
Qeveria e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se ka shtyrë vendimin e reciprocitetit për targat dhe letërnjoftime deri me 1 shtator.
Vendimi është marrë pas takimit me ambasadorin amerikan, Jeff Hovenier.
“Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër bllokimin e sotëm të rrugëve në veri të Kosovës dhe të shtënat nga njerëz të armatosur të strukturave ilegale atje. Bëhet fjalë për tendencë për destabilizimin e Kosovës dhe rrezikimin e paqes dhe sigurisë së qytetarëve dhe vendit tonë. Akte agresive të shumta ka pasur në pasditen dhe mbrëmjen e sontme të nxitura e të përgatitura nga Beogradi zyrtar. Kryeministri Kurti së bashku me Presidenten Osmani dhe zëvendës kryeministrat Bislimi e Gërvalla kanë zhvilluar kontakte e takime me faktorët ndërkombëtarë amerikanë dhe evropianë. Me këtë rast, Qeveria e Kosovës jep zotimin që të shtyhet zbatimi i dy vendimeve të datës 29 qershor 2022, deri me datën 1 shtator 2022, nga momenti në ditën e hënë, 1 gusht 2022, kur do të hiqen të gjitha barrikadat dhe të vendoset liria e plotë e lëvizjes në të gjitha rrugët në veri të Kosovës.
Falënderojmë partnerët ndërkombëtarë, në veçanti ambasadorin amerikan Jeffrey Hovenier, për angazhimin dhe kontributin”, thuhet në njoftimin e saj.
REAGIMET E POLITIKËS NË KOSOVË:
VJOSA OSMANI: Masa e reciprocitetit nuk është e drejtuar kundër askujt, por në favor të qytetarëve pa dallim përkatësie. Prandaj, ftoj qytetarët serbë të Republikës së Kosovës që të mos bien pre e propagandës nga Beogradi.
Policia e Kosovës dhe të gjitha institucionet e sigurisë po punojnë shumë për të garantuar respektimin e sundimit të ligjit dhe lirinë e lëvizjes. Jemi duke u koordinuar e punuar pandalur me partnerët tanë ndërkombëtar.
Përpjekjet e Vuqiçit për destabilizim të Kosovës, i cili po shërbehet me metoda të mentorit të tij- Putinit, do të dështojnë.
ALBIN KURTI: Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës,
Ende pa filluar lëshimi ynë i dokumenteve të hyrje-daljeve në vendkalimet kufitare me Serbinë, strukturat ilegale serbe në veri filluan me bllokim rrugësh dhe të shtëna armësh. Atyre ju paraprinë deklaratat, takimet dhe mbledhjet e frikës dhe kërcënimit në Beograd dhe në Rashkë. Aty u planifikuan dhe u nxitën këto veprime agresive që po ndodhin sot. Vuçiq dhe Petkoviq janë përgjegjësit kryesorë për trazirat.
Qeveria e Republikës së Kosovës është demokratike e progresiste, që e don, respekton dhe zbaton ligjin dhe kushtetushmërinë, paqen dhe sigurinë, për të gjithë qytetarët pa dallim dhe për mbarë vendin tonë të përbashkët. Organet e rendit dhe të sigurisë së shtetit tonë po mbledhin informacion, po mbikëqyrin gjendjen dhe do të veprojnë, në mbrojtje të ligjit dhe të qytetarëve, të sovranitetit dhe integritetit tonë territorial.
Përcjellni me vëmendje njoftimet nga qeveria jonë, nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës, dhe, mos lejoni të dezinformoheni nga mediet e Beogradit zyrtar apo edhe ndonjë medie në Kosovë që me vetëdije u shërben atyre apo pa vetëdije bie pre e tyre.
Orët e ditët e javët në vijim mund të jenë sfiduese e problematike. Po përballemi me nacional-shovinizmin serbomadh që e njohim mirë. Do të punojmë ditë e natë, do të jemi në krye të detyrës, për juve si qytetarë dhe për Republikën tonë demokratike. Dhe, së bashku arrijmë të ngadhënjejë rendi e ligji duke i vendosur ato në çdo cep të vendit.
Ju falemnderit për mbështetjen.
LUMIR ABDIXHIKU: Mbështesim angazhimin e institucioneve të Kosovës për shtrirjen e ligjshmërisë në gjithë territorin e Republikës. Reciprociteti është e drejtë e çdo shteti sovran.
Dënojmë sulmin ndaj Policisë së Kosovës dhe forcave të sigurisë që ushtrojnë detyrën e tyre kushtetuese në veri të vendit. Mbështetja për ta është domosdoshmëri.
Koordinimi me aleatët tanë ndërkombëtarë në parandalimin e çfardo provokimi nga Serbia brenda territorit të Kosovës është esencial. Në këto momente, Kosovës i duhet stabilitet, ligjshmëri dhe siguri.
MEMLI KRASNIQI: Vendosja e barrikadave dhe veprimet e paligjshme në veri të vendit janë të papranueshme.
Qeveria e Kosovës duhet të sigurojë liri të lëvizjes dhe respektim të ligjit në çdo cep të vendit tonë.
Në mungesë të informatave zyrtare nga ana e qeverisë, inkurajoj institucionet tona të sigurisë që të jenë në shërbim të ruajtjes së rendit publik dhe sovranitetit në veri të vendit.
Këto veprime duhet të koordinohen edhe me partnerët ndërkombëtarë, të cilët i ftoj që t’i monitorojnë dhe denoncojnë provokimet dhe veprimet e paligjshme të strukturave kriminale në veri të vendit, që qartësisht janë të sinkronizuara me Beogradin zyrtar.
Ftoj qytetarët e komunitetit serb që të mos lejojnë të manipulohen nga politika destruktive e Serbisë që ka synim destabilizimin e vendit tonë. Të gjithë duhet të punojnë për mbarëvajtjen e rendit, qetësisë dhe sigurisë për qytetarët, duke garantuar lëvizjen e lirë për të gjithë.
RAMUSH HARADINAJ: Të dashur qytetarë të Kosovës,
Vendimi për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë është i drejtë dhe i ligjshëm edhe në bazë të ligjeve vendore, por edhe atyre ndërkombëtare.
Mbështesim institucionet e vendit, organet e rendit dhe sigurisë, për zbatimin e këtij vendimi të drejtë e të ligjshëm.
Bëjmë thirrje që qytetarët serb në veri të vendit, të përmbahen dhe të ruajnë qetësinë, rendin e ligjin.