ferdinand Poni, argumentuesi me tone të larta, i qeshuri me humor pikant, bashkëpunëtori serioz dhe i përkorë, sa herë e lypte nevoja, nuk jeton më.
Pikëllimi dhe dhimbja e thellë më ka pushtuar, teksa jam i detyruar t’i jap lamtumirën e fundit mikut dhe bashkëpunëtorit tim të ngushtë e të besuar, Ferdinand Poni!
Humbja është shumë e madhe dhe njeriu nuk i bën dot menjëherë të gjitha llogaritë, por e di se humbje të pamatshme ka dhe ndien familja e Ferdit, nëna e tij Fata, shoqja e tij e jetës Meri, djemtë Rei dhe Ralfi, motra e tij Majlinda dhe vëllai i tij Bardhi; humbje të madhe ndiejnë të afërmit dhe miqtë e tij të shumtë që u derdhën sot për t’i dhënë respektet e fundit; humbje të jashtëzakonshme ndiejnë demokratët; ndiej unë; ndjen Partia Demokratike por edhe miqtë e kolegët e tij anembanë, sepse kemi humbur Ferdi Ponin, avokatin dhe mbrojtësin më të flaktë për pushtetin lokal, në të gjitha nivelet.
Na ka ikur kapiteni i pushtetit lokal, zëri i fuqishëm dhe me autoritet për këtë kauzë, shpesh të trazuar; kemi humbur drejtuesin energjik, të vendosur dhe të guximshëm që drejtoi procesin e modernizimit të regjistrit të gjendjes civile dhe përgatitjen e platformës për pasaportat dhe kartat biometrike; kemi humbur kryekëshilltarin demokrat në Këshillin Bashkiak të kryeqytetit, zërin e fortë të interesit qytetar por që për të njëjtat interesa, të qytetarëve, dinte të gjente gjuhën e urtë të kompromisit.
Vendi ka humbur personalitetin erudit, një nga ekspertët më supremë të decentralizimit, autonomisë vendore dhe zgjedhjeve, njeriun e përkushtuar me pasion pas punës dhe ndjenjës të shërbimit publik, avokatin këmbëngulës dhe të palëkundur në bindjet dhe parimet që besonte, atdhedashësin dhe patriotin që punoi pa pushim për modernizimin e qeverisjes dhe vendit.
I çiltër, i drejtpërdrejtë dhe buçitës, por edhe i ndjeshëm, me zemër të madhe e të bardhë, Ferdi do të na mungojë të gjithëve, prandaj jemi mbledhur këtu, për të ndarë me familjen e Ferdit dhe me njeri-tjetrin dhimbjen e madhe për humbjen e tij, por jemi këtu edhe me mirënjohjen e madhe që e patëm mes nesh dhe për të nderuar me krenari veprat dhe të mirat që ka lënë pas.
Lamtumirë, mik i dashur! U prehsh në paqe!
Poni ndërroi jetë pas një ataku kardiak
Ferdinand Poni nderroi jete ne moshen 49 vjecare si pasoje e nje ataku kardiak ne kohen qe po drekont me dy miqe te tij ne Prizren. Megjithese eshte derguar me urgjence ne spital, zoti Poni nuk ka mundur te mbijetoje.
Ferdinand Poni ka marrë Master për matematikë në Universitetin e Tiranës. Diplomuar në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, dhe më pas në Fakultetin e Drejtësisë. Ka ndjekur një sërë kursesh specializimi në disa vende, si në Universitetin e Nju Jorkut.
Prej vitit 1999 e në vazhdim, ai është funksionar pranë selisë qendrore të PD-së dhe ka mbajtur një sërë funksionesh.
Ferdinand Poni ka qenë në postin e ish zëvendës ministrit të brendshëm dhe së fundi Kryetar i këshilltarëve demokratëve në Këshillin Bashkiak të Tiranës.
Është hartues i shumë punimeve në fushën e autonomisë lokale, institucioneve demokratike dhe zgjedhjeve, si bashkëhartues në një sërë ligjesh të rëndësishme.