Intervistë me gazetaren dhe moderatoren e emisionit në TV News24, “Arratia e peshkut të kuq”/
Bisedoi Raimonda MOISIU/
Në mesin e komunitetit të gazetarisë shqiptare dhe në arkivin e Televizionit News24, një vend të veçantë zë profili i gazetares, publicistes dhe moderatores të emisionit “Arratia e peshkut të kuq”, e intelektuales, Rezarta Reçi. Një zë femëror, krijues, qytetar dhe intelektual, e spikatur në gazetarin shqiptare, që në vitet ’90-ë dhe deri më sot me një karrierë brilante, që karakterizohet nga një gjuhë e pastër, rëndësia, përkushtimi, moderatorja që investigon shpirtrat njerëzorë, duke buzëqeshur. Gazetarja modeste me një antikonformizëm çudibërës, Rezarta Reçi, e qetë në pyetje e thellë në mendim, promovon lirinë dhe vlerat e botës dhe shoqërisë shqiptare ngado, hulumton vlerat njerëzore, kombëtare e historike të jetës kulturore, artistike, intelektuale, sportive shqiptare, të cilët, me jetën e tyre kanë pasuruar dhe kontribuar në evoluimin mendor dhe intelektual të një shoqërie në ndryshim dhe progres. Moderatorja e emisionit të mirënjohur tashmë në TV News24, për gati një dekadë, i titulluar “Arratia e peshkut të kuq” , është shndërruar jo vetëm në hulumtuese e vlerave njerëzore, por ajo “arratiset” në identitet mistike të personazheve që ajo interviston. Në këtë intervistë me urtësinë, modestinë, mençurinë dhe buzëqeshjen që e karakterizon, Rezarta na rrëfen, përkushtimin, pasionin e përgjegjshmërisë morale, qytetare e intelektuale, profesionale, përvojën dhe eksperiencat e jetës, dhe afirmimin me vizion të gjerë profesional, si gazetare dhe moderatore e emisionit. Për më shumë ndiqni intervistën.
***
Përshëndetje dhe ju faleminderit Rezarta, për këtë intervistë. Si iu lindi ideja për të qënë pjesë e gazetarisë, ishte dëshirë, sfidë apo detyrim moral i rëndësishme nën ndikimin e kulturës, historisë e fenomeneve sociale, ekonomike dhe politike në komunitet, apo diçka e papritur, që ju zgjodhët të jeni gazetare?
Në fillim ishte dëshirë, e herëshme, e pakonkretizuar, por shumë e fortë, më pas u bë edhe sfidë personale por edhe një detyrim i rëndësishëm për t’i shërbyer komunikimit të kulturuar, mënçuror dhe të domosdoshëm për një shoqëri si e jona,e trazuar dhe në evoluim të përditshëm e të përvitshëm .
-A mund të na përshkruani momente nga eksperienca tuaj? A ju kujtohen ditët tuaja të para si gazetare?
Çdo gjë ka filluar me mikrofonin e shënjtë të Radio Tiranës, pas viteve 90.E them këtë pasi post ‘90 edhe për gazetarinë shqiptare të shkruar, radiofonike dhe vizive solli një përmbysje dhe rikrijim.E meqënëse me kërkoni, dua të kujtoj që jam pranuar në Radio Tirana në një konkurs ku kam marrë pjesë më një ese radiofonike që shoqërohej dhe me intervista të gjalla me temen “ A duhet të pimë kur jemi të mërzitu?”
Që ngriti dhe siparin e shumë trajtesave të mëvonshme të tilla nën sigletën Tema dhe Dilema. Juria përbëhej vetëm nga zotërinj gazetarë të cilët përveçse pëlqyen trajtimin tim filozofik të kësaj teme kanë qeshur me të madhe me intervistat që kisha realizuar me meshkuj pijedashës që përpiqeshin të spiegonin varësinë e tyre ndaj pijes. Nëse do ta realizoja tani pas 22 vitesh, me siguri do të kisha edhe femra të intervistuara. Ky ishte fillimi, dij që nuk më ka ardhur asnjëherë turp të mbaja manjetofonin e rëndë Uher dhe të bëja rolin e reporteres në rrugë, por gjithmonë jashtë politikës. Probleme sociale, mjedisore, mjekesore, kulturore, bujqësore, artistike pafund tema dhe intervista, të gjithë ishim në transformim, të gjithë donim të mësonim, sebashku me ne edhe dëgjuesi radiofonik që duhet ta pohoj me zë të fortë, na ka ndjekur me shume interes dhe vëmendje per shumë vite me rradhë.
-Ju lutem, na përshkruani shkurtimisht Tiranën si zemra e inteligjencës shqiptare, por edhe ku ndërrthurren ngjarje, aktivitete të ndryshme nga jeta socia-politike-ekonomike-kulturore, dhe juve iu duhet të jeni aty ku është lajmi, informacioni, për ta përcjellë atë në kohë dhe saktë?
Tirana tashmë përbën vëndin ideal ku ka jetë.Të jetosh në Tiranë tashmë është privilegj dhe kënaqësi për afro një milionë banorë që përpiqen të ndërtojnë dhe realizojnë ëndrrat e tyre. Profesioni im si gazetare dhe moderatore e një emisoni artistik të titulluar “Arratia e peshkut të kuq” më zhvendos totalisht nga sfera e informacionit politik dhe më dërgon në salla shfaqjesh e promovimesh, në Teatrin Kombëtar apo Teatrin e Operas, në Akademinë e Arteve apo në galerinë e Arteve, në panaire Librash apo në sfilata mode, në premiera filmash apo ekspozita gasronomike. E nga kjo pikpamje jeta ime është e pasur me shumë libra të lexuar, me shumë shkrimtarë dhe përkthyes të takuar, me shumë tinguj të dëgjuar, me ngjyra dhe stile veshjeje, që në fund të fundit pasurojnë ditë pas dite shpirtin tim, por i japin kolor, atmosferë , mënçuri dhe kulturë, edhe emisionit tim, pasi personazhet e Arratisë vijnë nga këto fusha.
– Si jeni ndjerë, kur jeni çfaqur për herë të parë në Televizion? Cili ka qënë keqkupimi më i ndjeshëm gjatë karrierës tuaj si gazetare?
Të them të drejtën, në mos do të kisha qënë e detyruar nga rrethanat, për dëshirën dhe qejfin tim do të isha akoma e fshehur në studion radiofonike. Aq shumë e kam dashur dhe vazhdoj ta dua Radion dhe magjinë e komunikimit radiofonik. Por më ka ndodhur që kam thënë në vitin 2000: “Nuk duhet të kthehem pas, duhet të provoj Televizionin”! Fillesat kanë qënë në televizorin Teuta në Durrës. I dhashë atij Televizioni fytyrën time profesionale në fushën e problematikës sociale dhe kulturore sa ende vazhdojnë të më dinë se isha një gazetare e lindur në Durrës, kur realisht kam lindur në Shkodër, kam krijuar familjen në Tiranë dhe kam punuar disa vite në Durrës!
Dalja e parë në Televizion të duket e çuditshme, tani pas afro katërmbëdhjete vitesh them që jam mësuar me shfaqjen time në ekran dhe hera herës më pëlqejnë çfarë dua të përçoj. Të jep një status tjetër prezantimi në televizion, por mendoj se njerëzit më ndjekin për fjalën që them dhe personazhin që sjell dhe si e sjell. Keqkuptime të them të drejtën nuk kam pasur, ndofta ngaqë përpiqem të jem korrekt qoftë me të ftuarit, qoftë me teleshikuesit, por edhe me stafet e televizionit ku jam prej dhjetë vitesh , News24.
-Kam lexuar diku se ju kanë cilësuar si gazetarja profesioniste,-“ikona e intervistimit”, veçmas me emisionin simpatik e mbresëlënes “Arratia e Peshkut të Kuq” në studio apo në terren. Parasëgjithash përgëzime të sinqerta. Si lindi ideja e këtij emisioni të intervistimit, -si pjesë narrative jetësore e personazheve që iu përzgjidhni të vijnë në jetën e përditëshme, apo thjesht dëshirë? Pse këtë titull?
Me vjen mirë nëse e kam përftuar këtë cilësim! “Arratia e Peshkut të Kuq” në Janar të 2015 mbush 10 vite nga krijimi si emision. Është i lidhur ngushtësisht më News24 dhe jam e kënaqur dhe hera- herës edhe e lumtur për rrugëtimin e qetë, të pabujë, por cilësor që ka bërë ky emision për të trokitur si imazh, mendësi, cilësi, kulturë, përçim dashurie në ekranet shqiptare. Jam me shumë fat që në filtrin e ARRATISË kanë hyrë dhe dalë shumë personazhe, ikonë të jetës kulturore, artistike , intelektuale, sportive shqiptare, të cilët, me jetën e tyre kanë pasuruar dhe kontribuar në evoluimin mendor dhe intelektual të një shoqërie në ndryshim.Tashmë numërohen rreth 450 personazhe, femra dhe meshkuj të moshave të ndryshme, të profesioneve të ndryshme dhe secili prej tyre, në ARRATI ka besuar fragmente dhe nuance të jetës personale dhe profesionale, rrëfyer me sinqeritet, dashuri, humor, zhdërvjelltësi dhe elegancë…
-Si jeni ndjerë kur keni intervistuar për herë të parë, ku dhe kush ka qënë ai/ajo? Na tregoni si arrin ta bëni intervistuesen, procesin e mbledhjes dhe vënien së bashku e të gjitha elementëve intervistuesë? Cilat janë disa nga sfidat?
ARRATIA ime e parë është realizuar me prezantuesen e Televizionit Publik Shqiptar Aulona Minga, është realizuar gjatë muajit dhjetor 2004 dhe është transmetuar me 8 janar 2005 duke ngritur kështu dhe siparin e transmetimeve të Arratia e Peshkut të Kuq që vazhdon. Do të doja të kujtoja këtu operatorin e parë me të cilin kam realizuar xhirimet e para Erind Vogli dhe montazhierin e talentuar Trim Radoja, të cilët konceptuan dhe përpunuan idenë që kisha unë për Arratinë.
E nëse do të rrëfeja për proçesin tim të punës, gjithshka fillon nga bashkëbisedimi kokë me kokë me personazhin paraprakisht. Dhe ajo që është e rëndësishme të them është që unë nuk intervistoj njerëz të panjohur, ne kuptimin që ose i kam ndjekur në skena interpretative , ose i kam lexuar një vepër, ose kam parë një ekspozitë pikture apo skulpture, etjetj. Pastaj duhet të shtoj që është një process i gjatë kualifikimi dhe vetëkultivimi për të qënë një dëgjuese dhe respektuese e mirë e personit që ke përballë duke intervistuar, për të marrë nga ai/ajo, përmes pyetjeve, copëzat më interesante, më domethënëse, më të kulturuara dhe që vlejnë per teleshikuesin që të ndjek. Mendoj që kam një target teleshikuesish që di, që vlen, që të gjykon dhe është i vëmendshëm për çfarë afron dhe që duhet respektuar pafundësisht.
-Para se të bëni intervistën tuaj me personazhe të profileve të ndryshme, a bëni kërkime në sfondin e tyre? A e keni të vështirë për të artikuluar pyetjet?
Kësaj pyetjeje iu përgjigja për sa më sipër. Mendoj që edhe roli i intervistueses është profesion, emisionet dhe vitet e rrugëtimit profesional më kanë pasuruar vit pas viti, stad pas stadi dhe rrezikoj që edhe në biseda normale me miqtë dhe kolegët e mi të vendosem sërish në rolin e intervistueses.Do të doja të kujtoja këtu Arratinë me të mënçurin Amik Kasoruho me të cilin e kam realizuar a prima vista Arratinë. E vërtetë që takohesha për herë të parë me të, por kisha lexuar përkthimet e tij, kisha dëgjuar shumë për të dhe të dy jemi ndjerë në atë bashkëbisedim pa pyetje te shkruara , sikur të ishim takuar një jetë të tërë.
-Sa shpesh ju merrni e-mail nga autorë, intelektualë, shkrimtarë, poetë, këngëtarë, publicistë, personazhe publikë të profileve të ndryshme, që kërkojnë të intervistohen, apo anasjelltas..?
Jo, do të thoja që gjithë këto që përshkruani më sipër i marr vetëm nga njerëzit që i kam intervistuar përmes mesazheve të falenderimit , vlerësimit, komenteve të cilësuara…kurse personazhet zgjidhen nga unë në bazë të kontributeve të tyre në jetën shqiptare sipas fushave që ata përfaqësojnë. Për fatin tim të mirë është vendosur dhe është ruajtur ky kod komunikimi…
-Në emisionin tuaj vital “Arratia e Peshkut të Kuq” trajtoni tema nga jeta e njerëzve të letrave shqipe, botës së artit e kulturës shqiptare, por edhe figura publike të profileve të ndryshme, që kanë dominuar shoqërinë shqiptare në të kaluarën dhe të sotmen? Si jeni ndjerë për këtë dhe cili është mesazhi, që iu dëshironi të përcillni?
Nuk e di pse, por brënda meje kam një respekt dhe adhurim të plotë për të gjithë atë plejadë njerëzish që kontribuan intelektualisht, secili në fushën e vet . Kam një ndjenjë mirënjohje dhe nderimi të thellë për ato njerëz që lirinë e tyre të cunguar internimeve dhe burgjeve të diktaturës ia dedikuan ëndrrës së tyre për një liri inteligjente dhe dobiprurëse. Këto ndjesi ma bëjnë më të lehtë shtrirjen dhe vazhdimësinë e ARRATISË në dy kohë, e bindur se asgjë nuk fillon nga HIÇI.
– A ka ndonjë moment paralel gjatë eksperiencës tuaj, që si rrjedhojë ka sjellë edhe këndvështrimin paralel mbi përvojën jetësore, social-politike e historike? Me këtë dëshiroj të di, se si ju harmonizoni aktualen mbizotëruese historike, sociale e politike, në kurriz të pavarësisë tuaj intelektuale. A mund të na përshkruani momente nga eksperienca tuaj e gazetarisë intervistuese?
Përgjigjen e ketyre pyetjeve po e përmbledh ne një. Ndofta nisur nga optika e emisionit që unë realizoj, kam qënë realisht larg politikës dhe problemeve apo shqetësimeve që lidhen me të apo që shkaktohen për shkak të saj. Kjo më ka ndihmuar të ruaj edhe pavarësinë time intelektuale dhe në fund të fundit të kem lirinë e zgjedhjes së personazheve për t’i prezantuar vërtetësisht siç janë .Gjithmonë mendoj se gazetari moderator e ka për detyrë të nxisë të intervistuarin të shprehë ato çfarë i duhen emisionit dhe këtu mbaron detyra e të intervistuarit.Më pas secili personazh i intervistuar mban përgjegjësi morale për vërtetësinë e mendimeve, koncepteve, ideve, fjalëve që thotë.
-Në kapacitetin tuaj krijues një vend të shquar zenë edhe dokumentarët. Çfarë ju ka tërhequr për realizimin e dokumentarëve me vlerë tradicionale historike e kulturore? Si kini arritur t’i realizoni?
Do të thoja që pothuajse çdo ARRATI e imja është një copëz dokumentar që fikson një fragment jete të një personazhi të caktuar. E në funksion të kësaj do të doja të citoja vlerësimin që më ka bërë kineasti Nexhati Tafa pas realizimit të një Arratie më të. Më tha: në 30 minutat e emisionit të transmetuar isha unë, portreti im intelektual dhe shpirtëror, njoha vehten, më ka impresionuar dhe e çmoj këtë vlerësim sepse vjen nga një njeri që është marrë me filmin.
-A keni përjetuar fëmijëri të lumtur? A ka pasur në fëmijërinë tuaj se një ditë do të bëheshit gazetare profesioniste dhe një nga më të kërkuarat e më të pëlqyeshmet me emisionin “Arratia e Peshkut të Kuq”, i vlerësuar tashmë në të dyja kahjet e kufirit Shqipëri- Kosovë, nuk e ekzagjeroj nëse them në Ballkan e Diasporë?
Falë fatit dhe prindërve të mi kam përjetuar një fëmijëri të bukur. Jam lindur dhe rritur në qytetin e Shkodrës. Dëshira ime fëmijërore ishte të kisha në dorë një shkop magjik i cili të kishte fuqinë të më ndryshonte librat që kisha rreshtuar në të parën bibliotekë modeste timen të krijuar me kujdes nga unë e të lexuar e rilexuar disa herë. Por edhe mungesës së librave ia gjeta zgjidhjen. Kur dilja nga shkolla e muzikës ndaloja tëk Libraria afër Kafesë së Madhe ku ishtë e ëmbla dhe e bukura librare Miriam, e cila më lejontë të fshihesha pas banakut të librarisë dhe më lejonte të lexoja librat që i zgjidhnim së bashku. Kohë ë bukur! Ndërkaq edhe luaja në oborrin e pallatit tonë me shoqe dhe me shokë, mësoja biçikletën, bëja pazare, ecja shumë përdore me gjyshen duke dëgjuar historitë e rrëfyera nga ajo, recitoja këndoja, mësoja shumë.Po ! Kam dashur të bëhem gazetare! Përse do thoni ju? Sepse e mbaj mënd vehten fare të vogël në mjediset e Radio Shkodrës duke ecur zbathur, me çorape mbi tapetin e shtruar, për të mos bërë zhurmë, i jam afruar mikrofonit magjik dhe kam recituar një vjershe, zëri më dridhej, zemra më rrihte fort dhe dëshira ka qënë e ëndërrt: ah sikur të rikthehem sërish këtu! Sa herë rikthehem në studio e Radio Tiranës më kujtohet ajo Rezarta e vogël që ecte në majë të gishtave në studion magjike të fëmijërisë së saj.
-Si ndiheni kur dëgjoni për krimin në familje, apo veset e tjera, që kanë përfshirë një pjesë të komunitetit, sikundër droga e krimi? Dhunën ndaj gruas?Si mund të reflektojë shoqëria shqiptare për lehtësimin e këtyre plagëve?
Si duhet të ndihem? Ngandonjëherë më duket sikur gjithka na ka rrëshqitur nga duart dhe rrokulliset me shpejtësinë e një orteku marramendës. Një shoqëri jomirë e organizuar dhe jo shumë e kulturuar dhe e kultivuar ku ligjin e bën shpesh befasia dhe instikti. Krime të paimagjinueshme, që mund t ‘i kemi lexuar apo parë nëpër filma, por kur gjaku dhe lotët janë prej vërteti, at’here çfarë presim? Nuk heq dorë nga ideja dhe bindja se edhe media edukon dhe kultivon !A e kemi bërë misionin tonë? Secili përpiqet në mënyrën e vet, por jo shumë fort, jo shumë bindshëm, pasi ditë-netët vrapojnë më shpejt se ne dhe ne nuk po gjejmë kohën e duhur, kohën e mjaftueshme për të qënë të vetëdijshëm për rolin tonë, të fjalës sonë, të mikrofonit tonë. Që në emisionet e dikurshme radiofonike dhe sidomos me rubrikën “Një fletë nga ditari im” kam qënë e vetëdijshme për çfarë ofronte jeta e lirë dhe a mund të bënim ne diçka.Më kujtohet Marsi i 97/ ës. Një Radiotelevizion pa zotër deri në darkë, por një grup kolegësh në Radio dhe më pas në Televizion që i drejtoheshin një auditori pa qënë të bindur në na ndiqnin apo jo, në na dëgjonin apo jo: “Ulini armët, mos vrisni vëllezërit tuaj”, fjalë të dala nga shpirti që të duket sikur përplasen në një bosh. Por Jo! Reagimet filluan, sensibilizimi motivoi.Në një farë forme ne realizuam një mision që u transformua në ditët e mëpasme.
Edhe përzgjedhja e personazheve të Arratisë për mua e ka nje mision.Të shpërfaqë atë punë gjigande e të mundimshme që duhet për të mbrritur për të qënë dikush, për të lënë një emër, një gjurmë, për të dëshmuar dhe frymëzuar, për të kontribuar dhe dashur një vënd të cilit i takojmë.
-Si jeni ndier përballë botës së frikëshme të mediokritetit, klaneve, hipokritëve dhe inferioritetit? Çfarë kuptoni me shprehjet “vetëgjymmtim dhe vetëvrasje intelektuale’?
Punojmë në një terren të hapur , të lirë dhe ku lëvrohen të gjitha fenomenet. Secili, në mënyrë instiktive apo edhe të menduar shumë thellë zgjedh mënyrën e rrugëtimit. Unë e kam zgjedhur timen, udhëtoj me këmbë në tokë dhe me mënd në kokë , duke dashur të përmbush misionin tim profesional brenda parimeve të mia, duke përballuar tundimet joshëse që të ofron paraja e tepërt dhe liria e ekzagjeruar. A do pendohem ndonjë ditë ? Ndofta! Realiteti shqiptar siç është konceptuar dhe krijuar, të bën të ndjehesh çdo ditë e turperuar nëse nuk ke marrë para të pameritueshme, nëse ke kërkuar të jetosh ndershmërisht.
-Si gazetare dhe intelektuale, cili është koncepti tuaj për kombin, për pushtetin, për partitë politike dhe për demokracinë` në vëndin tonë?
Ndjehem e zhgënjyer.Por edhe fatlume që më ra të jetoj dhe kontribuoj në një kohë të tillë të trazuar ku secili përpiqet të gjejë vehten, ta ridimensionojë atë. Jetojmë në një kohë pa modele, secili e ka në kokë modelin e vet por i duhet ta vendosë në kohë e hapësirë në një realitet shqiptar që transformohet së jashtmi dhe së brëndshmi. Të gjitha konceptet tona të atdhedashurisë, të vlerësimit të intelektit, të shpirtit, të mirësisë, të dashamirësisë, të respektimit të vlerave , të parasë, të pasurisë dhe të varfërisë, të hajdutllëkut apo ndershmërisë, pra të gjitha janë nën efektin e një tërmeti shumëballësh. Mirë kush ka mënd dhe është koshient çfarë do të thotë të jetë i vdekshëm në këtë botë, e ka të qartë se si mund të orientohet në këtë stinë tërmetesh të njëpasnjëshme. Po ime bije si do të orientohet?Nuk jam pesimiste, udhëtoj me varkën e kohës duke u përshatur pothuajse si gjithë udhëtarët e hipur në të, për të mbërritur secili në destinacionin e ëndërruar…
-Kur shprehemi “brezi i mëparshëm”, kë keni ndërmend sipas jush? Cilët janë autorët tuaj më të preferuar, shqiptarë e të huaj?
Më mahnit dhe adhuroj kontributin shumëplanësh të të gjithë njerëzve të kësaj toke që me dijen dhe veprën e tyre vunë një gur në ardhmëri duke besuar tek ajo që bënë, duke transformuar, duke ëndërruar, duke shpresuar, duke punuar. Urrej luftrat! Kurse për letërsinë….i jam mirënjohëse autorëvë të panumërt me të cilët jam miqësuar hershëm dhe të cilët më kanë ndihmuar, secili sipas mënyrës së vet, që unë në kohë të ndryshme dhe në momente të ndryshme të rrugëtimit tim jetësor të jem në paqe me vehten, e ridimensionuar çdo dite, e dashuruar me të jetuarin çdo çast,e mirëkultivuar për të kuptuar në thelb të jetuarin, përkohëshmërinë tonë, vlerën e gjërave, sendeve, koncepteve.Jam fatlume që kontakti im me shkrimtarë të gjallë dhe të vdekur vazhdon, jam me fat që ai shkopi magjik i fëmijërisë sime të ëndërruar ma ka bërë bibliotekën shumë të pasur me libra, por ma ka pasuruar shpirtin pakufijshmërisht.
-Çfarë është dashuria për ju? Kur e ndjen një grua se është e dashuruar? A keni shkruar ndonjë poezi dashurie?
Është një pyetje që unë ia bëj të gjithë personazheve të ARRATISË, nga të gjithë kam marrë përgjigje të ndryshme, të bukura, të thella, të çastit…Për mua dashuria është frymë! Ta përqafosh botën me këtë frymë është përtej misionit, është ekzistencë..Poezi nuk shkruaj të them të drejtën….
-Cilat janë aftësitë profesionale që gazetaret e reja kanë nevojë sot? Ndonjë këshillë për ata që aspirojnë gazetarinë?
Të dëgjojnë shumë, të lexojnë akoma më shumë, të udhëtojnë dhe shohin e mbi të gjitha të respektojnë auditorin që i ndjek dhe secilin person që kanë përballë me të gjitha të vertetat përkatëse.
-Projektet tuaja në të ardhmen? Çfarë iu ka mbetur peng?
Njeriu mendoj qe vdes me pengje, është e pamundur ndryshe, pasi çdo ditë sjell një ëndërr, një dëshirë, krijon disa mundësi, sfumon të tjera, vetë jeta është shpikje e bukur që shndrrohet në peng….
– A është i lirë shtypi sot?
Liria absolute është iluzion, liria jonë e brishtë është akoma më shumë iluzive, le të shkojmë drejt ëndrrës së paraardhësve tanë për të shijuar lirinë duke mos harruar sentencën që të kujton se nuk ka liri absolute përderisa nuk duhet cënuar liria e tjetrit!
-Mesazhi tuaj për inteligjencën e shoqërinë shqiptare sot….
Realiteti shqiptar ka nevojë për intelekt, mendim cilësor, arësyetim, llogjikë,mënçuri, kurajo për të jetuar bukur dhe me dashuri.Mos u dekurajoni por jeni vetvetja në prmbushjen e misionit dritësues që nuk shitblihet me asnjë lloj paraje. Une besoj tek fuqia e intelektit njerëzor dhe besoj akoma më shumë tëk dashuria, dashamirësia, mirësia, mirënjohja dhe respekti dhe prapë te dashuria.Sado akronike të dukem…
Ju faleminderit!
Bisedoi:Raimonda MOISIU