Në Filadelfia festohen mes dashurise dhe gëzimit ditët e shënuara të Nëntorit.
Kur shikoja sallën e Restorantit “Philadelphia Ballroom..”, në Veri-Lindje (Northeast) të qyteti, të mbushur plot e përplot me bashkatdhetarë të të gjitha moshave, takimet e përmallshme me njëri-tjetrin, daljet në fotografi në grup, vetëm apo me njeriun më të afërt para stendës të ngritur posacërisht për këtë ngjarje madhore të kombit tonë, nuk ka sesi të mos ngazëllhehet shpirti dhe të thuash me zë plotë: “Gezuar për shumë e shumë vite festat e Nëntorit tonë të madh! Eshtë gëzimi më i madh i vitit si në Shqipëri dhe kudo ku jetojnë shqiptarë.
Sa shumë bashkatdhetar që jemi mbledhur! Është gëzim, është bukur kur jemi bashkë në një festë të tillë: është gëzim e nderim për atë c’ka kemi bërë në rrugëtimin tonë historik për të rënët dhe ata që mbetën për të vazhduar “luftën” në paqe. Është detyrim moral, atdhetar për secilin nga ne të ruajmë si vlerat më të mëdha gjuhën shqipe, kulturën, atdhedashurinë.
Sot, si asnjëherë më parë, për nga numëri i madh i pjesëmarrësve, i përbërë më tre breza, të bie në sy se të gjithë ndjeheshin të afërt më njëri -tjetrin, shtërngonin duart, përqafoheshin të përmalluar, ( pa frikën e Covidit) që pasoheshin me pyetjet për shëndetin, punë, fëmijët… Shumë prej tyre janë takuar dhe bërë miq nëpër mbrëmjet e flamurit të organizuar nga Shoqata Mbarëshqiptare “Bijtë e Shqipes” me qëndër në Filadelfia. Por nuk është vetëm kjo mbrëmje nderimi dhe bashkimi që organizon shoqata. Kemi edhe festën e nënave dhe të mësueseve, ose shkurt festat e 7-8 Marsit. Pra nuk janë vetëm festa gëzimi, por edhe historike, nderimi, mirënjohje, bashkimi për lirinë dhe pavarësinë e arritur së bashku.
Shoqata Mbarëkombëtare Atdhetare- Kulturore “Bijtë e Shqipes” ka fituar tanimë një emër të nderuar për punën shumëplanëshe në komunitetin shqiptar, jo vetëm në Filadelfia por në gjithë Pensilvaninë dhe më gjërë. Jo më kot qëndrën kulturore të shoqatës e thërrasin me një emër tjetër të bukur “Shtëpia e Shqiptarit”, sepse shtëpi është bërë për Shkollën Shqipe “Gjuha Jonë”, shtëpi është bërë për shumë veprimtari kulturore, shtepi është bërë edhe për hallet dhe gëzimet e bashkatdhetarve. Ndaj edhe sot Dritan Matraku si kryetar i respektuar i shoqatës është kaq i ngarkuar dhe shqetësuar që cdo gjë të shkojë mbarë. Zonja e nderuar Julida Cepele, sekretare e shoqatës është krahu i djathtë i tij për paraqitjen dhe mbarëvajtjen e punëve në këtë mbrëmje festive. Afër tyre janë dy n/kryetarët znj Rudina Bani dhe z. Mexhit Kobiçi si dhe anëtarët e kryesisë Bujar Gjoka ish kryetari që i dorëzoi stafetën, Eva Dorin, Edi Papajn, Iljaz Shehu, Bujar Celen, Llazar Veron, Sadik Elshanin, Tajar Domi, Haki Collakun, Sami Zekën …. antarë të kryesisë, të gjithë në postin e vet të punës.
Pasi zunë vënd pothuaj të gjithë pjesëmarrësit në këtë festë fjalën përshëndetse e mbajti z. Sami Zeka, anëtar i kryesisë së shoqatës i cili midis të tjerave tha : “Me krenari dhe nderim, mblidhemi sot në qytetin e Filadelfias për të festuar Ditët e mëdha të historisë së popullit tonë, atë të Pavarësisë dhe të Clirimit të Shqipërisë. Sot, në këtë qytet historik, i cili është simboli i lindjes së pavarësisë amerikane, jemi mbledhur për të festuar shpirtin e lirisë dhe qëndrueshmërise që karakterizon kombin shqiptar.” Duke përfunduar përshëndetjen e tij ,pasi falenderoi pjesëmarrësit për mbështetjen që i kanë dhënë Shoqatës “Bijtë e Shqipes” në mëse dy dhjetëvjecarë zoti Sami theksoi: Të gjithë të jemi të bashkuar, të kujtojmë dhe të ndërtojmë së bashku një të ardhme të ndritshme për emigrantët shqiptar në Filadelfia dhe më gjërë, duke ruajtur gjuhën, kulturen dhe identitetin tonë.”
Pas fjalimit përshëndetës me këtë rast fjalën e mori kryetari i shoqatës z. Dritan Matraku. Zoti Dritan i falenderoj të gjithë pjesëmarrësit në sallë dhe i uroi gëzuar 28 Nëntorin, Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, këtë ditë të shenjtë për kombin Shqiptar. Mesazhi i tij ishte që të jemi të bashkur si komunitet rreth shoqatës “Bijtë e Shqipes”, të duam dhe ndihmojmë njëri-tjetrin, të mbajmë ndezur zjarrin e dashurisë për atdheun tonë të dashur.
Kjo festë ishte e mbushur me të papritura: dhe “fjalën” e morën ish nxënësit e saj, disa prej të cileve kanë mbaruar shkollën e mesme dhe jane studente ne fakultete dhe disa vazhdojnë gjimnazin (high school) Ja Vanesa Agolli, Ja dhe Enkela me Elisa Andranjin, ja Sara Matraku, Flavia Semanjaku me Bora Vladi, valltari i pasionuar Luis Koboci…U mblodhën të gjithë bashkë për të ngritur grupin e valleve nën drejtimin e zonjës së talentuar dhe të palodhur Sonja Ponoci. Nuk ishte e lehtë. Disa nuk kishin vallëzuar më parë por kur ke dëshirën dhe dashurinë për artin e popullit cdo gjë është e mundshme. Unë vet rastisa në provat e tyre dhe vec fjalëve të mira për zonjen Ponoci dhe këta të rinjë nuk mund të them gjë tjetër. Ja, i pamë sonte se si kërcënin vallet popullore nga krahina të ndryshme te Shqipërisë. Jo sikur ishin mbledhur para pak ditësh, Dukej sikur vallet flinin brenda tyre dhe duhej vetëm t’i zgjoje. Ju faleminderit te gjithëve. Le ta mbajme gjalle këtë grup dhe pas tyre le të vijnë të tjerë dhe të tjerë… Le të kemi dhe një shkollë apo kurs të valleve popullore shqiptare. Vallet flasin gjuhë ndërkombëtare, merren vesh dhe pëlqehen nga të gjithe. Pastaj edhe prindërit e tyre donin të kërcenin si bijtë e tyre, vallen popullore. Dhe kërcyen.
Më pas sallën e mbuluan zërat e bukur të fëmijëve, nxënës të Shkollës Shqipe “Gjuha Jone”, që kishin përgatitur një koncert polifonik recitimesh, që të përshkonte trupin si një furtunë emocionesh të fuqishme : Ja James Hoxha, deli djalë, me flamurin tonë kombëtar lajmëron : “Flamurin në dorë sot e mbaj,/ Jam krenar që jam shqiptar! E them me nder dhe krenari kam në gjak shqiptarinë.” Natasha Koroveshi gjithë emocion na thote se : “Larg Atdheut në mërgim,/ Shtruam sofrën e bashkimit,/ Sot në ditën e vërtetë,/Rrofsh moj Shqipëri për jetë.” Anthoni Nikolla deklaron me krenari: “Jam shqiptar dem baba dem,? Shqiptar jam dhe shqiptar do jem,/ Jam shqiptar në besë të burrit,/ betohem përpara flamurit.” Pas Anthonit e merr fjalën Harper Koliqi që lajmëron :”Bien fort tupanat në trojet e mia,? Kuq e zi është Kosova,/ Kuq e zi është Shqipëria./”. Pastaj fjalën e merr një vajzë e bukur bionde që duket sikur cicëron : “Një është Dielli,/ Një është Hëna,/ Një është babai,/Një është nëna./ Një jam unë,/ një je ti,/ Një është Nëna Shqipëri,/ Një është flamuri kuq e zi.” Ajla Lika që ka vetëm 5 muaj që ka ardhur nga Shqipëria lajmëron me krenari : “Erdha në Shkollën “Gjuha Jonë”,/ Edhe une jam Bij e shqipes./Rrethuar me shqiptarë plot,/ Ne zemër të Amërikës.” Ndërsa më së fundi bucet James Hoxha :’Urime Shqipëri,/Të rroj Pavarësia!/ Të rroj Flamuri kuq e zi!? Të rroj shqiptaria.”
Ishte me të vërtetë një koncert shumë i bukur! Ju faleminderit fëmijë! Faleminderit dhe mesueseve të Shkollës Shqipe “Gjuha Jonë” për përgatitjen e nxënesve dhe sidomos meueses Rudina Bani!
Sallën e mbulonte herë pas here zeri i bukur i këngëtarit Gëzim Nika, kaq i dashur dhe kaq i njohur në gjithe trojet shqiptare dhe jashte tyre ku jetojnë shqiptarë. Nga kenga në këngë dhe sikur behej më i afert me bashkatdhetarët. U bë pjesë e tyre, jo nga skena por aty pranë tavolinave, pranë bashkëkombasve të vet. E papritura e bukur ishte kur nxënesja e Shkollës Shqipe “Gjuha Jonë” , këngëtarja jonë e dashur Arita Rukiqi këndon së bashku më mjeshtrin e këngës Gëzim Nika. Një e papritur e kendshme edhe për vet Gëzimin. Në fund salla shpërtheu në duartrokitje, që nuk munguan gjatë mbrëmjes edhe kur degjuan këngëtaren Greta Tafa dhe këngëtarin tonë të talentuar Arjol Shpuza, që po krijon cdo here profilin e një këngëtari me peshë. Jemi krenar për Arjolin. është shqiptar i Filadelfias. Kishte këngë nga të gjitha trevat shqiptare. Ishte e gjithë Shqipëriia aty, e bukur e dashur , trimërore.
Midis këngëve u krijua një hapsirë tjetër e bukur. Kryesia e shoqatës dha disa vlerësime për bashkatdhetarët tanë, që me ndihmesën e tyre të pakursyer i janë gjëndur pranë shoqatës në punët për rinovimin e ndërtesës aë ardhshme të saj. Dhe një ndër më të nderuarit është për këtë vit zoti Ferhat Ferko, biznesmen i suksesshëm që dha një ndihmesë të madhe në kryerjen e plotë të punimeve të jashtme hidraulike. Me plotë meritë ai u vlerësua me Certifikatën “NJERIU I VITIT” të cilën ia dorëzoi mes duartrokitjeve antari i kryesisë zoti Sami Zeka. Ndersa nënkryetari i Shoqatës Mexhit Kaboci i dorëzoi zotit Enver Parllaku certifikatën “NDERI I KOMUNITETIT” për ndihmesën e pandërprerë për komunitetin dhe shoqatën. Mes duartrokitjeve e merr fjalën kryetari i shoqatës z. Dritan Matraku , i cili fton bisnesmenin tjetër dhe shqiptarin e nderuar Altin Rapushaj për t’i dorëzuar
“CERTIFIKATëN E MIRËNJOHJES”, për ndihmesën e pakursyer në rinovimin e ndërtesës së shoqatës.
Ndjehemi të gjithë krenarë për këta bashkatdhetarë të nderuar të vlerësuar nga Shoqata Mbarëkombëtare “Bijtë e Shqipes”.
Përsëri këngë dhe valle. Dollitë shkëmbhen në tavolina me urimet më të bukura : “Gëzuar festat e Nëntorit”vëlla, motër, bir dhe bijë, mik dhe shok!
Ndërkohë Julida fton të marrë fjalën mikun e shoqatës zotin Abdulla Domi, ish kryetar i Qarkut të Kukësit, kryetar i Federatës së Paqes Universale në Kukës dhë nënkryetar i Federatës së Paqes Universale në Shqipëri. Pasi përshëndeti të pranishmit ai ftoi zonjat Rudina Bani, Eva Dori dhe zotin Jakup Domi dhe u dorëzoi mes duartrokitjeve titullin “Ambasador i Paqes”.
Gjatë kësaj kohe vazhdonte shitja e biletave për llotarinë për të fituar dhuratat e sjella nga biznesmenja, znj. Adela Koliçi anëtare e kryesisë që ka firmë sigurimesh (Allstate), biznesmeni z. Eldion Pajollari ish anëtar i kryesisë së shoqatës që ka firmë sigurimesh (State Farm), dhe avokati i njohur, z. Iljaz Shehu anëtar i kryesisë.
Jashte sallës bashkatdhetarët vazhdojnë të bëjnë foto tek stenda e dekoruar me këtë rast kushtuar festave të Nëntorit dhuruar nga znj. Adela Koliqi, në bashkpunim me kompaninë printuese InterGlobe Press LLC. me pronare znj. Katie Verdhi.
Mund të shkruash shumë dhe më shumë mbushur me përshtypjet e mira nga të gjithë pjesëmarrësit në këtë mbasdite të bukur të 26 Nëntorit 2023.
Përherë të gjithë bashkë! Mirupafshim në ditëtë tjera të shënuara të kalendarit kombëtar! Përherë me ty Shqipëri!
LLAZAR VERO ish kryetar i shoqatës “Bijtë e Shqipes” Filadelfia, dhe anëtar i Këshillit Drejtues të Shoqatës.