Intervistë me Prof.Augustin Giordano*/
“Shqipërinë e kemi te buza e te zëmra! Katundi im ish 100% arbëresh, ndaj jeta e djemvet arbreshë, Ejaninë, shkonej normale, sikur të rrohej në Shqipëri. Shqipërisë i vodhtim ëmrin e vjetër, Arbër; e na pëlqen të thrritemi Arbëreshë; dhe tërësinë e katundevet ku rrojën Arbëreshët e thrresmi Arbërì. E vet ky ëmer sosën t’i buthtonjë jetës kush jemi e ka vimi. Unë u rrita me fjàmurin shqiptar ndër sytë, me himnin shqiptar ndër veshët: me fjamurin shqiptar ndër vallet e Frasnitës të qellur me dorë ka ‘fjamuràri’, për krei valles; me himnin shqiptar të kënduar ka grupet folk arbëreshë. Edhe katundet arbëreshë janë pjotë me buste të Skanderbekut, me ëmre personaxhesh/qytetesh në toponimitë katundare, me fjàmure çë valëviten ndër shfaqjet folklorike. Revista ‘Jeta Arbëreshe’ është një ngusht me motin. Një ngusht me Arbëreshët. Një ‘jatrì’ çë Arbërisë i bën mirë. Gjuhës arbëreshe i bën mirë. Historisë arbëreshe i bën mirë. Shqipërisë i bën mirë.”August Giordano
Shqipëria, më e lashta e kontinentit evropian,“Dekania e Racave”(Viktor Frobin- 15 qershor 1913), “duke trashëguar një gjuhë unikale, e vetmja që deshifron shkrimet e lashta, të gjuhëve që sot janë zhdukur si:( latinisht, sanskritisht,greqishte e vjetër-Nermin Vlora Falaski– );”gjuha ilire që flet më së miri për lashtësinë e saj, si më e vjetra ndër gjuhët ndërkontinentale” (Dhimitër Pilika-“Pellazgët ,historia jonë e mohuar”). Meqë gjuha shqipe ka një fjalor frazeologjik tejet të pasur, ruan në vetvete thesaretë mëdha gjuhësore( Prof.Dr. Eshref Ymeri –Fjalori Frazeologjik Rusisht -shqip) .”Rrënjët janë këtu, në këtë tokë gjaklarë, kurse degët nëpër botë janë shpërndarë e hodhën shtat”(Vivra-Rrënjët)..
Kujtesa e dijes kombëtare thotë:”Gjaku nuk bëhet ujë’, ‘na afron era e gjakut’; ‘na thërret gjaku i stërgjyshërve’; ‘na ngroh shpirtin vlagu i tokës mëmë’; ‘kemi të njëjtin gjak në deje’; ‘na bashkon gjuha e nënës’; ‘Jemi një fis e një farë’; ‘lindëm nga e njëjta baltë’;’ku ka rrjedhur, do të pikojë, ku vete soji në soj”etje…- ka mjaft shprehje të tilla domethënëse.
Shqiptarët, që kushtet jetike dhe pushtimet e gjata ndër shekuj i detyruan të mërgojnë, jo vetëm nuk harruan vendlindjen e të parëve, por ruajtën gjuhën, besimin, doket apo zakonet.
Përherë kam qenë e interesuar për vëllezërit e mi Arbëreshë të Italisë apo Arvanitasit e Greqisë, si dhe trevat ballkanike apo evropiane ku jetojnë dhe punojnë shqiptarë. Por lidhjen shpirtërore me ta e krijova kur rastësia më njohu me z.Tommaso Campera (Sekretar i Sh. Vatra Arbëreshe”Chieri-Torino). Pasi fitova konkursin poetik me çmimin “Gj.K. Skënberbeu” më 2009 në Itali, ishte kënaqësi që u njoha me gjithë komunitetin shqiptar aty. Kur e pyetëm z.Campera se si na njohu pa u takuar kurrë, u përgjigj; – “Na lidh gjaku dhe gjuha. Kemi 600 vjet që flasim shpip”. U mrekullova kur mësova se në Piemonte jetonin 10.000 familje arbëreshe. Madje një fshat i tërë mbante mbiemrin tim Vrana. Ata ruanin mbiemrat e vjetër shqiptarë, si: Matranga, Borgia (Borxha), Durrësi, Shkodra, Toçi, Kastrioti, etj… Njohja me presidentin Prof. Vincenzo Cucci (Vinçenx Kuçi), me kryetarin e jurisë, Prof.Doc. Italo Costante Fortino, i vlerësuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Mjeshtër i Madh”, si personalitet i kulturës arbëreshe, me të cilin e ruaj miqësinë. Më pas marrëdhëniet me Arbëreshët e Italisë , u forcuan nga një ftesë e ardhur për bashkëpunim me Revistën “Jeta Arbëreshe” nga drejtori i saj, prof.Augustin Giordano, me të cilin komunikoj vazhdimisht.
Tani kjo revistë ka ditëlindjen, mbush 15 vite punë, ku pasqyron: letërsi, gjuhësi, albanologji, histori dhe studime. Duke i uruar mbarësi dhe jetëgjatësi revistës që flet arbërisht dhe shqip! Përgëzoj stafin e saj dhe veçanërisht z. Giordano për punën e madhe të vështirë, por fisnike që ka bërë, që bëjnë dhe do të bëjnë për t’ia rritur emrin kësaj reviste ku flitet arbërisht dhe shqip!
Në këtë përvjetor i drejtohem për një intervistë drejtorit të revistës, Prof. Giordano, i cili e mirëpriti ftesën time:
*Profesor Giordano, përshëndetje nga Shqipëria, nga Vlora e dy deteve! Është kënaqësi e veçantë për mua që të komunikoj me ju! Cili është z. Agostino Giordano?
-M’e thonë Agostino Giordano, u leva në Ejaninë/Purçill, katund arbëresh i provinxhës së Kosenxës (krahinë e Kalabrisë, Itali), bir i nji fëmilje bujqish, i dyjti i katër bilve. Ati im ish ka Frasnita, mëma ka Ejanina, fraksiona e saj. Tatëmadhrat e mi, ka dy anët, ishin bujq, me dhera, vreshta, shpi e dhen (Bagëti). E të katër Arbëreshë; ata ka ana e tatës, pra, ishin nipra të papasit Bernardo Bilotta (1843-1918), prift i Frasnitës, poet e letrar.
U leva te viti 1950, ndë mars. Studiova në Universitetin e Rromës‘La Sapienza’. E atjè u diplomova në Letërsì, me një tezë mbi argument arbëresh, ‘Poezi popullore e Ejaninës dhe e Frasnitës’; relatori im prof.Ernest Koliqi vdiq tre muaj parë diplomës. Mësova për 40 vjet ‘Letërsi Italiane e Historì’ ndër Shkollat e Larta të provinçës së Kosenxës. Sot jam në pension.
*Cila është aktualisht gjendja juaj civile ?
-Jam i martuar e kam dy bil: njèri, gazetar profesionist, shërben jashtë Italisë; jetri, më i vogël, bën ‘shërbim civil’ ndë katund.
* Kur mësuat se ishit me origjinë shqiptare, si jeni ndjerë moralisht e shpirtërisht? A ka ndikuar origjina në jetën tuaj private apo dhe si komunitet?
-Lerja te një katund arbëresh, ndër vitrat ’50 të shekullit të shkuar, s’ish fare traumatìke. Katundi im ish 100% arbëresh. Njera çë rrihej ndë shpi, shkohej një vogëlí e hareshme e pa probleme: gjitonìa ish një ‘fëmilë e zgjeruar’, gjithsej ish lozje e festë. Traumi rrohej kur hihej në skollë fillore: atjè s’mund të folej më arbrisht, kish xëhej gjuha italiane. Atje zëjin problemet për vashat e djemt arbëreshë të katundit.
U pata fatin të kisha, për lalë, priftin bixantin të katundit, papas Emanuele Giordano, vllau i atit. E dhjàj kur kisha 5 vjet, vajta e rrova me të, te Kanònika (shpia e priftit). Ai ish një albanolog i njohur (vdiq vjet, 94 vjeçar) e kështu ‘këcimin te italishtja’ u e pata shumë më të lé se shokët e mi.
Jasht shkollës, xënsi arbresh prirej arbresh, e rronej natyrisht rrojtjen e tij etnike. Shpirtërisht, pra, arbreshi i Ejaninës s’kish probleme, sepse zotilalë, edhe muzikolog, e kish anticipuar Koncilin Vatikan II e shumë pjesa të kënduara të Liturgjisë Bixantine i kish tashpjerrë ka greqishtja në arbërishte, e i kish adhaptuar muzikës bixantine. Veç ‘mizës ‘ bardhë’ të shkollës italiane, jeta e djemvet arbreshë, Ejaninë, shkonej normale, sikur të rrohej në Shqipëri. Arbreshitèt 100%.
Origjina ime arbëreshe ka ndikuar pozitivisht në jetën time private, mësemë për ‘mësuesin personal’ çë pata te fëmila, zotin lalë Emanuill.
* Ndikon tek Ju afërsia gjeografike me vendin e të parëve. Na lagin të njëjtat ujëra të të dy deteve dhe jemi në të njëjtën gjerësi gjeografike.
Afërsinë e Arbërisë (katundevet Arbëreshë) me Shqipërinë e njoha qartë te Gjuha; e pra te Vallet, te Rrapsodhitë, te veshjet; gjatë rrëfimevet, gjatë mësimevet të pjeqvet, të prindvet dhe të zotit lalë. Karta gjeografike e Shqipërisë ish e stisur me gozhdë te muri i zyrës së zotit lalë, mbi libret e rivistat çë i vijin me postë ka Shqipëria, zotit lalë, çë prej vitevet ’50. Unë, te Kanonika e zotit lalë, isha afër Shqipërisë, më se gjithë të tjerët. Edhe për vizitat çë gjuhëtarë e letrarë Shqiptarë i bëjin zotit lalë; si edhe për shkrimet e shumta të lalës mbi gjuhën, folklorin, historinë arbëreshe. U fjëja në Bibliotekë e ndukja ajër arbresh e shqiptar.Dhe shfletoja e djovasja libre arbëreshë e shqip.
Dhe ‘ujrat e dy detevet’ i ndýejta vërtet ‘të njëjta’, kur zoti lalë vate të parën herë, me avion, ndë Shqipërì, i ftuar nga Universiteti i Tiranës, ndë 1967; o kur u, në vitin ’76, me anì, bëra udhëtimin Bari-Bar për të veja në Prishtinë, tek Seminari Ndërkombëtar për të Huaj.
* Duke bashkëpunuar me ju, kam mësuar se ju flisni mirë shqip dhe jepni mësim në këtë gjuhë? Si e keni mësuar gjuhën shqipe?
-Tue jetuar afër zotit lalë, gjuhën arbreshe xura t’e djovasja(lexoja)e t’e shkruaja. Zura e shkruajta poezi çë kur kisha 17 vjet. Në Universitetin e Rromës, pra, thellova studimin e gjuhës shqipe, çë njihja.Te viti 1972, redaktoja, me zotin lalë, revistën Zëri i Arbëreshëvet (1972-1982). Pas diplomës, mësova Gjuhë Arbëreshe te skollat e mesme të katundevet arbëreshëFrasnitë e Çift, dhèsper (pasdite), për dy vjet shkollorë. Pra, nën drejtimin e papasit prof.Francesco Solano, ordinar i katedrës së Gjuhës Shqipe në Universitetin e Kalabrisë, dhé mësim si ‘lektor i gjuhës shqipe’ ç’ka viti akademik 1986-87, për shtatë vjet.
*A keni pasur ndonjë vështirësi kur u flisnit shqip, apo u mësonit alfabetin e gjuhës shqipe fëmijëve arbëreshë?
-Arbëreshi folen arbërishtin, e arbërishtja ka t’i mësohet, jo shqipja. Djali arbresh – si i rrituri arbresh – s’e njeh shqipen, s’e kupton shqipen. Shkurt: arbreshi do alfabetizuar tek e folmja e tij katundare. Çdo arbresh tek e folmja e tij lokale. E, mësemë, jo alfabetizim arbresh në gjuhën shqipe! Vasha e djali arbreshë duan folur te gjuha e s’jëmës, e katundit: duan alfabetizuar tek ajo gjuhë, sepse me atë gjuhë rrojën ditë pas ditje. ‘Shqipja s’ka lidhje’, ndër katundet arbëreshë. Vendi i saj janë Universitetet Italianë ku ka katedra gjuhje dhe letërsije shqipe: Romë, Napul, Kosenxë, Palermë.
Megjithatë, të shkohet ka të folurit arbrisht tek të shkruarit arbrisht, s’ësht lé: aq kur ké t’e xësh, sa kur ke t’e mësosh. Po kur ënda e mësuesit përpiqet (takohet) me kuriozitetin e djalit, s’ka më probleme. E kur djalit i folet tek e folmja e tij dhe i mësohet të shkruanj fjalët çë di, probleme s’ka: alfabeti xëhet njìze e mësimi ndërrohet në lozje.
Kështu qe për mua dhe kështu është për çdo djal e vashë arbëreshe.
*Ç’ndikim ka në formimin tuaj historia e Shqipërisë? A gjenden tek ju gjurmë të kulturës, shqiptare, si kostumet folklorike, rite të ndryshme gëzimesh apo hidhërimesh, këngë, ose diçka nga kuzhina shqiptare.
-Na Arbëreshë vimi ka Shqipëria, ka më se 5 shekul e gjìmës. Me hyrjen e turqvet në Shqipërì, Skanderbeku personalisht na shtýjti të vijim nd’Itallì. Për të shpëtojim lirinë dhe besën e krishterë. E thot Historia. Po, më qartë se historia, na e thot Gjuha, mbiëmret, toponìmet, veshjet, këngët, vjershet, Kalimeret,(Këngë popullore Qishnje)riti bixantin-arbresh, etj… Rrojtja jonë e tërë na folën për Shqipërinë, Atdheu i étërvet tanë. Rapsoditë na foljën për Shqipërinë. Të rruarit, të ngrënit, të gëzuarit, të qarit tonë na folën për Shqipërinë. Karakteri ynë i lirë, kryelartë,i fortë, i egër na zbulon shqiptarë. Me këtë gjuhë arbëreshe – një degë e dialektit tosk – kemi stisur një Letërsi. Afërsia e Arbëreshvet ndaj problemevet politikë të shqiptarvet qe e madhe dhe e vlershme. Ndikimet, ka nj’anë e ka jetra, sa më të duash.
Shqipërisë i vodhtim ëmrin e vjetër, Arbër; e na pëlqen të thrritemi Arbëreshë; dhe tërësinë e katundevet ku rrojën Arbëreshët e thrresmi Arbërì. E vet ky ëmer sosën t’i buthtonjë jetës kush jemi e ka vimi.
*Ç’kuptim kanë simbolet kombëtare shqiptare për ju si individ dhe si komunitet në tërësi.
Unë u rrita me fjàmurin shqiptar ndër sytë, me himnin shqiptar ndër veshët: me fjamurin shqiptar ndër vallet e Frasnitës të qellur me dorë ka ‘fjamuràri’, për krei valles; me himnin shqiptar të kënduar ka grupet folk arbëreshë. Edhe katundet arbëreshë janë pjotë me buste të Skanderbekut, me ëmre personaxhesh/qytetesh në toponimitë katundare, me fjàmure çë valëviten ndër shfaqjet folklorike.
Mbi kanxhèlin e jashtëm të shpisë sime disha të skicuar një shqiponjë me-dy-krera.
Këto simbole kombëtare i lidhjën njeri-jetri arbëreshët, si shprehja ‘gjaku jonë i shprishur’ kur përpiqen (takohen). Shqipërinë e kemi te buza e te zëmra.
*Botimi i revistës ”Jeta Arbëreshe”e cila ka ditëlindjen së afërmi, lindi si nevojë, thjeshtë si dëshirë e juaja, apo si domosdoshmëri?
-Një revistë lehet kur kihet çë t’thohet, çë t’jipet. Ndrìshe ka libri, çë mbetet një krijim personal, revista intereson më veta, një komunitet; matet e rritet ndë mes t’korrispondentëvet ebashkëpunëtorëvet. Një shkollë, e një katedër.
Unë, me zotinlalë papas Emanuele Giordano, kishim pasur një përvoje publicistike dhjetëvjeçare me ‘Zërin e Arbëreshvet’(1972-1982), në Ejaninë, po mua s’më kish ndëndur.
‘Jeta Arbëreshe’ (2002) lehet si ‘dëshirë’, sepse dishëroja t’bëja ‘gjë më shumë’ për Arbëreshët, për Arbërinë. Lehet si ‘nevojë’, sepse Arbëreshëvet, Arbërisë, i lypsej një gazetë mujore, e tërë e shkruar në të Folmet e çdo katundi arbëresh. Lehet si ‘e domosdoshme’ sepse motet ishin të pjekur: Ligji kombëtar – si edhe t’tjerë Ligjë krahinorë – për Pakicat Gjuhësore kishin qënë aprovuar ka Italia e duhej një gazetë për ‘të shkruar e thërritur’ te gjuha e Arbëreshëvet. Ish vonë, por akoma mbë herë, për të shpëtohej Arbëria. Me shkrimet arbëreshë të Arbëreshëvet e me ndihmën e shkrimevet tëvëllezërvet shqiptarë. Një veprim ‘last minute’, ‘buzë përroit’, për rrojtjen e të Folmevet Arbëreshe, për ruajtjen e të drejtavet të Arbërisë. Ndëse ky veprim u kish bënë ndër vitet ’60 të shek. të shkuar, me gjithë revistat asimoti ‘të shkruara arbërisht’, sot ishim 10 pika me përpara: kishim shpëtuar sadopak 15%më shumë të Arbëreshitètit tonë.
* Cilat janë temat dhe fushat më të prekshme që evidentohen në faqet e saj? Keni korespondentë të përhershëm apo sipas rastit?
– Kur një popull bier fjalën, vdes. Mua më intereson paremëparë Gjuha Arbëreshe (= tërësia e të Folmevet Arbëreshe): për këtë, ‘dua’ se Arbëreshët ‘kanë’ shkruajën arbrisht, tek e folmja e katundevet tyre, jo lëtisht: për shumë mot bëmë ‘politikë të jashtme’(shkruajtim lëtisht), për t’ishim të njohur ka të hùajit; nanì na duhet ‘politikë e mbrëndshme’: kem shkruami arbrisht, për të shpëtomi vetëhenë tonë, identitetin tonë.
Jemi Italianë, po me origjinë (e gjuhë e zakone e rit bixantin e kulturë) shqiptare.
Korrispondentët (ka pothuaj gjithë katundet ku folet arbrisht) janë të përhershëm; kështu edhe Bashkëpunëtorët. Arbëreshë e Shqiptarë. Arbëreshët, më shpejt gjindë normalë, se sa intelektualë o akademikë. Shqiptarët, më të shumët ka jeta universitare (shqiptare, kosovare e maqedonase) o intelektuale.
Veç Gjuhës (e praktikuar me shkrim), mbi Jeta Arbëreshe botohen materiale mbi letërsinë, folklorin, zakonet, ritin bixantin, historinë arbëreshe, kronikë. Shqiptarët shkruajën (mësemë sotepara) vet mbi Çështje Arbëreshe. Kur zura botimet (me zotin lalë) e kisha si ëndërr, sot e realizova: Jeta Arbereshe është e para (dhe e vetmja) revistë në botë, ku shkruhet vet arbërisht (e shqip), e vet mbi Problematika Arbëreshe. Një çudì!
*I nderuar Prof.Giordano, unë do ta quaja revistën tuaj, një monument të trashëgimisë etniko-kulturore shqiptare që ju po e vazhdoni intensivisht dhe me këmbëngulje. Ju faleminderit për këtë punë të madhe, vetmohuese dhe me shumë vlera kombëtare.
Zoti Agustin, në bibliotekën time personale kam libra të Rilindasit të madh De Rada, të Mons. Eleuterio Fortino, Prof.Italo Costante Fortino, të Tommaso Campera, antologji poetike të Shoqatës “Vatra Arbëreshe” disa botime të revistës së mrekullueshme “ Jeta Arbëreshe”, që keni pasur mirësinë të ma postoni Ju,personalisht. Cilët janë autorët arbëreshë që preferoni?
-Si ju thash, per dica vjet rresht, u fjeta te Biblioteka e zotit lalë, papas Emanueli. Një det libresh, ku veprat e më të mbëdhenjvet Poetë e Shkrimtarë Arbëreshë, ç’ka De Rada njera te Vorea Ujko, zbukurojin mbi raftet kështënjje. E ku veprat e pabotuara të Bilotës gërshetohshin me rivistat arbëreshee me skedat e ‘Fjalorit’ të zotit lalë. Autorët, të djeshëm e të sotshëm, çë ju më citoni,(veç De Radës e Bilotës) shkruajtin e shkruajën mbi J.A., i pata e i kam bashkëpunëtorë. Ndër Autorët Arbëreshë, pra, aì çë më pëlqen më shumë është poeti Vorea Ujko (papa Domenico Bellizzi), ka Frasnita.
*Sa njihet letërsia shqiptare tek ju? E njihni ndryshimin midis letërsisë së realizmit socialist dhe asaj bashkëkohore?
-Njihet pak letërsia shqiptare, ndër katundet tanë; më shumë njihen kënkat shqiptare: muzika errën atjè ku libri nëng nxën; edhe sepse jo pak qenë grupet folklorikë profesionistë shqiptarë çë, gjatë vitevet të komunizmit, vejin e vijin ndëpër katundet arbëreshë, për propagandë: kënka e valle çë lanë gjurma në grupet folk arbëreshë. Përkundra, bibliotekat e intelektualëvet dhe dijëtarëvet arbëreshë (edhe priftra), ç’ka vitrat ’50 të shek. të shkuar, qenë të mbytura – falas – ka revista e libre të ‘realizmit socialist’, ç’ka Veprat e Hoxhës njera te ‘Zëri i Popullit’, ture shkuar nëpërmes tërë letërsisë të asaj kohe. Çë prej vitit 2001, pra, ndër bibliotekat e intelektualëvet arbëreshë errunë pak e më pak libre nga Shqipëria, edhe sepse jo më falas, po ‘me t’paguar’. Sidoqoftë, edhe pse pra lirisht mund të udhëtohej ‘vafsh e ardhsh’ ka Shqipëria, (e libret mund të bjehëshin edhe atjè, mbë vend) letërsia bashkëkohore shqiptare zu e u njoh. Dhe ndryshimi me letërsinë e vjetër hoxhjane u pá, dhe u çmua pakund. Mbi revistën Jeta Arbëreshe sot bashkëpunojën, kraha kraha, e vjetra gjeneratë shqiptare dhe e reja: gjënden, për shembull, shkrime të proff. Klara Kodrës si të Laura Smaqit.
*Nuk e kam vizituar Kalabrinë, por si mësuese gjeografie, gjej një ngjashmëri të jashtëzakonshme mes brigjeve të jugut kalabrez, e Siçilisë, me bregdetin jugor të Shqipërisë, duke nisur që nga Vlora. E njëjta thellësi, gjire të panumurta ngjyrë blu, bregdet i lartë shkëmbor me ullinj dhe agrume. Pse u vendosën në një terren të tillë të parët tuaj kur emigruan?
-Historia thot se na Arbëreshë iktim ka Atdheu në shek.XV, më të shumët nga jugu. Këtë e provon edhe fakti se afro tërësia e komunitetevet arbëreshë në Itali kish ritin bixantin grek, çë peshkopët lëtinj, gjatë motit, luftuan egër dhe ka gjimsa e katundevet bën e u zhduk. Lanë Atdheun si ushtarë të Gjergj Kastriotit Skanderbé, po ndë Italì – veç bulerëvet çë preferuan të rrojin Napul – pat’ bëhshin bujq e delarë. E katundet e tyre s’i themeluan në bregdet, o afër detit, për trëmbësi të Turqvet, po preferuan të hyjin mbrënda territorevet e t’i stisjin mbi kodra të ajrosura o nën shpate malesh. Dhe fituan vreshta e ullinj, rrit’tin mëndra dhensh e dhish e lopësh, ture rikrijuar ambientin bujqësor çë kishin lënëte Mëmëdheu.
.-Profesor, më falni për ndërhyrjen , por për aq sa e njoh historinë e Arbëreshëve, përcaktues i origjinës suaj jugore shqiptare, nuk janë vetëm ritet fetare, por dhe toponimet Kalabri*, Ejanina*, edhe kostumet popullore, arbërishtja juaj i përket djalektit toskë. Mesa di, ju keni fituar të drejtat e minorancës nga shteti italian. Janë të mjaftueshme apo keni kërkesa të reja?
Vo: sqaroj këto 2 toponime
*Calabria= ca –Labëria= Kah Labëria =nga Labëria
*Ejanina= e-janina = është Janina ose( si Janina). Shqipërohet edhe ndryshe:
*Ejanina= Ejani -na=Ejani te ne (shën. i autoresVivra)
Ëmri Calabrias’ka prejardhje (veç ato fonetike) të sigurta/historike ilire apo shqiptare.
Ëmri Ejaninavjen ka ëmri i lumit Ejano, çë buron nën këtij katundi.
-Pas 5 shekul e gjimës, Pakica Arbëreshe është e njohur ka Institucjonat Italiane, qendrore dhe krahinore. Ligjën 482 e vitit 1999 e aprovoi Shteti Italian, po atjè ku gjënden katunde ku folet arbërisht, krahinat kanë pra aprovuar Ligja diçka të ngjashme, për ruajtjen e Pakicës arbëreshe (si edhe të tjerave Pakica). Mirëpo, janë Ligja të pamjaftueshme o nga ana normative o ka ajo ekonomike; o qenë aplikuara lik, aq ka autoritetet politikë krahinorë sa ka përgjegjsit universitarë. O, më keq, paratë qenë të shfrytëzuara lik: për shembull, jo për ruajtjen (dhe mësimin) e Gjuhës së Pakicës Arbëreshe po për mësimin e gjuhës shqipe, në kontekste katundare ku u bënë ndryshe dëme, mësemë në sferën shkollore. Janë katunde ku ligjat aplikohen, ku fare, ku aq sa fare. Një kaos. Jeta Arbëreshe lufton vet për një objektiv: Ligjat duan respektuar e jo më një cent ka të verë jashtë Arbërisë, o tëfinanconjë projekte ç’i venë kundër Arbërisë, kundër Arbëreshvet, kundër Gjuhës Arbëreshe. Kjo është kërkesa jonë e re. Serioze, e rreptë, e pa-diskutueshme.
*Cilat janë marrëdhëniet tuaja me Shqipërinë? Keni dëshirë ta vizitoni dhe ta njihni Shqipërinë?
-Njera sot, vizitat e mia kanë interesuar më Kosovën se Shqipërinë. Në Prishtinë vajta disa herë, për shkak të Seminarit Ndërkombëtar të gushtit, ku nderova Arbërinë me kumtesa të posaçme. E ku përdora Arbërishten, se sa munda. Në Shkup qeva ndër vitet ’70, e atjè më botuan një përmbledhje poezish. Të Shqipërisë njoh aeroportin e Tiranës dhe bulevardin e kryeqytetit, ku edhe hëngra drekë; njoh edhe pak Durrësin, ku errura me tragèt; dhe autorrugën Durrës-Prishtinë. E bukur. Në Prishtinë kam disa bashkëpunëtorë të vlershëm, si mikun vëllazëror gjuhëtarin prof.dr.Imri Badallaj. Në Shqipëri, në ambient universitarë e jo, bashkëpunëtorët janë afro 20: e para qe prof.sha Merita Bruci, të Institutit Albanologjik të Tiranës. Shumë adhe s’i njoh. M’e ka ënda t’e vizitonj Shqipërinë, e jo pak: t’e ecënj, t’e njoh, t’e fotografonj. Se të frymëzohem. Disa ftesa zyrtare shqiptare i refuzova, sepse qeva i zënë me të tjerë probleme. Po sotepara kam ndërronj. Miqt më presën. Shqipëria më pret.
*Natyrisht, që jeni i mirëpritur . Shqipëria ka qenë dhe është bujare për kalimtarët që i zë rruga në det dhe i fton në shtëpi me këto fjalë: “O udhëtar që nata e stuhishme të zuri në det, eja! Eja…, Bukë, krip dhe zemër do të gjesh në çdo vatër të këtij trualli të bekuar nga Zoti!”
Kurse bijtë dhe bijat e saj i pret me krahë hapur si nëna që pret fëmijën!Pastaj…, Ju i nderuar Prof.Agostino jeni degët e shpërndara nëpër botë, kurse rrënjët i keni këtu. Është e drejta e degëve ,që të gjejnë rrënjët se ku i kanë, sepse ato janë identiteti ynë i përbashkët.
*Jeta Arbëreshe simbjet mbaron 15 vjet. U nis si gazetë kartje, dil nga muaj, me gjashtëmbëdhjetë faqe; sot është revistë, del nga gjashtë muaj e online, me 80-100 faqe. E shkruar arbërisht ka arbëreshët, për arbëreshët. Se të rronjë Gjuha Arbëreshe.
Vëllezërit Shqiptarë, kado rrojën, na ndihjën me shkrimet e studimet e tyre. Mbi problematike arbëreshe. Na do t’i qasmi ata sa më afër neve, katundevet tanë, vatravet tona: se të njohjën sa më thellë qënien tonë, gjuhësore, letrare, etnografike, historike, reale. Për të mirën e Arbëreshëvet. E për plotësimin e njohjevet çë Shqipëtarët kanë mbi Arbëreshët.
‘Jeta Arbëreshe’ është një urë përmbi dy zallesh, ku Arbëreshë e Shqiptarë, ka e tërë Ballkania, venë e vijën, e shetitjën, e foljën, e ndërrojën njèri jètri përvoje e gëzime. Ku nganjë jep e merr, ku nganjë priret te katundi i tij më i bëgatë e më trim se më parë.
‘Jeta Arbëreshe’ është një ngusht me motin. Një ngusht me Arbëreshët. Një ‘jatrì’ çë Arbërisë i bën mirë. Gjuhës arbëreshe i bën mirë. Historisë arbëreshe i bën mirë. Shqipërisë i bën mirë.
Një jatrí. …Po vet ndëse Arbëreshi dishëron të shërohet…
*I uroj rrugë të mbarë, jetë të gjatë dhe suksese medias më të bukur që flet Shqip dhe Arbërisht, revistës “Jeta Arbëreshe” me drejtor Prof. Agostino Giordano! Ju faleminderit për kënaqësinë e jashtëzakonshme që më dhatë me këtë bashkëbisedim mes dy njerëzve të një gjaku e të një race hyjnore, më të lashtës në botë, racës Arbëro-Shqiptare!
Po ju shpreh një dëshirën time. E vetmja mundësi imja për arbreshët është t’Ju dhuroj juve personalisht, Universitetit të Kozencës dhe Bibliotekës të Kalabrisë disa nga titujt e botimeve të mia. Mundësisht siguroni postimin e librave.
I nderuar Profesor! Mirë u takofshim në Shqipëri ose në Kalabri!
–Me shëndetë!
Dy fjalë njohjeje për Bernardo Bilotta dhe Domenico Bellizzi
Bernardo Bilotta
Bernardo Bilotta (arbërisht: Binard Bilota, 29 November, 1843 – 16 Qershor, 1918). Ishte një prift bixantin, poet dhe filolog arbëresh.
Ka lindur në Frasnitë, nga Emanuele Bilotta dhe Francesca Martire, ka studiuar në San Demetrio Corone dhe u shugurua prift në ritin bizantin më 1866. Ka studiuar pedagogji e dha mësim në shkollat fillore të Frasnitës; çë prej vitit 1873 është famullitar i Frasnitës.
Përkushtimi i tij për studimin dhe ruajtjen e gjuhës Arbëreshe, e bëri që të marrë pjesë në disa kongrese arbëreshe gjuhësore, veçanërisht në një kongres të mbajtur në Corigliano Calabro (në vitin 1895) dhe një tjetër kongres të mbajtur në Lungro- Kozenca më 1897.
Si në karrierën e tij poetike,edhe të shkruarit, ai është i shqetësuar. Bilotta ka filluar kompozimin në vitin 1870, në një kohë kur ai shkroi Markuri Dorsit(poemë satirike). Disa vjet më vonë ai filloi poemën epike” Shpata Skanderbekut ndë Dibrët Poshtë”, e cila u rishikua katër herë,në vitin 1874 e në 1890. Përveç nga prodhimi i tij në poezi dhe poema, ai shkroi edhe disa vepra filologjike mbi gjuhën shqipe, të cilat i publikoi dhe vazhdoi deri në vitin 1915.
Domenico Bellizzi
Domenico Bellizzi (1918-1989)*, i njohur edhe me pseudoniminVorea Ujko, është një ndër më të popullarizuarit dhe të respektuarit poetë arbëreshë. Domenico Bellizzi ishte një prift arbëresh nga Frasnita, i cili ka bërë famullitarin në Firmo. Bellizzi vdiq në një aksident me makinë në janar 1989.Vargu i Bellizzit është një shprehje e rafinuar lirike e qenies arbëreshe, që ka shkruar në shumë revista dhe antologji si dhe në shtatë koleksione, katër prej të cilave janë botuar në Itali, dy në Shqipëri dhe një në Kosovë. Bellizzi është një poet i traditës së pasur. Ai është trashëgimtar(pasardhës) i denjë i poetëve të mëdhenj arbëreshë të shekullit të XIX, De Rada (1814-1903) dhe Zef Serembe (1844-1901), të cilët i admironte shumë. Vargu i tij është i lidhur ngushtë me përvojën arbëreshe, ku tregon forcën e lidhjes së tij me kulturat e paraardhësve të tij në Ballkan, pavarësisht se kishin kaluar mbi 5 shekuj, ai vazhdon traditën e të parëve të tij shqiptarë.
Botimet e Vorea Ujko-s
*Zgjimet e Gjakut, Castrovillari1971;
*Kosovë, Cosenza 1973;
*Mote moderne, Schiavonea 1976 (Kohët moderne);
*Ankth, Prishtinë 1979 (antologji poezish të botuara, hartuar nga Ali Podrimja);
*Stinat e mia, Corigliano C.Stazione 1980 (Stinët e mia);
*Këngë Arbëreshe, Tirana 1982;
*Burimi, Tirana 1985;
*Hapma derën, zonja mëmë, Tirana 1990.
(Cfr.: Vorea Ujko, Opera Letteraria, / Studio introduttivo di Italo C.Fortino, cura dei testi di Agostino Giordano, traduzioni di Caterina Zuccaro/, pp.780, Editrice Il Coscile, Castrovillari 2004).
vo:Përshtati në normën letrare të gjuhës shqipe- Vilhelme Vrana Haxhiraj
* Botuar në origjinal