Presidenca e Kosovës: Presidenti Thaçi priti heroinat e xhudos, Majlinda Kelmendin dhe Nora Gjakovën/
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur sot Majlinda Kelmendin dhe Nora Gjakovën, fituese të medaljeve në Kampionatin Evropian në Xhudo, si dhe Kryetarin e Federatës së Xhudos, Agron Kuka dhe përzgjedhësin Driton Kuka, për t’i uruar për suksesin e radhës së tyre.
“Është kënaqësi t’ju takoj dhe t’ju uroj për suksesin e arritur. Suksesi juaj është edhe sukses i Kosovës”, u shpreh presidenti Thaçi, thekson njoftimi i Presidencës kosovare.
Duke folur për punën dhe sukseset e xhudistëve, presidenti Thaçi u shpreh se “Kosova është krenare me sukseset e juaja” dhe shtoi se “ju jeni imazhi i vërtetë i Kosovës, i rinisë që punon me përkushtim edhe kur kushtet nuk janë më të mirat, për të arritur sukses”.
Delegacioni i xhudistëve e njoftoi presidentin Thaçi për punën dhe sukseset e arritura.
Agron Kuka, Kryetar i Federatës së Xhudos, tregoi për punën që bëhet, përkundër kushteve të kufizuar, ndërsa përzgjedhësi Driton Kuka tregoi për rëndësinë që sukseset e dy xhudisteve kanë për gjasat e tyre në Lojërat Olimpike në Rio.
Dy xhudistet, Majlinda dhe Nora, treguan për garat e vështira, por edhe për gëzimin në suksesin e arritur. Të dyja u shprehën se i gëzohen mundësisë që të dëshmohen edhe në Lojërat Olimpike që do të mbahen në Rio.
Presidenti i Kosovës u shpreh se “shteti i Kosovës do të vazhdojë të mbështesë sportistët dhe sportin” dhe u uroi suksese xhudisteve dhe federatës së tyre.
“Majlindës dhe Norës i urojmë suksese në Lojërat Olimpike. Jemi të bindur në suksesin e tyre”, u shpreh presidenti Thaçi./b.j/